loader image
November 15, 2024

Veriu dhe Veliu, dy thembrat e dobëta të qeverisë Kurti

Për fat të keq dhe për rastësi të çuditshme, shkas i rrëzimit të qeverisë së parë të Kurtit qe shkarkimi i Agim Veliut, edhe pse në sfond, këtij shkasi i paraprinte Grenelli. Tani, pas Veliut, si thembër tjetër e dobët e qeverisë Kurti dy, do të jetë Veriu, sepse sido që të jetë, Kurti do të mbetet si humbës.

Iljasa SALIHU, Shkup

Ka ujëra që duken të qeta, mirëpo mjafton një hedhje guri për ta parë se sa të turbullta janë, mu sikurse disa njerëz të cilët hiqen si të qetë dhe si shpirtmirë, derisa gjithçka shkon në sajë të dëshirave të tyre, por mjafton që ndonjëherë të futesh në mospajtime të thella për ta dëshmuar se sa shpirtrazuar dhe nënçmues janë. Kësisoj, në pjesën veriore të Kosovës, për aq kohë sa nuk ndërhyjnë autoritetet shtetërore për të mbajtur rend dhe rregull, është krejt në rregull atje, madje para syve të bashkësisë ndërkombëtare mund ta paraqesësh si një shembull të shkëlqyer të marrëdhënieve ndëretnik. Megjithatë, po kjo pjesë është përdorur dhe po përdoret si arterie e ndikimit rus dhe si dorë e udhëheqjes së Serbisë. Veriu edhe pas kaq vjetësh u dëshmua se po e mërdhinë Kosovën. Koha dëshmoi se nuk mjafton t’i kesh nën zotërim pikat kufitare dhe doganore në Jarinje dhe në Bërnjak, për aq kohë sa nuk e kontrollon faktikisht dhe juridikisht brendësinë e veriut. Kjo pjesë tashmë po përdoret si kërcënim dhe shantazh për qeverinë e Kosovës, ndonëse prej ndërkombëtarëve edhe si thupër për ta urtuar ndonjë qeveritar të padëgjueshëm.

Trazirat në veri janë rezultatet më të qarta të bisedimeve në Bruksel. Po shihet se palët atje paskan folur njëri me tjetrin, por pala serbe për ta ngritur çmimin e negociatave nuk përtuaka ta keqpërdor veriun e Kosovës, madje duke e kërcënuar drejtpërdrejt me ndërhyrje ushtarake, duke i bërë tashmë bisedimet të pavlera dhe në anën tjetër shihet si një shuplakë e ftohtë për qeverinë e Kosovës se teoria që kjo qeveri me sukses e ka shtrirë kontrollin në tërë sovranitetin e Kosovës, është vetëqejfbërje, madje deklaratat e dikurshme të saj se KFOR-i nuk ka nevojë të merret me pastrimin e rrugëve nga barrikadat, por policia e Kosovës. Ngaqë Kosova është shtet i pavarur, dolën të jenë deklarata të ngutura, euforike dhe të dëmshme, mirëpo krejt këtë dramë autoritetet ndërkombëtare po e shohin me gjakftohtësi dhe me mendësinë “vjen cjapi te kasapi”.

Tanimë ditët e bllokimit të rrugëve nga pala serbe arritën numrin dyshifror. Qeveria e Kosovës po kërkon dhe po pret që KFOR-i ta zgjidhë këtë problem, mirëpo ditët po kalojnë, kurse KFOR-it po i mjafton vëzhgimi, edhe pse bllokimi i qarkullimit të lirë është në kundërshtim të kushtetutës dhe të ligjit, sërish bllokimi po vijon t’i tregojë muskujt sfidues të rendit kushtetues. E keqja tjetër është se tashmë barrikadat janë bërë element i negociatave. Përmes barrikadave, apo shkeljes elementare ligjore, po mëtohet përfitimi konkret. Këta arkitekt që përmes barrikadave ëndërrojnë ndërtimin e rrokaqiejve të tyre, duan bashkësi të komunave serbe (asociacion ose zajednicë), përndryshe bllokimi, barrikadat dhe budallallëku jo që vazhdon, por do të përshkallëzohet. Në anën tjetër, meqë qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është i qartë për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, kjo gjendje i përshtatet për krijim të tërthortë të shtypjes ndaj të parit të qeverisë. Këta me një gjuhë diplomatike i thonë Kurtit se e sheh që gjendja e sigurisë nuk varet prej qeverisë suaj, përndryshe nuk do të na lusje për heqje të barrikadave. Këta qëllimisht nuk po i heqin barrikadat, jo që ia kanë frikën dikujt, po ashtu jo që nuk e dinë se nuk është e drejtë të bllokohen rrugët, por Kurtit i thonë mjaft me kokëfortësinë tuaj, dëgjona në mënyrë që të dëgjojmë, mbase vetë deklarata e Eskobarit për gjetjen e partnerëve të rinj për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, tashmë haptas ia bën me dije se sa është ora e zgjidhjes së problemeve politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Për fat të keq dhe për rastësi të çuditshme, shkas i rrëzimit të qeverisë së parë të Kurtit qe shkarkimi i Agim Veliut, edhe pse në sfond, këtij shkasi i paraprinte Grenelli. Tani pas Veliut, si thembër tjetër e dobët e qeverisë Kurti dy, do të jetë Veriu, sepse sido që të jetë, Kurti do të mbetet si humbës. Nëse qetësimi i veriut varet nga krijimi i bashkësisë së komunave serbe, atëherë Kurti dhe gjithë shteti që e drejton, do të jenë humbës të mëdhenj dhe nëse kategorikisht refuzon krijimin e kësaj bashkësie, atëherë përshkallëzimi në veri do të harliset edhe më tepër në cilësi të krijimit të shtypjes ndaj kësaj qeverie, ku për pasojë sërish do të jetë humbëse dhe e turpëruar kjo qeveri, ngaqë nuk jetohet në ankth, në pasiguri dhe me përshtypjen se një ditë Serbia do t’i dërgojë njëmijë ushtarë serb për t’i mbrojtur serbet e pambrojtur në veri, mu sikurse Rusia, që në emër të kësaj mbrojtje ia mësyu fillimisht dhe pastaj e sulmoi me armë Ukrainën, që edhe përkundër mbështetjes perëndimore në krah të Ukrainës, vijojnë të mugullojnë lemeritë dhe tmerret në Ukrainë tani e disa muaj.

Mendoj se Kurti nuk do ta pranojë krijimin e bashkësisë së komunave serbe, po ashtu në anën tjetër urdhrat e prerë të ambasadorëve perëndimor nuk do të ndalen për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, njëherësh duke i lënë të pangacmuara barrikadat dhe trazirat në veri në cilësi të shtypjes, ku synohet lëshimi pe i kësaj qeverie. Vendi do të shkojë në zgjedhje në një atmosferë “të gjetjes së partnerëve të rinj” për krijimin e bashkësisë së komunave serbe dhe do të vijë dikush që në emër të miqësisë ndërkombëtare dhe në emër të qëndrueshmërisë së shtetit do të bëhet një i dëgjueshëm i devotshëm.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X