loader image
January 24, 2026

Demokratë me huje komunizmi

Nuk mund të kontestohet pluralizmi demokratik dhe liritë në të gjitha fushat e shoqërisë, por shpesh qeverisja nuk i ka tejkaluar të gjitha anomalitë e pushtetit nga e kaluara…

Daut DAUTI, Shkup

As një vit pas përfundimit të studimeve, me një diplomë fakulteti deficitar ndër shqiptarët e Maqedonisë atëherë, m’u dha rasti të punësohesha në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Nuk kishte kombinim më ideal, gazetar i diplomuar, redaksi që kishte nevojë për të tillë dhe në vjeshtën e 87-ës, bashkë me një koleg me të cilin kishim bashkëpunuar paraprakisht me gazetën dhe tashmë na njihnin, na pranuan pasi e kaluam me sukses provimin formal. Por, me gjithë vendimin e komisionit, neve s’po na thërrisnin ta fillonim punën. Na thanë: presim përgjigje nga “shërbimet”!

Tamam, me gjithë fakultetin dhe një periudhe bashkëpunimi si studentë, ende nuk mund të na merrnin në punë, sepse duhej ta kalonim filtrin e përshtatshmërisë ideopolitike. Ishte fati në anën tonë që s’kishim qenë studentë në Universitetin e Kosovës dhe të na kishte kapur kamera e policisë në ato lëvizjet e viteve 80-të, se kurrë nuk kishim për ta parë vendin e punës… Që ta përfundoj këtë mesele, pas tre muajsh, pasi në redaksi u kishte ardhur mendimi se “janë të pastër”, më 20 mars 1988 e filluam punën…

Ky ishte komunizmi. Atëherë ende në grahmën e fundit, por ende i tregonte dhëmbët, siç e kishte treguar atë dekadë gjithë ashpërsinë e vet ndaj intelektualëve, studentëve e shumë veprimtarëve shqiptarë që kishin kërkuar barazi në kuadër të ish-Jugosllavisë. Të mos flasim për periudhat e mëhershme. Në atë periudhë, nëse jo ne më të rinjtë, profesorë tanë, arsimtarë, ndonjë shkrimtar, kishte qenë i diferencuar, i përjashtuar nga partia, nga puna, e dikush kishte përfunduar në burg. Dhe, gjithë vrazhdësia shprehej te çështja ekzistenciale, adaj edhe kërkohej ajo përshtatshmëri ideopolitike për t’u punësuar ose mbeteshe pa të nëse organet kishin zbuluar ndonjë gjë inkriminuese.

Përshtatshmëri partiake, në vend të përshtatshmërisë ideologjike!

Për çudi, edhe në demokraci do të shfaqet një lloj “përshtatshmërie” që lidhet me ekzistencën, që në njëfarë mënyre krijoi një lloj pabarazie…

Në vitin 2001 u arrit Marrëveshja Kornizë e Ohrit, ku mes aspekteve tjera të barazisë ishte paraparë edhe “përfaqësimi adekuat” i pjesëtarëve të bashkësive. Jorastësisht, sepse gjer atë vit përfaqësimi i shqiptarëve në administratë kishte qenë më pak se 5 për qind, si gjendje e trashëguar nga regjimi komunist. Krahas rritjes së përfaqësimit në administratë, duhej bërë edhe një proces i kundërt, të paktën kështu e kërkonte BE-ja, zvogëlimi i administratës! Dy kahe veprimi, të cilat zor se mund të shkonin bashkë.

Se pse ka rëndësi përfaqësimi i drejtë, është e tepërt të flitet, por meqë nuk është kjo tema, po e shpjegojmë shkurtimisht: përmes punësimit në administratë, në komunizëm, sigurohej aspekti social-ekonomik me rrogën mujore, shtesat për fëmijë, por ky nuk ishte privilegji i vetëm. Në kohën e komunizmit, të punësuarit në institucione shtetërore më lehtë vinin edhe te banesa, diçka që nuk mund të ishte e parëndësishme. Nëse krahasojmë sa shqiptarë i kanë gëzuar këto privilegje, atëherë duket qartë si ka qenë pabarazia përmes punësimit në administratë. Edhe diçka: prejse me kushtetutë dhe ligjërisht përfaqësimi u bë imperativ, gjërat kanë shkuar në dy drejtime të kundërta: ka ardhur duke u rritur përqindja e shqiptarëve, por nuk ka ardhur duke u zvogëluar numri i administratës në përgjithësi, sepse gjatë punësimeve nuk merrej si bazë gjendja momentale, por sikur të nisej prej zeroje! Të ishte zvogëluar numri i administratës, siç sugjerohej nga BE-ja, përqindja e shqiptarëve do ta arrinte më shpejt përfaqësimin sipas përqindjes në popullsinë e përgjithshme… Por, kjo është temë tjetër.

Tash t’i kthehemi temës me ato finesa që na kthen prapa, te përshtatshmëria.

Duke u bërë përfaqësimi në administratë një nga qëllimet e politikës së partive shqiptare për realizimin e barazisë në këtë segment, gjithë pesha e vendimmarrjes ra mbi partinë që do të gjendej në pushtet për ndonjë periudhë të caktuar, e për shkak të jetëgjatësisë së pjesëmarrjes, kjo më së shumti i ka ra hise Bashkimit Demokratik për integrim, nja dy vjet PDSH-së dhe, së fundmi, koalicionit VLEN. Qëllimi i mirë dalëngadalë nisi të rrëshqasë në një protekcionizëm partiak, ku përparësi në përqindje të lartë do të kishin anëtarët e partisë, të afërt ose simpatizantë. Asgjë e re për sistemin, sepse BDI-ja dhe partitë tjera shqiptare u mësuan ta bëjnë atë që e bënin partitë maqedonase: gjatë punësimeve në administratë së pari strehonin aktivistët e vet, të cilët nuk i kishin të paktë në numër.

Kjo mënyrë erdhi duke u sofistikuar. Nuk mjaftonte që gjatë konkurseve të cingëronin telefonat e degëve e nëndegëve, por atje bëheshin listat e aktivistëve partiakë që kishin nevojë për punë. Nëse do të paraqitej ndonjë kandidat jashtë këtyre listave, nëse s’do të kishte intervenim nga ndonjë funksionar në pushtet, ai shumë lehtë eliminohej – “nuk është në listë”.

Pra, në njërën anë zhvillohej procesi i punësimit të shqiptarëve në administratë, si diçka pozitive, e në anën tjetër këtë mundësi nuk mund ta gëzonin të gjithë njësoj. Tash “sita” nuk ishte ideologjike, por partiake. Efekti: gatise njësoj si në kohën e komunizmit, kur përparësi kishin kuadrot e dëshmuara me librezë të LK-së, edhe tash vendin e punës e siguronin ata me librezë partiake. (Flitet, por kjo duhet të hulumtohet, se në periudha të caktuara, ata që s’kanë qenë në listat kadrovike, e kanë kompensuar pozicionin e tyre me ryshfet.)

Në një shkrim të shkruar para njëzet vjetësh e kisha veçuar rastin e një profesori që duhej të punësohej në një shkollë profesionale të komunikacionit në Shkup. Për lëndën që e kishte ftuar drejtori përmes lidhjeve tjera, nuk kishte pasur kuadër me diplomë, kurse ky ishte nga një gjeneratë që fakultetin e kishin kryer në Universitetin e Manastirit, ku kishte pasur fakultet për degën e komunikacionit. Personi në fjalë i mbledh dokumentet dhe i dorëzon në shkollë, por ndërkohë partia e atëhershme në pushtet (PDSH) kishte dërguar dy aktivistë të tjerë të vetët me diploma joadekuate për lëndën e kërkuar. Ata punësohen, kurse ky, që kishte diplomë adekuate, mbetet jashtë! Pas disa vjetësh po i njëjti drejtor e kishte kërkuar përsëri ta plotësonte lëndën dhe përsëri nëpër kuloare partiake ishte biseduar se kush është ky, çka ka kontribuar për partinë, a është në listat kadrovike a nuk është… Për fat të mirë, kishte ndodhur dikush nga ajo parti që e kishte njohur në baza farefisnore dhe ai ishte zgjedhur për profesor!

Kushedi sa raste të këtilla të njohura e të panjohura kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, ku përkatësia partiake ka qenë para kompetencës. Edhe pse konkurset kanë favorizuar kompetencën, janë gjetur rrugë e rrugica për të kaluar mbi kriteret që janë kërkuar. Ndër rastet më eklatante gjatë kësaj qeverisjeje është zgjedhja jashtë kritereve ligjore dhe të konkursit në Këshillin e Agjencisë së Mediumeve, ku gazetarë me përvojë e me arritje profesionale ishin lënë anësh, në dobi të gruas së një kryetari dege ose anëtare të një kryesie partiake, edhe pse ligji pikërisht këto relacione i parandalonte!

Depërtimi në institucionet ku politika duhet të jetë jashtë

Ndër reformat e rëndësishme që patën lidhje me Marrëveshjen e Ohrit është edhe decentralizimi, ku u përfshi edhe arsimi. Te arsimi është interesant të theksohet se qe bërë një hap madhor për ta larguar politikën jashtë shkollave me mënyrën e emërimit të drejtorëve. Më parë emërimi shkonte përmes Ministrisë së Arsimit, kurse me ligjin e ri, që ishte sjellë gjatë ministrimit të Aziz Pollozhanit, rolin kryesor e merrte Këshilli i Shkollës, me përfaqësues nga Ministria, Komuna, shkolla dhe prindërit. Ky këshill dominohej nga faktorët arsimorë dhe prindërit dhe kjo duhej ta amortizonte diktatin politik. Bukur shkruar, por në praktikë ndodhte e kundërta: partitë në pushtet, varësisht a janë në atë qendror ose lokal, për çdo drejtor zhvillonin betejë politike që ta dominonin këshillin në fjalë. Pikërisht disa raste, që kanë arritur edhe në media, tregojnë se sa e ashpër ka qenë beteja për supremacion. Përse? Për ta sjellë njeriun e tyre, prej të cilit do të kërkonin pastaj favore për partinë (punësime kuadrosh partiakë, avancime, tenderë…?) ose dhe të krijojnë bazë elektorale për të ardhmen?

Çkado që të jetë, rrallë mund të ndodhë që të përvidhet ndonjë drejtor pa përkrahjen e ndonjë partie.

Ndër mëkatet e pafalshme të partive në tranzicion është që në vend se të kontribuojnë në thellimin e lirive (ato nuk mund të mohohen gjersa i garanton kushtetuta), ato i kanë kufizuar aty ku nuk e pret. Në kohën e komunizmit, një nga betejat e lëvizjeve studentore dhe intelektuale të ’68-tës në Europë ka qenë “pavarësia e universiteteve”. Këto lëvizje e përfshinë edhe ish-Jugosllavinë dhe universitet fituan atë lloj autonomie që s’e kishin më parë. Por, tash, pas tri dekada e gjysmë demokraci, politika u rikthye në universitete në mënyrën më banale. Para çdo emërimi të rektorit të ri, në universitetet shtetërore mobilizohen partitë për të vënë njeriun e tyre në krye! Çfarë nuk bëjnë që në Senat ta kenë shumicën gjatë votimit! E njëjta pyetje si me shkollat fillore dhe të mesme: për çka e bëjnë këtë?

Falë betejave të fituara për të sjellë njeri të përshtatshëm në universitete, kemi konformizmin e shtuar intelektual, mungesën e mendimit kritik që duhej të vinte nga ato vatra të arsimit të lartë, mendim ky që duhej të ishte edhe një lloj orientimi për proceset shoqërore. Dhe, në vend se politika të merrte mësim prej potencialit intelektual të universiteteve, ato marrin leksione prej politikës! Pastaj ndërlidhet edhe përshtatshmëria po në të njëjtat baza edhe gjatë punësimit të kuadrit arsimor, për çka zor të gjesh mendim të lirë, por konformizëm pa kufi, sepse prej politikës varet gjithçka.

Në ditët kur po e përfundoja këtë shkrim dha dorëheqje Prokurori Publik, Lupço Kocevski. Dikush ndjeu keqardhje, dikush lehtësim që u largua vetë para se ta shkarkonin. Dorëheqja erdhi pas një presioni të gjatë dhe të pashembullt nga ana e Qeverisë, duke ia adresuar një varg çështjesh. Por, a ishin vërejtjet për punën e tij vetëm paravan për ta mënjanuar, për të sjellë një tjetër prokuror i cili do të ishte i afërt me pushtetin? Asgjë e re. As Kocevski, e as të tjerët para tij, nuk kanë ardhur pa përkrahje politike, e as ai që do të vijë pas nuk do të mund të rrahë gjoks se është zgjedhur në procedurë ku politika s’ka pasur ndikim. Proforma është gjithçka në rregull: emërimet e prokurorëve i bën Këshilli i Prokurorëve, ndërkaq gjykatësit i zgjedh Këshilli Gjyqësor. Por, nuk mund të shesim iluzione se në vendimet e tyre dominon aspekti profesional, kur dihet se ata i zgjedh Parlamenti, ku kërkohet përkrahje (lobime) nga partitë dhe, në fund, shumicën e anëtarëve në këto këshilla i zgjedhin partitë në pushtet, ndërsa pakicën e zgjedhin partitë opozitare. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë dhe ky është parakusht që në vendimet e ardhme t’i kenë “parasysh” interesat e partive respektive.

Në komunizëm e kemi pasur kupolën më të lartë Partinë (në të vetme) dhe ndarja e pushteteve, që mund të ketë ekzistuar formalisht, në praktikë ka funksionuar me diktat. Vendimet janë marrë në plenume, kurse kuvendet dhe gjyqet, gjer te policia e segmente të tjera të shoqërisë, vetëm janë zbatuar. Edhe në pluralizëm kemi ndarje pushtetesh, me dallim që edhe pse janë të pavarur njëri nga tjetri, pushteti ekzekutiv është ai që megjithatë e ka fuqinë më të madhe. Me përjashtime të vogla, në Maqedoni të Veriut, Shqipëri e Kosovë, nuk ka pasur vendime ku shumica parlamentare ta ketë “rrëzuar” ndonjë projekt ligjor të Qeverisë (ekzekutivit). Deputetët, si në kohën e komunizmit, edhe pse formalisht kanë të drejtën e plotë të votojnë sipas bindjeve të tyre, janë të detyruar ta ndjekin vijën partiake, madje edhe kur e dinë se qeveria dhe partia e tyre mund ta kenë gabim.

Ato pak përpjekje të dikujt në tri vendet tona për t’iu kundërvënë politikës partiake ose qeverisë së tyre, kanë përfunduar në fraksionizëm dhe përjashtim, pasi liderët autoritarë që kanë trashëguar shumë veti të liderëve komunistë, nuk kanë mundur të durojnë qëndrime “jashtë linjës”. Pra, duke pasur liderë autoritarë, që i mbajnë të gjithë penjtë në duart e tre, ata për ta disiplinuar anëtarësinë, veprojnë me metoda komuniste. Ja, pikërisht si në rastin më të fundit në Shqipëri me Ervin Salianjin (ai nuk është i pari), i cili për shkak të mospajtimit me Sali Berishën do të përjashtohet nga PD-ja.

Në Maqedoni të Veriut, një nga periudhat më të rënda për demokracinë ka qenë ajo e Nikolla Gruevskit, kur partia në pushtet kontrollonte gjithçka, si në parlament e gjyqësi (atëherë lindi pezhorativi “Sfarovski-gjyqtarë”), kurse mediume kritike në gjuhën maqedonase, pasi u mbyll televizioni më i shikuar A1, pothuajse nuk ka pasur.

Komunizmi dhe demokracia nuk mund të krahasohen mes vete, sepse demokracia solli përfitime të shumta në liritë dhe të drejtat e njeriut, ekonominë e tregut, sundimin e shtetit juridik, por mbetet fakt se tranzicioni po zgjat më tepër se në disa vende “më afër” Europës, ndaj edhe shpesh na shfaqen fenomene që do të duhej të ishin tejkaluar…

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X