Është e vërtetë se shqiptarët dolën nga komunizmi, por komunizmi nuk doli nga shqiptarët. Enveristët, duke e ndërtuar oponencën me “armikun e klasës”, “borgjezin”, “revizionistin” etj., në të vërtetë e kanë justifikuar pasionin e tyre për ta përfituar dhe mbajtur pushtetin me çdo mjet, qoftë edhe me dhunë, gjithnjë sipas leksioneve të Leninit se idealet e ideologjisë përmbushen vetëm përmes pushtetit.
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup
Kur po shënohet 35-vjetori i rënies së komunizmit në Shqipëri, që pasoi pas një sërë ngjarjesh në Europën Lindore, si rënia e Murit të Berlinit (3 tetor 1989) ose vrasja e Çausheskut (25 dhjetor 1989), është koha të reflektojmë jo vetëm se a është dekomunistizuar mjaftueshëm shoqëria shqiptare përgjithësisht, por edhe cili është perceptimi ynë i përgjithshëm për diktaturën komuniste dhe Diktatorin edhe sot, pas 35 vjetëve pluralizëm politik.
Duke qenë të ndarë në dy shtete të ndryshme socialiste ose komuniste (nocionet janë të debatueshme), në Jugosllavinë federative dhe në Shipërinë e izoluar nga Enver Hoxha, shqiptarët sot – 35 vjet pas kalimit në pluralizëm – vazhdojnë të kenë perceptime të çuditshme mbi komunizmin.
“Titistët janë antshqiptarë”
Meqë Jugosllavia, përgjithësisht, është perceptuar si aparat shtetëror antishqiptar, ndërsa kjo është thelluar si bindje veçmas në vitet e ’80-ta, ka lënë pak mundësi që shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë ta shohin atë periudhë si të favorshme për ta. Ndonëse klasa komuniste shqiptare në Jugosllavi, veçmas ajo e Kosovës, shpesh ka argumentuar në mënyrë empirike se shqiptarët në Jugosllavi kanë jetuar shumë më mirë, edhe në aspekt të lirisë edhe në aspekt të mirëqenies, duke bërë krahasime me dëmin që e ka shkaktuar ndaj shqiptarëve Enver Hoxha në Shqipëri, opinioni shqiptar i këndejkufirit ka vazhduar ta ushqejë bindjen se komunistët shqiptarë të Jugosllavisë ishin, në rastin më të mirë, ta pavetëdijshëm se i shërbenin Titos dhe, në fund, Millosheviqit, ndërsa – në rastin më të keq – se ishin të shitur te jugosllavët për interesa të tyre meskine. Për shkak të përvojës së luftës së viteve 1998-99 dhe për shkak se Millosheviqi ishte një zgjatim i së kaluarës jugosllave, klasa politike komuniste në Kosovë mbeti gati e parehabilituar dhe e pavlerësuar objektivisht, ashtu që kjo duhet dhe pritet të bëhet në të ardhmen nga një akademi serioze. Po themi vetëm se është e qartë se pas suprimimit të autonomisë së Kosovës (23 mars 1989) erdhi një klasë politike e shqiptarëve në Kosovës e lidhur ngusht me regjimin millosheviqian, por përgjithësimi nuk mund të bëhet edhe për periudhën e Mahmud Bakallit, por edhe të Azem Vllasit.
Sidoqoftë, historianët, por jo vetëm, në të ardhmen duhet ta shqyrtojnë se cili është roli i saktë i drejtuesve politikë kosovarë në vitet e ish Jugosllavisë në raport me lirinë, barazinë dhe mirëqenien e shqiptarëve në atë shtet, duke e bërë këtë me objektivitet shkencor, madje me matje statistikore të parametrave zhvillimorë dhe krahasime konkrete e të sakta me republikat e tjera jugosllave, si dhe me Shqipërinë, në anën tjetër, pa ekzagjerime, por edhe pa tendencë nënvlerësimi të punës së tyre.
Kur jemi këtu, ta themi shkurt se shqiptarët e tjerë në ish Jugosllavinë socialiste, ata në Maqedoni, në Mal të Zi ose edhe në Luginë të Preshevës, kanë qenë gati të paintegruar në sistem dhe prandaj për ta Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë republika shumë antishqiptare, sepse kanë kufizuar shumë të drejta kombëtare, si arsimi, gjuha, simbolet, përfaqësimi etj. (Po përmendim vetëm një fakt: në Shkup, ku kishte 10-12 shkolla shqipe fillore në qytet dhe mbi 40-50 shkolla të tjera shqipe nëpër fshatra, në gjimnazin “Zef Lush Marku” mund të regjistroheshin vetëm tre klasë me nxënës shqiptarë me mësim në gjuhën shqipe – të tjerët duhej të mësonin maqedonisht ose të mos shkolloheshin, e të mos flasim për pamundësinë e regjistrimit në universitet).
Enverizmi i ambalazhuar si patriotizëm
Në anën tjetër, Shqipëria – pas Luftës së Dytë Botërore – kishte hyrë thellë në kauzën komuniste, duke u bërë, së pari projugosllave, pastaj prosovjetike dhe, në fund, prokineze, saqë ndikimi dhe interesi i saj për shqiptarët në ish Jugosllavi ka qenë gati i pahetueshëm. Ideologjia komuniste atje ishte vendosur mbi interesin kombëtar – më e rëndësishme ishte të jesh komunist i devotshëm sesa shqiptar patriot.
Megjithatë, për shqiptarët në Jugosllavi, duke qenë të shtypur nga regjimi i Titos ose, së paku, duke e ndjerë politikën antishqiptare të Serbisë ndaj tyre, veçmas në kohën e Rankoviqit, në fillimet e Jugosllavisë federative, dhe atë të Millosheviqit, në fund të Jugosllavisë, ishte krijuar një sentiment dashamirës ndaj Shqipërisë, jo vetëm si “shteti amë”, por edhe si “ama e shqiptarisë dhe e mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare”. Për shqiptarët e këndejkufirit, dashuria për Shqipërinë ishte akt patriotik dhe, rrjedhimisht, dashuria për Enver Hoxhën ishte shndërruar në patriotizëm shqiptar. Shqiptarët këndej as që donin t’ia dinin për krimet që bënte Enver Hoxha në atë kohë ndaj bashkëkombësve të tyre atje. Për ata mjaftonte që ai ishte “shteti amë”. Sipas silogjizmit logjik “Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Sokrati është njeri. Andaj edhe Sokrati është i vdekshëm”, enveristët shqiptarë në Jugosllavi e kishin ndërtuar qëndrimin se “Enverizmi është patriotizëm shqiptar. Shqiptarët e mirë janë patriotë. Andaj shqiptarët janë enveristë.”. Mjaftonte kjo për të konkluduar, madje edhe sot veprohet kështu, që secili që ishte/është kundër Enver Hoxhës, të jetë tradhtar, titist, jugosllav, udbash etj.
Në këtë sentiment ndaj Shqipërisë sigurisht kanë luajtur rol të veçantë përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Europë dhe gjetiu, që i kanë indoktrinuar të rinjtë shqiptarë me këtë ideologji, të cilët do të jenë pastaj edhe nismëtarët e organizatave shqiptare, përgjithësisht ilegale, të cilat ishin antijugosllave, por i përkisnin spektrit ekstrem të majtë, andaj do të emërtoheshin “Fronti i Kuq”, “marksistë-lenininistët shqiptarë”, “lëvizja popullore”… etj., që i bie se Shqipëria – në emër të patriotizmit shqiptar – te shqiptarët në Jugosllavi po e sponsorizonte edhe ideologjinë enveriste të komunizmit më ekstrem që ka njohur historia.
Në këtë mënyrë, synimi ishte që shqiptarët në Jugosllavi të ndaheshin në shqiptarë “të ndershëm” (tradhtarë), ata që ishin integruar në institucionet e shtetit jugosllav, pavarësisht se mund të prodhonin edhe të mira për kombin e tyre, porse të gjithë ata etikoheshin si “jugosllave” ose “titistë”, dhe, në anën tjetër “shqiptarët patriotë”, që ishin antijugosllavë, por jo edhe antikomunistë. Ata ishin më komunistë se komunistët jugosllavë, në versionin më të egër të kësaj ideologjie, siç është enverizmi. Rrugë e tretë nuk u la, madje edhe sot rruga e tretë refuzohet: ose je me Titon ose me Enverin. Kjo dikotomi u krijua edhe për arsye se komunizmi (jugosllav e shqiptar) e kishte shkatërruar çdo celulë të organizatave nacionaliste shqiptare të spektrit të djathtë dhe tashmë në skenë ishin vetëm komunistët e të dyja anëve.
Për fat të keq, edhe sot – të gjithë ata që janë brumosur me këtë ideologji, ndërsa ata janë shumë dhe akoma janë në skenë – perceptimin për enverizmin si ideologji patriotike shqiptare dhe dashurinë për Enver Hoxhën e kanë njësoj. Eksponentë të tillë në Kosovë gjenden rëndom në partitë e dala nga lufta, ndërsa në Maqedoni të Veriut lidershipi i BDI-së është shembulli më tipik i këtij admirimi për Enverin dhe enverizmin.
Më ka rastisur që me disa prej tyre të bisedoj dhe sa herë që u përmenden krimet që i ka bërë Enver Hoxha ndaj shqiptarëve, argumenti i tyre është relativizimi: “Enveri ishte i detyruar t’i bënte ato vepra, sepse vetëm ashtu forcohej shteti” dhe “Enveri bëri shkolla, fabrika, spitale, asfaltoi rrugë, bëri ura, e solli elektrifikimin etj.”, duke i rënë me fshesë faktit se Enver Hoxha dhe aparati i tij shtetëror ka vrarë mijëra shqiptarë pa gjyq ose me gjyq politik, ka internuar dhjetëra mijë shqiptarë, ka arrestuar dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë për shkaqe politike (akuzat: ballist, zogist, titist, stalinist, maoist, revizionist) dhe një populli të tërë ia ka retushuar dashurinë për atdheun dhe kombin, në masën që kur ra komunizmi, thuajse të gjithë ishin gati ta braktisnin Shqipërinë, ndërsa për neve ishte habi se si pak njerëz nga ata kishin ndonjë emocion dashurie për flamurin kombëtar.
Armiku absolut
Është e vërtetë se shqiptarët dolën nga komunizmi, por komunizmi nuk doli nga shqiptarët. Enveristët, duke e ndërtuar oponencën me “armikun e klasës”, “borgjezin”, “revizionistin” etj., në të vërtetë e kanë justifikuar pasionin e tyre për ta përfituar dhe mbajtur pushtetin me çdo mjet, qoftë edhe me dhunë, gjithnjë sipas leksioneve të Leninit se idealet e ideologjisë përmbushen vetëm përmes pushtetit (Lenini:“Marrja e pushtetit politik është vetëm fillimi i revolucionit, jo fundi i tij.”). Në këtë mënyrë, qasja e këtillë ndaj oponencës ka vazhduar edhe në pluralizëm. Për Ali Ahmetin, si enveristi i fundit në Maqedoninë e Veriut, partitë që janë në oponencë me të nuk janë alternativa politike, me programe politike që ai mund të mos pajtohet dhe për të cilat ai ka vërejtje, por shqiptarët e tjerë për të janë “vasalë”, “hyzmeqarë”, “zagarë”, “antishqiptarë”. Sepse, sipas tij dhe racës së enveristëve, patentën e asaj çfarë është shqiptari, patriotizëm shqiptar, interes kombëtar, e kanë blerë ata dhe askush tjetër nuk mund të jetë shqiptar si ata e sa ata. Sipas kësaj logjike, ata janë tharmi i shqiptarisë dhe prandaj vetëm ata meritojnë të jenë në pushtet. Pa ata s’bën. Nëse ata nuk janë në pushtet, shqiptaria zhduket.
Kjo është matrica tipike komuniste, që – përveçse nuk lejonte as parti të tjera, madje as organizata civile jopolitike – ajo nuk duron dikë që mund të jetë oponencë. Stalini i kishte “kulakët”, Enveri i kishte “armiqtë e klasës”, Tito i kishte “informbyroistët”, ashtu si sot që enveristët e kamufluar çdo oponencë e shohin si armik që duhet zhdukur, e jo si një opsion politik me të cilin ke dallime dhe me të cilin edhe mund të bashkëpunohet nëse diku të puqen rrugët. Përkitazi me këtë Carl Schmitt-i, në “Teoria e partizanit”, thotë se ishte po ashtu Lenini ai i cili “armikun e vërtetë e bëri armik absolut”, i cili jo vetëm që duhet të mposhtet në luftë, por thjesht duhet të shfaroset fare.
Agresorët hedhin valle në sy të viktimave
Derisa flasim për mbetjen komuniste, njerëzve rëndom u kujtohen personalitete që ishin të fuqishëm në atë sistem, që mbetën ose u bënë të fuqishëm edhe në sistemin pluralist. Fjala bie, njëri ndër ministrat e fundit të Punëve të Brendshme në Shqipërinë komuniste deri në vitin 2021 ka qenë edhe kryetar Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Këso shembuj ka plot dhe gjithandej në vendet komuniste dhe kjo nuk është më tragjikja. Nuk është tragjike as konspiracioni (shpesh edhe i argumentuar) se krejt partitë e reja, që u krijuan në pluralizëm, janë derivat ose direktivë e Partisë së Punës.
Më problematik se kaq është se Shqipëria e re, edhe 35 vjet pas rënies së komunizmit, nuk e ka dënuar me asgjë krimin komunist. Mjafton të vizitohet “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë (muzeu i përgjimeve në Shqipërinë komuniste), që të shihet se çfarë krimesh ka lënë pas komunizmi. Por, nuk dimë asnjë prokuror, gjykatës, hetues, shef policie ose shef i shërbimit sekret të jetë dënuar për shkak të krimeve që i ka bërë. Viktimat janë aty, agresorët hedhin valle, ndërsa shteti sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Është për t’u habitur se si ka mundësi që edhe e a.q. e djathta shqiptare nuk e ka ngritur këtë çështje dhe ka lejuar që ajo të kalojë si asgjë. Në vitin 1991, por sigurisht deri në ditët tona, ishin ose janë akoma gjallë ata që kanë marrë aso vendimesh drakonike, ata që kanë vendosur për pushkatimet, internimet, ekzekutimet ose burgjet për arsye politike, por nuk kemi regjistruar asnjë rast që dikush nga ata të jetë dënuar për ato vendime.
Kjo flet se dikush, në këtë rast pushtetarët e rinj të së majtës e të së djathtës, i kanë mbrojtur të gjithë ata që i kanë duart e lara me gjak shqiptari dhe të cilët i kanë nënshkruar vendimet më famëkëqija, duke shkatërruar familje të tëra dhe duke e poshtëruar një komb të tërë.
Përtej kësaj, pasi që ata njerëz ndjehen rehat dhe e shohin se askush nuk i trazon, sot figurat e komunizmit ngrihen në piedestal. Slogani “Enver Hoxha ka vetëm ditëlindje” (në analogji me “Edhe pas Titos, Tito”) nënkupton se Enver Hoxha (më saktë enverizmi) nuk vdes kurrë, që nuk është vetëm si lexim ideologjik shqiptar, por edhe si lexim i përgjithshëm komunist, në përgjithësi, sepse sipas Trockit, revolucioni kurrë nuk përfundon, ai vetëm transformohet (Trocki: “Revolucioni fillon në kuadër kombëtar, por nuk mund të përfundojë aty; ai shndërrohet në revolucion botëror.”).
Për fat të keq, shumë shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, por edhe të mërgatës perëndimore, vazhdojnë të mos i regjistrojnë e konsiderojnë krimet e komunizmit në Shqipëri. Ata kanë ndaluar aty kur enveristi ishte patrioti dhe titisti ishte tradhtari, andaj – për ta – çdo sulm ndaj Enverit dhe enverizmit është titizëm, rrjedhimisht – sipas një silogjizmi të tillë logjik – antishqiptari. Për ata, krejt krimet e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kriminale janë të justifkueshme, sepse vetëm ashtu bëhej shteti.
Sikur kjo të përfundonte këtu, mbase edhe do të trajtohej si nostalgji ose emocion i së kaluarës, pro kur sheh se enveristët vazhdojnë të sillen edhe sot po me atë agresivitet, pse jo edhe dhunë, ndaj mendimit ndryshe, ndaj oponencës, kjo flet se po të kenë më shumë fuqi dhe po të mos jemi në kushte të mbikëqyrjes ndërkombëtare, dhuna do të ishte plotësisht legjitime, ashtu si në kohën Enverit vetë.
Kush e fal kriminelin, e amniston krimin!
Ndonëse Parlamenti Shqiptar më 2006 ka miratuar një rezolutë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” dhe më 2016 e ka miratuar edhe një rezolutë tjetër “Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerikëve fetarë”, ajo që e shohim në praktikë lë shumë për të dëshiruar. Asnjë i dënuar nga kriminelët dhe askush i dëmshpërblyer nga shteti për dëmin e shkaktuar.
Në të vërtetë, duke e dënuar realisht komunizmin, duhet të krijohet mundësia e ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë përdorur fuqinë e pushtetit për të ushtruar krime ndaj njerëzve për arsye ideologjike ose politike. Pas kësaj, duhet të ketë një ligj tjetër që ua ndalon fëmijëve të familjeve të tilla që të ushtrojnë funksione publike, sepse supozohet se ata do ta përdorin pushtetin për t’i fshehur ose zhdukur gjurmët e familjarëve të tyre, që kanë kryer krime të tilla. Po ashtu në sistemin arsimor duhet të hiqen të gjitha përmbajtjet që e lartësojnë të kaluarën komuniste dhe në kulturë të mos lejohen më këngë ose vepra arti që e madhërojnë atë periudhë.
Shoqëritë shqiptare, kudo që janë, kanë nevojë që përfundimisht të çlirohen nga kthetrat e komunizmit, ta pranojnë pluralizmin dhe të mësohen ta bëjnë jetën politike sipas standardeve që i bën gjithë bota demokratike.









