Shkenca nuk toleron improvizime. Kësaj vepre nuk i humb aspak vlera nëse ajo është ose nuk është e Samiut, por në kuptimin shkencor është shumë e rëndësishme të zgjidhet kjo çështje që kontestohet nga autorët turq. Është ngarkesë paksa e madhe që Sami Frashërit t’i vihet mbi supe një dualizëm i këtij tipi, ku ai në njërën anë nga turqit konsiderohet babai i kombit turk (gjë që na bën nder edhe neve si shqiptarë), ndërsa nga ana tjetër të themi se Samiu i quan turqit “egërsira që duhet të zhduken”.
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup
Vepra më monumentale e Rilindjes Kombëtare Shqiptare pa dyshim mbetet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”. Ajo paraqet traktatin më të rëndësishëm politiko-historik për shqiptarët në Ballkan. Madje, në shumëçka ajo edhe në këtë kohë nuk është tejkaluar, aq më shumë kur dihet se shqiptarët as sot nuk kanë hartuar ndonjë elaborat më të mirë për vizionin kombëtar të tyre. Për këtë arsye, me të drejtë, prof. Zija Xholi konstaton se kjo vepër është “një manifest i vërtetë programatik, që pasuroi më tej mendimin politik të Rilindjes dhe mbeti i papërsëritshëm deri në Shpalljen e Pavarësisë”.[1]
Derisa kombet e tjera përgatisnin programet e tyre politike për të ardhmen e kombit e të atdheut të tyre, siç janë elaboratet serbe, që deri vonë (mbase edhe sot) kanë mbetur në funksion, shqiptarët projektin më të rëndësishëm politik të tyre e kanë pikërisht në këtë vepër. Kur e vë përballë elaborateve të tjera ballkanike, prof. Shaban Sinani shprehet se kjo vepër ishte një pandan i “Naçertanies” serbe (1844) dhe i “Megali-idesë”. Në të vërtetë, te Shqipëria… përmendet elaborati grek i Megali-idesë, ndërsa ndjehet informacioni edhe për elaboratin serb të “Naçertanies”[2]. Megjithatë, prof. Sinani nuk lë pa përmendur se, derisa elaboratet serbe e greke ishin në shumë aspekte urrejtjendjellëse e përjashtuese për “tjetrin” në Ballkan, ky elaborat ishte “një prej ideologjive më paqësore, më të drejtpeshuara, më të çliruara prej komplekseve etnike, qoftë të epërsisë, qoftë të përulësisë, jo vetëm në Ballkanin e asaj kohe dhe në kontekstin e traktateve ekspansive të fqinjëve, por në një shkallë shumë më të gjerë, ballkanike dhe evropiane”.[3]
Në këtë drejtim prof. Qosja bën artikulimin më të saktë se çfarë paraqet kjo vepër për shqiptarët. Ai thotë: “… është portreti shkencërisht më objektiv historik, shoqëror dhe politik, por edhe artistikisht më shprehës i Shqipërisë deri në atë kohë”, për të vazhduar se: “Filozofia politike e Rilindjes Kombëtare, e ndërtuar në procesin e përpjekjeve për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare në gjuhën shqipe, gjatë disa dhjetëvjetëshave të shekullit XIX, këtu, për herë të parë, përmblidhet dhe nyjëtohet plotësisht”.[4]
Nëse këtë e përmbledhin në një interpretim më sintetizues, i bie të thuhet se gjithë kultura kombëtare që u prodhua gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në një mënyrë, është përfshirë në këtë vepër. Edhe letërsia, edhe publicistika që u ngrit në atë kohë, në të vërtetë i shërbente pikërisht këtij ideali politik. Madje, edhe organizimi politik i shqiptarëve në të ardhmen nuk kishte si të mos e ketë udhëzuesin më të mirë pikërisht këtë vepër. Prandaj, duke iu referuar edhe më tej prof. Qosjes, do të thoshim se ajo është vepra që “më dukshëm e më qartë se asnjë vepër tjetër diturore, publicistike apo edhe letrare gjatë romantizmit shqiptar e qartëson, e pasuron dhe e zhvillon ndërgjegjen historike, kombëtare, shoqërore dhe politike të popullit shqiptar”.[5]
Kontestimet
Ashtu siç e dimë tashmë, Sami Frashëri është autor i mbi 50 veprave, shumicën e të cilave i ka shkruar në osmanisht (turqishtja e vjetër) dhe vetëm pak vepra e shkrime i ka në gjuhën shqipe (një vepër e ka në arabisht). Nëse e heqim për një çast veprën Shqipëria…., për të cilën po flasim, tekste të Samiut në shqip janë Alfabetarja, Dheshkronja dhe Shkronjëtorja, si dhe disa shkrime publicistike në revistat “Drita” e “Dituria”. Kështu del se gjithë veprimtaria e tij shkrimore është në osmanisht. Ai është autor i veprave themelore të gjuhës turke “Kamusi turki” (“Fjalori i turqishtes” – në dy vëllime), “Kamus-ul Alam” (“Enciklopedia e dijeve të përgjithshme” – në gjashtë vëllime), “Kamusi fransevi” (“Fjalori frëngjisht-turqisht”), “Kamusi-arabi” (“Fjalori arabisht-turqisht” – i papërfunduar), ai është autor i romanit të parë turk “Ta’aşşuk-ı Tal’at ve Fitnat” (“Dashuria e Talatit me Fitneten”), autor i disa dramave, i dhjetëra librave të xhepit, si dhe autor i qindra artikujve publicistikë në revista të ndryshme të kohës, të gjitha në osmanisht. Kjo veprimtari e bën Samiun jo vetëm kontribues të kulturës turke, por edhe themelues të leksikografisë dhe letërsisë moderne turke.
Megjithatë, përkundër vlerës së lartpërmendur të kësaj vepre, një dimension akoma i pandriçuar rreth saj ka mbetur autorësia e veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”. Në studimet shqiptare merret si e mirëqenë dhe çështje e kryer se autor i kësaj vepre është Sami Frashëri, kjo për arsye se botimi i saj i dytë më 1904 (e botuar në turqisht pak para vdekjes së tij) është botuar me emrin e tij, por meqë ajo në botimin e parë më 1899 doli pa emër autori, si dhe për arsye të disa kontestimeve të tjera nga autorë turq, kjo lë hapësirë për të bërë një analizë rreth kësaj teme.
Kur flasim për historikun e kësaj vepre, do të duhet të themi se ajo së pari doli shqip në Bukuresht më 1899 pa emër autori, më 1904 u përkthye turqisht nga Shanin Kolonja dhe doli me emrin e Sami Frashërit, më 1907 përsëri doli së pari herë shqip me emrin e Samiut, po këtë vit doli edhe në turqisht me emrin e Samiut, ndërsa pastaj të gjitha botimet e tjera kanë qenë rregullisht me emrin e Samiut: frëngjisht (1907), gjermanisht (1913), shqip (1919), italisht (1923) dhe katër botimet e ardhshme shqip (1978, 1980, 1988, 2004).[6] E tillë ka dalë edhe në botimin e sivjetmë (2024) nga SHB “Logos-A”.
Fakti që vepra në fillim doli pa emër autori prof. Qosjes nuk i bën fare përshtypje dhe nuk e përmend, ndërsa prof. Zija Xholi në lidhje me këtë jep arsyetimin se “ishte e kuptueshme në rrethanat, në të cilat ndodhej Samiu dhe Shqipëria në sundimin e regjimit të Sulltan Abdyl Hamitit”.[7]
Megjithatë, kjo nuk ka kaluar ashtu lehtë edhe te studiuesit turq. Ata, duke u prirë nga fakti se Samiu paraqet themelvënësin e leksikografisë turke, por edhe të gjuhës standarde turke, nuk mund ta pranojnë lehtë tonin e rreptë antiturk që e përshkon veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”. Kështu Agah Sırrı Levent, në librin “Sami Frashëri”, të botuar edhe në gjuhën shqipe, e konteston autorësinë e Samiut mbi këtë vepër, madje ofron edhe disa argumente, ndër të cilat ne po i përmendim dy. Ai thotë se të afërmit e Samiut kanë treguar se “kur Samiu e kishte parë këtë vepër në turqisht me emrin e tij, qenka mërzitur shumë dhe tri ditë nuk paska ngrënë as bukë”.[8] Po ashtu ky autor thotë se “Në numrin 113 të revistës “Çınaraltı” (“Nën rrap” – shënimi ynë) (20 nëntor) botohet letra e doktor N. Pasinli dërguar nga Adanaja. Doktori bën të ditur se gjatë qëndrimit në Amerikë, nga vetë goja e djalit të Abdyl Frashërit, Mithatit, ka mësuar se autor i këtij libri nuk është Samiu, por i vëllai i tij, Naim Frashëri.”.[9] Madje, Leventi e shtrin më tej argumentimin e tij, duke pohuar se është Shahin Kolonja ai që për arsye të tjera ia ka atribuuar këtë vepër Sami Frashërit.
Megjithatë, nuk janë të gjithë studiuesit turq në një mendje me këtë konstatim. Kështu prof. Bülent Bilmez, në një artikull të gjatë për Samiun, ku flet për rolin e Samiun në krijimin e nacionalizmit turk dhe atij shqiptar, pasi që nuk gjen argumente të mjaftueshme për të pohuar se kjo vepër nuk është e Samiut, pohon se ajo duhet të jetë e tij. Sepse, sipas tij, kjo nuk mund t’i atribuohet asnjë intelektuali tjetër të asaj kohe.[10] Për prof. Bilmezin mjafton fakti që Samiu ishte kryetar i shoqërisë ilegale të emërtuar si Shoqëria e Shtypurit Shkronja Shqip, që ta përligjë mundësinë që Samiu ta ketë shkruar edhe këtë vepër. Madje, ai pohon se: “Unë jam marrë edhe në raste të tjera me historinë e botimeve të ndryshme të këtij libri në gjuhë të ndryshme, për të përfunduar se Samiu është autor i këtij libri, botimi i parë i të cilit doli nga shoqata shqiptare “Dituria” në Bukuresht, Rumani.”.[11]
Në këtë vijë të argumentimit është edhe prof. Shaban Sinani, i cili në një artikull të tij sjell këtë argument: “Përderisa në shkencën shqiptare nuk ka asnjë diskutim për autorësinë e kësaj vepre, nuk ka asnjë pretendent për t’i zënë vendin Samiut, megjithëse kanë kaluar 105 vjet prej botimit të parë, le të vërtetojnë të kundërtën ata që mendojnë ndryshe”.[12] Edhe prof. Sinani i referohet prof. Bilmezit, të cilin e citon saktësisht nga një konferencë e mbajtur në Tiranë më 2004. Ai e sjell këtë citat: “Një artikull i imi mbi veprat e Samiut së shpejti do të dalë në Turqi. Ky është një artikull që unë e kam shkruar pak muaj më parë, pas një hulumtimi në arkivat e Tiranës, Vjenës dhe Londrën, andaj unë tash jam i sigurt qind për qind se Samiu është autor i këtij libri…”.[13]
Megjithatë, këto nuk janë argumente të përfunduara empirike dhe, rrjedhimisht, lënë hapësirë për t’u diskutuar. Duke u gjendur në këtë situatë, në këtë artikull do të merremi pikërisht me këtë çështje. Fillimisht duhet ta vëmë në spikamë mendimin se shkenca shqiptare nuk duhet ta shikojë si humbje nëse kjo vepër nuk është vërtet e Samiut, ngase edhe nëse del e tillë (për çka, natyrisht, duhen bërë studime më të thelluara), ajo përsëri nuk humb asgjë nga vlera e saj si traktat politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë, pavarësisht çështjes së autorësisë, që është debat mes studiuesve, ajo është manifesti politik i shqiptarizmës dhe projektimi i nacionalizmit shqiptar nga Rilindja. Prandaj, nëse jemi të bindur në këtë, për çka unë kujtoj se të gjithë studiuesit shqiptarë janë në ujdi, nuk kemi pse të druajmë që ta gjurmojmë autorin e vërtetë të veprës ose ta konfirmojmë se a është ai vërtet Sami Frashëri.
Në anën tjetër, edhe studiuesit turq nuk duhet të shqetësohen nëse studimet që do të bëhen do ta nxjerrin Sami Frashërin vërtet autor të kësaj vepre. Kjo nuk do të duhej ta ulte as figurën e Samiut si gjuhëtari më i madh i traditës së turqishtes, por as të ishte shkas për animozitet ndaj tij. Madje, kjo do të ishte një shtytje për analiza më të thella të figurës aq misterioze të Sami Frashërit edhe te studiuesit turq.
Argumentet
Në korpusin e argumenteve do t’i kemi parasysh ato që i sjell Agah Sırrı Leventi, që megjithëse mund të kontestohen, sepse as pohimi i familjarëve e as dëshmia indirekte e Mithat Frashërit nuk janë ndonjë fakt i pamohueshëm, megjithatë do t’i marrin si shkak që ta analizojmë se sa ka të drejtë ai. Natyrisht, nuk mund t’i përjashtojmë edhe argumentet që i ofron prof. Bilmezi. Megjithatë, detyra jonë mbetet që këtë analizë ta shtyjmë më tej.
Në të vërtetë, secili studiues frymën e veçantë të veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”. Në këtë vepër kemi këto fragmente:
- “Ç’janë tyrqitë? – Një komp i egërë t’ardhurë nga shkretëtirat’ e Asis: së Veriut me nga një hosten në dorë. Këta me egërsi të tyre zunë më të bukurit’ e vëndevet të botësë e më të qytetëruarëtë; edhe si i ropnë, i gremizë e i doqnë, po i mbajnë edhe gjer më sot nënë një egërsi, nënë një varfëri, nënë një tirani, që tmeron gjithë botënë. Nga gjithë këta vënde, që po rënkojnë, që nga kaqë qint vjet e tëhu, edhe njëri është Shqipëri’ e gjorë, që heq këtë tirani, a heq më shumë se gjithë vëndet’ e tjerë nga pakujdesj’ e Shqipëtarëvet. Tyrqitë janë nga ata kombe, që kanë shkuarë mi dhet si një breshërimë e si një borë.”[14]
- “Tyrqia as mund të ronjë paskëtaj, as di, as do të ronjë, edhe as duhetë të ronjë.”[15]
- “Tyrqia nuk’ është një bari, që do t’ushqenj’ e të ngjallnjë dhëntë që ka, që t’u marrë qumështit e leshtë, por është një ujk, q’atë të mjerë dele, q’e zë prej xverku, s’e lëshon pa çarë, pa i ngrënë mishtë e pa i dërmuarë eshtënatë.”[16]
Në anën tjetër, te Parathënia e veprës Kamus-i Türki (Fjalori i turqishtes), vetë Samiu flet për turqishten dhe për kombin turk, duke përdorë disa herë formulimet “gjuha jonë turke”, “gjuha jonë”, “turqishtja jonë”, “Mirëpo gjuha jonë është gjuha turke”[17].
Këtë çështje e përmend edhe Enis Sulstarova në veprën “Samiu dhe utopia”, ku – duke e cituar autorin turk Bilmez – thotë se Samiu në vepra të botuara në osmanisht për turqit shprehej edhe si “bashkëpatriotët tanë, të parët tanë”, “ne nuk jemi jemi as arabë dhe as persë, ne jemi turq të vërtetë”, ndërsa për gjuhën turke thoshte “gjuha jonë kombëtare, gjuha jonë amtare”.[18]
Ndonëse Sulstarova dhe autorët e tjerë i lexojnë këto fjali duke e pasur parasysh auditorin të cilit i drejtohej Samiu, megjithatë përballja e këtyre fragmenteve që u dhanë më sipër lë të për të konkluduar se ose autori i fragmenteve të veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” është dikush tjetër, sepse mendimet e tij nuk përkojnë me këto fragmente për të cilat dihet sigurisht se janë të Samiut, ose Samiu ka jetuar në një dualizëm të tillë, që për turqit ka pasur një diskurs tjetër të shkrimit, ndërsa për shqiptarët një tjetër, gjë që po ashtu mbetet për t’u verifikuar.
Qëndrim të rreptë te “Shqipëria….” kemi edhe në lidhje me përhapjen e Islamit, për çka aty thuhet: “Kështu shqipëtarëtë kishin zënë të marrënë besën’ e tyrqet e të bëhenë myslimanë që pa rënë Shqipëria në duart e tyrqet. Po si u bënë këta zotërinjt’ e Shqipërisë, këthyerj’ e besës u shtua shumë më tepër edhe më të gjith’ anët të Shqipërisë zunë të marrënë besën’ e mundëset, duke thënë tek është kordha, është besa.”[19]
Ndërkaq te vepra “Përpjekjet e heronjve për përhapjen e Islamit” po ky Sami Frashëri thotë: “Kjo (përhapja e Islamit – Z.I.) u arrit me shfaqjen e shtetit osman. Personalitetet e këtij shteti njiheshin si trima, fetarë të denjë, të drejtë dhe objektivë. Nuk bënin krime e as gjakderdhje pa arsye, ashtu siç kishin vepruar shumica e grupeve sunduese. Pasojat e luftës dhe vështirësitë e rrugës i përballuan vetëm me qëllimin e përhapjes së Islamit, mbrojtjes së myslimanëve dhe madhërimit të fjalës së Allahut. Shpresa e tyre ishte e denjë, ashtu si edhe qëllimi i veprimit për arritjen e kënaqësisë së Allahut në dobi të myslimanëve. Kështu u erdhi ndihma dhe mbështetja e Allahut.”[20]
Ose, po aty më poshtë shprehet kështu: “Islami në kohën tonë përhapet pa luftë e pa dhunë, kurse shumë popuj erren pabesimtarë, por gdhihen myslimanë.”[21]
Këtij dualizmi përpiqet t’i japë shpjegim edhe prof. Gazmend Shpuza, i cili konsideron se: “Mund të thuhet se ai dëshmohet më turk se shumica e intelektualëve osmanë të kohës, më turk se turqit. Me këtë qëndrim ai nuk rrëshqiti nga majat e shqiptarizmit në pozitat e panturkizmit. Këto qëndrime nuk i bien ndesh njëri-tjetrit, ato përplotësojnë njëri-tjetrin. Nuk kemi të bëjmë me një dyzim të personalitetit politik të Samiut aq sa të bëhet fjalë për një identitet të dyfishtë të tij në rrafsh kombëtar.”[22]
Me gjithë këtë relativizim dhe arsyetim, përsëri kujtojmë se ky dualizëm mbetet aq i fuqishëm, sa është i vështirë bashkimi i këtyre fragmenteve dhe qëndrimeve në një qenie të vetme intelektuale.
Sami Frashëri si baba edhe i “turqizmit”
Duke u nisur nga puna leksikografike, por edhe nga veprimtaria publicistike, ku ai është shprehur edhe për tema politike e historike, Sami Frashëri nga autorët turq konsiderohet si babai i nacionalizmit turk. Kështu, një autor turk i Kazanit (Rusi), Jusuf Akçura (1876-1935), më 1904 e ka botuar në Kajro një vepër me titull “Tri platforma politike: osmanizmi, islamizmi dhe turkizmi”, në të cilën ai flet për tre drejtimet e nacionalizmit turk. Dhe, derisa flet për autorët e turkizmit, ai thotë se “emrat kryesorë të këtij qarku janë Shemseddin Samiu (Sami Frashëri), autori i nderuar i Poezive turke Nexhip Asim (Mehmet Emini), Veled Çelebiu dhe Hasan Tahsini, që shfaqnin simpati ndaj ideve të revistës “İkdam” (Përpjekja).”[23] Madje, ai më tej shton se: “Shemseddin Samiu, si shqiptar, turkizmin si gjuhë dhe si synim mund ta pranojë vetëm në kuadër të osmanizmit.”[24] Për Akçurën, Sami Frashëri është një themelues i nacionalizmit turk.
Kjo e bën edhe më të ndërlikuar mundësinë që dikush që është babai i nacionalizmit turk të shkruajë për turqit fragmente siç i dhamë më sipër nga vepra “Shqipëria ç’ka qenë….”.
Argumentet filologjike
Në një kumtesë që e kam pasur për këtë temë, të cilën e kam botuar edhe në librin tim “Interlinearis”[25] jam munduar që, duke i analizuar mjetet gjuhësore të krijimit të tekstit, pra duke bërë forenzikë gjuhësore, të mund ta vërtetoj autorin e veprës, por – për shkak se kisha pak tekste të Samiut në gjuhën shqipe – më ka rezultuar një ndërmarrje e vështirë, pa mundur të pohoj me saktësi se Sami Frashëri është ose nuk është autor i vetëm i saj.
Analiza përmes konektorëve të tekstit, por edhe duke i gjurmuar trajtat leksikore, kohët e mënyrat e foljeve, por edhe shkrimin e fjalëve bashkë, ndaras ose me vizë në mes, më ka dhënë mjaft informacion, por jo edhe mjaftueshëm sa për të pohuar ndonjë autorësi të saktë. Krahasimet i kam bërë mes teksteve shqipe të vetë Samiut, si dhe të teksteve të Samiut me ato e Shahin Kolonjës dhe me tekstet e Naim Frashërit. Ndonëse konkluzioni im ka qenë se Shahin Kolonja e Naim Frashëri nuk dalin si autorët e Shqipërisë (nga kjo analizë e paktë), ky tip i analizës nuk na sjellë as në konstatimin se edhe Samiu është autor i sigurt i saj. Prandaj, hëpërhë kjo – së paku për mua – do të mbetet një dilemë e hapur.
Për të mos e ngarkuar shumë këtë pjesë, po i sjell vetëm pak shembuj. Mjetet e lidhjes (konektorët e tekstit) më shumë të përdorur të vepra Dheshkronja janë: më të mbëdhenjt’ (50 herë), të tjerë (23 herë), përkundreq (17 herë), më të mbëdhat’ (15 herë), ndërsa te Shqipëria… janë: duhetë pra (26 herë), edhe vërtet (18 herë), është’ e vërtetë që (18 herë), është pra (16 herë), kështu për së parë herë (10 herë). Nga kjo paraqitje kuptohet lehtë se nuk kemi ndonjë përkitje mes konektorëve të Shqipërisë… dhe Dheshkronjës.
Përveç analizës së këtillë, që është më e gjatë në artikullin e sipërcituar, analizën forenzike e kemi shtrirë edhe te “gabimet” ose mungesën e konsistencës në shkrimin e fjalëve të caktuara. Te Shqipëria… hasim forma dyshe për leksema të njëjta, si: tregëri (6 herë) dhe tregëti (1 herë); Cilado (6 herë) dhe Cila do (9 herë) – të dyja në pozicion nistor të fjalisë; Me gjithë ndryshimet (1 herë) dhe Me gjithë ndryshimt (6 herë); Mundimë të themi se (1 herë) dhe munt të themi (5 herë); sado q’e (1 herë) dhe sado që (1 herë); Sikuntrë thamë edhe më siprë (1 herë) dhe Sindëkur thamë më siprë (1 herë), por haset edhe sipër (1 herë). Por, mungesë të konsistencës së shkrimit të fjalëve hasim edhe te Dheshkronja (Sot për sot – 2 herë dhe sotpërsot – 1 herë; domethënë – 2 herë dhe do-methë-në – 1 herë).
Përveç dyshimit shkencor se e autori i veprës Shqipëria… nuk është edhe autori i njëjtë i Dheshkronjës, analiza e këtillë na bie në përfundimin edhe se: 1) autori i Shqipërisë nuk ka qenë konsistent në shkrimin e fjalëve të njëjta në tekst; 2) e ka shkruar veprën në periudha të ndryshme dhe prandaj mund t’i kenë ikur këto lëshime; 3) janë ndryshime që i ka bërë ndonjë redaktor tjetër ose 4) kemi të bëjmë me më shumë autorë në veprën e njëjtë.
Ç’na shërben kjo?
Ndonëse për studiuesit shqiptarë kjo është një temë gati e panevojshme, madje edhe e tepërt, janë dy arsye që na detyrojnë në këtë: e para është akribia shkencore – nëse jemi shkencëtarë, duhet të priremi nga argumentet dhe jo nga hamendjet. Shkenca nuk toleron hamendësime. Kësaj vepre nuk i humb aspak vlera nëse ajo është ose nuk është e Samiut, por në kuptimin shkencor është shumë e rëndësishme të zgjidhet kjo çështje që kontestohet nga autorët turq. Arsyeja e dytë është se është ngarkesë paksa e madhe që Sami Frashërit t’i vihet mbi supe një dualizëm i këtij tipi, ku ai në njërën anë nga turqit konsiderohet babai i kombit turk (gjë që na bën nder edhe neve si shqiptarë), ndërsa nga ana tjetër të themi se Samiu i quan turqit “egërsira që duhet të zhduken”. Ose, të pohojmë se Samiu i njëjtë në një vend thotë se Islami është përhapur me bindje, ndërsa në një vend tjetër të thotë se është përhapur me kordhë. Këtu nuk dua të flas për të vërtetën e këtyre qëndrimeve, sepse në kohën e kombndërtimeve, gjithkush kundër gjithkujt ka përdorur kualifikime të ndryshme dhe ato mund të jenë të pranueshme e të justifkueshme për kohën kur janë shkruar, por çështja është se a ka mundur ato t’i shkruajë autori i njëjtë, në këtë rast Sami Frashëri ynë.
Këtë dualizëm duhet ta zgjidhim ne – shqiptarët, qoftë edhe nëse del se është i vërtetë. Në atë rast kjo do të implikonte një qasje tjetër të studimit të personalitetit të Samiut. Por, nëse e kemi parasysh Samiun e shkencës, të filologjisë, të historisë e gjeografisë, të filozofisë e antropologjisë, të studimit të qytetërimeve, të fjalëve të urta me plot urtësi e humanizëm, insistimi këmbëngulës, pa ofruar argumente të fuqishme filologjike ose historike, që Shqipëria është vepër e Sami Frashërit, përveçse e dobëson pozicionin tonë shkencor kundrejt studiuesve turq, e krijon edhe një Sami Frashëri dualist, që ditën punonte për kulturën turke, ndërsa natën i quante turqit “egërsira”. Ky Sami, me kaq dualizëm, do të përbënte problem për vlerësimet që i kemi dhënë për të në kuptim të shpirtit të tij të madh dhe punës së tij shkencore. Ne ia kemi borxh Shemsetin Sami Frashërit që ta çlirojmë nga ky dualizëm.
[1] Sami Frashëri, Vepra 01 – Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë, Logos-A, Shkup, 2004, f. 14
[2] Shih: Shaban Sinani, “Tjetri” në traktatin ideologjik të Samiut, në “Perla” – revistë shkencore-kulturore, Viti IX, nr. 2 (33), Fondacioni “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2004, f. 33.
[3] Po aty, f. 36
[4] Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 3, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2010, f. 357
[5] Po aty, f. 365
[6] Shih: Sami Frashëri, Vepra 00 – Bibliografia e veprës së Sami bej Frashërit, Logos-A, Shkup, 2004
[7] Sami Frashëri, Vepra 01, Logos-A, Shkup, 2004, f. 13.
[8] Agah Sırrı Levent, Sami Frashëri (e përktheu: Genciana Abazi Egro), Dituria, Tiranë, 2004, f. 126.
[9] Po aty, f. 125.
[10] Bülent Bilmez, Myths of origin and autochthony in Shemseddin Sami Frashëri’s (1850-1904) texts contributing to the construction of both albanian and turkish ‘we’s., ‘We, the People’ fellow 2004 – 2005 (version elektronik në: https://cas.bg/wp-content/uploads/2020/05/CAS_WTP_Bilmez.pdf – nëntor 2024)
[11] Po aty, f. 6
[12] Shaban Sinani, “Tjetri” në traktatin ideologjik të Samiut, në “Perla” – revistë shkencore-kulturore, Viti IX, nr. 2 (33), Fondacioni “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2004, f. 35
[13] Po aty, f. 35.
[14] Sami Frashëri, Vepra 01 – Shqipëria ç’ka qenë…, f. 87
[15] Po aty, f. 83
[16] Po aty, f. 96
[17] Shih: Shemsetin Sami Frashëri, Kamus-i Türki (Fjalori i turqishtes) – Parathënia, Ahmet Cevdet, Dersaadet, Stamboll, 1900-1901
[18] Enis Sulstarova, Samiu dhe utopia, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2024, f. 92.
[19] Po aty, f. 33
[20] Sami Frashëri, Vepra 12 – Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit, Logos-A, Shkup, 2004, f. 27
[21] Po aty, f. 32
[22] Sami Frashëri, Vepra 00 – Materiale të konferencës “Sami Frashëri 100 vjet pas”: Gazmend Shpuza, Sami Frashëri midis shqiptarizmit dhe turkizmit, Logos-A, Shkup, 2004, f. 359
[23] Jusuf Akçura, Tri platforma politike: osmanizmi, islamizmi dhe turkizmi”, Logos-A, Shkup, 2020, f. 44
[24] Po aty, f. 64
[25] Zeqirija Ibrahimi, Interlinearis, ITSHKSH, Shkup, 2014, f. 81-100