loader image
December 4, 2024

Turp dhe mjerim

Sado që është në kulmin e pushtetit, Rama e di mirë që ai është e shkuara, ndërsa Albin Kurti e ardhmja e politikës shqiptare. Tani, më shumë se më parë, në krye të Kuvendit, presidencës e qeverisë së Kosovës ka politikanë të kalibrit të larte, që e dinë detyrën e tyre dhe nuk kanë nevojë për të pyetur njeri në Tiranë.

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Për titullin e shkrimin tim mbi ngjarjet e dy muajve të fundit në Kosovë po perifrazoj titullin “Turpi dhe mjerimi i Shqipërisë”, që mban libri publicistik i Abdi Baletës mbi ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri. Me këtë nuk dua të them se në Kosovë ose, më specifikisht në komunat më veriore të Republikës së Kosovës, kemi të njëjtën situatë si rënia e shtetit në Shqipëri në vitin 1997. Përkundrazi, në rastin e ngjarjeve të tanishme kemi përpjekjen për të fuqizuar rolin e shtetit mbi një pjesë të territorit sovran të Republikës së Kosovës, të cilën diplomacia perëndimore po kërkon ta mbajë peng si një “tokë të askujt”, në mënyrë që ta ketë si karrem për ta tërhequr Serbinë pas Perëndimit. Paralelizmi qëndron tjetërkund: te papërgjegjshmëria e një pjese të shqiptarëve ndaj shtetit dhe te gatishmëria e tyre për t’u shërbyer qorrazi ose për shkak të interesit të ngushtë vetjak, agjendave të shteteve të tjera. Me gjithë rënien e skemave piramidale, në Shqipërinë e vitit 1997, shkatërrimet dhe viktimat nuk do të kishin qenë në atë masë që ishin nëse qeveria dhe opozita do të ishin sjellë me përgjegjësinë që u takonte të mbanin dhe nëse populli në përgjithësi do të kishte pasur një vetëdije më të lartë kombëtare e një ndjenjë qytetarie më të kultivuar. Për fat, shqiptarët e Kosovës po tregojnë pikërisht tani një vetëdije të lartë kombëtare dhe një sjellje qytetare për t’u pasur zili. Mbështetja e tyre për qeverinë demokratike dhe për policinë e shtetit është në nivelet më të larta se më parë. Po ashtu, nuk ka pasur akte vandalizmi apo dhune ndaj serbëve kudo nëpër Kosovë. Qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të mirë të pakicës serbe, e kanë kuptuar se përplasja po ndodh midis shtetit ligjor dhe grupeve kriminale që përdoren nga Serbia për destabilizimin e republikës. Turpi dhe mjerimi është i atyre që po e dështojnë përfaqësimin politik dhe publik të vetëdijes shqiptare.

Turpi dhe mjerimi i opozitës në Kosovë

Në radhën e parë të papërgjegjshmërisë dhe të gatshëm për t’u shërbyer interesave të huaja ka qenë opozita në Kuvendin e Kosovës. Partitë opozitare gjetën një rast tjetër për të kërkuar rrëzimin e qeverisë, gjoja me pretendimin se vendimi i saj për të vijuar me zbatimin e ligjit po sillte izolimin e Kosovës nga Perëndimi dhe se qeveria e Kosovës nuk mund të ndërmarrë masa në komunat veriore pa bashkërendimin me NATO-n dhe BE-në. Deputetë të opozitës u bënë qesharakë duke dalë në foltore me bluza të stampuara me flamurin amerikan ose duke vendosur në faqet e veta virtuale flamurin amerikan, a thua se bandat e drejtuara nga Vuçiqi po sulmonin SHBA-në dhe jo institucionet e Kosovës. Është e drejta e opozitës që të kritikojë kurdoherë qeverinë, mirëpo në çastin e përballimit me të jashtëligjshmit kërkohej solidaritet maksimal me kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me policinë që po i mbronte këta dhe institucionet e shtetit. Tërheqja e kryetarëve nga zyrat dhe e policisë do të thoshte dorëzim i shtetit, edhe pse këto ishin kërkesa që vinin nga diplomacia perëndimore. Kosovaristët e thekur midis deputetëve të opozitës, ata që më parë kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje! për mosrespektim të simbolikës së republikës, duhej të ishin ngazëllyer që flamuri i shtetit (të cilin ata ndonjëherë e quajnë edhe flamur kombëtar), po valëvitej në ndërtesat e komunave, aty ku më parë ndodhej flamuri i Serbisë. Por jo, ata zgjodhën të valëvisin flamujt e SHBA-së dhe të NATO-s, në një përpjekje të kotë për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti. Pa u turpëruar, ata treguan mjerimin e tyre si politikanë dhe përfaqësues të vullnetit të popullit.

Edhe sikur ta marrim për të mirëqenë akuzën e opozitës se kryeministri Albin Kurti po prishka marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Perëndimin, natyrshëm të vjen në mendje pyetja se si propozojnë ta zgjidhin situatën e tanishme partitë opozitare, në mënyrë që marrëdhëniet të mbeten të shkëlqyera. Të shkohet me miratimin e Zajednicës, ashtu si e do Serbia, në mënyrë që të kemi një qeveri paralele në Mitrovicë e Veriut e në tri komuna të tjera, qeveri që do ta mbajë fytyrën të kthyer për nga Beogradi e do t’i kthejë shpinën Prishtinës? Partitë opozitare a nuk po tregojnë se nuk kanë lëvizur aspak prej marrëveshjeve që nënshkruan Thaçi e Mustafa? Nëse është kështu, le ta thonë troç këtë. Le ta thonë se ky është çmimi që Kosova duhet të paguajë Kosova tani për tani, sepse është e sigurt, si buka që hamë, se Serbia të nesërmen e miratimit të Zajdenicës do të vijë me kërkesa të tjera. Le të dalin hapur me flamurin e Zajednicës e ta shohin nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kenë shumicën e cilësuar bashkë me Listën Serbe për të bërë ndryshimet kushtetuese. Sepse është e sigurt që deri në fund të këtij mandati nuk do të ketë miratim të Asociacionit me kërkesat që Serbia ua përcjell ndërmjetësuesve perëndimorë e që këta të fundit përpiqen t’ia imponojnë Kosovës. Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj t’i ruajnë energjitë për fushatën e ardhshme e të dalin para popullit me premtimin se ata mund ta bëjnë atë që nuk bënë dot Thaçi, Mustafa, Hoti e Haradinaj.

Turpi dhe mjerimi i kryeministrit të Shqipërisë dhe i disa politikanëve shqiptarë

Në radhë të dytë të papërgjegjshmërisë dhe të gatishmërisë për t’u shërbyer interesave të huaja ndodhet kryeministri i Shqipërisë. Nuk e humbi këtë rast për protagonizëm vetjak, për të marrë i pari flamurin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kosovës, duke shërbyer si një levë e presionit të diplomacisë perëndimore për të thyer qëndresën e qeverisë së Kosovës. Është e turpshme dhe mjerane kur presioni i huaj përcillet në shqip, nga “shteti amë” i shqiptarëve dhe gjoja në emër të interesit madhor kombëtar. Nuk kishte dhe nuk ka asgjë kombëtare në fjalët dhe veprimet e Edi Ramës. Në kohën kur kryeministri i Kroacisë vinte gishtin mbi plagë dhe deklaronte se problemi në komunat veriore e ka burimin te mosnjohja e Kosovës nga Serbia, kryeministri i Shqipërisë thoshte se Serbia nuk është armike dhe se nuk e rrezikon Kosovën! Vuçiqi ia hodhi poshtë këtë duke rrëmbyer tri policë të Kosovës brenda territorit të këtij shteti, ndërsa kryeministri i Shqipërisë tërhoqi bishtin pas duke thënë se do të priste raportin e NATO-s që nuk erdhi kurrë, sërish duke treguar mosbesimin e tij të së vërtetës që po ia thoshte Prishtina. Dhe, pas kërkesës së Departamentit të Shtetit drejtuar Serbisë për lirimin e policëve, u detyruar të bëjë një kërcënim të mekur ndaj Serbisë për gjoja “ngrirje marrëdhëniesh”. Ndërkaq ndaj Kosovës tregoi një arrogancë të papërmbajtshme kur anuloi takimin e radhës së dy qeverive që do të mbahej në Gjakovë, edhe ky një veprim i mjerë për t’u paraprirë sanksioneve diplomatike të BE-së ndaj kryeministrit Kurti! Ndërkohë që veprim kombëtar do të ishte që t’i drejtohej BE-së dhe NATO-së me të njëjtën kërkesë që u bëri më parë për ta mbajtur me hatër Serbinë dhe për të mos i vënë sanksione, sepse Serbia duhej mirëkuptuar për marrëdhëniet e saj të veçantë me Rusinë. Po marrëdhënia e Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës a nuk është e veçantë? A nuk mundej Rama t’i kërkonte Perëndimit që të tregonte durim në raportet me Kosovën? Sejmeni i tij dhe i Vuçiqit, Baton Haxhiu, thotë se Rama po e kërkon këtë në bisedimet në prapaskenë, mirëpo ajo që realisht doli në dritë nga këto takime ishte një gjest i turpshëm: një projekt-status i Asociacionit që gjoja Shqipëria po e propozonte në emër të Kosovës, për të qetësuar zemërimin e Perëndi(ve)mit. Rama hyri në rolin e Hermesit, “shërbëtorit të perëndive”, siç thirret në tragjedinë e Eskilit, që dërgohet te Prometeu i lidhur për ta paralajmëruar për ndëshkimet që do të pësojë nga Zeusi. Por, Eskili na thotë se “tradhtia është e neveritshme për perënditë dhe për njerëzit”. Përgjigja e kryeministrit të Kosovës ishte e duhura: nëse vërtet kërkon të ndjekësh linjën kombëtare, propozoji Vuçiqit një Asociacion për shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç ta kërkon edhe neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mbi mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të shtetit.

Rama mund të jetë origjinal në mjetet që zgjedh për t’i bërë presion Kurtit, por nuk është për nga përmbajtja e politikës së tij ndaj Kosovës. Nuk është hera e parë që Tirana “ul pazarin” e kërkesave të Prishtinës. Kur në Kosovë kërkohej dhe luftohej për pavarësinë, Tirana ishte dakord me autonominë, sepse autonomia dukej se ishte oferta e diplomacisë perëndimore. Qeveritarët në Tiranë shpeshherë i kanë trajtuar shqiptarët jashtë kufirit si të tepërt, sepse ata nuk bënin pjesë në llogaritë elektorale ose të mbajtjes së pushtetit. Pra, ishin lehtësisht të sakrifikueshëm, në këmbim të përkrahjes ndërkombëtare për të sunduar në Shqipëri. Me anulimin e mbledhjes në Gjakovë, Rama u tregoi diplomatëve perëndimorë që Shqipëria nuk do të ndjekë ndonjë kurs të vetin për ndezjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Me këtë gjest, Rama u tregua plotësisht mjeran, sepse takimet e dy qeverive nuk janë qoka për protagonizëm vetjak, por niveli më i lartë i bashkëpunimit për të hequr barrierat e për bashkërenduar sa më mirë punët midis dy shteteve, për hir të interesit të përbashkët të kombit të njëjtë që jeton në dy anët e kufirit. Takimi në Gjakovë mund të ishte mbajtur fare mirë, siç parashikohej dhe, pas tij, Rama le ta luante rolin e “shërbëtorit të perëndive”, duke ia përcjellë Kurtit mesazhet kërcënuese të Borrellit e të Lajçakut. Anulimi i njëanshëm, i papritur dhe i pashkak i mbledhjes krijoi artificialisht përshtypjen e një krize të rëndë midis dy shteteve. Edhe sikur marrëdhëniet të ishin me të vërtetë në krizë, detyra e shtetarëve duhej të ishte kapërcimi ose zbutja e tyre! Nuk kishte dhuratë më të çmuar për Vuçiqin në çastet kur këtij po i çmontohej infrastruktura kriminale në veri të Kosovës.

Duket qartë se ka një “vëllazërim” midis Ramës dhe Vuçiqit për të ndihmuar njëri-tjetrin për të qëndruar sa më gjatë në pushtet dhe ndoshta lidhjen mes tyre e bëjnë më të fortë edhe lobe të caktuara të huaja e grupe interesi në të dy vendet. Pavarësisht prapaskenës, nga ajo që shoh te sjellja e Ramës ndaj Kosovës, unë, si qytetar i Shqipërisë, ndjehem i turpëruar, i lënduar dhe, mbi të gjitha, i tradhtuar! Unë kam qenë, jam dhe do të jem ithtar i idesë së bashkimit politik Shqipërisë me Kosovën, mirëpo për sa kohë që Shqipërinë e qeveris kjo skotë hajdutësh e kundërkombëtarësh, kufiri (i përkohshëm) midis dy shteteve mund të jetë bekim!

Sado që është në kulmin e pushtetit, Rama e di mirë që ai është e shkuara, ndërsa Albin Kurti e ardhmja e politikës shqiptare. Tani, më shumë se më parë, në krye të Kuvendit, Presidencës e Qeverisë së Kosovës ka politikanë të kalibrit të larte, që e dinë detyrën e tyre dhe nuk kanë nevojë për të pyetur njeri në Tiranë. Tirana, më parë se t’i japë mend Prishtinës, duhet të nisë të bëjë pjesën e vet të detyrave kombëtare e shtetërore: të marrë masa diplomatike për mbrojtjen e hapësirës detare; të merret me njohjen ndërkombëtare të çështjes së gjenocidit ndaj popullsisë çame; ta nxjerrë Shqipërinë nga vendi i fundit në Europë për sa i përket të ardhurave për frymë dhe të ndalë shpopullimin e vendit; të frenojë degradimin mjedisor e të miradministrojë pasuritë natyrore që po grabiten me koncesione, PPP-ra e tendera; të dënojë zyrtarisht gjenocidin e Serbisë në Kosovë; t’i thotë “vendit mik” të ndalojë spastrimin e heshtur etnik në Luginë të Preshevës; të ndikojë që në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe të shkruhet qartë në kushtetutë si gjuhë zyrtare etj. Me fjalë të tjera, Rama ka plot punë dhe nuk ka pse merret me punët e Qeverisë së Kosovës!

Plot punë ka dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut dhe kryetari i Komunës së Preshevës. BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët nuk u është kërkuar ndihmë prej Prishtinës, por ato mundeshin fare mirë të paralajmëronin diplomacinë ndërkombëtare se destabilizimi i Kosovës do të sjellë pasoja edhe në Maqedoninë e Veriut. Partitë e shqiptarëve në këtë shtet mund të mendojnë fare mirë për asociacione të komunave me shumicë shqiptare, sipas modelit që synon Serbia dhe mundet të kërkojnë përfshirjen e gjuhës shqipe në kushtetutë, siç po kërkon Bullgaria. Nuk ka nevojë të jenë krijues, thjesht të imitojnë programet kombëtare të shteteve fqinje. Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, bën mirë që i kujton kryeministrit të Kosovës vendosjen e reciprocitetit midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, por në krahun tjetër do të ishte akoma më mirë t’ua kujtonte diplomatëve perëndimorë mënyrat me të cilat Vuçiqi po e spastron Luginën nga shqiptarët. Ndërkohë që ai pyet Kurtin nëse po bashkëpunon me Amerikën apo Rusinë, si ka mundësi që Vuçiqi, “vëllami” dhe sozia e Putinit në Ballkan, është shpallur qytetar nderi i qytetit të Preshevës? A nuk do të ishte mirë që kohën televizive që po ia dhurojnë me bujari ta përdorte më me maturi për të sensibilizuar opinionin publik mbi përpjekjen për mbijetesë të shqiptarëve në Serbi, që janë ndër pakicat më të shtypura në mbarë Europën?

Turpi dhe mjerimi mediatik

Në radhë të tretë të papërgjegjshmërisë dhe të gatshëm për t’u shërbyer interesave të huaja janë analistët dhe pronarët e mediave shqiptare. Me ndonjë përjashtim, në mediat televizive dhe elektronike, ngjarjet në komunat veriore të Kosovës u interpretuan sipas prizmit të diplomacisë perëndimore dhe u gjet rasti për të derdhur papushim vrer mbi qeverinë e Kosovës dhe vetë Albin Kurtit. Është mjerimi dhe turpi i gazetarisë që kanë tradhtuar misionin e tyre: të vërtetën. E vërteta e marrëdhënieve midis Serbisë dhe shqiptarëve nuk përcaktohet nga jashtë, nga dëshira fikse e diplomacisë perëndimore për stabilitet me çdo kusht në Ballkan. Të vërtetën e marrëdhënieve të Serbisë me shqiptarët, këta të fundit e kanë mësuar qyshkur e brez pas brezi. Ajo buron nga brenda, sepse vetë shqiptarët janë e vërteta historike e Serbisë. Ajo që ndodhi dhe po ndodh në komunat veriore të Republikës së Kosovës është akti më i fundit i dramës që gjatë që ka nisur që me krijimin e shtetit serb, në mos më parë.

Ajo çfarë po bën qeveria e Kosovës është vetëm mbrojtja e rendit kushtetues dhe e institucioneve, as më pak e as më shumë. Perëndimi duhet të rivendosë për këtë rast standardet klasike – sundim i ligjit brenda shtetit dhe mosndërhyrje në punët e brendshme. Ato thyhen vetëm në rastin e krimeve kundër njerëzimit. Për sa kohë që Perëndimi i lakon standardet e veta, duke lejuar Serbinë ta trajtojë Kosovën si territor të vetin dhe ta pyesë Serbinë për rregullimet e brendshme të Kosovës, aq më shumë do të shtohet agresiviteti i Serbisë në rajon. Kosova është shtet demokratik dhe po bën përparime të konsiderueshme në zbatimin e ligjit njëlloj për të gjithë. Në këtë aspekt, ajo është e para midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Arsyetimi se shteti ligjor e demokracia janë për vendet e fuqishme e të zhvilluara dhe se vendet e vogla duhet të kënaqen me krerë autoritarë që zbatojnë dëshirat e më të mëdhenjve, vjen era kolonializëm e është i tejkaluar. Nëse kryetarët e komunave janë të ligjshëm, ata duhet ta ushtrojnë detyrën në zyrat e shtetit dhe jo nga shtëpia, sepse po vepruan kështu, i bie që ata janë pushteti paralel. Kur je zyrtar publik nuk mund të thuash se po zgjedh të mos futem në zyrë, se zyra është mjedisi publik ku personi i zgjedhur me votë behet “zyrtar”. Komunat nuk janë pronë e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, por institucione në shërbim të qytetarëve, pa dallime etnike, gjinie, klase etj.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e tha qartë dhe bukur: “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë. Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiq. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë, sepse e mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë”. Kjo është e vërteta e thjeshtë që do të duhej të buçiste në çdo studio televizive, në çdo raportim lajmi dhe në tryezat e analistëve. Përballë policisë së Kosovës kanë qenë kriminelë të komanduar nga Beogradi. Nëse analistët dhe pronarët e mediave nuk janë të bindur për këtë, të pyesin gazetarë e terrenit që u shpëtuan nga linçimi fizik.

Disa media elektronike në Kosovë po tregohen aq të liga, saqë po përhapin panik me gënjeshtra se trupat e NATO-s dhe investimet e huaja do të largohen nga vendi. Vetë diplomatët perëndimorë kanë qenë të detyruar të japin deklarata përgënjeshtruese të këtyre lajmeve. Nuk përbën çudi e vërteta që po del zbuluar se disa media që veprojnë në Kosovë janë regjistruar në Serbi dhe se kanë për partnerë atje persona të caktuar që njihen si bashkëpunëtorë të Vuçiqit. Me gjithë dezinformimin mjeran e të paturp të shumicës së mediave shqipfolëse, shqiptarët e kanë të qartë se çfarë po ndodh. Çështja është te guximi për ta pohuar të vërtetën dhe për të qëndruar!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X