Poezitë e Nolit kanë motive biblike duke i dhënë ngjyresa filozofike. “Marshi i Krishtit” ka një muzikalitet të veçantë, një ritëm të shpejtë që na tregon se Krishti, si figurë identitare fetare na paraqitet sfidues përballë njerëzve të korruptuar, që përdorin fenë për përfitime vetjake, një lloj metode si indulgjencat e Kishës Katolike gjatë Mesjetës që blinin fletushka të cilat përmbanin lutje të veçanta për faljen e mëkateve, e nga kjo kuptojmë se besimi pa drejtësi është dyfytyrësi e hipokrizi.
Shkruan: Emine BORIÇI, Tiranë
ASPEKTI ATDHETAR: Letërsia gjithnjë ka qenë një formë estetike që ngërthente rreth vetes tematika të ndryshme në varësi të rrethanave sociologjike të arealit përkatës, duke identifikuar jo vetëm shijen si esencë, por edhe homologim të rrethanave historike duke krijuar një klauzolë të veçantë mbi rrymën letrare përkatëse. Në pikëpamje diakronike, ky kontekst piketon motive të një trazicioni territorial që lidhet drejtpërdrejt me motivin e lirisë dhe pavarësisë që ishte synim i periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ashtu si shumë autorë, edhe Fan Noli kontribuoi me vëllime poetike, drama dhe përkthime që pasqyronin mallin e thellë për Shqipërinë, pasi Noli ishte në mërgim.
Krijimtaria poetike e Nolit është nxitur nga momente të tensionuara historike, kur e ndiente veten se duhet të komunikonte për idealet, vuajtjet dhe për shpresën kombëtare. Si patriot, Nolin gjithnjë e ka shqetësuar fati i Shqipërisë, andaj aspekti atdhetar na shfaqet te disa poezi, si “Himni i Flamurit”, “Jepni për nënën” “Anës lumenjve” etj.
“Himni i Flamurit” është një ndër poezitë me ndjeshmëri të thellë poetike dhe përmban një solemnitet himnizues, të paprekshëm ndaj asgjëje
“O Flamur gjak, o flamur shkabë
O vënd e vatr’ o nën’ e babë
Lagur me lot, djegur me flagë
Flamur i kuq, Flamur i zi.”
Thirrja noliane nëpërmjet apostrofit do të sjellë në vetëdije qëndresën e shqiptareve, duke marrë parasysh çdo sakrificë e flijim, madje poezia shkon në një retrospektivë të largët, në një fluturim pegasik duke marrë figurën historiko-kombëtare, Skënderbeun, patrioti që identifikoi vendosmërinë, zbriti idealitetin në rrafshin praktik e heroizmi i tij, ashtu siç shprehet Noli, “Yll i pavdekur për Liri” është kronizimi i kultit të heroit patriotik siç e ka përmendur edhe Henry Wadsworth Longfellow, që poema ka si qendërzim elementin atdhetar. Skënderbeu nuk është vetëm figura historike kombëtare, por personifikon edhe njeriun që përfaqëson shpirtin, krenarinë dhe vullnetin e popullit shqiptar. Toni liriko-patriotik shërben si thirrje për vetëdije që shpërhapet si koncept i unitetit dhe rezistencës e këtë e vërteton më së miri te poezia “Jepni për nënën” e shkruar më 1917, e cila na shfaqet si një thirrje për atdheun dhe përdor figurën e nënës si simbol i popullit shqiptar. Nëna përfaqëson origjinën burimore të edukimit, të përkujdesjes dhe të mbjelljes së atdhedashurisë për vendin e kur ky i fundit përballet me tradhti, shtypje e varfëri autori i drejtohet figurës së nënës si strehim ndaj së panjohururës.
“Cilët jan’ ata tiranë
Që të prent’ që të vranë Që të therrë bij’ e bija
Dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpija?
Mbahu Nëna, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.”
Edhe pse fjala leksikore nënë është një emër i përgjithshëm, në pamje të parë ajo aludon çdo nënë shqiptare, atë figurë që është e rënduar psikologjikisht nga humbja e trashëgimtarëve. Kërkon vatrën, kërkon nderin, kërkon bijtë e besës, kërkon bashkimin, shpresën dhe mbështetjen e kjo formë dialoguese merr përgjigje nga autori “…se ke djemtë në Amerikë” shfaq një emotivitet të fuqishëm që një pamje të parë duket refleksion i një individi ku pas saj fshihet simbolika, nëna-atdheu-Shqipëria.
ASPEKTI FETAR: Poezitë e Nolit kanë motive biblike, duke i dhënë ngjyresa filozofike. “Marshi i Krishtit” ka një muzikalitet të veçantë, një ritëm të shpejtë, që na tregon se Krishti, si figurë identitare fetare, na paraqitet sfidues përballë njerëzve të korruptuar, që e përdorin fenë për përfitime vetjake, një lloj metode si indulgjencat e Kishës Katolike gjatë Mesjetës që blinin fletushka të cilat përmbanin lutje të veçanta për faljen e mëkateve, e nga kjo kuptojmë se besimi pa drejtësi është dyfytyrësi e hipokrizi. Prisnin figurën teologjike për ndryshimin rrënjësor
“Hosanna, hosanna
O i bir i Davidit i Miri Bari
Ti na ruan, na mpron, dhe për ne bëhesh fli…”
Si etimologji, emri hosana është një fjalë me origjinë hebraike që do të thotë “Na shpëto të lutem” e në kontekstin biblik përdorej si thirrje shprese, sidomos me hyrjen e Jezusit në Jerusalem. Kështu hosana bëhet një thirrje, por me një kontekstualitet të fshehtë, sepse turma kërkon shpëtim e po kjo turmë e kryqëzon Krishtin. Në lidhje dikotomike me këtë poezi dhe me “Krishti me kamçik” janë segmentime përplotësuese të së njëjtës logjikë. Poezia bazohet në një episod biblik, ku Jezusi dëbon tregtarët nga Tempulli, sepse e kishin metamorfizuar qëllimin nga një predikim i pastër shpirtëror në një pazar tregtie
“Çdo shenjt’ ideal, për çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregtie”
Në të gjithë poezinë mbizotëron revolta kundër shfrytëzimit, por përsëri Krishti, si personifikim i së mirës, paqes dhe dëshirës për ndryshim, e kundërshton Shën Pjetrin, duke u shprehur “s’e ka fajin kurrizi, por truri \ se lirin’ e sjell drita e mendjes e jo druri.”
Ky dëbim sjell edhe hosanën e shtirur të turmës duke e kryqëzuar ‘të dashurin e zemrës së tyre’.
Poezia “Marshi i kryqësimit” është një dështim i botës njerëzore, pasi nuk pranuan gabimin, atë që vepruan duke mbartur peshën e fajit që të ktheheshin kah pendesa, por kërkuan ta vrisnin, ta varrosnin, madje duke e akuzuar se nuk ka dashur as jetë, as martesë, as para duke e çuar në një destinacion të pashmangshëm në Golgotha.
Fan Noli nuk e paraqet këtë si një histori të marrë nga Bibla për t’ia bashkangjitur letërsisë, por merr figurën ikonike të Krishtit për të vërtetuar padrejtësinë. Kur preket interesi material, si ngacmim jepet reagimi i menjëhershëm, qoftë edhe i gabuar. Andaj marshi, ecja e disiplinuar është drejt një rrugë që do të sillte zvetënim e tharje të logjikës njerëzore.
Thelbi nolian në këto poezi qëndron në aspekte krahasimtare të figurës së Krishtit me intelektualë e njerëz si ai, që e donin atdheun dhe flijoheshin për të përballë uzurpatorëve e demagogëve që ishin në dashakeqësi të vendit.
Fan Noli solli në poezinë shqipe një tematikë të re, duke ndërthurur patriotizmin me filozofinë, humorin dhe simbolizmin, duke bërë ndarjen nga tradita dhe hyrjen në një botë intertekstuale moderniste.









