loader image
April 13, 2025

E djathta ekstreme – si një grupim favorizues i Federatës Ruse në Europë

Në një studim të botuar në vitin 2024 nga Qendra Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit (ICCT) me titull “Russia and the Far-Right Insights from Ten European Countries”, vihet në dukje se: “…deri në vitin 2024, Rusia inkurajoi, financoi, ose frymëzoi një varg aktorësh radikalë dhe ekstremistë që në mënyrë eksplicite mund të mos jenë as pro Moskës, por të veprojnë si përçarës politikë në vendet e tyre përkatëse”. (Rekawek, Renard,  Molas, 2024).

 Muhamed JASHARI, Shkup

Në numrin paraprak të kësaj reviste të respektueshme mbarëkombëtare shënuam që për mendimtarin bashkëkohor rus, Aleksander Dugin, por edhe vendimmarrësit në Federatën Ruse në krye me presidentin Putin, konservatorët, përfshirë grupet dhe partitë e ndryshme ekstreme, që funksionojnë në Europë, shihen si “…aleatë strategjikë kundër armiqve kryesorë të Rusisë”.

Nga përkufizimi i mësipërm lë të kuptohet që armiqtë e Federatës Ruse në këtë epokë konsiderohen të gjithë ata që mbështesin, madje i kontribuojnë rendit aktual liberal demokratik në Perëndim dhe strukturës institucionale perëndimore të mishëruar tashmë me NATO-n dhe BE-në. Dhe, në anën tjetër, çdo grupacion i cili e kundërshton fuqishëm këtë arkitekturë politike dhe ushtarake perëndimore, do të llogaritej aleat potencial dhe favorizues për politikën ruse kushdoqoftë e kudoqoftë.

Aktualisht në saje të BE-së, më saktë Parlamentit Europian, ekzistojnë dy grupime të ekstremit të djathtë: Konservatorët dhe Reformistët Europianë (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (ID). Në suaza të grupimit të parë mund të ndërthurim, fjala bie Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit etj., kurse tek të dytët, ekstremizmi kundrejt këtij Perëndimi që njohim sot është edhe më i ashpër dhe në të bëjnë pjesë, për shembull Alternativa për Gjermaninë (AfD), Tubimi Kombëtar francez i Marine Le Pen etj. (Manuel Müller, 2024).

Përveç dallimeve mbi organizimin politik, ekonomik apo financiar të Europës, këto dy grupime qartësisht kanë divergjenca edhe mbi marrëdhëniet që kanë të bëjnë me shtetin rus dhe në këtë kontekst shumica e partive, që bëjnë pjesë në grupimin e (ID-së), kanë mbajtur marrëdhënie të mira dhe favorizojnë një politikë krahëhapur me Rusinë Putiniste, ndërsa viteve të shkuara nguruan dhe ngurrojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën. (Manuel Müller), gjë që nuk është shumë evidente kur bëhet fjalë për Konservatorët dhe Reformistët Europianë. Për Giorgia Melonin mbështetja ndaj Ukrainës dhe integritetin e saj territorial duhet të vazhdojë të rrjedhë. Kjo mund të vërehet edhe tani, me ndryshimet në administratën amerikane dhe qasjen ndaj Ukrainës.

E djathta ekstreme, por edhe grupimet tjera radikale sot në Europë, ngrehinën e tyre diskursive e kanë të ndërtuar mbi premisën e tre boshteve kryesore:

– lartësimin e kombit deri në atë shkallë që e përjashton, madje duke bërë thirrje në luftimin e tjetrit;

– urrejtjen patologjike kundër emigrantëve (kujto pamfletet e ndryshme “Refugees out” që qarkullonin nëpër qarqe të ndryshme europiane); dhe

-populizmin anti-establishment.

Ndjekësve të saj u ofrohet një identitet i cili mbështetet mbi bazën e ekskluzivitetit, veçimin e fajtorëve dhe mbrojtjet e një zgjidhjeje të thjeshtë dhe të shpejtë – përjashtoni të huajt, rrëzoni “klasën politike”. (European Institute of the Medieranean,  Cesáreo R.Aguilera).

Dhe, pikërisht retorika antiestablishment që këto grupime bartin qoftë kundër qeverive aktuale, ose kundër BE-së e të NATO-s, gjen një terren të përshtatshëm dhe të pjellshëm për klasën radikale intelektuale, por edhe establishmentin politik rus. Në këtë drejtim nuk duhet harruar vlerësimin që Aleksandar Dugini ia bën filozofit francez Allen De Benoa, njërit ndër emrat më eminentë të radikales së djathtë sot në Europë, por edhe mendimtarëve tjerë me bindje të ngjashme.

Megjithatë, duhet thënë që favorizimi i grupeve të ndryshme radikale të djathta (por jo domosdoshmërisht të djathta) për Kremlinin kryesisht vjen në shprehje duke u nisur mbi konsideratat pragmatike e jo detyrimisht nga profilizimi ideologjik. Në këtë kontekst, çdo dobësim i kapaciteteve institucionale të BE-së, e cila do të prodhonte kriza dhe bllokada të proceseve të ndryshme qoftë nëpërmjet qeverive euroskeptike ose qeverive miqësore ndaj Rusisë, s’do mend se për këtë të fundit do të ishte e pranueshme. (Latvijas Arpolitikas Instituts: Anna Beitane). Përveç çarjeve brenda në BE, deorganizimit të saj, kohezioni i Europës do të çalonte përballë një Rusie gjithnjë më agresive e, si rrjedhojë, e bën të cenueshëm ndihmën ndaj Ukrainës apo ndaj çdo fqinji të Rusisë që mund ta kishte fatin ukrainez. Kur grupimet e këtilla janë kundër zgjerimit të BE-së dhe aleancës atlantike, dhe preferojnë izoloacionizmin, për Rusinë janë edhe më të mirëseardhur.

Në një studim të botuar në vitin 2024 nga Qendra Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit (ICCT) me titull “Russia and the Far-Right Insights from Ten European Countries”, vihet në dukje se: “…deri në vitin 2024, Rusia inkurajoi, financoi, ose frymëzoi një varg aktorësh radikalë dhe ekstremistë që në mënyrë eksplicite mund të mos jenë as pro Moskës, por të veprojnë si përçarës politikë në vendet e tyre përkatëse”. (Rekawek, Renard,  Molas, 2024). Më tej studimi pohon se: “shteti rus vazhdon të shihet si një bartëse standarde për forcat e ekstremit të djathtë armiqësor ndaj BE-së, ndërsa në emër të luftës për një “botë shumëpolare” i kundërvihet BE-së dhe Perëndimit në përgjithësi” (fq. 4). Kështu grupet e ndryshme radikale që favorizojnë Rusinë ngrihen kundër forcave “globaliste” për ta ruajtur gjoja sovranitetin kombëtar dhe identitetin kulturor të një vendi apo rajoni të caktuar. Me fjalë të tjera, ekstremi i djathtë i Europës sheh tek Vlladimir Putini modelin e një lideri të fortë, konservator, të aftë për ta mbrojtur traditën dhe për ta kundërshtuar Perëndimin dekadent. (fq.4).

Retorika e establishmentit rus dhe presidentit Putin, duke vërë theks tek aspekte të ngjashme që i promovon e djathta, sipas gazetarit Mikhael Zygar është një formë e krijimit të shtetit për t’i treguar aleatëve aktualë dhe potencialë se ekziston një alternativë ndaj demokracisë [në rastin rus atë të demokracisë sovrane]. Kështu Vlladimir Putini e imponon veten si një figurë e së djathtës ekstreme globale. (European Council on Foreign Relations, Ksenia Leuchenko). Federata Ruse pretendonte se ishte një demokraci sovrane, kësisoj një qendër alternative vlerash, në kundërshtim me “mesianizmin” demokratik perëndimor. (Ingmar Oldberg). Në fakt, promovimi i këtij koncepti nga politikëbërësit rusë nxori në pah një ndarje të re ideologjike, përkatësisht midis demokracisë sovrane të promovuar nga Rusia dhe demokracisë liberale të mbështetur nga Perëndimi.

Ajo çfarë paraqet rrezik për kontinentin europian – në rastin tonë kundërshtues të shtetësisë së Kosovës dhe mbështetjes së paepur për Serbinë – është jo vetëm rritja e peshës politike të këtyre grupacioneve të ekstremit të djathtë nëpër vendet e BE-së, por edhe fakti që të njëjtit nuk e shohin kërcënues të sigurisë Federatën Ruse.

Në kontekstin ballkanik, vërtet do të ishte shqetësuese që qeveritë dhe politikanët e ndryshëm, në emër të vlerave që i promovon e djathta dhe gjoja proamerikanizmin e tanishëm, të fshihnin euroskepticizmin  dhe në mënyrë të heshtur t’i akomodonin qëndrimet në një linjë me Federatën Ruse në organizata ose platforma të ndryshme ndërkombëtare!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X