loader image
November 24, 2024

Kosova e lirë, me mendësi akademike në robëri!

Përparimi i Kosovës, 24 vjet pas çlirimit, po rezulton po aq i varur nga Serbia si sot kur nuk ka as grevë të minatorëve, as lëvizje studentore, as UÇK, as NATO me largim të forcave ushtarako-policore serbe! Analiza e ASHAK-ut nuk e kishte atë qëllim, por konfirmoi se Kosova është ajo që është sot vetëm pse ka një fole të këtij niveli akademikësh! Pse?!  

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

“Ne luftën, ju paqen!” Ky ishte mesazhi i qartë që e dha Presidenti i SHBA-së, Bill Cinton, për popullin e Kosovës, ndërsa konfirmoi se toka kosovare është e lirë! Ishte qershori i vitit 1999. Gjithçka u çlirua në Kosovë, serbi iku, por ngelën dy mendësi, ekonomike dhe akademike, që nuk po çlirohen dot as sot dhe me këtë po e pengojnë edhe Kosovën të jetë e lirë nga Serbia!

Promotor i mendësisë ekonomike në robëri ishte dhe është pa dyshim tregtia e mallrave me akcizë që vazhdon të zhvillohet nga tregtarët, ish-punonjës të shërbimeve serbe të sigurisë që kanë luftuar kontrabandën (UDB) dhe sot janë pjesë e këtij rrjeti të kontrabandës së shpërndarë në 7 shtete të dala nga Jugosllavia. Që këtu rrjedh edhe investimi i pashoq për ta ruajtur mendësinë ekonomike mbi mallin cilësor serb dhe fuqinë prodhuese të grurit serb, që nuk u lëkund as në ditët e para të lirisë, kur gjithçka që shikoje në Kosovë ishte kufomë, gjak, shkatërrim nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe!

Mendësia akademike në robëri është paksa më e ngatërruar nga ajo ekonomike, sepse me çlirimin e Kosovës vetëm ky nivel intelektual e vështroi në heshtje ndarjen e Mitrovicës, (mos)reagimin e KFOR-it francez dhe shefit të UNMIK-ut, po ashtu francez, tregtimin enorm me Serbinë që nga dita e parë e çlirimit, negociatat për statusin e Kosovës, Planin e Ahtisarit, Deklaratën e Pavarësisë, flamurin dhe himnin, dialogun Kosovë-Serbi, Gjykatën Speciale, marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, Ballkanin e Hapur dhe, në fund, rrezikun më të madh të Kosovës – Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe!

Dhe, një herë që vendosi për të nxjerrë më në fund kokën me një Analizë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mendësia akademike e Kosovës rezultoi e padenjë edhe për një nivel gjimnazisti, duke mos dhënë as edhe një përgjigje përkundër përpjekjeve për qartësimin e synimeve destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në rrugëzgjidhjen jo se jo!

Kjo mendësi pa nivel dhe pa interes kombëtar u konfirmua edhe pas intervistës së ish-shefit të OSBE, William Walker, i cili me një deklaratë pa lidhje, për shkak të rolit shumë të rëndësishëm që kishte në historinë e Kosovës, i bindi kosovarët me një pasaktësi absolute, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të gjykohet për përgjegjësi komanduese që kishte si pjesë e qeverisë së Serbisë në kohën e luftës në Kosovë! Dhe, shqiptarëve që u pëlqeu ky epilog i fundit i këtij krimineli serb, filluan të festojnë duke e imagjinuar bashkëpunëtorin e Millosheviqit prapa hekurave kosovarë, ndonëse realiteti është ndryshe!

Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i ka munguar shumë zhvillimeve në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, por askush nuk e ka menduar që kur të flasë ky institucion, të gjithë, pa dallim, do t’i bien në gjunjë me lutje pa kursim që të heshtë!

I publikuar si ANALIZË në webin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot nuk dihet se ku është, me qëllim të qartësimit të synimeve destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, gjithçka shkaktoi, por vetëm nuk krijoi “një pasqyrë të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme”, për të cilin ishte hartuar.

Duke lënë anash pasaktësitë historike, si dhe referencat e fakteve, gabim që sot nuk e bënë as edhe një gjimnazist, ky dokument, që trajton dhe memorandume të Akademisë së Shkencave të Serbisë, u ofron qytetarëve të Kosovës një dokument me të cilin, të gjithë pa dallim, turpërohen se njëri ndër institucionet më të paguara në këtë shtet prodhon produktin më të dobët që nuk do ta imagjinonte as edhe kundërshtari më i madh i këtij institucioni!

Që në ASHAK janë mbledhur ca akademikë që paguhen për të heshtur edhe kur ndahet Mitrovica ose propozohet Plani i Ahtisarit, është komentuar shumë kohë para se ky plan të rezultojë si jofunksional, pavarësisht se pushteti i Beogradit nuk e futi në ingranazhin e tij politik. Ashtu si në rastin kur shkëmbimi i territoreve të Kosovës me Serbinë e ndante nga realiteti vetëm disa orë, edhe nga ASHAK-u heshtja u kuptua si miratim. Pastaj, vijoi me Ballkanin e Hapur, të cilin vetëm qeveria e re e Kosovës e shpëtoi nga kthetrat Vuçiq-Rama edhe në momentin kur Presidenti i Serbisë u shprehë qartë se ishte ide e tij. Dhe, së fundi, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që sot politika e paaftë e shndërroi edhe në tabu institucionale, pa i dhënë rrugëzgjidhje, gjë që u përqafua edhe nga ASHAK-u me asnjë propozim, por me miratimin e idesë tashmë zyrtare “pjesë e marrëveshjes finale”!

Sikur të sqarohej ndarja e Mitrovicës, etapat e kësaj ndarjeje dhe roli i Francës dhe UNMIK-ut në këtë histori, pa komplekse, sot kjo akademi nuk kishte se pse të merrej me rrezikun nga zhvillimet në veri, në momentin që SHBA-ja del në mbrojtje të politikave të Beogradit zyrtar, pikërisht nga njeriu që ishte interlekutori kryesor i politikës amerikane si në luftën e Kosovës, ashtu dhe Maqedoni. Ky është edhe preokupimi shqiptar jo vetëm në Kosovë – pse sot ambasadori Hill e mbështet politikën e Vuçiqit?!

Dhe, fatkeqësisht, me këtë Analizë, ASHAK mundohet ta sqarojë kërcënimin nga Serbia përmes zhvillimeve në veri të Kosovës, Republikën Srpska dhe Mal të Zi, ndonëse janë tre realitete me tre zgjidhje të ndryshme, edhe pse kanë vetëm një garant: NATO-n, pavarësisht se çfarë mendon Rusia dhe Putini!

Përshkrimi i strategjisë serbe mbi acarimin e situatës “përpara se të paraqitet raporti i shefit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së” është një qëndrim më shumë se diletant, retorikë e dalë mode, që sot si përdoret refren vetëm në projekte të lodhshme të OJQ-ve.

Analiza e akuzon Serbinë si “shkaktarin kryesor të gjithë prapambetjes ekonomike, shoqërore, infrastrukturore, arsimore dhe kulturore të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe, aktualisht, pengesa kryesore e avancimit të këtyre shteteve”, ndërsa si konstatim mund t’u shërbejë gjeneratave në të ardhmen jo vetëm se si nuk duhet të bëhet Analiza, por edhe se si nuk duhet të fajësohet rivali kur ti je i paaftë! Ose, shkurt e shqip, asnjëra prej këtyre konstatimeve nuk qëndrojnë.

“Serbia gjen mënyrë ta shantazhojë NATO-n dhe BE-në, duke forcuar aleancat me Kinën dhe Rusinë”, mund të jetë muhabet tavoline në kafe, por jo dhe Analizë e një Akademie Shkencash, e cila flet për memorandumet e Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe kalvarin historik, fetar e politik të Kosovës.

Miti serb për Kosovën mund të jetë intrigues për çdo të painformuar ose kurioz, por kur nga një Akademi Shkencash vendngjarja e Betejës së Kosovës lokalizohet duke u bazuar në vendin ku sot ka një tyrbe, ky është kulmi i injorancës jo vetëm fetare!

Konteksti i marrëdhënieve shqiptaro-serbe për mënyrën si është shkruar, më mirë është të mos lexohet, ndërsa kapitulli “Manipulimet me fundamentalizmin islamik” nxjerr zbuluar edhe qëllimin e kësaj analize.

Nëse ia adresojmë padijes, si shpjegohet që 50 vjet më parë, një akademik i po kësaj akademie, Ali Hadri, ka një sqarim shumë më shterues dhe normalisht më bindës për çështjen fetare në Kosovë, sesa që bëhet sot me shumë më shumë informacione në dispozicion!

Në rastin më të mirë është mendësia akademike në robëri që mund të prodhojë një Analizë të këtij lloji, ku bindja fetare myslimane buruaka nga “një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë”, ndërsa përqafimi i bektashizmit tregon qartë se kemi të bëjmë me një muhabet të kafesë së parë, ku është mbajtur procesverbali.

Kisha Ortodokse Serbe në këtë Analizë mund t’u shërbente dhe gjeneratave të reja sikur të ishte trajtuar pa kompleks zhdukja e Kishës Ortodokse Shqiptare në Kosovë dhe zëvendësimi i asaj me atë të Serbisë, që do ta ndihmonte dhe Qeverinë e Kosovës në konturimin e idesë negociatore ndryshe mbi Kishën Ortodokse! Por, jo, thjesht iu bë një përmbledhje asaj që e kishin në kokë analizshkruesit!

Ka shumë arsye që mund të gërditet një studim ose, në këtë rast, Analiza, por t’i thuash një njeriu që ka njohje mbi Serbinë se “krahas Kishës Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, SANU, është institucioni më përgjegjës për konfliktet në Ballkan”, kur ai është strumbullari i të gjithë krimeve dhe si dje, ashtu dhe sot zgjedhë edhe kreun e Kishës, nuk është e pafalshme, por ia vë kapakun gjithë kësaj Analize, që ka mungesë edhe të njohjes minimale të historisë së Kosovës, pavarësisht se është hartuar nga akademikë kosovarë. Por, duhet pranuar, reagimi ishte i paparë dhe nuk i verbëroj dot shqiptarët me folklorizma si “Naçertanija” e Garashaninit, Memorandumi I vitit 1986, programi i “Serbisë së madhe”, “Të gjithë serbët kudo që janë” të Vuk Karaxhiqit dhe “Serbia homogjene” e ideologut të çetnikëve, Stevan Moljeviq…

Por, kjo padijeni vjen në shprehje edhe kur flitet për shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut, ku VMRO konsiderohet si parti proserbe ndërsa kisha e këtij shteti thuhet se nuk është pranuar nga ajo serbe, kur dihet se në majin e vitit 2022 Sinodi i Kishës Serbe e ka pranuar Kishën e Maqedonisë! Dhe, në vazhdim, ngatërrohet kur sqaron rolin e Maqedonisë së Veriut në Ballkanin e Hapur!

Për ta kuptuar se nuk kemi të bëjmë vetëm me padije dëshmon kapitulli “Shqipëri dhe Projekti Ballkani i Hapur”. Pse është kapërcyelli e gjithë periudha e Enver Hoxhës nga hartuesit e Analizës, mund të jetë e paqartë për pak çaste, por kur po në këtë analizë flitet për Marrëveshjen Zogu-Pashiq kur ajo nuk ekziston dhe kjo është konfirmuar me publikimin e dokumenteve ndryshe nga historia komuniste e Tiranës, “harrohet” marrëveshja Tito-Enver Hoxha e vitit 1946, që është në realitet “Ballkani i Hapur” i drejtuesve Vuçiq-Rama, kjo nuk u shërben shqiptarëve!

Nuk mund të thuhet se ishte ide e keqe trajtimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe bllokimi i njohjeve, por kur edhe vendimi i GJND citohet keq, çfarë t’i thuash kësaj Analize. Një Akademi Shkence e një shteti me gjithë ata juristë, as mbas 12 vjetësh nuk e di se kjo gjykatë nuk ka thënë se “deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur nga organet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ndonëse janë bërë dhjetëra konferenca shkencore ku thuhet qartë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk bie në kundërshtim me normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare: “…Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, si dhe Kornizën Kushtetuese. Për pasojë, miratimi i kësaj Deklarate nuk cenon asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

Dy momente që kjo Analizë i trajton dhe janë trishtim për Kosovën është momenti kur kuptohet se çfarë mendojnë akademikët për Gjykatën Speciale dhe dialogu Kosovë-Serbi.

“…asistenca jo e sinqertë e BE-së ka bërë që shumica e marrëveshjeve Kosovë-Serbi të dalin si koncesione që Kosova ia bën Serbisë, duke relativizuar sovranitetin dhe pavarësinë e saj”, thekson Analiza pa pasur guximin të flasë pse u pranuan këto marrëveshje ashtu si edhe ajo e Washingtonit.

Analizës nga akademikë me mendësi në robëri, normalisht, i mungojnë këto shkaqe dhe trajtimi i tyre, andaj vjen Gjykata Speciale, e cila u analizua sikur të ishte shkruar nga ana e një agronomi! Kjo është arsye pse sugjerohet të mos lexohet fare!

Përfundim

ASHAK nuk u jep rekomandime institucioneve të Kosovës, por Perëndimit, “që të formulojë një strategji më të qartë në raport me Serbinë, me synimet e saj destabilizuese dhe për aleancat e saj me Rusinë dhe Kinën”, duke rën në fund në kundërshtim me atë që është thënë më sipër:

“një perspektivë më e qartë e Kosovës drejt NATO-s, si strukturë themelore e sigurisë edhe në Ballkanit Perëndimor, do ta zmbrapste Serbinë nga synimet e saj të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të reflektonte pozitivisht në stabilitetin politik të mbarë rajonit.”, thotë në fund Analiza, por harron se pse kjo situatë është në Mal të Zi dhe se me anëtarësimin e këtij shtetit Serbia përsëri nuk u zmbraps.

Në fund fare, një zhvillim me ish ambasadorin e OSBE në Kosovë, William Walker, tregoi se pse ASHAK-u “ha bukë kot”

“Vuçiqi ishte në zinxhirin komandues të Qeverisë së Millosheviqit, kur do të kenë një Gjykatë Speciale për ta.”, tha ambasadori Walker, i mllefosur nga këmbëngulja e bashkësisë ndërkombëtare që të ketë një prokuror special në Hagë për të shqyrtuar krimet e luftës të kryera nga UÇK-ja, kur shumica dërrmuese e krimeve të luftës që janë kryer këtu janë kryer nga trupat serbe, policia serbe, ushtria serbe dhe njësitë speciale serbe.

Shqiptarët dhe jo vetëm duhet ta dinë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, pavarësisht se Gjykata Speciale nuk duhet të ekzistonte dhe për këtë ASHAK-u nuk duhet të heshtë!

Aleksandar Vuçiqi duhet të dënohet si kriminel lufte për krimet në Kosovë, ku ëdhe mori pjesë, por jo si pjesë e zinxhirit komandues, sepse nuk ishte i tillë, edhe pse ishte ministër i Informacionit të Millosheviqit. Edhe për këtë situatë ekzistojnë ligjet ndërkombëtare dhe doktrina e përgjegjësisë komanduese është përcaktuar me Konventën IV dhe X të Hagës nga viti 1907, është kodifikuar në vitin 1977 me Protokollin I të Konventës së Gjenevës, ndërsa në rastin e Ish Jugosllavisë u përdor referimi i ligjit vendor, meqë ka të bëjë me rastin “de jure” se kush e ka përgjegjësinë komanduese dhe jo mllefi ose dëshira jonë.

Kush kishte mundësi të ndikojë nga 15 ministrat radikalë në qeveri në vendimet e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë?! Sërish nuk është Vuçiqi, kur dihet se – përveç Sheshelit – për Kosovën në atë kohë ndikim kishte edhe Rada Trajkoviqi, që ishte ministre e Kujdesit Familjar, ndërsa sot është këshilltare e ministrit për Komunitete në qeverinë e Albin Kurtit!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X