loader image
March 7, 2026

UÇK-ja si subjekt i lirisë

Pas marsit 1998, shqiptarët e Kosovës ishin popull që po themelonte botën e tij politike. UÇK-ja solli të dyja: e çliroi Kosovën nga regjimi i Millosheviqit dhe i vuri themelet e shtetit të ri. Kosova e pavarur, e shpallur në shkurt 2008, përfaqëson kalimin nga çlirimi në liri, realizimin e lirisë në institucione, ku subjekti e gjen veten në tjetrin ose, siç e formulon Hegeli, bei sich sein im Anderen: të jesh me vete edhe duke qenë në tjetrin

Sead ZIMERI, Kumanovë 

I. Liria si çështje shqiptare

Kjo ese kërkon ta mendojë UÇK-në filozofikisht, duke shqyrtuar marrëdhënien mes veprimit të saj dhe konceptit të lirisë përmes një tradite mendimi që shtrihet nga Hegeli te Arendt-i dhe nga Kanti te Zhizheku, traditë që, siç besoj, e ndërton përvojen shqiptare si rast të rëndësishëm për filozofinë politike. Liria, në historinë shqiptare, nuk ka qenë një temë mes shumë temave, por ka qenë tema: ajo që e ka formuar vetëdijen kombëtare, ajo për të cilën është luftuar dhe është vdekur, ajo që është transmetuar nga një gjeneratë në tjetrën si ideal i panegociueshëm. Kur UÇK-ja ngriti armët në vitin 1998, ajo nuk po bënte diçka të re, por po artikulonte, në kushte të reja historike, të njëjtin ideal që Skënderbeu e kishte artikuluar pesë shekuj më parë, që figurat e Rilindjes Kombëtare e kishin rikthyer në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe që Ismail Qemali e kishte mishëruar në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë në 1912. Ajo që kjo ese do të tentojë të bëjë është ta ndërtojë këtë marrëdhënie mes UÇK-së dhe lirisë me vegla filozofike: tri konceptet e lirisë që Hegeli i zhvillon në Filozofinë e të Drejtës, siç i interpreton Axel Honneth, dallimin kantian mes lirisë së brendshme dhe lirisë së jashtme, konceptin e negativitetit radikal te Slavoj Zhizheku dhe dallimin vendimtar mes çlirimit dhe lirisë te Hannah Arendt-i.

Një paradoks qëndron në zemër të kësaj historie. Shqiptarët janë një popull që e ka jetuar lirinë kryesisht si mungesë: nga rënia e Skënderbeut, më 1468, deri në Pavarësinë e vitit 1912 shtrihen pesë shekuj të pushtimit osman; pas një periudhe të shkurtër sovraniteti të brishtë, të ndërprerë nga pushtimi italian e gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët rënë nën diktaturën komuniste dhe, në rastin e Kosovës, nën shtypjen sistematike serbe, që arriti kulmin në vitin 1989. Momentet e lirisë kanë qenë të shkurtra: rezistenca e Skënderbeut (1443–1468), Pavarësia e Vlorës (1912), vitet e para të shtetit shqiptar. Por, pikërisht kjo mungesë e ka bërë lirinë kategorinë qendrore të vetëdijes shqiptare, sepse një popull që e jeton lirinë si gjendje normale nuk mendon shumë për të, ndërsa një popull që e jeton shtypjen mendon për lirinë çdo ditë. Ky paradoks gjen ndërtimin e tij më të thellë te Hegeli, i cili në Fenomenologjinë e Shpirtit ka treguar se vetëdija e lirisë lind pikërisht nga përvoja e mungesës së saj. Le ta shpjegojmë këtë, sepse është vendimtare për gjithë argumentin që vijon. Në dialektikën e zotërisë dhe shërbëtorit, Hegeli imagjinon dy vetëdije që përballen për njohje: njëra preferon ta rrezikojë jetën sesa ta humbë lirinë dhe bëhet zot, ndërsa tjetra, nga frika e vdekjes, e pranon nënshtrimin dhe bëhet shërbëtor. Por, është pikërisht shërbëtori, jo zoti, që arrin vetëdijen më të thellë të lirisë: zoti, duke ushtruar pushtet mbi tjetrin, mbetet i varur nga ai (i duhet tjetri për ta njohur si zot), ndërsa shërbëtori, nëpërmjet punës, e transformon botën e jashtme dhe, në këtë transformim, e zbulon veten si subjekt që ka fuqinë të formojë realitetin, si qenie që mund të ribëjë botën e jo thjesht ta pranojë atë (Hegel, 1807/1977, §194–196). Kështu është edhe me shqiptarët: shtypja e gjatë nuk e shkatërroi vetëdijen për lirinë, por e thelloi atë dhe Skënderbeu u bë simbol i lirisë jo pavarësisht shtypjes osmane, por pikërisht për shkak të saj, si figurë që dëshmon se shqiptarët kanë qenë një herë të lirë dhe, rrëjedhimisht, mund të jenë sërish. Kur UÇK-ja i ngriti armët, ajo artikulonte jo vetëm idealin e Skënderbeut por edhe atë të Qemalit, të Rilindjes, të gjithë momenteve kur shqiptarët e shndërruan idealin e lirisë në veprim politik. 

II. Liria e jashtme: çfarë humbi Kosova në 1989

Filozofinë e të Drejtës, Hegeli dallon tri momente të vullnetit të lirë që korrespondojnë me tri forma të ndryshme të lirisë në jetën sociale, forma që Honneth-i, në esenë “Mbi varfërinë e lirisë tonë”, i interpreton jo si kategori abstrakte, por si mënyra konkrete në të cilat ne, si qytetarë të modernitetit, e jetojmë dhe e kuptojmë lirinë (Honneth, 2023, f. 19–34). Momenti i parë është liria në kuptimin e saj më bazik: hapësira e jashtme ku subjekti mund të veprojë pa ndërhyrjen e të tjerëve, të lëvizë lirisht, të flasë, të posedojë, të organizojë jetën e vet pa u penguar nga një fuqi e jashtme. Para se të vijojë me zbatimin e këtij koncepti në rastin e Kosovës, vlen të ndalemi te Kanti, sepse ai na ofron një kuptim më të thellë të asaj që e humbi Kosova në 1989. Për Kantin, liria e jashtme nuk është thjesht mungesa e ndërhyrjes, një hapësirë pasive ku askush nuk të ngacmon, por një e drejtë e lindur (angeboren) që na takon si qenie njerëzore thjesht për faktin se ekzistojmë, që proporcionohet barabar tek të gjithë dhe që rregullohet nga Parimi Universal i së Drejtës: liria ime e jashtme mund të kufizohet vetëm nga liria e jashtme e tjetrit dhe ky kufizim është reciprok (Kant, 1797/1996, 6:237–238). Kjo do të thotë se liria e jashtme nuk është thjesht “negative” në atë kuptim të cekët që sugjeron Isaiah Berlin; ajo është liri morale, e kufizuar reciprokisht, që justifikon përdorimin e forcës kundër atyre që e cenojnë: nëse dikush na sulmon, kemi të drejtë ta mbrojmë veten; nëse dikush na e vjedh pronën, kemi të drejtë ta rikërkojmë. Shteti ekziston pikërisht për ta garantuar këtë liri, por kur nuk ka shtet ose kur shteti vet është shkelësi i saj, atëherë e drejta për mbrojtje bie mbi individin dhe mbi popullin (Kant, 1797/1996, 6:256).

Revokimi i autonomisë së Kosovës në vitin 1989, të garantuar nga kushtetuta jugosllave e vitit 1974, ishte pikërisht eliminimi sistematik i kësaj lirie, që Kanti e konsideron të lindur. Noel Malcolm-i e përshkruan me saktësi këtë proces: Asambleja e Kosovës u detyrua të votonte nën presionin e tankeve dhe policisë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e deputetëve arriti të votonte kundër (Malcolm, 1998, f. 344–346). Ajo që pasoi ishte ndërtimi i një sistemi që Rugova vetë e quante “apartheid” (Malcolm, 1998, f. 348): shkollat shqipe u mbyllën dhe u imponua kurrikula serbe; mësuesit u shkarkuan nëse nuk nënshkruanin betimin e besnikërisë ndaj Serbisë, gjë që shumica dërrmuese refuzoi; Akademia e Shkencave u shpërbë; ligje të reja e kriminalizuan blerjen e pronës pa leje nga Beogradi; papunësia arriti mbi shtatëdhjetë për qind; rreth treqind e pesëdhjetë mijë shqiptarë u detyruan të largoheshin; dhuna policore ishte e përditshme: ndalime arbitrare, rrahje, tortura, vrasje ekstragjyqësore (Amnesty International, 1998). Ky ishte rast paradigmatik i tiranisë sistematike (Buchanan, 2004), por ajo që më intereson këtu është dimensioni filozofik: regjimi nuk e kufizonte lirinë e jashtme të shqiptarëve për ta harmonizuar me lirinë e të tjerëve, siç kërkon Parimi Universal i së Drejtës, por e eliminonte atë krejtësisht, duke mohuar momentin më elementar të lirisë dhe duke shndërruar edhe gjërat më të thjeshta që një qytetar i lirë i bën pa menduar, të shkosh në punë, të dërgosh fëmijët në shkollë, të blesh një shtëpi, në akte të pamundura.

III. Liria e brendshme: Rugova dhe sistemi paralel

Momenti i dytë i lirisë, ajo që Honneth-i e interpreton si liria refleksive, korrespondon me konceptin kantian të lirisë së brendshme: autonominë morale, aftësinë për të vepruar sipas arsyes, pavarësisht kushteve të jashtme. Konkretisht, kjo do të thotë se liria nuk matet vetëm me hapësirën që subjekti ka në dispozicion, por edhe me cilësinë e arsyeve mbi të cilat ai vepron: një njeri mund të jetë i lirë në këtë kuptim edhe në burg, nëse vepron sipas arsyeve që vetë i ka reflektuar e që i konsideron të drejta. Liria e brendshme është, në një farë kuptimi, më e thellë se liria e jashtme, sepse ajo është kushti i mundësisë së kësaj të fundit: pa vetëdije për lirinë, pa ndjenjën se liria na takon si qenie njerëzore, ne as nuk do ta kërkonim atë. Pikërisht sepse shqiptarët e Kosovës e ruajtën këtë vetëdije, pikërisht sepse e dinin që ishin të lirë edhe kur realiteti i përditshëm ishte shtypje, ata ishin të gatshëm ta kërkonin lirinë e jashtme kur erdhi momenti. Por, liria e brendshme, sado e thellë që të jetë, mbetet e pamjaftueshme nëse nuk shoqërohet me lirinë e jashtme: liria e brendshme, pa lirinë e jashtme, është aspiratë pa realizim, ndërsa liria reale, liria më e rëndësishme, është liria e jashtme, mundësia për t’i ndjekur qëllimet tona në botën reale, përfshirë lirinë politike, lirinë për të marrë pjesë në vendimmarrjen që na prek si qytetarë. Honneth-i e formulon kufizimin e lirisë refleksive në të njëjtin drejtim: ajo mbetet “thjesht posedim i qëllimeve dhe dëshirave racionale”, ndërsa liria aktuale “varet shumë më tepër nga pyetja nëse ne mund ta kuptojmë realitetin si objektivizim, si mishërim i vetëdeterminimit subjektiv” (Honneth, 2023, f. 24–25).

Rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës, ndërmjet viteve 1989 dhe 1998, ishte artikulimi më i jashtëzakonshëm i lirisë së brendshme kur liria e jashtme është mohuar dhe meriton të analizohet me thellësi. Rugova, profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, që kishte studiuar me Roland Barthes-in në Paris në vitet shtatëdhjetë, ishte një intelektual europian në formim dhe temperament, një njeri që besonte thellësisht në fuqinë e fjalës, të arsyes dhe të durimit. Ai e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës në 1989, parti që fitoi mbështetjen e nëntëdhjetë për qind të popullsisë shqiptare dhe që avokonte pavarësinë përmes mjeteve paqësore. Strategjia e Rugovës nuk ishte mospërballje pasive, por ndërtim aktiv i një bote alternative: Howard Clark, në studimin e tij të thellë mbi rezistencën civile në Kosovë, e përshkruan atë që ndodhi si një nga eksperimentet më të jashtëzakonshme të vetorganizimit qytetar në Europën e pas-Luftës së Ftoftë (Clark, 2000). Shqiptarët e ndërtuan një sistem paralel institucional, që përfshinte: shkolla në shtëpi private, ku mësuesit, që kishin refuzuar betimin e besnikërisë, vazhdonin të jepnin mësim në gjuhën shqipe; klinika ilegale, ku mjekë të pushuar nga puna ofronin kujdes shëndetësor; një sistem tatimor vullnetar që i financonte këto shërbime; dhe struktura të një shteti hije që funksiononte nën sipërfaqen e regjimit serb. Në maj 1992, shqiptarët organizuan zgjedhje paralele, ku Rugova u zgjodh president i këtij shteti që asnjë shtet nuk e njohu, akt i jashtëzakonshëm i autonomisë morale kolektive: vendim i një populli të tërë për të vepruar sipas arsyeve që i konsideronte të drejta, pavarësisht se bota e jashtme nuk i njohu asnjë nga këto akte, refuzim i thellë për ta brendësuar mesazhin e regjimit se shqiptarët janë popull i dorëzuar, pa të drejta, pa mundësi veprimi (Hay, 2011, f. 36–37).

Por, kufizimi i kësaj strategjie, me kalimin e kohës, u bë gjithnjë më i dukshëm dhe është pikërisht ky kufizim që e konfirmon argumentin se liria e brendshme, sado e vlefshme, nuk mund ta zëvendësojë lirinë e jashtme. Rugova e bazonte shpresën e tij te bashkësia ndërkombëtare, duke besuar se durimi dhe dinjiteti i rezistencës paqësore do ta detyronin Perëndimin të ndërhynte, por Clark-u vëren me të drejtë se kjo strategji ishte e orientuar tepër nga perceptimi i jashtëm dhe se i mungonte një plan veprimi për të përshtatur ndaj ndryshimeve në taktikën serbe (Clark, 2000). Momenti vendimtar ishte Marrëveshja e Dejtonit, në nëntor 1995, që e përfundoi luftën në Bosnjë, por e la Kosovën krejtësisht jashtë diskutimit, duke dërguar një mesazh të rëndë: në Ballkanin e viteve nëntëdhjetë vetëm dhuna e tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare, siç vëren Tim Judah në historinë e tij të luftës së Kosovës (Judah, 2000, f. 101–103). Pas Dejtonit, hendeku mes lirisë së brendshme, që shqiptarët e ruanin me heroizëm dhe mungesës së lirisë së jashtme, u bë i pamundur për t’u duruar: lëvizja studentore e vitit 1997, që kërkonte “rezistencë aktive paqësore”, tregonte se brezi i ri nuk ishte i gatshëm të priste më, ndërsa në zonat rurale një lëvizje paramilitare po merrte formë gradualisht. Duhej një akt që do ta çante këtë hendek, që do ta shndërronte vetëdijen për liri në liri të vërtetë. 

IV. Negativiteti radikal: kur liria bëhet veprim

Zhizheku, në Freedom: A Disease Without Cure (2023), e dallon lirinë abstrakte nga liria konkrete, dallim që e ndërton atë që ndodhi në Kosovë në prag të luftës. Liria abstrakte, shkruan ai, është “aftësia për të bërë atë që do, pavarësisht rregullave dhe zakoneve sociale, për t’i shkelur këto rregulla e zakone, madje për të vepruar kundër natyrës së vet substanciale në një shpërthim të “negativitetit radikal”, siç ndodh në mënyrë paradigmatike në një revoltë ose situatë revolucionare” (Zhizhek, 2023, f. 17–18). Ky koncept nuk është përkufizim i ri i lirisë, por rikuperim i momentit të parë të vullnetit hegelian në dimensionin e tij më radikal: tërheqja nga çdo përmbajtje, kthimi në vetvete si negativitet i pastër, që normalisht është vetëm një moment logjik që kalon shpejt te momenti i dytë (përcaktimi, zgjedhja) dhe te momenti i tretë (realizimi në institucione), por që Zhizheku thekson se ka momente historike kur merr jetë të vetën, kur pikërisht ky negativitet, kjo aftësi për të thënë një JO absolute, bëhet e vetmja rrugë për ta hapur hapësirën e një lirie të re, sepse pa shpërthimin e negativitetit rendi i vjetër vazhdon të riprodhojë veten.

Masakra e Drenicës, në mars të vitit 1998, kur forcat serbe vranë familjen Jashari, shënoi pikërisht një moment të tillë. Për gati një dekadë, shqiptarët kishin ushtruar lirinë e brendshme me heroizëm të jashtëzakonshëm, por Dejtoni kishte dëshmuar se kjo rrugë nuk po çonte askund. Dhe, kur Adem Jashari refuzoi të dorëzohej edhe përballë një force dërrmuese, kur ai luftoi deri në frymën e fundit bashkë me familjen e tij, ky akt përfaqësonte lirinë abstrakte në formën e saj më të skajshme: momentin kur një subjekt kolektiv thotë JO me gjithë qenien e tij, jo në faqet e një libri, jo në një debat parlamentar, por me gjak, me jetë, me gjithçka që kishte. Jashari e jetoi momentin e parë të vullnetit në formën e tij më të skajshme: tërheqjen absolute nga çdo kusht që regjimi kishte imponuar, refuzimin e çdo jete që nuk ishte jetë e lirë, artikulim i një parimi për të cilin filozofia ka shkruar shekuj me radhë, se jeta pa liri nuk është vërtetë jetë dhe se ka momente kur njeriu duhet të zgjedhë mes robërisë së sigurt dhe lirisë që kushton gjithçka. Dhe, këtu e shohim edhe logjikën kantiane për lirinë e jashtme në veprimin e saj më të skajshëm: kur shteti vet bëhet shkelësi i kësaj lirie, kur nuk ka më institucion që e garanton atë, atëherë e drejta për mbrojtje bie mbi individin dhe mbi popullin. Andaj UÇK-ja ishte pikërisht ushtrimi i kësaj të drejte: mbrojtja e lirisë së jashtme kur shteti që duhej ta garantonte atë e kishte shndërruar në armikun më të madh të saj.

Por, negativiteti radikal, nëse mbetet thjesht negativitet, nuk prodhon liri, sepse nëse mbetesh në refuzimin absolut të çdo determinimi, ajo që fiton është ajo që Hegeli e quan “liria e zbrazëtisë”: negativiteti i pastër, pa përmbajtje pozitive, që prodhon shkatërrim, jo liri, siç ndodhi kur Revolucioni Francez degjeneroi në terror. Kjo ka rëndësi për kontekstin tonë, sepse UÇK-ja nuk mbeti në negativitet të pastër dhe pikërisht ky dallim e ndan negativitetin e justifikuar nga shkatërrimi i verbër: sakrifica e Jasharit ishte refuzim i një rendi të caktuar në emër të një rendi tjetër që duhej themeluar, negativitet që u shndërrua në akt themelimi, JO që u bë njëherazi PO ndaj një bote të re, ndaj institucioneve, ndaj një rendi ku liria e jashtme, ajo liri që na takon si qenie njerëzore, të realizohet në institucione. Për ta kuptuar këtë kalim nga çlirimi në liri, na duhet Arendt-i. 

V. Nga çlirimi në liri

Arendt-i ofron një vegël konceptuale që është thelbësore për argumentin tim. Në On Revolution (1963), ajo dallon çlirimin, që nënkupton largimin e shtypjes (momentin kur zgjedha bie, kur tirani ikën, kur forcat pushtuese tërhiqen), nga liria, që kërkon diçka më shumë: themelimin e një bote të re politike, ku njerëzit veprojnë si subjekte sovrane, ku ata janë autorë të ligjeve që i qeverisin. Çlirimi është kusht i nevojshëm i lirisë, por nuk e garanton atë, sepse shumë revolucione e kanë arritur çlirimin por kanë dështuar në liri, duke zëvendësuar një tiran me një tjetër ose duke krijuar rende që riprodhojnë shtypjen në forma të reja (Arendt, 1963, f. 29–33). Koncepti që e ndërlidh çlirimin me lirinë është nataliteti: aftësia njerëzore për të filluar diçka krejtësisht të re, për të sjellë në botë atë që nuk ka ekzistuar më parë, sepse çdo akt i vërtetë i lirisë është një fillim që nuk mund të deduktohet nga ajo që ka ndodhur më parë.

Në këtë dritë, sakrifica e familjes Jashari dhe lëvizja që ajo frymëzoi ishte moment nataliteti, fillimi i diçkaje krejtësisht të re: pas marsit 1998, shqiptarët e Kosovës ishin popull që po themelonte botën e tij politike. UÇK-ja solli të dyja: e çliroi Kosovën nga regjimi i Millosheviqit dhe i vuri themelet e shtetit të ri. Kosova e pavarur, e shpallur në shkurt 2008, përfaqëson kalimin nga çlirimi në liri, realizimin e lirisë në institucione, ku subjekti e gjen veten në tjetrin ose, siç e formulon Hegeli, bei sich sein im Anderen: të jesh me vete edhe duke qenë në tjetrin (Cristi, 2005, f. 46). Honneth-i e përshkruan këtë moment duke iu kthyer shembujve të vetë Hegelit: në miqësi dhe në dashuri, “ne nuk jemi njëanshëm; e kufizojmë veten me dëshirë duke u lidhur me tjetrin, por në këtë kufizim e njohim veten si veten” (cit. në Honneth, 2023, f. 25), gjë që, në gjuhë më të thjeshtë, do të thotë se liria e vërtetë nuk është të jesh i izoluar në abstraksion, por të jesh i lirë bashkë me të tjerët, në institucione që na njohin të gjithëve si subjekte të lira: shteti, ligji, rendi kushtetues që garantojnë lirinë e jashtme të çdonjërit në harmoni me lirinë e të gjithëve.

Ky kalim, që qëndron në zemër të argumentit të kësaj eseje, mbetet i paplotë në rastin e Kosovës, sepse Kosova e sotme vazhdon të përballet me sfida të thella: institucione të brishta, sovranitet të kufizuar, njohje ndërkombëtare të paplotë. Liria objektive mbetet projekt, jo realitet i plotë, por pikërisht kjo është natyra e lirisë konkrete: ajo nuk është gjendje statike, por proces i vazhdueshëm, sepse institucionet e lirisë janë historikisht të hapura, të revizueshme, të papërfunduara (Honneth, 2023, f. 35). Akti themelues i UÇK-së e hapi këtë proces dhe realizimi i tij i plotë mbetet detyrë e gjeneratave që pasojnë, por pa aktin themelues, pa momentin e negativitetit radikal që e çau hendekun mes lirisë së brendshme dhe mungesës së lirisë së jashtme, as procesi nuk do të kishte filluar, sepse liria objektive nuk lind nga asgjëja: ajo lind nga negativiteti, nga akti i rebelimit, nga momenti kur një popull e ve në lojë gjithçka për ta çelur rrugën drejt një bote të re. 

VI. Skënderbeu dhe UÇK-ja: kontinuiteti normativ i lirisë

Një kundërshtim i mundshëm ndaj kësaj eseje është se krahasimi mes Skënderbeut dhe UÇK-së është anakronik, sepse Skënderbeu ishte princ feudal i shekullit të pesëmbëdhjetë, ndërsa UÇK-ja ishte lëvizje çlirimtare moderne dhe kontekstet historike, motivet, strukturat shoqërore janë krejtësisht të ndryshme. Ky kundërshtim meriton të merret seriozisht, sepse dallimet historike mes dy konteksteve janë reale dhe nuk duhen minimizuar; megjithatë, ai nuk e prek atë që është thelbësore në argumentin tim. Krahasimi nuk pretendon identitet historik, por identifikon një kontinuitet normativ: një vlerë themelore që riartikulohet në kontekste të ndryshme. Kjo vlerë është liria. Në të dy rastet, një popull i shtypur nga një fuqi shumëfish më e madhe ushtarakisht vendosi të rrezikojë gjithçka për lirinë, pa llogari utilitare dhe pa garanci suksesi. Kushtet normative të rezistencës së armatosur (Finlay, 2015; Brennan, 2019) ishin të plotësuara në të dy rastet, edhe pse në mënyra të ndryshme: në rastin e Skënderbeut, shtypja osmane nuk linte hapësirë për asnjë formë tjetër veprimi politik; në rastin e UÇK-së, dekada e rezistencës paqësore kishte dëshmuar se mjetet diplomatike ishin shteruar dhe në të dy rastet akti i rezistencës ishte artikulim i lirisë. Skënderbeu, kur e ngriti flamurin në Krujë në nëntor 1443 dhe i bashkoi principatat shqiptare në Besëlidhjen e Lezhës, e artikuloi lirinë si vlerë kolektive (Qosja, 2005); UÇK-ja e artikuloi pikërisht të njëjtin parim pesë shekuj më vonë.

Një aspekt tjetër i këtij kontinuiteti meriton vëmendje: si Skënderbeu, ashtu edhe UÇK-ja, e lexuan situatën gjeopolitike me mprehtësi të jashtëzakonshme. Skënderbeu e dinte se rezistenca shqiptare ndaj osmanëve ishte në interes të gjithë Europës së krishterë dhe e përdori këtë fakt për të siguruar mbështetje nga Napoli, Vatikani dhe Venecia; udhëheqja e UÇK-së e kuptoi se, pas masakrës së Srebrenicës (1995) dhe ndërhyrjes së NATO-s në Bosnjë, Perëndimi do ta gjente të pamundur të lejonte edhe një gjenocid në Ballkan dhe se rezistenca e armatosur do ta detyronte bashkësinë ndërkombëtare të ndërhynte. Ky lexim strategjik ishte i saktë në të dy rastet, gjë që tregon se vendimi për rezistencë nuk ishte impuls emocional, por gjykim racional i thellë, vetëdeterminim në kuptimin më të plotë të fjalës. Në këtë kuptim, UÇK-ja mishëronte njëherazi negativitetin radikal, refuzimin absolut të shtypjes dhe gjykimin racional të kushteve të veprimit, gjë që e bën atë një subjekt të lirisë në kuptimin e plotë filozofik: jo thjesht shpërthim spontan i revoltës, jo thjesht gjykim i ftoftë strategjik, por bashkim dialektik i të dyjave, në shërbim të një ideali që kishte jetuar në vetëdijen shqiptare për pesë shekuj. 

VII. Përfundim

Adem Jashari, në kornizën filozofike që e kam zhvilluar, është Skënderbeu i kohës sonë: jo në kuptimin mitologjik të një krahasimi retorik, por në kuptimin e thellë normativ, si figurë që personifikon momentin kur vetëdija shqiptare për lirinë kalon nga ideja në veprim, nga liria e brendshme në negativitetin radikal që hap rrugën për lirinë objektive.

Kjo ese ka argumentuar se përvoja e shqiptarëve të Kosovës mes viteve 1989 dhe 2008 përbën një rast paradigmatik të dialektikës së lirisë: humbja e lirisë së jashtme përmes shtypjes sistematike të regjimit të Millosheviqit, artikulimi i lirisë së brendshme në dekadën e jashtëzakonshme të rezistencës paqësore të Rugovës, shpërthimi i negativitetit radikal në mars 1998, dhe kalimi gradual në lirinë objektive përmes themelimit të shtetit të pavarur.

Njëzet e shtatë vjet pas masakrës së Drenicës, liria që UÇK-ja e solli mbetet projekt i paplotësuar, por çdo projekt i lirisë fillon me një akt themelimi, me një moment kur një popull e artikulon lirinë me gjithë forcën e veprimit. Më 28 nëntor 1443 Skënderbeu e ngriti flamurin në Krujë. Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë në Vlorë. Në mars 1998, Adem Jashari e vuri trupin e tij mes lirisë dhe robërisë. Tri momente, pesë shekuj larg njëri-tjetrit, por i njëjti akt: artikulimi i lirisë si vlerë për të cilën ia vlen të jetohet dhe të vdiset. Historia botërore, siç na ka mësuar Hegeli, është përparimi i vetëdijes së lirisë (Hegel, 1956). Shqiptarët kanë kontribuuar në këtë përparim tri herë me rëndësi universale. Detyra e gjeneratave që pasojnë është ta shndërrojnë lirinë e fituar në liri të jetuar: ta realizojnë lirinë objektive, një botë institucionale ku shqiptarët e njohin veten si subjekte të lira, ku liria nuk është më kujtim i së kaluarës ose dëshirë e së ardhmes, por përvojë e përditshme. 

 

Bibliografi

Amnesty International. (1998). Kosovo: The Evidence. London: Amnesty International Publications.

Arendt, H. (1963). On Revolution. New York: Viking Press.

Brennan, J. (2019). When All Else Fails: The Ethics of Resistance to State Injustice. Princeton: Princeton University Press.

Buchanan, A. (2004). Justice, Legitimacy, and Self-Determination: Moral Foundations for International Law. Oxford: Oxford University Press.

Clark, H. (2000). Civil Resistance in Kosovo. London: Pluto Press.

Cristi, R. (2005). Hegel on Freedom and Authority. Cardiff: University of Wales Press.

Finlay, C. (2015). Terrorism and the Right to Resist: A Theory of Just Revolutionary War. Cambridge: Cambridge University Press.

Hay, C. (2011). The Obligation to Resist Oppression. Journal of Social Philosophy, 42(1), 21–45.

Hegel, G. W. F. (1807/1977). Phenomenology of Spirit (A. V. Miller, Trans.). Oxford: Oxford University Press.

Hegel, G. W. F. (1956). The Philosophy of History (J. Sibree, Trans.). New York: Dover.

Hegel, G. W. F. (1991). Elements of the Philosophy of Right (A. W. Wood, Ed.; H. B. Nisbet, Trans.). Cambridge: Cambridge University Press.

Honneth, A. (2023). The Poverty of Our Freedom: Essays 2012–2019. Cambridge: Polity Press.

Judah, T. (2000). Kosovo: War and Revenge. New Haven: Yale University Press.

Kant, I. (1797/1996). The Metaphysics of Morals (M. Gregor, Trans.). Cambridge: Cambridge University Press.

Malcolm, N. (1998). Kosovo: A Short History. New York: New York University Press.

Qosja, R. (2005). Skënderbeu në histori dhe në letërsi. Prishtinë: Buzuku.

Žižek, S. (2023). Freedom: A Disease Without Cure. London: Bloomsbury Academic.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X