loader image
March 24, 2026

Adem Jashari në kujtesën kolektive dhe në këngët patriotike

Portretizimi i Adem Jasharit në këngët patriotike ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se figura e tij i ka tejkaluar kufijtë e këngëve për dëshmorët e kombit, por ai është shndërruar në mit real të prekshëm dhe si udhërrëfyes i së ardhmes, që pak figura historike shqiptare kanë arritur në këtë nivel.

Albin MEHMETI, Skenderaj

5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998, që tashmë njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbetet ngjarja që u bë indicie e zhvillimeve të mëvonshme të luftës çlirimtare dhe një nga datat themeltare të krijimit të shtetit të Kosovës. Më herët ishte bërë e zakonshme që me rënien e një lideri të një kryengritjeje të shuhet edhe ai formacion ushtarak e gueril. Rënia e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, ishte krejt ndryshe. Rënia u bë ngritje dhe flijimi u bë ringjallje ose, siç do të thoshte Ismail Kadareja me rastin e vizitës në Kompleksin Përkujtimor: ndodhem në familjen Jashari, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë, që e ndriçoi Prekazin, pas tij Drenicën, e pas tij mbarë Kosovën. Pra, kjo rezistencë, që deri atëherë ishte në disa zona të caktuara brenda Kosovës, u përhap edhe më tej, në gjithë Kosovën dhe zgjoi interesim edhe te shqiptarët tjerë jashtë kufijve të Kosovës.

Në lidhje me këtë rezistencë u fol shumë, por u bë pak. Edhe pse kjo betejë është akti themeltar i shtetit të Kosovës, u bënë pak studime serioze, e të mos flasim për pjesën letrare, ku mungojnë sidomos veprat prozaike, madje edhe ato që janë, qofshin tregime, novela ose romane, nuk i kanë kaluar rrethet letrare, që disa i quajnë qarqe e ca të tjerë shkolla letrare. Fatkeqësisht, ende nuk ka një vepër të fuqishme e as shkëndijë të ndonjë romani historik (e këtu po bëj edhe autokritikë), i cili do ta kishte fuqinë e romaneve historike të Sabri Godos për Skënderbeun dhe Ali Pashë Tepelenën.

Në anën tjetër, kemi një pasuri të konsiderueshme të këngëve, të cilat në artin letrar i quajmë poezi lirike, të cilat u krijuan gjatë dhe pas luftës dhe po vazhdojnë të krijohen edhe sot e kësaj dite në zhanre të ndryshme, që nga folklori e deri te muzika rep, që nga moshat e reja e deri te me të vjetrit.

Roli i këngëve në luftën çlirimtare

Pas flijimit të familjes Jashari, lufta çlirimtare mori një dimension tjetër. Ajo u përhap edhe përtej kufijve të Kosovës, duke marrë jehonë edhe në trojet shqiptare, por edhe më tej, në mërgatë. Rol të veçantë në përhapjen e frymës së luftës kishin edhe organizimet në diasporë, ku vlen të ceken koncertet Homazh për Kosovën, që si qëllim parësor kishin ndihmën humanitare dhe të luftës çlirimtare. Organizimet në diasporë, e veçanërisht në Europë dhe SHBA, armën kryesore e kishin artin dhe këngën. Historikisht, kënga popullore historike te shqiptarët nuk ka qenë vetëm art, por – me mungesën e shkollave – ajo ishte shndërruar gjithherë në kujtesë historike e propagandë për luftë e ideale kombëtare. Këngët e kënduara për luftën e fundit janë vijimësi e këngëve historike, që fillesën e kanë te këngët për Betejën e Kosovës, e deri te këngët për lëvizjet kaçake të Azem Galicës e luftën antikomuniste të Shaban Polluzhës, por edhe për heronjtë e tjerë të kohës. Në këngët për luftën e fundit shquhet lart heroizmi dhe trimëria e djemve dhe vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me njeriun që brenda një dite u shndërrua në legjendë, Adem Jasharin. Këto këngë, siç rrëfyen dhe rrëfejnë më pas luftëtarët e lirisë (e një pjesë e tyre, sot janë dëshmorë të kombit), u bënë shtysë për bashkëngjitje në aradhat e luftës, por edhe inspirim në llogore e fushëbeteja, ashtu siç ishte kënga e Zhuj Selmanit inspirim për Adem dhe Hamëz Jasharin. Pa dyshim, kujtimi i dëshmorëve dhe betejave është arma me e fortë kundër harresës ose, siç tha Lorka, se kënga e një populli është arkivi i shpirtit të tij dhe arma që nuk ndryshket kurrë.

Lufta e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari si qëndresë kombëtare

Siç u cek edhe më lart, edhe siç dihet historikisht, lufta e familjes Jashari e tejkaloi dimensionin e një beteje të zakonshme. Kjo betejë, që u bë qëndresë kombëtare, siç shihet edhe në këngë, nga autorët e teksteve nuk shihet vetëm në datat 5, 6 dhe 7 mars, por kjo ka origjinë shumë më të hershme; kjo qëndresë do të ketë trashëgimi edhe më pas. Në këngën Zbret shqiponja, përmes personazhit lirik të nënë Zahides, thuhet: Atëherë lokja nisë e thotë; E kam prit një ditë si sot. Këtu shohim se ideja e qëndresës nuk është diçka e krijuar, por e lindur dhe shihet në ADN-në e kësaj familjeje, të bartur nga brezi në brez. Më tej, në këngën Zo’ ku t’kam moj çifteli, e kënduar nga rapsodi Rifat Berisha, ndër të tjera thuhet: … s’ndalet pushka e Ademit Jasharit, ku shohim se lufta e nisur me trimëri dhe e përfunduar me flijim u bë qëndresë dhe trashëgimi e djemve dhe e vashave të tjera të Kosovës, të cilët vazhdojnë qëndresën kombëtare.

Pas rënies legjendare të familjes Jashari dhe Kryekomandantit, ai – brenda një nate – nga njeri i zakonshëm u rikthye në legjendë, mit e inspirim për të tjerët ose, siç u kumtua edhe lajmi në Televizionin Shqiptar: sot në Kosovë kanë lindur një mijë Adem Jashara. Pikërisht kjo rënie, që solli lirinë e Kosovës, bëri që ai ta marrë epitetin e prijësit të luftës, duke mos qenë në botën e të gjallëve. Në këngën emblematike Kreshtat e Kosovës, kënduar nga heronjtë e kombit, Mujë Krasniqi dhe Beqir Gashi, shohim vargun: … prapë në Kosovë po lindin Hamëza e Adema, ku tashmë Adem dhe Hamëz Jashari nuk janë emra të përveçëm, por u shndërruan në simbole dhe morën atributin e prijësve të luftës çlirimtare.

Heroi si përjetësi

Një shkrimtar dhe filozof skocez thotë se heronjtë nuk vdesin, por vetëm pushojnë së qeni të prekshëm, sepse jetojnë në përjetësinë e shpirtit të popullit. Ky mendim i përshtatet plotësisht figurës së Adem Jasharit dhe familjes së tij. Në këngët kushtuar Epopesë së UÇK-së, heroi nuk paraqitet më si një njeri që e përfundoi jetën me vdekjen, por, përkundrazi, vdekja ia fali përjetësinë. Në tekstin e këngës Sërish vjen marsi, për të cilën autori Adem Gashi ka pohuar se nuk do të shkruajë më poezi për këtë temë, pa e tejkaluar vetveten, hasim vargun: vetëm ai nuk plaket kurrë. Ky varg e përjetëson figurën e komandantit, duke e nxjerrë atë nga koha biologjike, për ta shndërruar atë në kohë simbolike. Po ashtu, në këngën Komandant, kënduar nga Ilir Shaqiri, thuhet: ne po plakemi e vetëm ti po mbetesh i ri. Këtu theksohet qartë dallimi midis përkohshmërisë njerëzore dhe përjetësisë së idealit ose thënë më qartë përjetësia e heroit dominon mbi këtë botë ku çdo gjë është e përkohshme.

Kështu, figura e Adem Jashari, përveçse na del si kujtim, atë e shohim të pranishëm edhe si mbamendje të një ideali që nuk vdes asnjëherë. Pikërisht këtë dimension e përforcon edhe titulli i këngës Ai është i gjallë (kjo fjali e këngës tashmë është e shkruar edhe pranë fotografisë së komandantit legjendar te kulla simbol), ku njëlloj si në këngët e mëparshme nuk kemi të bëjmë me Adem Jasharin si njeri, por si simbol i pavdekësisë së idealit.

Kosova edhe heroi na dalin binom i pandarë, ku Adem Jashari është i Kosovës dhe Kosova është e Adem Jasharit, pra njëri bëhet sinonim i tjetrit. Në këngën Kush ka lind Kosovë për ty shpërfaqet gjithë historia, që nga rezistenca e deri te flijimi, ku kemi të pranishëm tre breza: Kushtrim Jashari, që paraqet rininë e fuqinë; Adem Jasharin, që paraqet pjekurinë e trimërinë; dhe Shaban Jasharin, që paraqet pleqërinë e urtësinë, por që të gjithë këta breza kanë një emërues të përbashkët – sakrificën.

Brenda kësaj qëndrese heroike të pashembullt në historinë shqiptare e përtej kemi edhe një dimension tjetër të Epopesë së lavdishme – dimensionin e dhimbjes për jetët e humbura të fëmijëve dhe grave. Edhe këtë dimension, këngëtari popullor nuk e la anash, por e paraqiti, pa rënë në patetizëm dhe pa ia humbur formën më të lartë të respektit. Në këngën Çka po thotë Adem Jashari e kemi vargun sa të dhimbshëm, aq edhe madhështor: për Kosovë i dha te tana, ky Kryeheroi dëshmoi se këtë nuk e kishte fjalë, por vepër. Dimensionin e dhimbjes e shohim edhe në këngët Dymbëdhjetë flakadanët dhe Sofra e përgjakur, ku në rastin e parë kemi kujtesën për gratë e Jasharëve, ndërsa në të dytën, me tekst të Fatmir Mujës, e kemi praninë e fëmijëve të vrarë dhe simbolin e sofrës së përgjakur, si dëshmi e agresionit të egër të një shteti të tërë ndaj një familjeje të vetme. 

Përfundim

Portretizimi i Adem Jasharit në këngët patriotike ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se figura e tij i ka tejkaluar kufijtë e këngëve për dëshmorët e kombit, por ai është shndërruar në mit real të prekshëm dhe si udhërrëfyes i së ardhmes, që pak figura historike shqiptare e kanë arritur në këtë nivel. Tashmë e shohim se si kënga Mora fjalë është e pranishme kudo, në dasma e gëzime, në stadiume, palestra, objekte kulti e çdokund ku dëgjohet një tingull i një kënge. Kjo këngë tashmë është bërë himn i çdo shqiptari që këndohet njëlloj në Kosovë, Shqipëri, Tetove, Ulqin e në çdo vend ku ka shqiptarë.

Këngët për Adem Jasharin dhe familjen e tij, të kënduara që nga rapsodia e deri te këngët e tifozëve në stadiume, na mëson se Adem Jashari dalëngadalë prej heroit real po shndërrohet edhe hero artistik. Trinia e pandarë, Adem Jashari-liria-Kosova është sinjali më i mirë që gjaku i derdhur dhe amaneti i dëshmorëve tashmë është ngjizur në qenien shqiptare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X