Moderniteti është një epokë me dinamikë të zjarrtë, ku ciklit të dhunës nuk arrijmë t’ia shquajmë fillesën, se ku ajo nis me librat dhe kulturën, e ku mbaron me njerëz dhe qytete. Nuk është se dhuna ka qenë diçka tjetër në historinë njerëzore, por moderniteti na mundëson iluzionin e gjurmimit më të plotë të ngjarjeve të dhunshme historike, me shpresën për t’i njohur dhe dokumentuar më mirë.
Elton HATIBI, Tiranë
Në 8 dhjetor të vitit të kaluar, ushtria izraelite shkatërroi pothuajse tërësish njërën ndër xhamitë më të vjetra të Gazës, Xhaminë e Omerit. E themeluar në shekullin e shtatë në nder të kalifit Omer, dhe me një histori unike përshtatjesh arkitekturore, pas bombardimit, qëndron në këmbë vetëm gjysma e minares tetëkëndore, dhe një pjese e murit të jashtëm. Pak kohë më parë, ushtria izraelite gjithashtu e dëmtoi rëndë Kishën Ortodokse të Shën Profirit, një strukturë adhurimi të krishterë, e treta më e vjetra në botë. Në harkun e pak muajve, në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar mbi 200 qendra antike, në një territor që konsiderohet si mjaft i pasur dhe i larmishën me pasuri kulturore. Këto qendra kulturore përfshijnë mbetje arkeologjike nga periudha e bronzit, manastire të lashta të krishtera e deri te struktura civile të trashëgimisë mamluke. Sakaq, ngjashëm si me numërimin simptomave të vjetra në një trup që lëngon në agoni, mësojmë se nuk është hera e parë që Xhamia e Omerit bombardohet dhe hidhet në tokë. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore xhamia do të dëmtohej rëndë nga një bombardim britanik.
Bashkë me Xhaminë e Omerit është shkatërruar pa kthim edhe biblioteka mjaft e pasur pranë xhamisë, një qendër kulturore e cila ruante dhe studionte dorëshkrimet e shumta, dokumente dhe libra të rrallë. Mes disa qindra dorëshkrimeve osmane të digjitalizuara, disa dhjetëra fletë u përkasin fragmenteve të veprave të panjohura më parë. Këto ngjarje shkatërrimtare ndodhin kur janë me mijëra viktimat civile të vrara këto muaj të agresionit në Gaza. Humbjet tragjike njerëzore, uria e ekstreme që mbërthen përditë të mbijetuarit dhe shkatërrimi i plotë i infrastrukturës civile, e eklipsojnë natyrshëm rrënimin e këtyre fragmenteve të historisë dhe kulturës. Ndërkohë, për ta konfirmuar gjenocidin kulturor që kalon gjysmë në heshtje në Gaza, si një shëmti demaskuese, bëri jehonë globale një foto selfi e një ushtari izraelit duke djegur një libër, ndoshta një Kuran, gjatë një operacioni ushtarak. AAkti ishte dyfish i tmerrshëm, djegia e librave dhe mburrja me vetëfotografimin e aktit, formëson imazhin e vërtetë të një makinerie mizore që shkatërron gjithça që i del përpara. Justifikim “legal” i përpjekjes për të luftuar terrorizmin, bashkëshoqëruese e bombardimeve brutale të banesave, strukturave spitalore, universiteteve, xhamive, kishave dhe çdo objekti civil, digjet përpara syve tanë si libri palestinez në duart e ushtarit të ngërdheshur izraelit. Ky imazh rikthen si profetësi të përmbushur shprehjen e famshme të shkrimtarit gjerman me origjinë hebraike Heinrich Heine: “Aty ku digjen libra, do të përfundojnë duke djegur njerëz”. Kjo thënie u risoll në vëmendje kur nazistët ndërmorën aksionin diabolik të djegies publike të qindra mijëra librave të autorëve të refuzuar nga regjimi i ri si “jogjermanë”. Pakkush kujtohet që këtë shprehje Heine e vendos në gojën e Almansurit, djaloshit andaluzian, kur i futur fshehurazi në qytet, mësoi se inkuizitori i Granadës kishte djegur publikisht Kuranin.
Moderniteti është një epokë me dinamikë të zjarrtë, ku ciklit të dhunës nuk arrijmë t’ia shquajmë fillesën, se ku ajo nis me librat dhe kulturën, e ku mbaron me njerëz dhe qytete. Nuk është se dhuna ka qenë diçka tjetër në historinë njerëzore, por moderniteti na mundëson iluzionin e gjurmimit më të plotë të ngjarjeve të dhunshme historike, me shpresën për t’i njohur dhe dokumentuar më mirë. Pra, në këtë simbiozë të pandashme, bashkë me njerëzit, si qëllim përfundimtar i dhunës, duhen shkatërruar dhe kultura, librat ose memoria e tyre, e manifestuar në forma të ndryshme dhe të larmishme. Është e pamundur që ndërsa ndërmerren akte shfarosëse fizike ndaj një popullsie ose etnie, ky aksion të mos prekë trashëgiminë e tij kulturore. Janë vetëm rrethanat, strategjitë apo teknikat e dhunës ato që përcaktojnë grafikun dhe shkallën e shkatërrimit. Në rastin e Gjermanisë naziste, distanca kohore e djegies publike nga militantët të librave “juden” dhe djegies së fshehtë në përmasë industriale të njerëzve në krematoriume zgjati një dhjetëvjeçar e diçka. Ndërsa në rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës, veprimi gjenocidial ishte i menjëheshmë dhe i mirëmenduar të fshinte përfundimisht nga territori njerëzit dhe kulturën e tyre “joserbe”.
Në Sarajevën e saporrethuar nga çetnikët serbë kishin filluar granatimet dhe shënjestrimet me snajper mbi civilët, kur ja – mbërriti urdhri që të mos kursehej as biblioteka e qytetit, mbartëse në hapësirat e saj të miliona dorëshkrime e librave, gjerësisht të traditës orientale. Kjo sikur u dha kurajo rrethuesve që të shfrynin më me zell plumbat mbi çatitë dhe trupat e banorëve të Sarajevës. Bashkë me fletët gjysmë të djegura që endeshin në qiellin e Sarajevës, si imazh tragjik i pashlyeshëm i modernitetit, gjithashtu janë me qindra xhami të minuara dhe të shpërthyera në erë anembanë Bosnjë dhe Hercegovinës gjatë muajve të parë të agresionit serb. Bashkë me banorët e vendit, të reduktuar në “gjene speciale të ushtarit turk”, term i ardhur si kontribut nga akademia serbe, u rrënuan vepra shembullore të arkitekturës lokale osmane, si Xhamia Allaxha (Aladža) në Foçë ose Arnaudija dhe Ferhadija në Banja Luka. Numri i plotë i ndërtesave religjioze myslimane të shkatërruara në Bosnjë është disa qindra. Në kohë paqeje, kur ke marrë diçka të madhe nga synimet e përpara agresionit, askush nuk kërkon të identifikohet me aktet e dhunës ndaj kulturës, me shkatërrime xhamish dhe djegie bibliotekash. Megjithatë, jo gjithçka fshihet dhe mohohet. Shkatërrimin e xhamive shekullore boshnjake, ushtarakë apo “veprimtarë” lokalë serbe e kanë dëshmuar si ndihmëse themelore në ndërmarrjen gjenocidiale të spastrimit etnik. Pas shkatërrimit të strukturës kryesore shpirtërore urbane dhe plaçiktjes materiale, banorët e qyteteve boshnjake do të iknin dhe nuk do të dëshironin të ktheheshin më aty. Mjerisht, pas kësaj strategjie, Lugina e Drinës, e ashtuquajtura “zona e gjenocidit”, e mbizotëruar para luftës nga popullsia myslimane, është shndërruar tashmë në një territor ku kjo bashkësi e mbijetuar është në shifra të papërfillshme.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një intelektual boshnjak do ta shpëtonte nga duart e nazistëve atë që njihet si “Hageda e Sarajevës”, një libër i ilustruar i traditës hebraike spanjolle. Pas përfundimit të sundimit mysliman në Gadishullin Iberik, edhe hebrenjtë spanjollë u shtrënguan ta braktisnin vendin, andaj shumë prej tyre u vendosën në Ballkanin osman. Në këtë kontekst gjeografik, në fund të shekullit të 19-të kjo vepër bëhet pjesë e Muzeumit të Sarajevës. Ky libër religjioz, i rëndësishëm për historinë kulturore të traditës hebraike, merret the fshihet nga Dervish Korkuti, një nëpunës i Bibliotekës së Sarajevës. Për ironi, imami që e mori në dorëzim për ta ruajtur, e “fshehu” librin hebraik mes librave islamikë dhe kopjeve të Kuranit, në raftet e bibliotekës së një xhamie të një fshati malor. Herën e dytë kjo vepër e rëndësishme e kulturës shpëton gjatë rrethimit të Sarajevës, nga padituria e hajdutëve që e sulmuan muzeun ditët e kaosit të rrethimit, por mbi të gjitha nga guximi i dy-tre intelektualëve boshnjakë, që bashkë me disa ushtarakë i sfiduan rrethanat e luftës. Së bashku ata hynë në ndërtesën në kaos të muzeumit dhe e gjetën të paprekur këtë pasuri të tyre kulturore.
Gjatë rrethimit, presidenti i Bosnjë dhe Hercegovinës e dërgoi në sinagogën e Sarajevës librin e Hagedas, për të qenë pjesë e ceremonisë së pashkës hebraike. Ishte hera e parë që libri përdorej në një ceremoni publike moderne. Përtej aspektit spiritual, ngjarja ka një dimension simbolik shprese, ngjashëm me historinë tragjike të shpëtimit dy herë në rrethana të ndryshme të kësaj pasurie të qytetit – edhe vetë qyteti dhe banorët e tij do t’i shpëtojnë kësaj mizorie gjenocidiale. Kurajoja e njerëzve për të shpëtuar diçka të madhe, që tejkalon vlerën fizike dhe kohore të objektit, është frymëzuese në rrethanat ekstreme, në të cilat është mbërthyer një komunitet i tërë në prag të ekzistencës.
Dervish Korkuti, një intelektual me një sfond familjar religjioz, rrezikoi jetën edhe për të shpëtuar një vajzë të re hebreje gjatë luftës. Me një bilanc moral pozitiv, të shpëtimit të një jete njeriu dhe të një teksti monument historik që mbart një pjesë të rëndësishme të traditës të së mbijetuarës, Dervishi do të arrestohej, i akuzuar ironikisht si bashkëpunëtor i nazistëve. I shpëtoi fatit tragjik në anonimitet, me vetëm disa vite burg. Duke iu druajtur fatit të saj në një regjim totalitar, ku si ushtarake ajo bënte pjesë, e mbijetuara nuk u përpoq ta shpëtonte “bamirësin” e saj përmes ndonjë dëshmie apo interesimi. Shumë dekada më pas, si një qytetare izraelite, ajo do të dëshmojë pranë autoriteteve të Jad Vashem, për të njohur pas vdekjes Dervish Korkutin si “të drejtin mes të drejtëve”. Një individ që shpërblehet, për qenien e tij njeri, pa pasur qëllim ndjenjën e përfitimit nga veprimet në dobi të të tjerëve. Në fund të fundit, kjo është historia – ideologjia prish dhe rrënon, kurse kur duhet, ndërton fasada magjepsëse paqeje; ndërsa shpirti njerëzor, i orientuar drejtë nga e mira, do të përpiqet sipas rrethanave të shërbejë në mirëmbajtjen e këtij shpirti.
Sipas të gjitha të dhënave, krimet ndaj trashëgimisë kulturore në Gaza janë të qëllimshme, në kundërshtim me përgjegjësinë ligjore që një vend pushtues, si Izraeli, ka për t’i ruajtur dhe mbrojtur ato. Sulmet ndaj kësaj trashëgimie janë sistematike dhe si në rastin e cilësdo infrastrukture civile, shërbejnë për ta mposhtur, poshtëruar dhe dehumanizuar popullin palestinez. Sa me bomba dhe shpërthime, e sa me buldozerë dhe sekuestrime, bashkë e dhjetimin e popullsisë, kjo trashëgimi njerëzore po shkon drejt rrënimit të plotë. Jo më kot këto lloj krimesh janë përfshirë si pjesë e krimeve të njerëzimit nga komuniteti ndërkombëtar. Pa identitet kulturor, pa e ditur se nga vjen, dhe si ke ardhur deri këtu, njeriu reduktohet në biologji, gati për bombardimin e radhës. Për t’i parandaluar këto krime, një kontribut me historinë e saj tragjike ka dhënë sërish rasti i ish Jugosllavisë. Hetimi dhe dënimi i të akuzuarve të ndryshëm për krime lufte dhe për shkatërrime të qëllimshme kulturore, kanë nxitur ekspertët e ligjit ndërkombëtarë për të formuluar akuza të ngjashme, për raste të ngjashme në vende të ndryshme të botës. Është tamam si ajo shprehja: “nga i vdekuri nxjerrim të gjallin”.
Bosnja dhe Hercegovina i mbijetoi gjenocidit duke qëndruar dhe duke u përballur me agresorët e saj. Pjesë e kësaj përballjeje ishte dhe ruajtja dhe shpëtimi i trashëgimisë dhe i memories së saj kulturore, shpesh dhe në kushte të paimagjinueshme. Pas shembujve të Dervishi Korkutit dhe të shpëtimit heroik të Hadegas gjatë rrethimit të Sarajevës, edhe më shumë njerëzimi kupton nga raste të tilla, se për të mbetur njerëz, duhet të sakrifikosh për të ruajtur dhe mbrojtur atë që ky njerëzim ka krijuar me shpirt. Një pjesë e mirë e xhamive dhe e objekteve të tjera kulturore të shkatërruara nga lufta, falë dashurisë dhe përkushtimit të njerëzve, janë rikthyer përsëri në gjendjen e dikurshme, megjithëse plaga e tragjedive njerëzore ende nuk është mbyllur. Në Bosnja dhe Hercegovinë dhe në përgjithësi në rajonin tonë, ka ende tentativa për ta prishur paqen, ironikisht, në emër të paqes. Megjithatë, pas njohjes së gjenocidit në Serbrenicë, si ditë përkujtimore ndaj gjenocidit, bashkë me njohjen e përgjegjësisë ndaj Serbisë, si kontribut i pamohueshëm kriminal në këtë histori, komuniteti ndërkombëtar, përmes këtij instrumenti, kërkon ta zgjojë ndjeshmërinë ndaj gjenocidit si fenomen, që vendimmarrësit e ndryshëm të jenë më reagues ndaj shenjave të para të kësaj patologjie kriminale.
Palestinezët kanë paguar një çmim të lartë nga pushtimi i gjatë i trojeve të tyre. Dhuna ciklike i përfshin kaq shpesh, saqë përgjakja dhe shkatërrimi i tyre është përbrendësuar pakthyeshëm si një pjesë e identitetit të tyre të gjithanshëm. Vështirë të gjesh familje palestineze të paprekur nga dhuna. Diku një familje e shuar, diku prindër të zhdukur, ndonjë gjysh i gjymtuar, familjarë në burgime të gjata dhe sidomos infrastrukturë urbane të shkatërruar. Dhuna ndaj tyre e ka dhe dimensionin psikologjik rutinor, ku si pjesë e kësaj strategjie janë shkatërrimi i të mbjellave, prerja e ullinjve, zjarrvënia e pronës, postblloqet e panumërta dhe, më sistematikja dhe që tenton t’i zhbëjë krejtësisht si identitet, është dhuna kulturore që duhet ta mbartin edhe në gjumë. Shkatërrimi i historisë, ndryshimi i toponimisë, vjedhja e materialeve kulturore dhe “izrealitizimi” i gjithçkaje që përmban ajo tokë, janë peizazhi i zymtë që rëndon atë vend. Shkalla e dhunës, shtrirja në kohë dhe mbështetja ndërkombëtare janë në anën e kundërt të palestinezëve. Sakaq, sjellja njerëzore e palestinezëve në kushte të një çmendurie gjenocidiale antihumane është garancia e vetme se shpirti i tyre ende pulson. Shembujt e solidaritetit dhe të sakrificës mes atyre njerëzve janë frymëzim dhe shpresë se një ditë agonia e tyre do të mbarojë. Përveç ngritjes dhe shërimit të përditshmërisë së tyre të domosdoshme, me gurët e shembur të xhamive dhe kishave antike ata do të dinë ta rindërtojë sa të mundin të shkuarën e tyre për të forcuar të ardhmen.