Zogolli erdhi në pushtet me bajoneta të huaja dhe e shpalli veten mbret. Atëherë vjen pyetja: a e kanë njohur monarkitë e kohës si të tillë? Shovinistët serbë nuk do ta njihnin jo vetëm sepse ai u ktheu shpinën, por edhe sepse e quajti vetën “mbret të shqiptarëve”, ashtu siç kishte bërë një monark grek, që e kishte quajtur veten “mbret të helenëve”. Për serbët një mbret i shqiptarëve do të thoshte edhe i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi dhe sigurisht ata nuk do ta pranonin kurrsesi këtë. Shovinistët grekë gjithashtu nuk do ta njihnin, sepse ata lakmonin një copë të madhe të Shqipërisë.
Xhevat LLOSHI, Tiranë
Forma e regjimit në një vend ka rëndësi të posaçme jo vetëm për anën shtetërore e politike, por edhe për jetën ekonomike, shoqërore e kulturore. Gjuhëtari i shquar Eqrem Çabeu dhe etimologë të tjerë mendojnë se në gjuhën shqipe fjalët perandor dhe mbret vijnë nga latinishtja imperator. Nga ana historike kjo më duket se nuk qëndron.
Nuk dihet si e kanë titulluar veten mbretërit ilirë nga Bardhyli deri te Genti (shek. IV-II para e.r.). Mbreti Monun (rreth 280 para e.r.) kishte prerë një monedhë, në të cilën shkruhej greqisht vasileos, por kjo fjalë nuk ka lënë gjurmë në shqipen. Imperator në periudhën romake republikane kishte kuptimin e kryekomandantit, nga lat. imperare për “komandoj”. Si titull e merrte një gjeneral fitimtar, të cilin e brohorisnin “imperator!” ushtarët e legjioneve të tij. I pari e fitoi titullin Emilius Paulusi më 180 para e.r. Si perandor e mori më 90 para e.r. Jul Cesari dhe prej famës së tij gjermanisht perandori u quajt Kaiser. Rrjedhimisht, te ilirët nuk ka hyrë në përdorim kjo fjalë përpara shekullit të dytë para erës së re dhe aq më tepër nuk mund të kishte kuptimin e mbretit. Pas pushtimit romak të Ilirisë banorët e viseve tona sigurisht që do ta njihnin fjalën dhe do ta ndryshonin ca nga ca në përputhje me natyrën fonetike të gjuhës së tyre. Gjithashtu fjala do të ishte e pranishme edhe gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine. Një mbështetje për këtë e jep fjala e gjuhëve sllave car, e cila del për bullgarishten më 917 për car Simeonin, në rusishten që nga shek. XI, madje edhe për sundimtarët tatarë.
Etimologu i njohur Maks Fasmer (Vasmer) ka shënuar se Caesar nuk del në rumanishten dhe shqipen, por prania e fjalës perandor në shqipen e re, pavarësisht se mungon dokumentimi i hershëm me shkrim, nuk mund ta rrëzojë mendimin se është një fjalë latine, e cila nëpërmjet ilirishtes ka mbijetuar në shqipen. Këtu do përmendur një rrethanë e veçantë. Pas ardhjes në pushtet të besimeve fetare monoteiste, klerikët e ushtruan pushtetin mbi sundimtarët, duke pëvetësuar kurorëzimin. Monarku duhej kurorëzuar nga një autoritet më i lartë se ai. Ka mbetur e famshme ngjarja e vitit 1077, kur perandori Henriku IV priti tri ditë në dëborë në Kanosë për të shpëtuar nga shkishërimi. Pavarësisht nga përplasjet e ndërlikuara të mëtejshme ndërmjet pushtetit fetar dhe pushtetit laik, deri në kohën tonë pranohet vetëm monarku i kurorëzuar nga një autoritet më i lartë. Mirëpo ka pasur edhe sundimtarë, që e kanë dashur titullin e monarkut pa iu nënshtruar ndonjë autoriteti, domethënë janë vetëshpallur. Italisht janë quajtur impostore nga shek. XIV (edhe anglisht impostor), me pasojën që oborret e tjera nuk i njihnin.
Gjatë rreth dy mijë vjetëve ilirët-arbërit-shqiptarët nuk kanë pasur ndonjë mbret të vetin. Ata janë ndeshur me mbretër të huaj dhe kanë pranuar titujt e tyre sipas gjuhëve përkatëse. Për botën latine është përdorur regj, nga lat regem (apo regis?), e dëshmuar mirë që nga Buzuku edhe me zgjerim kuptimi. Për popujt sllavë është përdorur kral (nga emri i Karlit të Madh në shek. IX). Me pushtimin osman u përdor titulli sulltan. Prandaj e quaj historikisht të pambështetur që emri i shqipes për mbretin të ketë ardhur po nga ajo fjalë e latinishtes për perandorin. Ka shumë më tepër gjasa që fjala të jetë përdorur në Mesjetë, kur feudalët shqiptarë fituan pavarësi dhe u paraqitën të njëjtë si edhe feudalët e tjerë të Europës. Dihet se në shek. XIII-XIV viset shqiptare ranë nën sundimin e Anzhuinëve, kur u përdor termi Rex Albaniae dhe ma merr mendja se atëherë hynë në përdorim edhe titujt e tjerë, që lidhen me formën monarkike, si kont, dukë etj., që i gjejmë qartazi pastaj në kohën e Skënderbeut (dhe në toponimi, si Dukat). Ka shumë më tepër gjasa, që mbret të jetë përftuar në këtë periudhë nga it. prete, sepse kjo fjalë nga ptesbiter, ka pasur fillimisht kuptimin e plakut dhe dëshmohet nga gjysma e parë e shek. XII. Në mendësinë patriarkale shqiptare, e cila i kishte të forta gjurmët e rendit fisnor me një plak në krye, fjala ka marrë kuptimin e mbretit. Është përdorur gjerësisht në përrallat popullore pikërisht për një mbret të përgjithshëm, pa lidhje me ndonjë etni të caktuar. Edhe sot në lojën me letra një figurë quhet njësoj plaku ose mbreti. Për herë të parë e gjejmë të shkruar më 1770 nga T. Kavalioti. Por, interesante është se për arumanishten ai jep gjithashtu “mbret”, jo si në rumanishten “rege”. Arumunët asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë formacion monarkik, kështu që kanë huazuar fjalën shqipe nga gjuha e folur. Shpjegimi i propozuar këtu është edhe më i pranueshëm fonetikisht, sepse është një dukuri e njohur në gjuhën shqipe, për shembull, prapa>mbrapa, proj>mbroj, pra: prete>mbret.
Rilindësit shqiptarë nuk e kishin trajtuar gjerësisht, se cila do të ishte forma e regjimit për shtetin e pavarur shqiptar. Mendimi i Sami Frashërit për një “demokraci prej pleqet” ishte një sajim pa mbështetje në ndonjë traditë dhe pa mundësi reale që të vihej në jetë. Kur u shpall pavarësia, në Ballkan vendet e tjera ishin me mbretër, prandaj Fuqitë e Mëdha edhe për Shqipërinë kërkonin vetëm regjim monarkik. Në këtë hulli ata dërguan Princ Vidin, sepse ai ishte protestant dhe mund të mos ngjallte konflikte po t’i përkiste njërit prej besimeve kryesore ndër shqiptarët. Lufta e Parë Botërore e përmbysi këtë zgjidhje, por mbetej ideja monarkike. Evoluimi historik ka treguar se rregullisht kalimi është bërë nga monarkia te republika. Kjo ndodhi për pak kohë në Shqipëri, por në shtator 1928 u bë përpjekja e parë dhe e fundit për të ecur kundër historisë, domethënë për të vendosur një monarki. Natyrisht, ishin përsëri rrethanat e njëjta të shteteve të tjera ballkanike.
Tashti kur e gjithë kjo problematikë i përket një shekulli më përpara, është me interes të interpretohet me një këndvështrim sa më objektiv. Është e natyrshme që ka pasur trajtime të shumta dhe mjaft të ndryshme, prandaj do të kufizohem vetëm në disa prej tyre.
Marcus Tanner është një gazetar dhe autor i shumë librave, i specializuar për Europën Qendrore dhe Lindore. Më 2014 ka botuar një libër kushtuar Edith Durhamit (Albania’s Mountain Queen), libër të cilin autori tjetër i njohur në këtë fushë, Tim Judah, e ka quajtur “Një libër fantastik”. Ishte e pritshme që ai do të përmendte edhe emrin e Ahmet Zogut, sepse dihet që Durhami nuk kishte qëndrim të mirë ndaj Zogut, për më tepër sepse ai ishte edhe nip i Esat Pashë Toptanit, për të cilin ajo ka shkruar drejtpërdrejt në librat e saj, madje ka botuar edhe një artikull më vete më 1920 (“Historia e Esad Pashës”, në revistën “The Contemporary Review”).
Çfarë shkruan M. Taneri më 2014? Çifligarët shqiptarë e shihnin me dyshim një qeveri popullore përgjithësisht në Shqipëri dhe do të parapëlqenin të punonin me një satrap lokal, të cilit mund t’ia diktonin gjërat dhe nuk do t’i duhej të kthehej prapa te një parlament zhurmëmadh. Kreu i çifligarëve, Ahmed Zogu, e mori pushtetin me ndihmën e pak mijëra ushtarëve, kryesisht emigrantë bjellogardistë, që i rekrutoi në Beograd (f. 228). Unë vetë kam takuar një bjellogardist të tillë të moshuar në fund të viteve 1960-të, i cili punonte në ndërtim në Tiranë. Edhe në një libër tjetër të vitit 1945, të përkthyer e të botuar shqip më 2020 (Doracak gjeografik. Shqipëria. Sektori i Inteligjencës Detare), pohohet po kjo gjë, se Zogu u kthye nga Beogradi me mbështetjen serbe, ndërsa ushtarët ishin kryesisht rusë dhe jugosllavë. (f. 287). Do të më lejohet të jap këtu një citim më të gjatë nga M. Taneri. Pasi e ka dënuar lëshimin e Shën Naumit në duart e jugosllavëve si një humbje mjaft të rëndë për Shqipërinë dhe një akt të turpshëm, ai vijon: “Krijimi i një monarkie të re në Europë në fund të viteve 1920 u duk si një gjest arkaik tashti që katër dinastitë e mëdha në Turqi, Rusi, Gjermani dhe Austro-Hungari kishin rënë… Është domethënëse që të gjitha shtetet e reja të formuara pas rënies së viteve 1917-1918 – Çekosllovakia, Polonia, Finlanda dhe Shtetet Balltike – zgjodhën forma republikane të qeverisjes. Bënte përjashtim Jugosllavia, por ajo ishte një Serbi e zgjeruar dhe kështu trashëgonte Karagjorgjeviqët. Përjashtimi tjetër ishte Shqipëria. Madje edhe aty idea për të pasur një mbret i shqetësoi mjaft njerëz.” (f. 230). Është vendi të sjell ndër mend që Fan Noli e quajti këtë ”një farsë mbretërore”, Çajupi shkroi se “popujt e tjerë po shëkojnë t’i përzënë mbretërit” dhe në këtë frymë kuptohet mospëlqimi i udhëheqësit turk, Mustafa Qemalit, për sajimin e një mbreti, ndërsa ai vetë kishte luftuar për republikën.
Ahmed Zogolli ka qenë një mbret i vetëshpallur, një impostor. Nuk ka nevojë për referime te një libër i botuar më 2007 nga autori Jason Tomes, sepse mjafton vetë titulli i librit “King Zog: Self-Made Monarch of Albania”, domethënë mbret i vetëshpallur.
Duke u kthyer një gjysmë shekulli pas nga M. Taneri, kam në dorë librin “Shqiponja hap kthetrat”, të autorit Lesli Gardiner, botuar në Londër më 1966. Ai kishte shërbyer në Marinën Mbretërore dhe për dy vjet në heqjen e minave detare në ujërat italiane dhe greke. Rrjedhimisht, libri i tij është për incidentin e Kanalit të Korfuzit, i cili tashmë është vërtetuar se ka qenë një provokacion britanik i dështuar kundër Shqipërisë, ndërsa për të u mbajt peng për shumë vjet edhe ari shqiptar i grabitur. Që në faqet e para thuhet se ai e kishte kurorëzuar veten Mbreti Zog i Parë. Me ironi, autori shtonte se çfarëdo ngjarjesh të papara mund t’i ndodhin Shqipërisë, gjithsesi “nuk mund të shihet asnjë mundësi që të ketë ndonjëherë një Zog të Dytë”. Çfarë donte Flota Britanike, kjo mbrojtëse e shquar e monarkisë, e njohur për prirjen e vet që të ndërhynte në punët e brendshme të vendeve të tjera, veç në mos kërkonte “ta shtronte rrugën për kthimin e Zogut, satrapit, diktatorit dhe të një “sulltani të vogël” – të atij që e kishte trajtuar Shqipërinë si një pronë të madhe private dhe thesarin e saj si një llogari bankare personale?” (f. 48). Te ky autor kam lexuar edhe diçka, që nuk e kam ndeshur në burime të tjera. Pak ditë përpara se Zogu i dëbuar nga regjimi i ri në Egjipt do të nisej për Francë në shtator 1953, “policët hynë në shtëpinë e tij dhe, pavarësisht prej protestave të fuqishme, i konfiskuan një numër florinjsh nga kasaforta e tij. Të nesërmen e tërhoqën edhe lejen për t’u larguar familja mbretërore shqiptare. Më një nëntor kryeinspektori i xhandarmërisë së Aleksandrisë mësyu me policë mjediset e banesës.” U sekuestruan disa armë dhe arsyeja e këtyre veprimeve qe se ish mbreti do të hetohej për mospagesën e taksave (f. 254)..
Mirë, Zogolli erdhi në pushtet me bajoneta të huaja dhe e shpalli veten mbret. Atëherë vjen pyetja: a e kanë njohur monarkitë e kohës si të tillë? Shovinistët serbë nuk do ta njihnin jo vetëm sepse ai u ktheu shpinën, por edhe sepse e quajti vetën “mbret të shqiptarëve”, ashtu siç kishte bërë një monark grek, që e kishte quajtur veten “mbret të helenëve”. Për serbët një mbret i shqiptarëve do të thoshte edhe i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi dhe sigurisht ata nuk do ta pranonin kurrsesi këtë. Shovinistët grekë gjithashtu nuk do ta njihnin, sepse ata lakmonin një copë të madhe të Shqipërisë dhe prandaj me konseguencë e kanë mohuar një mbretëri shqiptare të konsoliduar e të pranuar ndërkombëtarisht. Italia e tregoi më 1939 sesa e njihte. Lidhur me qëndrimet e monarkive të tjera europiane mjafton fakti se asnjë oborr nuk pranoi t’i jepte bashkëshorten një impostori dhe puna përfundoi te Geraldina, një emër i panjohur në ato rrethe.
Titulli i mbretit u vu në provën e zjarrit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga agresioni fashist e nazist u larguan prej vendeve të tyre disa monarkë. Ata u pritën si të tillë atje ku mërguan. Por, Ahmet Zogun nuk e qasi njeri si të tillë. Përshkrimin më të mirë të kësaj historie e ka dhënë autori Neil Rees në librin “Mërgimi mbretëror” (2010), të cilin e kam përkthyer shqip më 2011. Autori e ka shprehur qartë se “dinastitë mbretërore e shihnin mbretin Zog si një monark të vetëshpallur”. (f. 16). Ndërsa me ironi shton: “Në Britaninë e Madhe emri “Zog” nuk është marrë asnjëherë seriozisht, për shkak se ai fatkeqësisht përkonte me emrin e një lënde pastruese shumë të mirë të njollave nga boja.” Gjatë arratisjes së Zogut nëpër Greqi, Turqi, vendet veriore derisa përfundoi në Londër, asgjëkundi nuk e priti dikush si monark. Edhe kur u vendos në Londër në Hotelin Ritz, ku kishin gjetur vend edhe udhëheqës të tjerë nga vendet e pushtuara, sipas autorit “Zogu kishte rënë shumë poshtë për nga rëndësia, duke e krahasuar me udhëheqësit e vendeve të tjera”. Përfundimisht, “Mbreti Zog u pranua si individ privat dhe iu dha strehim me kusht që të mos përfshihej në asnjë veprimtari politike.” (f. 40).
Kam përkthyer më 1993 edhe librin e historianit Reginald Hibbert “Fitorja e hidhur. Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë”. Ai kishte qenë ndër oficerët anglezë, të cilët u hodhën në Shqipëri gjatë luftës për të mbështetur veprimet kundër pushtuesve nazi-fashistë. Sipas tij, më 1939 “Ahmet Zogu mori arratinë. Asnjëra nga Fuqitë nuk mori qëndrim kundër Italisë ose në favor të pavarësisë së Shqipërisë”. Zogu dhe e shoqja erdhën nga Franca në Angli “vetëm si emigrantë privatë, jo si monarkë në mërgim.” Me rëndësi është që Hiberti e tregon haptas arsyen e këtij qëndrimi: Britania e Madhe tashti interesohej shumë më tepër se më përpara për Greqinë dhe mbështeste pretendimet e saj për Shqipërinë e jugut. Gjatë luftës gjenerali Dejvis nuk e rekomandonte përkrahjen për Zogun. (f. 116).
Për larmi mund të sjell edhe librin e historianit italian Roberto Morozzo della Rocca “Kombi dhe feja në Shqipëri” (1990), që është përkthyer edhe shqip. Autori erdhi në Tiranë sapo e botoi veprën dhe na dha disave prej nesh kopje të saj. Për të mos e tepruar me referime; po sjell prej tij vetëm këta rreshta, që janë të mjaftueshëm: “Në të vërtetë Zogu ishte një autokrat dhelparak dhe i paskrupull, një despot antidemokratik, i cili qeveriste njëkohësisht me vendosmëri dhe me qetësi orientale.” (f. 105).
Historiografia enveriste me parimin e saj të luftës së klasave sigurisht që do ta nxinte periudhën e Zogut dhe vetë atë. Ky anatemim është bërë për dhjetëra vjet, prandaj do të kufizohem të sjell vetëm vlerësimin që i është bërë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar më 1985. Aty ai quhet përfaqësuesi kryesor i reaksionit çifligaro-borgjez; vendosi një regjim diktatorial; me forca të armatosura jugosllave e vrangeliste vendosi diktaturën; ndoqi kursin antikombëtar të dyerve të hapura. Zogu tradhtoi haptazi, grabiti mbeturinat e arkës të shtetit dhe u arratis. Kongresi i Përmetit ndaloi kthimin e tij në Shqipëri. U dëbua nga Egjipti dhe bashkëpunoi me imperialistët anglo-amerikanë. Mirëpo, në ribotimin e Fjalorit Enciklopedik më 2009 artikulli nga Viron Koka, miratuar nga përgjegjësja e redaksisë përkatëse, Ana Lalaj, ka ndjekur të njëjtën metodë enveriste, vetëm se me drejtim të kundërt. Tashti në vend që të tregohej se ishte i vetëshpallur, quhet themelues i Mbretërisë Shqiptare. As zihet në gojë se u kthye me bajonetat serbe dhe të vrangelistëve. Thuhet se e shpalli mbret Asambleja Kushtetuese, duke e fshehur se për këtë asaj iu imponua të ndryshonte kushtetutën. Është e turpshme të shkruhet se ky ndryshim u mbështet në legjislacionin perëndimor. Arratisja për shkak të pushtimit fashist është formuluar në mënyrë qesharake – “u largua nga Shqipëria” dhe as është treguar që grabiti arkën shqiptare. Nuk përmendet vendimi i Kongresit të Përmetit dhe as se e dëbuan për leckash nga Egjipti. Më e bukura është se po në këtë vepër është shkruar qartë që Kongresi mori vendimin “Të ndalohet hyrja e A. Zogut”. Me këto truke artikulli i vitit 2009 e ka ulur vlerën shkencore të ribotimit të Fjalorit Enciklopedik. Ky është një ribotim i trukuar.
Nuk është nevoja të renditen historianë, autorë e publicistë të tjerë, numri i të cilëve nuk është i vogël, që e kanë dhënë të qartë përgjigjen, të cilën e kërkon pyetja në titullin e këtij shkrimi. Asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë mbret të vetin shqiptarët, me përjashtim të një të vetëshpalluri.