Edhe në arenën ndërkombëtare ngeli i izoluar dhe i keqdrejtuar. Qeveria e tij nuk pranohej nga superfuqia e kohës, Britania e Madhe, por për shkak të kontradiktave për koncensionet, mund të njihej nga qeveria italiane. Noli e takoi Musolinin në tetor 1924, por gjithë bisedën e fshehtë që e kishte zhvilluar, e dinte gjithë Tirana, sepse ai ua kishte treguar të gjithëve. Duke humbur përkrahjen e Italisë, Noli bëri gabimin tjetër, duke nisur procedurat e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik.
Kastriot DERVISHI, Tiranë
Fan Noli është një figurë e cila më së shumti është vlerësuar për dështimet e tij, duke lënë në hije anët pozitive të saj. Emri i tij mund të përmblidhet në aktivitetin si klerik, përkthyes, shkrimtar, muzikant, politikan (ministër, kryeministër, deputet). Regjimi komunist e ka vlerësuar e propaganduar në vite Nolin si deputet e kryeministër, përfshi qeverisjen 6-mujore të tij, nëpërmjet qindra studimeve, konferencave, teksteve shkollore, etj, duke e paraqitur këtë si pararojë e të majtës shqiptare, e vijuar me diktaturën e Enver Hoxhës. I është dashur ta shfrytëzojë, pavarësisht se marrëdhëniet nuk kishin qenë aq miqësore sa reklamoheshin. Unë e vlerësoj Nolin si shkrimtar e përkthyes krejt origjinal e të papërsëritshëm. Më poshtë po ndalem shkurtimisht në disa etapa të jetës së tij.
Me detyrë fetare të papërmbushur
Noli nisi procesin e autoqefalisë ortodokse shqiptare kur ende nuk ishte krijuar shteti shqiptar, në vitin 1908. Veprimi i tij ishte i guximshëm dhe gjeti miratim të bashkatdhetarët në SHBA, por vetë Noli ishte i paqartë se si duhet të shkonte ky proces për më tej. Pasi erdhi në Shqipëri, në vitin 1920, pas tre vjetësh u krye ceremonia e dorëzimit të tij në peshkop në Korçë. Ai nuk e vazhdoi misionin klerikal drejt synimit për të krijuar një sinod të shenjtë, sepse nuk e la ambicia politike. Ajo e vrau detyrën patriotike të Nolit dhe e la atë përfundimisht në një prift të thjeshtë jashtë atdheut.
Politikan në vitet 1920-1924
Aktiviteti politik i Fan Nolit në Shqipëri ishte vetëm në vitet 1920-1924, pra barazi me kohën e qëndrimit, ndërsa jashtë vendit aktiviteti i tij politik opozitar ishte në vitet 1925-1931. Fakt ishte se ai nuk e njihte Shqipërinë e as mendësinë e njerëzve të saj.
Noli erdhi në Shqipëri në vitin 1920, por hyrja e tij në territorin shqiptar u kundërshtua nga peshkopi grek, Jakovi i Durrësit (kundërshtar i rreptë i autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare), i cili i dinte qëllimet fetare të Nolit. Ndikimi i Jakovit ishte kaq i madh, sa Këshilli i Ministrave i shtetit shqiptar ishte në një mendje me të. Ishte ndërhyrja energjike e ministrit të Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, i cili bëri të mundur që Fan Noli të hynte në Shqipëri. Madje, iu lidh edhe një pension i posaçëm, i cili iu hoq më 2.3.1925 nga Kuvendi Kushtetues.
Për këtë arsye marrëdhënia e tij me Ahmet Zogun në vitet 1920-1922 ishte shumë miqësore. Në vitin 1921 Noli u emërua deputet nga shoqata “Vatra” dhe u pranua si i pavotuar nga parlamenti shqiptar. Noli u pozicionua në Partinë Popullore, bashkë me Ahmet Zogun, Bedri Pejanin, etj. Madje, në qeverinë e Xhafer Ypit, në dhjetor 1921 Noli u caktua ministër i Punëve të Jashtme, detyrë të cilën e mbajti deri në shkurt të vitit 1922. Në këtë detyrë ai nuk pati shumë kohë ta tregojë veten, sepse zgjodhi të tërhiqet e të kalojë në krahun e kundërshtarëve të Ahmet Zogut. Këtu mund të kenë ndikuar shumë faktorë, nisur nga armiqësia politike e kësaj kohe e Faik Konicës me Ahmet Zogun, kërkesa për ndryshime të shpejta të vendit, gjë që ishte e pamundur në kushtet e Shqipërisë etj. Ndërkaq në misionet në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (jo si kryeministër), Noli tregoi zotësi e paraqitje dinjitoze.
Po ashtu ai u zgjodh deputet në dhjetor 1923, duke regjistruar kësisoj dy mandate të tilla. Në aktivitetin e tij parlamentar, ai shkëlqeu si orator, duke mbetur mbase i jashtëzakonshëm dhe i pakonkurrueshëm, por jo pak herë në fjalime nuk kishte thelb e argument, ngase ato mbuloheshin nga sarkazma e mllefi i tepruar.
Kryeministër anarkist
Noli u bë shpejt pjesë e opozitës së viteve 1922-1924. Në Vlorë u caktua kryetar i një komiteti revolucionar dhe më pas, me short, u caktua kryeministër i një qeverie të dalë nga një grusht shteti i armatosur, që çuditërisht quhej “demokratike”. Në qershor-dhjetor 1924, dëshmoi dështimin më të madh të jetës së tij, duke drejtuar me mendjelehtësi një qeveri që solli anarki e pasiguri. Noli donte të tregonte një karakter diktatorial, por ai nuk kishte mjete ta demonstronte këtë. Më shumë këtë e tregoi në procese politike për dënimin e kundërshtarëve politikë, të cilat nuk ishin se kishin ndonjë vlerë për ata që nuk ndodheshin këtu. Rrymat politike të qeverisë ishin në luftë të ashpër me njëra-tjetrën. Vendi nuk qeverisej fare, ndërsa marrëdhëniet me jashtë ishin tërësisht amatore. As ana financiare nuk ishte e mirë. E vetmja shpresë ngeli borxhi nga jashtë, i cili nuk iu dha. Qeveria e tij ishte e paligjëruar. Ai mori funksionin edhe të anëtarit të mbetur të Këshillit të Naltë, Sotir Peci. Po kështu aktiviteti i qeverisë nuk kontrollohej nga parlamenti, ndërsa Noli premtoi disa herë se do bënte zgjedhje të përgjithshme.
Edhe në arenën ndërkombëtare ngeli i izoluar dhe i keqdrejtuar. Qeveria e tij nuk pranohej nga superfuqia e kohës, Britania e Madhe, por për shkak të kontradiktave për koncensionet, mund të njihej nga qeveria italiane. Noli e takoi Musolinin në tetor 1924, por gjithë bisedën e fshehtë që e kishte zhvilluar, e dinte gjithë Tirana, sepse ai ua kishte treguar të gjithëve. Duke humbur përkrahjen e Italisë, Noli bëri gabimin tjetër, duke nisur procedurat e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Me këtë veprim, ai fitoi armiqësinë e të gjitha fuqive të mëdha. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbajti një fjalim tejet tallës ndaj fuqive në Lidhjen e Kombeve.
Udhëheqës i revolucionarëve në vitet 1925-1931
Ai u bë udhëheqësi i opozitës revolucionare të financuar nga Bashkimi Sovjetik, të quajtur Komiteti Nacional Revolucionar, i cili më pas u radikalizua në Komitetin e Çlirimit Nacional (KÇN) duke qëndruar në Vjenë (1925-1927) dhe Berlin (1927-1931). Vizitoi edhe Bashkimin Sovjetik në vitin 1927 në kohën kur diktatura atje ishte thelluar. Noli gjeti forca dhe e kuptoi se udhëheqja që po u bënte revolucionarëve, kontradiktat e shumta etj., ishte një rrugë pa krye dhe pa të ardhme. Për këtë arsye ai e braktisi këtë rrugë. Lëkundja filloi qysh në vitin 1930, kur ai mbërriti në SHBA.
Marrëdhëniet e Nolit me persona të ndryshëm nuk kanë qenë të pandryshueshme. Me Faik Konicën ai ishte mik i madh, u grindën e u bënë armiq politikë, por sërish u bënë miq. E njëjta gjendje edhe me Ahmet Zogun. Në vitin 1934 Noli iu drejtua për ndihmë financiare Mbretit Zog, e cila iu dha. Po këtë kohë, Mbreti Zog kishte në plan të çelte universitetin dhe ta bënte Nolin rektor të parë të tij. Noli e vlerësoi Mbretin edhe me një deklaratë në vitin 1943.
Marrëdhëniet me regjimit komunist, me shumë të panjohura
Marrëdhëniet e regjimit komunist me Fan Nolin janë interesante, por pak të njohura. Regjimit i duhej emri i Nolit si antizogist e revolucionar, por deri këtu. Noli në fillim e përkrahu regjimin e Enver Hoxhës nëpërmjet disa deklaratave. Por, shpejt ai u bë hezitues dhe aspak përkrahës i tij. Ndikoi këtu dënimi nga Partia Komuniste në vitin 1947 i ish sekretarit të tij, Sejfulla Malëshova. Jo se Noli kishte ndërmend t’i rikthehej politikës, por ai nuk e vlerësoi as edhe mundësinë e një vizite në Shqipëri dhe nuk foli më pro regjimit. Nuk e kritikoi publikisht, por dukej që nuk u rreshtua pro tij. Madje, Drejtoria e Zbulimit Politik e Sigurimit të Shtetit, çeli një fashikull për Nolin, duke e cilësuar kundërshtar të regjimit komunist.
Më 27.6.1958 punonjësit e misionit shqiptar në Nju-Jork e takuan Fan Nolin, për të ditur mendimet e tij, por ai nuk u dha ndonjë opinion të mirë për regjimin komunist, sikurse ata prisnin. Punonjësit e cilësonin Nolin si “të zgjuar, dinak, por njeri të lekut”. Me vendimin nr. 378, datë 26.10.1958 Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ftoi Fan Nolin të vinte në Shqipëri me rastin e ceremonive të “15-vjetorit të çlirimit të atdheut”. Noli nuk iu përgjigj ftesës. Përpjekjet vazhduan.
Më 8.1.1960 shefi i marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror, Piro Bita, i kërkoi Enver Hoxhës të miratonte dërgimin e një telegrami urimi me rastin e 80-vjetorit të lindjes, nga Universiteti Shtetëror dhe Lidhja e Shkrimtarëve, për të cilën Ministria e Punëve të Jashtme ishte dakord. Enver Hoxha nuk e miratoi. La shënimin: “Jo asgjë mos i bëhet, pse nuk qëndron në favorin e RP të Shqipërisë”.
Unë besoj se nëse Noli do kishte bërë gabimin e jetës, të vinte në Shqipërinë kumuniste, do kishte qenë i dënuar nga regjimi komunist me vdekje ose do të vdiste në burg. Sot do të ishim ende në kërkim të gjetjes së eshtrave të tij.