loader image
December 21, 2024

Naim Frashëri dhe Sami Frashëri autorë të programit të edukimit të virtyteve dhe të karakterit të shqiptarit

Të dy e mbollën moralin kudo në veprën e tyre. Duket sikur është Naimi në fushën e moralit dhe Samiu gjetiu, por po të lexosh librin e fjalëve të urta të Samiut, është e padiskutueshme se ata të dy i kanë programet e tyre të moralit dhe ato përputhen në një mënyrë kreative që njeriu nuk shikon dot një dublim, por përsëri shikon një unitet, që do të thotë se ato vepra janë bërë për ta plotësuar njëra-tjetrën. Vëllezërit e kanë ditur çfarë ka shkruar secili.

Artur SHKURTI, Tiranë

Falënderoj revistën “Shenja” për ftesën, e cila më vjen në kohën e duhur.
Jam në përfundim të librit “Dituria e moralit: Naim Frashëri dhe Sami Frashëri autorë të programit të edukimit të virtyteve dhe të karakterit të shqiptarit”.

Për të investuar në këtë drejtim pune, pra në edukimin moral dhe orientimin e përgjithshëm edukativ të shqiptarit ose të sistemit edukativ shqiptar (shkolla, familja) me një koncept që vinte nga thelbi i kulturës sonë shqiptare, përgatita dhe në vitin 2009 botova librin “Besa, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë”, për të konkretizuar devizën e Rilindjes Kombëtare “Feja e shqiptarit është shqiptaria” (Pashko Vasa). Libri “Besa”, kështu, shpreh orientimin fetar, thjesht shqiptar, duke u mbështetur në poezinë shqipe. Feja ka nevojë për profetin dhe ai është qartësisht poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Feja ka nevojë për faltoret e veta dhe libri hedh bazat e reformimit të shkollave shqipe dhe shoqërive patriotike për ta luajtur rolin e “faltoreve të bujarëve shqiptarë”. Më në fund libri ofron disa rite kombëtare që e përforcojnë besimin tek “Besa”. Një prej këtyre riteve tashmë shqiptarët e kanë realitet dhe është Riti i Identifikimit të Bujarëve Shqiptarë (duart e lidhura si shqiponjë), faqe 32 në librin “Besa”.

Ende nuk është e qartë, e zbuluar, e provuar, e argumentuar, e përdorur, se dallimi i Naim Frashërit dhe Sami Frashërit nga pjesa tjetër e rilindasve është investimi i tyre masiv në programin e edukimit e karakterit dhe të virtyteve të shqiptarëve. Morali është mbjellë në çdo vepër të tyre, por kur analizohen veprat e tyre, pikërisht “morali” lihet për në fund, madje ndonjëherë edhe me qesëndisje “kanë vjersha moralizuese”.

Kohët e fundit vendosa t’i rilexoj veprat e tyre me një qëllim të vetëm – të nxjerr “Diturinë e moralit” dhe programin e edukimit të karakterit dhe të virtyteve të shqiptarit. Me siguri të plotë mund të them që, po t’i heqësh “Diturinë e moralit” veprës së tyre, zëre se i ke hequr të gjithë sistemin nervor (qendror e periferik) dhe këtë Sami Frashëri e thotë vetë qartë: “Dituria e moralit është më e nevojshme nga të gjitha dituritë e tjera, por, fatkeqësisht, këtë dituri përpiqen ta nxënë fare pak njerëz. Mjeku, për të ushtruar mjekësinë, ka nevojë për mësimin e shkencës mjekësore, ndërsa njeriu për të jetuar si qytetar i kësaj bote, e ka të domosdoshëm mësimin e diturisë së moralit.”

Për ta konceptuar “Diturinë e moralit”, teorikisht jam ndihmuar nga një program shumë i njohur e vlerësuar i Universitetit të Birmingamit (The Jubelee Center) në të cilin shpjegohen grupet e virtyteve intelektuale, morale, qytetare, të performancës, virtyti integrativ (urtësia). Programi i Universitetit të Birmingamit është i shek. 21, ndërsa vepra e Naimit dhe e Samiut është e shek. 19 dhe ajo është jashtëzakonisht e plotë dhe tejkalon çdo pritshmëri jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kulturën botërore.

Është një rast unik i papërsëritshëm ajo që ka ndodhur me veprën e shkruar të Naimit dhe të Samiut. E papërsëritshme, sepse edhe detyra nuk vjen më dhe, për pasojë, as zgjidhja. U zgjidh atëherë dhe shumë mirë. Konceptimi i kombit modern shqiptar u bë gjatë Rilindjes Kombëtare. Pas kësaj, për të gjithë të tjerët vlen ajo që thotë Sevasti Qirjazi në kujtimet për Naimin: “Punën e tyre na e lanë ta bëjmë me tjetër mënyrë, por jo kurrë me tjetër shpirt, por po me atë shpirt si të tyrin”. Uniteti i veprës së Naimit dhe Samiut është origjinal.

Për ta kuptuar më mirë, po sjell diçka që e kam lexuar tek libri “Nacionalizmi” (2002) i Enis Sulstarova. Ai thotë: “Sot në fushën e studimeve për nacionalizmin dominon ideja që të gjithë nacionalizmat përmbajnë elementë civilë, që lidhen me territorin, shtetin dhe doktrinat politike, po ashtu edhe elemente etnike, që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe prejardhjen e kombit. Entoni Smith është i mendimit se suksesi i kombit si bashkësi politike në periudhat moderne varet pikërisht nga simbioza dhe harmonia midis përbërësve të tij civilë dhe etnikë”.

Samiun e shohim më shumë, por jo vetëm, tek koncepti i tij për elementët civilë që lidhen me territorin, shtetin dhe doktrinat politike dhe Naim Frashërin e shohim tek investimi mbi gjuhën shqipe, kulturën dhe prejardhjen e kombit. Sami Frashëri thoshte “Nëse shikon që dikush ka një ide të madhe, mos kërko për të dytë, sepse njeriu nuk mund të ketë më shumë se një ide të madhe në jetë”. Ideja e madhe e Naimit dhe e Samiut ishte “kombi shqiptar”, një “kombi i rilindur”, ku me “rilindje” kuptojmë “një komb të vërtetë, të udhëzuar, e të drejtuar shpirtërisht”.

Duket si e paqartë se ku ka ndodhur saktësisht “simbioza” në veprën e Samiut dhe Naimit. Mendimi im është që simbioza gjendet tek “Dituria e moralit”. I gjithë suksesi i tyre në udhëheqjen e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare përmblidhet tek investimi i tyre tek “morali kombëtar shqiptar”. Në këtë mënyrë premtimi për shqiptarët ishte më i madh sesa pavarësia, ishte një komb i pavarur me moral të lartë e me virtyte intelektuale, morale, qytetare, të performancës dhe i udhëhequr nga urtësia e provuar. I riu shqiptar sot merr nga Naimi dhe Samiu jo vetëm përmbajtjen, por edhe krenarinë që kjo punë e një vlere të lartë edukative qenka bërë jo nga “didaktë të huaj” por nga patriotët shqiptarë, udhëheqës të Rilindjes Kombëtare. Nuk duhet harruar që Naim Frashëri ishte këshilltar (1882) dhe më vonë (1888) Drejtor i Censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Osmane dhe detyra i dha atij informacionin, motivin, mundësinë, objektivin, profesionalizmin për ta bërë këtë. Kujtojmë që në vitet 1886-1887 nga Naimi dhe Samiu u organizua puna për “Mësonjëtoren” dhe ndryshe nga çfarë konceptohet se kjo punë do t’i kushtonte, në fakt një vit pas “Mësonjëtores” Naimi zgjidhet Drejtori i Zyrës së Censurës në Ministrinë e Arsimit. Unë besoj që “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” (personazhi kryesor shqiptar pozitiv) i Ismail Kadaresë është frymëzuar pikërisht nga kjo detyrë e Naim Frashërit (kam një shkrim për këtë).

Të dy e mbollën moralin kudo në veprën e tyre. Duket sikur është Naimi në fushën e moralit dhe Samiu gjetiu, por të lexosh librin e fjalëve të urta të Samiut është e padiskutueshme se ata të dy kanë programet e tyre të moralit dhe ato përputhen në një mënyrë kreative që njeriu nuk shikon dot një dublim, por përsëri shikon një unitet, që do të thotë se ato vepra janë bërë për të plotësuar njëra-tjetrën. Vëllezërit e kanë ditur çfarë ka shkruar secili.

Guri Sevo, në kujtimet e tij të botuara, thotë për Petro Nini Luarasin, që e kishte patur mësues të gjuhës shqipe në “Mësonjëtoren e parë shqipe” të Korçës: “Kur kthenej nga Stambolli, ne të gjithë vraponim ta pyesnim, dhe ay na fliste me frymën që ngjalli Shqipërinë. Edhe unë njëherë e pyeta mësonjësin tim: “Vërtet, nga të dy vëllezërit, vallë cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?” Mësonjësi i shqipes më shikoi drejt e në syt’, u mendua një grimë, dhe pastaj m’u përgjegj: “Nga cili sy sheh ti më mirë?” Megjithatë, e mbesova si i djathti qe Naimi.” (Risjellë në botimin “Naimit”, 2001, botuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, faqe 142,143)

Samiu është më i përqendruar të japë konceptin e shtetit tek “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, por pikërisht edhe aty ai e sjell zgjidhjen për drejtimin e shtetit tek tradita e virtyteve dhe e moralit të shqiptarëve, disa prej të cilave aftësia e punës në grup (“pleqësia të rrojë e të mbretërojë në Shqipëri”), besa (“besë e bukur vjershëtore” që nga pellazgët), “liria”, “trimëria”, “vëllazëria” (“Në mest të gegëvet e të toskëvet nukë ka ndonjë ndarje me rrënjë”). Citojmë Samiun “Me një fjalë: Shqipëtarëtë janë trima, të mënçimë, punëtorë, të zottë për çdo punë. Me gjithë ndryshimt të besëvet nukë janë të ndar’ e të çarë po të bashkuarë; kanë dashurinë në mest të tyre. Kanë, do-me-thënë, gjith’ ato që duhetë të ketë një komp për të vajturë mbarë.

Tek “Libri i fjalëve të urta” Samiu jep edhe moralin që duhet të kenë nëpunësit, dhe shtetasit. Pikat e forta të Samiut janë trajtimi i vlerës së lirisë, opinionit publik, ligjit, drejtësisë. Gjerësisht futet në moralin personal të individit. Qartësisht program edukativ dhe jo merr çfarë të gjesh. Fjalët e urta të Samiut duket qartë që janë të tijat, se formojnë një sistem, pjesët e të cilit konfirmojnë njëri-tjetrin.

Naimi, nga ana e vet, e mbështet shtetformimin dhe kombformimin në një linjë tjetër origjinale dhe tepër të vlefshme. Ai, në veprën e vet, e merr për dore lexuesin shqiptar dhe ia tregon “moralin”, “virtytet”, “karakterin” në jetën praktike dhe për këtë zgjedh në mënyrë tepër koncize dhe të goditur dy sfida të mëdha njerëzore për dy qëllime të mëdha edukative. “Qerbelaja” është një sfidë globale që shfrytëzohet për një vetëdije globale e moralit. Pavarësisht se personazhet (12 imamët) janë fetarë, çfarë ndodh në vepër është vetëm morali në praktikë. Sfida e dytë është thjesht kombëtare dhe përfaqësohet nga “Historia e Skënderbeut”. Në të dy veprat lexuesi qartësisht thotë “Po të isha unë, çfarë do të bëja në këtë situatë?!”, pra synimi është qartësisht njëkohësisht moral kombëtar dhe njerëzor njëkohësisht.

Një komb si shqiptarët do të bashkoheshin vetëm nëse investohej shumë në sintezën e feve që ne e quajmë “harmoni fetare”. Sot jemi të vetëdijshëm se çfarë “cirku” duhet të bëjë shqiptari “harmonik” për të ecur në disa tela që përfaqësojnë linjat fetare. Nisma për Shtet Bektashi i dha një grusht barkut Edukimit Kombëtar. Është turp për çdo shqiptar që të braktisë një vepër aq të vlefshme, të bukur, edukative, funksionale edhe sot si ajo e Naimit dhe e Samiut.

Naimi e shfrytëzon “Qerbelanë” për të nxjerrë thelbin e përbashkët të të gjitha feve. Në këtë konteks kontributi i Naimit për edukimin e shqiptarit mund të quhet “edukim global i shqiptarit”. Thelbi i mendimi të tij del në këto vargje: “Bes’ e mbar’ e Perëndisë, udh’ e mir’ e urtësisë, është vetëm mirësija, e-vërteta, njerëzija, zemr’ e-bardhë, shpirt i mirë, me mëshir’ e m’ ëmbëlsirë, e-drejta, vëllazërija, dashurija, miqësija. Gjithë besëtë, që janë, vetëm këtë udhë kanë. Këtë thotë besa jonë, dhe të tjerat këtë thonë. Se ndë jetë s’ ka dy besë, një ësht’ e një do të mbesë. Besë është Perëndija dhe udh’ e saj njerëzija. Besa jon është një fjalë, dh’ ajo fjalë s’ ësht’ e çalë, është fjal’ e Perëndisë, q’ i duhetë njerëzisë. Nukë është fjal’ e kotë: “Bëj mirë! Mos bëj keq”, thotë. Besa edhe Perëndija është vetëm mirësija. Dhe ajy Zot i-vërtetë, edhe gjithë ç’ ka në jetë, te njeriu gjithë janë, mos kërko më tjatër anë. Po të bëjmë mirësinë kemi ndër ne Perëndinë. Kur të bëjmë ligësitë, kemi djall e djallëzitë. Kur të jemi të-vërtetë, është me ne Zoti vetë.”

Shteti shqiptar nuk mund të bëhej pa afruar besimet fetare dhe nuk do të mjaftonte deviza e Pashko Vasës “Feja e shqiptarit është shqiptaria” pa një punë tepër të hollë që Naimi ka bërë në çështjen fetare. Fetë afrohen duke zmadhuar përmbajtjen, thelbin e përbashkët të fesë. Pra edukimi që marrin shqiptarët nga Naimi është i një niveli tepër të lartë të vetëdijes globale. Me këto mësime nderohet dhe buzëqesh shqiptari dhe sistemi edukativ shqiptar kur i paraqitet botës.

“Qerbelaja” ndihmon edhe për një koncept tjetër shtetformues, që është ndarja e fesë nga shteti, të cilën e përforcon edhe Sami Frashëri formalisht. Shteti bën politika të ditës, ndërsa feja është më afatgjatë dhe Naim Frashëri investon në këtë koncept vazhdimisht tek “Qerbelaja”.

Samiu i jep një vlerë shumë të madhe opinionit publik, duke thënë nga njëra anë “Pa bashkim nuk ka opinion publik” dhe, nga ana tjetër, duke shkruar “Opinioni publik është baza e lirisë, forca e edukimit të shoqërisë dhe udhëheqës i qeverive”. Konstatimi “i ftohtë” nuk do të mjaftonte. Duhej punuar për bashkimin. Naimi e ka përmbledhur këtë përpjekje të tyre në këto vargje: “Tregomu dhe Shqipëtaret udhën’ e punës së mbarë, Bashkomi, bëmi vëllezër, edhe fjeshtë Shqipëtarë. Falmi, falmi Shqipërisë, ditën’ e bardh’ e lirisë, udhën’ e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.”

Naim Frashëri punoi për bashkimin real të shqiptarëve dhe duhej një produkt i fuqishëm ideor dhe kulturor dhe bazat e frymëzimit të cilin ai e prodhoi. Me “Historinë e Skënderbeut” Naimi u dha shqiptarëve modelin e shtetit, të bashkimit dhe të sundimit të moralit të mirë si nga parësia ashtu edhe nga populli. Për shembull, “Skënderbeun e Naimit” (të parin e vendit) nuk e gjen duke vrarë shqiptarë edhe kur këta zihen në faj, diçka që sot e kemi të sanksionuar edhe në ligj, pra nuk lejohet dënimi me vdekje. Vite pas kësaj vepre të Naimit, shqiptarët që morën pushtetin politik, jo rrallë e përdorën vrasjen për motive politike, duke qenë larg moralit të Skënderbeut të Naimit (i mëshirshëm). Nga ana tjetër, Samiu përforconte Skënderbeun e Naimit në veprën e vet “Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet” duke shkruar “Skënderbeu, kujt istoria s’i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit, më diturit të luftës, në forcët si edhe në ditjet, në mendimt të drejtë, në njerëzit, n’ëmbëlsit të zëmrësë e në madhërit të shpirtit … ”

Kontributi kryesor praktik i përbashkët i Naimi dhe Samiut ishte ngritja e “Mësonjëtores së parë shqipe” në Korçë. Në vitin 1886, pra një vit para 7 marsit 1887, ata të dy bënë tekstet mësimore dhe literaturën (abetare, gjuhë, histori, letërsi), me të cilat do të mësonin nxënësit e mësonjëtoreve shqipe që do të fillonin me Korçën e do të përhapeshin kudo në Shqipëri për të formuar sistemin arsimor shqiptar.

Sot kjo vepër e Naimit dhe e Samiut, kryevepër e Rilindjes Kombëtare, është goditur fuqishëm nga qeveria e sotme në disa drejtime: “Mësonjëtores së parë shqipe” në Korçë: iu hoq tinëzisht emri nga godina, iu hoq tinëzisht statusi Muze Kombëtar i Arsimit me ligj 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe iu hoq tinëzisht edhe detyra që muzeu “i ri” i Korçës (shpronësuesi i mësonjëtores) të mos trashëgonte mësonjëtoren. Asnjë rresht i VKM 146, datë 10 mars 2021 nuk përmban fjalën “Mësonjëtore”. Nga ana tjetër, qeveria – për të plotësuar goditjen ndaj “Mësonjëtores” – cakton 22 nëntorin 1908 si festë zyrtare (Dita e Alfabetit) dhe jo 7 marsin 1887. Kjo bëhet qëllimisht, për të zhvendosur Rilindjen Kombëtare nga shekulli 19 në shekullin 20, nga Korça (Shqipëri) në Manastir (Maqedoni të Veriut), ku nuk ka autoritet shteti shqiptar. Sulmi ndaj “Mësonjëtores” u pasua me sulmin ndaj vetë Frashërit dhe Vëllezërve Frashëri. U shkruajt një libër masiv nga këshilltari i Edi Ramës, me mbi 800 faqe, për Frashërin, pa Vëllezërit Frashëri, me mendimin tinzar “ata janë të njohur dhe s’ka nevojë të shkruajmë më për ta”, duke investuar në një koncept befasisht të ri “klan Frashëri”. që do të thoshte “kooperativa Frashëri” (të tjerët) që do të shtetëzonin pastaj tjetërsonin përmes një propagande të tillë “veprën e Vëllezërve Frashëri”, duke lënë të kuptohej se Vëllezërit Frashëri nuk qenkeshin frymëzuar nga Shqipëria dhe të punonin për Shqipërinë, por ishin frymëzuar nga ndonjë “klan i fshatit Frashër” për të punuar për atë “klan Frashëri” (ortodokso-bektashi). Për t’ia bërë kritikën këtij libri, kam shkruar librin “Klani “Oxhaku heuristik” i shekullit 21 synon përçarjen fetare dhe shkombëtarizimin duke sulmuar Vëllezërit Frashëri, Mësonjëtoren dhe Rilindjen Kombëtare” (2023). Sulmi vijoi me nismën Shtet Bektashi, koncept e sulm i hapur e i drejtpërdrejt ndaj Vëllezërve Frashëri dhe Rilindjes Kombëtare. Bektashizmi ishte një nga drejtimet e punës së tyre dhe dytësor, pra i nënshtruar ndaj punës që ata po bënin me kombin shqiptar, pra edhe fetë e tjera. Autoqefalia e Bektashinjve është me autorësi të Naim Frashërit dhe po ashtu me autorësinë e të dyve, Naimit dhe Samiut, është edhe koncepti i Autoqefalisë së Kishës Ortodoke. Një tjetër dëm ndaj Rilindjes Kombëtare, që pak flitet për të, është “dhurimi nga ana e qeverisë” i fjalës kyçe shqipe “Besa” për përpunim propagandistik një shteti të huaj.

Në fund të këtij artikulli do të doja që shqiptarët e sotëm kudo që janë të mbajnë parasysh këshillën e Sami Frashërit: “Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyten.”

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X