loader image
November 15, 2024

Shumëfishuesi i urrejtjes

Libri i Gjorgjeviqit u botua në gjuhën shqipe në vitin 1928 dhe u përkthye nga Mustafa Merlika Kruja (1887–1958), firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, studiues, historian dhe kryeministër i Shqipërisë. Përkthimi i librit zgjoi debate. Disa autorë ishin kundër përkthimit të librit ku fyheshin shqiptarët. Mustafa Kruja mendonte se shqiptarët “do të mësonin shumë sende të dobishme prej këtij libri”. Do ta kuptonin opinionin politik serb për shqiptarët.

Salajdin SALIHU, Tetovë

E pagëzuan Hipokrat, por u vetëquajt Vlladan. Me profesion ishte mjek, me vokacion shkrimtar, kurse politikën e kishte pasion. Në fotografi shfaqet me uniformë ushtarake të stërmbushur me dekorata për merita shtetërore e luftarake. Është Vlladan Gjorgjeviqi (1844–1930), akademik, kryetar i Beogradit, ambasador në Athinë e në Stamboll, misionari që Maqedoninë e futi nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe dhe kryeministër i Serbisë.

Gjorgjeviqi ishte shkrimtari i parë që e krijoi personazhin kryesor të shqiptarit në letërsinë serbe. Në romanin Krahina e Koçit (1863), serbi Koça dhe shqiptari Kara Fejziu vëllazërohen në luftë kundër osmanëve, kurse trimëria e shqiptarëve krahasohet me atë të serbëve.

Në revistën e tij, “Otaxhbina”, u botuan edhe krijime artistike ku vlerësohen shqiptarët, por prejse u zhyt thellë në ujërat e politikës, ai më nuk pa asgjë të mirë te shqiptarët.

Nëpërmjet librit Arnautët dhe fuqitë e mëdha (Beograd, 1913) e bëri të ditur qëndrimin shtetëror ndaj shqiptarëve, të cilët i quajti: “gjakpirës”, “vrasës”, “plaçkitës”, “kafshë me fytyrë njerëzore”, “mbetje të Europës”, “racë e egër”, “pa kulturë e histori”, “flinin në shpella dhe ecnin lakuriq”. Pjesa më e tmerrshme e librit është faqja e shtatë, ku thuhet: “Arnautët ia kujtonin [atij] krijesat parahistorike që nga frika e kafshëve të egra flinin nëpër pemë, ku mbaheshin nëpërmjet bishtave të tyre. Vetëm në mesin e arnautëve edhe në shekullin XIX duket se ende jeton ndonjë njeri me bisht”.

Gjorgjeviqi mashtroi se kinse albanologu Johan Georg von Hahn shkroi për shqiptarët me “bishta kuajsh” e “bishta dhie”. Hahn-i shkroi për besime te shqiptarët e jugut të Shqipërisë. Në mitologjinë greke e romake ka shumë figura mitologjike me trup kafshe dhe kokë njeriu, por askujt nuk i shkoi ndërmend që grekëve ose romakëve t’u ngjiste bishta.

Gjorgjeviqi ishte kundër krijimit të shtetit shqiptar. Ai kërkonte që Serbia të kishte dalje në det. Formula “Ballkani i ballkanasve”, duke i përfshirë shqiptarët, për të “ishte e pabazë”. Ai e kundërshtoi edhe formulën italiane “Shqipëria e shqiptarëve”. Shqiptarët, sipas tij, pasi s’mund të ndaheshin nga turqit, s’duhej të kishin të drejtë fjale për fatin e tyre. Europës i propozoi që territoret e “njerëzve të padisiplinuar” të ndaheshin ndërmjet Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Shqipëria s’duhej të kishte det dhe porte, sepse “fiset barbare dhe në hasmëri mes tyre”, s’kishin aftësi “të udhëhiqnin shtet”. Madje, shqiptarët i quajti “sajesë e austro-hungarezëve kundër sllavëve”, “mund të qytetëroheshin” vetëm nëpërmjet kolonizimit.

“A ka popull shqiptar?”, pyeti ai. Dhe u përgjigj: “Nuk ka”.

Që t’i paraqiste shqiptarët si fise, shkroi se kafkat e tyre ishin të ndryshme në pjesën jugore (dolihocefale) dhe atë veriore (brahicefale). Duke i paraqitur shqiptarët si “fise të ndara dhe të hasmëruara”, pretendonte t’i bindte fuqitë e mëdha se shqiptarët s’mund të organizonin jetë të përbashkët shoqërore, ekonomike dhe kulturore.

Gjorgjeviqi shkroi se shqiptarët s’e kishin tipin e tyre kombëtar; se nuk kishin gjuhë unike, alfabet, kujtesë dhe histori; se nuk kishin këngë dhe gjuhë popullore; se nuk e donin shkollën, por pushkën; se nuk luftonin për qëllime liridashëse dhe për ideale të larta, por për gjëra utilitare e të ulëta; se vriteshin edhe për fyerjen më të vogël; se jetonin vetëm për plaçkë, kurse plaçkitjen e kishin parim e traditë; se nuk ishin luftëtarë; se vrisnin vetëm nga pusia; se kishin besime primitive; se ishin blegtorë shëtitës që s’dinin të bënin djathë; se nuk dinin ta punonin tokën; se nuk kishin njohuri për lëvrimin dhe pllenimin; se të vetmen pasuri i kishin malet, që i shkatërronin për të krijuar vend kullosash; se jetonin në mënyrë primitive, në shtëpi të thjeshta e pa orendi; se nuk dinin asgjë për karriget, tavolinat, krevatet; se kullat e tyre ishin pa oxhaqe; se në gjithë Shqipërinë kishte vetëm një tualet; se hanin me gishta dhe flinin veshur; se ushqimi i shqiptarëve ishte vetëm buka e misrit dhe qumështi; se kostumet shqiptare ishin si të serbëve; se Shqipëria nuk kishte lidhje trafiku e pasuri dhe ishte vendi më i varfër në Europë; se aty kishte sëmundje infektuese që as mjeku s’mund t’i ndihmonte; se në letërsinë shqiptare s’kishte shënime për mjekë e spitale; se sëmundjet luftoheshin vetëm me hudhra e pështymë.

Gjorgjeviqi vazhdoi edhe me fyerje të tjera: se shqiptarët nuk e njihnin humanizmin; se ishin të egër; se ishin antisemitë; se “ishin bisha” me të cilët Austria dhe Italia donin të bënin shtet të ri; se ishin populli me kulturën më të ulët në Ballkan; se ishin pa fe dhe vepronin sipas formulës “e kujt është shpata e atij është feja”. Pasi harroi se çfarë kishte shkruar, i akuzoi shqiptarët për fanatizëm fetar. Shqiptarët i quajti “tinëzarë dhe të pabesë”, që kishin vetëm prirje për gjakmarrje; që vrasjen nuk quanin krim, por detyrim të shenjtë. Shkroi se me shqiptarët mund të bisedohej vetëm nëpërmjet armëve; se në çdo shtëpi shqiptari qëndronte koka e një kali dhe “falë Zotit nuk ka koka njerëzish”.

Gjorgjeviqi i përçmoi edhe gratë shqiptare. Shkroi se kur ato nuk kishin fëmijë vriteshin nga burrat; se një shqiptare, pasi e kishte vrarë armiken e saj, “ia kishte pirë gjakun”; se jeta e gruas vlente sa gjysma e jetës së një burri; se gruaja shqiptare shërbente vetëm për punë të vështira; se vajzat shqiptare fejoheshin në fëmijëri; se “në gjuhën arnaute nuk ekzistonin fjalët të dua dhe dashuroj”; se gratë tradhtonin edhe pasi martoheshin; se shqiptarët ishin popull pa moral etj.

Gjorgjeviqi s’ua pranonte shqiptarëve as mikpritjen, sepse ata nuk duhej të kishin asnjë virtyt.

Libri i Gjorgjeviqit u botua në gjuhën shqipe në vitin 1928 dhe u përkthye nga Mustafa Merlika Kruja (1887–1958), firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, studiues, historian dhe kryeministër i Shqipërisë. Përkthimi i librit zgjoi debate. Disa autorë ishin kundër përkthimit të librit ku fyheshin shqiptarët. Mustafa Kruja mendonte se shqiptarët “do të mësonin shumë sende të dobishme prej këtij libri”. Do ta kuptonin opinionin politik serb për shqiptarët. Kruja bëri mirë që e përktheu pamfletin propagandistik, ashtu siç bëri mirë “Klubi i Poezisë” që e ribotoi në vitin 2015, për një kontekst të ri historik.

Marrëzia e Gjorgjeviqit është kritikuar edhe nga studiuesi serb Vlladan Jovanoviq në artikullin “Historia e albanofobisë serbe – Shfrytëzimi i stereotipave antropologjike mbi shqiptarët”. Libri i Gjorgjeviqit, sipas Jovanoviqit, përmban vetëm fabrikime pseudoshkencore mbi veçantitë antropologjike të shqiptarëve, me qëllimin që ta vinte në dyshim pjekurinë e shqiptarëve dhe të drejtën për ta pasur shtetin e tyre. Qëllimi kryesor i “babait të kirurgjisë serbe” ishte që serbët ta realizonin idenë e daljes në det nëpërmjet bregdetit shqiptar, kurse për këtë qëllim, Shkodrën, Lezhën e Durrësin ai i quajti “seli serbe”.

“Konstrukti kulturor” që shqiptarët i paraqet me bishta, sipas antropologut slloven, Bozhidar Jezernik, është racist dhe shovinist. Shfaqja e këtyre ideve shoviniste kishte në sfond ngjarje dhe qëndrime të propaganduara edhe në Europë.

Ka edhe shumë autorë të tjerë që kanë shkruar për shqiptarët sipas një kallëpi ideologjik dhe propagandistik. Shqiptarët u demonizuan nga politikanët, akademikët, shkrimtarët, ushtarakët e klerikët. Këso librash e shkrimesh janë shkruar në shekujt XIX, XX dhe XXI.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X