loader image
January 30, 2026

Nga premtimi i lirisë te lodhja e pritjes – një bilanc i hidhur pas 35 vitesh

Në mungesë të ndarjes së qartë mes partisë dhe shtetit, institucionet shqiptare u shndërruan në instrumente të pushtetit politik. Administrata publike, drejtësia, media dhe ekonomia u politizuan, duke humbur autonominë funksionale. Në këtë mënyrë, ajo që u ndërtua në Shqipëri gjatë këtyre viteve, nuk është asgjë më tepër sesa një shtet i kapur, ku partia qëndron mbi ligjin. Kjo krijoi një realitet, ku partia u bë mjeti kryesor dhe i vetëm për avancim social, ndërsa shteti nuk ofronte më mbrojtje të barabartë për qytetarët.

Sali KADRIA, Tiranë

Ka data që nuk janë thjesht shënime në kalendar, por gurë prove për ndërgjegjen tonë kolektive. Data 8 dhjetor është një prej tyre. Dikur kjo datë mishëronte guximin e një brezi që kërkonte hapjen e dyerve të mbyllura, fundin e frikës dhe lindjen e një rendi të ri politik e shoqëror. Një prej mendjeve më të shquara shqiptare, Mid’hat Frashëri, në momentin që u shpall pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, u shpreh: “Shqipëria u bë, tani duhet të bëjmë shqiptarët”. Kjo shprehje nuk humbet aktualitetin e saj edhe pas më shumë se një shekulli, sepse tingëllon si paralajmërim për sfidën e konsolidimit kombëtar dhe shtetëror.

Në këtë kontekst, 35 vjet pas nisjes së pluralizmit politik, duhet të reflektojmë jo vetëm për gabimet historike, por edhe për atë çfarë mund të bënim dhe nuk e bëmë. Elita politike, por edhe secili qytetar, kishte një rol aktiv për të luajtur në zhvillimin e vendit dhe në forcimin e demokracisë, por shpesh kjo përgjegjësi u anashkalua ose u përdor për interesa personale. Shpresuam se Shqipëria do të ndërtohej si një shtet i lirë, por aspiratat tona nuk u realizuan dhe ndërtesa e saj demokratike ka mbetur e brishtë dhe e papërfunduar.

Në bisedat tona të përditshme qahemi në një formë më tepër ngushëllimi sesa me qëllim zgjidhjen e problemit, si është e mundur që “tranzicioni politik në Shqipëri ende nuk po përfundon?” dhe për fat të keq tranzicioni vijon e vijon pa mbarim ose ndoshta ka mbaruar dhe ne ende nuk e dijmë që ka mbaruar; pasi për fatin e keq të shqiptarëve, ne nuk e kemi provuar ndonjëherë atë dhe as ndjenjën që të jemi një vend i zhvilluar që ta njohim e ta shijojmë këtë por as ndjenjën e “krenarisë” se i përkasim një shteti të zhvilluar europian. Më shumë mburremi për zakonet e traditat e vyera që na kanë lënë të stërgjyshërit tanë dhe faktit apo ndjenjës ngushëlluese se, të paktën i përkasim Europës plakë, sesa për atë që kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve. Por, kur “hapim sytë” dhe shohim përreth, kuptojmë se pothuajse të gjitha vendet e ish-bllokut komunist kanë ecur përpara. Prej vitesh, ato janë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria jonë e dashur vijon të mbetet në bisht të tyre. Ato kanë probleme të tjera të zhvillimit, ndërsa ne vijojmë tek e njëjta melodi dhe kështu vijojmë pa fund me fjalët: “Tranzicioni që nuk mbaroi…. Eh…”?!

Një nga tiparet më problematike të tranzicionit shqiptar ka qenë riciklimi i elitave politike dhe prirja e këtyre elitave për ruajtjen me çdo mjet të pushtetit të tyre. Natyrisht, tashmë të gjithë e shohin, e kuptojnë dhe e ndjejnë se e gjitha kjo është bërë në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve të ndershëm. Të atyre që zgjohen e ngrysen tokave të tyre, në punët e bujqësisë e blegtorisë, në shi e në të ftohtë ose nën rrezet përvëluese të diellit; të njerëzve që punojnë në dyqane e punishtet e tyre të vogla dhe që presin e përcjellin me durim klientët e tyre; të punëtorëve e muratorëve që punojnë e derdhin djersën në kantiere ndërtimi në Shqipëri; të mësuesve e profesorëve që nuk bëzajnë, por gjithnjë e pa u lodhur, u japin të tjerëve nga dituria e tyre; të nëpunësve, inxhinierëve, mjekëve e infermierëve dhe policëve të ndershëm; të ushtarëve që shkojnë në emër të Shqipërisë në konfliktet në pjesë të ndryshme të globit me synimin e vetëm që t’i ndihmojnë vendit të tyre në frontin që u është caktuar. E pra, e këtyre është Shqipëria dhe këta e meritojnë një orë e më parë që të jenë qytetarë të Bashkimit Europian sepse jetojnë, mendojnë e punojnë si europianë.

Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri nuk solli ndërrim real të klasës drejtuese; ai prodhoi vetëm një transformim formal. Elitat politike, përgjatë viteve, të pajisura me kapitalin e përvojës së drejtimit administrativ e politik dhe rrjetet e tyre të ndikimit të krijuara përmes favoreve, arritën ta ruanin pushtetin gjatë viteve të “pluralizmit politik” nëse mund të quhet e tillë. Ky fenomen prodhoi një sistem politik të mbyllur e të kalbur, ku hyrja e aktorëve të rinj ishte pothuajse e pamundur, duke e kthyer demokracinë në një ritual procedural pa përmbajtje reale. Ndryshe nga vendet demokratike, ku elitat ndërrohen pas disa viteve, në Shqipëri të njëjtat emra dhe grupime vazhdojnë të dominojnë prej dekadash, duke e afruar vendin më shumë me demokracitë formale të vendeve të botës së tretë sesa me Europën e zhvilluar.

Në mungesë të ndarjes së qartë mes partisë dhe shtetit, institucionet shqiptare u shndërruan në instrumente të pushtetit politik. Administrata publike, drejtësia, media dhe ekonomia u politizuan, duke humbur autonominë funksionale. Në këtë mënyrë, ajo që u ndërtua në Shqipëri, gjatë këtyre viteve, nuk është asgjë më tepër sesa një shteti i kapur, ku partia qëndron mbi ligjin. Kjo krijoi një realitet, ku partia u bë mjeti kryesor dhe i vetëm për avancim social, ndërsa shteti nuk ofronte më mbrojtje të barabartë për qytetarët. Karriera, siguria ekonomike dhe, shpesh, dinjiteti personal dhe profesional filluan të varen nga përkatësia dhe besnikëria politike. Kjo kultivoi një kulturë klienteliste, ku meritokracia është përjashtim dhe jo rregull.

Demokracia nuk duhet të kuptohet vetëm si strukturë institucionale; ajo është edhe kulturë. Një nga tragjeditë e tranzicionit shqiptar është mungesa e një kulture qytetare kritike dhe të përgjegjshme. Shoqëria, e lodhur nga varfëria dhe pasiguria, shpesh zgjodhi përshtatjen në vend të rezistencës, kompromisin në vend të parimit. U krijua një mentalitet dhe kulturë shoqërore, ku shkelja e ligjit dhe e rregullit perceptohet si aftësi për të mbijetuar, ndërsa respektimi i ligjit shihet si dobësi. Kjo e ktheu në normë padrejtësinë, e cila u bë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë. Ky fenomen pati pasoja të rënda për demokracinë, ku qytetarët nuk besonin më te institucionet, si dhe nuk ndihen të mbrojtur nga shteti, ndërkohë që liria e tyre reale mbetej e kufizuar.

Arsimi, instrumenti kryesor i emancipimit shoqëror, nuk arriti të përmbushte misionin e tij. Në vend që të formonte qytetarë kritikë dhe të aftë për të marrë vendime mbi bazën e të dhënave, informacionit real dhe logjikës, ai shpesh prodhoi konformizëm dhe mediokritet. Shkollat dhe universitetet shpesh u politizuan. Për rrjedhojë, standardet ranë, ndërsa aftësitë praktike të diplomuarve nuk korresponduan me nevojat reale të tregut të punës. Pa emancipim intelektual, demokracia mbetet e brishtë dhe e manipulueshme, ndërsa qytetari humbet aftësinë për të kërkuar llogari dhe për të kontribuar aktivisht në shoqëri. Parimi i famshëm se elitat krijojnë ide dhe shteti drejtohet prej tyre, këtu u venit. Elitat politike nuk ishin më ato që masat i përfytyronin se duhej të ishin, madje për faqe të zezë, në të shumtën e rasteve, përgjatë gjithë këtyre viteve, ato ishin më poshtë se niveli mesatar i popullsisë në tërësi. Ndërkohë që elitat intelektuale heshtnin.

Një nga shenjat më të qarta të krizës demokratike është emigrimi i të rinjve. Shumë të rinj largohen, sepse nuk gjejnë mundësi për të jetuar normalisht në vendin e tyre. Punësimi është i limituar, pagat janë të pamjaftueshme, perspektivat për një avancim real profesional mungojnë. Një nga ditët tona të zakonshme, gjatë nj bisede më një të ri, e pyeta nëse ishte i fejuar apo i martuar. Përgjigja e tij e thjeshtë, e ndershme dhe njëherësh lakonike ishte: “Jam i papunë. Nuk mund të marr në qafë edhe dikë tjetër. Më mjaftojnë problemet dhe vështirësitë financiare, edhe me kaq sa kam. Nuk mund të mbaj më tepër”. Në rrethanat kur individi nuk mund të përballet me murin përballë dhe nuk dëgjohet dhe as ndihmohet, e vetmja zgjidhje që i mbetet atij në dorë është largimi nga sytë këmbët prej këtij vendi. Kjo ndodh, pasi ai ka arritur në përfundimin se këtu asgjë nuk ndryshon dhe as pritet të ndryshojë gjë për mirë. Prandaj, në kushtet kur ky e ndjen se ai i vetëm është i paaftë për të ndryshuar strukturën, preferon më mirë që të ikë. Mirëpo, edhe në rast se e shtrojmë mënyrën e arsyetimit mbi argumentin sikur këta të rinj nuk kënaqen me ato që kanë, por thjesht dëshirojnë të shkojnë në vende të huaja, duhet pranuar këndvështrimi i tyre. Është e vetëkuptueshme që kur një vend i huaj u duket më i drejtë, më i sigurt dhe më dinjitoz për të jetuar sesa atdheu, problemi nuk është ambicia e të rinjve, por struktura dhe mënyra e veprimit të shtetit. Shqipëria nuk mundet të jetë Gjermania as Franca apo Britania e Madhe, por ka detyrimin moral të jetë një demokraci funksionale, në nivelin e vendeve të rajonit, si Sllovenia dhe Kroacia, ku qytetarët mund të jetojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit të tyre.

Siç e dimë të gjithë, por tashmë është një fakt i pranuar edhe nga të huajt dhe media prestigjoze ndërkombëtare, Shqipëria është një vend i bukur dhe i begatë, me pasuri të mëdha mbitokësore dhe nëntokësore, me klimë mesdhetare, male, lumenj, liqene, bregdet, resurse minerare dhe potencial të madh bujqësor. Por, këto pasuri nuk mund të jenë në dorë të fatit ose të përdoren për interesa të ngushta politike. Drejtuesit e shtetit duhet të kenë vizionin dhe kapacitetet e duhura për t’i menaxhuar ato në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar që përfitimet të shkojnë te qytetarët dhe jo tek klientela e një grupi të vogël njerëzish. Për më tepër, ato janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e disa individëve të veçantë. Një vend që lë pasuritë e tij në dorë të fatit ose të ushunjëzave të tij, humbet jo vetëm mundësinë ekonomike, por edhe shansin për të forcuar shoqërinë dhe institucionet. Zhvillimi ekonomik, menaxhimi i burimeve dhe demokracia janë të lidhura ngushtë: njëra pa tjetrën nuk mund të jetë e qëndrueshme.

Një Shqipëri e zhvilluar, demokratike dhe e konsoliduar, po ashtu, mund t’u vinte në ndihmë në mënyrën e duhur jo vetëm qytetarëve të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë në rajon – Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Çamëri, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e Sanxhak – si edhe diasporës në çdo pjesë të botës. Një shtet i zhvilluar e demokratik do të ishte një model frymëzues për ta. Ai do të dëshmonte se shqiptarët mund dhe janë në gjendje për të krijuar një shoqëri të drejtë dhe një demokraci funksionale, ku shpresat dhe mundësitë nuk varen nga gjuha, feja, raca, dialektet dhe lidhjet farefisnore apo politike, por nga aftësia dhe përkushtimi për punën, njerëzit dhe vendin. Elita politike e Shqipërisë, nuk mund të fshihet gjithmonë pas gishtit, me justifikimin se shteti shqiptar nuk mundet të bëjë më tepër për ta, pasi, për fatin e keq, ndodhet në vështirësi, për këtë apo atë arsye. Kanë kaluar më tepër se 113 vite të formimit të Shqipërisë si shtet; tashmë ka ikur koha e justifikimeve dhe argumenteve sa për të kaluar lumin. Shqiptarët, kudo që ndodhen, e kanë vështrimin drejt shtetit amë dhe me të drejtë që presin më shumë nga zhvillimi i tij ekonomik e demokratik, emancipimi shoqëror, si dhe integrimin i tij përkrah vendeve më të zhvilluara. Sot, prej tij kërkohet më shumë, dhe jo të mbetet në një cikël të mbyllur të problemeve të tij të brendshme dhe në një tranzicion pafund. Shqiptarët presin që Shqipëria ta shtrijë dorën e ndihmës me gjithçka mundet, në ndihmë të tyre, kudo që ata ndodhen dhe për çdo gjë që ata kanë nevojë për të. Kjo pritmëri nuk është thjesht detyrim kushtetues, por është aspirata e një kombi, është e drejta, është e mbara. Shqipëria është pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, pasi aty është gjaku, mendimi dhe djersa e tyre.

Për sa lejon hapësira e këtij shkrimi do të ishte e pandershme që të mos parashtroheshin shkurtimisht, do të duhej të ndërmerren disa hapa kryesorë një orë e më parë në Shqipëri. Pa dyshim, ato njihen mjaft mirë nga elita politike shqiptare, por qëllimisht lihen mënjanë, pasi ajo ka gjetur zgjidhjen në formën e një qarku të shkurtër. Përballë problemeve të mëdha të vendit si dhe vështirësisë së gjetjes së strategjisë së duhur për zgjidhjen e tyre, ajo ka preferuar që të rregullojë veten, familjet dhe tarafin e saj politik, me mendimin se në këtë mënyrë kanë bërë zgjedhjen e duhur e të mençur, por harrojnë se ky lloj këndvështrimi nuk është një strategji afatgjatë dhe se ky mendim është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve. Prandaj, përpara se çatia e shtëpisë t’i zërë brenda shqiptarët bashkë me ta, mendojmë se do të duhej që në Shqipëri të bëhej një ndarje e qartë, njëherë e përgjithmonë, mes partisë dhe shtetit. Institucionet duhet të funksionojnë mbi rregulla neutrale dhe ligje të barabarta për të gjithë, duke eliminuar klientelizmin dhe nepotizmin. Reforma e drejtësisë, por edhe e administratës, duhet të synojë dy objektiva: profesionalizmi dhe meritokracia, mbështetur në konkurse të ndershme dhe transparente, do të duhej që të vendosen në themelet e shtetit shqiptar si parime të pazëvendësueshme; Rritja e pjesëmarrjes qytetare, ku edukimi qytetar i të rinjve, funksionimi i rregullt dhe përgjegjësia para publikut e administratës publike, transparenca dhe mbështetja e iniciativave të shoqërisë civile, duhet të kthehen në mjete të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për kontrollin demokratik të pushtetit. Shteti dhe shoqëria shqiptare duhet të ndërmarrin hapat e duhur dhe të vendosin një menaxhim të qëndrueshëm të pasurive kombëtare, ku burimet natyrore duhet të menaxhohen dhe të shkojnë për përfitim të përgjithshëm për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe jo për interesa të ngushta klienteliste. Investimet sa më të mëdha për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur, një arsim cilësor me standardet më të larta dhe që të jetë me fytyrë kombëtare, ku shkollat dhe universitetet, si dhe të gjitha institucionet edukative duhet të prodhojnë mendim kritik, jo vetëm nxënës që kalojnë klasat apo ciklet arsimore ndërkohë që institucionet përgjegjëse prodhojnë dokumente strategjike që nuk janë veçse letra që nuk i rezistojnë kohës. Rritja e mundësive për të rinjtë: punësimi i denjë dhe i merituar, si dhe vështrimi perspektiv real se si mund të ndihmohen konkretisht dhe në praktikë të rinjtë tanë, mund ta frenojnë emigrimin dhe do të krijojnë breza të rinj që kontribuojnë aktivisht për familjen dhe vendin e tyre.

Nga sa u parashtrua, mendojmë se festa, si ajo e 8 dhjetorit, nuk duhen parë thjesht si përvjetor historik, por si moment reflektimi dhe vlerësimi i përgjegjësisë sonë kolektive. Pyetja nuk duhet të shtrohet vetëm në këndvështrimin se çfarë përmbysëm 35 vite më parë, por çfarë ndërtuam më pas. Jemi të bindur se pa ndarje të qartë mes partisë dhe shtetit, pa rikthimin e meritës si kriter themelor dhe pa liri reale për qytetarin, tranzicioni shqiptar rrezikon të mbetet një rrugë pa fund. Me gjithë vështirësitë që kemi, ekzistojnë mundësitë reale për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi, nëse ndjekim shembujt më të mirë rajonalë, duke investuar tek njerëzit dhe institucionet, si dhe duke nxitur njëherësh frymën e llogaridhënies – Shqipëria mund të ndërtojë një demokraci të brendshme funksionale dhe një shoqëri të emancipuar. Siç thoshte Mid’hat Frashëri: “Shqipëria u bë, tani duhet të bëjmë shqiptarë”. Kjo thënie nuk është vetëm një thirrje morale; ajo është një udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, për të ndërtuar një vend ku liria, drejtësia dhe mundësia të jenë realitete të prekshme për secilin prej nesh.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X