Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se servilizmi i qeverisë ndaj faktorëve të jashtëm dhe arroganca e saj ndaj qytetarëve të zakonshëm duhet të marrë fund. Të gjithë ata që e shohin veten si opozitarë ndaj të keqes dhe që janë të shqetësuar për fatin e atdheut, duhet të ngrihen dhe të mos lejojnë që atdheu t’u merret nga shërbëtorët e interesave të huaja.
Xhafer SADIKU, Tiranë
Rënia e regjimit komunist e gjeti Shqipërinë të mbetur me një elitë kulturore të realizmit socialist dhe një shtresë intelektuale të formuar për t’i shërbyer Partisë së Punës. Ndryshe nga vendet e tjera ish-socialiste, këtu një pjesë e madhe e shoqërisë nuk u lejua të arsimohej. Për më shumë se katër dekada, ajo mbeti e izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe etiketua si “kundërshtare”.
Në këto kushte, “elita” e Shqipërisë konkurronte me vetveten dhe çdo transformim politik ose ekonomik përfundoi duke i shërbyer së njëjtës klasë që kishte sunduar më parë. Tranzicioni nuk solli një ringritje të pushtetit nga baza, por zëvendësim me brezin e dytë të elitës komuniste, që e ndryshoi vetëm fasadën e strukturave, por jo logjikën e kontrollit mbi shoqërinë.
Natyrisht, pushteti, edhe pas rënies së regjimit, vazhdon të lëvizë sipas interesave të ngushta të elitës. Historia e tranzicionit shqiptar nuk është thjesht një kronikë ndryshimesh, por një reflektim mbi mënyrën se si privilegji dhe pushteti riciklohen, edhe kur sistemi i vjetër duket se ka rënë. E tashmja është produkt i së shkuarës dhe shoqëria vazhdon të mbetet peng i saj. Karakteristikë e dallueshme e këtij brezi sunduesish është aftësia e përshtatjes dhe servilizmi ndaj të huajve dhe arroganca mbi qytetarin e ndershëm.
Servilë ndaj të huajve, arrogantë me shqiptarët
Fenomeni i servilizmit ndaj faktorëve të huaj, i shoqëruar me arrogancë ndaj qytetarëve vendas, është i dukshëm në jetën politike të Shqipërisë. Ai reflekton trashëgiminë e regjimit komunist në sjelljen e pushtetit dhe të klasës politike në tërësi, përfshirë edhe segmentet që vetidentifikohen si elitë kulturore.
Kjo dukuri nuk mund të konsiderohet rastësore, por si produkt i një procesi historik, rrënjët e të cilit gjenden në periudhën e sistemit komunist. Nuk është rastësi që nomenklatura e lartë e shtetit përbëhet e tëra nga lidhjet nepotike me krerët dogmatikë të regjimit komunist. E njëjta mund të thuhet edhe për administratën e cila, me pak përjashtime, është e partisë që sundon vendin. Kjo shtresë funksionarësh është e orientuar drejt bindjes dhe shërbimit të pakushtëzuar ndaj pushtetit.
Shpërbërja e sistemit komunist nuk e eliminoi këtë shtresë, por – përkundrazi – i krijoi kushtet për riintegrimin e saj në realitetin e ri politik. Ndryshimet gjeopolitike dhe rrethanat e tranzicionit ofruan një mjedis të favorshëm për ngjitjen e saj në strukturat e pushtetit, duke zëvendësuar elitat e mëparshme dhe duke ruajtur, nën forma të reja, modele të vjetra sjelljeje politike.
Një tipar i qëndrueshëm i kësaj kulture politike është intensifikimi i servilizmit ndaj aktorëve ndërkombëtarë në përpjesëtim të drejtë me zgjatjen e ushtrimit të pushtetit. Paralelisht, vërehet një tendencë në rritje e arrogancës institucionale ndaj qytetarëve, e shoqëruar me praktika që çojnë në shfrytëzim ekonomik, kufizim të lirive dhe dobësim të pozitës sociale të individit. Ky orientim i vazhdueshëm i vendimmarrjes shtetërore drejt interesave të aktorëve më të fuqishëm ka prodhuar pasoja të rënda për funksionimin e shtetit dhe kohezionin shoqëror, duke cenuar parimet mbi të cilat ndërtohet shteti modern i së drejtës.
Në aspektin normativ, shteti shqiptar mbështetet në parime të qarta kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 2, përcakton se sovraniteti i përket popullit dhe ushtrohet prej tij drejtpërdrejt ose nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, ndërsa neni 3 e lidh atë me themelet e rendit kushtetues, si pavarësia, tërësia territoriale, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, drejtësia shoqërore dhe pluralizmi politik. Megjithatë, praktika institucionale dëshmon një mospërputhje të thellë midis normës kushtetuese dhe realitetit politik.
Përplasja midis normave kushtetuese dhe realitetit politik
Në një shtet funksional, parimet kushtetuese përbëjnë bazën e organizimit dhe funksionimit institucional dhe garantojnë ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe ekuilibrave shoqërorë. Në Shqipëri, ndonëse këto parime janë të sanksionuara në normat më të larta juridike, ato cenohen gjithnjë e më shpesh në praktikë. Ajo që do të përbënte shkelje flagrante në realitete të tjera, në Shqipëri është normale, veçanërisht në aspektet themelore të sovranitetit dhe autoritetit shtetëror.
Në teorinë klasike të mendimit politik, sovraniteti lidhet ngushtë me aftësinë për të ushtruar pushtetin në funksion të interesit publik, pa iu nënshtruar ndikimit të aktorëve të jashtëm. Në kontekstin shqiptar, ky nocion mbetet shpesh formal. Çështje të tilla si administrimi i territorit dhe i kufijve shtetërorë, si dhe mënyra e ndërhyrjes së faktorëve të jashtëm në çështje të brendshme, e ilustrojnë mungesën e kohezionit dhe cenimin e interesit publik.
Në planin ekonomik, kjo përplasje shfaqet në mënyrë të dukshme në administrimin e sektorëve strategjikë. Shfrytëzimi i pasurive natyrore, veçanërisht në sektorin e naftës dhe të minierave, ka prodhuar përfitime minimale për buxhetin e shtetit, ndërkohë që sasi të konsiderueshme kapitali janë transferuar jashtë vendit.
Kjo ka krijuar një hendek të thellë midis potencialit real ekonomik të Shqipërisë dhe përfitimit që i kthehet shoqërisë. Si pasojë, janë thelluar pabarazitë sociale, është rritur varfëria dhe është nxitur migracioni masiv, duke shteruar burimet njerëzore të vendit. Këto zhvillime dobësojnë aftësinë e shtetit për të mbrojtur interesat kombëtare në fusha kyçe si diplomacia, siguria dhe mirëqenia sociale. Në këtë kuadër, zbatimi i parimeve kushtetuese dhe i së drejtës ndërkombëtare mbetet më tepër deklarativ sesa substancial.
Një ndër shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje është niveli i lartë i korrupsionit dhe keqmenaxhimi i pasurive publike. Servilizmi i klasës politike ndaj faktorëve të jashtëm shfaqet si mjet për ruajtjen e pushtetit përmes kompromiseve të dëmshme. Ato prodhojnë përfitime të mëdha për grupe të ngushta mbështetëse të pushtetit dhe pasoja afatgjata shkatërruese për shoqërinë dhe shtetin.
Privilegjet e pushtetit, diferencimi social dhe efektet shkatërruese
Privilegjet dhe përfitimet nga pushtetarët kanë krijuar hendek të thellë në shoqërinë shqiptare, pasi shumica paguan dhe pakica përfiton. Shtresa e mesme nuk ekziston, ndërsa shteti është i kapur dhe roli i tij karakterizohet nga pasiviteti. Servilizmi i pushtetit ndaj të huajve dhe përdorimi i shtetit për t’i mbrojtur interesat e tyre i ka favorizuar në dëm të interesit publik. Kjo sjellje ka thelluar ndarjen mes administratës shtetërore dhe qytetarëve, duke e minuar besimin në institucionet e shtetit dhe parimin e përfaqësimit të drejtë.
Si pasojë, Shqipëria ka humbur shumë nga kapacitetet e saj për t’i mbrojtur interesat kombëtare, duke u dobësuar në fushat diplomatike, të sigurisë dhe të mirëqenies sociale. Zbatimi i parimeve kushtetuese dhe i normave të së drejtës ndërkombëtare shpesh mbetet një akt deklarativ, ndërkohë që interesat e huaja bëhen prioritet, duke shkelur detyrimet që burojnë nga rendi kushtetues.
Politikbërësit, të cilët shpesh e shohin servilizmin ndaj aktorëve të jashtëm si një mjet për ruajtjen e pushtetit, bëjnë kompromise të dëmshme për interesat afatgjata të shtetit dhe shoqërisë.
Po ashtu, ndikimi i jashtëm në vendimmarrjen shqiptare është forcuar nga kjo sjellje e klasës politike, e cila, në përpjekje për ta ruajtur pushtetin, ka pranuar lëshime të njëanshme ndaj partnerëve të huaj, ndërsa ndaj qytetarëve ushtrohet presion dhe arrogancë. Ky cikël negativ kërkon një reflektim të thellë mbi nevojën për rinovimin e elitës politike, sepse vazhdimi i këtij modeli mund të përshpejtojë braktisjen e vendit nga rinia dhe ta rrezikojë kohezionin shoqëror. Përvoja e disa vendeve europiane ka dëshmuar se është e mundur të krijohet një balancë funksionale mes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ruajtjes së sovranitetit kombëtar.
Humbja e besimit të qytetarëve ndaj politikës dhe institucioneve është një fenomen i përhapur, veçanërisht tek të rinjtë, të cilët janë potenciali më i rëndësishëm për ndryshimet shoqërore dhe politike. Angazhimi qytetar, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe kërkesa për transparencë dhe llogaridhënie janë të domosdoshme për të nxitur reforma reale dhe afatgjata.
Në këtë mjedis të korrupsionit të përhapur dhe një sistemi gjyqësor të dobët, zbatimi i parimeve kushtetuese dhe i së drejtës ndërkombëtare shpesh mbetet një aspiratë dhe jo një realitet. Për të dalë nga kjo situatë, duhen politika që të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe sektorët strategjikë të ekonomisë, duke ruajtur sovranitetin e shtetit shqiptar.
Kjo kërkon një kalim nga një model qeverisjeje që favorizon interesat e ngushta dhe klienteliste, drejt një sistemi që fokusohet në mirëqenien kolektive dhe interesin publik. Për ta arritur këtë, nevojitet jo vetëm vullnet politik, por edhe një ndryshim të thellë të kulturës politike dhe të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve.
Në këtë kuadër, edhe delegimi i kompetencave të sovranitetit gjyqësor ndaj mekanizmave të mbështetur nga aktorë të huaj ngre shqetësime serioze. Besimi se drejtësia mund të vendoset nga jashtë, përmes mbështetjes së “partnerëve ndërkombëtarë”, mund të krijojë pritshmëri të rreme dhe zhgënjim të mëtejshëm. Përvoja historike e sistemeve juridike tregon se drejtësia duhet të ndërtohet dhe të funksionojë si produkt i institucioneve sovrane.
E tashmja që rrezikon të ardhmen e Shqipërisë
Në kushtet aktuale, ajo që po ndodh në Shqipëri në fushat politike, ekonomike dhe sociale është alarmante dhe duhet ta tronditë çdo shqiptar, veçanërisht të rinjtë. Ky nuk është një alarm i pabazuar, por një realitet i vërtetë që po kthehet në një kërcënim për të ardhmen e vendit. Platformat e dikurshme të spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre, që dështuan në kohën kur u hartuan, po realizohen sot në një mënyrë tjetër. Për fat të keq, kjo po ndodh tani nga vetë shqiptarët, përmes një formë të re të braktisjes së atdheut.
Braktisja e Shqipërisë, e nxitur nga kushtet e vështira dhe një klasë politike e cila ka shërbyer më shumë për interesat e veta sesa për mirëqenien e qytetarëve, mund të konsiderohet një formë moderne e spastrimit etnik. Ky fenomen është i detyruar dhe i imponuar nga politika dhe ndikimet e “partnerëve ndërkombëtarë”, të cilët kanë mbështetur dhe kanë ruajtur në pushtet një klasë udhëheqëse që u shërben interesave të tyre. Ky realitet duhet të bëjë shqiptarët të mendojnë seriozisht mbi kursin që po ndjek vendi.
Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se servilizmi i qeverisë ndaj faktorëve të jashtëm dhe arroganca e saj ndaj qytetarëve të zakonshëm duhet të marrë fund. Të gjithë ata që e shohin veten si opozitarë ndaj të keqes dhe që janë të shqetësuar për fatin e atdheut, duhet të ngrihen dhe të mos lejojnë që atdheu t’u merret nga shërbëtorët e interesave të huaja.
Ideja se Shqipëria është një partner i barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare është një iluzion që ka vdekur shumë kohë më parë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miq, por ka vetëm interesa. Shqipëria dhe popujt e vegjël dhe të rrezikuar kanë përjetuar pasojat e këtyre interesave. Ngjarjet e fundit në mbarë botën, sidomos në rajonet ku popujt e vegjël përballen me rrezikun e asimilimit dhe zhdukjes, duhet të na bëjnë të mendohemi dhe të veprojmë para se të jetë tepër vonë.









