Sistemi arsimor, kultura dhe tradita e një populli është përcaktuese më e madhe nëse do të kemi një popullatë inteligjente, gjegjësisht perspektive, pa marrë parasysh sa është liberale. Nëse konstatimin e mësipërm e marrim për relevant, kurse neve edhe me tutje jemi të bindur se demokracia liberale dhe ekonomia e tregut janë rruga e suksesit, ndërsa të dhënat empirike nuk na mbështesin, shtrohet pyetja se pse demokracia liberale, aq e pritur, nuk dha rezultate dhe nuk pritet të japë as në perspektivë?
Rizvan SULEJMANI, Shkup
Gjatë ligjërimit tim para studentëve për kohën e Revolucionit Industrial, përskaj efekteve pozitive që dha ky revolucion në zhvillimin ekonomik, tekniko-teknologjik, urbanizimin, arsimimin, braktisjen e zakoneve dhe zhbërjes së familjes klasike për llogari të ligjit abstrakt dhe familjes moderne, gjithmonë ua potencojë edhe efektet anësore. Ndër ta i numëroj divorcet, alkoolizmin, prostitucionin dhe shtresimet e mëdha shoqërore, që prodhuan lum proletariatin, i cili u ngrit në revolucione deri në përmbysjen e një sistem politik, për ta sjellë komunizmin. Për ta kontekstualizuar me kohën në të cilën jetojmë, i pyes: me çfarë sfida ballafaqohemi sot? Cilat janë përfitimet dhe çka mund të jenë pasojat negative nga interneti dhe Inteligjenca Artificiale (IA)? Si do të ndikojë IA në rregullimin shoqërorë dhe më gjerë? Çka mendoni për idenë e profesorit Varufakis se Inteligjenca Artificiale do të na feudalizojë?
Në frymën e kësaj që u tha do të mundohem të pasqyroj situatën në shoqërinë shqiptare në kohën e transformimit të madh që ndodhi me kalimin nga një sistem komunist në një sistem pluralist, kur demokracia liberale është pranuar si vlerë pa të cilën nuk mund të ecim në rrugën e “shpëtimit”, UE-në si qëllim të fundit. Të entuziazmuar nga efektet pozitive që i solli demokracia, u dëgjuan zëra se ky është shekulli i shqiptarëve, një rilindje e re shqiptare dhe ngjashëm. Por, para se të arrijmë në destinacionin e preferuar na arriti digjitalizimi, interneti dhe, së fundi, IA, që pa hezitim i përqafuam, por nuk dimë kush çka do të përfitojë nga kjo “dashuri në shikim të parë”.
Në mbështetje të qëndrimit se kemi përjetuar shumë efektet pozitive nga dy “revolucionet”, të demokracisë dhe teknologjisë, do të numërohen: shqiptarët e përjetuan për së pari herë lirinë pas dekadave e shekuj me radhë ngujimi. Së bashku, liria dhe teknologjia na ka mundësuar që pjesa dërrmuese e popullatës të dalë nga varfëria dhe t’i plotësojë nevojat elementare ekzistenciale. Gruaja shqiptare tanimë ec krah për krah me burrin në gjitha poret e jetës, që bën të kuptosh se paternalizmi është shporrur nga familjet tona. Shkollat dhe universitetet janë përplot me vajza dhe djem, gjë që nuk e kishim më parë. Atomizmi i familjes, një indikator i modernizimit dhe çrrënjosjes së traditave patriarkale, mund të shihet përmes mikrofamiljeve që shfaqen çdo ditë, bile edhe përmes shkurorëzimeve. Institucione relevante të Shqipërisë bëjnë të ditur se numri i divorceve gjatë viteve 2018-2021 është në rritje dhe në 100 martesa 16 deri në 26 mbarojnë me shkurorëzime. Nga Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës për vitin 2023 nuk mund të nxirret ndonjë përqindje e saktë e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve, por vërehet një tendencë në rritje të shkurorëzimeve të bashkëshortëve me 2, 3 e më tepër fëmijë. Kjo flet për lirinë e gruas, e cila është në gjendje e pavarur ta garantojë ekzistencën dhe ta mbajë familjen.
Por, a është kjo e tëra? Çka flasin të dhënat tjera empirike krahasuar me popujt përreth dhe më gjerë? Sa e ndritur është e ardhmja nën hijen këtyre statistikave? Nëse janë dëshpëruese, pse janë të tilla? Ku gabuam apo e kaluam kufirin?
Para disa ditësh mediat në Maqedoninë e Veriut u prezantuan të dhënat e studimit të “World Population Review” për koeficientin e inteligjencës sipas shteteve. Maqedonia zë vendin e parafundit në Ballkan, me koeficient 81.91, dhe pas saj është vetëm Shqipëria, me koeficient 81.75. Nga shtetet e Ballkanit më së mirë qëndron Kroacia, me 95.75 koeficient të inteligjencës dhe ndiqet nga Bullgaria me 90.99 dhe Greqia me 90.77. Shtete e tjera, si Serbia, kanë koeficient mesatar të inteligjencës – 89.6, Bosnja me 88.54 dhe Mali i Zi me 85.57. Këto të dhëna nuk flasin për perspektivë të ndritur, por tejet e zymtë, bile edhe shqetësuese.
Që të mund ta shohim se kush i gjeneron këto rezultate dhe a janë pasoj e nivelit të ulët të zhvillimit apo ende jemi shtet konservator e jodemokratik, përskaj bindjeve tona se e kemi tejkaluar atë fazë, gamën e analizës do ta zgjerojmë duke e trajtuar listën si tërësi edhe jashtë regjionit.
Analiza tregon se 10 shtetet që kryesojnë listë janë Japonia, me koeficient të inteligjencës 106.48, e ndjekur nga Tajvani me 106.47, Singapori me 105.89, Hong Kongu me 105.37, Kina me 105.1 e Koreja e Jugut me 102.35. Për çudi, nga shtetet e Europës prin Bjellorusia me 101.6, pastaj vijon Finlanda me 101.2, Lihtenshtajni me 101.07 dhe Gjermania 100.74.
Duke krahasuar listën e shteteve sipas përqindjes që ata kapin me mesataren botërore BPV për kokë banori me listën e koeficientit të inteligjencës, na rezulton se koeficienti i inteligjencës duhet të jetë në ndonjë relacion me zhvillimin ekonomik, por jo detyrimisht. Singapori, që është i dyti në listë sipas koeficientit të inteligjencës, është i pari në këtë listë me 618% prej mesatares botërore të BPV-së. Pastaj Hon Kongo me 334%, Gjermania me 306%, Finlanda me 286%, Japonia me 221%të janë mbi mesataren botërore të BPV-së për kokë banori. Por, për dallim prej tyre, Kina dhe Bjellorusia, që gjenden në dhjetëshen e parë të mesatares sipas inteligjencës, janë vetëm pak mbi mesataren, me 104%, respektivisht 109% të mesatares botërore të BPV.
Për ta analizuar lidhshmërinë e nivelit të demokratizimit dhe liberalizimit me nivelin e inteligjencës së një populli morëm në shqyrtim rangimin e shteteve më konservatore në botë që bën wisevoter. Dy shtetet që gjenden në dhjetëshen e parë të popullatës me inteligjencë më të lartë në botë, Bjellorusia dhe Kina, janë të radhitura në dhjetë shtetet më konservatore në botë. Ndër shtetet me popullatë më inteligjente, Hong Kongu dhe Singapori janë më konservatore se shtetet e Ballkanit dhe regjionit, që kanë popullatë me inteligjencë shumë më të ulët. Çka mund të konstatojmë. Niveli i zhvillimit ka një varësi të theksuar prej nivelit të inteligjencës së një shteti, por nuk është i lidhur drejtpërsëdrejti me atë nëse është apo nuk është konservator. Gjegjësisht, sistemi arsimor, kultura dhe tradita e një populli është shumë më përcaktues nëse do të kemi një popullatë inteligjente, gjegjësisht perspektive, pa marrë parasysh sa është liberale.
Nëse konstatimin e mësipërm e marrim për relevant, kurse neve edhe me tutje jemi të bindur se demokracia liberale dhe ekonomia e tregut janë rruga e suksesit, ndërsa të dhënat empirike nuk na mbështesin, shtrohet pyetja se pse demokracia liberale, aq e pritur, nuk dha rezultate dhe nuk pritet të japë as në perspektivë? Pastaj, si mundet japonezët tradicionalë e konservatorë të kenë zhvillim dhe të jenë inteligjentë?
Njohësit e kësaj çështje do të thonë se gabimi është në gjykim. Tek vendet e zhvilluara evropiane dominon bindja se të kesh më tepër arsim nënkupton të jesh “më liberal”. Ndërkaq, në Azinë Lindore nuk vlen ky konstatim. Arsyeja, si gur themeltar i filozofisë së konfuçionizmit, nënkupton se tradita dhe njohuritë stërgjyshore janë burim i dijes, ndërsa rendi shoqëror është prioritet i parë. Andaj, japonezët nuk janë të prirë të ndryshojnë status quo-në për një gjendje sado premtuese të jetë nëse nuk kanë të dhëna empirike se në shoqërinë e tyre do të funksionojë. Për ta vlen thënia se “gozhda që del jashtë është e goditur me çekiç” ose çdo valë që e godit varkën, nuk duhet të na argëtojë.
Bazuar në këtë urtësi, shtrohet pyetja: a thua tek ne liberalizmi është ngulitur me çekiç? Apo, ndoshta shikimi perëndimor, që e kemi pranuar si të mirëqenë, se energjia e ndrydhur nën sqetullat e zakoneve, kulturës kolektive dhe religjionit mund të lirohet vetëm nëse çlirohet nga këto forca shtrënguese, nuk është krejt e saktë? A mund të jemi tërbuar për këto qëllime të mira në emër të demokracisë liberale, shtetin shekullar, ashtu që bashkë me ujin e turbullt të legenit ta hedhim edhe foshnjën? Apo ndoshta pa vetëdije, në përpjekje për t’u çliruar nga zakonet dhe ngërçet tradicionale, si sakrificë të parë e kemi bërë familjen? A është e arsyeshme kjo sakrificë nëse nuk kemi zhvillim ekonomik sot dhe as mund ta kemi në perspektivë me këtë nivel të inteligjencës?
Përgjigja më bazike në pyetjet e shtruar është: ideja e demokracisë liberale, si sinonim për lirinë individuale si forcë motorike të zhvillimit të perëndimit, te neve nuk është një tranzicion i natyrshëm, por një ideal i ngritur në dogmë, “fe”, sinonim për integrimin europian. Si popull që nuk e kemi tejkaluar primitivizmin, nuk bëjmë vlerësim elementar kritik, por ngremë mite e krijojmë tabu për zgjedhje që duhet të jenë krejt racionale dhe në vend se t’i kuptojmë. i besojmë. Kështu, nga një i bëmë dy “fe”: fenë tradicionale që besojmë se do të na ofrojë shpëtim në botën tjetër dhe “fenë” e re, integrimet europiane, që do të na ofrojë “shpëtim” në këtë botë. Me kapacitet të vaktë të mendimit kritik, ne nuk e dallojmë çlirimin prej lirisë dhe jemi pak të papërgatitur për inovacionet marramendëse që ndodhin gjithandej.
Sipas ligjeve të entropisë, e përbëra kalon në të thjeshtë vetvetiu, shkon në drejtim të forcave natyrore. Prandaj më lehtë e pranojmë të thjeshtën, antivlerën, që është karakteristikë e shtresave të ulëta, sesa të përbërën, vlerën, që vështirë përkapet, pasi kërkon angazhim kundër forcave natyrore. Ne nuk bëjmë përpjekje së paku të mendojmë nëse ekuilibrimi i vlerave të vërteta perëndimore me ato tradicionale të përdëftuara në praktikë do të ishte më mirë se të mbetemi vetëm me antivlerat europiane. Më së paku e kultivojmë “qenin” kujdestar në qarqet intelektuale dhe ato politike, që do t’i ruajë vlerat tradicionale, si parakusht për vlerësim kritik se çka mund ta kalojë dhe çka nuk mund ta kalojë filtrin e dinjitetit tonë kombëtarë. Ne jemi larg kërkimit të përgjigjes në pyetjen se si mund të kemi recepcionin për “zhvillim” përderisa faktet flasin për “degradim”. Çka ndodhë me ne, ku jemi?
Kemi demokraci të deformuar si rezultat i urbanizimit pa industrializim, edukim verbal pa mendim kritik e kreativ, shekullarizim pa shkencëtarizim dhe lakmi kapitaliste pa disiplinë kapitaliste[i]. Duket sikur kemi mbetur varur në mes ose jemi në stadin që Rexhep Qosja disa dekada më parë e quante “primitivizëm i patejkaluar dhe civilizim i pranuar mbrapsht”.
Lufta që shprehet përmes gjitha formave të ankthit, nga kërkimi i një note më të mirë e deri te të qenit në kohë dhe përpjekjeve për t’i bërë përshtypje personit që i pëlqen, janë simptoma të ankthit që e kërcënon humbjen e kuptimit të ekzistencës si komb. Disa njerëz përfshihen aq shumë në “fenë” e re, dogmën e ofruar, saqë e mohojnë aftësinë për të kultivuar vlera autentike edhe në këto rrethana.
Në përpjekje për t’u pëlqyer nga ata tek të cilët pretendojmë të jemi të pranuar përvetësojmë çdo gjë që na servohet. Perceptimi është se kemi një mirëqenie më të mirë sa i përket plotësimit të nevojave ekzistenciale, gjë që na shtyn të ngjitemi lart e më lart në përpjekje për të arritur lirinë absolute, që është sinonim për Europën, por kur e kthejmë kokën poshtë, shohim një gjendje tmerri, që e lëmë pas, dhe rrezikojmë të gllabërohemi nga ai: migrim, divorce, rënie rapide të natalitetit, fëmijë jashtëmartesorë që hidhen në drogë e prostitucion i përcjellë me shumë krim. Një nënë e barabartë në punë dhe karrierë, e angazhuar në jetën shoqërore, publike dhe intelektuale, është arritja kulmore, por çmimi është se foshnjat mbeten pa gji që në muajin e tretë e disa bile edhe në të parin. Fëmijët e mbetur vetë, pa infrastrukturë përcjellëse që duhet të kujdeset për ta, i kanë përvetësuar kompjuteri dhe inteligjenca artificiale, duke i bërë të varur deri në robërim. Si rezultat i kësaj, paraqitet vonesa në të folur dhe paaftësia për formulim të mendimit dhe gjykimit deduktiv e kreativ. A është familja viktima e parë e liberalizmit dhe teknologjisë?
Qëndrim i shprehur nuk është antifeminizëm dhe më së paku ludizëm e çartizëm i kohës së revolucionit industrial që prirej t’i shkatërrojë makinat si përgjegjëse për rrëmujën e krijuar, por refleksion mbi pasojat e kohës së inteligjencës artificiale, me të cilët do të bashkëjetojë rinia dhe fëmijët tanë. Ky është një apel për ta vënë në rend dite dhe për ta trajtuar pyetjen se pse shoqëria jonë prodhon aq shumë analfabetë funksional e instrumentalë, që shihet edhe përmes testeve të PISA, por edhe nga treguesit e nivelit të inteligjencës si popull? Çfarë ardhmërie kemi me një shkallë të tillë të inteligjencës dhe me këtë nivel të ulët të mendimit kritik, kreativ dhe deduktiv? A jemi materiali i parë që i ofrohet inteligjencës artificiale për të krijuar robëruarit e kohës sonë, për të cilën flet profesori grek Varufakis? A ka ende ndonjë gur të çmuar në thesarin e traditës dhe urtësisë popullore që mund të na ndihmojë të dalim nga situata? Unë mendoj se po. Por, duhet gjurmuar. Të fillojmë nga familja. Ta ribëjmë familjen si qelizën kryesore të shoqërisë. Ta aplikojmë të rejën pa e përbuzur të vjetrën. Familja e shëndoshë, shoqëri e shëndoshë.