loader image
November 21, 2024

“Shteti bektashi” në Shqipëri si marrëzi anti-Shqipëri dhe anti-bektashi

Një “shtet bektashi” jo vetëm që bie ndesh me ligjet dhe rendin kushtetues të Shqipërisë, por gjithashtu cenon thelbin dhe natyrën e vetë bektashizmit, i cili ka qenë larg politikës, duke u fokusuar në udhëheqjen shpirtërore dhe në përhapjen e mësimeve të tij. Çdo përpjekje për ta kthyer bektashizmin në një instrument politik do të ishte një manipulim i kësaj trashëgimie dhe një devijim nga misioni i tij origjinal.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Ideja e krijimit të një shteti të posaçëm dhe, natyrisht, të porositur për sektin bektashi, është rast tipik i djallëzisë antishqiptare që përdor si vegël marrëzinë pseudofetare me synimin e qartë për të thërrmuar shtetin, për të dëmtuar kombin dhe për të përdorur e dëmtuar vetë komunitetin bektashi. Shqipëria përshkruhet dhe paraqitet në opinonin ndërkombëtar si një vend me një traditë të fortë harmonie fetare dhe të ndarjes së qartë midis fesë dhe shtetit. Nga këndvështrimi shqiptar, kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e garanton lirinë e fesë dhe ndarjen e fesë nga shteti. Kjo do të thotë se çdo formë ndërhyrjeje e institucioneve fetare në çështjet e qeverisë ose e qeverisë në çështjet fetare do të përbënte një shkelje të rëndë të këtyre parimeve jetike për ruajtjen e unitetit kombëtar. Në këtë kontekst, krijimi i një “shteti bektashi” do të përbënte një goditje të drejtpërdrejtë ndaj kësaj tradite dhe këtyre parimeve. Një qeveri që favorizon një grup fetar mbi të tjerët jo vetëm që i minon themelet e demokracisë dhe të barazisë qytetare, por krijon gjithashtu përçarje të rrezikshme në shoqëri. Një shtet, minishtet, pseudoshtet apo edhe fantashtet, i dalë nga një nismë që minon këto parime dhe që i dedikohet një grupi të vetëm, do të vinte në rrezik këtë larmi dhe harmoni ndërfetare.

Peripecitë e rikthimit të lirisë fetare pas ndalimit komunist natyrshëm do të linin vragët e tyre edhe në historinë pasdiktatoriale të bektashizmit në Shqipëri. Mjegullia e misticizmit dhe sfidat e rikthimit bënë që, krahas dhe mbi shpatullat e bektashizmit, të lindë e zhvillohet pseudobektashizmi i tranzicionit në Shqipëri. Oficerë të ushtrisë e Sigurimit, shoferë e kuzhinierë u turrën të përfitonin nga momenti për të paraqitur veten si përfaqësues të bektashizmit me synimin për të futur duart në pronat e tarikateve myslimane, duke shfrytëzuar paqartësinë juridike të pronës në Shqipërinë e pas viteve ’90-të. Ndërkohë që këto dukuri e goditën bektashizmin përgjatë viteve ’90-të, historia e përdorimit të pseudobektashizmit nga politika antishqiptare është një histori e shekullit 21. Fillimisht kjo politikë antishqiptare e përdori pseudobektashizmin për të krijuar një “fe” më vete, një as-mish-as-peshk fetar që e përvetësoi në mënyrë abuzive traditën historike të bektashizmit dhe njëkohësisht pronat e trashëguara të tarikateve të tjera myslimane kryesisht në jug të Shqipërisë. Ky kapërcim do të kalonte përmes një faze tranzicioni përmbajtësor të dhimbshëm dhe të vrazhdë. Ndërkohë që bektashizmi merrte status zyrtar nga politika antishqiptare si fe më vete, përpiqej ta pajtonte turbullueshëm këtë status jomysliman të caktuar nga politika me vetëperceptimin e vetë bektashinjve si myslimanë. Pra, politika antishqiptare kishte vendosur për bektashinjtë që ata të mos ishin myslimanë, ndërkohë që vetë bektashinjtë nuk mund ta imagjinonin dhe as ta perceptonin idenë se nuk ishin myslimanë. Kjo ishte goditja e parë dhe kryesore kundër bektashizmit dhe bektashinjve.

Mirëpo, djallëzia ka një oreks që shtohet sa më shumë zë rrënjë. Kjo politikë antishqiptare, që pa dijeninë, pa dëshirën, pa kërkesën dhe pa miratimin e bektashinjve u dha atyre statusin e jomyslimanëve, do vazhdonte të thellohej e stërhollohej deri në atë pikë sa t’u deklarojë bektashinjve të shpallur si jomyslimanë dy dekada më herët, nga Nju-Jorku dhe “New York Times”-i se tashmë bektashinjtë jo vetëm që do të njiheshin si jomyslimanë, por edhe si joshqiptarë. Pas fesë jomyslimane që politika antishqiptare u kishte imponuar, duke i shpallur fe më vete, tashmë po kjo politikë po lajmëronte një imponim tjetër ndaj tyre: shtetësinë joshqiptare. Një tragjedi e pallogaritshme për një komunitet të persekutuar si të gjitha komunitetet e tjera fetare në Shqipërinë ateiste, që ende pa e rimarrë veten nga goditja e komunizmit përballet me lojën e zhveshjes së përdhunshme të tyre nga identiteti islam dhe shqiptar në më pak se dy dekada. Bektashizmi, si sekt, nuk ka qenë kurrë i lidhur me konceptin e një shteti fetar, as në Shqipëri dhe as gjetkë. Ky shtetëzim përdhuni i bektashizmit nuk ka asnjë lidhje as me traditën e tij dhe as me frymën e synimet e bektashizmit. Një “shtet bektashi” jo vetëm që bie ndesh me ligjet dhe rendin kushtetues të Shqipërisë, por gjithashtu e cenon thelbin dhe natyrën e vetë bektashizmit, i cili ka qenë larg politikës, duke u fokusuar në udhëheqjen shpirtërore dhe në përhapjen e mësimeve të tij. Çdo përpjekje për ta kthyer bektashizmin në një instrument politik do të ishte një manipulim i kësaj trashëgimie dhe një devijim nga misioni i tij origjinal. Në fund të fundit, përfshirja e bektashizmit në politikë do ta dëmtonte imazhin e tij dhe do ta përçante vetë komunitetin bektashi.

Përtej çështjeve juridike dhe fetare, krijimi i një “shteti bektashi” do të kishte pasoja serioze për unitetin kombëtar. Siç është përmendur më sipër, Shqipëria është një vend me një popullsi të larmishme fetare, andaj çdo tentativë për të ngritur një shtet të bazuar në një fe të caktuar, do ta përçante shoqërinë në mënyrë të pakthyeshme. Një “shtet bektashi” do ta vinte në rrezik këtë harmoni fetare dhe do ta shndërronte Shqipërinë në një shtet që favorizon një grup të caktuar.

Për fat të keq, duhet njohur fakti që në tri dekadat e fundit ka pasur një tendencë shqetësuese për ta përdorur bektashizmin si një mjet politik në Shqipëri. Figura të ndryshme politike kanë kërkuar të përfitojnë nga ndikimi i këtij komuniteti për qëllime elektorale ose politike. Kjo përfshirje e fesë në politikë është një sinjal alarmi për një shtet që historikisht është përpjekur të mbajë një distancë të qartë midis feve. Përdorimi i bektashizmit si një mjet për të fituar mbështetje politike ose për të krijuar një formë dominimi fetar në shtet është një veprim që minon jo vetëm besimin në qeverisje, por edhe besimin tek institucionet fetare. Në vend që të kontribuojë për forcimin e rolit shpirtëror të bektashizmit, një përpjekje e tillë e zbeh dhe e cenon këtë traditë dhe do ta rrezikonte harmoninë ndërfetare dhe unitetin kombëtar, duke krijuar përçarje të thella në një shoqëri që ka treguar gjithmonë tolerancë dhe bashkëjetesë fetare.

Në këtë kontekst, duhet theksuar se shumica dërrmuese e shqiptarëve, përfshirë edhe vetë komunitetin bektashi, nuk e mbështesin asnjë formë të favorizimit të një feje të caktuar nga shteti. Kundërshtimi ndaj idesë së një “shteti bektashi” ka ardhur nga të gjitha anët e spektrit shoqëror dhe politik të Shqipërisë. Madje edhe vetë liderët e bektashizmit kanë theksuar vazhdimisht se bektashizmi është një traditë shpirtërore dhe jo një lëvizje politike. Çdo përpjekje për ta instrumentalizuar bektashizmin për qëllime politike do të përbënte një tradhti ndaj vlerave dhe filozofisë së tij. Rrjedhimisht, ideja e një “shteti bektashi” në Shqipëri është e dëmshme si për kombin shqiptar, ashtu edhe për vetë bektashizmin. Çdo përpjekje për të ngritur një “shtet bektashi” duhet të refuzohet me forcë nga të gjithë ata që besojnë në një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.

Ka spekulime dhe teori të shumta rreth asaj se çfarë qëllimesh mund të fshihen pas promovimit të tillë të padenjë të bektashizmit në politikë. A përbën kjo prirje e nismë një marrëzi të thjeshtë, një formë të përdorimit politik, apo një djallëzi antishqiptare që shkon përtej Shqipërisë dhe bektashizmit?

Rrënjët e bektashizmit në Shqipëri janë shpesh të përshkruara në mënyrë romantike dhe të mbivlerësuara në diskursin publik dhe politik. Shumë studiues dhe opinionistë publikë e kanë paraqitur bektashizmin si një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të kombit shqiptar, duke theksuar rolin e tij në promovimin e tolerancës dhe harmonisë fetare. Megjithatë, një rishikim më i thellë i historisë dhe realiteteve shoqërore të Shqipërisë ngre pyetje rreth vërtetësisë së rrënjëve të pretenduara të bektashizmit në këtë vend. A janë këto rrënjë të qëndrueshme, të dëshmueshme apo janë të fabrikuara për arsye politike dhe kulturore? Pretendohet se bektashizmi u përhap në Shqipëri gjatë periudhës osmane, kryesisht përmes bashkëpunimit të elitës lokale me administratën osmane dhe për shkak të përfshirjes së shumë shqiptarëve në trupat jeniçere. Sipas literaturës tradicionale, përhapja e bektashizmit në vend u bë pjesë e procesit të islamizimit të shqiptarëve. Mirëpo, një analizë më e hollësishme tregon se përhapja e bektashizmit në Shqipëri nuk ishte aq masive dhe e natyrshme sa paraqitet shpesh. Ky sekt, megjithëse pranoi shumë shqiptarë brenda radhëve të tij, mbeti në thelb një lëvizje e largët dhe e jashtëqendërzuar nga trojet shqiptare. Kjo do të thotë se, ndonëse disa figura historike shqiptare u lidhën me këtë sekt, ndikimi i tij mbeti i kufizuar dhe kryesisht artificial. Megjithëse bektashizmi ka pasur ndikimin e tij në disa aspekte të shoqërisë shqiptare, ai nuk përfaqëson një traditë thelbësore dhe autentike të kombit shqiptar. Përkundrazi, përhapja e tij ka qenë më shumë rezultat i ndikimit të ngjarjeve politike në suazën osmane dhe pasosmane dhe përdorimit politik në kohët moderne sesa një zhvillim natyral dhe i përhapur gjerësisht në mesin e popullsisë shqiptare. Në këtë kontekst, diskursi rreth bektashizmit dhe rolit të tij në shoqërinë e historinë shqiptare, që sforcohet ta paraqesë si një shtyllë e palëkundur e identitetit shqiptar, duhet përballur me faktet që e dëshmojnë si një fenomen që është shfaqur dhe është zhvilluar në mënyrë të kushtëzuar nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm.

Një aspekt tjetër që nënvizon rrënjët e paqena të bektashizmit në Shqipëri është historia paraislame e kombit shqiptar. Para mbërritjes së osmanëve, shqiptarët ishin kryesisht të krishterë, me një përzierje të traditave katolike dhe ortodokse. Kjo përkatësi fetare dhe kulturore është një pjesë e rëndësishme e identitetit shqiptar dhe ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e vetëdijes kombëtare. Në këtë kontekst, bektashizmi nuk mund të shihet si një zhvillim natyral ose i rrënjosur thellë në kulturën shqiptare, përderisa është jo vetëm më i vogli nga komunitetet e tjera, por edhe më i voni në historinë tonë fetare e kombëtare. Pas rënies së Perandorisë Osmane dhe formimit të shtetit shqiptar, bektashizmi filloi të përdorej nga elitat politike dhe kulturore për ta promovuar idenë e një identiteti shqiptar të dallueshëm dhe të pavarur nga ndikimet e huaja. Megjithatë, ky përdorim i bektashizmit ishte i kufizuar në diskursin politik dhe nuk përfaqësonte një realitet të gjallë dhe të përhapur në popullsinë e gjerë shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa regjimi diktatorial komunist shpalli ateizmin si politikë zyrtare, bektashizmi, ashtu si fetë e tjera, pësoi persekutim. Megjithatë, me rënien e komunizmit në fillim të viteve ’90-të, ky sekt fitoi një ringjallje të konsiderueshme dhe filloi të pozicionohej si një forcë që kërkonte ta rindërtonte rolin e saj në shoqërinë shqiptare.

Kryeministri Rama ka treguar një interes të veçantë për çështjet e lidhura me bektashizmin, me sa duket që nga viti 1992, kur së bashku me Spartak Ngjelën e themeluan partinë KIS ose Kristian-Islamike Shqiptare. Marrëdhënia e tij me kreun e bektashizmit, B. Mondin, ngre pikëpyetje mbi motivet e tij politike dhe mbi ndikimin e kësaj lidhjeje në jetën politike të vendit. Nga njëra anë, kjo mund të shihet si shfaqje e një pragmatizmi politik, ku E. Rama synon të përfitojë për të forcuar bazën e tij të votuesve. Nga ana tjetër, kjo lidhje mund të shihet si një nga format e shëmtuara të përdorimit të fesë për përfitime politike, duke minimizuar rëndësinë e autonomisë së institucioneve fetare. Një nga akuzat më të rënda që ngrihet kundër aleancës Rama-Mondi është ajo se përfaqëson një djallëzi antishqiptare, që synon ta dobësojë identitetin kombëtar të shqiptarëve në favor të forcave të jashtme. Në këtë kontekst, shqiptarët duhet ta shohin këtë zhvillim si një kërcënim për identitetin kombëtar. Çdo formë ndërhyrjeje e qeverisë në çështjet fetare ose favorizimi i një grupi fetar mbi të tjerët, përbën një sfidë për parimet e shtetit. Cënuesit e sovranitetit dhe integritetit të shtetit shqiptar, që sipas Kushtetutës është i pacënueshëm, duhet të përballen me shqiptarët përpara se të përballen me Zotin dhe historinë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X