loader image
April 12, 2025

Boshti

Përhapja e ideologjive ekstremiste, duke synuar pushtet dhe burime natyrore, gjithashtu mund të nxisë konflikte ndërkombëtare. Megjithatë, në dijeninë time, është e rëndësishme të mbahet mend se e ardhmja nuk është e paracaktuar, sado që të presupozohet të parashihet. Ndërsa e kaluara ofron mësime të vlefshme, ajo nuk e dikton të ardhmen. Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve për ta parandaluar këtë nismë të pakuptimtë me përmbajtje të ideve boshe e të mashtrimit. 

Driton DEMIRI, Gostivar  

Mars 11, 2025. Teksa rri, shfletoja gjysmë shtrirë në divan faqet e librit Çfarë Mendon Kina, të autorit dhe politologut britanik Mark Leonard. Papandehur lexova në celular se duhej të shkruaja një analizë për numrin e radhës të revistës mbi atë se ku e shpie njerëzimin ekstremizmi modern dhe si duhet shpëtuar nga kjo frymë, nëse ka ngelë ndonjë shpresë për të shpëtuar. Kah shpie ekstremizmi, sidomos ai i djathtë?! Sapo lexova mesazhin, përveç semantikës që fillova ta rrotulloj në mendje me një delikatesë të veçantë, se si do thurej e dukej ky artikull, në atë çast, të them të drejtën, më mbretëroi një kaos. Papritur më shkuan mornicat, nisa të ndjej një rrëqethje (ngjethje), deri në atë ekstrem, saqë për të parën herë në jetë fola dhe ca fjalë persisht apo ishin dari ose pashto. Këtë nuk mund ta them e ta shpjegoj drejtë. Por, të lehurat e qeneve janë si një puls në trup nxjerr përfaqe Sara Stridsberg, tek romani Pesha e Dashurisë. E, njerëzit e kanë gabim që e marrin tepër seriozisht gjithçka që u përket, ka shkruar shkrimtari dhe poeti irlandez Oskar Vajld (Oscar Wilde). Nëse njerëzit e shpellave po të kishin ditur të qeshnin, historia do të ishte sigurisht ndryshe. Dhe këto dy vërtetime, me gjithë atë lajm që nuk është aq i mirë dhe në dobi, me gjithë atë situatë dramatike, që po ndodh rrotull, nga… Stuhi në Gang, siç shkruan Tagore,… e deri tek Ferma e Kafshëve e Xhorxh Orvellit (George Orwell), pa mos u lëkundur nga boshti, ma lehtësuan (ndopak) disi pak sedrën. Për këtë shkas vendosa ta përgatis si një specialitet shumë të thjesht parahaje, që gatuhet për 10 minuta në 250 gradë, në tenxhere qeramike, me pak djathë, pak kaçkavall, speca dhe domate, ullinj e rigon, sa për shije, si dhe në shtrirje vaj ulliri, pa i komplikuar gjërat, edhe pse çështja është për së tepërmi komplekse. Gjithsesi, në disa raste, tensionet, nganjëherë sjellin gjëra të “mira”, ndërkaq çdo ekstrem nuk sjell asgjë të mirë. Çdo ekstrem sjell rrezikun, përshkallëzimin, e deri në shfarosje të çdo lloj arsyeje e fati.

Së këtejmi, në këtë diatezë, në një sërë ngjarjesh e shqetësimesh gjeopolitike, që të flasim shprehimisht, bota ecën përpara. Jo siç na pëlqen neve, por ecën. Megjithëse, shkëputur nga ky kontekst, për ca minuta sa për sqarim, për aq sa unë di, pa mos e acaruar vëmendjen, se, relativisht, relacioni, marrëdhënia, Moskë-Pekin, përkatësisht Rusi-Kinë, nuk është reale. Ajo është artificiale. Rusia ia ka marrë Kinës me kilometra e kilometra tokë në të kaluarën, edhe kjo gjë të patjetër të dihet, mirëpo me Kinën duhet të përshtatemi dhe se nuk do të kuptojmë asgjë nga ajo, edhe për gjatë kohë, por për më shumë në këtë drejtim flasim, siç tha një diplomat, kur të marr kredencialet e ambasadorit në Kinë, meqë në rendin gjeopolitik, as miqësia, as armiqësia nuk janë të përhershme. Janë ato interesat tona (të përhershme), ashtu vë në dukje, Çërçilli. Dhe, jo se preferoj të mpreh ballafaqimin, porse, aktualisht, presidenti rus, Vladimir Putin, përveçse është një nacionalist, është po ashtu një “kriminel lufte” dhe këtu s’ka vend për asnjëfarë dyshimi (pikëpyetjeje). Ai është një agresor i pacipë, një tinëzar i pabesë, me një tipar të një Raskolnikovi introvert të ripërsëritur të Dostojevskit, me prirje në përshtypjen e një sindromi dhe personaliteti ndaj mendimit të paranojës, duke treguar një natyrë narciste, përveçse vetë duke shfrytëzuar e mbajtur pushtet autoritar nuk është i varfër; … ngaqë vetë lufta në hartim është mjet i dhunës, e orientuar në ekstrem, për të arritur një qëllim… politik dhe kush nuk e sheh këtë, politikisht është, në fakt, akoma fëmijë. Për arsye se, gjersa në front, armatimi, kërkohet si orizi për Kinën, siç na mëson e kaluara, i keqi duhet të japë llogari, çfarëdo qoftë qëllimi i agresionit dhe luftës, si dhe varësisht se si sillet ose nuk sillet marrëveshja dhe paqja. Mbase me Rusinë nuk ka si të veprojmë ndryshe. Ajo e ka gjithmonë rrugën e vet qëkur ekziston, ndërsa regjimi bolshevik ka vrarë 10 milionë ukrainas edhe përgjatë viteve të ’30-ta, në kohë të zisë së bukës. Megjithatë, në ditën e sotme veç e veç, vëlla për vëllanë gjiza është me para. Në këtë situatë një gjizë dhie, si ruse, ashtu dhe ukrainase. Edhe pse në retrospektivë, ashtu siç historia e vjetër na flet se Rusia në vija të trasha është e Kievit (themeluar që nga shekulli i nëntë nga ana e princit Rurik, të cilin si rusët, ashtu edhe bjellorusët e ukrainasit, e përfillin këtë shtet të moçëm si paraardhësin e tyre të së kaluarës, e një fakt që nuk mund të mohohet, sa i përket Ukrainës, është ajo se kombet e reja me taban rrallë krijohen në paqe. India dhe Pakistani, përveçse ndanë dhe enciklopedinë, ndanë dhe lugë e pirunë në raport proporcional tetë me dy. Përtej kësaj, luftuan në përgjakje dhe dy kombe u rindërtuan.

Dhe, pak para se të vazhdoj të përpiqem të paraprij, e kam një mesele jo shumë të zakonshme me minjtë që mbajtën kuvend, por pikësëpari vërej se; …”…Toka nuk është një planet çfarëdo! Nga perspektiva e zogut, na e përcjell novela Princi i Vogël. Aty ka plot njëqind e njëmbëdhjetë mbretër (pa harruar të numërojmë këtu mbretërit me ngjyrë!),… na e thotë ajo. Ka edhe shtatë mijë gjeografë, nëntëqind mijë biznesmenë, shtatë milionë e gjysmë pijanecë, treqind e dymbëdhjetë milionë mendjemëdhenj, pra rreth dy miliardë (lexo: tetë miliardë) të rritur gjithsej. Për t’ju dhënë një ide të qartë mbi përmasat e Tokës, do t’ju them se përpara se të shpikej elektriciteti, duheshin mbajtur në të gjashtë kontinentet një ushtri e vërtetë e përbërë nga katërqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e dymbëdhjetë fenerëndezësish për t’u kujdesur për fenerët mbi sipërfaqen e Tokës. E parë nga larg, kjo skenë të linte një përshtypje të mrekullueshme. Lëvizjet e kësaj ushtrie drejtoheshin njëlloj si ato të një baleti në opera. Të parët e kishin radhën fenerndezësit e Zelandës së Re dhe të Australisë. Dhe, paskëtaj, këtyre, pasi kishin ndezur fenerët e tyre, u vinte ora për të fjetur. Më pas hynin në skenë fenerndezësit e Kinës dhe Siberisë. Pastaj edhe këta zhdukeshin mbrapa kuintave. Më tej vinte radha e fenerndezësve të Rusisë dhe të Indisë. Më vonë e atyre të Afrikës dhe të Europës. Paskëtaj e atyre të Amerikës së Jugut dhe të Amerikës së Veriut. Dhe, s’ndodhte kurrë që të ngatërronin radhën e tyre në skenë ata. Ishte diçka madhështore. Vetëm fenerndezësi i vetëm i Polit të Veriut dhe kolegu i tij i fenerit të vetëm të Polit të Jugut, bënin një jetë prej përtacësh dhe moskokëçarësish: ata nuk punonin përveçse një herë në vit.” Për këtë çështje, duke mbajtur në mend meselenë, le të shqyrtojmë rastin e një bote të thjeshtë: “… Ndodh ndonjëherë, kur duam ta marrim me humor ndonjë tematikë, që të gënjejmë një çikë…’”, vijon Princi i Vogël. Faktikisht, nuk është se jam treguar tepër i ndershëm kur ju pata folur për njerëzit që ndezin fenerët. Kështu rrezikoj që t’u jap atyre njerëzve që nuk e njohin atë, një ide të gabuar të planetit tonë. Njerëzit, në të vërtetë, zënë shumë pak vend në Tokë. Nëse dy miliardë (po ashtu, lexo: tetë miliardë) banorët që e popullojnë Tokën do të rrinin të gjithë në këmbë ngjitur njëri me tjetrin, siç ndodh kur mblidhen në ndonjë tubim, atyre do t’u mjaftonte fare mirë hapësira e një sheshi prej njëzet mijë metrash gjerësi dhe njëzet mijë metrash gjatësi. Kështu pra, tërë raca njerëzore do të mund të mblidhej dengëza në një ishull të vockël të oqeanit Paqësor. Por, natyrisht që të rriturit nuk do t’ua besonin këtë pohim. Ata pandehin se zënë shumë vend. Atyre u duket vetja po aq të rëndësishëm sa edhe baobabët. Atëherë do të ishte e udhës që t’i këshillonit që të bënin nja dy llogari, meqenëse janë të marrosur pas llogarive dhe patjetër qo do t’u pëlqejë shumë. Por, bëni mirë të mos humbni tepër kohë me këtë mendim, sepse është i kotë, meqenëse keni besim tek unë.”

Përderisa, deri aty kishte shkuar puna, në kuptimin e vërtetë të fjalës, një maksimë e njohur thotë… ndodh, që për një dekadë të mos ndodh asgjë e më pastaj për një javë, ose për një ditë të ndodh të përfshihet gjithçka sa një dekadë. Edhe këto pesë vite të dekadës së tretë në kapërcyell të këtij mijëvjeçari të 21-të gjërat nga ekstremi në ekstrem ndryshojnë. Sikur 100 vjet më mbas, marsin e 1925 e kemi në pëllëmbë. Mbase topin e kristaltë nuk e ka asnjëri, për t’i dhënë një përgjigje të saktë, sepse nuk jemi si në atë kohë, njeriu është më i informuar, më vigjilent dhe më i vetëdijshëm për t’i balancuar gjërat. Ndonëse për vitin 1925 (për ato vite) vetëm moti nuk dimë si ka qenë ose-ose edhe për të mund të kemi ndonjë informacion (të dhënë), aq më shumë, zhvillimet dihen, janë të çiltra: Rusia kishte rënë në duart e bolshevikëve pas Revolucionit të vitit 1917, Hitleri ngrinte kokë, përskaj dështimit të puçit të viti 1921, ndërsa kriza e mbijetesës thellohej, pas një lufte të parë botërore drejtpërdrejt, me pushka e thika dhe një gripi të shpendëve, duke shpjerë në një periudhë të mugët, të vrazhdë me depresion ekonomik të tmerrshëm të trazirave që shpien edhe në një luftë tjetër nga më të egrat, atë të Luftës së Dytë Botërore. Me një fjalë të vetme, hidra e gjithë atij dimensioni ishte fuqia e Axis-it Romë-Berlin-Tokio.

Zgjidhja, cilado qoftë ajo, nga vendi ku jemi… kam lexuar një artikull jo të plotë të ekonomistit amerikan të shekullit të kaluar Frank Hyneman Knight, Konfuzioni intelektual mbi moralin dhe ekonominë (botuar në janar të 1935-tës në revistën ndërkombëtare të Etikës), profesor dhe mentor i tre nobelistëve në ekonomi, si një liberalist modest në njohuritë e veta, i cili duke shpalosur pirgun, qartëson duke u shfaqur kështu: …dhe më e rëndësishmja, problemi më serioz i rendit dhe përparimit shoqëror është… problemi i zotërimit të rregullave të cilave u bindemi ose parandalimi i mashtrimit. Me sa mund të shoh, nuk ka asnjë zgjidhje intelektuale për këtë problem. Asnjë makineri shoqërore e “sanksioneve” nuk do të parandalojë që një lojë të përshkallëzohet në një grindje, apo një zënkë (një lojë e quajtur shoqëri rrallëherë, ashtu si kjo, thjesht mund të shpërndahet!) përveç nëse pjesëmarrësit kanë një preferencë irracionale për të vazhduar, edhe nëse ata individualisht duken se janë në humbje. Përndryshe, shoqëria duhet të mbahet me forcë, nga jashtë – sepse diktatori nuk është anëtar i shoqërisë që ai drejton – dhe pastaj shtrohet pyetja se a mund të quhet shoqëri në kuptimin moral. Me anë tjetër, “…as shteti as mizori nuk janë bujar dhe me këtë realitet duhet të përballemi me ndershmëri…” shton përqasjen nobelisti, ish-student i Knightit, ekonomisti James Buchanan në librin e tij “Kufijtë e lirisë”.

Gjatë kohës sa po mendoj, Maks Veberi (Max Weber), i cili, më duket sikur flas me të, me një metaforë të përkryer, shndërruar në alegori në librin e tij “Politika si Profesion…”, jep një përfundim që në fillim të librit… për atë se çfarë është politika dhe një “shtet”…modern? Siç e përcakton, parë nga këndvështrimi i soditjes sociologjike, ai shkruan: “Në fund të fundit nga pikëpamja sociologjike shtetin modern mund ta përkufizojmë më mirë vetëm nga një mjet specifik që i përket atij sikurse çdo formacioni politik: dhuna fizike. ‘… “Çdo shtet mbështetet tek dhuna”, tha Trocki atëherë në Brest-Litovsk (Mars.1918)’…”, citon më tej. Ndërkaq, për atë se çfarë kuptojmë me politikë? Ai thotë se, koncepti është jashtëzakonisht i gjerë dhe përfshin çdo lloj të veprimtarisë së pavarur drejtuese. Flitet për politikën monetare të bankave, për politikën e kamatave të ulura të bankës qendrore, për politikën e një sindikate gjatë një greve. Mund të flitet për politikën shkollore të bashkësisë së një qyteti ose të kryepleqësisë së fshatit, për politikën e kryesisë së një shoqate gjatë drejtimit të saj, madje më në fund mund të flitet për politikën e një gruaje të zgjuar që përpiqet të prijë burrin e saj. Natyrisht, vështrimet tona në mbrëmjen e sotme nuk bazohen në një koncept kaq të gjerë. Sot me politikë dëshirojmë të kuptojmë vetëm: drejtimin ose ndikimin në drejtimin e një formacioni politik, pra sot: të një shteti.

Nga ky lloj caku, me fjalë të zgjedhura, për të mos u përhumbur, e për mos ta harruar meselenë, minjtë thanë: Jemi në zor nga macet, sidomos nga një maçok i bezdisur. E kishin brengën më të madhe, me theks. Pas kuvendimit, gjithë diskutimit e bisedës, më i madhi, stahori, si përfundim tha, do marrim, domethënë, një kambanë dhe do ia vendosim, do t’ia varim në qafë maçokut. Ia nisën sërish debatit propozues, se cili do ia vë kambanën, dhe nuk arritën të marrin një vendim.

Në këtë trajtë specifike, për të dalë më konkretisht, menjëherë, në temë, duke u çliruar nga meseleja, po filloj me një deklaratë të fuqishme, se, çdo dukuri devijuese, është një diçka që nuk mund të ndalet lehtë, por të fillosh diku është vendimtare. Jam plotësisht i vetëdijshëm për faktin se të parashikosh të ardhmen është një lojë e rrezikshme dhe se asgjë nuk bëhet mirë brenda natës. Por, t’i japim një cak të prerë se çka nënkuptojmë me termin ekstremizëm. Në kuptimin më të ngushtë, shtjellova se ekstremizmi është një term që përdoret për të treguar veprime ose ideologji që shkojnë përtej asaj që konsiderohet shoqërisht e pranueshme, qoftë për arsye pragmatike ose morale. Termi, shprehja, është pothuajse gjithmonë si rregull poshtëruese. E kundërta e asaj është moderimi. E, si një i djathtë i moderuar, përkatësisht i qendrës së djathtë, pa mos lëvizur asnjë milimetër në ekstrem, pa shtuar kurrgjë, më bën të mos jem shantazhues e as manipulues, më bën thjesht vetëm të jem njerëzor, as edhe pikë diskursi më lart për presidentin rus nuk është gjykim që kalon ndonjë ekstrem, është vetëm një pikë maje e perceptimit për atë se sa dimë e njohim dhe e gjithë asaj që shohim, duke ndenjur ngulur para celularit e televizorit. Sepse bota me re do duhej të ishte një botë pa ekstreme dhe pa dhunë, ngase vetëm mirësjellja e dashuria sjellin paqe dhe shumë pak, pa mos thënë asgjë, aktualisht, bëhet për këtë.

Fatkeqësisht, në pushtet vijnë vetëm ata që duan të marrin gjithçka dhe të japin e sigurojnë asgjë. Më ra ndërmend dhe kjo. Pastaj, më prapa: “Në mënyrë të pashmangshme, diktatorët e të ligut shekull i njëzetë, si Hitleri, Stalini dhe Maoja, si dhe demagogët e ligj të Afrikës dhe Amerikës së Jugut, mundohen të arrijnë figurën e Napoleonit, megjithatë, nëse i krahasojmë me poshtërsitë e kryera nga Hitleri apo Stalini, apo nga Luigji XIV, krimet e Napoleonit e humbasin çdo vlerë”, jep me ironi përbuzjen një nga kronistët e mëdhenj të historisë franceze, Alistair Horne në librin “Epoka e Napoleonit”.

Nga kjo kohë, më në thellësi, nga tërësia e dritës, natyra e ekstremizmit nga atëherë, ka ndryshuar. Epoka moderne paraqet sfida unike që ndikojnë në shfaqjen e ekstremizmit. Ndaj dhe, thjesht, shumë thjesht, ekstremi i kësaj kohe nuk i ngjan ekstremit të së shkuarës, qoftë i djathtë ose i majtë. Për këtë shkak, e quajmë, modern. E kur jemi te qasja më përfshirëse e ekstremizmit, tash më atij modern, tani për tani i krahut të djathtë,… shpesh lulëzon nga frika dhe koka e turkut, duke synuar pakicat dhe duke promovuar politika diskriminuese. Me këtë në mendje, kjo lloj dukurie shoqërore-politike kërkon të përmbysë institucionet demokratike dhe të vendosë një sundim autoritar, shpesh të ushqyer nga keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes. Kjo rrugë çon në ndarje të shoqërisë, dhunë dhe gërryerje të çdo të drejte themelore të njeriut. Njeriu është mirë të mendojë në mënyrë kritike për këto çështje. Është shumë e rëndësishme të jetë i vetëdijshëm për rreziqet e manipulimit, pavarësisht nga prirjet politike.

Me një anë tjetër, marrë në sy, përmbledhjet e arsyes tregojnë se flluskat e informacionit: interneti, platformat e mediave (rrjeteve) sociale kanë krijuar ambiente jehone, ku njerëzit janë të ekspozuar vetëm ndaj informacionit që e konfirmon besimin dhe bindjen e tyre ekzistuese. Përqasja e këtyre flluskave, për aq sa mund të jenë të dobishme, dyfishi, trefishi e katërfishi, mund të jenë të dëmshme dhe, në këtë mënyrë, çon në radikalizimin dhe përhapjen e dezinformatave. Populizmi dhe autoritarizmi, ngritja e liderëve (politikanëve) populistë, që u bëjnë thirrje emocioneve, pa mos i trajtuar çështjet e ndërlikuara, mund të krijojë një mjedis frike dhe ndarjeje, duke e bërë më të lehtë për grupet ekstremiste që të fitojnë vëmendje. Nga kjo, për ta vënë vetëm në dukje mbi se qëndron dëshmia, rritja e pabarazisë ekonomike dhe pakënaqësive sociale mund të nxisin zemërimin dhe trazirën, duke i bërë njerëzit më të ndjeshëm ndaj ideologjive ekstremiste që “premtojnë” ndryshime rrënjësore. Në çdo rast, mënyra për t’iu shmangur manipulimit nga personalitete e politikanë ekstremistë do të ishte se kur duhet t’i dëgjojmë, më mirë të shkojmë të punojmë në kopsht, të shkruajmë një ese ose të lexojmë një libër me përmbajtje të etikës, logjikës apo të dashurisë. Se, mitet politike, populizmi dhe autokracia nuk çon gjëkundi, veç greminës, dhe kjo do të thotë se politika nuk është mitologji, siç duan akoma ta konsiderojnë dhe ta trajtojnë shumica. Ajo duhet të ketë vetëm si për synim kuptimin e shërbimit dhe drejtimit të përfitimit të përgjithshëm. Siç ka apeluar Samiu (Frashëri) i madh, kush vë interesat e përgjithshme mbi të tijat është njeri i vërtetë. Në njëfarë kuptimi, duhet ta themi shpesh se kjo është një çështje shumë e madhe, njëkohësisht dhe e ngatërruar. Është një proces i vazhdueshëm i të mësuarit, reflektimit dhe të qenit i hapur ndaj këndvështrimeve të ndryshme. Në këtë ngrehinë, qëndrimi në bosht nuk është vetëm një udhëtim sporadik, veçse një vendimmarrje përcaktuese. Ka të bëjë me të qenit i zhytur në mendime, mendje të hapur dhe i gatshëm për të sfiduar çdo bindje e besim të shtrembëruar. Përciptas, të gjithë kemi paragjykime, prandaj është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për to dhe të përpiqemi ta zbusim ndikimin e tyre në të menduarit. Të qëndruarit në “boshtin” e të menduarit të moderuar do të thotë: “Mbështetje tek të menduarit kritik ndaj çdo shkrim-leximi. Guximi i njerëzve për të qenë mosbesues, pra për të mos qenë mendjelehtë, por të jenë qelibar ndaj çfarëdo informacioni, të verifikojnë burimet dhe të jenë të vetëdijshëm për paragjykimet. Mbështetje të mediave të pavarura që ndihmon për të siguruar një gamë më të gjerë këndvështrimesh dhe redukton ndikimin e informacioneve të njëanshme. Angazhimi në dialog me respekt të ndërsjellë. Krijim të hapësirave për diskutime të hapura dhe të ndershme, ku njerëzit mund të ndajnë pikëpamjet e tyre dhe të sfidojnë narrativet ekstremiste, si dhe parashtresë në përgjegjësi dhe ndërgjegje të pashoq e shkallës më të lartë nga politikanët; transparencë, sjellje me moral të thukët dhe politika të bazuara në dëshmi nga zyrtarët e zgjedhur.”

Në pak rreshta, ku po çon ekstremizmi modern, veçanërisht i apostrofuar, ai i “djathtë”.  E për ta hedhur vështrimin, për ta kthyer këtë artikull krejt përmbys, këtu, në këtë moment, më shumë kam ndër mend të fshijë fjalë e fjalë, rreshta e rreshta, fjali e fjali, për një arsye të posaçme se, animoziteti (armiqësia), kërcënimi ndaj tjetrit, nuk i përket grupit politik të spektrit të djathtë dhe ky është (duhet të jetë) një postulat i palëkundur i së djathtës, si dhe duhet të merret si një konsideratë e pashembullt. E djathta e moderuar më së shpeshti nënkupton traditën e besimit fetar,(besimin në një Zot) dhe të familjes, traditën e pronës si formë më e përgjithshme e rendit shoqëror, konceptin e demokracisë parlamentare si dhe shtetin e së drejtës. Kur ajo kalon në një krenari e mendjemadhësi të shfrenuar, në lakmi pushteti e në “çmenduri” mendore të retorikës së manipulimit politik, dihet se ku shpie – njëjtë në mënyrë hipokrite, si puna e mashtrimit të së majtës, më pas, në më ekstremen më të mundshme – në totalitarizëm. Siç propagandoi Lenini në Manifest, “ne po marshojmë në një grup kompakt përgjatë një rruge të rrëmujshme dhe të vështirë, duke mbajtur fort njëri-tjetrin dorë për dore…” dhe tjetra është krejt një histori e të “bukurit” djall. Ndërsa një agjent lojalist në Betejën e Madridit, përgjatë luftës civile të vitit 1936, që u gjend në radhët e komunistëve spanjollë, si diversant, për të spiunuar, shqiptoi duke paralajmëruar gjithë atë me një kundërshtim se turma është vetë armiku, pavarësisht se turma si tërësi ishte pjesë e dy ekstremeve. Por, çfarë në të vërtetë është një e djathtë dhe çfarë një e majtë, sidomos për këtë kohë? Mund të them e të zbuloj një fakt (të paqenë), se që të dyja asnjëherë nuk janë përfundimisht të qarta. Duke i thënë gjërat në këtë mënyrë, nëse nuk kontribuohet në përparimin dhe prosperitetin e vendit dhe të shoqërisë, nëse nuk ka e nuk ekziston kujdesi për njerëzit, ndarja aktuale në të ashtuquajtur spektër është vërtetë e parëndësishme. E, sa për historinë, librat e të dhënat e tjera na tregojnë se dikotomia (ndarja) u krijua gjatë Revolucionit Francez, përkatësisht duke iu referuar rregullimit të vendeve në Kuvend, ata që u ulën në të djathtë mbështetën ruajtjen e status-quo-së tradicionaliste të monarkisë, ndërsa ata në të majtë e kundërshtonin atë.

Në këtë konstantë është thelbësore të kujtojmë se ideologjitë politike, madje edhe ato të moderuara, nuk duhet të përdoren kurrë për të justifikuar dëmtimin ose “çnjerëzimin” e të tjerëve. “Ekstremizmi”, marrë si trajtim i një recete që nuk vjen nga lart, është një term subjektiv dhe atë që një person e konsideron ekstremiste, një tjetër mund ta konsiderojë si diskurs legjitim politik. Megjithatë, tendenca në rritje e retorikës nacionaliste dhe ekstremiste në të djathtë është një shqetësim serioz, pasi mund të çojë në ndarje sociale, paqëndrueshmëri politike dhe dhunë.

Boshti (ideologjik) është një vend i mirë për të filluar (por, është gjithashtu e rëndësishme njeriu të jetë i hapur për të evoluar) dhe sfiduar bindjet dhe besimet e ndërgjegjshme. Në fund të fundit, ne duhet të përpiqemi për një shoqëri që e vlerëson ndjeshmërinë, mirëkuptimin dhe respektin për të gjithë individët, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike. Derisa është e rëndësishme të pranohet rritja e ekstremizmit të krahut të djathtë, është e rëndësishme gjithashtu të shmangen përgjithësimet. Jo të gjitha lëvizjet e krahut të djathtë janë ekstremiste. Ka perspektiva të ndryshme brenda së djathtës. E djathta (e moderuar), në përgjithësi, beson në qeverinë e kufizuar, lirinë individuale dhe tregun e lirë. Ajo shpesh mbështet vlerën tradicionale dhe një mbrojtje të fortë kombëtare, është e patjetërsueshme të jetë konservatore në pikëpamjet fiskale dhe, po ashtu, nga vështrimi social e moderuar. Në përmbajtjen njerëzore, individët e moderuar me prirje të djathtë përherë e më shumë e vlerësojnë përgjegjësinë personale, punën e palodhur dhe mbështetjen te cilësitë e veta. Ata i japin përparësi familjes, besimit dhe patriotizmit dhe janë me kredo morale e intelektuale të përmbushur. Priren të jenë skeptikë ndaj ndërhyrjes së pushtetit politik (qeverisë) në jetën e njerëzve dhe kanë mendime të forta e të palëkundura në rëndësinë e iniciativës dhe arritjes individuale.

Ndërsa familja, si një instancë e ndjeshme, siç është rregulli hyjnor, krijohet nga mashkulli dhe femra, ose burri dhe gruaja. Sado që sot ekzistojnë tendenca ekstreme liberale gjithandej zyrtare për të etabluar insitucionalisht një përbërje të re të një familjeje tjetër të gjinive të njëjta, morali njerëzor nuk e lejon këtë dukuri dhe e konsideron vetëm si farsë. Kurrsesi diçka tjetër të ndryshëm.

Në çdo rast, ekstremizmi është një trend që ka ardhur në rritje prej disa vitesh, i nxitur nga faktorë të ndryshëm, ankthet ekonomike, ndryshimet kulturore dhe polarizimi politik. Kjo “armiqësi ndaj të tjerëve”, ky animozitet, siç u përmend pak më para, që përshkruhet, është një karakteristikë thelbësore e shumë lëvizjeve ekstremiste, siç merr epitetin e krahut të djathtë. Kështu shpesh manifestohet ksenofobia, pra frika dhe makthi ndaj të huajve ose emigrantëve, shumë herë e nxitur nga shqetësimet për ndryshimin kulturor ose konkurrencën ekonomike, rasti i Europës, përkatësisht hemisferës perëndimore, është tregues i një uji të kthjellët, edhe pse ende në margjina të ushtrimit të forcës, mirëpo si në suazë si në aranzhim, është në rritje këto vite të fundit. Pastaj, racizmi dhe supremacia e bardhë, i cili si besim në epërsinë e një race mbi të tjerat, dendur çon në diskriminim, dhunë dhe krime të urrejtjes. Më pas, nacionalizmi, që do të thotë identifikimi i fortë me kombin e dikujt, herë pas here i shoqëruar nga një ndjenjë epërsie ndaj kombeve të tjera dhe një dëshirë për dominim kombëtar. Duke pasuar kundërshtimi edhe ndaj globalizmit (anti-globalizmi), shpesh i bazuar në besimin se ai e minon sovranitetin kombëtar ose identitetin kulturor. Ajo që është më me rëndësi, është vigjilenca ndaj kësaj tendence – të merret parasysh dialogu, durimi dhe sjellja e zgjuar ndërmjet grupeve të ndryshme politike dhe sociale.

Është shumë e drejtë kur vihet në dukje rritja shqetësuese e retorikës nacionaliste në ekstrem, jo vetëm në Europë e në hemisferën perëndimore (që shpreh dhe ngjyron ndjenjat drejtpërdrejt më shumë si shkak i masës së madhe të migrimit dhe rasteve herë pas here “terroriste” nga individë të ushqyer nga shtrembërimi i pikënisjes së normave dhe moralit të së vërtetave të çdo besimi fetar, pa përjashtim), por globalisht, në tërësi, as lindja nuk po tregon diçka njerëzore; ajo sillet si baobab (si një kërcënim i rrezikshëm tek planeti i Princit të Vogël), siç është, aktualisht, rasti i konfliktit izraelito-palestinez, brenda kësaj kohe, ku getoja, shkatërrimi e rrafshimi thuajse i plotë i Rripit të Gazës si dhe vrasjet e pamëshirshme e më të rënda nga ana e ushtrisë izraelite, kohës së fundit, posaçërisht, me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu, zyrtarisht dhunues, si një kobër që pështyn helmin neurotoksik, përbën dhunën dhe krimin dhe masakrën më të rëndë, më makabër e më çnjerëzore, pas asaj të Luftës së Dytë Botërore që ushtruan nazistët gjerman, duke vrarë me mijëra e mijëra njerëz (nga të cilët mijëra, dhe shumë e shumë fëmijë) në hapësirë, si asnjëherë, për aq kohë, po thuajse për një jetë që zgjat konflikti, duke promovuar vërtet politika të ekstremit të skajit më të tejmë, që shihen si diskriminuese ndaj popullit të përvuajtur të palestinezëve, si dhe kanë kontribuar në rritjen e shtypjes së çoroditur dhe shkatërrimit më masiv. Për më tepër, për të keq, as edhe kryeministrit indian Narendra Modi nuk amnistohet në këtë drejtim, i cili akuzohet për promovimin e nacionalizmit hindu dhe politikave që i kanë margjinalizuar myslimanët në Indi. Qeveria e tij është kritikuar për trajtimin e çështjeve të tilla, si Akti i Ndryshimit të Shtetësisë dhe Regjistrit Kombëtar, të cilat shihen si diskriminim ekstrem ndaj myslimanëve…. në këtë kuptim, gjersa shumë indianë lajnë mëkatet në Gang, ai gëzon mbështetje të gjerë nga shumë indianë të tjerë, ashtu siç e shohin dhe Netanjahun shumë izraelitë, si një udhëheqës që i mbron interesat e sigurisë së Izraelit, edhe pse në një aspekt krejtësisht tjetër kanë të bëjnë me një kryeministër kryekëput të inkriminuar e të korruptuar.

Në këtë njohje, për sa i përket kësaj, ngrihet një çështje shumë e rëndësishme, njëherësh, siç u përmend në fillim, komplekse. Është e vërtetë se rritja e ekstremizmit, qoftë në të djathtë ose në të majtë, mund të ketë pasoja shkatërruese për individët, njerëzimin dhe shoqëritë. Paralelet historike me vitet e çerekut të parë të shekullit të kaluar, që u vizatuan herë-herë si variabël në formë rreshtash, janë gjithashtu të rëndësishme, pasi ajo periudhë pa rritjen e lëvizjeve fashiste, naziste dhe komuniste që çuan në vrasjen e qëllimshme të milionave njerëzve, në një gjenocid (shfarosje) të përhapur dhe, përfundimisht, në Luftën e Dytë Botërore. Këtu po përmend dy rezultate (të dala) të mundshme të ekstremizmit të pakontrolluar: ajo e paqëndrueshmërisë politike dhe dhunës, ku lëvizjet ekstremiste – pa ndërprerje – kërkojnë të përmbysin qeveritë ekzistuese ose të prishin proceset demokratike. Marrë në intelekt, kjo dukuri, e cila hedh gjithçka jashtë boshtit si qëllim serioz, shumë lehtë mund të çojë në trazira sociale dhe luftë civile. Shkeljet e të drejtave të njeriut, ideologjitë ekstremiste, në mënyrë të përsëritur gradojnë jo tolerancën dhe diskriminimin ndaj grupeve të caktuara duke çuar në persekutim, madje edhe deri në asgjësim. Ashtu, ndonëse këto trazira ekstreme politike dhe sociale, mund t’i gjymtojnë ekonomitë, duke sjellë në papunësi dhe varfëri jashtëzakonisht të zgjeruar. Përhapja e ideologjive ekstremiste, duke synuar pushtet dhe burime natyrore, gjithashtu mund të nxisë po ashtu konflikte ndërkombëtare. Megjithatë, në dijeninë time, është e rëndësishme të mbahet mend se e ardhmja nuk është e paracaktuar sado që të presupozohet të parashihet. Ndërsa e kaluara ofron mësime të vlefshme, ajo nuk dikton të ardhmen. Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve për ta parandaluar këtë nismë të pakuptimtë me përmbajtje të ideve boshe e të mashtrimit, edhe atë duke përfshirë forcën dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike, zgjedhje të lira e të ndershme, gjykata të pavarura dhe media po ashtu të lira e të pavarura, gjithashtu dhe të ndershme që janë thelbësore për t’i rezistuar ekstremizmit. Kohezioni dhe qëndresa, një shoqëri që vlerëson diversitetin dhe ballafaqimin e mendimeve ka më pak gjasa t’i nënshtrohet atyre ideologjive të ashpra. Bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet vendeve për të adresuar me një ndjesi vërtetë të fjalës sfidat globale, si ndryshimi i klimës dhe pabarazia ekonomike, mund të ndihmojnë në parandalimin e ekstremizmit. Në fund të fundit, e ardhmja varet nga zgjedhjet tona. Por, mos të harrojmë: mjetet paqësore janë gjithmonë mënyra më efektive e përpjekjes, për ta parandaluar ekstremizmin. Njeriu duhet të jetë çdoherë mbi çdo devijim, çdo ekstrem, të parimit ideologjik qoftë politik apo fetar. Sidomos në këtë takt e drithmë, për t’i dhënë hapësirë prezantimi dhe ekstremizmit fetar, që është një çështje po ashtu komplekse, pa asnjë shkak të vetëm, madje si term edhe thuajse pa ndonjë përkufizim, e cila duke përfshirë mungesën e edukimit, jo aksesit në arsim, si dhe rrallësinë e të menduarit kritik me përmbajtje keqinformimi, më pas dhe keqinterpretimin e teksteve dhe mësimeve fetare, propagandën dhe rekrutimin, përdor fenë për të justifikuar dhunën, urrejtjen, vrasjet ose diskriminimin ndaj të tjerëve. Dhe, nga ky vend ku jemi, nga një largësi shumë e gjatë kohore gati gjysmë mijëvjeçare e mijëvjeçare, derisa Shekspiri i cili nëpërmes Hamletit mallkon mëkatarët, çon fjalë se nuk ka errësirë tjetër nga padituria, derisa një nga polimatët, mendimtarët më të mëdhenj të epokës së artë islamike, El-Gazali, na njofton se shkalla më e ulët e dëshirës është heqja dorë nga e dyshimta dhe e rrezikshmja, ndërkaq veprimi i njeriut është…një lloj fatalizmi në zgjedhje. Që këtej, bota, njerëzimi, detyrimisht me një vëmendje të pakontestuar duhet të avokojë në mënyrë aktive, së pari, diturinë, edukimin, përkujdesjen, mirëkuptimin, si dhe përballimin për ta parandaluar rritjen e ekstremizmit dhe për të këmbëngulur ta rindërtojë një botë më paqësore dhe më të drejtë.

Në këtë vëzhgim, për të vënë në njohje edhe një diçka e, ndoshta dal paksa jo konvencional, për atë që do përqafoj se Çërçilli në një paraqitje dha një kusht: – një fjalim (lexo në këtë rast, një shkrim) duhet të jetë si fustani i një gruaje: mjaftueshëm i gjatë për të mbuluar temën dhe mjaft i shkurtër për të qenë interesant-.  Për këtë, do më duhet (duhej) edhe një metër letër për ta çuar përpara këtë artikull, këtë shkrim. Mbase i jap, FUND.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X