Për shkak se pjesa më e madhe e trojeve etnike shqiptare ndodheshin të pushtuara nga ushtritë e Aleancës Ballkanike, në Kuvendin Kombëtar nuk mundën të arrinin në kohë një pjesë e konsiderueshme e delegatëve të ftuar. Isa Boletini, së bashku me 100 luftëtarë të tij, arriti në Vlorë më 29 nëntor 1912. Pak vite më vonë, Hasan Prishtina shprehej se Lufta Ballkanike qe shkaku që nderi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë “t’i mbetet Vlones e jo Kosoves e ne vend të nji Shqypnis se madhe të bahet nji Shqypni e vogël”.
Sali KADRIA, Tiranë
Kur u pa qartë se ushtria osmane po thyhej në të gjitha frontet, elita intelektuale shqiptare jashtë vendit mendoi se shpallja e pavarësisë së vendit ishte rruga e vetme që shqiptarët t’i shpëtonin aneksimit nga shtetet fqinje. Patriotët shqiptarë shpresonin të siguronin mbështetjen e Fuqive të Mëdha në konferencën që do të mbahej pas përfundimit të luftërave ballkanike.
Në fillim të tetorit 1912, gazeta “Liri e Shqipërisë”, që botohej në Sofje, u bëri thirrje shqiptarëve: “…Ne duhet të rrokim armët dhe të mbrojmë kufijtë e atdheut tonë duke kërkuar autonominë e Shqipërisë. Ne duhet të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kërkojmë të drejtat tona”.
Në rrethanat mjaft të vështira që u krijuan për shqiptarët, Ismail Qemali mendonte se ruajtja e territoreve shqiptare varej jo vetëm nga përpjekjet e shqiptarëve, por edhe nga rivaliteti i Fuqive të Mëdha. Ai besonte se Austro-Hungaria ishte e vetmja Fuqi e Madhe, e cila mund t’u dilte në mbrojtje shqiptarëve. Për këtë arsye, një pjesë e mirë e nacionalistëve shqiptarë nisën të prisnin nga Ismail Qemali të merrte në dorë drejtimin e lëvizjes së tyre për shpëtim kombëtar.
Në fund të shtatorit 1912, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin, u nis për në Bukuresht, për t’u këshilluar me patriotët e diasporës së madhe shqiptare në Rumani. Më 5 nëntor 1912 u mbajt një mbledhje e kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Qëllimi i saj ishte për të diskutuar masat që duheshin marrë për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar. Gjatë kësaj mbledhjeje Ismail Qemali kërkoi bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje. Krahas vendimeve të tjera, në mbledhjen e Bukureshtit u vendos që Ismail Qemali, së bashku me 15 bashkatdhetarë, pasi të zhvillonin disa takime në Vjenë dhe kancelari të tjera, të niseshin për në Shqipëri. Mbledhja e Bukureshtit nuk e përcaktoi nëse Shqipëria do të bëhej autonome ose e pavarur, pasi kjo do të varej nga zhvillimet e mëvonshme, si dhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare.
Qeveria rumune dhe, në mënyrë të veçantë, ministri i Punëve të Brendshme të Rumanisë, Take Jonesku, treguan kujdes jo vetëm për organizimin e takimit të shqiptarëve të Bukureshtit, por duke çmuar rëndësinë e madhe që kishte për Rumaninë krijimi i shtetit shqiptar, kjo qeveri u dorëzoi përfaqësuesve shqiptarë një shumë prej rreth 60.000 franga ar.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Bukuresht Ismail Qemali i kërkoi përfaqësuesit austro-hungarez në këtë vend, K. E. Fyrstenberg, që t’ia përcillte Vjenës zyrtare kërkesën e shqiptarëve për mbështetjen e tyre në planin e tyre kombëtar. Vjena vendosi ta ftonte menjëherë Ismail Qemalin për bisedime. Ismail Qemali u nis nga Bukureshti në Vjenë, ndërsa anëtarët e komisionit që do ta shoqëronin atë për në Shqipëri, si: Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale etj., u nisën për në Trieste.
Ismail Qemali ia shprehu ambasadorit britanik në Vjenë projektin që kishte në mendje. Ky projekt parashikonte mbajtjen e një kuvendi kombëtar në një qytet shqiptar; organizimin e mbrojtjes së territoreve shqiptare nga rreziku i copëtimit; organizimin e brendshëm të shtetit të ardhshëm shqiptar mbi bazën e kantoneve, sipas modelit të Zvicrës; si dhe në krye të shtetit shqiptar të caktohej një princ i zgjedhur nga Europa. Krijimi i shtetit shqiptar, në këndvështrimin e Ismail Qemalit, do të krijonte një baraspeshë të forcave në Ballkan; pra, në këtë rajon, do të kishte tre shtete sllave, Serbi, Bullgari dhe Mali i Zi, si dhe tre shtete josllave, Rumani, Greqi dhe Shqipëri.
Ismail Qemali zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë. Në këto takime këta zyrtarë u shprehën se kishin simpati për shqiptarët dhe dëshironin ta përkrahnin tërësinë kombëtare të Shqipërisë. I entuziazmuar nga mbështetja e siguruar në kryeqytetin habsburg, më 9 nëntor 1912 Ismail Qemali i dërgoi një telegram të birit, që t’i përcillej parisë shqiptare. Në tekstin e tij shkruhej: “E ardhmja e Shqipërisë asht sigurue”.
Më 12 nëntor 1912 Ismail Qemali e takoi në Budapest ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontin Berchtold, si dhe kontin Hadik, zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve Jashtme austro-hungareze që i mbulonte çështjet e Ballkanit. Me sa duket, gjatë bisedës së zhvilluar, konti Berchtold miratoi plotësisht pikëpamjen e tij për çështjen kombëtare shqiptare. Prandaj, më 13 nëntor 1912 Ismail Qemali deklaroi se “e vetmja mënyrë për ne shqiptarët ësht të shpëtojmë nga ky rezik fatal dhe të sigurojmë indipendencën e qenies s’onë kombtare”.
Gjatë kësaj kohe pati një paqartësi lidhur me vendin e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar. I biri i Ismail Qemalit i njoftonte bashkatdhetarët që të dërgonin delegatë për mbajtjen e “Asamblesë Kombëtare” në Vlorë. Ndërkohë, Ismail Qemali e njoftonte parinë e Vlorës se delegatët duhej të mblidheshin në Durrës ose në Vlorë. Një grup nacionalistësh të tjerë mendonin që kongresi do të ishte mirë të mbahej në Elbasan, meqenëse ishte në qendër të Shqipërisë.
Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, bashkë me një grup patriotësh të tjerë, u nisën së bashku nga Triestja për në Durrës me një anije të posaçme, e vënë në dispozicion të tyre nga ministri i Jashtëm austro-hungarez, për shkak të përparimit të shpejtë të forcave serbe në brendësi të tokave shqiptare. Ditën e nisjes për në Shqipëri, Ismail Qemali deklaroi publikisht në Trieste se, pas mbërritjes në Shqipëri, do të shpallej pavarësia e Shqipërisë, si dhe do të zgjidhej një qeveri e përkohshme shqiptare.
Më 21 nëntor 1912, Ismail Qemali arriti në Durrës, ku u prit ngrohtë nga një grup patriotësh shqiptarë, si: Dom Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Mustafa Kruja, Murat Toptani e të tjerë. Dy ditë më vonë, ai vendosi të nisej për në Vlorë, për mbajtjen aty të kuvendit kombëtar. Ismail Qemali nuk gjeti në Durrës një atmosferë të përshtatshme për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Misioni i tij ndeshi në kundërshtimin nga një pjesë fanatike e popullsisë myslimane dhe ortodokse të këtij qyteti. Ky grupim ishte nxitur nga mytesarifi i Durrësit (prefektit), Mahir Beu, dhe mitropoliti grek, Jakovi. Për fat të keq, banorët e Durrësit ishin krejtësisht të painformuar lidhur me zhvillimet që po ndodhnin rreth tyre e më gjerë. Madje, disa prej tyre e akuzuan grupin e drejtuar nga Ismail Qemali si “tradhëtarë që kërkonin humbjen e vatanit, prishjen e mbretëriës”, pasi ende mendonin se ushtria osmane po fitonte në të gjitha frontet e luftës. Më 25 nëntor 1912, mytesarifi i Durrësit mori urdhër për arrestimin e Ismail Qemalit, por që nuk arriti ta vinte në zbatim.
Afrimi i ushtrisë serbe drejt Durrësit rrezikonte seriozisht misionin e Ismail Qemalit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Po ashtu, në qytetin e Vlorës, Ismail Qemali ndihej më i sigurt se do të mund të mbarohej puna dhe qëllimi për të cilin ishte nisur, pasi ishte vendlindja e tij. Ndërkohë, Xhemil bej Vlora kishte ftuar qysh më parë delegatët shqiptarë të krahinave të ndryshme që të mblidheshin në Vlorë, për shkak të komunikimit më të lehtë përmes detit dhe sepse aty ndodhej kablli telegrafik Vlorë-Otranto.
Përpara se Ismail Qemali të arrinte në Vlorë, disa qytete, si Elbasani, Durrësi, Kavaja dhe Tirana, e shpallën pavarësinë dhe e ngritën flamurin kombëtar. Shqiptarët e Ohrit, përmes një telegrami drejtuar kryetarit të Bashkisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit, shpreheshin: “Ne shqiptarët e Ohrit, marrim pjesë me mburrje, në vepërimet e bashkimit kombëtar për me shpëtue Atdheu i ynë nga gremina e rrezikut në të cilën ka ranë, si edhe në vendime qi do t’epen për këte punë”.
Me interes është mënyra se si patriotët shqiptarë e argumentuan shkëputjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane gjatë mitingut të mbajtur në Tiranë. “Vllazën, me hidhrim të madh po ju tham se e pruë puna me u ndaë prej vllaznish t’onë Tyrq, dhe m’e zbrit bejrakun e atyne qi ka valuë ktu me qindra vjetsh, edhe me ngref qeveriën komtare e ngrejtë flamurin e Shqipniës. …Të mundemi m’e rujtë atdheun t’onë nga të shkelunit e anmikut. Rroftë Shqipnija në vehte, Rroftë vllaznimi, Rroftë flamuri kombtarë!”.
Ismail Qemali arriti në Vlorë më 27 nëntor 1912, i shoqëruar nga 27 delegatë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Gjatë fjalimit, që Ismail Qemalit mbajti në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, edhe ai u shpreh se “përgjegjësinë” për ndarjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane e kishte qeveria osmane, e cila “nuk ua shpërbleu me të mirë, shqiptarëve, shërbimet e mëdha që ata i bënë”. Ismail Qemali e ngriti flamurin e Skënderbeut, “sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë”, si simbol të bashkimit të shqiptarëve.
Kuvendi i Vlorës imori disa vendime të rëndësishme: shpalljen e Shqipërisë më vete, të lirë dhe të pavarur; si dhe zgjedhjen e një pleqësie [Senat] i përbërë prej 18 anëtarësh, me në krye myftiun Vehbi bej Dibra, për të ndihmuar dhe kontrolluar qeverinë. Këto vendime u miratuan njëzëri nga të gjithë delegatët e pranishëm. Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, me mandatin që të ndante portofolet e ministrive, por me kushtin që anëtarët e kësaj qeverie të zgjidheshin me votim nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës.
Për shkak të njohjes së thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare, Ismail Qemali ishte ndër të parët që arriti të kuptonte se ky ishte momenti i duhur për shqiptarët që të hidhnin hapin e tyre për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Shpallja e këtij akti në një vend të pashkelur tërësisht nga ushtritë e aleatëve ballkanikë ishte një argument thelbësor për t’ua mbyllur gojën drejtuesve të shteteve fqinje. Me këtë akt të shkathët kombëtar dhe diplomatik, ai u dha një argument të fortë Fuqive të Mëdha që përpiqeshin ta mbronin pavarësinë e Shqipërisë në konferencën ndërkombëtare që pritej të mbahej së shpejti në një prej kryeqyteteve europiane.
Për shkak se pjesa më e madhe e trojeve etnike shqiptare ndodheshin të pushtuara nga ushtritë e Aleancës Ballkanike, në Kuvendin Kombëtar nuk mundën të arrinin në kohë, një pjesë e konsiderueshme e delegatëve të ftuar. Isa Boletini, së bashku me 100 luftëtarë të tij, arriti në Vlorë më 29 nëntor 1912. Pak vite më vonë, Hasan Prishtina shprehej se Lufta Ballkanike qe shkaku që nderi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë “t’i mbetet Vlones e jo Kosoves e ne vend të nji Shqypnis se madhe të bahet nji Shqypni e vogël”.
Për shkak të Luftës së Parë Ballkanike, që po zhvillohej me mjaft shpejtësi dhe në dëm të shqiptarëve, akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë u krye në rrethana tepër të vështira. Ky akt shënoi kalimin e menjëhershëm nga kërkesa për autonomi në pavarësi kombëtare.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë i gjeti shqiptarët të papërgatitur për krijimin e shtetit kombëtar. Vonesa e përhapjes së ideologjisë kombëtare te shqiptarët gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kalimi i menjëhershëm nga kërkesa për autonomi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe mjaft faktorë të tjerë të jashtëm e të brendshëm, e vështirësuan procesin e forcimit të brendshëm të shtetit shqiptar.









