loader image
December 4, 2024

Dijetari dhe burri i shtetit Shemsedin Sami Frashëri

Gjëja e parë që bie në sy është trajtimi i dyzuar i kësaj figure. Nga njëra anë janë studiuesit shqiptarë, për të cilët Samiu në radhë të parë është rilindësi i shquar, ideologu i asaj Rilindjeje, veprimtari për pavarësinë nga sundimi i huaj shekullor, hartuesi kryesor i alfabetit të Stambollit dhe enciklopedisti i gjithanshëm, që madje ka përfshirë figura të shqiptarëve dhe vise shqiptare në kryeveprën e tij Kamus al-A’lam, shqip: Fjalori universal. Nga ana tjetër janë studiuesit turq, që e ngrenë lart ndihmesën e tij në hapjen e horizonteve të reja për kulturën turke të asaj kohe.

Xhevat LLOSHI, Tiranë

Njerëzit e mëdhenj shpesh paraqiten si idhuj, si ikona. Në të vërtetë, ata janë krejt ndryshe nga shenjtorët, ikonat e tymosura të të cilëve nga qirinjtë e ndezur mbeten aty brenda kornizave dhe nuk dalin dot në botën reale, sepse edhe besimtarët sapo u kthejnë kurrizin, nuk kujtohen më për ta, për bëmat dhe dogmat e tyre, ose edhe veprojnë në të kundërtën..

Njerëzit e mëdhenj e trondisin jetën e rëndomtë, e çajnë guaskën e mendësisë së zakonshme, ngrihen në majat dhe të dijes, dhe të periudhave të ngarkuara me probleme të rëndësishme, mendojnë e veprojnë për t’i zgjidhur ato dhe kështu hapin shtigjet për të ardhmen.

I tillë ka qenë edhe Samiu, enciklopedisti, historiani, publicisti, gjuhëtari, ideologu dhe burri i shtetit. Ne dimë pak për jetën e tij, e cila pret të mbushet me të dhënat e arkivave e të dokumenteve. Nuk është kjo arsyeja përse në vazhdimësinë e hulumtimeve dhe, në veçanti, në përvjetorë, t’i rikthehemi kësaj figure madhore të Rilindjes sonë. Arsyeja është se ato çështje që ai i vuri në qendër të krijimtarisë e të përpjekjeve tij nuk e humbasin mprehtësinë edhe me kalimin e kohës, e sidomos na bëhen drejtpërdrejt të pranishme edhe në ditët tona, si për t’i parë në këndvështrimet e reja, ashtu edhe për t’i kuptuar më mirë në epokën kur janë shfaqur. Këto rrethana na shtyjnë t’i rikthehemi trashëgimisë së tij jo si produkt i një rrjedhe të qetë, i një pune të matur, i përsiatjeve të një mendjeje të ndritur, por sidoqoftë të paqtë, të shtruar e të përkushtuar. Është e kundërta. Me një vështrim të përgjithshëm do të gjejmë aty nyje të ndërlikuara, kundërti, përpjekje për të sjellë të renë në një mjedis jo miqësor, përplasje me kundërshtarë të interesave kombëtarë të shqiptarëve, e mbi të gjitha një punë ngulmuese e me përmasa të jashtëzakonshme për të zbuluar horizontin botëror dhe historik përpara një shoqërie, që kishte nevojë të mprehtë për t’u ndriçuar drejt përparimit.

Gjëja e parë që bie në sy është trajtimi i dyzuar i kësaj figure. Nga njëra anë janë studiuesit shqiptarë, për të cilët Samiu në radhë të parë është rilindësi i shquar, ideologu i asaj Rilindjeje, veprimtari për pavarësinë nga sundimi i huaj shekullor, hartuesi kryesor i alfabetit të Stambollit dhe enciklopedisti i gjithanshëm, që madje ka përfshirë figura të shqiptarëve dhe vise shqiptare në kryeveprën e tij Kamus al-A’lam, shqip: Fjalori universal. Nga ana tjetër janë studiuesit turq, që e ngrenë lart ndihmesën e tij në hapjen e horizonteve të reja për kulturën turke të asaj kohe, hartuesin jo vetëm të asaj enciklopedie në gjashtë vëllime (1889-1898), por edhe të fjalorëve me vlerë edhe sot e kësaj dite. Ky dyzim ka shkuar deri atje, sa eshtrat e dy vëllezërve të tjerë të shquar Frashërlinj prehen tashmë në atdheun e tyre, ndërsa Samiu ka mbetur në Turqi.

Porse nyja më e ndërliqur është qëndrimi kundrejt manifestit rilindës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” (1899, ribotuar 12 herë dhe përkthyer në 4 gjuhë). Për ne ajo është vepër e një burri shteti, sepse projektonte se cili do të ishte shteti shqiptar; në thelb, ishte projekti i kushtetutës për të ardhmen e shtetit shqiptar pikërisht kur të largohej sundimi osman.

Ka autorë të rëndësishëm turq, të cilët nuk mund ta pranojnë se atë vepër e kishte shkruar Samiu. Natyrisht, këtu ka një fakt, që i ushqen interpretimet kaq kontradiktore. Vepra u botua shqip pa emrin e autorit. Në një studim që kam bërë me rastin e botimit sivjet të shtatë vëllimeve të Veprave të Samiut, e kam vërtetuar me mjetet shkencore të pakundërshtueshme të gjuhësisë, se ajo vepër është nga dora e Samiut. Po përmend vetëm një gjë. Askush tjetër nuk ka shkruar për “dhimokracinë e pleqet” në Shqipërinë e pavarur. Vetën Samiu e ka përmendur atë në një letër dhe në librin e tij ka shtjelluar konceptin e pleqësisë. Natyrisht, nuk mohohet se mund të ketë pasur edhe bashkëkohës të tjerë që të kenë pasur pjesë, për shembull, do të ketë qenë i natyrshëm bashkëpunimi i vëllait të tij, Naimit. Kjo nyjë e ndërliqur e këtij debati për autorësinë nuk është e mjaftueshme të zgjidhet me mjetet e filologjisë. Për këtë është e domosdoshme t’i drejtohemi një kompleksi tjetër konceptual.

Na duhet të mos e kundërshtojmë sot konceptin e pranisë së dy kulturave në trashëgiminë e veprimtarëve të shquar qoftë të jetës shoqërore, qoftë edhe të krijimtarisë shkencore e letrare. Samiu ka qenë i dy kulturave dhe nuk ka përse sot kjo të quhet dukuri negative, jo e pranueshme.

Ai kishte qenë autor kryesor për “Allfabetaren” e Shoqërisë së Stambollit`(1879), por kjo nuk ishte thjesht një abetare, ky ishte teksti themelor për vitet e para të asaj që sot e quajmë shkolla fillore. Me këtë libër çelej shkolla shqipe për nxënësit dhe për të rriturit. Më pas, më 1886, ai botoi edhe “Abetaren”, që është libri në kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale, kurse ishte pikërisht në kohën kur po bëheshin përgatitjet për hapjen e shkollës së parë shqipe. Po atë vit nxori edhe “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, domethënë gramatikën e shqipes. Ai hartoi “Dheshkronjën”, domethënë tekstin e gjeografisë më 1888, menjëherë pas hapjes së mësonjëtores shqipe. Ndërkaq, është po ai autor i “Abetares së vogël” të turqishtes për shkollat fillore (1883), ribotuar tri herë, si dhe i Abetares së turqishtes sipas metodës së re më 1891, në atë vit edhe i Gramatikës së turqishtes sipas metodës së re, kurse për herë të parë për turqishten hartoi më 1886 Rregullat e pikësimit e të radhitjes. Nuk po i rendis edhe librat e tjerë njëjtësisht të po kësaj natyre për arabishten. Madje, ka pasur edhe një përkim me çështjen e alfabetit për turqishten, lidhur me kërkesën themelore për të kaluar në alfabetin latin. Përvoja e Samiut nga alfabeti i Stambollit i shërbeu atij në diskutimin për të ardhmen e shkrimit të turqishtes dhe sot pranohet se pati ndikim edhe në pranimin e alfabetit të sotëm të turqishtes më 1928. Janë të njëjta qëndrimet e Samiut për pastërtinë e gjuhës si të shqipes, edhe të turqishtes.

Zhvillimet dhe ndryshimet në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane shtruan pyetjen e mprehtë nëse osmanishtja, një gjuhë artificiale dhe pa shtrirje në masën e gjerë të popullit, a do të ishte në gjendje të përballonte kërkesat e reja në të gjitha fushat. Samiu ishte për të kaluar në gjuhën e përgjithshme të popullit, në turqishten, për historinë e së cilës ndërkohë kishte bërë edhe hulumtime të posaçme. Te puna e tij për gjuhën shqipe natyrisht po ashtu ishte kërkesa për t’u mbështetur te gjuha e popullit, ndërsa vendin themelor e zinte përbërësja kombëtare në kontekstin e lëvizjes rilindëse, por kjo përbërëse nuk përjashtohej edhe për gjuhën turke, prandaj është po ai Sami që shprehet njësoj për problematikën e të dyja gjuhëve. Edhe në tekstet shkollore për të dyja gjuhët ka ngjashmëri të dukshme. Kështu do të kuptohet drejt edhe një kontradiktë, që i ka shqetësuar disa autorë, sepse janë ndeshur me thënie të Samiut, në të cilat ai e ka quajtur turqishten “gjuha jonë kombëtare”.

Në të dyja kulturat, shqipe dhe turke, Shemsedin Samiu shquhet si enciklopedist i madh e në veçanti si gjuhëtar kompetent. Ai ishte i dy kulturave, por jo i dyzuar. Natyrisht, ai ishte me gjak shqiptari, me gjuhë amtare shqipen dhe i mbrujtur me ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Por, këto nuk e kishin penguar të ishte edhe më tepër: përfaqësues nga më të rëndësishmit të shkencës, kulturës dhe gjuhës turke, domethënë i cili për gjithë problemet themelore ka mbajtur të njëjtin qëndrim shkencor, shoqëror dhe politik ndaj të dy krahëve, pa kontradikta gërryerse. Ai ishte kundër Perandorisë Osmane si skllavëruese e shqiptarëve, prandaj për rënien e saj, por edhe kundër kësaj perandorie, që nuk e lejonte popullin turk të ecte në rrugën e përparimit e të shpaloste rrënjët e tij të lashta, përndaj për rënien e saj edhe nga pikëpamja e kombit turk.

Pjesa më e madhe e krijimtarisë së Samiut përbëhej nga libra mësimi, nga tekste për arsimin shkollor dhe për të rriturit, nga fjalorë për të mësuar gjuhën, ndërsa posaçërisht për shqiptarët kërkonte që të mësonin gjuhën e tyre dhe nëpërmjet saj të përvetësonin dituritë e nevojshme dhe të ndriçoheshin. Prandaj ai ishte edhe mësues i madh si i popullit të vet, ashtu edhe i popullit turk.

Më 2004, me rastin e 100-vjetori të ndarjes nga jeta të Samiut, Shtëpia Botuese “Logos-A” botoi një përmbledhje shqip të trashëgimisë së Samiut në 20 libra me cilësi të lartë shtypi, saqë morën çmim në Panairin e librit të atij viti në Tiranë. Ishte një hap i ndjeshëm përpara, duke sjellë shqip të tjera gjëra nga ky autor dhe kështu të zvogëlohej mosnjohja nga krahu i lexuesit shqiptar. Më 2019 kam nxjerrë broshurën “Bibliografia dhe shkrimet për Sami Frashërin” po te kjo shtëpi botuese. Nënkuptohet se e kemi vijuar punën për zbulimin shqip të kësaj trashëgimie, sepse është një trashëgimi e pashterueshme. Pas njëzet vjetësh u arrit te një botim i ri në 7 vëllime, sigurisht nga e njëjta Shtëpi Botuese “Logos-A” dhe po me atë cilësi të lartë të shtypit.

Lënda shqip këtë herë është paraqitur në mënyrë tematike. Vëllimi I përmbledh shkrimet shqip. Ndonëse numri i tyre është dhjetë herë më i vogël se numri i veprave të hartuara turqisht, pesha e tyre është e jashtëzakonshme për historinë, gjuhën, shkencën dhe kulturën shqiptare. Janë ndihmesa e tij te Allfabetarja e vitit 1879, artikujt shqip te “Drita”: dhe “Dituria”, Abetarja, Shkronjëtorja, Dheshkronja, manifesti i vitit 1899 dhe disa letra. Te parathënia për këto shtatë vëllime është bërë një trajtim i ri për librin “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, duke mënjanuar mendimet e kapërcyera dhe duke e parë në përvojën tashmë të gjatë të ngritjes së shtetit shqiptar dhe të koncepteve të sotme për demokracinë.

Vëllimi i dytë përmbledh Veprat letrare. Për shkak të njohjes së kufizuar, në paraqitjet tona kjo anë ka qenë e ngushtë, vetëm për një roman e një dramë. Porse Samiu që në fillimet e veta në Stamboll është marrë me përkthime letrare, të cilat kanë ndikuar në ndryshimin e atmosferës letrare në kryeqytetin osman dhe ka qenë i njohur me figura të shënuara të lëvizjes së re letrare atje. Njëkohësisht ka bërë përkthime edhe nga letërsitë e tjera orientale. Kurse me veprat origjinale, sipas një studiuesi turk, “me gjithë mangësitë në gjuhë e në shprehje, hapi një etapë të re në historinë e romanit dhe të teatrit turk”. Më 1872 botoi romanin e njohur “Dashuria e Talatit me Fitneten”. Mbahet si romani i parë në letërsinë turke të kohëve të reja. Atë e kanë lexuar edhe shqiptarët e shumtë në Stamboll dhe u përkthye shqip për herë të parë më 1984, domethënë njihet mirë. Në gazetat që drejtonte Samiu lexuesit i pëlqenin shumë thëniet dhe fjalët e mençura. Autori i përmblodhi më 1879 nën titullun “Emsal”. U përkthyen shqip që më 1970, por vetëm një pjesë e tyre. Tashti për herë të parë janë të plota shqip dhe lexohen me ëndje e me kërshëri. Po ashtu nëpër gazeta autori kishte botuar tregime argëtuese, të cilat i përfshiu më 1883 nën titullin “Letaif”. Me sa dimë, edhe ky ka qenë libri i parë i kësaj natyre turqisht. Ndërkohë vetë Samiu thotë se një pjesë e mirë e tyre, ashtu si edhe fjalët e urta, janë prodhim i mendjes së tij. Disa ishin kthyer shqip më parë, por me një përkthim të plotë dhe të redaktuara janë të pranishme në këtë vëllim. Ato nuk e kanë humbur forcën tërheqëse e ndikimin gazmor edhe te lexuesi i sotëm.

Pa dyshim vepra më e njohur letrare e Samiut ka qenë drama “Besa” si për lexuesit turq, ashtu edhe për ata shqiptarë. Arsyet janë të shumta. Deri në reformat e Tanzimatit gjinia e dramës dhe shfaqjet teatrale nuk njiheshin në Turqi. Kjo është drama e parë e një autori shqiptar dhe me temë shqiptare. U botua më 1875 dhe u përkthye shqip më 1901, si dhe në disa gjuhë të tjera. Është e pamundur të shkruhen pak rreshta për këtë vepër, prandaj lexuesit do të gjejnë informacione të gjera për të në këto vëllime, kritikën e diskutimin letrar dhe shoqëror për përmbajtjen e saj. Sidoqoftë, e vlen të citohet këtu diçka nga parathënia e autorit, sepse vlen edhe në përgjithësi për të kuptuar botëvështrimin e Samiut: “Që prej kohësh ma pati pushtuar përfytyrimin mendimi për të shkruar një pjesë teatrale, në të cilën do të viheshin në pah disa vlera morale e zakone tradicionale të popullit shqiptar. Dhe kjo jo sepse jam bir i këtij populli, por ndoshta ngaqë tek ai kisha vënë re disa virtyte fisnike të tyre, si atdhedashuria, shpirti i sakrificës, besa, vetëmohimi, të cila ia vlen të vihen në skenë”. Vepra u vu në skenë më 5 prill 1874 në Stamboll dhe u prit me shumë duartrokitje, ndërsa shqip u vu në skenë që nga viti 1901.

Deri para pak kohësh nuk njiheshin drama të tjera nga pena e Samiut. Për herë të parë janë në këtë vëllim së bashku edhe tri drama të tjera të tij, të përkthyera shqip, si dhe të shoqëruara me kritikën përkatëse prej Vëllimit të parë: “Sejdi Jahjai” e vitit 1875, “Gjave” më 1876 dhe “Ndërgjegjja”, e cila nuk njihej as turqisht dhe u bë e njohur shqip prej dorëshkrimit më 2014 nga vëllezërit I. dhe R. Morina.

“Fjalori universal i historisë dhe i gjeografisë” (Kamus al-A’lam) është vepra më e madhe e Samiut dhe gjashtë vëllimet e saj janë një oqean, të cilin ende nuk kemi arritur ta përshkojmë shqip, sepse është vërtet e pamatë si një oqean. Megjithatë në Vëllimin e katërt kemi mundur ta çojmë përpara këtë punë madhore, domethënë janë botuar më shumë zëra, duke përfshirë figura të shquara të botës shqiptare, si dhe vise të Shqipërisë. E reja e veçantë në këtë rast është se janë shtuar edhe zëra, që trajtojnë figura të botës lindore. Vetë vepra e Samiut në kohën e vet sigurisht përfshinte të dhëna enciklopedike nga vendet e Europës Perëndimore, por Samiu për herë të parë integroi në botimet enciklopedike edhe të dhënat nga historia dhe kultura e vendeve lindore.

Vëllimi i pestë përfshin “Publicistikën”. Sapo erdhi në Stamboll Samiu iu përvesh me vrull djaloshar gazetarisë, punonte ditë e natë me një zell të jashtëzakonshëm. Por, vlera e gazetarisë dhe e shkrimeve të tij mori një peshë të jashtëzakonshme në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur ai u bë zëdhënësi më i fuqishëm i saj dhe mbrojtës i zjarrtë i interesave kombëtarë. Ka pasur përkthime të artikujve të tij nga disa gazeta kryesore, kurse në këtë vëllim numri i tyre është shumëfishuar edhe me përkthime të reja. Shkrimet e tij publicistike, përveç patosit politik e shoqëror, ishin të pandara nga puna e tij enciklopedike e kulturore, nga synimet arsimore dhe edukuese me frymë ndriçimtare.

“Biblioteka e xhepit” ka qenë një risi tjetër e Samiut sipas traditës më të përparuar europiane për përhapjen e diturisë dhe të ideve përparimtare. Janë përmbledhur në Vëllimin e gjashtë librat shkencorë popullorë për Gjuhën, Gratë, Njeriun dhe Përsëri njeriu, Mitologjitë, Tokën, Qiellin, Qytetërimin islam, Përpjekjet për përhapjen e Islamit dhe fatet e kombeve islame. Pa u zgjatur, mjafton të vë në dukje se ky enciklopedist shkruante për gjuhësinë në një kohë kur kjo shkencë nuk kishte pasur asnjë botim të kësaj natyre turqisht, ndërsa për gratë ai fliste në frymën e emancipimit të tyre në një shoqëri që vijonte të kishte një qasje tejet të prapambetur ndaj gruas dhe as që njihej nocioni i emancipimit të gruas.

Së fundi, Vëllimi i shtatë përmban Bibliografinë për Samiun, të përditësuar deri më 2019. Gjithashtu janë përfshirë kumtesat e mbajtura në Konferencën shkencore “Sami Frashëri 100 vjet pas”, mbajtur në nëntor 2004.

Besoj se përkujtimi i 120-vjetorit të ndarjes së Shemsedin Sami Frashërit nga jeta nuk mund të bëhej më i plotë sesa me këtë botim të ri. Tani na shpaloset më e pasur, më e gjerë, më e thellë puna titanike e këtij njeriu të madh të dy kulturave, si dhe për ne në veçanti e një prijësi të Rilindjes kombëtare, e atdhetarit të përkushtuar dhe e ndriçimtarit, ndërsa drita e trashëgimisë së tij mbetet e pashuar edhe në ditët tona.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X