loader image
November 21, 2024

Korrupsioni dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare në pasqyrën normative

Duhet pasur parasysh se edhe në vendet me demokraci më të etabluar – se ajo e Kosovës dhe e shteteve ballkanike përgjithësisht – ekzistojnë afera korruptuese në politikë dhe burokraci. Si çdo krim tjetër, as korrupsioni nuk mund të zhduket plotësisht. Çështja këtu qëndron te funksionimi i sistemit të drejtësisë.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Korrupsioni politik dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare bëhen shpeshherë kryefjalë në edicionet e lajmeve, në analizat politike, në raportet ndërkombëtare dhe, madje, në bisedat e lira të qytetarëve. Këto vepra gjithnjë demonizohen në diskursin publik, ndonëse lënë gjurmë të ndjeshme në sferën publike. Secili individ ankohet për to dhe prapë këto arrijnë ta ruajnë vazhdimin e ekzistencës.

Në gjithë këtë paradoks social duket e nevojshme të analizohet edhe aspekti normativ, që i rregullon dimensionet penale të veprave të tilla, ngase këto përbëjnë sjellje që e cenojnë mbarëvajtjen funksionale të shërbimeve publike dhe, rrjedhimisht, e atakojnë interesin publik. Për këtë arsye edhe inkriminohen nga legjislacioni penal.

Analiza në vijim ka për qëllim të shpalosë llojet e veprave penale që jetësojnë korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, për shkak se – sikundërqë shihet më poshtë – nuk kemi të bëjmë me krime të njëtrajtshme, por me forma të ndryshme. Krahas kësaj, duket e qëlluar të jepen sqarime për kuptimet zyrtare të shumë shprehjeve që përdoren rëndom.

Trajtesa fokusohet në rendin juridik të Republikës së Kosovës, mirëpo vlen të theksohet se në të gjitha legjislacionet bashkëkohore pothuaj parashihen veprat e njëjta, me nuanca dallimi në shkallën e sanksioneve.

Përcaktimi normativ penal

Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare janë të rregulluara në kapitull të posaçëm në Kodin Penal të Republikës së Kosovës (Kapitulli XXXIII).

Sipas Kodit Penal (Nr. 06/L-074), personi zyrtar, i cili e shfrytëzon detyrën apo autoritetin zyrtar dhe i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për dikë  tjetër ose për të dëmtuar a për t’i shkelur të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej së paku 1 vjet, por mund të arrijë deri në 10 vjet, në varësi nga niveli i dëmit të shkaktuar (neni 414).

Kodi penal jep edhe përkufizimin e shpërdorimit të detyrës zyrtare. Së këtejmi, kjo vepër përfshin: shkeljen me dashje a me dijeni të ligjit lidhur me detyrat ose punësimin e zyrtarit; moskryerjen me dashje të ndonjë detyre të domosdoshme ligjore; pranimin e dhuratës, tarifës ose përparësisë së çfarëdo lloji si rezultat i kryerjes së detyrës zyrtare, përveç atyre që lejohen shprehimisht me ligj; keqpërdorimin e pasurisë, shërbimeve ose personelit qeveritar apo të ndonjë sendi tjetër me vlerë që i përket qeverisë e që ka rënë në kujdesin apo posedimin e zyrtarit si rezultat i detyrës apo punës së tij; nënshtrimin me dashje të personit tjetër në keqtrajtim ose arrest, ndalim, kontroll, marrje, heqje, vlerësim ose barrë për të cilën e di se është e kundërligjshme; ndalimin ose pengimin me dashje të tjetrit në ushtrimin ose gëzimin e ndonjë të drejte, privilegji, pushteti apo imuniteti ligjor (neni 414).

Njëra formë e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është ajo e mashtrimit në prokurim publik, e cila vjen në shprehje në rastet e shkeljes me vetëdije të rregullave të prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik. Kjo realizohet, për shembull, me paraqitjen e dokumentacionit të rremë, marrëveshjes së fshehtë kundërligjore apo ndonjë veprimi tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit a ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurat e prokurimit publik. Veprat e tilla dënohen me gjobë dhe me kohëzgjatje të ndryshme burgimi, varësisht nga rrethanat, prej 1-8 vjet (neni 415).

Keqpërdorimi i informatës zyrtare është vepër tjetër penale. Kjo del në pah kur personi zyrtar e keqpërdor informatën zyrtare për të përfituar ndonjë përparësi që nuk i takon. Marrë parasysh dëmet e shkaktuara nga kjo vepër, dënimet me gjobë mund të jenë prej 6 muaj e deri në 12 vjet.

Duhet sqaruar se shprehja “informatë zyrtare”, sipas Kodit Penal, nënkupton informatën në të cilën personi ka qasje si rezultat i detyrës ose punës së tij dhe e cila nuk është bërë publike (neni 416).

Vepër tjetër që hyn në kategorinë e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është edhe konflikti i interesit. Padyshim që opinioni publik e ka dëgjuar pafund këtë term. Në instancë të fundit, dokumentet juridike janë ato që përvijojnë së çfarë nënkupton ky term.

Kodit Penal parasheh që personi zyrtar, i cili merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare për të cilën e ka ditur ose duhej ta kishte ditur se ka interes financiar ai/ajo, ndonjë anëtar i familjes së vet ose ndonjë person juridik që ka lidhje me të, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet. E nëse çështja zyrtare është veprim i prokurimit apo ankand publik, zyrtari dënohet me burgim prej 1-5 vjet.

Këtu duhet ndalur edhe te kuptimet e shprehjeve të përdorura në dispozitën e mësipërme, në mënyrë që të parandalohen ambiguitetet.

Kështu, sipas Kodit Penal (neni 417), shprehja “merr pjesë” nënkupton ushtrimin e autoritetit zyrtar përmes vendimit, miratimit, mosmiratimit, rekomandimit, këshillimit, hetimit, mbikëqyrjes, administrimit, likuidimit, pagesës ose në ndonjë mënyrë tjetër të ushtrimit të ndikimit të padrejtë për një çështje zyrtare. Ndërkaq, shprehja “çështje zyrtare” nënkupton procedurë gjyqësore ose procedurë tjetër zyrtare; aplikim, kërkesë për vendim ose përcaktim tjetër zyrtar; kontratë apo kërkesë; ankand publik ose veprim tjetër i prokurimit; ose ndonjë çështje tjetër e cila prek interesat financiare të personit zyrtar, anëtarit të familjes apo ndonjë personi juridik që ka të bëjë me të.

Shprehja “person juridik që ka të bëjë me të” nënkupton personin juridik në të cilin zyrtari ose  anëtari i familjes ka marrëdhënie financiare aktuale apo të ardhshme, përfshirë marrëdhënien afariste ose të punës apo dobi financiare të çfarëdo natyre.

Kurse shprehja “një anëtar i familjes” domethënë bashkëshorti ose bashkëshortja, prindi, prindi adoptues, fëmija, fëmija i adoptuar, vëllai ose motra, gjyshi ose gjyshja, nipat e mbesat nga vajza dhe djali, hallat dhe tezet, nipat e mbesat nga vëllai dhe motra, dajat dhe axhët, njerku/njerka, thjeshtri/thjeshtra, vëllai/motra nga njëri prind, i afërmi i gjakut që jeton në të njëjtën shtëpi ose personi me të cilin kryerësi jeton në bashkësi jashtëmartesore.

Formë e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është edhe përvetësimi në detyrë, kur personi zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, e përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij. Varësisht nga shkalla e dëmit të shkaktuar, zyrtari mund të dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj e deri në 12 vjet (neni 418).

Mashtrimi në detyrë, si vepër keqpërdoruese, paraqitet kur personi zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, e krijon, përdor ose prezanton rrejshëm raportin e llogarive ose në ndonjë mënyrë tjetër e lajthit personin e autorizuar në kryerjen e pagesës ose transferimit të kundërligjshëm të parave, pasurisë ose të drejtave tjera. Edhe në këtë rast, varësisht nga shkalla e dëmit, shqiptohen edhe dënimet me burgim, që fillojnë nga 6 muaj e që mund të arrijnë deri në 12 vjet (neni 419).

Vepër tjetër e këtij lloji është përdorimi i paautorizuar i pasurisë. Kushdo që pa autorizim i përdor paratë, letrat me vlerë ose pasurinë tjetër të luajtshme, e cila i është besuar atij në detyrë ose, në përgjithësi, në vendin e punës apo në të cilat ka qasje për shkak të shërbimit apo punës së tij ose kushdo që i jep pasurinë e këtillë personit tjetër për shfrytëzim të paautorizuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet (neni 420).

Ndër veprat penale më të njohura është marrja e ryshfetit. Kjo nënkupton që personi zyrtar drejtpërdrejt a tërthorazi kërkon ose pranon ndonjë dhuratë/ofertë/premtim a përfitim tjetër për vete apo për dikë, në mënyrë që të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare. Dënimet që shqiptohen për këtë vepër nisin prej 1 vjet e shkojnë deri në 15 vjet (neni 421).

Në anën tjetër, vepër penale konsiderohet edhe dhënia e ryshfetit. Kushdo që drejtpërdrejtë a tërthorazi i premton/ofron/jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme a përfitim tjetër personit zyrtar, për të vepruar ose për të mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 8 vjet.

Po kështu, krim konsiderohet edhe dhënia e ryshfetit zyrtarit publik të huaj apo personave të huaj zyrtar. Kjo përfshin premtimin, ofrimin ose dhënien e ndonjë dhurate a përfitimi tjetër zyrtarit publik të huaj apo personit të huaj zyrtar, drejtpërdrejt a tërthorazi, në mënyrë që ai zyrtar të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij. Kjo vepër është e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej 1-12 vjet. Për më tepër, dhurata a përfitimi i pranuar/ofruar konfiskohet (neni 423).

Vepër penale e kësaj natyre është edhe ushtrimi i ndikimit. Secili që drejtpërdrejt a tërthorazi kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete a për personin tjetër ose pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, me pretendimin se mund të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar apo është realizuar, dënohet me gjobë dhe me burgim, i cili fillon nga 6 muaj deri në 8 vjet. Edhe në këtë rast, dhurata a përfitimi i pranuar/ofruar konfiskohet (neni 424).

Krim tjetër i ndërlidhur me temën tonë është edhe nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore. Nëse me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete a për personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, gjyqtari nxjerr vendim të kundërligjshëm, ai dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet (neni 425).

Ndër çështjet më të ndjeshme për sigurinë e shtetit është ruajtja e fshehtësisë zyrtare. Prandaj, zbulimi i fshehtësisë zyrtare konsiderohet krim. Kjo vepër jetësohet nëse personi zyrtar, pa autorizim, kumton, dërgon ose, në ndonjë mënyrë tjetër, ia vë në dispozicion personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare. Varësisht nga dëmi i shkaktuar dhe rëndësia e informatës, zyrtari mund të dënohet  prej 6 muaj deri në 10 vjet.

Sipas Kodit Penal, “fshehtësi zyrtare” përbëjnë informatat ose dokumentet e shpallura si fshehtësi zyrtare me akte juridike ose me vendim të organit kompetent të nxjerrë në bazë të ligjit dhe zbulimi i të cilave shkakton pasoja të dëmshme (neni 426).

Formë e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është edhe falsifikimi i dokumentit zyrtar. Falsifikim konsiderohet kur personi zyrtar, në dokumentin zyrtar, në regjistër ose në shkresën zyrtare shënon të dhëna të rreme ose nuk i shënon të dhënat e duhura apo me nënshkrimin e tij a me vulën zyrtare vërteton ose përpilon shkresa që përmbajnë të dhëna të rreme. Këto veprime dënohen me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet (neni 427).

Gjithashtu, vepër keqpërdoruese e detyrës zyrtare cilësohet arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme. Kjo vepër vihet në jetë kur personi zyrtar arkëton nga tjetri diçka që ky nuk është i detyruar të paguajë ose kur arkëton më shumë se që personi tjetër detyrohet të paguajë. Vepra e tillë dënohet me gjobë dhe me burgim deri 3 vjet (neni 428).

Vepër kriminale është edhe përvetësimi i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Nëse personi zyrtar e merr pasurinë e luajtshme me qëllim të përfitimit për vete ose për dikë gjatë bastisjes së lokaleve, të personit ose gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor, atëherë dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet (neni 429).

Së fundmi duhet potencuar edhe veprën penale të mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare. Kushdo që, sipas ligjit, detyrohet të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare dhe i cili nuk e bën një gjë të tillë ose e bën rrejshëm, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Për më shumë, konfiskohet vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë (neni 430).

E drejta në praktikë

Gjer më tani u pa se korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare paraqitet në gamë të gjerë trajtash, të cilat sanksionohen ligjërisht. Megjithëkëtë, kjo ka të bëjë vetëm pjesën normative të çështjes në fjalë. Tutje, opinioni publik hedh vështrimin në pikën kruciale: sa janë të zbatueshme këto dispozita në rastet korruptuese dhe sa është i mundur parandalimi i korrupsionit? Kjo pyetje nuk e ka një përgjigje të thjeshtë.

Duhet pasur parasysh se edhe në vendet me demokraci më të etabluar – se ajo e Kosovës dhe e shteteve ballkanike përgjithësisht – ekzistojnë afera korruptuese në politikë dhe burokraci. Si çdo krim tjetër, as korrupsioni nuk mund të zhduket plotësisht. Çështja qëndron te funksionimi i sistemit të drejtësisë. Pra, kur kryhet një vepër penale, sa do të jetë efektiv procesi hetimor dhe gjyqësor në ndjekjen, përkatësisht, ndëshkimin e krimit? Ky është pragu ku ngec demokracia në shtetet ballkanike.

Prandaj patjetër duhen ashpërsuar sanksionet për veprat e korrupsionit, jo vetëm për të dënuar kryerësit, por për të kryer edhe funksionin e masës parandaluese. Të mirat që ofrohen si shërbime publike nga autoritetet shtetërore i takojnë popullit dhe nuk duhet lejuar që askush t’i ngarkojë qytetarët me detyrime shtesë që nuk parashihen me legjislacion. Rrjetat patronazhiste në trinomin politikë-burokraci-ekonomi duhen zhbërë për aq sa është e mundur dhe e drejta duhet t’u jepet atyre që u përket. Ndryshe, demokracia dhe e drejta mbeten vetëm nocione teorike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X