Dokumentet arkivore të shtetit shqiptar tregojnë se edhe në kohën e pushteti komunist pati interesim që të sigurohet materiali arkivor që kishte të bënte me Sami Frashërin e që gjenden në arkivat e Stambollit. Kështu, në vitin 1962, drejtori i atëhershëm i Drejtorisë së Arkivit të Shtetit, Dhimitër Kotini, do t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme, për sigurimin e materialeve arkivore që, siç thuhej në letër, “mund të ndodhin në Stamboll” të patriotit dhe shkencëtarit Sami Frashëri, vepra e të cilit, sot në pushtetin popullor, është bërë objekt studimesh në aspekte të ndryshëm”.
Shkëlzen HALIMI, Shkup
Sami Frashëri është një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ai luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e kombit shqiptar, si intelektual, shkrimtar, politikan dhe diplomat. Angazhimi i tij në fushën e ideve kombëtare dhe çështjes shqiptare ka pasur një ndikim të madh në formimin e identitetit kombëtar dhe në përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Një nga kontributet më të rëndësishme të Sami Frashërit ishte thirrja për rilindjen kombëtare dhe krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Ai e sheh Shqipërinë si një vend të lashtë me një histori dhe kulturë të pasur, por që ishte në rrezik për ta humbur identitetin e tij për shkak të sundimit të huaj. Në manifestin e tij të njohur “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë?”, ai thotë se shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të bashkohen për të mundësuar realizimin e idealeve kombëtare.
Përmes këtij manifesti, Sami Frashëri theksoi rëndësinë e pavarësisë dhe identitetit kombëtar si kusht për zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë. Ai argumentoi se vetëm me një shtet të pavarur dhe të bashkuar shqiptarët mund të shpëtojnë nga dominimi i huaj dhe të realizojnë aspiratat e tyre.
Sami Frashëri luajti një rol të madh në zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ai ishte një shkrimtar dhe intelektual që angazhoi penën e tij për të formuar një vizion të qartë për të ardhmen e Shqipërisë. Veprat e tij janë të pasura me ide kombëtare, patriotizëm dhe kërkesa për edukimin dhe arsimimin e popullit shqiptar.
Sami Frashëri, veç tjerash, ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në standardizimin e gjuhës shqipe. Ai besonte se për të realizuar një shtet të pavarur, shqiptarët duhej të kishin një gjuhë të përbashkët dhe të zhvilluar. Frashëri e theksoi rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla, në administratë dhe në shoqërinë civile. Ai ishte një ndër mbështetësit kryesorë të Rilindjes Kombëtare për ta përdorur dhe pasuruar gjuhën shqipe si një mjet për të ngritur ndërgjegjen kombëtare dhe për të arritur pavarësinë.
E veçanta e Sami Frashërit ishte edhe vizioni për një Shqipëri të bashkuar, përtej kufijve fetarë dhe etnikë. Në një kohë kur populli shqiptar ishte i ndarë në grupe fetare dhe rajonale, Sami Frashëri e përqafoi idenë e një kombi të bashkuar, pavarësisht dallimeve fetare dhe etnike. Ai e shihte shqiptarizmin si një lidhje të fuqishme që mund të bashkonte shqiptarët e ndarë në rajone të ndryshme dhe nën pushtime të ndryshme.
Dokumentet arkivore të shtetit shqiptar tregojnë se edhe në kohën e pushtetit komunist pati interesim që të sigurohet materiali arkivor që kishte të bënte me Sami Frashërin e që gjenden në arkivat e Stambollit. Kështu, në vitin 1962, drejtori i atëhershëm i Drejtorisë së Arkivit të Shtetit, Dhimitër Kotini, do t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme, për sigurimin e materialeve arkivore që, siç thuhej në letër, “mund të ndodhin në Stamboll” të patriotit dhe shkencëtarit Sami Frashëri, vepra e të cilit, sot në pushtetin popullor, është bërë objekt studimesh në aspekte të ndryshëm”.
“Këtij institucioni”, shkruan më tej Kotini, “do t’i vlenin origjinalët – dorëshkrimet e veprave të pabotuara të tij, gjithashtu korrespondenca personale që ka patur me personalitetet e shquara, shoqatat shqiptare etj. Nëse nuk do të mund të siguroheshin origjinalet, të na siguroheshin fotokopjet e tyre”.
Në vazhdim të letrës, drejtori Dhimitër Kotini, thekson se “jemi të informuar se deri tani vonë, 7-8 vjet përpara, ka jetuar në Stamboll (Turki), djali i Sami Frashërit, Ali Sami Bej, i cili mbas vdekjes ka lënë gruan etj. Familja e Ali Sami Bej mund të ketë ndonjë pjesë të materialit arkival origjinal të Sami Frashërit. Mundet të kenë edhe persona të tjerë të emigracionit shqiptar që ndodhen në Stamboll. Materiale arkivale për Sami Frashërin gjithashtu mund të disponojnë Arkivi Turk i Stambollit. Kësaj Drejtorie i rezulton se Arkivi Turk është organizuar dhe është vënë në shfrytëzim edhe për shtete të tjerë”.
Duke potencuar se sigurimi i materialeve nga persona privatë mund të bëhet në rrugë të ndryshme, si bie fjala me dhurim dhe me blerje edhe të fotokopjeve e mikrofilmave, drejtori i Drejtorisë së Arkivit të Shtetit, Kotini, shprehet se “nga Arkivi Turk mund të sigurohen materiale arkivale në formë fotokopjesh ose mikrofilmash me pagesë ose këmbim materiali dokumentar nga ana e jonë, mbasi kjo Drejtori disponon materiale arkivale origjinale të rëndësishme te periudhës turke në Shqipëri, duke filluar nga shek. XVI, XVII, XVIII, XIX e deri më 1912. Nëse Arkivi Turk paraqet ndonjë interes për materialet tona, ne do të ishim dakord për shkëmbim fotokopjesh. Ne mendojmë se do të ishte në interes të dy palëve një shkëmbim i tillë gjithashtu edhe për botimet që nxjerin arkivat e dy shteteve (Shqipëri – Turki). Lutemi të ndërhyhet nga ajo Ministri që me anën e Legatës në Turki të bëhen veprimet e nevojshme lidhur me sigurimin e materialeve arkivale të patriotit e shkencëtarit Sami Frashëri, gjithashtu nëse do të jetë mundësia e vënies së një kontakti nga ana jonë: Arkivi i Shtetit me Arkivin Turk për shkëmbim fotokopjesh të dokumentave arkivale dhe botimesh mbi bazën e interesit të dy palëve. Shpenzimet e blerjes së materialeve arkivale, duke përfshirë edhe ato në valutë, do të paguhen nga kjo Drejtori”, thuhet ndër të tjera në letrën e drejtorit të Drejtorisë së Arkivit të Shtetit drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, e shkruar në vitin 1962.
Në dokumentet arkivore, që atëbotë i posedonte Drejtoria e Arkivit të Shtetit, është edhe një listë e institucioneve, me të cilat kishte pasur lidhje Sami Frashëri, përkatësisht në të cilat kishte shërbyer. Kështu, përmendet gjimnazi grek “Zosimea” në Janinë, ku Samiu kishte mësuar. Në Zyrën e Korrespondencës së Vilajetit të Janinës, Sami Frashëri do të shërbejë si sekretar, pastaj do të jetë nëpunës në zyrën e shtypit në Stamboll, drejtor gazete në Tripol, sekretar i Valiut të Dozekanesit, sekretar i Komisionit të Ekspeditës ushtarake në Janinë, kryetar i Komitetit të Stambollit, sekretar i Komisionit të lartë ushtarak të Kontrollit në vitin 1881.
Po kështu, është edhe një listë me emrat e personave, më të cilët Samiu kishte pas lidhje. Në këtë listë përmenden: Pashko Vaso, Jani Vreto, Konstantin Kristoforidhi, Hoxhë Tahsini, Ismail Qemali, Ferit Bej Vlora, Abedin Pashë Dine, Sait Toptani, Omer Pasha Vrijoni, Kote Hoxhi, Zija Prishtina, Ali Danish Prishtina, Mustafa Pasha Janina, Pandeli Sotiri, Anastas Kullorioti, Murat Toptani, Faik Konica, Gjirollame Rada, Thimi Mitko, Petro Luarasi, Namik Qemali, Sami Pasha (Vali në Tripoli), Daut Efendi Boriçi, Kristaq Zografi dhe Konti Andreasi.
Ekzistojnë edhe disa dokumente, të cilat tregojnë për përpjekjet e pushtetit të atëhershëm për sjelljen e eshtrave të Samiut në Shqipëri.