loader image
September 8, 2025

Koha e Zogut

Propaganda e komunizmit me “kohën e Zogut” kishte disa tema qendrore, ajo e demaskimit të një regjimi antipopullor, që kishte shitur interesat e vendit te orekset imperiale të italianëve dhe që rezultoi në pushtimin e vendit prej tyre. Më parë ky regjim kishte kryer një krim tjetër ndaj interesave të vendit, i kishte shitur pjesë të territorit Jugosllavisë, në këmbim të mbështetjes politike dhe ushtarake që risolli Ahmet Zogun në pushtet. Gjithashtu qarkullonte një akuzë tjetër, vjedhja e floririt gjatë arratisjes së mbretit në prag të pushtimit italian, një dëshmi e drejtpërdrejtë e moralit të qeverisjes së tij. Kjo lloj propagande ishte efikase në masat e gjera të popullsisë.

Elton HATIBI, Tiranë

Thuhet se “historinë e shkruan fituesi”, që nënkupton se, në një përplasje mes dy palëve, ai që fiton, skicon dhe përshkrimin e këtij konflikti, duke glorifikuar veten dhe duke përqeshur humbësin. Dhe, nuk mjafton me kaq. Sa më gjatë mban në krye dafinat e triumfatorit, aq më shume i shton merita fitores së tij. Gjithashtu, më shpesh u rikthehet stërhollimeve dhe etiketimeve negative për kundërshtarin e tij të mundur. Sa më pranë ditëve tona këto histori më fitore dhe të mundur, aq më të plotë e kemi tablonë e kësaj “historie”, me të gjithë përmasën e saj dhe aktorët e mirë dhe të këqij. Shembulli i totalitarizmit shqiptar është rasti tipik për të parë elementët e ndryshëm të rrëfenjës ideologjike të triumfit të së mirës ndaj të keqes. Dhe këta lloj “fitimtarësh” dinë që ç’ke me të të shkruajnë histori, pamundësojnë edhe sythat më të parëndësishëm të narrativave të tjera rivale. Por, kur teprohet me historinë tënde të suksesit, në lojë hyn humori.

Ka qarkulluar në kohën e diktaturës komuniste një anekdotë shumë interesante, thelbi i së cilës ridikulizonte propagandën zyrtare që kishte monopolin e “së vërtetës” në territorin e republikës. Për parantezë, për të dëshmuar transformimin social ekonomik të vendit, propaganda zyrtare e regjimit, ndryshimet e vazhdueshme i krahasonte me atë të regjimit paraardhës, atë të monarkisë, që në zhargonin e kohës quhej “koha e Zogut”. Megjithëse regjimi komunist zgjati disa dhjetëvjeçarë, masa e krahasimit nuk ndryshoi asnjëherë, si kur regjimi ishte në vitet e para të instalimit të tij në vend, gjithashtu dhe në vitet ’80, pothuajse pesëdhjetë vite më pas. Edhe pse para Luftë së Dytë Botërore risitë teknologjike kryenin kapërcime të shpejta, duke zëvendësuar procese dhe pajisje të ndryshme në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme, regjimi e përsëriste pa ngurrim se filan shërbimi ose produkti ishte disafish më efikas ose më i lartë në sasi dhe cilësi sesa në vitet e monarkisë, kohë kur mbase ato nuk ekzistonin.

Duke udhëtuar me tren nga brendësia e vendit drejt kryeqytetit, një polic i tregonte bashkëshortes së tij veprat e ndryshme infrastrukturore dhe industriale që kishte ndërtuar Partia e Punës në vendin tonë. I verbuar nga shkëlqimi butaforik i elementëve të prekshëm të propagandës, polici i ri po i tregonte gjithçka me zell të shoqes së tij, që nuk kishte lëvizur kurrë nga fshati i lindjes. Që në nisje, vetë treni me hekurudhën e mistershme ishte një shembull konkret i një vepre të bërë nga “Partia”. Në secilën etapë të udhëtimit refreni ishte i ngjashëm; “këtë vepër e ka bërë Partia”. Pasi kaluan qytetin e Elbasanit, në të majtë të hekurudhës, befas kundrohet në një shtrirje të gjerë Kombinati Metalurgjik, me ato oxhaqet e çuditshëm e të stërmëdhenj, një vepër e rëndësishme e transformimit industrial socialist në Shqipëri. Edhe këtu i njëjti togfjalësh: “Këtë kombinat që shkrin hekurin dhe çelikun e ka bërë Partia”. Pas kësaj litanie përsëritëse, kur mbërritën në caqet perëndimore të vendit, në horizont u shfaq mahnitshëm masa e kaltërt e paanë e Adriatikut. Në këtë zbrazje dehëse të pavullnetshme ezofagale, të një fshatarke të papërgatitur në përballjen me madhështinë e natyrës, nga fyti i saj i njomë doli pavetëdijshëm ushqimi i mëkuar dhe i gëlltitur gjatë tërë udhëtimit: “Edhe këtë, Partia e ka bërë”?! I zënë gafil, këtu polici i gjorë dorëzohet pranë njeriut të zemrës. Pasi mendohet pak sekonda, mërmërit me ngurrim: “ Jo, kjo ka qenë që në kohë të Zogut”.

Siç e thamë, më shumë se për “kohën e Zogut”, anekdota flet për kohën e komunizmit në momentet kulmore të tij. Aq bajate ishte propaganda e regjimit, saqë anekdota zgjuarsisht i thërriste mendjes së shëndoshë, për një reflektim serioz në përballje me përmasën hiperbolike dhe të pandalshme të kësaj propagande. Në një qasje më meditative, tutje momentit humoristik të rrëfimit, përballja me detin ka dhe një dimension mistik, gati si në librat e shenjtë, ku trillit epsharak të tiranëve, profetët ia kundërvënë shenjat e Zotit në univers, si një shuplakë shkundëse, në mënyrë që gjithkush të reflektojë e të kthjellohet në realitetin e vërtetë dhe mos të zhgërryhet në gënjeshtrat që mbajnë në ndasi dhe në presion njerëzit. Pa e ditur dhe pa e pasur qëllim në vetvete, përhapësi i kësaj anekdote pa të përmbushur këtë “profetësi” popullore. Hekurudha, komplekse industriale, rafineri, fabrika dhe punë të tjera të Partisë, degraduan dhe u shembën në vitet e pasdiktaturës, kryesisht për shkak të pamundësisë për t’u përshtatur si shërbime dhe industri në regjimin e ri ekonomik, që i përngjante në filozofi atij të vjetrit, regjimit të Zogut. Deti mbeti po aty, aty ku e kishte gjetur dhe ku e kishte lënë polici i gjorë i historisë tonë. Anekdota përmbante dhe një leksion ironie që pashmangshëm del në dukje kur u kundërvihesh gënjeshtrave të propagandës. Përderisa këto industri dhe infrastruktura i ka bërë Partia, rrjedhimisht ato që mbeten pa u nominuar si të Partisë, kanë mbërritur ose janë produkt i regjimit paraardhës, pra i “kohës së Zogut”. Këtu përparësi marrin elementët thelbësorë të natyrës, që secila gjeneratë i gjen të palëvizëshme dhe i shfrytëzon, pa nënvlerësuar krijimtarinë, risitë dhe gjeninë e njerëzve që ndërtojnë për të mirën publike, por që tekefundit janë të zëvendësueshme dhe të përkohshme.

Siç thamë, “deti” dëshmon një nga elementët natyrorë, të cilin aktiviteti njerëzor nuk mund ta ndryshojë thelbësisht, sado që zhvillimi dhe teknologjia sjellin variabla të shumta për të kryer vepra madhore dhe të ndërlikuara. Për ithtarët e komunizmit, “koha e Zogut”, në terma më abstraktë, “e shkuara”, është një kohë ku mbizotëron gjendja natyrore. Natyra është aty për t’u nënshtruar nga “të guximshmit” dhe jo për t’u magjepsur e trullosur me “mrekullinë” e saj. Në këtë këndvështrim ideologjik të dialektizmit materialist, sundimtarët e së shkuarës nuk ndërmarrin pothuajse asnjë nismë transformuese për t’i përmirësuar kushtet e nënshtetasve të tyre dhe, thjesht, në inercinë e përjetshme të dhunës, i shfrytëzojnë të mirat që i sjell natyra, nga puna dhe djersa e njerëzve të shtypur. Prandaj dhe “deti” ka qenë aty që nga nuk mbahet mend dhe nuk renditet në realizimet transformuese të Partisë. Nga “koha e Zogut” u trashëgua dhe “Këneta e Tërbufit”, gjeografikisht pranë vendndodhjes së hekurudhës dhe brigjeve të detit të anekdotës tonë, një toponimi që përmendej në propagandën shkollore që në klasat e ulëta e më tej. Por, ndryshe nga deti, që mbeti i pandryshuar, kjo kënetë ishte tharë pas lufte nga regjimi, për t’u shndërruar në një tokë buke dhe për të qëndruar e varur si gjerdan në gjoksin e propagandës komuniste. Edhe këneta të tjera, si ajo e famshmja e Maliqit, ishin tharë për të përfituar sipërfaqe të mbjella me drithëra, por “Këneta e Tërbufit” përmendej shpesh në procesin e mësimit, mbase nga emërtimi i veçantë që fonetikisht tërhiqte vëmendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve. Simbioza ngjet si e përkryer. “Këneta e Tërbufit” nga “koha e Zogut” thahet nga Partia. “Bufi” te Tërbufi, një lloj zogu, që përhumbet bashkë me “kohën e Zogut”, siç u thà këneta për të përfituar grurë. Përveç pushtimit të shkurtër italian dhe gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, “koha e Zogut” shënjestrohej pa mëshirë për të treguar të keqen, të kundërtën e regjimit komunist. Mund të kishte qenë dhe “koha e Ali pashë Tepelenës” apo “koha” e ndonjë sundimtari tjetër në histori, sepse për komunistët ato ishin regjime të njëjta në raport me “klasën e shtypur”, thjesht që i takonin fazave të ndryshme të marrëdhënieve të punës përgjatë historisë. “Kohës së Zogut” i takoi t’i rrëshqiste nga duart stafeta e orës historike, për ta rrëmbyer me forcë klasa punëtore e ndërgjegjësuar nga Partia Komuniste.

“Koha e Zogut” është në një kategori me “kohën e turkut”, “kohën e Babaqemos”, “kohën e qepës” (për të mos shkuar te ajo e gurit) e kohë të tjera, që përmblidhnin në thelb të shkuarën, harresën, përgjumjen, etj. E tashmja dhe, sidomos, e ardhmja, është “koha e Partisë”. Koha e ndryshimeve, e progresit, e së ardhmes së shndritshme. Megjithatë, një sy i hapur mirë duhet mbajtur te e kaluara, te “koha e Zogut”, në mënyrë që matrica nga kjo e kaluar të mos e kapërcejnë pragun në të tashme, për të minuar “të ardhmen” e ndërtuar me aq mund. Dhe, propaganda me të shkuarën, sidomos në arte dhe letërsi, përveç troshitjes retorike me filozofinë politike të marksizmit, ishte fragmenti kryesor i shikimit të syrit që vigjëlonte mbi të shkuarën. Nëse në rastin e tharjes së ujërave, si një nga mrekullitë heroike të Herkulit mitik, Partia kishte siguruar bukën për popullin, te romani “Dasma” i Kadaresë, “sektori N” ndërtohet mbi një fushë enigmatike, në “Fushën e Teqes”. Edhe në realizimin kinematografik të këtij romani nga regjisori Milkani, në trenin që penetron atdheun, flitet për ndryshimet revolucionare shoqërore, këto vepra të tjera madhore të Partisë. Mbase “koha e Zogut” nuk përmendet nominalisht, por subjekti i romanit nga fillimi në fund ka këtë tension mes të resë, që sheh nga e ardhmja, dhe “djajve” nga e shkuara, që tentojnë t’i minojnë arritjet e socializmit. Simbolikisht, “koha e Zogut” shëmbëllehet nga plaku i Kanunit, që nën efektet helmatisëse e të mistershme të kodit, niset të prishë me ndonjë krismë pushke dasmën “e pafe” të së bijës. Gjithashtu, “atë kohë” e gjejmë në toponiminë në zhdukje si: “Fusha e Teqes” ose “stacioni i Teqes”, që nuk po ngjitin si emërtime te klasa punëtore. Në atë që dikur emërtohej “Fusha e Teqes” po ndërtohet një fabrikë, një stacion dhe industri të tjera, për t’i hapur udhë ndërtimit të një “qyteti të ri” (ironikisht jo të një “city upon the hill” amerikan, me sfond fetar, përkundrazi të një qyteti në fushën e së vjetrës).

Propaganda e komunizmit me “kohën e Zogut” kishte disa tema qendrore, ajo e demaskimit të një regjimi antipopullor, që kishte shitur interesat e vendit te orekset imperiale të italianëve dhe që rezultoi në pushtimin e vendit prej tyre. Më parë ky regjim kishte kryer një krim tjetër ndaj interesave të vendit, i kishte shitur pjesë të territorit Jugosllavisë, në këmbim të mbështetjes politike dhe ushtarake që risolli Ahmet Zogun në pushtet. Gjithashtu qarkullonte një akuzë tjetër, vjedhja e floririt gjatë arratisjes së mbretit në prag të pushtimit italian, një dëshmi e drejtpërdrejtë e moralit të qeverisjes së tij. Kjo lloj propagande ishte efikase në masat e gjera të popullsisë, edhe sepse ky ishte versioni zyrtar i historisë, i pamundur për t’u sfiduar me fakte të tjera apo kontekstualizime ndihmëse. Për brezat e shqiptarëve të lindur në diktaturë, përveçse nga propaganda zyrtare e regjimit, e shkuara e afërt e monarkisë njihej e copëzuar nga memoria familjare dhe ky lloj informacioni varej nga eksperiencat personale, nga statusi social-ekonomik i familjeve dhe nga aftësia e përcjelljes së kësaj memorie. Megjithatë, në vitet ’80, që përkojnë me vitet e fundit të regjimit, memoria urbane për periudhën e monarkisë ishte bjerrë mjaftueshëm. Por, bashkë me këtë memorie ndaj së shkuarës ishin shterur dhe fuqitë e regjimit komunist për t’u mbajtur në këmbë. Për këtë brez të ri të shqiptarëve e vetmja lidhje me këtë periudhë ishte arkitektura dhe veprat publike që kishin mbijetuar. Nga “koha e Zogut” ishin trashëguar bulevardet qendrore të Tiranës, ata që sot quhen “Dëshmorët e Kombit” dhe “Zogu I”, si dhe kompleksi urbanistik i ndërtesave qeveritare në qendër të qytetit, të cilat i kanë dhënë që nga ajo kohë identitetin shtetëror kryeqytetit të vendit. Pa dashur të rendisim ndërtesa të tjera të rëndësishme, duhet përmendur ndërtesa e Bankës Kombëtare dhe ka një arsye pse ia vlen të  ndalemi te kjo vepër arkitekturore. Ndryshe nga kompleksi i ministrive aty pranë, edhe ato të projektuara nga arkitektë italianë, arkitektura e ndërtesës së Bankës Kombëtare është e një stili krejt të ndryshme. Këto dy tipologji të ndërtimtarisë urbane, si dhe të veprave të tjera më minore, që u mbijetuan transformimeve rrënjësore në komunizëm, mbajtën ndezur një komunikim me të kaluarën e panjohur dhe të eklipsuar nga propaganda. Stile të ndryshme ndërtimtarie dëshmonin në heshtje një kohë me dinamika të pasura sociale dhe kulturore, sigurisht, modeste për kontekstin e gjithanshëm. Sundimtarët e regjimit komunist, pavarësisht se mburreshin me vepra infrastrukturore dhe industriale të përhapura në të gjithë Shqipërinë, nuk iu ndanë asnjëherë rehatisë dhe simbolikës së autoritetit që us ofronin ndërtesat qeveritare të “kohës së Zogut”. Gjithashtu, lagja e “Tiranës së Re”, e emërtuar më pas si “Bllok”, dhe ajo e ashtuquajtur “e nënpunësve”, ndodhur pranë “Rrugës së Elbasanit”, të konceptuara me racionalitet në kuadrate të njëtrajtshme pronësore, u mbushën me udhëheqësit komunistë, një dhuratë e pushtetit të pamerituar, pikërisht si stafetë e “kohës së Zogut”.

Mes propagandës që mitralonte të shkuarën, kryesisht periudhën e monarkisë, me përqeshjen dhe karikaturizimin e elementëve simbolikë të asaj kohe, dhe të një memorie të paplotë dhe gjithnjë në fashitje mbi këtë periudhë të historisë së vendit, shqiptarët qëndronin në mes duke e kthyer kokën, sipas rastit, në të dyja anët. Ende sot, publiku shqiptar thith sasi të mira të propagandës në ekranet televizive, që riciklojnë kinematografinë ideologjike të komunizmit, ku si subjekt është shpesh periudha e monarkisë. Shpërfillës ndaj së shkuarës së tyre në komunizëm, shqiptarët ende nuk e njohin historinë e paraardhësve të tyre që jetuan mes dy luftërave, në “kohën e Zogut”. Një lloj amnezie i shoqëron shqiptarët në raport me të shkuarën e tyre: ose e duan të ndritshme, si ajo që u propagandonte komunizmi, ose të zezë sterrë, siç ende etiketohet, bie fjala, e shkuara osmane e Shqipërisë. “Koha e Zogut” është aty e palëvizshme, e pazbuluar ende, në pritje që fshatarët tanë të zbresin nga treni që rend me ritmin e çartur të ideologjisë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X