loader image
November 21, 2024

Mungesa e ideve kombëtare në kohën e forcimit të ndjenjave për shtetësinë

Shqiptarët në Kosovë, por jo të gjithë, ideal e kanë që ta formojnë kombin kosovarë. Ata në Luginë të Preshevës të bashkohen me Kosovën ose të jenë një pakicë e respektuar. Ndërsa, më keq, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut klasa politike shqiptare u thotë se janë shtetformues, ndërsa realiteti është se ky “përparim” vlen vetëm për njerëzit e pushtetit. Në fund, ajo që shihet prej së largu është sjellja e liderëve me politika sipas momentit në interes të shtetit (shteteve), ku janë betuar.  

Selim IBRAIMI, Uashington

Europa Juglindore për më shumë se një shekull ka qenë dhe vazhdon të jetë shembull klasik i gërshetimit të identitetit dhe gjeopolitikës. Në veçanti popujt që nuk gëzonin asnjë mbështetje nga fuqitë e kohës ishin më të ekspozuar rreth ndërhyrjeve të jashtme apo humbjes së identitetit. Ose ishte e kundërta, popujt e rajonit të Ballkanit, që ishin ngjeshur mirë me kulturën e të mëdhenjve, ishin në rrezik më të madh të shkrirjes. Rreziku dihej se ishte i gjithanshëm, duke ua bërë të pamundur në disa rrethana orientimin strategjik të disa popujve. Një histori jo të mirë e kanë shqiptarët si popull i shpërndarë në një hapësirë të gjerë gjeografike, me kufij dhe qeveri që ndryshojnë nga njëra-tjetra. Për shkak të ndarjeve fetare dhe identiteteve të ndërtuara pas 1912-tës dhe po ashtu pas 1944-tës, shqiptarët si popull nuk kanë arritur të veprojnë në një ombrellë të përbashkët, qoftë politike, kulturore dhe ekonomike. Të mos hyjmë në kategoritë e identitetit të copëtuar të shqiptarëve në rajon, e sidomos atë politik, që ka një ndikim të madh në procesin e vendimmarrjeve politike. Po t’i krahasojmë idealet dhe programet e qeverive shqiptare në Ballkan, mund të vërejmë se nuk kanë asgjë të përbashkët, qoftë si komb apo si shtete ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Pse janë në këtë gjendje shqiptarët?

Ndikimi i realizmit socialist në zhvillimin ideopolitik të shqiptarëve

Zakonisht duhet t’i referohemi vështirësive që i ka pasur klasa politike shqiptare gjatë ndërrimeve gjeopolitike të dy shekujve të fundit, në hamendjet për t’u radhitur në anën e duhur të aleancave apo zhvilluar e nuhatur mirë situatat ndërkombëtare në kohë. Dhe, po këtu duhet kuptuar se betejat gjeopolitike të të mëdhenjve kanë qenë të pakuptueshme për shqiptarët në Ballkan ose, të paktën, që nga 1944-ta për shkaqe personale, grupore dhe të organizimit politik nuk kanë zhvilluar politikë të kohës. Kjo vlen për klasën politike të ish regjimit në Shqipëri (1944-91) dhe në hapësirën ish-jugosllave, kur një grup politikanësh shqiptarë, të ndikuar nga titizmi, arritën të thellojnë dallimet ndërshqiptare dhe të vendosin koncepte ideopolitike të realizmit socialist mbi kombin dhe idealin. Gjithashtu, mospajtimet në mes klasës politike shqiptare dhe dëshira për pushtet ishin një ndër faktorët që nxitën një identitet të pasigurt te shqiptarët në Ballkan. Rrënimi i plotë i idesë për një komb të madh shqiptar në Ballkan, u shua plotësisht me ardhjen në pushtet të komunistëve të PPSH-së, që për pesë dekada arritën të ndërtonin një individ tjetër apo një shqiptar që dallonte nga shqiptarët tjerë. Krijimi i një identiteti të ri ishte virusi më shkatërrues që u përhap në atë kohë në Shqipërinë komuniste me pasoja deri sot. Dhe, po këtu para LDB-së, kishte filluar të zhvillohej dhe ndërtohej një politikë kundër bashkimit me vija ndarëse mes shqiptarëve, që u shfaq më vonë haptazi me mungesën e vizionit për të vepruar bashkë. Megjithatë, duhet pranuar së në atë kohë kur po mbyllej teatri i luftës kundër Gjermanisë (1944-45), një koncept apo plan i hapur bashkimi do të  binte ndesh me frymën e kohës, pasi ishte i përafërt me atë gjerman të shekujve 19-20-të, për një Gjermani të madhe më të gjithë pakicat etnike gjermane në shtetet fqinjë. Në rajonin e Ballkanit, në shekullin e 20-të, hyrja e ideologjive të huaja, e sidomos ajo e stalinizmit enverist dhe e titizmit jugosllav, në mendjen e shqiptarëve la pasoja në ngritjen e kapaciteteve kombëtare për forcimin e idesë së bashkimit të të gjitha viseve në një shtet. Drejtuesit e kohës së atëhershme, të ndarë në bazë të interesave dhe nga ndikimi sovjetiko-jugosllav, pa lënë anësh edhe atë grek, nuk arritën të formonin një koncept të ri politik që duhej të ishte i njëjtë me atë që zhvillohej në Perëndim. Ku qëndronte problemi i ngritjes së nismave politike? Çështja përsëri lidhej me ndikimet e thella që kishin fqinjët në politikën shqiptare të shekullit të 20-të, bashkë me faktorët e brendshëm. Drejtuesit politikë, që mbanin anën e bashkimit, ishin një pakicë. Ata u dobësuan nga roli i fortë i rrymave serbo-greke në shoqërinë shqiptare. Dijetarët shqiptarë të kohës, që ishin edukuar në Itali, Austri, Francë dhe Turqi, u dominuan nga figura tjera të rëndësishme që kishin lidhje me qeveritë e shteteve fqinjë, andaj nuk mund të mendohej që për bazë të shtetit të kishin Gjermaninë e vitit 1848-të ose të ndonjë shteti fqinj. Bashkimi gjerman erdhi nga një punë e jashtëzakonshme e shoqërisë gjermane në fushën ekonomike dhe industriale të pas-Kongresit të Vjenës (1815). Ndërkaq, në hapësirën shqiptare rrethanat nuk shkonin në favor të shqiptarizmës. Të jemi realistë, çështja shqiptare dhe gjermane ishin të ndryshme, për arsye se projektit gjerman, përveç politikanëve të kohës, një shtytje i dhanë disa dijetarë gjermanë të lidhur ngushtë me ushtrinë gjermane, si Fridrih Ratzel, pa idetë e të cilit Gjermania nuk do të ishte në nivelin e sotëm politik dhe ekonomik. Në hapësirën shqiptare, dijetarët shqiptarë të shekujve 19-20-të ishin përqendruar kryesisht në luftën për autonomi nga Perandoria Osmane. Vlerësohet se ideologët dhe kryengritësit shqiptarë kishin një mision të kufizuar, pra atë të çlirimit nga Perandoria Osmane, por pa një vizion të qartë rreth vështirësive që i prisnin prej Fuqive të Mëdha, të cilët ishin kundër një Shqipërie të përbërë prej të gjitha vilajeteve. Ashtu si luftërat për territore që vazhduan deri në fund të shekullit të 20-të, ndryshimet e mëdha në politikën botërore i gjetën të papërgatitur shqiptarët në Ballkan. Idetë e mëdha politike për një Shqipëri ku do të jetonin të gjithë shqiptarët u kthyen në një ëndërr të keqe që vazhdon të përsëritet deri në ditët e sotit.

Rënia e interesit për unfikim

Pasi rrethanat gjeostrategjike kanë ndryshuar e kanë shkuar në dëm të shqiptarëve në Ballkan dhe në mungesë të kapaciteteve ekonomike e politike për të ushtruar ndikim, është e pamundur që shtetet e fuqishme globale e rajonale t’i konsiderojnë si faktor të rëndësishëm shqiptarët. Një çështje tjetër, që ka marrë pak vëmendje, është paraqitja e një formë tjetër e qeverisjes nga politikanë dhe qeveritarë që kanë lidhje të hershme me stalinizmin enverist. Ndryshe kemi një ngjitje në skenë të ish enveristëve e ish titistëve me ideale universale për kombin dhe identitetin. Profile të njohura politike, me veprimet e deritashme, sugjerojnë se të njëjtit nuk mbështesin një identitet të fortë kombëtar të shqiptarëve në rajon. Deklaratat e tyre në mjedise të izoluara dhe në manifestimet private rreth kombit, se kinse janë për forcimin e pozitës juridike në shtetet ku jetojnë shqiptarët, janë të rrejshme. Të ndikuar nga e kaluara dhe nga partitë politike ku janë anëtarësuar ose nga u vijnë burimet financiare, është parë hapur se liderët politikë shqiptarë nuk janë në shërbim të ruajtjes së identitetit të shqiptarëve brenda shteteve aktuale e as më pak për unifikim. Në përgjithësi, individë të tillë mund të quhen si shqiptarë të përzier që ëndërrojnë një botë pa etni dhe fe. Po qe se i krahasojmë veprimet e politikës shqiptare me nismat serbo-maqedonase, mund të vërehet se këta të fundit nuk kanë hequr dorë nga fuqizimi identitetit, kombit dhe fesë ortodokse në Ballkan. Këtë e bëjnë hapur brenda dhe jashtë vendit, me mbështetje – për habi – nga klasa politike shqiptare. Në vazhdim një vakum i madh në mes shqiptarëve është krijuar dy dekadave të fundit. Pas marrjes së pushtetit. kryesisht nga anëtarë dhe familjarë të ngushtë të ish sistemit dhe partive majtise shqiptare në rajon, identiteti për këtë klasë politike nuk ka rëndësi. Këta figura i gjejmë në pozita të larta shtetërore dhe në diplomaci, ku po aty të huajt informohen për gjendjen e shqiptarëve. Përderisa një klasë e tillë do të vazhdojë të qeverisë, shqiptarët, kudo qofshin në Ballkan, do të ndërtojnë identitete të veçanta dhe larg mbajtjes gjallë të idesë për një komb. Gjithashtu, gjatë viteve të fundit, liderët tanë fatkeqësisht vazhdojnë të zhvillojnë politika të ndryshme sipas interesit kombëtar shtetëror dhe aspak në favor të ruajtjes së identitetit kombëtar. Për shembull, në Mal të Z, shqiptarët janë bërë të parëndësishëm. Në pamundësi për të shpëtuar nga rrënimi i identitetit kombëtar, shqiptarët për shkak të politikave shtetërore të qeverisë malazeze, në bashkëpunim me politikanë të quajtur shqiptarë, asimilimin e popullatës e kanë bërë të pashmangshëm. Në këto kushte, shqiptarët nuk janë në gjendje të formulojnë strategji për të zhvilluar çështjet si tërësi në të gjithë Ballkanin, duke e mbështetur promovimin e kombit me një koncept bashkëkohorë të patriotizmit. Nuk ka shenja se një politikë e përbashkët do të zhvillohet në të gjithë qendrat politike shqiptare në Ballkan. Shqiptarët në Kosovë, por jo të gjithë, ideal e kanë që ta formojnë kombin kosovar. Ata në Luginë të Preshevës të bashkohen me Kosovën ose të jenë një pakicë e respektuar. Ndërsa, më keq, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nga klasa politike shqiptare u thuhet se janë shtetformues, ndërsa realiteti është se ky “përparim” vlen vetëm për njerëzit e pushtetit. Në fund, ajo që shihet prej së largu është sjellja e liderëve me politika sipas momentit në interes të shtetit (shteteve) ku janë betuar e duke e vënë interesin kombëtar në fund. Pa dyshim se të njëjtit bëhen patriotë gjatë fushatave zgjedhore ose në dasma, ku po të njëjtit i gjejmë duke kënduar këngë kreshnike e ndonjëherë duke ia hedhur valles.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X