loader image
September 28, 2025

Mbretëria shqiptare: domosdoshmëri kombëtare apo ambicie personale e Ahmet Zogut

Transformimi në monarki u vlerësua si një mekanizëm për stabilizimin e shtetit shqiptar. Ky argument mund të mbështetet në disa fakte: Shqipëria, që nga pavarësia e saj ishte një shtet politikisht i brishtë, me institucione të pakonsoliduara, me divergjenca të brendshme që shkonin deri në shkallën e konflikteve të armatosura dhe me cenim të integritetit territorial nga pretendimet e fqinjëve.

Armend MEHMETI, Prishtinë

Ndonëse vitet 1912-1928 mbërthejnë një periudhë relativisht të shkurtër kohore, në fakt ato paraqesin një varg sistemesh qeverisëse në historinë politike të Shqipërisë. Këto sisteme reflektojnë ndryshimet e brendshme dhe ndikimet e jashtme politike, duke filluar nga periudha e Pavarësisë dhe e Qeverisë së Përkohshme (1912-1914), Principata e Shqipërisë (1914-1920), shteti parlamentar shqiptar (1920-1924), Republika (1925-1928) dhe Monarkia (1928-1939). Që të gjitha këto periudha paraqesin fazat nëpër të cilat kishte kaluar ndërtimi i shtetit shqiptar dhe stabiliteti i tij politik. Periudha e Pavarësisë dhe Qeverisë së Përkohshme karakterizohet me fillimet e ndërtimit të shtetit shqiptar, pa ndonjë administratë të konsoliduar dhe nën kërcënimin e fuqive të huaja dhe konflikteve të brendshme. Gjatë periudhës së Principatës në Shqipëri ekzistonte një anarki e plotë, pa kontroll të qeverisë mbi territorin e shtetit. Sovraniteti i Shqipërisë rikthehet tek në vitin 1920, kur Kongresi i Lushnjës (janar 1920) vendosi një strukturë të organizuar shtetërore me një regjencë kolektive dhe parlament. Sistemi republikan u karakterizua me një regjim autoritar dhe përqendrim të pushtetit në duart e Ahmet Zogut. Pas gjithë atyre viteve të paqëndrueshmërisë politike, tek në periudhën e monarkisë u vendos stabiliteti politik i Shqipërisë, u konsolidua administrata e shtetërore dhe filloi ndërtimi i infrastrukturës moderne. Këto sisteme të qeverisjes, duke përjashtuar dy të parat dhe me theks të veçantë dy të fundit, ndërlidhen pashmangshëm me figurën e Ahmet Zogut.

Artikulli “Mbretëria shqiptare: domosdoshmëri kombëtare apo ambicie personale e Ahmet Zogut” shtron një çështje të diskutueshme në historiografinë shqiptare: ishte kjo domosdoshmëri ndaj nevojave kombëtare të kohës/sfidave të mbarëvajtjes së shtetit apo thjesht ambicie personale e Ahmet Zogut. Shtjellimi i çështjes në fjalë bëhet në dy dimensione: konteksti historik/sfidat me të cilat përballej qëndrueshmëria e shtetit shqiptar dhe ambiciet personale të Ahmet Zogut.

Konteksti historik dhe sfidat e qëndrueshmërisë së shtetit shqiptar

Gjatë viteve 1908-1912 u intensifikuan përpjekjet e lëvizjes kombëtare shqiptare për të drejta kombëtare dhe autonomi politike në kuadër të Perandorisë Osmane (Rahimi Shukri, 1969, f. 127). Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912, hyrja e kryengritësve shqiptarë në Shkup në gusht të vitit 1912 dhe pranimi në parim nga qeveria osmane i kërkesave të parashtruara nga shqiptarët (Malcolm Noel, 2011, f. 323), të cilat vendosnin bazat e një shteti autonom shqiptar, paraqisnin akte që alarmuan monarkitë ballkanike (Serbinë, Malin e Zi, Greqinë e Bullgarinë), të cilat qysh prej kohësh kishin hartuar projekte për pushtimin e trevave të banuara me shqiptarë. Në këtë kontekst këto shtete lidhën një aleancë politike-ushtarake dhe në tetor të vitit 1912 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Këto në histori njihen si “luftërat ballkanike”. (Gooch G. P & Temperley Harold, 1933, f. 1).

Brenda një kohe të shkurtër pothuaj gjitha trevat e banuara me shqiptarë u gjendën nën okupimin ushtarak të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Shqipëria duhej ta shpallte pavarësinë e saj, përndryshe territoret shqiptare rrezikoheshin të pushtoheshin tërësisht nga shtetet fqinje. Përveç Durrësit, ushtria serbe e kishte pushtuar edhe Shkupin, kurse bashkë me malazezët ata e kishin pushtuar edhe Shkodrën dhe Kosovën. Në këto rrethana, në Vlorë u mblodh një kuvend kombëtar përmes të cilit më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali e shpalli pavarësinë e Shqipërisë (Castellan George, 1997, f. 396). Po ashtu, Kuvendi Kombëtar e formoi një lloj parlamenti me të drejta të kufizuara, që u quajt “Pleqësi” (Prifti Kristaq & et.al., 2007, f. 18).

Qeveria e Ismail Qemalit qeverisi në një territor të ngushtë, që në fillim përfshinte një trekëndësh Vlorë-Berat-Lushnjë, që më pas do ta përfshinte Shqipërinë e Mesme dhe trevat e tjera shqiptare. Në shtrirjen e autoritetit të saj qeveria e Ismail Qemalit u përball jo vetëm me pretendimet territoriale të fqinjëve, por edhe me ambiciet separatiste të Esat Pashë Toptanit, në krah të të cilit u rreshtuan figura të rëndësishme politike. Esat Pashë Toptani, në tetor të vitit 1913, e shpalli “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme” me seli në Durrës, në krye të së cilës u vendos vetë. Kjo pleqësi ishte kundërshtare e qeverisë së Vlorës. Tani qeveria e Vlorës dhe “Pleqësia” e Toptanit ishin forca ndërluftuese, ndërsa pushteti i kësaj të fundit shtrihej në linjën Durrës, Shijak, Peqin, Kavajë e Tiranë. Qëllimi kryesor i Esat Pashës ishte që ta vinte para aktit të kryer Komisionin Ndërkombëtar të Kufirit, i cili së shpejti do të instalohej në Shqipëri (Prifti Kristaq & et.al., 2007, f. 39–49). Në këtë fazë shteti shqiptar ishte në formim e sipër, pa një administratë të konsoliduar, nën kërcënimin e fuqive të huaja dhe konflikteve të brendshme.

Në kohën kur Ismail Qemali e Esat Pashë Toptani po luftonin për mbizotërim politik në Shqipëri, Konferenca e Ambasadorëve, e cila paraqiste një seri të mbledhjeve të ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha (Britanisë së Madhe, Francës, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë e Gjermanisë), të mbledhur në Londër, nuk e njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe kështu e shpalli, më 29 korrik 1913, Shqipërinë principatë kushtetuese sovrane e të trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha (Prifti Kristaq & et.al., 2007, f. 59). Në krye të kësaj principate Fuqitë vendosën princin gjerman Vilhelm von Vid, i cili ishte njëkohësisht kryetar i administratës civile dhe ushtarake dhe kishte të drejtën ta emëronte Këshillin e Ministrave. Misioni i Vidit filloi në mars të vitit 1914, pas dorëheqjes paraprake (janar 1914) të Ismail Qemalit dhe përqendrimit të pushtetit në duar të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (Mema Albana, 2021, f. 16), organ po ashtu i formuar nga Konferenca e Ambasadorëve si një mekanizëm për ndërtimin e shtetit shqiptar. Që të dy, Ismail Qemali dhe Esat Pasha, u pajtuan me vendimin e Fuqive të Mëdha dhe e njohën autoritetin e Vidit.

Administrimi i Vidit u përball me pengesa serioze nga ndikimet e jashtme dhe ato të brendshme. Në sferën e jashtme Greqia përpiqej që t’i aneksonte trevat jugore shqiptare, duke përkrahur një grup grekofilësh nën të ashtuquajturën “lëvizja vorioepirote”, ndërsa në sferën e brendshme u përball me kryengritjen në Shqipërinë e Mesme (Puto Arben, 2009, f. 130–139). Në dyja rastet qeveria shqiptare ishte e paaftë t’i trajtonte problemet në fjalë.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore bëri që princi Vid në shtator të vitit 1914 të largohej nga Shqipëria. Territori i shtetit shqiptar u shndërrua në një fushë beteje për fqinjët dhe monedhë këmbimi për Fuqitë e Mëdha. Antanta e përdori territorin shqiptar si karrem për të tërhequr në anën e saj Italinë e Greqinë, andaj ushtritë serbe, malazeze, greke e italiane u vendosën në Shqipëri, e më pas edhe ato austro-hungareze (Castellan George, 1997, f. 450). Në këtë fazë qeveria nuk kishte kontroll efektiv në territorin e saj. Gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri mbizotëroi një anarki totale, pa pushtet vendor.

Me të përfunduar Lufta e Parë Botërore, në dhjetor të vitit 1918 forcat politike shqiptare u mblodhën në një kongres në Durrës dhe formuan një qeveri të përkohshme të kryesuar nga Turhan Pashë Përmeti, i cili e kishte ushtruar këtë detyrë qysh gjatë administrimit të Vidit. Synimi i vazhdimësisë së qeverisjes kishte qenë motivi kryesor në zgjedhjen e Turhan Pashë Përmetit si kryetar i qeverisë (Puto Arben, 2009, f. 223–224).

Të pakënaqur me punën e Qeverisë së Përkohshme të Turhan Pashës, në aspekt të ruajtjes së pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit në Konferencën e Paqes në Paris, përfaqësues politikë shqiptarë, në janar të vitit 1920, u mblodhën në një kongres në Lushnjë, ku e rrëzuan Qeverinë e Përkohshme dhe ngritën një qeveri të re, të kryesuar nga Sulejman Delvina. Po ashtu, u krijuan edhe dy mekanizma të rëndësishëm: Këshilli i Lartë i Regjencës prej katër anëtarësh, që përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, dhe Këshilli Kombëtar (parlamenti) prej 37 anëtarësh (Meta Beqir & et.al., 2019, f. 32–38).

Nga pikëpamja juridike, krijimi i Regjencës e afirmonte formën monarkike të qeverisjes. Në formimin e këtij institucioni Kongresi u nis nga ideja e vazhdimësisë së shtetit shqiptar në përputhje me vendimet e Konferencës së Londrës. Kjo ishte një politikë që synonte ta lehtësonte procesin e afirmimit të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe stabilizimin e brendshëm të tij (Meta Beqir & et.al., 2019, f. 36).

Gjatë viteve 1920-1924 Shqipëria u përball me një paqëndrueshmëri serioze politike e me kriza të njëpasnjëshme qeveritare. Në këtë periudhë kohore së paku 10 qeveri u rrëzuan. Në këtë sfond të ngjarjeve ishte e pashmangshme përfshirja e Regjencës në aspekt të devijimit të rolit të tij si arbitër i pavarur. Dy anëtarë të saj ishin autorë të grusht shtetit të dhjetorit të vitit 1921, po ashtu dy anëtarë të saj dhanë dorëheqje në ditën e fillimit të kryengritjes antiqeveritare të marsit 1922, ndërsa roli i saj degradohet skajshëm në fillim të qeverisjes së Nolit, kur tre anëtarë të saj pa dhënë dorëheqje u larguan nga vendi. Qeveria e Nolit i kishte uzurpuar kompetencat e këtij institucioni, duke ia tjetërsuar madje edhe natyrën (Mema Albana, 2021, f. 63–77). Qeveria e Nolit, e cila në qershor 1924, përmes kryengritjes së armatosur, e kishte marr pushtetin në Shqipëri, u rrëzua gjashtë muaj më vonë nga intervencioni i armatosur i Ahmet Zogut (Milo Paskal, 1992, f. 327). Në këtë periudhë u formua një parlament kombëtar dhe një strukturë më e organizuar shtetërore. Regjenca, që kishte përsipër rolin e presidentit, devijoi nga detyrat dhe përgjegjësitë e saj.

Pas rikthimit në pushtet, Ahmet Zogu e vendosi rendin e qetësinë publike dhe menjëherë e ushtroi autoritetin e tij për rikthimin e institucioneve legale të dala nga zgjedhjet e vitit 1923. Iliaz Vrioni, i cili kishte qenë kryeministër para rrëzimit të tij nga Noli, u rikthye në pushtet bashkë me ministrat e tij. Më pas, më 5 janar 1925 ai ofroi dorëheqje nga pozita e kryeministrit, ndërsa Këshilli i Lartë e ngarkoi Ahmet Zogun me formimin e qeverisë së re (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 17). Kështu më 21 janar të vitit 1925 u shpall Republika Shqiptare, në krye të së cilës ndodhej presidenti Ahmet Zogu. Me këtë rast u ndërpre funksioni i Këshillit të Lartë që kishte dalë nga Kongresi i Lushnjës, ndërsa Asambleja Kushtetuese u kthye në parlament. Presidenti kishte funksione të zgjeruara – ai njëkohësisht ushtronte edhe kompetencat e kryeministrit (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 249).

Ndonëse Ahmet Zogu kishte arritur të vendoste një stabilitet të brendshëm, duke shkatërruar grupet rivale politike dhe duke sunduar me dorë të hekurt, megjithatë faktorët e jashtëm politikë ndikonin në paqëndrueshmërinë e regjimit të tij. Italia dhe Jugosllavia luftonin për ndikimin ekonomik dhe politik mbi Shqipërinë. Nevoja e Zogut për mjete financiare dhe rreshtimi nga Italia shkaktoi indinjatë në Beograd, e cila u manifestua përmes organizimit të lëvizjeve antiqeveritare. E tillë ishte Kryengritja e Dukagjinit (nëntor 1926), e cila u shtri në veri të Shqipërisë: Dukagjin, Pukë dhe Malësi të Madhe (Belegu Mentar, 1971, f. 59–82; Milo Paskal, 1992, f. 403). Kryengritja e Dukagjinit ngjalli panik dhe pasiguri tek regjimi i Zogut. Këtë moment e shfrytëzoi Roma për t’i bërë presione Zogut për nënshkrimin e një pakti politik. Kështu më 27 nëntor 1926 u nënshkrua Pakti i Miqësisë dhe i Sigurimit ose, siç është njohur ndryshe, Pakti i Parë i Tiranës (Milo Paskal, 1992, f. 415), një akt që u pasua nga marrëveshje tjera që e vendosën gradualisht Shqipërinë nën influencën italiane.

Faza republikane karakterizohet me regjim autoritar dhe me përqendrim të pushtetit në duart e Zogut. Ai arriti ta vendoste rendin dhe qetësinë publike në Shqipëri përmes dorës së hekurt. Vendosja e pushtetit absolut i mundësoi Ahmet Zogut të mendonte për përqendrimin e gjithë pushtetit në duar të tij, pra dëshirën e tij që të bëhej mbret. Një ambicie e tij shihej e mundshme në bazë të traditës popullore, por edhe të akteve juridike që nga koha e sundimit të Vidit (principata e trashëgueshme) e deri te Kongresi i Lushnjës, që parashihte regjencën si drejtuese kolektive e shtetit. Ndërkohë, gjatë viteve të republikës një varg ngjarjesh politike me ndikime nga jashtë e kishin cenuar pavarësinë e Shqipërisë. Në këto rrethana të kombinuara, nga siguria e shtetit dhe ambiciet personale, më 5 shtator 1928 u shpall Mbretëria Shqiptare me Ahmet Zogun “Mbret të shqiptarëve” (Prifti Kristaq & et.al., 2007, f. 288–289), një titull që i jepte atij atribute të përfaqësimit edhe të shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve zyrtarë të shtetit shqiptar. Sipas Statutit të Mbretërisë së Shqipërisë, i hartuar sipas modeleve moderne europiane, mbreti ishte institucioni kryesor me kompetencat e të gjitha pushteteve. Ai mori përsipër edhe disa kompetenca të parlamentit në sferën e lidhjes së marrëveshjeve e aleancave të karakterit politik e ushtarak. Me fjalë tjera, pozita juridike, gjerësia e kompetencave legjislative, ekzekutive e juridike që Statuti ia njihte Mbretit, e bënin atë kreun e vetëm që drejtonte i kontrollonte të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore (Prifti Kristaq & et.al., 2007, f. 289–290).

Kjo fazë karakterizohet me konsolidimin politik të Shqipërisë, përpjekjet për përparimin dhe modernizimin e saj.

Ambiciet personale të Ahmet Zogut për t’u bërë mbret

Pa dyshim, Ahmet Zogu është një ndër figurat më komplekse në historinë e Shqipërisë. Si politikan, kryeministër, president dhe, më pas, mbret i Shqipërisë, Zogu luajti rol të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit shqiptar në periudhën pas pavarësisë dhe midis dy luftërave botërore. Ndonëse nuk ka të dhëna se ai publikisht e kishte shprehur dëshirën e tij për të qenë mbret i Shqipërisë, megjithatë shtjellimi i karrierës së tij ushtarake dhe politike mund të çojë në konkluzione se ai kishte ambicie të fshehta për ta drejtuar vendin. Ndër aktet kryesore që e mbështesin një tezë të tillë janë: origjina nga një familje bajraktarësh e me ndikim, ngritja e shpejtë, konsolidimi i pushtetit, eliminimi i kundërshtarëve dhe vendosja e një pushteti absolut.

Ahmet Zogu, biri i dytë i Xhemal Pashës, bajraktarit të fisit të Matit, u lind më 8 tetor të vitit 1895 në kullën e Burgajetit në Mat, ndërsa sipas një biografi të tij Ahmeti që në fëmijëri shquhej për tipare kapedani, ishte i mençur dhe i shkathët (Zejnati Novruz, 2009, f. 32). Familja e Ahmet Zogut shquhej që nga koha e gjyshit të tij, i cili kishte udhëhequr një kryengritje të dështuar kundër turqve diku rreth fundit të shekullit XIX. Babai i tij, Xhemal Pasha, zhvilloi një varg betejash lokale derisa mundi ta vendoste nën kontroll gjithë krahinën e Matit, që nga malet e Krujës e deri në Mirditë. Për këtë zotësi Porta e kishte njohur atë si udhëheqës të Matit e të Dibrës. Për ta forcuar pozitën e tij, Xhemal Pasha i ndoqi traditat austriake. Përmes martesës së dytë u lidh me familjen e fuqishme tiranase Toptani (Fischer J. Bernd, 2004, f. 12).

Në moshën tetëvjeçare Ahmeti u dërgua në Stamboll për të ndjekur mësimet në liceun Gallatasaraj, ndërsa më pas studimet ushtarake në Manastir. Gjatë qëndrimit në Stamboll në kohë të lirë ai i takonte deputetët shqiptarë, që asokohe ndodheshin në këtë qytet, dhe mbante takime me parinë shqiptare të këtij qyteti. Me ta bisedonte për çështje të rëndësishme për Shqipërinë, ndërkohë që lexonte gazetat që botoheshin në Shqipëri ose jashtë vendit (Dako Kristo, 1933, f. 24).

Në vitin 1911 ai u thirr të kthehej në Mat, ku do të mobilizonte një forcë për t’iu bashkuar Hasan Prishtinës, Bajram Currit e Riza bej Kryeziut kundër xhonturqve (Fischer J. Bernd, 2004, f. 15–16). Ky ishte rasti i parë kur Ahmet Zogu, si prijës i krahinës së Matit, u përfshi në zhvillimet ushtarake dhe politike të kohës. Duke qenë pjesë e elitës tradicionale, ai e shfrytëzoi pozitën e tij për t’u angazhuar në politikën shqiptare që në moshë të re. Angazhimi i tij në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, i prirë nga ambicia, në kohën kur ekzistonte një rivalitet i hapur midis Ismail Qemalit dhe Esat Pashë Toptanit, për më tepër edhe kur princi Vid filloi ta qeveriste Shqipërinë, nuk i shkonte aspak për shtati Esat Pashë Toptanit. Me këtë rast Esat Pasha i kishte thënë Eqrem bej Vlorës: “Vështrojeni këtë djalosh, duket se do të shkojë mjaft larg e do të na mënjanojë të gjithëve, po qe se nuk ia shkurtoj këmbët me kohë” (Fischer J. Bernd, 2004, f. 19–20). Deklarimi i Esat Pashës paraqet një shembull të qartë të ambicieve dhe perspektivës së Zogut në politikën shqiptare.

Gjatë pushtimit austro-hungarez të Shqipërisë, ndonëse mbajti raporte të mira me austro-hungarezët, Zogu punonte në favor të çështjes kombëtare. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Elbasanit që kishte për detyrë formimin e një administrate shqiptare që do ta zëvendësonte atë të Esat Pashës, që do të mbahej në mars të vitit 1916. Por, austro-hungarezët, për shkak të planeve të tyre, nuk lejuan mbajtjen e një kongresi të tillë (Meta Beqir & et.al., 2022, f. 312).

Përfshirja e Ahmet Zogut në jetën politike e ushtarake të vendit do të marrë një dimension të theksuar pas Luftës së Parë Botërore. Në kohën kur pavarësia dhe tërësia territoriale e Shqipërisë rrezikohej nga pazaret e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Paris, në fakt kur Memorandumi i dhjetorit 1919 dhe kompromisi i janarit 1920 e copëtonin Shqipërinë midis fqinjëve, Ahmet Zogu ishte njëri, krahas shumë patriotëve tjerë, që inicioi thirrjen e një kongresi kombëtar, i cili do ta organizonte mbrojtjen e vendit. U vendos që një kongres i tillë të mbahej në janar të vitit 1920 në Lushnjë. Forcat ushtarake italiane, që ndodheshin në Shqipëri, u përpoqën që ta pengonin organizimin e këtij kongresi. Zogu bindi disa oficerë të xhandarmërisë së qeverisë së Durrësit në Lushnje, Fier e Berat dhe bashkëpunoi me ta që ta merrnin përsipër mbrojtjen e Kongresit. Nga ana tjetër, ai kishte përgatitur dhe kishte në dispozicion një forcë të madhe vullnetarësh në zonën e Matit, Martaneshit dhe Malësisë së Tiranës, për të marshuar në drejtim të Lushnjës nëse ushtria italiane do ta sulmonte Kongresin (Meta Beqir & et.al., 2019, f. 29–30).

Trimëria dhe guximi i Ahmet Zogut u shpërblyen. Ai e fitoi postin e ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë e Sulejman Delvinës, që doli nga Kongresi i Lushnjës. Njëkohësisht, Kongresi, i cili vendosi bazat e rimëkëmbjes së shtetit të pavarur shqiptar, kishte për detyrë edhe vendosjen e kontrollit mbi gjithë territorin e vendit, pra vendosjen e rendit të brendshëm. Detyra e çarmatimit të popullsisë, spastrimi i forcave esadiste, unifikimi i vendit dhe vendosja e administratës shtetërore, lufta e Koplikut (korrik-gusht 1920), kur ai komandoi forcat shqiptare kundër pushtimeve jugosllave, dhe dëbimi i italianëve nga Vlora, pa dyshim që afirmuan edhe më tej figurën e Zogut (Fjalor Enciklopedik, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2009, f. 2995; Meta Beqir & et.al., 2019, f. 74). Figura e Zogut përforcohet akoma më tej kur qeveria e Pandeli Evangjelit, në të cilën ai nuk kishte ndonjë post, e emëroi komandant të operacionit ushtarak kundër lëvizjes separatiste në Mirditë, që kishte mbështetjen jugosllave. Ushtria shqiptare korri suksese kundër trupave jugosllave që mbanin të pushtuara territore në kufirin lindor të Shqipërisë dhe në Kastrat të Shkodrës. Në fund të nëntorit 1921 forcat shqiptare, të komanduara nga Ahmet Zogu, hynë në Orosh dhe e vendosën autoritetin e shtetit shqiptar në Mirditë, ndërsa autoriteti i tij arriti kulmin me shtypjen e kryengritjes së vitit 1922 (Meta Beqir & et.al., 2019, f. 111–112; 152). Sukseset e Zogut dhe zhvillimet e brendshme politike çuan në një situatë kur Ahmet Zogu zgjidhet kryeministër i Shqipërisë (26 dhjetor 1922-25 shkurt 1924) (Mema Albana, 2021, f. 225).

Me t’u rikthyer në pushtet (janar 1925), Ahmet Zogu zbatoi një politikë të dorës së fortë me synimin e vendosjes së rendit dhe qetësisë publike, të konsolidimit të shtetit shqiptar dhe të sigurimit të regjimit të tij. Brishtësia politike e shtetit shqiptar bëri që edhe Fuqitë e Mëdha të pajtoheshin heshtazi me politikën e Zogut, sepse vendit i nevojitej qetësi, pasi që, sipas një dokumenti të Ministrisë së Jashtme Britanike, “Shqipëria nuk i ishte përshtatur konceptit perëndimor të qeverisjes” (The National Archives (TNA), FO 371/10654, f. 1). Gjatë kësaj periudhe (1925-1928), Ahmet Zogu mori një varg masash për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e një administrate të centralizuar , të cilat çuan në zhdukjen e separatizmit krahinor dhe forcimin e unitetit të brendshëm të vendit (Fjalor Enciklopedik, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2009, f. 2996).

Njëkohësisht, ai mori masa për ta forcuar dhe siguruar pushtetin e tij. Në administratë dhe në krye të organeve ekzekutive, sidomos në ushtri e xhandarmëri, ai vendosi njerëz besnikë dhe menjëherë filloi me përndjekjen dhe eliminimin fizik të kundërshtarëve të tij. Në shkurt të vitit 1925 ai në Shkodër ngriti një gjykatë ushtarake që do t’i gjykonte gjithë ata që e kishin prishur rendin publik në ngjarjet e zhvilluara gjatë periudhës qershor-dhjetor 1924 (Musaj Fatmira, 2018, f. 97–105).

Të gjitha këto masa e forcuan autoritetin dhe figurën e Ahmet Zogut. Njëkohësisht ai u kujdes që ta ndërtonte kultin e individit. Prezenca e tij shihej jo vetëm në pulla postare, kartolina, kartëmonedha, por edhe në vargje e kompozime muzikore për ta ngritur në piedestal figurën e tij, duke e distancuar dukshëm nga shtetarët e tjerë të kohës. Vargjet kushtuar Zogut shkonin deri në shkallën sa ta konsideronin atë si shpëtimtar të atdheut dhe pasardhës të Skënderbeut (Plaka Armand), ndërsa ceremonitë filluan të bëheshin pjesë e evenimenteve. Të gjitha këto nuk ishin gjë tjetër, veçse përgatitje e terrenit për t’u kurorëzuar si mbret i Shqipërisë. Në fakt, simpatitë e tij për regjimin monarkik i kishte shprehur qysh në vitin 1922 gjatë një bisede me konsullin britanik Robert Parr: “… shumë vështirësi do të tejkaloheshin nëse një princ anglez do ta pranonte kurorën e Shqipërisë” (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 168). Me fjalë tjera, konceptin e monarkisë e kishte intriguar qysh në moshë të re. Ai e adhuronte Napoleonin dhe Jul Cezarin, të cilët, si i pari ashtu edhe i dyti, qenë nisur nga republika dhe kishin krijuar monarkinë (Haklaj Veli, n.d.).

Zogu e kishte kuptuar se shndërrimi i republikës në mbretëri dhe shpallja e tij mbret nuk ishte vetëm një ambicie e tij personale dhe e interesave ose grupimeve politike që e mbështesnin atë, por edhe interes i Italisë, e cila te Zogu shihte personin për ruajtjen e interesave të saj. Propozimi italian për krijimin e mbretërisë shqiptare me Ahmet Zogun mbret u hodh në tryezën e bisedimeve dypalëshe (Itali- Shqipëri) qysh gjatë diskutimeve të mesit të korrikut të vitit 1927, kur Musolini thirri në Romë Ugo Solan (shefin e Legatës italiane në Durrës) për konsultime rreth masave që duhej të merreshin për forcimin dhe zgjerimin e ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri. Në programin e shqyrtuar prej tre çështjesh, e dyta kishte të bënte pikërisht me propozimin italian mbi mundësinë e krijimit të mbretërisë shqiptare, ndërsa e treta, në plotësim të së dytës, e përfshinte çështjen e martesës së Zogun më qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së regjimit. Sipas Solas, Zogu kishte qenë plotësisht dakord me propozimin italian (Cici Arben, 2013), por ndonëse Zogu ishte i interesuar për kurorën mbretërore, ai e kishte parasysh edhe varësinë e ardhshme ndaj Italisë në aspekt të martesës së tij. Prandaj e shmangu me kujdes martesën e tij me një princeshë italiane, pasi që nuk dëshironte ta lidhte me Italinë trashëgiminë e fronit të vet. Për më tepër, në përpjekje për ta stabilizuar sundimin e tij Zogu siguroi nga Italia një mbështetje financiare prej 10 milionë liretash (Ushtelenca Ilir, 1997, f. 197).

Për të mënjanur çdo pengesë të mundshme politike në kalimin nga republika në monarki, Ahmet Zogu u kujdes që të manovronte midis kundërshtarëve të brendshëm dhe mbështetjes së tyre nga jashtë. Këtij qëllimi mund t’i ketë kontribuuar eliminimi i disa figurave, si Jusuf bej Dibra e Ceno bej Kryeziu (që të dy kunatë të tij), të cilët ishin vegla të Beogradit, si dhe atentati ndaj Shefqet Verlacit (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 169). Në planin e jashtëm ai u përpoq ta fitonte mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Pasi që kishte mbështetjen italiane dhe greke, shtetet e tjera u treguan indiferente, përveç Londrës, e cila çështjen e mbretërisë shqiptare e shihte në kontekstin e relacioneve italo-jugosllave, duke u rezervuar nga çdo prononcim zyrtar dhe duke u mjaftuar me kërkesën që për një çështje të tillë duhej të konsultoheshin edhe fqinjët (FO 371/12845, Legata ne Durres, 16 shkurt 1928).

Në verën e vitit 1928 Ahmet Zogu konsideroi se ishin pjekur kushtet për të kaluar në monarki. Ai u kujdes që kalimi në monarki të bëhej sipas kuadrit kushtetues, prandaj në mbledhjen e përbashkët të dy dhomave të parlamentit, që u mbajt më 7 qershor 1928, u ndryshua neni që nuk lejonte ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri, për të vazhduar më pas me takime me përfaqësues të legatave të huaja për t’ua sqaruar atyre nevojën e ndryshimit të formës së regjimit. Ai deklaroi se ishte i detyruar nga opinioni i brendshëm, që kërkonte ndryshimin e formës së regjimit, pasi që njerëzit mendonin se vendi kishte nevojë për një autoritet të përhershëm, i cili do të qëndronte mbi konfliktet e interesave personale dhe grupimeve politike (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 172). Megjithatë, përveç përpjekjeve për ndërtimin e kultit të individit në Shqipëri, nuk kishte ndonjë lëvizje autentike për ta bërë Shqipërinë mbretëri.

Më 1 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese i miratoi njëzëri dy rezoluta: e para, kushtetuta e re e shpalli Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme dhe, e dyta, e shpalli Ahmet Zogun “Mbret të shqiptarëve”, me emrin Zogu I. Kurora “Mbret i Shqiptarëve”, që u referohej edhe shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar, shkaktoi reagime të ndryshme si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Mbreti Zog ftoi në Shqipëri emigrantët kosovarë dhe e riorganizoi Komitetin e Kosovës me qëllim të përgatitjes së çlirimit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 173; 605).

Në kuadrin e respektimit të traditës së monarkive të Ballkanit, të cilat pa përjashtim kishin emërtim të njëjtë me atë që përdori Zogu, shqiptarët nuk kishin bërë gjë tjetër, veçse kishin ndjekur shembullin e fqinjëve të tyre, bile dhe të monarkëve më të vjetër të Europës. Gjatë viteve të monarkisë jo vetëm që u vendos stabiliteti i brendshëm politik, por u ndërmorën reforma të mëdha në fushën e administratës dhe legjislacionit, të arsimit, kulturës dhe të demokratizimit e të oksidentalizimit të shoqërisë shqiptare, etj. (Meta Beqir & et.al., 2020, f. 187–199).

Konkluzione:

Transformimi në monarki u vlerësua si një mekanizëm për stabilizimin e shtetit shqiptar. Ky argument mund të mbështetet në disa fakte: Shqipëria që nga pavarësia e saj ishte një shtet politikisht i brishtë, me institucione të pa konsoliduar, me divergjenca të brendshme që shkonin deri në shkallën e konflikteve të armatosura dhe me cenim të integritetit territorial nga pretendimet e fqinjëve. Andaj monarkia shihej si një simbol unifikimi drejt modernizimit oksidental. Përmes monarkisë, Zogu mendonte që Shqipërinë ta shndërronte në një shtet të qëndrueshëm, unik dhe rezistues ndaj pretendimeve të huaja. Nga ana tjetër, ai e ngriti kartën e nacionalizmit, sepse “Mbreti i shqiptarëve” nënkuptonte të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë, veçanërisht ata në ish Jugosllavi. Zogu ndërmori veprime të cilat ngjallën ndërgjegjen e heshtur kombëtare të shqiptarëve në këtë vend. Në anën tjetër, kemi ambiciet personale të Zogut: prirja për autoritarizëm, përpjekjet për ta legjitimuar pushtetin e tij, origjina dhe përvoja e tij si një prijës regjional me ambicie të ngritjes së mëtutjeshme, besimi në monarkinë si një mekanizëm stabiliteti, krijimi i një dinastie mbretërore trashëguese pa ndikime nga fqinjët, sidomos nga Italia, shfaqja e tipareve dhe sjelljeve prej monarku, ngritja e kultit të individit etj. Por, Shqipëria kishte mundur të vazhdonte rrugëtimin e saj si një shtet republikan, pasi që stabiliteti i brendshëm politik ishte vendosur gjatë periudhës republikane (1925-1928) dhe nuk ekzistonte domosdoshmëria për monarki ose thjesht nuk kishte ndonjë lëvizje autentike popullore me kërkesë për ta bërë Zogun mbret ose Shqipërinë monarki. Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha më lart mund të arrihet përfundimi se Mbretëria e Shqipërisë, e shpallur në vitin 1928, ishte gërshetim i dy faktorëve: domosdoshmërisë politike të kohës dhe ambicieve personale të Ahmet Zogut, ku mbizotëronte e dyta.

Bibliografia

Akademia e Shkencave të Shqipërisë. (2009). Fjalor Enciklopedik Shqiptar.

Belegu Mentar. (1971). Mbi lëvizjen e Dukagjinit ne nëntor 1926. Studime Historike, 1.

Castellan George. (1997). Histori e Ballkanit. Çabej.

Cici Arben. (2013). Si ndikoi Italia në shpalljen Mbret të Ahmet Zogut (shkëputje nga libri “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934). https://lapsi.al/2018/08/30/detaje-nga-historia-si-ndikoi-italia-ne-shpalljen-mbret-te-ahmet-zogut/

Dako Kristo. (1933). Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve. Shtëpia botuese “Kristo Laurasi.”

Fischer J. Bernd. (2004). Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri. Çabej.

Gooch G. P & Temperley Harold. (1933). British documents on the origins of the War 1898-1914: Vol. Volume IX (The Balkan wars pt. 1). His Majesty Stationery Office.

Haklaj Veli. (n.d.). Si u proklamua Ahmet Zogu mbret i shqiptarëve. https://perseu.al/si-u-proklamua-ahmet-zogu-mbret-i-shqiptareve-i/

Malcolm Noel. (2011). Kosova një histori e shkurtër. Koha.

Mema Albana. (2021). Institucionet ekzekutive në Shqipëri. Akademia e Studime Albanologjike, Instituti i Historisë.

Meta Beqir & et.al. (2019). Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX: Vol. II. Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti I Historisë.

Meta Beqir & et.al. (2020). Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX: Vol. III. Akademia e Studime Albanologjike, Instituti i Historisë.

Meta Beqir & et.al. (2022). Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX: Vol. I. Akademia e Studime Albanologjike, Instituti i Historisë.

Milo Paskal. (1992). Shqipëria dhe Jugosllavia 1918-1927. Shtypshkronja botuese “Enciklopedike.

Musaj Fatmira. (2018). Republika Shqiptare 1925-1928. Akademia e Studime Albanologjike, Instituti i Historisë.

Plaka Armand. Kulti i individit tek Ahmet Zogu President. https://flasshqip.ca/kulture/histori/797-kulti-i-individit-tek-ahmet-zogu-president

Prifti Kristaq & et.al. (2007). Historia e Popullit Shqiptar: Vol. III. Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Puto Arben. (2009). Shqiperia politike 1912-1939. Toena.

Rahimi Shukri. (1969). Vilajeti i Kosovës 1878-1912. Enti i teksteve dhe mjeteve mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

The National Archives (TNA), FO 371/10654. (n.d.). Memorandumi i 5 janarit 1925.

TNA, FO 371/12845, Legata ne Durres, 16 shkurt 1928.

Ushtelenca Ilir. (1997). Diplomacia e Mbretit Zog I-re (1912-1939). Ermir.

Zejnati Novruz. (2009). Ahmet Zogu politikan apo ushtarak. Botimet Reklama.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X