loader image
October 24, 2025

Fan Noli edhe në fushën e gjuhësisë

Fan Noli ka bërë sprova edhe me shkrime që i përkasin mirëfilli gjuhësisë. Punimi i parë mban titullin “Shënime për vendin e prejardhjes dhe qytetërimin e indoeuropianëve”. Është dorëshkrim në Arkivin Qendror (Fondi 17, Dosja 30). Ishte hartuar anglisht në fillim të viteve 1940. E kam përkthyer shqip dhe është botuar në “Vepra 5” më 1988. Prejardhja e shqipes si gjuhë indoeuropiane është një nga temat qendrore të gjuhësisë sonë, madje edhe vërtetimi nga Franc Bopi afër dy shekuj më parë i natyrës indoeuropiane të shqipes mbetet edhe sot pjesë e pandarë e studimeve për shqipen.

Xhevat LLOSHI, Tiranë

Për një autor të shquar e shumëpërmasor si Fan Noli vazhdimisht do të kishin fuqi tërheqëse gjuha dhe gjuhësia. Një publicist, poet, përkthyes dhe predikues e ka fjalën mjetin e vet kryesor, të cilit nuk mund të mos i kushtojë vëmendje. Në rastin e Fan Nolit kësaj i shtohet edhe dashuria për gjuhën amëtare dhe në veçanti për vlerat e saj kulturore, për cilësitë shprehëse dhe për mundësitë e brendshme që hapin pasuria dhe larmia e mjeteve të saj. Natyrisht, këtu vijnë edhe talenti i tij, edhe aftësitë e tij për t’i rrokur këto veti dhe për t’i mishëruar në shkrime të fushave mjaft të ndryshme. Jorastësisht meshën e tij të parë më 24 maj 1908 në Filadelfi e shoqëroi me një përshpirtje kushtuar K. Kristoforidhit. Qysh kur ishte në shkollë të mesme xhaxhai i kishte dhënë përkthimin e Kristoforidhit të Dhiatës së re dhe u mrekullua nga shqipja e pasur dhe e përpunuar, të cilën ai vetë do ta ngrinte edhe më lart nga vlerat dhe përkryerja stilistike.

Po citoj vetëm dy raste, ku shfaqet dashuria e tij frymëzuese për shqipen. Rasti i parë është pikërisht nga ajo mesha e tij: “Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërteton më së miri edhe mesha jonë sot, të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat që ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës!” Rasti i dytë është nga një shkrim në gazetën “Dielli” në shkurt 1916: “Gjuha popullore shqipe e kulluar është ajo që flitet dhe këndohet prej popullit të maleve dhe të fushave, me fustanella e me çakshirë, me silahun plot me armë, me dyfekun më krahë e me gjoksin të hapur… Dokumentet më të mira të gjuhës shqipe janë përrallat, këngët e të thënat popullore, siç i tregojnë plakat e qëmoçme me cibune”.

Disa herë kam shkruar për mjeshtërinë e tij të lartë si përkthyes, prandaj nuk do të ndalem te kjo pikë. Mjafton të shënoj se për këtë lëmë është përdorur termi “shqipërim”, domethënë ky autor ka synuar t’i qëndrojë besnik origjinalit në gjuhën e huaj, por njëkohësisht t’i japë tekstit frymën e shqipes, që të mos ndihet artificial dhe pedant teksti shqip, i cili përcjell atë pamje të botës, bashkë me ndjenjën që përftojnë mjetet e gjuhës. Do të veçoj mjeshtërinë e tij në simbolizmin tingullor, se si i ka dhënë përftesat tingullore si në vjershat e Edgar Poe-s, ashtu edhe kur sjell namatisjet e magjistricave te “Makbethi” i Shekspirit.

Ndërkaq, dëshiroj këtë radhë të nxjerr në dukje se Fan Noli ka bërë sprova edhe me shkrime, që i përkasin mirëfilli gjuhësisë. Punimi i parë mban titullin “Shënime për vendin e prejardhjes dhe qytetërimin e indoeuropianëve”. Është dorëshkrim në Arkivin Qendror (Fondi 17, Dosja 30). Ishte hartuar anglisht në fillim të viteve 1940. E kam përkthyer shqip dhe është botuar në “Vepra 5” më 1988. Prejardhja e shqipes si gjuhë indoeuropiane është një nga temat qendrore të gjuhësisë sonë, madje edhe vërtetimi nga Franc Bopi afër dy shekuj më parë i natyrës indoeuropiane të shqipes mbetet edhe sot pjesë e pandarë e studimeve për shqipen. Arsyeja është se nga ky këndvështrim jepen edhe argumente shkencore të autoktonisë së shqiptarëve, të veçantisë së tyre etnike, kurse këto çështje vazhdojnë të kenë rëndësi edhe sot jo vetëm nga pikëpamja shkencore, por edhe e interesave rrënjësorë të kombit në suazën e gjeopolitikës për ditët e tanishme. Qysh më 1916 ai kishte botuar një artikull me titullin “Shqiptarët janë raca më e vjetër e Europës”.

Punimet e Nolit në fushën e gjuhësisë janë të nivelit të kohës kur ai i hartoi. Dëshmia më bindëse është përmendja prej tij e disa gjuhëtarëve kryesorë në këtë fushë. I pari ishte Herman Hirti (1865-1936), gjuhëtar gjerman. Një nga veprat e tij më të mëdha ka qenë “Gramatika e indogjermanishtes” në shtatë vëllime (1921-1937). Për shqipen ai kishte një qasje të veçantë. Pa hyrë në hollësitë teknike të gjuhësisë, po vë në dukje se ai e kishte quajtur shqipen gjuhë satem, domethënë jo me prejardhje drejtpërdrejt nga ilirishtja, të cilën e vështronte si gjuhë kentum. Si rrjedhim, e quante më kryesore vijën e prejardhjes trake. Në kohën tonë ky dallim i prerë ndërmjet gjuhëve satem e kentum është lëkundur, por edhe albanologu i njohur Norbert Jokli, që më 1917, në artikullin “Albanesisch” e kishte hedhur poshtë tezën e tij për prejardhjen trake të shqiptarëve. Autori tjetër i përmendur ishte Antuan Mejeja (Antoine Meillet, 1866-1936), gjuhëtar francez, autor gjithashtu i njohur për studimin krahasues të gjuhëve indoeuropiane, por që ka shprehur mendime krejt të shtrembëra për shqipen e sotme. I treti ishte Holger Pederseni (1867-1953), gjuhëtar i shquar danez, i cili e ngriti lart dinjitetin e shqipes edhe si gjuhë të lashtë.

Duke u mbështetur në arritjet e deriatëhershme të studimeve etimologjike për gjuhët ie. Noli rroku disa nga çështjet më të rëndësishme që dilnin nga etimologjia për të ndriçuar historinë e popujve ie., në veçanti trevat e prejardhjes dhe të kulturës së tyre. Është e natyrshme që sot, pas kaq dhjetëvjeçarëve më pas, studimet kanë sjellë ndryshime si në trajtimin e fjalëve të veçanta, ashtu edhe për çështjen e dallimit satem-kentum. Megjithatë, punimi i Nolit në vijat e përgjithshme i qëndron kohës. Veçanërisht vlen të vihet në dukje përfshirja pa mëdyshje nga ana e tij e etimologjive të shqipes në këtë problematikë te gjerë e të vështirë. Studimi përmban 35 fjalë shqipe, të vështruara në lidhjet e tyre etimologjike brenda familjes ie. Fjalët që shqyrtohen kanë të bëjnë me qytetërimin ie. dhe rrokin aspekte të bujqësisë e blegtorisë, të mjeshtërive e të metaleve, të tregtisë e të marrëdhënieve familjare, si dhe të besimit. Një paraqitje e tillë hedh dritë në problemet e lashtësisë së popullit tonë, të fizionomisë e të rolit të tij në qytetërimin europian.

Në atë kohë etimologu ynë i shquar, Eqrem Çabeu, ende nuk kishte nisur të botonte studimet e veta etimologjike në fushë të shqipes, domethënë Fan Noli nuk mund t’i njihte ato. Nga ana tjetër, E. Çabeu gjithashtu nuk e dinte ekzistencën e dorëshkrimeve të Nolit. Pavarësisht prej këtyre fakteve të qarta, e vlen të bëhet një krahasim i shpejtë. Veç kësaj, të dy këta autorë janë mbështetur edhe te Fjalori i njohur etimologjik i Gustav Majerit, të cilin gjithashtu e përmend. Ndërkaq, tre gjuhëtarët e tjerë Noli i shoqëron me epitete tejet karakteristike për stilin e vet. Hirtin e quan entuziasti, Pedersenin konservatori dhe Mejene dyshuesin.

Nuk është vendi këtu për t’i marrë një nga një gjithë fjalët, që ka përzgjedhur Noli, prandaj do të ndalem te pak prej tyre. Shqipen ujë ai e ka përfshirë si me prejardhje ie. bashkë me fjalët e 15 gjuhëve të tjera, ndërsa për këtë fjalë janë dy herë më shumë se te E. Çabeu, i cili natyrisht po ashtu e ka përcaktuar si pjesë të trashëgimisë ie. Edhe për ngjalën Noli rreshtohet te prejardhja ie. ashtu si dhe Çabeu, e gjithashtu për ujk, ari, dimër. Si fjalë të vjetra të shqipes Çabeu ka pranuar edhe borë, rosë. Nga ana tjetër, për disa prej etimologjive ie. për të cilat Noli bashkohej me gjuhëtarët e përmendur, Çabeu ka dhënë shpjegime të tjera, të ndryshme. Pellg vjen nga greqishtja e vjetër; anije është formim i brendshëm nga enë; rrem e ka prejardhjen nga latinishtja. Do të shtoja këtu edhe fjalët që nuk i ka trajtuar E. Çabeu: salmoni është një huazim i ri nga italishtja, në të cilën dëshmohet prej shek. XIII me prejardhje nga latinishtja, e cila e kishte marrë nga ana e vet prej keltishtes. Vidra është një huazim prej bullgarishtes. Edhe kastori është një huazim i ri për shqipen nga italishtja po ashtu prej latinishtes dhe e dëshmuar aty në shek. XIII.

Sidoqoftë, rëndësi ka që Noli, pavarësisht prej disa vlerësimeve që kanë ndryshuar, ka rrokur tablonë e përgjithshme të kësaj problematike: pikëpamjet e ndryshme, vendin e prejardhjes së indoeuropianëve, natyrën e tij që ka përcaktuar fjalët e përbashkëta, qytetërimin e tyre, bujqësia dhe kafshët shtëpiake, mjeshtëritë, armët, numërimi, shkrimi, marrëdhëniet familjare, feja. Aty ku ka mundur, ka përfshirë edhe ndonjë fjalë të shqipes, si: lëroj, grij, zgjedhë, mjel, derr, lesh, gjalpë, vend, derë, venj, hekur, atë, mëmë, vjehërr, motër, vëlla, nuse, zot. Do të shkonte shumë gjatë, nëse për secilën nga këto fjalë do të jepja përfundimet në të cilat ka arritur E. Çabeu, gjithsesi është e sigurtë se shumica e tyre është vërtetuar se i përkasin trashëgimisë së lashtë.

Punimi i dytë mban titullin “Studime në fushën e etimologjisë e të semantikës”. Po ashtu dorëshkrimi është anglisht, ndodhet në AQSH dhe e kam përkthyer dhe botuar në vëllimin 5 të Veprave më 1988. Ndërkaq, ky dorëshkrim ka edhe një shënim me dorën e Nolit: “Universiteti i Bostonit. Dega e gjuhësisë, prof. Agnew; 1941-1942”. Në këtë mënyrë ndriçohet disi historia e këtyre dy dorëshkrimeve. Ishte periudha kur Noli përkohësisht u mënjanua nga jeta politike dhe prej vitit 1938 iu drejtua Universitetit të Bostonit për të marrë një gradë shkencore. Po aty mori gradën PhD me punimin që u bë libri i tij për Skënderbeun, madje edhe për punimin e njohur ndërkombëtarisht kushtuar Betovenit, që u botua më 1947. Me sa duket, udhëheqës i punimit ka qenë Malcolm E. Agnew, i cili më del se ka qenë pedagog i gjuhëve klasike në atë universitet.

Natyra e punimit të dytë është e ndryshme. Nga ana metodike ka marrë grupe prej dy-tri fjalësh, që mund të kenë prejardhje etimologjike të afërt, dhe i ka shqyrtuar. Po sjell shembullin e parë. Janë tri fjalë të anglishtes: cynic, hound, kennel (cinik, qen, kasolle qeni). Ndonëse ky tip shqyrtimi është larg trajtimeve për gjuhën shqipe, autori herë pas here merr në vështrim edhe dukuri që kanë të bëjnë me shqipen. Mbiemri cinik është huazim i vonë në shqipen, nuk kam dëshmi më të hershme se fundi i viteve 1920; “Liria kombëtare” në tetor 1930 ka edhe ndajfoljen “cinikërisht”. Nuk e ka as Stuart Mani në Fjalorin e vitit 1948, madje Th. Floqi në Fjalorin italisht-shqip të vitit 1939 e ka përkthyer “i paturpshëm:! Gjithsesi, e ka Fjalori i gjuhës shqipe më 1954 dhe njëkohësisht Fjalori rusisht-shqip i po atij viti. Ndërkaq, Noli ka shkuar më tej, duke dhënë kuptimet e prapashtesës –ic, e cila ndeshet edhe në shumë fjalë të tjera të huazuara të shqipes. A. Xhuvani dhe E. Çabeu, në punimin e rëndësishëm “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), e kanë kaluar këtë prapashtesë me një shënim, meqë është e huazuar. Por, Noli ka dhënë shpjegime të ngjeshura dhe të vlefshme, sepse nuk mund të kapërcehen dukuritë gjuhësore vetëm me një qëndrim purist, ndërkohë që ato zënë vend të madh në gjuhën shqipe.

Po me këtë qëndrim purist edhe “Gramatika e gjuhës shqipe” e Akademisë së Shkencave (I, 1995) e ka kaluar shkarazi këtë prapashtesë. Ndërkaq F. Noli më se 80 vjet më parë ka shkruar kështu: Është me prejardhje latine (-icus) dhe greqishte e vjetër (-ikos). Shërben për formimin e mbiemrave nga emrat dhe të emrave nga këta mbiemra. Mbiemrat kanë kuptimin e diçkaje të ngjashme, që ka të bëjë me të (heroik, fantastik). Përdoret për të formuar terma shkencorë (magnetik, karbonik); mbiemra nga emra të përveçëm (napoleonik, italik); si zgjerim për emrat në -ist (artistik, realistik). Ndërsa emrat e ardhur nga mbiemrat përkatës janë jo vetëm prej temave të greqishtes (klasik, sttoik), por edhe për formimet e reja nga tema të artit e shkencës. Noli këtu ka sjellë emërtimet e shkencave në anglishten, që mbarojnë me –ics, ndërkaq sot vërehet që disa fjalë po imitohen prej anglishtes pikërisht sipas këtij tipi fjalëformimi; si shembull më del ekonomiks; e kam të dokumentuar “profesor ekonomiksi” në gazetën “Shekulli” (8 gusht 2008).

Autori vazhdon me kuptimin në zanafillë të “cinik”, duke sjellë edhe shembullin e Diogjenit si cinik, “Diogjen qeni”, me shumë gjasa ngaqë ai dukej, jetonte e sillej si qen. Është një rast i ngushtimit dhe i specializimit të kuptimit. Sërish i është drejtuar dallimit të gjuhëve satem dhe kentum, por gabimisht shqipen këtu e përfshin te gjuhët kentum.

Për parashtesën e huazuar anti- A. Xhuvani dhe E. Çabeu në punimin e tyre të vitit 1975 kanë dhënë këtë shpjegim: është në thelb huazim prej greqishtes; në gjuhën e re të shkrimit ka dhënë emra e mbiemra me kuptimin e kundërshtisë e të armiqësisë, në funksion të ngjashëm me atë të kundër-. Tridhjetë vjet më parë Fan Noli shkruante: përdoret me kuptime të ndryshme në fjalët e përbëra greke dhe një nga kuptimet është kundërvënia. Në anglishten përdoret lirisht për të formuar fjalë të reja të përbëra, emra dhe mbiemra, me kuptimin e përgjithshëm të kundërvënies, armiqësisë, rivalitetit. Në emrat e barnave shpreh një mjet mjekues, si: antidot, antiskorbutik. Në disa fjalë të përbëra nga latinishtja anti- përfaqëson parashtesën latine ante-. Xhuvani dhe Çabeu kanë shtuar, se që nga Gj. Buzuku del antifenë “antifonë”, por kjo nuk është në rregull, sepse në gjuhën shqipe te kjo fjalë nuk perceptohet një parashtesë “anti-fenë”; thjesht është cituar fjala si tërësi.

Ndër të tjera Noli tregon se katedrale, e dëshmuar në anglishten më 1297, vjen nga latinishtja e vonë prej greqishtes “kathedra” me kuptimin e karriges, fronit, me prapashtesën latine –alis, -al. Obsesion, e dëshmuar në anglishten më 1513, vjen nga lat. obsessionem me kuptimin e pjesores e “ndjek” dhe prapashtesa –ion, po ashtu prej lat. –ionem. Edhe në gjuhën shqipe ka një numër jo të vogël fjalësh me këtë prapashtesë, si: aksion, mision, revolucion etj. mirëpo nuk e kanë as Xhuvani-Çabej dhe as Gramatika e vitit 1975. Këtu lind një pyetje, e cila kërkon studim për t’iu përgjigjur: a veçohet një prapashtesë –ion në gjuhën shqipe, apo janë të gjitha raste huazimesh si fjalë më vete të përbëra, pa u perceptuar me një prapashtesë? Antologji në anglishten dëshmohet nga viti 1640. Vjen nga greqishtja antho- “lule” dhe –logy “përmbledhje”. Është huazim i ri për shqipen; nuk e kishte S. Mani më 1948, por e kishte Th. Floqi më 1939: anthologji. Për kuptimin e lat. legere Noli afron me të drejtë fjalët shqipe zg-ledh, mb-ledh, që shkojnë si trashëgimi ie. Njëkohësisht ai shkruan hollësisht për fjalën “logos” duke nisur me Heraklitin 500 vjet para e.re, pastaj me sofistët, me Platonin e deri te Ungjilli i Gjonit, i cili mëtonte se “Në krye të herës ishte fjala”, dhe pastaj te Gëtja që e kundërshtoi: “Në krye të herës ishte veprimi”. Dhe e përfundon me stilin e tij, në të cilin gjenin vend gjithnjë edhe turqizmat: “Po, fjalët janë kameleonë shumë marifetçinj, dhe ju nuk mund ta merrni vesh kurrë se ç’është njëra e ç’është tjetra, po nuk njohët historinë e tyre, kurse historia e disave prej tyre është e pafund”.

Në treshen e fundit është edhe kapriçoz. Në gjuhët neolatine pjesa e parë vjen nga lat. caper, me të cilën lidh edhe shqipen cjap, por e çon edhe më tej se mund të lidhen edhe me sanskritishten kaprt dhe shqipen kare, organi gjenital. Për këtë të fundit E. Çabeu pranon mundësinë që të ketë ardhur nga të folët e evgjitëve (kam frikë, se këtu është një gabim: duhej thënë të romëve, sepse evgjitët vinin nga Egjipti dhe mund të kishin vetëm arabishten që e kanë humbur, ndërsa gjuhë të tyren kanë vetëm arixhinjtë). Edhe një prejardhje fantastike, për të cilën ka shkruar pak ditë më parë Auron Tare në gazetën “Dita” nuk qëndron nga asnjë pikëpamje. Më poshtë Noli zgjatet një faqe e gjysmë për fjalën tragjik (dëshmuar në anglishten më 1545), sepse tema e fjalës trago do të thotë sërish cjap. E përshkruan hollësisht ritualin e cjapit si një totem, prej të cilit lindi tragjedia greke. Në shek XVI disa amatorë italianë të Firences e rigjallëruan tragjedinë e vjetër dhe krijuan operën e sotme.

Dorëshkrimi i dytë nuk është i përfunduar; jepet një treshe tjetër dhe nuk ka shtjellim të mëtejshëm.

E vlen të nxirret në pah, se në këto dy punime gjuhësore Noli operon me nocione të përpikta e të nivelit bashkëkohor. Në një farë mënyre, ai kështu për disa raste u ka paraprirë studimeve etimologjike të gjuhësisë shqiptare të kohëve moderne, që do ta çonin përpara këtë fushë. Gjithsesi, edhe aty ku disa pohime të tij, me gjithë informacionin e gjerë që përmbajnë, janë të gabuara, tekstet e tij lexohen me kënaqësi për shkak të stilit të tij, të ruajtur edhe në gjuhën angleze, të cilin jam përpjekur sado pak ta përcjell edhe në përkthimin shqip.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X