loader image
September 7, 2025

Fillesat e bashkëpunimit të Ahmet Zogut me organizatën e fshehtë politike “Krahu Kombëtar” (Klika)

Bashkëpunimi i Ahmet Zogut me përfaqësuesit e kësaj organizate mendohet se nisi në vitin 1917. Në vitin 1919, “Krahu Kombëtar” (Klika) vijonte të funksiononte si një komitet i fshehtë i ngjashëm me Komitetin “Bashkim e Përparim”, ku drejtuesit kryesorë të saj ishin Eshref Bej Frashëri, Sejfi Vllamasi dhe Rexhep Bej Mitrovica. Kjo organizatë e fshehtë politike në fillim të viteve ’20-ta dha një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit shqiptar.

Sali KADRIA, Tiranë

Për të njohur më mirë zhvillimet politike që ndodhën në mesin e shqiptarëve gjatë viteve ’30-të, periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe të komunizmit në Shqipëri, duhet të studiohet në hollësi periudha historike e viteve të ’20-ta të shek. XX.

Të paktë janë shqiptarët të cilët janë në dijeni të faktit se gjatë viteve 1920-të brenda radhëve të qeverisë shqiptare ka ekzistuar dhe funksionuar një organizatë e fshehtë politike e njohur me emrin “Krahu Kombëtar”, ndërkohë që nga opozita politike e kësaj kohe ajo quhej “Klikë”.

Fillesat e kësaj organizate politike i përkasin periudhës së para Luftës së Parë Botërore. Ajo u themelua në Durrës nga një grup nacionalistësh, më 28 qershor 1914, një prej periudhave më të vështira të historisë së shqiptarëve, e cila nga shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare është pagëzuar si “Viti i mbrapshtë” në një prej veprave të tij letrare. Në vitin 1914 kjo organizatë e fshehtë politike u quajt “Lidhja për Thronin e Atdheun”, ndërsa në vitet e ’20-ta ajo mori emërtimin “Krahu Kombëtar” ose “Klika”. Disa nga krerët drejtues të kësaj organizate vepronin sipas modelit të organizatës xhonturke, “Bashkim e Përparim”. Duke ndjekur modelin xhonturk, anëtarët e saj vendosën të qëndronin si një organizatë e fshehtë që vepronte brenda radhëve të qeverisë dhe administratës së shtetit shqiptar.

Në momentin e themelimit të saj, kjo organizatë nacionaliste pati si qëllim shpëtimin e atdheut nga veprimtaria politike e Esat Pashë Toptanit, të cilën e cilësonin si antikombëtare mbrojtjen e Shqipërisë nga synimet e shteteve fqinje, si dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në rrethanat mjaft të vështira të krijuara për të në këtë kohë. Gjithashtu, përfaqësuesit e saj kërkonin formimin e një “qeverie atdhedashëse”, e cila të përbëhej nga personalitete të ndershme dhe me rëndësi kombëtare, të çliruar nga ndikimi i huaj.

Në vitin 1914 organizata “Krahu Kombëtar” funksiononte në mënyrë konspirative, sipas parimit që në tre anëtarëvetëm dy prej tyre e njihnin njëri-tjetrin. Kjo organizatë drejtohej nga dy organe kryesore: Këshilli kombëtar dhe Komisioni drejtues. Këshilli i “Krahut Kombëtar” përbëhej nga 22 anëtarë, në të cilin bënin pjesë figura të spikatura nacionaliste, si: Dom Nikollë Kaçorri, Dr. Ibrahim Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, Loni Logori, G. Jatro, Themistokli Gërmenji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Daiu, Kostë Paftali, Nuri Vila, Grigor Cilka, I. Kasneci, Syrja Pojani dhe Hasan Frashëri. Këshilli i “Krahut Kombëtar” zgjodhi një komision drejtues prej pesë anëtarësh, të përbërë nga Eshref Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Abdyl Ypi dhe Idhomeno Kosturi. Ky komision ishte ngarkuar me detyrën e ekzekutimit të vendimeve [Likuidimin fizik të atyre individëve, për të cilët mendohej se vepronin kundër interesave kombëtare dhe të shtetit shqiptar – S. Kadria]. Kjo organizatë politike përgjigjej vetëm përpara qeverisë. Ajo vepronte në fshehtësi të madhe dhe mblidhej vetëm për çështje shumë të rëndësishme.

Nëse “Krahu Kombëtar” mbeti në fazë embrionale deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore, gjatë viteve 1920-1924, ky formacion u shfaq si një prej organizatave politike më aktive në Shqipëri.

Bashkëpunimi i Ahmet Zogut me përfaqësuesit e kësaj organizate mendohet se nisi në vitin 1917. Në vitin 1919, “Krahu Kombëtar” (Klika) vijonte të funksiononte si një komitet i fshehtë i ngjashëm me Komitetin “Bashkim e Përparim”, ku drejtuesit kryesorë të saj ishin Eshref Bej Frashëri, Sejfi Vllamasi dhe Rexhep Bej Mitrovica. Kjo organizatë e fshehtë politike në fillim të viteve ’20-ta dha një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit shqiptar. Eshref Bej Frashëri, Sejfi Vllamasi dhe Rexhep Bej Mitrovica ishin të ndërgjegjshëm për faktin se pas Luftës së Parë Botërore, përmes kësaj organizate të fshehtë politike, ata mund të kishin deri diku ndikim në Shqipërinë e Jugut, mirëpo ata e kuptonin se për realizimin e synimeve të tyre politike do ta kishin të vështirë të gjenin mbështetje në Shqipërinë e Veriut. Në këto rrethana, atyre u duhej të gjenin njerëz të aftë dhe me influencë nga kjo pjesë e vendit.

Pasi analizuan figurat kryesore shqiptare që kishin më tepër ndikim në Shqipërinë e Veriut, ata u gjendën para dilemës për të zgjedhur midis Mustafa Krujës dhe Ahmet Zogut. Më në fund, drejtuesit e “Klikës” zgjodhën A. Zogun për disa arsye kryesore: së pari, ndryshe nga Mustafa Kruja, i cili njihej si mbështetës i politikës italiane dhe i idesë së protektoratit italian mbi Shqipërinë, Ahmet Zogu ishte për ruajtjen e sovranitetit politik të shtetit shqiptar; së dyti, drejtuesit e “Klikës” synonin të shfrytëzonin lidhjet dhe influencën personale që kishte A. Zogu në Shqipërinë e Veriut, por edhe forcën e armatosur të matjanëve që ai kishte pas vetes; së treti, ata menduan se, krahasuar me Mustafa Krujën, i cili mbronte idenë e vendosjes së një balance më të drejtë të përfaqësimit midis Shqipërisë së Veriut (Gegërisë) dhe Jugut (Toskërisë), në drejtimin politik të vendit, Ahmet Zogu ishte një njeri “i paditur”, i cili në të ardhmen mund të kthehej lehtësisht në një “mashë” të tyre. Mirëpo, ndryshe nga sa prisnin, A. Zogu e përdori me shumë zgjuarsi “Klikën” për ta forcuar pozitën e tij politike në vend dhe brenda një kohe të shkurtër ai arriti që t’i përdorte si “mashë” ata që kishin synuar t’ia arrinin këtij qëllimi. Qysh në fillim të bashkëpunimit me drejtuesit e kësaj organizate politike, ai e pati të qartë se pa një mbështetje të fortë të drejtuesve të “Klikës”, të cilët ishin me origjinë kryesisht nga jugu i vendit, ai do ta kishte të vështirë të vinte në jetë planet e tij politike.

Në takimin e mbajtur në Romë me përfaqësues të “Krahut Kombëtar” (Klikës), në pranverë të vitit 1919, Ahmet Zogu, Fazli Frashëri dhe Sejfi Vllamasi ishin të një mendjeje për fillimin sa më shpejt të punës për përgatitjen e një kongresi kombëtar në Shqipëri, me qëllim që ta shpëtonin vendin nga rreziku që i kërcënohej. Që nga kjo periudhë, filloi angazhimi aktiv i Ahmet Zogut në këtë organizatë. Drejtuesit e organizatës “Krahu Kombëtar” (Klikës) patën meritën, pasi ata u bënë nismëtarët dhe organizatorët e Kongresit Kombëtar të Lushnjës të vitit 1920. Me krijimin e qeverisë së re shqiptare, që doli nga Kongresi i Lushnjës, pjesa më e madhe e drejtuesve të qeverisë dhe ushtrisë shqiptare i përkisnin kësaj organizate të fshehtë politike.

Siç dihet, më 13 qershor 1920, i riu shqiptar Avni Rustemi vrau në Paris Esat Pashë Toptanin. Me sa duket, prapa kësaj vrasjeje politike qëndronin drejtuesit e “Klikës”, të cilët synonin ta hiqnin qafe Esat Pashë Toptanin, kundërshtarin e tyre kryesor politik. Historiani kanadez Robert C. Austin ka mendimin se Avni Rustemi e ndërmori këtë veprim me mbështetjen e “një grupimi politik” nacionalist që bënte pjesë në Këshillin e Naltë dhe në qeveri, i cili ishte kundërshtar i vendosur i Esat Pashës. Teza e elaboruar prej tij të shtyn drejt mendimit se prapa këtij akti qëndronte organizata e fshehtë politike “Klika”. Robert C. Austin argumenton se deri në këtë periudhë Avni Rustemi nuk ishte ndonjë figurë e spikatur në skenën politike shqiptare. Duke parë argumentimin e Avni Rustemit gjatë seancave hetimore, argumentimin e prokurorit francez ku thuhet se Avni Rustemi kishte patur me vete një shumë të konsiderueshme të hollash, kishte mbajtur kontakte me përfaqësinë diplomatike shqiptare në Romë, kishte qëndruar për pak kohë në Shqipëri, si dhe nuk vijonte të frekuentonte kursin për të cilin kishte shkuar jashtë shtetit, ai arrin në mendimin se Avni Rustemi e kishte ndërmarrë këtë veprim me mbështetjen e “një grupimi politik” nacionalist që ishte kundërshtar i vendosur i Esat Pashës.

Pa dyshim, realizimi i vrasjes së Esat Pashë Toptanit nga ky i ri shqiptar nuk mund të realizohej pa pasur mbështetje politike dhe mjetet e nevojshme. Pas atentatit, nacionalistët dhe vetë qeveria shqiptare mori përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze. Pas pak kohe, Avni Rustemi u shpall i pafajshëm nga gjykata franceze me argumentimin se akti i këtij djaloshi ishte nxitur nga motivet dhe ndjenja e atdhetarisë. Autorët që qëndronin pas këtij atentati politik ende nuk janë përcaktuar saktë. Në kujtimet e tij, Syrja Bej Vlora shkruan se për organizimin e këtij akti fillimisht kishin dijeni tre ministra të qeverisë shqiptare dhe çështja e vrasjes së Esat Pashë Toptanit u diskutua paraprakisht gjerë e gjatë në praninë e regjentëve të shtetit shqiptar. Ata, së bashku, vendosën për zhdukjen e kundërshtarit të tyre kryesor politik. Eqrem Bej Vlora dhe studiuesi Bernd J. Fisher kanë shkruar se qeveria e ngarkoi me këtë detyrë Bajram Fevziun dhe Ali Bej Këlcyrën. Këta të fundit e bindën Avni Rustemin ta merrte përsipër realizimin e këtij atentati. Në vitin 1920, qeveria shqiptare vendosi konfiskimin e pasurive të patundshme të Esat Pashë Toptanit, duke e cilësuar atë si “tradhtar”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X