loader image
January 30, 2026

Shqiptarët përballë sfidave në Maqedoninë postkomuniste

Mungesa e vetëdijes institucionale ka ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e institucioneve. Sistemi gjyqësor, i cili përbën njërën nga shtyllat kryesore të një shoqërie të civilizuar, gëzon besueshmëri të dobët te qytetarët. Një shtet, në të cilin gjyqësori gëzon vetëm 2 për qind besueshmëri, nuk mund të pretendojë se përfaqëson shoqëri të përparuar. Sigurisht, kjo është pasojë edhe e mungesës së vetëdijes institucionale e shtetërore dhe të vetë maqedonasve.

Fehari RAMADANI, Tetovë

Sfidat me të cilat janë përballur shqiptarët në Maqedoninë e pavarur ndahen në dy faza. Faza e parë përfshin periudhën e viteve 1990-2001 dhe e dyta periudhën e pas vitit 2001.

Rënia e sistemeve komuniste në Europën Lindore dhe në Jugosllavi, si dhe shpërbërja e kësaj të fundit, ngjalli shpresat te shqiptarët se sistemi shumëpartiak dhe pavarësimi i Maqedonisë do të përmirësonte pozitën e tyre në shtetin e ri. Shqiptarët në Maqedoni kishin vuajtur shumë nga trajtimi i autoriteteve komuniste në vitet 1945-1990. Prandaj, shpresonin që qeveria e re e Maqedonisë do të kishte respekt më të madh për të drejtat e tyre. Por, në vend të bashkëpunimit, klasa politike maqedonase ndoqi rrugën e centralizimit. Ajo u angazhua për ndërtimin e një shteti unitarist, ku pushteti do t’u takonte vetëm maqedonasve. Kjo klasë politike nuk arriti të kuptonte se Maqedonia ishte shtet shumetnik dhe formimi i një shteti etnikisht homogjen ishte praktikisht i pamundur. Me politikën e saj, qeveria e Shkupit e shndërroi Maqedoninë në shtet të përbërë nga një shoqëri me dy klasa, nga maqedonasit sundues dhe nga popullsia e shtypur shqiptare, e cila përbënte grupin e dytë etnik më të madh të popullsisë pas maqedonasve. Qeveria në vazhdimësi ua mohoi shqiptarëve të drejtat e tyre për gjuhën, arsimin, kulturën. Nëpunësit, policët dhe ushtarët diskriminoheshin dhe ishte shumë e vështirë që ndonjëri prej tyre të arrinte karrierë të lartë.

Kushtetuta e re (17 nëntor 1991) i reduktonte të drejtat e shqiptarëve krahasuar me kushtetutën e 25 shkurtit 1974. Ky fakt dëshmonte se klasa politike maqedonase përpiqej të krijonte një “komb-shtet”, duke i ndarë qytetarët në dy grupe, në të privilegjuar dhe të nënshtruar. Në frymën e kësaj politike, gjatë dhjetëvjeçarit të parë pas pavarësisë, shqiptarët diskriminoheshin në të gjitha sferat e jetës, si në: punësim, arsim, kulturë, shëndetësi, mjetet e informimit, administratë etj. Rreth 80 për qind e shqiptarëve ishin të papunë. Në vitin 2001, shqiptarët ishin të përfaqësuar me vetëm 4.42 për qind në të gjitha institucionet e vendit. Nga gjithsej 97.674 të punësuar në institucionet shtetërore, vetëm 4.315 ishin shqiptarë. Kishte institucione të tilla, si Gjykata Supreme ose Këshilli Gjyqësor, në të cilat nuk kishte të punësuar asnjë shqiptar.

Krahas diskriminimit të vazhdueshëm në punësim, në shkollim, në arsim, në përfaqësim brenda organeve drejtuese të shtetit etj., qeveria ushtronte edhe dhunë të vazhdueshme mbi shqiptarët. Në emër të “zbatimit të ligjit”, autoritetet shtetërore arrestuan, burgosën, dënuan e vranë shumë shqiptarë të pafajshëm. Që nga shkëputja e Maqedonisë nga federata jugosllave e deri në vitin 2001, kur shqiptarët u detyruan që t’i kapnin armët për t’i dhënë fund diskriminimit dhe përbuzjes shtetërore, pothuajse çdo vit qeveria shpikte ndonjë aferë kundër shqiptarëve. Në raste të tilla, si ngjarjet e Ladorishtit (15 qershor të vitit 1992), të Bit Pazarit (6 dhe 7 nëntor 1992), “afera e armëve” (vjeshtë 1993), të Universitetit të Tetovës, të Gostivarit (korrik 1997) etj., shumë shqiptarë të pafajshëm jo vetëm që u dënuan padrejtësisht, por disa edhe humbën jetën.

Ligji nuk ishte i njëjtë për shqiptarët dhe maqedonasit. As në rastet kur bëhej fjalë për shkelje të njëjtë dënimet nuk ishin njësoj. Shqiptarët gjithmonë dënoheshin rëndë, kurse maqedonasit shpëtonin me dënim më të lehtë. Gjykatat, të cilat duhej të angazhoheshin për zbatimin e ligjit, kur bëhej fjalë për shqiptarët, shqiptonin vendime shumë të ashpra.

Shqiptarët ishin të përbuzur në të gjitha institucionet shtetërore. Ata pothuajse nuk mund të siguronin asnjë shërbim pa ofruar ryshfet. Shqiptari e kishte gati të pamundur të siguronte certifikatë të lindjes ose vdekjes, letërnjoftime, patentë-shofer, të regjistrohej në fakultet, të merrte provimin shtetëror, të caktonte një operacion në spitalin kirurgjik etj., pa korruptuar një nëpunës shtetëror, një profesor në universitet ose një mjek në spital.

Nga viti 1990, në Maqedoninë “demokratike” mbi 30 shqiptarë vdiqën si pasojë e torturave të policisë në paraburgim. Qëndrimi zyrtar ishte se ata ishin vetëvrarë ose kishin vdekur aksidentalisht. Mbi 60.000 shqiptarë, kryesisht intelektualë dhe të rinj, ishin marrë në pyetje nga ana e autoriteteve shtetërore.

Diskriminimi i vazhdueshëm nga ana e shtetit i kishte detyruar disa shqiptarë që të largoheshin nga Maqedonia. Proceset e montuara, dënimet e padrejta, mungesa e vendeve të punës, vështirësitë ekonomike etj., bënë që një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të emigronin në vende të ndryshme të Europës dhe të botës. Pjesa më e madhe e tyre ishin larguar për të shpëtuar nga persekutimi i vazhdueshëm shtetëror. Shumë prej tyre e kishin të pamundur të ktheheshin në vendlindjen e tyre.

Përpjekjet e shqiptarëve për t’i siguruar të drejtat e tyre me mjete demokratike u refuzuan në vazhdimësi. Përfaqësuesit shqiptarë në Kuvend mbivotoheshin nga deputetët maqedonas. Prandaj, e vetmja rrugë për realizimin e kërkesave të tyre ishte kryengritja e armatosur. Përplasja e armatosur disamujore midis shqiptarëve dhe maqedonasve në vitin 2001 çoi në nënshkrimin e “Marrëveshjes së Ohrit” (13 gusht), çka ngjalli shpresën se pozita e shqiptarëve do të ndryshonte.

Pas vitit 2001, shqiptarët, si rezultat i “Marrëveshjes së Ohrit”, arritën t’i realizonin disa nga kërkesat e tyre, si: zyrtarizmi i Universitetit të Tetovës, themelimi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe përfshirja e tyre në institucionet shtetërore, zyrtarizmi i pjesshëm i gjuhës shqipe, e drejta e pjesshme për përdorimin e flamurit kombëtar etj. Megjithatë, pozita e shqiptarëve as sot nuk është e kënaqshme, kjo jo vetëm për faktin se një pjesë e maqedonasve nuk e kanë ndryshuar qasjen e tyre ndaj shqiptarëve, por ndoshta më tepër edhe për shkak të mosangazhimit të mjaftueshëm të vetë shqiptarëve për t’i fuqizuar institucionet që ata i drejtojnë, të përfshirjes së politikanëve dhe funksionarëve shqiptarë në afera korrupsioni, nepotizmi etj.

Njëri ndër problemet kryesore të elitës politike dhe intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni është mungesa e vetëdijes institucionale. Fatkeqësisht, në periudhën e deritanishme një pjesë e madhe e drejtuesve shqiptarë, qoftë të institucioneve shtetërore ose publike, përfshirë ato arsimore, shkencore e kulturore, institucionin i cili u është besuar ta drejtojnë, e kanë konsideruar si dhuratë për ta shfrytëzuar. Ata nuk e kanë kuptuar funksionin e tyre si përgjegjësi, por si privilegj, i cili duhet shfrytëzuar. Një pjesë e madhe e krerëve të institucioneve e kanë shfrytëzuar pozitën e tyre ose për t’u pasuruar në rrugë të pandershme ose për të punësuar familjarët, të afërmit dhe miqtë e tyre. Në shumë raste punësimi dhe avancimi i të afërmeve është bërë edhe në rastet kur ata mund të mos e posedonin diplomën e duhur ose posedonin një diplomë të dyshimtë. Për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, disa nga këta me diploma të dyshimta, me ndihmën e politikës ose ryshfetit janë avancuar në pozita drejtuese edhe në institucionet arsimore e shkencore.

Mungesa e vetëdijes institucionale ka ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e institucioneve. Sistemi gjyqësor, i cili përbën njërën nga shtyllat kryesore të një shoqërie të civilizuar, gëzon besueshmëri të dobët te qytetarët. Një shtet, në të cilin gjyqësori gëzon vetëm 2 për qind besueshmëri, nuk mund të pretendojë se përfaqëson shoqëri të përparuar. Sigurisht, kjo është pasojë edhe e mungesës së vetëdijes institucionale e shtetërore dhe të vetë maqedonasve.

Mungesa e vetëdijes institucionale e ka sjellë shoqërinë në një gjendje gati kaotike. Të paktë janë ata të cilët e kuptojnë rolin e shtetit në shoqëri dhe nevojën për ndërhyrjen e shtetit në rastet kur shkelen rregullat (ligjet). Nëse problemet që na shqetësojnë si shoqëri i diskutojmë me ata të cilët i kanë marrë dhe i marrin votat për të na përfaqësuar, arrijmë deri aty sa ta konstatojmë gjendjen e pakëndshme, por gati asnjëri nuk flet për nevojën dhe domosdoshmërinë e sanksionimit të shkelësve. Një shoqëri, e cila nuk i dënon ata që i nëpërkëmbin ligjet, nuk mund të presë të ardhme të ndritur. Fatkeqësisht, një pjesë e elitës politike dhe intelektuale nuk janë në gjendje ta bëjnë dallimin ndërmjet institucionit dhe drejtuesve. Nëse drejtuesit janë shkelës të ligjit dhe dhunues të institucionit, për këtë nuk është faji i institucionit por i drejtuesit/ drejtuesve të cilët e keqpërdorin pozitën e cila iu është besuar. Fatkeqësisht, shumë nga drejtuesit politikë dhe nga intelektualët, në vend që të kërkojnë përgjegjësi nga këta funksionarë të papërgjegjshëm, ata e akuzojnë institucionin për keqmenaxhim apo keqpërdorime. Absurditeti arrin deri aty sa mosmarrja e masave për sanksionim të keqpërdoruesve të arsyetohet me nevojën për të mosdëmtuar imazhin e institucionit. Para disa vitesh, në Universitetin e Zagrebit u arrestuan 70-80 profesorë për korrupsion. Kjo as nuk e dëmtoi imazhin e këtij universiteti, as nuk e shkeli autonominë universitare. Përkundrazi, ky veprim dëshmoi se në Kroaci funksionon shteti i së drejtës, se askush nuk është mbi ligjin dhe kushdo që shkel rregullat, merr dënimin e merituar. Përderisa ne si shoqëri nuk arrijmë ta kuptojmë se në rastet kur ndodhin shkelje dënohen drejtuesit dhe nuk sanksionohet institucioni, nuk mund të presim përmirësim të kësaj gjendje.

Problemi kryesor në shoqërinë tonë është mungesa e një arsimi cilësor. Nuk mund të pretendojmë për profesionistë të mirë, nëse nuk ndërtojmë shkolla të mirëfillta. Në shoqërinë tonë shpesh flitet se kemi mungesë të kuadrove të mirëfillta në mjekësi, gjyqësor, ekonomi etj., por rrallë flasim për nevojën e rritjes së cilësisë në arsim. Ne sikur nuk e kuptojmë se kuadrot e të gjitha fushave përgatiten nga shkolla, duke filluar nga arsimi parashkollor e deri te studimet pasuniversitare. Pra, rolin vendimtar në përgatitjen profesionale të një individi e kanë mësimdhënësit. Si mund të pretendojmë të nxjerrim kuadro të përgatitura nga shkollat të cilat i kemi degraduar skajshmërisht? Si mund të pretendojmë t’i arsimojmë mirë të rinjtë kur tekstet shkollore, në shumë raste janë skandaloze, me të dhëna të pasakta? Si mund të shpresojmë për një të ardhme më të mirë kur në shumë raste që nga arsimi parafillor e deri te ai universitar kemi punësuar kuadro të paafta dhe shpesh me diploma të dyshimta?

Faji jonë si shoqëri qëndron në faktin se kemi lejuar dhe do vazhdojmë të lejojmë punësimin e kuadrove joadekuate; se mundësojmë regjistrimin e të rinjve në drejtimet që nuk i meritojnë; se nuk reagojmë kundër politizimit dhe partizimit të shkollave dhe të institucioneve tjera; se kemi lejuar, shpeshherë edhe përkrahur, që në krye të institucioneve të vendosen njerëz jokompetentë etj.

Shumë nga ne, në biseda private, flasim për mungesë profesionalizmi, për keqpërdorim pozite, për mungesë transparence, por rrallë ose asnjëherë nuk themi se kjo gjendje patjetër duhet ndryshuar. Nëse ne do të presim gjendja të ndryshojë vetvetiu, kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk mund të shpresojmë se një ditë keqpërdoruesit të dalin dhe të thonë “ne mjaft keqpërdorëm dhe bëmë shumë dëme, prandaj po tërhiqemi ose i dorëzohemi ligjit”. Nëse nuk rritet vetëdija, gjendja jo që nuk do të përmirësohet, por do të keqësohet edhe më shumë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X