loader image
March 28, 2026

Historianët për Jasharajt

Në historiografinë shqiptare, familja Jasharaj konsiderohet themel i sakrificës për liri, ndërsa në literaturën ndërkombëtare trajtohet si ngjarje kyçe në dinamikën e konfliktit të Kosovës.

Shkëlzen HALIMI, Shkup

Familja Jasharaj nga Prekazi i Drenicës zë një vend qendror në historiografinë shqiptare për rolin e saj në rezistencën e armatosur gjatë viteve 1990-të në Kosovë. Shumica e historianëve shqiptarë e përshkruajnë Adem Jasharin dhe familjen e tij si simbol të qëndresës kundër forcave serbe. Rënia e 58 anëtarëve të familjes në mars 1998 konsiderohet si moment kthese që e mobilizoi mbështetjen masive për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarjet e 5-7 marsit 1998 në Prekaz trajtohen si pikënisje e fazës së hapur të luftës në Kosovë (1998-1999). Historianët e studimeve të kujtesës e analizojnë mënyrën se si figura e Adem Jasharit është institucionalizuar në Kosovë – përmes memorialeve, përkujtimoreve dhe diskursit zyrtar shtetëror – si pjesë e ndërtimit të identitetit kombëtar pas luftës.

Sipas shumë studiuesve ndërkombëtarë, sulmi ndaj familjes Jashari ndikoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe rriti vëmendjen e mediave botërore. Historiani i njohur, Noel Malcolm, e përshkruan sulmin ndaj familjes Jashari si një moment që “transformoi perceptimin e UÇK-së në sytë e shumë shqiptarëve të Kosovës”, duke theksuar se vrasja e shumicës së familjes ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e mbështetjes popullore për kryengritjen e armatosur. Ai argumenton se operacioni serb në Prekaz pati efekt të kundërt nga ai i synuar, duke shërbyer si katalizator për mobilizim më të gjerë.

Nga ana tjetër, njohësi i mirë i çështjes shqiptare, Tim Judah, vlerëson se ngjarja e Prekazit u bë “mit themelues” i luftës së Kosovës. Sipas tij, vdekja e Adem Jasharit dhe familjes së tij krijoi një simbolikë të fuqishme martirizimi që e shndërroi UÇK-në nga një grup relativisht i vogël gueril në një lëvizje me mbështetje të gjerë.

Miranda Vickers e përshkruan operacionin në Drenicë si një përdorim disproporcional të forcës nga autoritetet serbe, duke theksuar se vrasja e shumë anëtarëve të së njëjtës familje pati jehonë të madhe ndërkombëtare dhe ndikoi në radikalizimin e situatës në terren.

Mark Weller, ekspert britanik dhe një nga kontribuuesit e pavarësisë së Kosovës, episodin e Prekazit e konsideron si pjesë të përshkallëzimit që çoi në përfshirjen ndërkombëtare dhe, më pas, në ndërhyrjen e NATO-së në vitin 1999. Ai e sheh ngjarjen si një moment që e forcoi argumentin për krizë humanitare në Kosovë.

Në historiografinë shqiptare, familja Jasharaj konsiderohet themel i sakrificës për liri, ndërsa në literaturën ndërkombëtare trajtohet si ngjarje kyçe në dinamikën e konfliktit të Kosovës.

Historiani i njohur shqiptar, Marenglen Verli, do të shkruajë se Prekazi, kjo vatër patriotike, që s’iu shua kurrë zjarri, nuk e kishte rrufe në qiell të kthjellët, të bënte sërish akte të mëdha, akte të pashembullt heroizmi, të luftonte, jo thjesht të guxonte të shkrepte një pushkë për hakmarrje, por të luftonte fort e me besimin se edhe në Europën e fund-shekullit të XX, mund të bëhet luftë çlirimtare kur ke zemër, kur ke të drejtë, kur je i gatshëm të sakrifikosh, kur je në gjendje të dëshmosh përpara botës të drejtën tënde dhe ta nxjerrësh para saj pa maskë pushtet-mbajtësin e huaj terrorist. Adem Jashari, gjithë familja Jashari, kontribuuan në ekstrem për këtë, për të forcuar besimin dhe bashkimin mbarëkombëtar, për t’i dhënë mundësinë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngrinte në këmbë një armatë të zgjedhur çlirimtarësh, që qenë të aftë të bindin botën për drejtësinë e luftës së tyre dhe të aftë të siguronin aleancën e faktorit ndërkombëtar, duke realizuar aspiratën shekullore mbarëpopullore, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të synuar më tej caqe të reja, së pari demokratizimin dhe integrimin e saj në familjen europiane me të drejta të plota, si edhe hap pas hapi, prosperitetin e duhur për një popull që e meriton një të ardhme të lumtur.

Jakup Krasniqi, një figurë e shquar e UÇK-së gjatë luftës dhe më pas politikan me kontribut të madh deri në shpalljen e pavarësisë, vlerëson se në Prekazin e Poshtëm, Jasharajt legjendarë luftuan kundër një shteti që kishte angazhuar forca të shumta ushtarake e policore, i cili shtet përdori ato ditë tërë arsenalin ushtarak. Veç avionëve ushtarakë, në atë luftë armiku përdori tanket dhe gjithë artilerinë e rëndë të të gjitha llojeve. Nuk besoj që një luftë e përmasave të tilla të jetë zhvilluar në ndonjë vend tjetër të botës, në mes të shtetit dhe një familjeje dhe ajo luftë të ketë zgjatur tre ditë. Kjo luftë duhet të futet si rasti më i veçantë, si rast unik i luftërave, që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e e luftërave çlirimtare në botë.

Historiani Beqir Meta do të shënojë se në mars të vitit 1998 forcat serbe e sulmuan Zonën e lirë të Drenicës dhe ekzekutuan Familjen Jashari në Prekaz, ku shumica ishin gra dhe fëmijë. Pas këtyre ngjarjeve, lëvizja e UÇK-së vazhdoi kryengritjen e armatosur me një përkrahje të gjerë popullore. Adem Jashari u shndërrua në simbolin e saj. Ndodhi ajo çfarë ishte përsëritur në historinë e Kosovës: dështimi i një lëvizjeje të moderuar për të arritur qëllimet politike dhe zëvendësimi i saj me krahun dhe konceptin e luftës së armatosur. Kjo lëvizje fitoi shpejt vëmendjen ndërkombëtare dhe u bë vendimtare në proceset politike. Ajo vendosi komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare dhe angazhohej për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ishte një përsëritje e asaj çfarë kishte ndodhur shpeshherë gjatë historisë në botë. Ndryshimi i madh ndodh vetëm nëpërmjet dhunës si mjet politik dhe luftës çlirimtare. Vetëm forca mund të përmbysë sisteme të padrejta dhe të largojë regjime shtypëse. Angazhimi i vendosur i Adem Jasharit, drejtësia e sakrificës së tij sublime dhe familjes së tij, do të vërtetoheshin plotësisht në qershor 1999. Drejtësinë e luftës sublime të tij dhe të UÇK-së do ta shprehte shumë bukur dhe saktë William Walker: “Serbët mund të luftojnë me UÇK-në, por kurrë nuk mund ta shkatërrojnë atë. Nuk mund të luftosh luftën aty ku je i rrethuar me 90 për qind të popullsisë që përkrah UÇK-në. Jam i sigurt se këtë e di edhe vetë Millosheviqi, siç e dinë edhe ekspertët ushtarak serbë, por edhe ata të vendeve të tjera”.

Nga ana tjetër, Sabile Keçmezi Basha, historiane, konsideron se studimi i qëndresës së grave të Familjes Jashari përveç që është emocion dhe krenari, për studiuesit paraqet një fenomen historik, i cili duhet të prezantohet me gjithë dimensionin e vet shkencor. Nga studiuesit kërkohet që ta qartësojmë sa më shumë kornizën e identifikimit të qëndresës së grave të Familjes Jashari dhe pastaj, duke e pasur të njohur dhe të zbërthyer brendësinë e saj, që domethënë formën themelore të saj, të krijohet mundësi reale që të thellohemi detajisht në substancë: pa dyshim, nga pikëpamja më e thelluar studimore-shkencore. Ekuivalent me qëllimin (objektivin), mund të konstatojmë se ngjarja e Prekazit, është një nga ngjarjet epokale të luftës çlirimtare, e cila si rrallë ndonjë tjetër, e shpalos idealin e lirisë. Kjo ngjarje, po ashtu, e shpalos vetëdijen dhe shpirtin sakrifikues kundrejt ruajtjes së identitetit, të kulturës, të racës, me një fjalë e shpalos gamën e ruajtjes dhe të zhvillimit të identitetit tonë kombëtar. Ngjarja e Prekazit, po ashtu, si rrallë në historinë tonë, e shpalos tipologjinë e shqiptarit atdhetar, e shpalos modelin funksional të familjes shqiptare, e cila pati gjithmonë një rol vendimtar në ruajtjen e substancës kombëtare kundrejt padrejtësive politike, historike, kundrejt okupimit, asimilimit dhe zhdukjes fizike të tij.

Sabit Syla, një nga historianët që vëmendje të veçantë i ka kushtuar luftës heroike të UÇK-së, shprehet se në histori ka edhe ngjarje të rastësishme, por kjo nuk ishte rastësi. Historia nuk njeh një rast të tillë të një familjeje, të përbëra nga breza luftëtarësh të devotshëm për çështjen kombëtare. Kjo, natyrisht, është rezultat i përkushtimit total të familjes, për një qëllim të madh, që fund e krye ka pasur synim lirinë e popullit të vet. Familjet e tilla nderojnë secilin komb, por jo të gjitha kanë madhështi të tilla. Në histori, për një ditë, orë ose çast, kanë rënë qeveri, mbretëri e perandori. E familja Jashari më 5, 6 dhe 7 mars (1998), nuk ra. Ajo u ngrit në një mur të pakalueshëm përballë, para të cilit ra fuqia e një pushtuesi shekullor të shqiptarëve. Kjo luftë heroike, tashmë në historinë e re, njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që simbolizon në vetvete një epokë të re, të cilës i dha edhe emrin e vet, luftës kundër pushtimit serb për mbrojtjen e tokës, të lirisë e pavarësisë, duke i dhënë fund status quo-së shumëvjeçare e nismë procesit të pandalshëm. Në analet e Epopesë, është mënyra e funksionimit dhe disiplinës së lartë që demonstroi familja Jashari. Duke qenë një instrument i fuqishëm i bashkimit përtej së djathtës e të majtës, edhe për pastërtinë, seriozitetin dhe imazhin e saj në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, ushtarak, politik, diplomatik e mediatik, mbetën përgjithmonë shembull i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ndikim të veçantë e dallues, të pakrahasueshëm, unikat dhe përcaktues të fitores sonë kombëtare.

Hysen Matoshi vlerëson se Komandant Adem Jashari nuk është produkt i imagjinatës dhe i legjendave. Përkundrazi, është produkt historik i ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën pushtimin sllav, i një vetëdijeje të re që nuk e duronte më robërinë, shtypjen sociale dhe kombëtare, është edhe produkt i traditës drenicas e të përballjes me pushuesit, por mbi të gjitha është modeli përfaqësues i një familjeje të brumosur për breza në frymën atdhetare. Duke ia lënë artit dimensionin legjendar të figurës së tij, historiografia jonë ka për detyrë imediate që ta qëmtojë me kujdes secilin përbërës faktografik të jetës dhe veprimtarisë atdhetare të Adem Jasharit, duke e nxjerrë në pah portretin e luftëtarit dhe bëmat e komandantit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sado që të bëmat e tij në luftën për liri janë vërtet të jashtëzakonshëm, ato mbesin faktike e dokumentare, të dëshmuara dhe të dëshmueshme në kronologjinë e veprimtarisë së tij atdhetare dhe në kronologjinë e madhe të veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarëve, si pjesë e pandashme e historisë sonë.

Edhe pikëpamjet e historianit Afrim Krasniqi janë interesante. Ai shkruan se emri i Adem Jasharit ishte tërësisht i panjohur për publikun dhe vetëm pas vrasjes së tij emri u bë pjesë e raportimeve në media, në aktivitete, protesta e reagime të ndryshme dhe deri tek aktivitete sensibilizuese kulturore e patriotike. Emri i tij duket se ishte i panjohur edhe për liderët politikë të Tiranës dhe drejtuesit e institucioneve në vite, të cilët në çdo deklarim kanë lënë të kuptojnë se nuk kanë pasur njohje personale dhe as kontakte direkte apo indirekte. Ky faktor pati ndikim pozitiv, sepse asnjë palë politike në Tiranë nuk e lidh emrin dhe aktin e tij me parti të caktuara politike, ideologji apo interesa elektoralë dhe, për rrjedhojë, secila palë investoi te domethënia simbolike e rezistencës së tij mbi partitë, në funksion të interesit publik e kombëtar.

Studiuesja Myrvete Dreshaj Baliu ka shkruar se Adem Jashari dhe Familja e tij janë ajo pasuri ndjenjore e të gjithë krijuesve që ofrojnë më shumë se një simbolikë. Ai personalisht e tejkalon, madje edhe sakrificën e njohur në mitologjinë e antikitetit për Prometheun. Sakrifica e tij dhe e familjes së tij përshkon një dimension të panjohur deri më tash, madje edhe në mitologjinë dhe historinë e sakrificave të vetëdijshme kolektive, si kusht për të ndryshuar gjendjen e një populli të robëruar. Për shpëtimin e Prometheut (Ademit), nuk mjaftonte vetëm një Kiron, duheshin më shumë, prandaj sakrifica e tij merr dimensione të tjera, më tragjike se ato që i njeh historia dhe madje mitologjia e kujtesës njerëzore: sakrificën kolektive nga gjyshi te nipi, sakrificën e tre brezave, njëkohësisht.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X