loader image
January 11, 2026

Manipuluesit e shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Nuk mbijetojnë llojet më të fuqishme të kafshëve dhe as ato inteligjente, por ato kafshë që dinë të përshtaten më mirë. Në historinë e gjatë të njerëzimit (dhe kafshëve) kanë mbisunduar ata që kanë mësuar të bashkëpunojnë dhe improvizojnë në mënyrë më efikase. (Charles Darwin) 

Shkëlzen HALIMI, Shkup 

Lakmia si vizion i vetëm

Pas shpërbërjes së ish federatës jugosllave, shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut përbrenda e brente një krimb, por që s’ishte krimbi i ndërgjegjes. Në fakt, do të ndodhë një avancim i brishtë i çështjes shqiptare, por që do të mbetet nën hijen e avancimit material të disa klaneve që kurrë nuk pushuan së manipuluari me emocionet e popullit, edhe atëherë kur kishte filluar t’u dalë ngjyra.

Politizimi i shoqërisë shqiptare do të shndërrohet në një sëmundje kancerogjene. Krah më krah do t’u hapen portat injorantëve, të cilët me kohë do t’i zënë pozitat e vendosjes. Vizioni i vetëm i tyre do të jetë lakmia dhe natyrisht do të bëhen edhe të përdorshëm nga grupe të ndryshme (provinciale) të interesit.

Kjo gjendje shpesh ka rezultuar të jetë fatale në imazhin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Të rinjtë shqiptarë, që përbënin një armatë të madhe të të papunëve, shpëtimin e vetëm e shihnin sa më larg vendlindjes së tyre. Ata me kohë do të vërejnë se deklaratat për domosdoshmërinë e ndryshimeve ishin vetëm fjalë boshe, mashtruese dhe, mbi të gjitha, gënjeshtra. Realiteti i ri nuk premtonte për një ekuilibër të qëndrueshëm socio-ekonomik, ndaj edhe ikja në shtetet perëndimore konsiderohej si shpëtim i vetëm. Pra, do të kemi një tip të ri të mërgimit, që do të vijë në shprehje për shkak të dëshpërimit të madh nga “demokracia” shqiptare. Nëse dikur (në fillim të shekullit 20) mërgimi u shfrytëzua edhe për rizgjimin e nacionalizmit shqiptar dhe që do të konsiderohej si fidanishte që prodhoi aq shumë nacionalistë (kujtojmë komunitetin e mërgimtarëve tanë në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Kajro, SHBA etj), të cilët me shqiptarizmin e tyre do ta ringjallin identitetin e harruar të shqiptarëve, tani sikur vinte në shprehje e kundërta, dëshpërimi jo vetëm nga ajo që ishte shqiptare, por edhe nga vetvetja.

Nuk ishin të paktë ata që thoshin “kemi lindur në hapësirë dhe kohë të gabuar”. Në fakt, manipuluesit do të krijojnë rrethana të atilla që shumë të rinj që kishin mbaruar arsimimin sipëror, të mos shohin rrugëdalje tjetër, pos largimit dhe vendosjes në ndonjë nga vendet perëndimore.

Me retorikë patriotike e me veprime mafioze, ata, “përfaqësuesit” e shqiptarëve, kishin gjetur formulën e manipulimit… Zbrazëtira e madhe do të plotësohet me injorantët dhe të dëgjueshmit e partive në pushtet. Ishte e qartë se nuk do të mund të vijnë më në shprehje as alternativat e qëndrueshme (paraqitja e atyre që mendonin ndryshe), as idetë e reja, mbase as kritikat, të cilat ishin heshtur karshi një realiteti të ri, i cili në horizonte paralajmëronte vetëshkatërrimin dhe profilizimin e një krijese të re, të quajtur zomb, e cila nuk ka vetëdije, me një mentalitet të kontrolluar, rob pa ndërgjegje, me një fjalë krijesa që s’mund të mendojnë.

Ishte shumë e qartë se po hapej dera e madhe për zombin shqiptar në politikë, zombin në arsim, zombin në kulturë… Pra, shoqërisë shqiptare e keqja po i vinte nga brendia e saj dhe jo nga jashtë dhe, për këtë, atyre që vepronin në emër të popullit për t’i plotësuar interesat e individëve dhe grupeve të caktuara nuk u bëhej fare vonë. Ndërgjegjja e tyre ishte identike me ndërgjegjen e zombit…

Manipuluesit si pasqyra “melankolie” 

Në këtë periudhë tranzicioni, që karakterizohej vetëm me tendencën e ngjitjes dhe mbetjes në pushtet, do të mungojë debati serioz dhe konstruktiv për politikën, kulturën, historinë, letërsinë, filozofinë, muzikën, religjionin, por edhe për shtylla të tjera që e plotësojnë mozaikun e identitetit shqiptar. Ç’është e vërteta, herë-herë, aty këtu do të dëgjohet edhe ndonjë fjalë, megjithatë do të jetë fjalë e vakët, sa për sy e faqe.

Mbi shumë çështje sundonte heshtja dhe mungonte zëri i duhur, që do të nxiste daljen në pah të të vërtetave për vonesën e ndryshimit. Në sfond kishte filluar të dukej kufiri mes imponimit dhe gënjeshtrës. Mungonte edhe analiza, interpretimi real i aktualitetit, i rrethanave, por mungonin edhe qasjet sociologjike e psikologjike.

Kishin filluar të paraqiten shenjat e para që tregonin se shoqëria shqiptare po shndërrohej në shoqëri kontradiktash. Në vorbullat e politikës shqiptare kishte filluar të ndjehet manipulimi. Mekanizmit mbrojtës do të fillojë t’i nënshtrohet edhe vetëdija e mbyllur. Ushtruesit e pushtetit ia jepnin gënjeshtrës atributin e së vërtetës, pavarësisht se opinioni në subkoshiencën e tij (nuk mund të protestonin ata që i ishin shitur pushtetit) e kishte të qartë se bëhej fjalë për një gënjeshtër që kishte marrë peshën e së vërtetës për interesin e grupit të mbyllur, që i mbante frerët e pushtetit.

Manipuluesit ishin si pasqyra “melankolie” që të bënin për vete në shikim të parë. Të sinqertët në këtë pasqyrë shihnin dëshirën e madhe për ta zëvendësuar “melankolinë” me pamje lumturie. Dhe, kur ndodhi ky zëvendësim, atëherë besimi absolut fatkeqësisht ra në kurthet e fshehta të manipuluesve.

Pesha e manipulimit të fabrikuar nga ana e grupit të pushtetshëm asnjëherë nuk do të ndjehet si barrë që rëndon mbi popullin, madje kjo përmes ndërmarrjeve propaganduese, shumë herë ishte vlerësuar si angazhim i jashtëzakonshëm i grupit të pushtetshëm, i cili për t’u bindur se kjo vërtet jepte rezultate, në vijat e para të frontit do t’i radhisë besnikët e manipuluar të partisë (ndryshe, vështirë është të mbahet në kondicion të përhershëm anëtarësia), të cilët kishin vetëm një detyrë: të premtojnë sa më shumë dhe premtimi i tyre të jetë sa më bindës. Kështu, varfërimi shpirtëror i besnikëve të manipuluar të partisë do të shndërrohet në dehje të gradacionit më të lartë…

Në këtë piramidë të manipulimit do të kemi grumbullimin e shpirtkëqijve, të cilët krijuan pasqyrën më të shëmtuar të viteve të tranzicionit shqiptar. Kaosi i këtillë, për të cilën mungonte debati, u reflektua në përditshmërinë e zymtë të shtresave të popullit…

Çmimi i ndërgjegjes

Për ta kuptuar më mirë realitetin e demokracisë në oborrin shqiptar, do të duhet të kthehemi në orët e para të sistemit plural. Atëbotë shqiptarët do të mendojnë se komunizmi si sistem kishte marrë fund. Megjithatë, edhe sistemi i ri, që në fakt edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ishte me shumë të panjohura, kërkonte individë që do t’i çojnë proceset përpara, të cilat do të burojnë nga vlerat e demokracisë. Ishte e qartë se mungonte përvoja.

Përvojë me partitë kishin vetëm udhëheqësit komunistë, të cilët, duke nuhatur fundin, i kishin hedhur librezat e kuqe dhe kishin pritur momentin e përshtatshëm për t’u bërë anëtarë të partive të reja që ishin paralajmëruar. Pra, pritej momenti i konvertimit!

Nga ana tjetër, ishte edhe një grupim serioz, të cilët e kishin pësuar rëndë nga sistemi komunist jugosllav dhe makineria e saj ndëshkuese, e njohur si UDB. Ideologjia e tyre nuk kishte asgjë të përbashkët me vlerat e demokracisë perëndimore, ndaj do ta kenë shumë vështirë të çlirohen nga ajo ideologji që ishte ngulitur thellë në vetëdijen e tyre, pra nga ideologjia marksiste-leniniste-enveriste.

Pikëpamjet e këtyre grupimeve (komuniste- marksiste-leniniste-enveriste) kishin domethënie të ndryshme, siç ishte e ndryshme edhe logjika e tyre për politikën dhe pushtetin. Megjithatë, më elastik u treguan ish komunistët, që brenda natës u transformuan në demokratë.

Sakaq, do të fillojë edhe paraqitja e grupimeve të ndryshme në baza provinciale. Kjo ishte shenja e parë e luftës brenda llojit. “Humbësit” do të fillojnë të grupohen, pastaj do të pasojnë ndërrimet e grupeve, bashkimet me prapavijë meskine. Do të ketë hezitime, dëshpërime, zhgënjime, shumë kontradikta…

Ndërkohë, shoqërisë shqiptare do t’i imponohet edhe folklorizmi, ndërkaq kjo shihej përmes efektit të glorifikimit të meritave, ngjarjeve, individëve, saqë “gjithë shqiptarët u bënë Mic Sokola”. Pafundësia e së keqes së shoqërisë shqiptare ishte fare e arritshme. Por, midis kësaj pafundësie dhe së arritshmes ishte një hendek i thellë, që ishte hapur nga amatorizmi i elitave politike shqiptare.

Ishte e kuptueshme se edhe ndërgjegjja kishte çmim, sigurisht. Prandaj, manipuluesit e kishin të qartë çmimin. Përjashtimi i ndërgjegjes ishte arsyetimi i vetëm i tyre para vetvetes, për të vazhduar me kultivimin e mundësive dhe shfrytëzimin e tyre në vjeljen e të mirave të pushtetit. Çmimi i lartë i ndërgjegjes për ta nuk kishte “kuptim”, ndaj që të funksionojë politika e tyre pa probleme, duhej përjashtuar ndërgjegjen si një lloj frenuesi për bëmat kriminale që i ofronte tranzicioni jetëgjatë dhe i cili zvarritej nëpër labirintin shqiptar.

Tendenca për ta instrumentalizuar gjithë masën që nuk ishte përfshirë në subjektet politike do të tregohet si diçka fatale, si diçka që deprimonte. Individë të ndryshëm, pa kurrfarë bagazhi intelektual e politik, në forma të ndryshme, bënin përpjekje të jashtëzakonshme që të faktorizohen dhe të dalin “mbi ujë”. Të tillët, pa fije turpi, e realizonin misionin e tyre, sepse nuk doli askush t’u tregojë se ku e kishin vendin e vërtetë.

Ishin po ata individë që, pa pasur mandat, pa pyetur kënd, e morën fatin e popullit në duart e tyre dhe mbi këtë fat filluan t’i realizojnë interesat e tyre personale. Kjo tregoi qartë se do të nevojitej edhe shumë kohë që shqiptarët ta arrijnë stadin e fillimit të pjekurisë politike. Të gjitha shenjat tregonin se për diçka të tillë duhej pritur një kohë tjetër, kur sërish do të fillonin nga pika zero, sepse, fatkeqësisht, ishte e prejudikuar që shqiptarëve sërish t’u përsëritet historia, pasi s’kishte vullnet për t’u liruar as nga ngërçi politik e as nga çështjet paradoksale.

Psikologjia e çoroditur dhe e konservuar se “ne jemi shpëtimtarët”, nuk mundësonte përqendrimin te problemet kruciale. U pa qartë se politika ishte një hapësirë ku fare lehtë mund të ushtrohet edhe manipulimi, prandaj nuk ishte e habitshme se pse aso kohë (por edhe tani) pati shumësi të të vërtetave edhe kur bëhej fjalë për një problem të vetëm. Ndërkaq, kjo bëri që të paraqitet një konfuzion aq i madh, sa të gjithë u humbën në të.

Jo vetëm kaq, por edhe manipulimi mori në intensitet, duke përfunduar në vetëmashtrimin e plotë, kurse vetëmashtrimi është virtyt i të pamoralshmëve, të cilët do të bëhen “partizanët” e parë të logjikës se për t’u marrë me politikë nuk nevojitej as arsimimi e as kultura…

Bariu i deleve të zeza

Pasi e morën kontrollin mbi pjesën më të madhe të asaj që ishte shqiptare, diku me të mirë e diku me dhunë, partitë shqiptare në pushtet e futën në lojë propagandën si mjet mashtrimi, së cilës i besonin shumica, sepse “duhet t’i besojmë”, kishte thënë ai atje lartë – shefi, pra bariu i deleve të zeza.

Përmes blerjes së informacionit të kanalizuar, e blenë edhe të vërtetën, duke e rritur çmimin e vlerës së tyre, që, siç do të thonë, “e kishin krijuar përmes sakrificave të shumta, përmes ndjekjeve dhe trysnive që kishte ushtruar komunizmi”. Ne, do të thonë ata, jemi referencë e suksesit.

Ata që tentonin të futeshin në këto skema, në fakt ia falën shpirtin makinerisë që e prodhonte informacionin, paranë dhe që përmbyllej me gënjeshtrën. Të tjerët, që do të mbeten jashtë këtyre skemave, një kohë do t’i ngjajnë Don Kishotit, i cili në kontekstin e kohës së tranzicionit do të bëhet lajtmotiv i realitetit.

Ndërkaq, të shpërblyerit me punësim në administratë, fatkeqësisht nuk do të jenë në gjendje ta reflektojnë së paku simbolikën e përfaqësimit të tyre që shprehej me përqindjen, e cila do të shërbejë si atu kryesore dhe referencë “suksesi” në kampanjat zgjedhore.

Në fakt, për shkak të injorancës së tyre, më shumë ishin të frikësuar, sepse ishin futur në një ambient me shumë të panjohura për ta. Ç’është e vërteta, ata, në një mënyrë u flijuan nga kastat politike, të cilët kishin vetëm një qëllim: të mos sakrifikonin asgjë që prekte interesin e tyre, as edhe qetësinë e tyre që do t’ua sjellë prezenca në pushtet.

“Muskujt” e partisë, siç do të njihen në realitet, ishin të gatshëm të lejojnë çfarëdo cenimi qoftë, ama nuk do të lejonin të cenohet vetëm një segment – interesi, që paraqiste një zonë të ndaluar dhe që për ta, mbi të gjitha, ishte filozofia politike më frymëzuese.

Ata, në mbrojtje të kësaj, me gjakftohtësinë dhe me lehtësinë më të madhe të mundshme, do të shkelin edhe mbi të vërtetën, e cila për ta kishte humbur kuptimin, duke thënë se e vërteta e tyre bazohet në votën e lirë të qytetarit të përvuajtur, e cila votë ata i “kushtëzon që të punojnë ditë e natë”.

Shkrimtari i shquar gjerman, Tomas Man, në veprën e tij “Legjenda për Jozefin”, ndër të tjera do të shkruajë se “nuk e fëlliq njeriun ajo që ai fut në gojë, por ajo që del prej goje”.

Duke i keqpërdorur mjetet e pushtetit, ata me mjeshtëri do ta barrikadojnë interesin e tyre, për të cilën nuk do ta kursejnë as jetën. Në sytë e militantëve ata do të duken sikur sakrifikojnë shumë, mbase edhe përgjaken, por prapa perdeve ku “shëronin” shpirtin, në fashat që i përdornin për pastrimin e lëndimeve, nuk do u ngelë asnjë njollë gjaku.

Tranzicioni shqiptar do të dëshmojë edhe për një raport të çuditshëm midis turmës dhe prijësit. Oratoria folklorike, që u tregua si oratoria më e kuptueshme dhe që, sa mbyll e çel sytë, ndizte fitilin e emocionit, bëri që turma të mishërohet aq shumë me prijësin, saqë me asnjë kusht nuk lejoi që dikush tjetër ta zëvendësojë atë. Në kontekst të kësaj duhet theksuar se ndër shqiptarët e kësaj pjese të Ballkanit (që dikur ishte pjesë e RSFJ-së), akoma ka jugo-nostalgjikë që e adhurojnë Mareshal Titon, duke menduar se ai ishte i vërteti.

Janë të shumtë që thoshin e do të thonë se në kohën e tij, pra të shokut Tito, jetohej më mirë, se kishte rregull, siguri dhe dihej kush hante e kush paguante. Ndaj dhe nuk duhet të habitemi se përse shqiptarët, edhe pas shpërbërjes së RSFJ-së, vështirë e kanë ta ndërrojnë “prijësin”, pavarësisht mashtrimit që ndjehet e shihet, pavarësisht faktit se ai mbron vetëm interesat e një grupimi të caktuar, pavarësisht faktit se ai ishte në kontroll të plotë të pushtetit të palës tjetër, pavarësisht faktit se ata (të grupit që i bashkonte vetëm interesi) paraqiteshin si “engjëj”, siç ishin paraqitur mareshali Tito e shoku Enver dhe gjithsesi, edhe bariu i deleve të zeza…

Etja për pushtet

Vetëm pushtetin nuk e zë gjumi. Në fakt, edhe nëse kotet pak, njërin sy gjithmonë e ka të hapur, sepse është i vetëdijshëm për kundërshtarët, një pjesë e të cilëve do të tregohen imunë ndaj opiumit të tij.

I vetëdijshëm për vlerat e demokracisë, pushteti (pjesa shqiptare) do t’i luftojë kundërshtarët e vet me “metoda demokratike”, përmes shërbimeve manipuluese partiake, të cilët, veç marifeteve të tjera, do të gjejnë vullnetarë (të etur për pushtet) që do të pranojnë t’u injektohet guximi intelektual për t’u vetëshpallur si “analistë”, gjithnjë duke mbrojtur midis rreshtave pushtetin, por edhe duke bërë përpjekje që ta turbullojnë mendimin opozitar.

Në fakt, këta do të jenë të ashtuquajtur “analistë”, të cilët në esencë nuk kishin as njohuri elementare për ABC-në e politikës, por që kryesisht ose përsërisnin mendime të të tjerëve që i huazonin nga mediumet në Prishtinë e Tiranë ose vetëm jepnin konstatime për diçka që edhe fëmijët ishin në gjendje ta konstatojnë.

“Analistët” e guximshëm të elitave politike që do të vihen në shërbim të politikës ditore dhe që do të kenë hapësirë të mjaftueshme për t’i paraqitur mendimet e mësuara përmendësh, për ta dëshmuar besnikërinë e qenit, fare nuk do të hezitojnë që të nënshkruhen në tekstet e gatshme, të cilat, në prapaskenë, për paga simbolike, i shkruanin larot ose hyzmeqarët e pendës, të cilët gjithnjë ishin në gjendje gatishmërie.

Një nga format e tjera të joshjes dhe krijimit të grupimeve (pseudo)intelektuale, që në fakt do të tregohen si grupime të mbyllura, sepse potenca e tyre intelektuale nuk premtonte ndonjë vlerë të qëndrueshme, ishte pozicionimi i tyre në disa vende të kontrollueshme, të cilët kishin vetëm një detyrë: t’u shprehin merita atyre që i pozicionin në ato vende.

Nga këto grupime (që do të gëzojnë të mira materiale) do të dalin disa biçim njerëz, që do të thonë: “ne jemi njerëz të kulturës”. Ata i kënduan partisë, thurën vargje partiake, pikturuan për partinë dhe çka nuk bënë për partinë, vetëm e vetëm që t’i japin identitet kulturës partiake.

Pra, ky ishte profili i përfaqësuesve të grupimeve të mbyllura partiake, që u bënë rrethojë e mbyllur e partisë, duke u përpjekur që nga ky rreth mos të arrijë të përvijohet turpi që e kishte katandisur shoqërinë shqiptare.

Pararoja e këtillë (pseudo)intelektuale, duke rënë në trans për shkak të ekzaltimit nga faktorizimi i saj, në të vërtetë do ta marrë rolin e cirkut, ku palaçot do të jenë të vetmit që do ta argëtojnë publikun, edhe ashtu të manipuluar nga marrja e biletave falas për ta përcjellë një “program” me të gjitha nishanet e një cirku të vërtetë.

Por, a kishte vdekur shpirtëroja?

Vdekja e shpirtërores dhe reinkarnimi i materiales do të jetë dukuria më e veçantë e manipuluesve me emocionet e hallexhinjve. Përvoja ka treguar se atyre që u vdes shpirtërorja në rrugëtimin drejt përvetësimit të materiales, nuk ngurrojnë të shkelin edhe mbi kufomat që shpesh ishin edhe të gjalla…

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X