loader image
November 18, 2025

Filmi “Nëntori i dytë” – kur kinemaja e ndërton kujtesën kolektive

Në kohën e sotme, filmat e periudhës së komunizmit shpesh anatemohen nga qarqet intelektuale sipas një automatizmi, ato shihen e komentohen vetëm përmes ngjyrimit të tyre ideologjik, duke harruar se ato mbetën ndër të vetmet përpjekje serioze për të portretizuar figurat themelore të kombit. Kjo mospërfillje është, në thelb, një formë e mohimit të trashëgimisë kulturore. As teknologjia bashkëkohore, as liria e krijimit e pas 90-tës, nuk kanë sjellë ndonjë film të denjë mbi Skënderbeun, Ismail Qemalin, Isa Boletinin e shumë figura të tjera historike. 

Arsim LESKOVICA, Shkup 

Filmi “Nëntori i dytë” (1982), me regji të Viktor Gjikës dhe skenar të Dhimitër Shuteriqit e Kiço Blushit, zë një vend të veçantë në historinë e kinematografisë shqiptare, jo vetëm për peshën e tij historike – shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por edhe për mënyrën se si kjo ngjarje është interpretuar përmes prizmit ideologjik të kohës kur doli në dritë ky realizim filmik.

I prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, gjatë periudhës së diktaturës së Enver Hoxhës, filmi është më shumë se një rindërtim artistik i një momenti historik. Është njashtu instrument i kujtesës së kontrolluar, ku heroizmi, sakrifica dhe simbolika kombëtare ndërthuren me narrativen e ligjërimit politik të socializmit.

Në thelb, “Nëntori i dytë” është një vepër që përpiqet ta ndërtojë një mit themelues të shtetit shqiptar, duke e vendosur figurën e Ismail Qemalit në rolin e një vizionari që udhëheq popullin drejt dritës së lirisë. Megjithatë, ky vizionarizëm është i filtruar nga diskursi i realizmit socialist që synon ta përforcojë idenë e unitetit popullor nën drejtimin e një autoriteti të mençur e moral, një paralele që në mënyrë të nënkuptuar i shërbente legjitimimit të pushtetit të kohës. Kështu, “Nëntori i dytë” mbetet një dëshmi për ta kuptuar se si historia kombëtare në kinemanë shqiptare u bë terren i përbashkët i artit dhe ideologjisë, në të cilin narracioni filmik u përdor për të ndërtuar një kujtesë kolektive të sinkronizuar me politikën e regjimit. Analiza e tij nuk kufizohet vetëm në aspektet estetike dhe regjisoriale, por shtrihet në një fushë më të gjerë reflektimi mbi raportin midis realitetit historik dhe përfaqësimit ideologjik.

Filmi, në pamje të parë, i kushtohet ngjarjes më të ndritur të kombit – shpalljes së pavarësisë. Por, në thelb, ai e interpreton këtë moment të lirisë nëpërmjet një optike të centralizuar politike, ku ideja e bashkimit kombëtar shërben si metaforë e bashkimit ideologjik nën udhëheqjen e Partisë.

Figura e Ismail Qemalit (interpretuar nga aktori i madh shqiptar Sandër Prosi) në film është e idealizuar, e paraqitur me një madhështi të ftohtë monumentale që i ngjan përfytyrimit të udhëheqësve të epokës komuniste. Figura e Ismail Qemalit këtu lartësohet në simbol të rendit dhe urtësisë që udhëheq popullin nga errësira e përçarjeve drejt lirisë së një shteti të ri. Në këtë mënyrë, Viktor Gjika dhe skenaristët, Shuteriqi e Blushi, ndërtojnë një figurë që rezonon me arketipin e udhëheqësit shpëtimtar. Një narrativë karakteristike dhe e përbashkët me shuma filma të Kinostudios, ku historia rishkruhej për të përforcuar mitin e drejtimit të vetëm dhe të pagabueshëm.

Në planin ideologjik, “Nëntori i dytë” përçon mesazhin se pavarësia e vërtetë është e mundur vetëm përmes unitetit të masave, një parim themelor i realizmit socialist. Ky “unitet” nuk është spontan, por është i drejtuar nga lart, nga një figurë që mishëron dijen dhe virtytin. Kështu, filmi krijon një analogji të qartë midis momentit të shpalljes së pavarësisë dhe momentit historik të regjimit komunist. Në të dy rastet, populli del fitues vetëm kur e ndjek udhëheqjen e ndritur.

Ky konstrukt vërehet edhe në mënyrën si filmi trajton kundërshtarët e brendshëm, si: bejlerët, pushtetarët lokalë, hoxhallarët, priftërinjtë dhe “përçarësit” e tjerë, të cilët përfaqësojnë pengesat e brendshme destruktive që populli duhet t’i kapërcejë. Hoxha e prifti, në disa skena mjaft domethënëse të filmit, paraqiten si figura të paafta për ta ndjerë nevojën e kohës. Ata paraqiten si zëra të prapambetjes që përpiqen ta pengojnë bashkimin kombëtar përmes fjalëve të tyre përçarëse e që ngjallin dyshime ose që nga frika e humbjes së privilegjeve u shërbejnë interesave të huaja.

Këto portrete fetare, të shfaqura jashtë kontekstit objektiv historik, përmbushin një funksion të qartë ideologjik, e përforcojnë idenë se çlirimi dhe përparimi nuk vijnë nga besimi, por nga ndërgjegjja klasore dhe nga forca e popullit të bashkuar rreth një ideali politik. Përmes këtij këndvështrimi simbolik, filmi afirmon hierarki të re morale, ku figura e udhëheqësit laik dhe e revolucionarit popullor zë vendin e autoritetit shpirtëror. Në këtë kuptim, filmi plasohet si një tekst politik i koduar që kërkon të edukojë dhe orientojë ndërgjegjen kolektive. Përmes figurave të veta, ai ndërton një skemë morale të qartë – nga njëra anë qëndron populli dhe udhëheqësi i mençur, që simbolizon modernitetin dhe racionalitetin, ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë klerikët dhe tregtarët, që përfaqësojnë pengesat e një bote të vjetër, të dënuar të zhduket në përballje me “dritën” e re të revolucionit.

Megjithatë, në rrafshin estetik “Nëntori i dytë” mbetet një nga filmat më të realizuar të kinemasë shqiptare të asaj periudhe. Viktor Gjika, me mjeshtërinë e tij regjisoriale, arrin të krijojë një atmosferë solemne e ritmike, ku tensioni historik ndërthuret me emocione të forta e “temperaturë të lartë vizuale”. Përzgjedhja gjeniale e kastës së aktorëve, muzika e Kujtim Laros, kostumografia dhe fotografia monumentale e filmit krijojnë një dimension që i jep asaj kohe ndjesinë e shenjtëruar, një “rit kombëtar” që përjetëson momentin e ngritjes së flamurit në Vlorë.

Ky akt solemn i rregulluar me kujdes e bën filmin një dëshmi të mënyrës si regjimi ndërtonte mitet kombëtare, duke i kontrolluar emocionet, fjalët dhe imazhet për ta përforcuar një histori të interpretuar. Përmes tij, kinemaja, përveç esencës së saj artistike, bëhet një formë mekanizmi i kujtesës së “programuar”, një mënyrë për t’i dhënë të shkuarës një legjitimim politik.

Matanë ideologjisë 

Sot, më shumë se katër dekada pas realizimit të “Nëntorit të dytë”, filmi mbetet një pikë referimi e pashlyeshme në kujtesën kolektive shqiptare. Ai i ka tejkaluar kufijtë e kuzhinës e cila e prodhoi, duke u shndërruar në kujtesë të përbashkët (si një album familjar i përbashkët i çdo shqiptari, kudo që frymon mbi rruzullin tokësor), një imazh i përhershëm i momentit të ngritjes së flamurit dhe emocioneve që lidhen me lindjen e shtetit shqiptar.

Andaj, për studiuesin dhe shikuesin me syrin kritik të sotëm, filmi hap një dritare të re interpretimi, ku historia dhe politika ndërthuren për të kuptuar se si arti mund të shërbejë njëkohësisht si mjet për nxitjen e ndjenjës kombëtare dhe si pasqyrë e pushtetit. Lexuar nga prizmi i sotëm, “Nëntori i dytë” mbetet një dokument i çmuar që dëshmon si ndërtohej e kaluara përmes gjuhës së kinemasë.

Kjo e bën filmin të vlefshëm jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për strukturën e tij të brendshme, mënyrën se si, përmes kornizave, dialogëve e monologëve, si dhe heshtjeve filmike, ndërtohet një retorikë vizuale. Në këtë kuptim, filmi është një rrëfim që flet në dy, tre ose më shumë zëra njëkohësisht. Një zë i parë që glorifikon, e disa zëra tjerë, që ndoshta edhe pa dashur, dëshmojnë për kufijtë e lirisë artistike në një sistem të mbyllur.

Në një shoqëri ku mitet e së shkuarës vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën si e lexojmë realitetin, “Nëntori i dytë” na fton të reflektojmë edhe për mënyrën si ajo është treguar. Çdo imazh i historisë është gjithmonë një akt interpretimi, kurse detyra e artit nuk është të përsërisë të vërtetat e gatshme, por t’i verifikojë ato me ndershmëri etike e estetike.

Sa herë që e shohim këtë film në ekranet tona televizive, sidomos me festat e Nëntorit, përballemi edhe me faktin se filmi trajton një temë të madhe kombëtare. Në kohën e sotme, filmat e periudhës së komunizmit shpesh anatemohen nga qarqet intelektuale. Sipas një automatizmi, ato shihen e komentohen vetëm përmes ngjyrimit të tyre ideologjik, duke harruar se ato mbetën ndër të vetmet përpjekje serioze për të portretizuar figurat themelore të kombit. Kjo mospërfillje është, në thelb, një formë e mohimit të trashëgimisë kulturore. As teknologjia bashkëkohore, as liria e krijimit e pas 90-tës, nuk kanë sjellë ndonjë film të denjë mbi Skënderbeun, Ismail Qemalin, Isa Boletinin e shumë figura të tjera historike. Kjo tregon se problemi nuk është tek e kaluara, por tek mungesa e guximit dhe vizionit artistik për t’u përballuar me madhështinë e temave që na kanë formuar si komb e na e kanë dhënë identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë.

Në këtë kuptim, refuzimi i këtyre filmave të dikurshëm ngjan me njeriun që nuk e do më ushqimin e vet tradicional, por as nuk di të përgatisë një gatim të ri që u përshtatet shijeve dhe realitetit të kohës. Kinemaja kombëtare, për të qenë e gjallë, duhet të ndërtojë ura mes trashëgimisë dhe risisë, jo të flakë njërën në emër të tjetrës. Nëse nuk e marrim guximin për të trajtuar temat madhore përmes kinematografisë me seriozitetin që ato kërkojnë, do të mbetemi peng i një boshllëku identitar, ku as e kaluara nuk nderohet, as e ardhmja nuk projektohet.

Disa të dhëna arkivore 

Sipas burimeve të siguruara nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri, që njihet me shkurtesën “AQSHF”, restaurimi i filmit “Nëntori i dytë” u krye në vitin 2012 nga Colorlab Corp. Virginia, SHBA, nën mbikëqyrjen e Regina Longo (specialistja amerikane e arkivave) nga Projekti i Kinemasë Shqiptare. Ky proces kushtoi rreth 18 mijë dollarë.

Premiera e filmit të restauruar u mbajt më 3 nëntor 2012, në hapje të Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar në kinemanë “Millenium” në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ky investim në restaurimin e shiritave filmikë përbën një akt profesional e kulturor, që ringjall kujtesën kolektive të një epoke. Ai zhvendos veprën nga hapësira e propagandës në atë të reflektimit profesional e historik, duke u mundësuar brezave të rinj ta lexojnë si dokument dhe trashëgimi kulturore të një kohe kur arti dhe ideologjia bashkëjetonin në tension të vazhdueshëm.

Ky rikthim në dritë do të ishte i pamundur pa përkushtimin profesional të arkivistëve të filmit, të cilët me përpjekje të vazhdueshme i ruajnë, restaurojnë dhe rikthejnë në kujtesën publike veprat që formësojnë historinë e kinemasë shqiptare. Falë angazhimit të tyre, filmat nuk mbeten në raftet e pluhurosura të kohës, por i nënshtrohen një reanimacioni që u jep atyre një jetë të dytë në ndërgjegjen e shikuesit bashkëkohor.

Në këtë rrafsh, kujtesa filmike nuk mbaron me ekranin, por rifiton jetë përmes përpjekjeve të sotme për ruajtjen e trashëgimisë së kinemasë shqiptare. Thomas Logoreci, kineast dhe producent amerikan me origjinë shqiptare, i njohur për punën e tij në kinematografi dhe për përfshirjen në nisma ndërkombëtare të restaurimit filmik, është një nga zërat më të angazhuar në këtë drejtim. Ai ka vendosur kontakte me emra të mëdhenj të kinematografisë botërore, si Martin Scorsese, Mark Cousins dhe aktorja Tilda Swinton, me qëllim që ta ndërgjegjësojë opinionin ndërkombëtar për ruajtjen e trashëgimisë filmike shqiptare. Pata rastin të takohem me Thomas Logorecin personalisht në Tiranë, gjatë Javës së Filmit të Maqedonisë, ku bisedat me të ma thelluan bindjen se ruajtja e filmit nuk është vetëm çështje teknike, por një akt i vetëdijes kulturore.

Në një intervistë për Gazeta Shqip, Regina Longo thekson: “Do të restaurojmë falas pesë filma të komunizmit” (4 korrik 2012), ndërsa Logoreci shton: “Edhe nëse janë të periudhës komuniste, prej tyre unë mund të kuptoj sesi Enver Hoxha e mbajti pushtetin.”

Ky vëzhgim është thelbësor, sepse e zhvendos diskutimin nga paragjykimi ideologjik drejt një leximi historik e estetik të filmit. Filmat e asaj periudhe, pavarësisht ngarkesës propaganduese, mbeten dokumente të rëndësishme të mënyrës se si pushteti e projektonte vetveten dhe përpiqej ta formësonte kujtesën kolektive.

Në këtë kuptim, përpjekjet e Logorecit dhe të arkivistëve filmikë në Shqipëri përbëjnë një akt të vërtetë reanimacioni kulturor, një frymëmarrje të re për kujtesën tonë vizuale. Falë përkushtimit të tyre, trashëgimia e kinemasë shqiptare nuk mbetet vetëm në kujtesë, por vazhdon të jetojë, të restaurohet dhe të kuptohet nga brezat që vijnë, si një mënyrë për të kuptuar të shkuarën, por edhe mekanizmat e pushtetit që, në çdo kohë, përpiqen të formësojnë ndërgjegjen përmes imazhit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X