loader image
September 18, 2024

Kafe e morte

I riu, me një vendosmëri të akullt pohoi se me xhezve përgatiste “kafe shqiptare”. U kuptua që kjo këmbëngulje ishte përtej një korrigjimi formal. Kjo tendosje e panatyrshme ndaj aspekteve të mirënjohura të kulturës na rikujtoi anekdotat e ndryshme, të largëta për ne, të rrëfyera si përvoja jetësore nga emigrantët shqiptarë në Greqi në debate me vendasit, mes kërkesës se tyre për “kafe turke” dhe vendosmërisë greke se ky produkt quhej “kafe greke”.

Elton HATIBI, Tiranë

Vite më parë, në shoqërinë e disa miqve, ndërmorëm një udhëtim drejt Alpeve në veri të vendit. Pas një ngjitjeje të fortë në shtegun e mirënjohur që lidh Thethin me Luginën e Valbonës, diku në mes të rrugës u ndalëm për t’u çlodhur në një lokal të improvizuar buzë një kroi. Muzika me volum të lartë krijoi iluzionin se aty, lart në bjeshkë, rryma elektrike do të na mundësonte të shijonim një kafe ekspres, aq të dëshiruar pas mundimit fizik në ato peizazhe mahnitëse. Por, energjia elektrike, aq sa për të ftuar myshterinjtë përmes tingujve buçitës, mundësohej nga një panel modest diellor, vetëm për aparatin e vogël radiofonik. Atëherë i kërkuam kafexhiut zonal nga një “kafe turke”, mbase dhe ndonjë copë flì tradicionale. Çuditërisht, djali ri, që shërbente në këtë lokal, na “korrigjoi” duke përsëritur pas nesh që shërben “kafe shqiptare”. Për pak sekonda u hutuam, duke parë njëri-tjetrin në sy dhe spontanisht e pyetëm nëse e bën me “xhezve” atë që njihet botërisht si “kafe turke”. I riu, me një vendosmëri të akullt pohoi se me xhezve përgatiste “kafe shqiptare”. U kuptua që kjo këmbëngulje ishte përtej një korrigjimi formal. Kjo tendosje e panatyrshme ndaj aspekteve të mirënjohura të kulturës na rikujtoi anekdotat e ndryshme, të largëta për ne, të rrëfyera si përvoja jetësore nga emigrantët shqiptarë në Greqi në debate me vendasit, mes kërkesës se tyre për “kafe turke” dhe vendosmërisë greke se ky produkt quhej “kafe greke”. Kjo kontroversia për të zëvendësuar fjalët turke (turqizmat), ose dhe drejtpërdrejt mbiemrin “turk”, si te rasti i kafesë, por jo fjala bie, i tualetit, i përngjet zëvendësimi të “French fries” me “American fries” në kulmin e mosmarrëveshjes mes aleatëve perëndimorë gjatë pushtimit amerikan të Irakut. Mbase referimi si “turke” i ndonjë sendi apo procesi, shumëkujt i mbivendoset si analogji me nostalgjinë në qasjen ideologjike të emërtimeve komerciale të tipit: “qofte si në kohën e xhaxhit”, por nuk është ashtu.

Në fëmijërinë time kujtoj që kafja me xhezve, pra “kafeja alla turke”, që piqej me qebap në mangall apo në furnellat e vajgurit, ishte e vetmja lloj kafeje që pihej në rrethin familjar. Duke qenë një produkt i racionuar, ftesa për një kafe dhe rituali i pjekjes deri te shijimi i saj, ekskluzivisht mes grave, ishte një ngjarje e veçantë që na përfshinte si të vegjël. Përveç aromës së papërsëritshme të pjekjes dhe ndonjë kokrre që thyhej drejt bluarjes me dhëmbë, një kënaqësi më vete ishe pirja fshehtas e llumit të ëmbëltuar, të mbetur në fundin e filxhanit të kafesë, pasi mysafirët ishin ngritur nga karriget. Përtej këtyre momenteve rutinore që ndodhnin jo dhe aq shpesh, kultura e kafesë, me rrufitjen e hidhur të lëngut të zi, mbërthente dhe ritin e vdekjes. Çdo shtëpi që prekte shijen e vdekjes të ndonjë pjesëtari të familjes, përveç përgatitjeve të rëndësishme dhe të ceremonialit, dert të madh kishte dhe sigurimin e sasisë së nevojshme të kafesë. Aroma e pjekjes së kafes shkartisej në ajër me ndjesinë e vdekjes, për të krijuar një atmosferë unike që zbret drejt të pranishmëve në ditët e mortit solidaritet dhe ngushëllim shpirtëror. Ishte e paimagjinueshme një ndodhi morti pa kafenë e hidhur, që ndihmonin vizitat e njerëzve me bisedat e tyre të ndryshme. Sot, e sofistikuar si teknikë përpunimi dhe e qesëndisur në ambalazhime të lloj-llojshme, kafeja përfundon në duart e vizitorëve të ceremonive mortore në kupa kartoni me disa kunja plastikë që mundësojnë, duke u rrotulluar në kupë, shkrirjen e sheqerit. Përherë e më tepër këto lloj kafeshë, të shpejta “alla italiane”, serviren në disa dhoma sterile dhe të mirëmbajtura të shtëpive funerare. Bashkë me pjekjen e kafesë dhe konsumimin e saj në një përshfaqje të socializimit shpirtëror, kultura e re urbane tenton përherë e më tepër ta përzërë përfundimisht edhe vdekjen nga ambientet familjare.

Poshtë në Theth, disa muaj përpara vizitës tonë turistike dhe të ndodhisë me “kafenë e famshme dhe unike shqiptare”, u varros një personalitet i kulturës shqiptare, i ndjeri Robert Elsie. I pranishëm prej dekadash në gjirin e letrave dhe të historisë tonë, Elsie ishte ndër të paktët studiues që,  pa theksin te ngarkesat e larmishme identitare të shqiptarëve, u mor gjerësisht me aspektet e ndryshme të letërsisë, historisë dhe të religjioneve shqiptare. Është e tepërt të përmendim shumësinë e interesave të tij kulturore; prodhimtaria e tij në hulumtimin dhe promovimin e kulturës shqiptare është tejet e admirueshme. Në një artikull të shkurtër, përgatitur pak para vdekjes, të shoqëruar me disa foto impresionuese, Elsie komenton për arkitekturën funerare shqiptare. Më specifikisht, ai përmend dhe interpreton gurët e varreve në varrezat katolike të fshatit Vuksanlekaj në Malin e Zi. Stelat e gurëve janë solide dhe në brendinë e tyre kanë të gdhendura imazhe dhe simbolika të shumta. Shpesh gdhendjet tregojnë imazhe njerëzore, kryqe, armë, flamuj, forma gjeometrike, diellin, hënën, gjarpërinj etj. I frymëzuar pikërisht nga kjo larmi shenjash, të cilën, në disa aspekte, lirisht mund ta dëshmosh edhe në varreza myslimane, së bashku me amanetin për t’u varrosur në truallin shqiptar, Elsie caktoi edhe për gurin e tij të varrit simbole të ngjashme. Ardhur nga një kulturë anglosaksone dhe brumosur me dijet dhe ndjesitë ballkanike të shqiptarëve, në gurin e varrit të Robert Elsie do të gjendeshin, së bashku, një kryq i krishterë, një yll gjashtëkëndor, i njohur si “Ylli i Davidit”, një gjysmëhënë me yll dhe simboli i paqes. Gjysmëhënën me yll që identifikon simbolin e Islamit, dora e dikujt e ka ciflosur në zhdukje, duke dhunuar shenjtërinë e varrit dhe amanetin e studiuesit. Verbëria që buron nga fanatizmi, pa si të tepërt një simbol krejt të rëndomtë identitar, për ta shkulur vrazhdë përgjithmonë. Si për ironi, kohë më parë, vetë Elsie pati përmendur ashpërsinë e shqiptarëve si motiv për të mos qëndruar gjatë në Shqipëri, kur u pyet nëse dëshironte ndonjëherë që të vinte dhe të ngulej këtu mes nesh. Lajmi i këtij dhunimi varri u bë i ditur në mënyrë të heshtur përmes imazheve, kur një gazetare e njohur vizitoi varrin e tij këtë verë. Çuditërisht, edhe pse e shihte që kjo pjesë e gurit të varrit ishte shkatërruar, në reportazhin e saj, gazetarja përmendi të gjitha këto simbole dhe domethëniet e tyre. Me fjalët e saj: “Deri në fund Robert Elsie tregoi se sa të mirë jemi ne shqiptarët. Ai vazhdon të flasë mirë për shqiptarët edhe nga varri, përmes simboleve që ka vendosur mbi të. Është simboli i hebrenjve, për hebrenjtë që shpëtuan shqiptarët, i kryqit, i gjysmëhënës dhe i paqes për të treguar që neve në Shqipëri jetojmë në paqe, pavarësisht nëse predikojmë fenë myslimane, apo atë të krishtere”. Mbase në mënyrë të pavullnetshme gazetarja i referohej informacionit të udhërrëfyesit të saj lokal, për gjendjen e mëhershme të gurit të varrit; mbase edhe më parë ka qenë pranë këtij varri dhe i kujtohen mirë simbolikat aty. Sidoqoftë, asnjë fjalë për kryelajmin e vërtetë të vizitës së saj, për dhunimin evident me sfond antimysliman të varrit të një personaliteti madhor të kulturës sonë.

Pas shumë dekadash prehjeje në truallin amerikan, më në fund, në vitin 2018, eshtrat e patriotit Mit’hat Frashëri u rikthyen në atdhe. Kontroversia nuk shpëtoi që të shoqëronte këtë ndodhi, duke ditur kundërshtitë e pafashitura që shoqërojnë personazhin e tij. Ishte frustruese për mbështetësit e majtë të kryeministrit Rama, pinjollët e atyre që ngadhënjyen përgjakshëm mbi mbështetësit e Mit’hat beut, të dëgjonin fjalimin e tij plot admirim për “ish-kriminelin e luftës”. Kjo kontroversi sikur zbehu diçka tjetër që është edhe më simbolike në rrafshin identitar. Mit’hat Frashëri ishte trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Frashërllinjve në shumë dimensione. Në aktivitetin e tij politik dhe kulturor, ai shëmbëllente shumëçka nga veprimtaria dhe karakteri i familjarëve të tij të ndjerë. Bashkëthemelues i alfabetit modern në Manastir, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, lëvrues i albanologjisë në revistën “Diturija”, ambasador, krijues letrar i njohur me pseudonimit Lumo Skëndo, bibliofil, etj., kulmin e karrierës së tij do ta kishte në kryesimin e organizatë nacionaliste “Balli Kombëtar”. I risjellim këto informacione për këtë personazh të pazakontë, për të ritheksuar se Mit’hat Frashëri, si shumë bashkëkohës të tjerë të tij, ishte një nga formësuesit e shqiptarisë, ashtu siç shprehej ajo në jetën publike, larg identifikimit me ndasitë krahinore dhe sidomos me ato fetare. Megjithatë, rehabilitimi i tij publik nga shteti shqiptar do të kalojë përmes konsakrimit të panevojshëm identitar me konotacion të fortë të krishterë. Kur u varros herën e parë, tradita dhe amaneti e kërkuan që ceremonia t’i bëhej sipas përkatësisë së tij fetare dhe është fakt i mirënjohur që Imam Vehbi Ismaili me mikun e tij, Telat Karagjozi, e organizuan gjithë ritualin fetar dhe ceremonialin e lamtumirës. Kësaj radhe shteti shqiptar ndoqi edhe një herë rrugën që ndoqi për zhbektashizimin e varrit të xhaxhait të tij, duke i zhvendosur eshtrat nga kodrat e Kryegjyshatës drejt dy destinacioneve të tjera: njëherë tek lulishtja bri godinës së kryeministrisë dhe herën e dytë aty ku ndodhen edhe tani, në kodrat e Parkut të Tiranës. Përpara se ta sillnin nga Shtetet e Bashkuara në atdhe dhe ta rivendosnin pranë xhaxhait dhe babait të tij, me fjalët e ambasadores Faber, për ceremoninë e Mit’hat Frashërit: “… u përpoqëm me të gjitha burimet që kishim, të gjenim një vend të përshtatshëm, dinjitoz dhe kuptimplotë ku të zhvillohej ceremonia zyrtare dhe homazhet, pasi vizituam dhe varrezat ku prehej i qetë Mid’hati. Shumë shpejt e kuptuam që fare pranë varrezave ndodhet qendra “Nënë Tereza”, pjesë e kishës shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, një kishë ku prej 25 vitesh flitet dhe predikohet shqip, një “copë tokë”, ku shkelin pothuajse vetëm shqiptarë, ku respektohen të gjitha zakonet dhe fetë shqiptare. Mid’hat Frashëri në amanetin e tij kishte theksuar se donte të prehej pranë një institucioni, burim i dijes. Jam besimplotë që ky institucion shqiptar, ngjitur me varrezat në Ferncliff, por ndërtuar shumë dekada pasi ndërroi jetë Mid’hati, është bërë edhe për t’i shërbyer kësaj dite. Pasi diskutuam në detaje të gjithë elementët, të gjitha palët e interesuara u dakordësuan që ceremonia përkujtimore zyrtare të zhvillohet në qendrën “Nënë Tereza”. Kjo ceremoni është kuruar në detaje dhe është ideuar në mënyrë të tillë që të lejojë pa asnjë kufizim pjesëmarrjen e të gjithë komunitetit shqiptar. Ceremonia do ketë si pjesë të saj homazhet, ndjekjen e një filmi mbi jetën e Mid’hat Frashërit, përshëndetjet e familjarëve, zyrtarëve dhe drejtuesve të komuniteteve fetare dhe një përcjellje dinjitoze drejt vendit që ai aq shumë e deshi dhe i kushtoi jetën e tij.”  Distanca kohore nga varrimi i tij i parë nga miqtë, në këtë rivarrim shtetëror, tregon mjaftueshëm për trashëgiminë e deformuar që mundohemi ta identifikojmë me etërit e themelimit të shqiptarisë.

Edhe varrimi së fundmi i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare nuk kaloi pa kontroversi, por kësaj radhe të karakterit bulevardesk. Kryeministri nuk la rastin pa qesëndisur gjithë ata personalitete që i sugjeruan ku të varrosej shkrimtari. Megjithatë, pakkush u mor me ikonografinë skenike të sallës ku u zhvillua ceremoniali mortor. Nuk ishte e rëndësishme nëse klerikët nderuan apo jo ceremoninë mortore të Kadaresë. Imazhi i mbulesës së kokës së Nënë Terezës ishte simbolika gati fetare e kësaj përcjelljeje. Sipas kryeministrit Rama, gjithçka ishte rastësore: “Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore, ishte këtu, kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do i shkonte mendja, çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj shqiptares që i takon botës, assesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës”. Është e vështirë të imagjinosh se çfarë ka pasur autori ndërmend kur ka lënë të zbrazët vendin e fytyrës në këtë skenografi me shami, por diçka në këtë rast përkon mjaftueshëm. Dukshëm tabuti i të ndjerit mbushte këtë zbrazëti në pikëtakim me kryqin e krishterë. Një përpjekje e sforcuar sekulare për një Shën Kadare. Megjithatë, askush nuk mori mundimin që të hiqte merakun publik, duke e ndarë edhe me ne informacionin mbi shfaqjen e radhës që kishte si skenografi një mbulesë të Nënë Terezës, të gatshme për t’iu veshur çdo portreti.

Në filmin “Përse bie kjo daulle”, të regjisorit Piro Milkani, bazuar në romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë, mes personazhesh, kemi dhe një karakter të vrazhdë, një të moshuar, të cilin diçka e bren për mënyrën e tij të jetesës dhe gjithë kodin kulturor që e rrethon. Në kulmin dramatik të ngjarjes, plaku, i fyer për së dyti në nder, sipas normave të Kanunit, niset të vrasë vajzën e tij, që po martohet me një të ri që e ka njohur në aksionet revolucionare të rindërtimit të vendit. Vajza ka thyer kodin moral të traditës, duke nëpërkëmbur vullnetin atëror që e ka fejuar me dikë tjetër në mituri, sipas zakonit. Gjatë rrugës nga fshati i zymtë malor drejt kantierit vezëllitës të socializmit, plakut i kujtohet poshtërimi i parë, kur ditën e dasmës i vranë vëllanë dhe kështu u përfshi në vorbullën gëlltitëse të gjakmarrjes. Mes dilemave dhe pamundësisë për t’u hakmarrë, plaku, atëherë shumë më i ri, shkon dhe konsultohet më priftin e krahinës. Prifti, një personazh enigmatik, që autoritetin, dhe mbi të gjitha, çfarë i shërben produksionit, “ligësinë” e tij e maskonte më së miri mes librave dhe ambientit të tij liturgjik, e pret në audiencë malësorin dhe nis një bashkëbisedim rutinor me të. Megjithatë, përmes një gjesti simbolik të servirjes së kafesë, prifti i rrëfen bashkëbiseduesit që kodi zakonor është më sipëror se sentimentalizmat dhe parehatitë shpirtërore. Sipas skenarit, prifti shfaqet thjesht si një mirëmbajtës politik i kodeve të dhunës patriarkale dhe konflikteve klanore që garantojnë vijimësinë e botës së vjetër. Kështu, malësorit, kafeja iu servir nga hyzmeqari i priftit nën gjurin e ngritur të këmbës, një simbolikë fyese për ata që nuk kanë vënë në vend nderin e tyre. Edhe një herë, kafeja e terjaqillëkut dhe e muhabetit, përmes një ikone propagandistike të realizmit socialist, shndërrohet nga “turke” në “shqiptare”, për të përçuar simbolika poshtëruese me aromë vdekjeje, për atë që nuk i bindet ligjit të dhunës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X