loader image
October 14, 2024

Zgjedhjet në komunat veriore nga prizmi i ligjshmërisë dhe i stabilitetit demokratik

Zgjedhjet e lira janë parakusht i funksionimit të rendit demokratik. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e zgjedhësve në procesin votues, po aq rritet niveli i legjitimitetit të pushtetit politik. Prandaj disa shtete e kanë bërë të detyrueshme ligjërisht pjesëmarrjen në votim.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren                                                                                     

Më 23 prill 2023 janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq), të cilat janë të banuara kryesisht me qytetarë serbë. Mospjesëmarrja e Listës Srpska, si subjekti më i madh i serbëve të Kosovës, e ka ulur dukshëm përqindjen e votuesve. Si rrjedhojë, në këto komuna, kryetarë u zgjodhën kandidatët e partive garuese shqiptare. Por, çfarë flet kjo për legalitetin dhe legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve të mbajtura?

Kriteret ligjore

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se vetëqeverisja lokale ushtrohet nëpërmjet organeve përfaqësuese të zgjedhura në zgjedhje të përgjithshme, të barabarta, të lira e të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë (neni 123/2).

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, kandidati zgjidhet kryetar i Komunës nëse fiton më shumë se 50 për qind plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë (neni 9/5).

Ligji për Vetëqeverisje Lokale shprehet se kryetari i zgjedhur, i cili dështon ta japë betimin para anëtarëve të Kuvendit brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, e humbet mandatin (neni 57). Dhënia e betimit mund të jetë e pamundur për shkaqe të ndryshme. Një ndër to është mungesa e kuorumit, që është së paku gjysma e numrit të anëtarëve të Kuvendit (neni 46/1).

Në një rast tjetër, vetë Kuvendi i Komunës mund të bëhet jofunksional dhe kështu e rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Probabilitet i tillë mund të jetë moszgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, që duhet të bëhet brenda tridhjetë ditësh pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit. Në këtë rast, ministria përgjegjëse për qeverisje lokale e njofton Qeverinë për situatën dhe Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin jofunksional të komunës (neni 50).

Legjitimiteti i pushtetit

Zgjedhjet e lira janë parakusht i funksionimit të rendit demokratik. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e zgjedhësve në procesin votues, po aq rritet niveli i legjitimitetit të pushtetit politik. Prandaj disa shtete e kanë bërë të detyrueshme ligjërisht pjesëmarrjen në votim. Greqia, Turqia, Egjipti, Belgjika, Brazili, Argjentina, Meksika, etj. janë disa nga vendet, në të cilat votimi është obligim për shtetasit. Kosova bën pjesë në grupin e madh të shteteve ku votimi cilësohet si një e drejtë dhe jo si obligim për qytetarët e vet. Kushtetuta thotë që çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet (neni 45/1).

Pa dyshim, demokracia nuk varet vetëm nga numrat. Fiksimi pas shumësisë ka prodhuar edhe regjime totalitare në botë, të cilat e kanë marrë përkrahjen në një moment të caktuar nga shumica e votuesve. Prandaj është e rëndësishme edhe qenësia e opozitarizmit.

Mungesa e legjitimitetit demokratik lind pasoja të ndryshme në një vend. Pikësëpari, pushteti qendror/lokal nuk guxon të jetë në mospërputhje me shoqërinë/bashkësinë. Pa këtë harmonizim nuk ka si të flitet për demokracinë. Kjo imponon faktin që pushteti zyrtar duhet të vishet me petkun e aprovuar të qytetarëve. Ndonëse pushteti mund të zë fill edhe pa legjitimitet, në raste të tilla ai nuk mund të jetë garantues i stabilitetit të vazhdueshëm.

Qëndrimi i QUINT-it

Pesë shtetet e QUINT-it (SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia) kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës (https://www.state.gov/joint-statement-on-kosovo-2/?utm_source=miragenews&utm_medium=miragenews&utm_campaign=news). Deklarata theksoi që për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna. Po kështu, u bë thirrje që “të shmangen veprimet a iniciativat, përfshirë nga kryetarët e porsazgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale, që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet”.

Kjo qasje e shteteve të QUINT-it është indikator se zgjedhjet në Veriun e vendit janë organizuar sa për të plotësuar kriteret ligjore, por jo edhe për të sjellë stabilitet për mandat të plotë në qeverisjen lokale. Duke konsideruar se zgjedhja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe nuk ofron zgjidhje politike afatgjate, QUINT-i e sheh këtë proces si fazë kalimtare në kuadër të Bisedimeve të Brukselit dhe veçmas në drejtim të krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Efektet reale

Ligji për Zgjedhjet Lokale afirmon që të gjitha subjektet politike janë të lira për të bërë fushatë dhe të bëjnë marketing zgjedhor në media, përmes mbajtjes së ngjarjeve politike dhe duke botuar dhe shpërndarë materiale për fushatë në çfarëdo mënyre ligjore në përputhje me rregullat e vendosura sipas legjislacionit të zbatueshëm (neni 3/1). Megjithatë, u pa se subjektet politike serbe bojkotuan procesin e organizuar zgjedhor nga ana e autoriteteve shtetërore kosovare.

Shikuar nga pikëpamja e ligjshmërisë juridike, zgjedhjet e mbajtura janë në harmoni me legjislacionin. Asnjë subjekt nuk mund të detyrohet të marrë pjesë në zgjedhje. Njashtu nuk ekziston një prag minimal i përqindjes së votuesve për të legalizuar procesin zgjedhor.

Përkundër kësaj, dalja e ulët në zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku kontejnerët u improvizuan si qendra votimi, janë tregues i ndikimit të drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar. Kjo dëfton gjendjen se ajo zonë mund të përdoret potencialisht çdoherë si vjegë në të cilën kapen interesat e shtetit serb. Pra, jo interesat e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, por thjesht ato të Serbisë, e cila i dikton veprimet e politikanëve të Lista Srpska-s. Kjo afekton me moszbatimin e normës kushtetuese, e cila përvijon që vetëqeverisja lokale bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, efikasitetit dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve publike, duke u kushtuar kujdes të veçantë nevojave dhe brengave specifike të komuniteteve që nuk janë shumicë dhe pjesëtarëve të tyre (neni 123/4).

Pikërisht lehtësia e Serbisë që të ndërhyjë në mbarëvajtjen e obligimeve kushtetuese në territorin e Republikës së Kosovës është një sinjal shqetësues për Kosovën. Kur kësaj i shtohet edhe potenciali hipotetik i themelimit të Asociacionit Serb me kompetenca të zgjeruara ekzekutive, atëherë vihet në pikëpyetje sovraniteti i shtetit kosovar. Thënë ndryshe, nëse aktualisht ka skepticizëm për efektet e dëshirueshme të një procesi zgjedhor lokal, çfarë sjellje mund të priten nga politikanët serbë të Kosovës të ndikuar nga Beogradi atëherë kur të jetë formuar një asociacion me prirje autonome? Vetë gatishmëria e një pjese të serbëve të Kosovës për lojalitet me Serbinë karshi Kosovës duhet të alarmojë shtetin kosovar për kujdes të shtuar në bisedimet me Serbinë. Kjo vlen përderisa insistohet në ruajtjen e tiparit unitar të shtetit.

Duke mos qenë pjesë e garës zgjedhore dhe as votimit, komuniteti serb shkëput a priori lidhjet organike dhe demokratike me pushtetin lokal. Në kuptimin praktik, kjo do ta vështirësojë ushtrimin e detyrave ligjore të komunave përkatëse ngase është e pamundur të funksionojë një organ shtetëror/komunal në rast se shpërfillet në forma të ndryshme nga qytetarët. Për shembull, refuzimi i kryerjes së obligimeve tatimore komunale, pastaj bojkotimi i zyrave të gjendjes civile, i shkollave, i institucioneve shëndetësore, etj. mund të përdoren si metoda për të paralizuar funksionimin normal të pushtetit lokal.

Skenarët e tillë janë goditje të fuqishme kundër integrimit të komunitetit serb në shoqërinë shumetnike të Kosovës, të cilën e mëton Kushtetuta dhe po kështu e lëkundin strukturën e shtetit. Për këto arsye, hapat që do të hidhen duhen gjykuar me maturi dhe përllogaritje sa më të saktë.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X