Ndryshe nga Barleti, Noli, ndërmarrjes për t’i dhënë popullit të vet një histori të Skënderbeut, i hyri shumë më i ri, pa përvojën e mjaftueshme përballë një lënde sa të madhe e të pashtershme, po aq edhe të panjohur dhe vështirë për ta pasur në dorë. “Libri i vitit 1921 ishte shkruar më tepër me dorën e letrarit patriot sesa të një historiani kritik; ai mbështetej kryesisht mbi burime të dorës së dytë, siç ishin biografitë e heroit të shkruara në kohë të vona, kurse burimet e dorës së parë, materialet arkivale bashkëkohëse, Noli atëherë ose nuk i njihte, ose nuk i kishte në dorë.”
Fadil GRAJÇEVCI, Prishtinë
Marin Barleti dhe Fan Noli, dy nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, ishin edukuar dhe formuar si priftërinj, njëri si prift i ritit katolik e tjetri si prift i ritit ortodoks. Që të dy lanë të shkruara edhe vepra me karakter fetar, por në historinë e kulturës shqiptare vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm do të zënë Barleti si shkrimtar e historian, kurse Noli si veprimtar politik, si shkrimtar, si historian, si publicist, si përkthyes e si orator. Të rëndësishme për historinë e kulturës sonë mbeten sidomos veprat e tyre historiografike, veprat në të cilat ata e trajtuan temën e atdheut dhe temat e tjera që lidhen me të kaluarën, me të tashmen dhe me të ardhmen e popullit të tyre. Botimet dhe ribotimet e shumta të veprave të tyre historiografike në gjuhën e origjinalit dhe përkthimet dhe botimet e ribotimet edhe në shumë gjuhë të huaja, përbëjnë ngjarje nga më të rëndësishmet për kulturën shqiptare.
Marin Barleti, në dy veprat e tij historiografike: Rrethimi i Shkodrës (1504) dhe Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut, princit të epirotëve (1508-1510), i kushton rëndësi të veçantë paraqitjes objektive të ngjarjeve, përshkrimit të marrëdhënieve politike, situatave dramatike strategjike, si dhe fakteve të ndryshme gjeografike-etnografike. Krenaria për të kaluarën e lavdishme të popullit që i përkiste, qoftë ajo më e largët, e në veçanti ajo më e afërt, që lidhej me emrin e kryeheroit, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dhe malli i pashuar për atdheun, ndikuan në krijimin e botëkuptimeve e të botëpërjetimeve të tij, të cilat e kushtëzuan edhe përcaktimin e tij për zgjedhjen e përmbajtjeve të caktuara, të cilat karakterizohen me shprehjen e ndjenjave, të synimeve, të mendimeve e të idealeve më humane politike e shoqërore të popullit të vet. Stili i qartë, transparent e patetik me plot mjete retorike dhe me plot refleksione moraliste, është një vlerë tjetër që veprat e tij i bën më interesante dhe më tërheqëse për lexim.
Në të dy veprat e Nolit kushtuar Skënderbeut, Historia e Skënderbeut, (Boston 1921) dhe George Castrioti Scanderbeg (Nju-Jork, 1947), dashuria për atdheun dhe lirinë e tij, admirimi për origjinën ilire të popullit të vet, krenaria për bëmat e popullit shqiptar me në krye Skënderbeun përballë otomanëve, herë-herë edhe venedikasve, por edhe krenaria për monumentet letrare kushtuar atyre bëmave, të ngritura nga historiografët shqiptarë, si Tivarasi e Barleti, shprehen në çdo kapitull, në çdo ngjarje e në çdo situatë.
Fan S. Noli, i cili veprën e Barletit Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut…, të botuar ndërmjet viteve 1508-1510, siç besojnë numri më i madh i studiuesve të kësaj vepre, e nxjerr të botuar dy vite më herët, mes viteve 1506-1508, me ndihmën e Federatës Panshqiptare “Vatra”, që vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 1921, në Boston, botoi veprën me titull Historia e Skënderbeut, titull ky i përafërt me atë të Barletit. Me këtë vepër, që vlerësohet si vepra e parë shkencore e historiografisë shqiptare, Noli sikur nis jo vetëm t’i plotësojë zbrazëtitë e shumta të historiografisë shqiptare, por edhe t’i rivërë themelet e saj. Siç e kemi të njohur tashmë, zhvillimi i historiografisë shqiptare rreth kësaj periudhe të lavdishme të popullit shqiptar, pas ndërprerjeve të gjata (Barleti, Beçikemi, Frëngu, Muzaka, Bardhi), mori hov gjatë periudhës së romantizmit. Autorët, si Thimi Krej, i cili përshtati ose përktheu një histori mbi Skënderbeun (1877); Zef Jubani, i cili la në dorëshkrim një histori mbi Skënderbeun; Naim Frashëri, i cili botoi veprën e tij në vargje Istori e Skënderbeut etj., kishin pretendime të qarta shkencore megjithëse veprat e tyre më parë mund të quhen histori të letrarizuara sesa vepra njëmend shkencore.[1] Në frymën e këtij disponimi dhe si vazhdues i përpjekjeve të rilindësve tanë për të shkruar historinë e popullit të vet, me qëllim që te lexuesit të ndikonte në formimin e tyre shpirtëror, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, përmes këtyre shkrimeve të ndikonte edhe në opinionin europian, e shohim edhe veprën Historia e Skënderbeut (1921) të Fan S. Nolit. Vite me radhë, kjo vepër, e shkruar me një gjuhë e stil tërheqës e të rrjedhshëm, si dikur vepra e Barletit, të cilën edhe Noli e pati mbështetje kryesore, ashtu si edhe rilindës të tjerë, u lexua me entuziazëm, duke u bërë shumë popullore.
Sigurisht se kontekstet kohore të krijimit të veprave kushtuar Skënderbeut, asaj të Barletit dhe asaj të Nolit, janë të ndryshme: Barleti, monumentin letrar historiografik për historinë e popullit shqiptar të personalizuar rreth figurës së Skënderbeut e shkroi dhe e botoi në fillim të shekullit XVI, kur Shqipëria kishte rënë nën sundimin e Perandorisë Osmane, kurse Noli të dyja variantet e monumentit të tij historiografik për Skënderbeun i shkroi dhe i botoi në kohën kur Shqipëria ishte çliruar nga sundimi shumëshekullor i Perandorisë Osmane. Variantin e parë e botoi më 1921, tre vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kurse variantin e dytë më 1947, tre vjet pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë e nazistë. Nga të dy parathëniet e Historisë së Skënderbeut të Marin Barletit, njërit nga biografët më të mëdhenj të Skënderbeut, siç e quan Noli, njëra në fillim të veprës dhe tjetra pas kapitullit (librit) të gjashtë, të shkruara nga vetë autori, mësojmë se vepra u shkrua kur Barleti ishte në moshë të shtyrë, kur “fuqitë për të shkuar më tej, përpara, po e linin”[2] dhe se vepra u shkrua pas shumë hamendjeve dhe pas pritjes së gjatë të autorit se mos ”kjo lëndë kaq e gjerë të nxiste ndonjë shkrimtar.”[3]
Ndryshe nga Barleti, Noli, ndërmarrjes për t’i dhënë popullit të vet një histori të Skënderbeut, i hyri shumë më i ri, pa përvojën e mjaftueshme përballë një lënde sa të madhe e të pashtershme, po aq edhe të panjohur dhe vështirë për ta pasur në dorë. “Libri i vitit 1921 ishte shkruar më tepër me dorën e letrarit patriot sesa të një historiani kritik; ai mbështetej kryesisht mbi burime të dorës së dytë, siç ishin biografitë e heroit të shkruara në kohë të vona, kurse burimet e dorës së parë, materialet arkivale bashkëkohëse, Noli atëherë ose nuk i njihte, ose nuk i kishte në dorë.”[4]
Barleti nuk e konsideronte veten të zotin të shkruante për një figurë e për ngjarje aq të lavdishme, prandaj me modesti thoshte: “duhet të ruhemi fort që lënda të mos ia kalojë pendës.”[5] Kjo thënie e Barletit, në një formë, sikur kishte reflektuar në Nolin, sepse e kishte kuptuar se pikërisht në veprën e tij, atë të vitit 1921, lënda ia kishte kaluar pendës. Prandaj, 25 vjet më vonë, i vetëdijshëm se heroi i tij, Skënderbeu, “shëmbëllente më tepër me një figurë legjendare sesa me një figurë reale, historike,”[6] dhe i vetëdijshëm se vepra e tij vuante edhe nga shumë të meta të tjera, Motit të Madh dhe personalitetit të shumanshëm të Skënderbeut, vendos t’i kthehet edhe njëherë. Dashuria për atdheun dhe veprat heroike të Skënderbeut dhe të bashkëluftëtarëve të tij, pasardhës të Pirros e të Aleksandrit, ashtu si edhe Barletin, që nuk e kishin lënë të qetë, por, përkundrazi, e kishin nxitur që të shkruante për to, edhe Nolin dashuria për të vërtetën shkencore nuk do ta linte të qetë. Duke qëmtuar pas dëshmive të reja, ai do t’i ngrinte Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij një përmendore edhe më të madhe e më të fortë historiografike. Noli nuk mund të qëndronte indiferent përballë shumë historianëve kritikë, të cilët pretendonin se numri më i madh i fitoreve të Skënderbeut ishin pak a shumë të zmadhuara prej biografëve të tij, gjë që ai nuk mund edhe ta mohonte plotësisht, aq më shumë nuk mund të qëndronte indiferent përballë përfundimeve të disave se “gjithë historia e Skënderbeut është një ballon i fryrë.”[7] Në këtë kontekst, Noli, duke iu kundërvënë historianëve që nuk ishin të paktë, të cilët i zhvlerësonin luftërat e Skënderbeut, njëkohësisht vihej në mbrojtje edhe të biografëve më meritorë për gëzimin e famës së Skënderbeut shekuj me radhë në mbarë Europën, Tivarasit, e sidomos Barletit.
Shpjegimi i arsyeve për t’iu rikthyer historisë së Skënderbeut në Hyrjen e veprës së vitit 1947, të mbrojtur një vit më parë si disertacion doktorate, na e kujton tonin polemizues të Barletit në parathëniet e veprës së tij. Barleti, përveç që në moshë të shtyrë e kishte nisur punën e madhe, ai ishte edhe i revoltuar me sjelljen e papërgjegjshme të autorëve të shkrimeve të ndryshme me fjalime e kujtime të parëndësishme në krahasim me veprën e Skënderbeut: “Por asnjëri gjer tani s’e ka preferuar një mund kaq të shenjtë, me gjithë që nuk pushojnë së botuari çdo ditë (më falni për shprehjen) fjalime të reja me kujtime të panumura, gjer në çpërdorim,(….)”[8] Kur flet për këto shkrime shpërdoruese, Barleti nuk lë shumë për të nënkuptuar se fjalën nuk e ka për shkrimtarë të huaj, por për autorë shqiptarë, të cilëve, më shumë se të tjerëve, u takonte të shkruanin për të kaluarën e atdheut të tyre dhe për figurën shembullore të Skënderbeut, para se të shkruanin kujtime e gjenealogji për familjet e tyre.
Në Kapitullin VII, ku bën komentimin e burimeve të veprës së vet, burime kryesore letrare shqiptare për historinë e Skënderbeut i konsideron biografët e mëdhenj shqiptarë: Tivarasin dhe Barletin, kurse autorët e gjenealogjive dhe të kronikave familjare, të cilët, në Parathënien e vet, Barleti i kishte qortuar, Noli i konsideron biografë të radhës së dytë[9]. Sipas Nolit, Tivarasi “s’mund të ketë qenë tjetërkush, veçse Pal Engjëlli, Kryepeshkopi i Durrësit”.[10] Në këtë kapitull, komentet për Barletin Noli na i jep kryesisht përmes vlerësimeve të historianëve të tjerë. E ata nuk ishin pak. Sipas Nolit, duke u mbështetur në “Bibliografinë” e Petroviçit, vepra e Barletit ishte bërë burim bazë për krijimin e rreth 200 veprave të ndryshme kushtuar Skënderbeut[11]. Në veprën e Nolit kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, emri i Barletit zë vend të posaçëm. Pas Skënderbeut, ai është emri më i përmendur. Pothuaj nuk ka asnjë ngjarje që në vepër komentohet e autori të mos i referohet Barletit. Edhe në Kapitullin VIII, ku në kronologji flet për vepra dhe përmbledhje burimesh të shfrytëzuara, ai bën komente të shkurtra, duke i theksuar kopjuesit, përkthyesit ose mbështetësit në mënyra të ndryshme të veprës së Barletit, si: Sansovino, Noulës, Dyponse, Sismond, Hamer, Paganel, Fallmerajer, Makushev, Pizani, Armstrong, Barbariç, Babinger etj., por edhe kritikuesit e tij, si: Spondano, Gibbon, Fojgt, Jorga etj. Gjithsesi, mbetet shumë i kuptueshëm kujdesi i veçantë i Nolit ndaj fakteve që i ofron vepra Historia e Skënderbeut e Marin Barletit, kur kemi parasysh Nolin historian, por edhe admirimin që jo gjithnjë mund ta fshehë ai për përmbajtjen e shumanshme të saj, për të dhënat e shumta, pothuaj enciklopedike, për historinë e një periudhe shumë të rëndësishme të popullit shqiptar.
Me të dy veprat kushtuar simbolit më përbashkues të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjithnjë duke pasur mbështetjen më të fortë veprat e historiografëve të parë shqiptarë (Tivarasin e Barletin), Noli mbetet njëri nga historiografët më të rëndësishëm skënderbegianë. “Me punimin e vitit 1921, ai përfaqëson kalimin nga historiografia rilindase romantiko-letrare në historiografinë postrilindase romantiko-shkencore”[12], kurse me disertacionin e vitit 1947, ashtu si dikur Barleti që ishte bërë frymëzues i shumë veprave të tjera kushtuar kryeheroit tonë, Noli, duke e shtruar për studim problemin e Skënderbeut në një plan të ri, më të ngritur, me pikëpamje më të përparuara, historiografinë shqiptare e kaloi në një fazë shumë më të avancuar në atë kritike-shkencore.
[1] Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi I, ”Rilindja”, Prishtinë 1984, f. 171-172.
[2] Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Prishtinë 1982, f. 285.
[3] Po aty, f. 47.
[4] Aleks Buda, Fan S. Noli, historian i Skënderbeut. Në librin: Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu,”Rilindja, Prishtinë 1968, f. 12.
[5] Barleti, Vep e cit., f. 47.
[6] Aleks Buda, Vep e cit., f. 12.
[7] Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu,”Rilindja, Prishtinë 1968, f. 42.
[8] Barleti, Vep e cit., f. 47.
[9] Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405 – 1468), “Rilindja”, Prishtinë 1988, f. 154.
[10] Po aty, f. 187.
[11] Po aty, f. 157.
[12] Flamur Hadri, Fan S. Noli në historiografinë skenderbegiane, Në librin: Fan S. Noli në 100-vjetorin e lindjes 1882-1982, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1984, f. 182.









