Qosja, Demaçi e urryen gjithë jetën, Thaçi e Albin Kurti patën forcën ta zbusin qëndrimin ndaj tij pas vdekjes, Berisha e Bukoshi i përgatitën intriga, çka haptas, çka në prapaskenë, por me gjithë dobësitë që mund t’i ketë pasur Rugova, nuk arritën ta zbehin figurën e tij.
Daut DAUTI, Shkup
Për ta njohur veprën e një personaliteti të shquar, sidomos nëse i qasemi pas vdekjes së tij, nuk duhet parë ai vetëm me sytë e përkrahësve të tij, por dhe përmes “rezistueshmërisë” ndaj kritikave që kanë pasur të tjerët për të. Kur doli Kosova nga lufta e viteve 1998/1999, meritën më të madhe e kishte UÇK-ja, formacioni që Rugova dhe LDK-ja e tij, më herët, e kishin parë me shumë dyshim, dhe pa dyshim NATO-ja, si forcë vendimtare për ta dëbuar pushtetin serb larg Kosovës. Por, në zgjedhjet e para pluraliste votat nuk i morën çlirimtarët, por paqësori i Kosovës, i cili e kishte kaluar luftën në Prishtinë (një kohë dhe i zënë rob nga forcat serbe) pa ndikim në rrjedhat e luftës. Dr. Ibrahim Rugova dhe partia e tij, Lidhja Demokratike, para lufte kishte qenë gjithçka: edhe parti (pa konkurrencë reale), edhe qeveri, edhe parlament… në organizimin e institucioneve paralele, si arritje më e madhe, por luftën e organizoi tjetërkush, UÇK-ja, e cila e kishte kontestuar legjitimitetin e Rugovës si president. Mirëpo, ndryshe nga logjika e pritshme (për këtë ka pasur qëndrim ironik akademik Rexhep Qosja), në zgjedhjet e para pas luftës populli e shpërbleu me votë sikur të kishte ai merita për çlirimin!
Në këtë vështrim e pashë të udhës t’u kthehemi edhe një herë atyre figurave të cilat nuk binin në trans nga veprimi politik i Rugovës. Ka pasur më shumë, por e pashë të udhës të arsyetoj titullin e atij romanit të njohur të Ramiz Kelmendit, ”Shtatë persona ndjekin autorët”, sepse vërtet dalin 7 të tillë, edhe pse njëri prej tyre edhe mund të përjashtohej nga kjo listë.
- Rexhep Qosja
Ne, gjeneratat që viteve të ‘80-ta, e kemi ndjekur jetën letrare ndër shqiptarët dhe shpesh e kemi shtruar dilemën “Qosja apo Rugova?”: Rexhep Qosja, si kritik e studiues e polemist, që kishte hapur gjithë ato fronte, kurse Rugova si një studiues finok, që solli një nga veprat kapitale, atë kushtuar Pjetër Bogdanit dhe me një mori tekstesh në shtypin e atëhershëm. Ndoshta një dilemë e panevojshme, sepse çdonjëri kishte rrugën e vet krijuese. Në periudhën parapluraliste, me gjithë polemikat me shumë personalitete tjera, Qosja nuk kishte ndonjë fërkim me Ibrahim Rugovën lidhur me ndonjë koncept ideor nga fusha e tyre.
Animoziteti i tyre ka lindur kur shoqëria kosovare nisi të pluralizohej, ndërsa kjo konsiston me momentin kur u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, kur Rugova u vu në krye të lëvizjes për shkëputjen e Kosovës nga Serbia në ish-federatën e Jugosllavisë, e pastaj dhe për pavarësim. Pengesat reale në realizimin e qëllimeve pas daljes nga sistemi administrativ serb e bënë legjitime çdo kritikë. Pas vënies së Kosovës nën masa të dhunshme, organizimi i organeve paralele me buxhetin solidar të 3 përqindëshit, Lidhja Demokratike dhe Rugova vetë nuk e lanë Kosovën pa të zot, por kjo ishte një gjendje e përkohshme që duhej finalizuar disi, por që me vite nuk po ndodhte. Në anën tjetër, nuk është se kishte ndonjë shkop magjik se si duhej arritur kjo edhe te vetë Rugova. Ajo që duhej ta bënte ai, e bënte, me përpjekjet për ta animuar botën për hallin e Kosovës, por përkundër përkrahjes në parim, as faktori ndërkombëtar nuk kishte çka t’i ofronte konkretisht. Në këtë mënyrë, kritikat legjitime në adresë të Rugovës për paradën e vaj-vaj hallit në konferencat e së premtes, të cilat i ngjanin si veja vesë, ishin të pritshme.
Një nga këta kritikë ishte Rexhep Qosja, motivet e të cilit asnjëherë nuk kanë qenë të qarta nëse janë për çështje konceptuale apo një zili intelektuale! Zilia do të konsistonte në faktin që Rugova ka qenë një student parisien dhe hyri në historinë e letërsisë sonë me studimet për Pjetër Bogdanin. Por, ky nuk do të ishte argument aq bindës, sepse ndërkohë që vetë Qosja kishte bërë namin e librave. Të kishte qenë diçka personale, mospajtim karakteresh…, një gjë e mundur. Por, supozimi më realist do të kishte qenë humbja e shansit për të qenë misionar i çështjes së Kosovës, njërit iu dha, ndërsa tjetri me gjasë vetë e kishte refuzuar.
E kanë thënë shumë veprimtarë të kohës se kur qe bërë grupi iniciativ për themelimin e një partie në vigjilje të pluralizmit demokratik, para se t’i ofrohet Rugovës, i qe ofruar Qosjes, por ai do ta ketë refuzuar. “Kur këshilli iniciativ ka qenë në kërkim të një lideri, disa kanë refuzuar. Edhe Qosja ka refuzuar”, ka dëshmuar me një rast Edita Tahiri. “Rugova ishte ai që gjeti guximin, edhe forcën e tij, por edhe trimërinë të themi, që të marrë në dorë një lëvizje për pavarësi kundër një regjimi siç ishte Millosheviqi që filloi të bëjë kërdi në gjithë ish-Jugosllavinë”.
Qëndrimet e tij Rexhep Qosja i ka thënë shumë herë dhe nuk i ka ndryshuar as pas vdekjes së Rugovës. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” (GSH), ai radhit një varg çështjes komprometuese: se që nga rinia ka qenë anëtar i Lidhjes Komuniste (vallë Qosja nuk ka qenë?), se ka qenë sekretar i organizatës themelore të Lidhjes Komuniste në Institutin Albanologjik; se ai do ta trajtojë diferencimin politik pas demonstratave të vitit 1981, kurse në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës – detyrë që nuk e pranojnë disa të tjerë, vihet “i rekomanduar prej organeve partiake të Prishtinës”, kurse LDK-në do ta regjistrojë në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë me një program politik që Kosovës i caktohej një status “më i varfër autonomie se në Kushtetutën e vitit 1974, ndoshta duke harruar se regjistrimi i LDK-së nuk mund të bëhej nëse do të shkruhej se angazhohet për Kosovë jashtë Serbisë… Qosja i numëron edhe mëkate të tjera: se ka qenë kundër demonstratave studentore 1997-1998; se ka pasur qëndrim armiqësor ndaj UÇK-së si dorë e zgjatur e Serbisë etj. Ai ia mohon Rugovës edhe legjitimitetin si kryetar i Kosovës në zgjedhje “të lira dhe demokratike” në Kosovën “e pushtuar prej Serbisë së Millosheviqit”.
Jo që e thotë Qosja, po kanë mbetur shumë dilema rreth ngujimit të Rugovës në Prishtinë gjatë bombardimeve, kur forcat serbe e morën dhe e dërguan në Beograd, ku me Millosheviqin dhanë mesazhe për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s. Ithtarët e Rugovës do të thonë se ka qenë rob lufte, megjithatë po në atë periudhë ka mbetur enigma se si e çau kufirin truproja e tij për të ardhur në TV Era në Shkup për të dhënë mesazhe të paartikuluara qartë rreth pozitës së Rugovës në Prishtinë, e pastaj sërish të kthehej atje… Pra, gjërat që Rugova ia ka adresuar Rugovës, janë të pakëndshme. Por si doli epilogu i këtij dueli, nëse mund t’i japim një rezultat?
Të dy fitues, të dy humbës!
Me faktin se nuk qe kyçur në krye të LDK-së, Qosja ka lëshuar shansin historik të bëjë gjëra “më mirë” se Rugova. Në aktivizmin politik, Rugova del fitues jo vetëm sepse qëndroi gjatë në skenën politike, por dhe sa qe, ai ishte fitues absolut në të gjitha zgjedhjet. Megjithëse fitorja e tij e vërtetë u arrit pas vdekjes së tij: një Kosovë, siç e kishte menduar ai – as me Serbinë, as me Shqipërinë, e hapur ndaj të dyjave. Mirëpo, çmimi i kësaj është se albanologjia mbeti më e varfër për shumë vepra që Rugova do t’i kishte shkruar po të mos ishte në krye të proceseve. Këtu Qosja del fitues. Që të dyve u janë botuar kompletet e veprave pas vitit 2000: Qosja me 40 vëllime, Rugova me 8! Duke pasur parasysh potencialin intelektual, edhe Rugova do të duhej të ishte diku afër, por kjo ishte një flijesë për rrugën e zgjedhur nga fundi i viteve 80-të, kur ai me LDK-në e nisën projektin e madh historik. Ai vetë dhe njerëzit që u mblodhën rreth tij ishin shumica të kalibrit të tij dhe intelektualizmin e vunë në shërbim të kauzës. Ndërkohë që intelektualizmi i Qosjes ishte opozitar. Gjersa qëndroi në fushën e kritikës, ishte i fuqishëm, por në momentin kur deshi potencialin e tij ta vë në shërbim të aktivizmit politik, dështoi. Partia që e themeloi ai, siç kanë thënë maliciozët e figurës së tij, “nuk mund t’i mblidhte as dy autobusë” dhe u shua ende pa u marrë vesh se është krijuar!
- Adem Demaçi
“Mandela shqiptar”, Adem Demaçi, dhe Dr. Ibrahim Rugova janë një shembull ironik i inatit dhe dallimeve konceptuale, edhe pse asnjëri s’i ka bërë keq tjetrit. Mirëpo, rrethanat në të cilat u gjet Kosova para dhe gjatë konfliktit me Serbinë, ata i vuri në pozicione të papërputhshme.
Nga fundi i vitit 1996, diku kah fundi i dhjetorit nëse nuk gabohem, kisha qëndruar disa ditë në Tiranë për të realizuar një intervistë me presidentin Sali Berisha. Aty mora vesh se Adem Demaçi gjendet në TVSH, për një intervistë për “redaksinë kosovare” që emetonte çdo ditë nga gjysmë ore. Për shkak se bacën Adem e njihja përmes babait të bashkëshortes, Hilmi Shehi, që kishin qenë shokë burgu (në shtëpinë e tij në Çair kisha pasur rast ta takoj), por edhe për shkak se vëllai botues ia kishte botuar “Vet-Mohimin” në gjuhën maqedonase dhe ia kishim promovuar në Shkup, unë vajta ta pres para TVSH-së. Ashtu si në intervistën TVSH-së, edhe në bisedë e sipër për një intervistë shkurtër ashtu “në këmbë” në diktafon, ai foli në mënyrë kritike kundër Rugovës, për të cilin thoshte se e ka pasifizuar lëvizjen dhe se kështu më nuk shkon. (Po atë kohë, kishte një përplasje dhe ndryshime konceptesh të veprimit edhe midis Presidentit dhe Kryeministrit). Me gjasë, kjo është koha kur te Demaçi ishte pjekur ideja për një lëvizje më radikale nga ajo e “konferencomanisë” së Rugovës dhe këtë e shprehte haptas. Me sa duket, ato ditë nuk kishte ardhur sall për të dhënë intervistë, por që të takojë kreun më të lartë të Shqipërisë që të bëjë më shumë presion ndaj Rugovës për ta ndryshuar strategjinë.
E ka thënë në mënyrë eksplicite edhe në media, por e mbaj mend se edhe në ato disa takime private, Baca dinte ta fyejë Rugovën edhe në baza private: ai në Prishtinë ka qenë një qyqan, i cili vuante për ta qerasë dikush ndonjë kafe! Por, tash ishte koha për diçka tjetër dhe ai diagnostifikonte se strategjia e Rugovës dhe LDK-së e ka ndihmuar më shumë Serbinë sesa shqiptarët. Baca Adem, me gjithë fjalorin paqësor dhe idetë për një vëllazëri midis shqiptarëve dhe serbëve dhe një kohe të idesë së një Ballkanie, ishte vetëdijesuar për utopizmin e kësaj dhe se nga fundi i 90-tave mendonte se duhej bërë diçka më radikale.
A janë qëndrimet kritike të Demaçit sepse ai hasi në mosrespektim nga LDK-ja dhe vetë Rugova? Nëse i besojmë Qosjes, po. ”…Çka bënë të partishmit tanë për Mandelën tonë? E lanë shumë vite pa rrogë, pa pension, pa kushte për veprimtari politike! U harruan prej tyre që nga dita kur doli prej burgjeve të gjitha sakrificat e tij dhe u harruan sepse prijësit e partive të posakrijuara pas rënies së komunizmit në Jugosllavi, sidomos ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u frikësuan, shumë u frikësuan, se ai, Adem Demaçi, do të bëhej çka i takonte të bëhej: prijësi politik i lëvizjes kombëtare në Kosovë. Lidhja Demokratike e Kosovës e frikësuar prej autoritetit që Adem Demaçi gëzonte në popull, nxiti mospajtime, të mos them fushatë, jo gjithnjë të fshehtë, ndaj tij, por të mbuluar me frazeologji të rrejshme, të kohëpaskohshme, për meritat e tij – të shkuara! Udhëheqja e kësaj partie frikësohej prej pikëpamjeve politike të Adem Demaçit, që e kundërshtonte politikën e quajtur paqësore të Lidhjes Demokratike, e cila në thelbin e vet, siç do të dëshmohet dhe siç do të quhet më vonë edhe prej disa diplomatësh të huaj, ishte politikë nënshtruese.”
Për këto apo arsye të tjera, Demaçi nuk e ndryshoi mendimin as pas vdekjes së Rugovës, pasi për të mbetet antihero dhe frikacak. Për “Gazetën Expres” kishte thënë: “Ai (Rugova) i ishte zgërdhi Millosheviqit para televizionit të Serbisë, populli e ka pa dhe krejt bota e ka pa. E kanë dëgjuar kur ka thënë se duhet me ndalë luftën. E dinë krejt bota se e ka marrë aeroplanin e kasapit të Ballkanit, e atij që vriste, digjte e piqte e shkërmonte Kosovën, me aeroplan të tij e mori familjen dhe disa dashamirë të vetë dhe iku e shkoi në Itali. Në atë kohë me lënë popullin dhe me shpëtu prapanicën tënde, këtë veç një frikacak i madh e bën dhe veç një antivlerë e bën…” Mu për këto arsye, Demaçi ka vlerësuar se Rugova është dashur të pranojë gabimet: “Nuk është turp në qoftë se vlerëson diçka gabimisht dhe me pranu dhe me thanë unë e kam vlerësuar gabimisht dhe sot jam në shërbim të kombit, në shërbim të atdheut. Ajo ka qenë çka ka qenë. Mirëpo, këta duke insistuar edhe më shumë në atë gabimin e tyre dhe në atë vlerësimin e tyre të gabuar, e humbin të vetveten krejtësisht. Tash, kur ti don me humb vetveten s’mundet me të mbrojt askush!”
Lidhur me qëndrimet e këtilla ndaj Rugovës ka mbetur mjaft “ekzemplar” qëndrimi i akademik Mark Krasniqit se do të ishte mirë sikur Adem Demaçi të kishte vdekur para se të dilte prej burgut e të mos i thoshte gjithë këto gjëra që i thoshte për Rugovën!
A mund të ketë një “rezultat” nga përplasja e dy figurave të lëvizjes kombëtare? A ishte Demaçi personi që i bëri shqiptarët borxhlinj për të shkuarën e tij dhe që nuk u gjet në kohën më të re? A ishte Rugova i duhuri për kohën më të re apo edhe ai, me një pjesë të veprimtarisë së tij, humbi udhën…? Dikush do të thotë se Demaçi pati të drejtë, e dikush se Rugovës i dolën fjalët. Por, prej dy figurave një është e njohur: Rugova ishte i durueshmi, i cili shumëçka përbiu nga kritikat e Demaçit, pa ia kthyer. Ndoshta pse ai nuk merrej shumë me oponentët, ndoshta edhe nga respekti për tri dekadat e vuajtjeve të Bacës në burgjet jugosllave.
- Hashim Thaçi
Raporti më i ndërlikuar dhe më i ashpër edhe nga një skaj në tjetër, është i Hashim Thaçit ndaj Rugovës, kjo për shkak të raporteve të tyre para, gjatë dhe pas luftës, për shumë arsye që janë të debatueshme sot e kësaj dite. Çështjet e strategjisë së veprimit ndaj Serbisë e gjer te ato ideologjike janë gjithnjë të hapura dhe kundërthënëse, për mjegullnajën e asaj kohe, kur subjekti i ri, që doli në horizont, drejtpërdrejt do të thyhej në pozitën e Presidentit të Kosovës, dhe në papërgatitjen e tij me diçka të tillë.
Prej lëvizjeve (aksioneve) të para në terren me armë, një president, i cili në kushte normale do të kishte shumë informata nga “shërbimet” përkatëse që ndoshta nuk i kishte, nuk do të duhej të ishte si rosat në mjegull. Ose, të sillej ashtu. Kjo ishte edhe më e çuditshme, pasi ai e kishte kryeministrin në ekzil, prej nga e kishin burimin të gjitha lëvizjet e reja që sillnin diçka ndryshe në veprim. Në këtë kontekst do të evitoheshin qëndrimet hermafrodite, kur s’di çka të thuash, ngase nuk ke informata ose je i shpërfillur dhe për këtë nuk ke se si t’i japish përkrahje. Por, duket se ka qenë mungesë informatash… Ajo më shtyn të mendoj në këët është se dikur, në ato vite të shfaqjes së UÇK-së në terren, kisha bërë një intervistë me dr. Zekerja Canën e ndjerë, asokohe kryetar i Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Në pyetjen se çka mendon për grupet e armatosura që janë shfaqur, ai kishte shprehur skepticizëm që te shumëkush ka qenë i pranishëm: se veprimi i tyre mund të jetë i dëmshëm dhe se nuk dihet se kush qëndron prapa tyre! “Përderisa ato lidhen me Filan Fistekun (ma përmendi emrin), nuk u besoj”, pat thënë në atë intervistë për gazetën “Flaka”. Kështu disi kanë menduar dhe janë shprehur edhe në LDK.
Por, këtu ndërlikon përjashtimi i ndërsjellë, pavarësisht nëse në ato kushte ka qenë i arsyeshëm. Subjekti i ri, ushtarak, UÇK-ja, që u shfaq për të luftuar për çlirimin e Kosovës, nuk e njohu autoritetin më të lartë, Presidentin, që formalisht mund të merrej dhe një puç ndaj atij pozicioni. Përderisa ata nuk e respektonin Presidentin, pse ai duhej t’ia dijë për ata?!
Pikërisht paradoksi më i madh ndodhi me delegacionin kosovar për Konferencën e Rambujesë, ku PRESIDENTI u pajtua me pozitën inferiore në të, ku djaloshi 28-vjeçar, anonimusi Hashim Thaçi, u imponua si udhëheqës delegacioni! Hajt se iu imponua akademikut Qosja ose publicistit Veton Surroi dhe të tjerëve, që nuk kishin legjitimitet zgjedhor, por t’i imponohet Presidentit, ky ishte një poshtërim i madh që Rugova u desh ta kapërdijë. Po si të kapërdiheshin kualifikimet si tradhtar i kombit, pijanec, tucan, defetist, politikan pasiv, “njeri i lodhur”, që Hashim Thaçi i kishte futur në biografinë e tij?
Sido që të jetë, qëndrimet antagoniste, megjithatë, janë zbutur pas lufte për shkak të pozicioneve institucionale (njëri presidenti, tjetri kryeministër, njëri i gjallë e tjetri i vdekur…, që Hashimit, me një vetëdije tjetër institucionale, nuk i kishte penguar që ta nderojë figurën e Rugovës me Dekoratën Presidenciale, me çka i ka lënë sigurisht të dëshpëruar shumë besnikë majtistë, që e kanë urryer Rugovën edhe për shkaqe ideologjike.
Një hije e raporteve midis LDK-së dhe UÇK-së, e më vonë edhe të partive të dala nga UÇK-ja, janë një varg vrasjesh politike, të cilat kanë mbetur të pazbuluara deri në fund. Viktimat më të shpeshta ishin nga radhët e LDK-së dhe dyshimi për to mund të çojë deri në shërbimet serbe, por pa përjashtuar edhe subjekte vendore.
- Albin Kurti
Shumëkush do ta kujtojë një intervistë të njërit nga këshilltarët më të afërt të Albin Kurtit opozitar se si sikletosej gjersa gazetari insistonte të marrë mendim përse Albin Kurti nuk ka shkuar te varri i Rugovës, ndërsa e ka vizituar varrin e kryetarit boshnjak, Alija Izetbegoviq. Këshilltari mundohej ta hedhë gazetarin nga kodra në kodër, për të evituar një përgjigje aq të thjeshtë në thelb: se Albini nuk e çmon jetën dhe veprën e Rugovës.
Në të vërtetë, qëndrimi i dikurshëm i Albin Kurtit opozitar është shumë i ngjashëm me ato të Qosjes, Hashim Thaçit e, sidomos, Adem Demaçit, por për shkaqe politike, të bashkëpunimit me LDK-në, për kurtoazi dhe qasje institucionale, të paktën në veprim, qëndrimi mohues do të shndërrohet në respekt institucional, kjo edhe për shkak se në mandatin e kaluar ka qenë e lidhur ngushtë edhe me partinë e rugovistes së përbetuar, Vjosa Osmani… Këtë e bëri me përkuljen te varri i ish-presidentit, më 17 shkurt 2020, si kryeministër.
Në sytë e Albin Kurtit, para më shumë se njëzet vjetësh, Rugova ka qenë një autoritar dhe dështak politik. Atëherë kishte thënë se LDK-ja është peng i Rugovës dhe do të duhej të reformohet, sepse nëse LDK-ja vazhdon në këtë mënyrë pa u reformuar dhe pa e ndryshuar kryetarin, ajo do të degjenerohet.
Në një tjetër deklaratë të tij, Kurti e pati quajtur Rugovën si bllokues të lëvizjeve çlirimtare. “Ideja e Rugovës ka qenë të pengojë dhe të bllokojë çfarëdo dinamizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare, rezistence aktive.”, pati thënë Kurti në një intervistë pas luftës.
Për të, Rugova ishte autoritar dhe i pasuksesshëm në politikë. Pikërisht për këto arsye, Albin Kurti, i cili nuk ka politikan në Kosovë me të cilin nuk është zënë, është interesant se e kihste kritikuar ish-presidentin Thaçi pikërisht për shkak të ndryshimit të qëndrimit të tij ndaj Rugovës, kur ai e kishte bërë nderimin te varri i tij. Ja se si i është vërsulur LVV-ja Thaçit në një komunikatë që sot mediumet shkruajnë se është humbur nga “arkivi” i tyre: “Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në.”
Por, në vitin 2024, kryeministri aktual për Rugovën ka thënë se ai “bashkoi popullin kundër okupimit të Serbisë, “duke bërë rezistencën humane e humanitetin rezistencë”. Ai në këtë mënyrë ka dëshmuar edhe një herë se në politikë nuk ka qëndrime “të ngurta”.
As ka armiq, e as ka aleatë të përhershëm, ka vetëm konfigurime politike sipas momenteve të caktuara. Ky do të ishte definimi më i mirë për këto raporte, ku interesi i dikton raportet.
- Ramush Haradinaj
Këtu Ramush Haradinaj është futur si mish i egër, sepse në masë të madhe dallon nga të tjerët. Në raportet e tyre nuk ka pasur ndonjë animozitet të theksuar, përveçse kritikave të ndërsjella partiake nëpër fushata, ndërkaq ata dy kanë qenë në koalicion, njëri si president, e tjetri kryeministër.
Ajo që është përtej politikës, është një lloj marrëdhëniesh të tendosura të familjes së Ramush Haradinajt me qarqe politike lokale dhe këtu ka pasur dhe gjëra të pasqaruara deri më sot.
Në 18 vjetorin e vdekjes, para pak ditësh, Haradinaj ia ka pranuar “kontributin historik” Rugovës: “Presidenti Ibrahim Rugova, me drejtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin, veçmas duke shfaqur kujdesin në forcimin e miqësisë së përjetshme me SHBA-në. Sot, në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta e kujtojmë dhe nderojmë angazhimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare në rrethana shumë të rënda për shqiptarët e për Kosovën. I jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
- Sali Berisha
Periudha më e bujshme e Kosovës është ajo e viteve të 90-ta, kur në Shqipëri kishte pushtet absolut Sali Berisha. Për shkak të rrethanave të përgjithshme, sytë e gjithë shqiptarëve ishin nga ai, për rolin paternalist që mund të kishte ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve. Në atë periudhë, kur Rugova mundohej ta afirmonte çështjen kosovare në botë, Shqipëria ishte mbështetësja më e madhe në këtë rrugë. Berisha e mbështeste Rugovën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në aspektin diplomatik, duke i dhënë mbështetje politike dhe ndihmë praktike për veprimet e tij politike.
Një nga kundërshtarët e sotëm të Berishës, e dikur përkrahës i tij, Mero Baze, shikon një hipokrizi në marrëdhëniet Rugova-Berisha, kur ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar ia adreson përpjekjet që ta rrëzojë Rugovën përmes Albin Kurtit dhe më pas edhe Lëvizjen e Studentëve në Prishtinë! “Ibrahim Rugova ndërpreu kontaktet me të dhe refuzoi ta priste atë në vitin 2000 në Kosovë, duke autorizuar KFOR-in ta kthente nga kufiri në Morinë. Rugova nuk e priti në Kosovë deri sa vdiq. Ditën që vdiq, Sali Berisha “takohet” me Ibrahim Rugovën të vdekur dhe bën atë që ka bërë me të gjithë ata që i ka luftuar: qan për ta.
Por, ky episod, nëse është e vërtetë, është i vonë, sepse ftohja ka ndodhur para lufte, ndoshta edhe nën ndikimin e Adem Demaçit, i cili ato vite kishte shkuar gjer te Berisha për ta “denoncuar” Rugovën për veprimin pasiv. Ose, edhe anasjelltas, nëse gjykojmë sipas dëshmisë së Mero Bazes. Në librin e tij “Republika e Parë”, Mero Baze jep detaje të panjohura për konfliktin, ku del në pah përpjekja e Sali Berishës për ta përdorur Adem Demaçin si faktor kundër Rugovës.
Berisha kishte kërkuar që të mblidhet Parlamenti i Kosovës dhe të funksiononte normalisht. “Parlamenti dhe institucionet e tjera që jo vetëm që nuk do të ndërlikonin, po, përkundrazi, do t’i kontribuonin stabilitetit dhe zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës, çështje kjo që përbën faktorin më të ndërlikuar të krizës ballkanike”. Këtë gjë nuk e dinte Rugova, andaj duhej t’ia tregojë vëllai më i madh.
Është për të rikujtuar se Berisha nuk do ta kishte për herë të parë ndërhyrjetë tek shqiptarët jashtë vendit amë, sepse këtë tashmë e kishte sprovuar me përçarjen e Partisë së Prosperitetit Demokratik, duke përkrahur një fraksion të saj, që më vonë u shndërrua në parti tjetër. Edhe atëherë (viti 1993) me PPD-në, edhe në rastin e Rugovës, ishte e njëjta përpjekje për të ndikuar, për të qenë piemonti i politikës shqiptare, por me rastin e Rugovës nuk i eci falli gjer në fund, ndoshta edhe nga shkaku se Rugova ndërkombëtarisht mund të ishte më mirë i pozicionuar, sidomos te amerikanët. Pastaj historia e komunikimit të tyre ka pasur një rrjedhë më pak të tensionuar.
- Bujar Bukoshi
“…Edhe ti, bir Brut?!”
Kjo frazë e famshme e tragjedisë shekspiriane do t’i shkonte shumë bukur raportit midis presidentit Rugova dhe kryeministrit Bukoshi, kjo bazuar në një deklaratë të Milaim Zekës se Bukoshi ka dashur ta vrasë Rugovën, që duket paksa bizare!
Ky kontekst, sa do të ishte lajtmotiv për një triler politik, kërkon hulumtim dhe verifikim faktesh (Vetë Bukoshi autorit të këtij supozimi i ishte përgjigjur me “hajvan!”), prandaj më së miri ta rikujtojmë atë që është më lehtë e dëshmueshme. Ndërkaq, e dëshmueshme është se ka shumëçka nga ajo që mund të konsiderohet “intrigë oborri”, gjëra të njohura botërisht, e për të cilat është shkruar. Është shkruar e është folur se pikërisht në periudhën kur Berisha e Demaçi janë për një proaktivitet më të madh, që i adresohej Rugovës si pasivitet, në të njëjtën linjë ka qenë edhe Bukoshi. (Zeka i përmendur e çon intrigën gjer te dyshimi se pikërisht Bukoshi ka qenë ai që ka ftohur marrëdhëniet Berisha-Rugova). Atëherë është folur se edhe kryeministri në egzil, Bukoshi, ka menduar se duhet bërë ndërrimi i strategjisë së veprimit, në drejtim të radikalizmit ushtarak. Dilema është nëse kjo ka qenë çështje e personalizuar midis tyre, sepse nuk mund të thuhet se formimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe emërimit të Ahmet Krasniqit ka qenë çështje vetëm e njërit ose tjetrit dhe se vetëm sa për sy e faqe.
Dilema tjetër është nëse kjo ka qenë pjesë e ndonjë dallimi në strategji veprimi apo animozitet sedrash. Por, ajo në çka rrëshqet raporti President-Kryeministër është banaliteti. Ka dëshmitarë që kanë thënë se Bukoshi i ka ndalur pagesat për shpenzimet e Rugovës. Në këtë mënyrë, autoriteti më i lartë politik është vënë në ngushtak, për shkak se “çelësat” e arkës së “trepërqindëshit” i ka pasur Bukoshi dhe me këtë edhe ka mundur të ushtrojë një pushtet faktik. Në këtë pikë ka mbetur pa u hulumtuar deri në fund nëse vërtet i mbetën në aranzhim rreth 15 milionë euro, të cilave u humbën gjurmëtPërfundim
Duke analizuar këto përplasje midi Rugovës me këta dhe personalitete tjera, del se ish-presidenti i Rugovës nuk e ka pasur aspak lehtë të notojë ujërave të turbullta të politikëbërjes. I ngritur në qiell nga LDK-istët, bën që të mos i shihen gabimet eventuale të veprimit, ndërsa, në anën tjetër, i mohuar nga kundërshtarët e kalibrit të personaliteteve të sipërpërmendur, mëton t’ia mjegullojë meritat. Në aspektin elektoral, ai ishte më i adhuruar se vetë çlirimtarët e Kosovës, si një lloj paradoksi që e kishte vënë në dukje pas luftës akademik Rexhep Qosja. Ndoshta aty qëndron edhe madhështia e Ibrahim Rugovës, që në peshoren e popullit rëndojnë më shumë meritat se dobësitë.