loader image
October 14, 2024

Shtigjet e dashurisë ndaj kombit

Në kohën e komunizmit kishim më shumë pengesa komunikimi brendakombëtar, por për disa çështje kishte një lloj uniteti në të gjitha trojet tona (gjuha, historia…), kurse tash, kur nuk i kemi këto barriera, kemi tendenca që cenojnë unitetin kombëtar, si në çështjen e gjuhës, si në çështjen e historisë, tolerancës fetare, e gjer te tendenca e krijimit të dy kombeve (në të vërtetë, për saktësi gjuhësore, të “dy popujve”).

Daut DAUTI, Shkup

Edhe kjo “detyrë shtëpie” e redaksisë “Shenja” nuk ishte nga të lehtat. Tema në shikim të parë është “e ngushtë”, saqë ulesh dhe e shkruan me një frymë gjithë ç’ke për të thënë, e nga ana tjetër sheh se nuk është ashtu, nuk është vetëm një segment që e përfshin, por janë shumë aspekte të tjera, e kaluara, e tashmja, historikja, ideologjikja, gjuha, kufijtë… Dhe, çka është më problematike, të duket se gjithçka është thënë.

Në këto dilema, me t’u ulur për ta shkruar, m’u imponua një motiv i largët, shumë i afërt emotivisht dhe për nga vokacioni, që e kisha ruajtur në kujtesë që nga vitet studentore, kur më kishte rënë në dorë një libër i Ismail Kadaresë me poezi, “Motive me diell”…

Metafora e një poezie dashurie

Kur e lexonim dikur poezinë “Të huaj jemi” të Kadaresë, të bënte përshtypje bukuria artistike, lehtësia e vargëzimin që e ka si tipar Kadareja dhe nënteksti i mesazhit, duke gjetur simbolikën e fshehur  dhe lucide, se, pas dashnorëve të ndarë, ishte fjala për shqiptarët e ndarë.

Të huaj jemi ne prej kohësh,

Ç’ish për t’u thënë është thënë,

Si gurët që zëne vend në tokë,

Në jetë vend ne kemi zënë.

Pra, nëse kërkojmë analogjinë me situatën e popullit të ndarë shqiptar me dy dashnorë, që mes tyre sa janë të afërt, janë dhe të huaj, duket gjithçka identike me situatën e shqiptarëve të pas pavarësisë, kur tërësia e kombit dhe tërësia territoriale e tyre pikë e pesë, ishte si gurët e zënë vend në tokë, jo si në një mur shtëpie, ku do të jetonin nën një kulm të lumtur. Sepse, autori, që i ka vënë aq afër e aq larg njëri tjetrit dy të dashuruar, aludon ndoshta edhe me atë situatë fatkeqe historike të vetë shqiptarëve të ndarë:

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur

Të gjitha rrugët edhe shtigjet,

Si dy qytete mesjetare

Me mure, heshta dhe me pirgje.

Te simbolika dhe e pathëna është bukuria, te ajo që e lexon si mesazh i fshehtë, si ajo që preferojnë shumë autorë, në mesin e tyre edhe vetë Kadareja, që letërsia ka shumë shtresa që nuk duken dhe vetëm atë të ajsbergut përmbi. Në kohën e krijimit të kësaj poezie, kontekstet historike e ideologjike e determinojnë fatin e “dashnorëve”:

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.

Dhe ne të dy si dhe më parë

Të ftohtë rrimë e të pamposhtur

Si dy qytete mesjetare.

E vetmja gjë që nuk shkon te këto vargje me realitetin është kjo ftohtësia, e cila në jetën reale, nga këndvështrimi i një populli të ndarë, nuk korrespondon me gjendjen e vërtetë shpirtërore, eventualisht nëse kjo nuk është “përshkrim” i ftohtësisë që krijoi mbyllja e shtetit shqiptar, që degradoi në pranim të një gjendjeje, saqë ndasia e kufirit dhe mungesa e informatave se ç’ndodh “matanë gardhit”, ta ketë krijuar. Shikuar nga ky këndvështrim, edhe nuk është larg së vërtetës!

Se ç’ndodhte matanë gardhit, këtë më së miri e dinte regjimi i Tiranës dhe vetë Enver Hoxha, i cili i kishte dhe komplekset e tij kundrejt komunistëve jugosllavë, me të mirat dhe anët tjera. Dëshmitarët e kohës rrëfejnë se edhe në Shqipëri, ku nuk ka pasur presione të regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve këtej, ka ekzistuar një lloj druajtje për t’i shprehur në plotëni ndjenjat e kombdashurisë. Nuk e besojmë se ky mund të ishte motivi i Kadaresë për ta frenuar veten, për më tepër kisha thënë është në pyetje prirja e tij për t’i veshur gjërat artistikisht, për t’i dhënë lexuesit një motiv plotësues për t’i zbërthyer vetë gjërat. Ndaj dhe kritika letrare poezinë e tij e ka quajtur novatore për kohën.

Por, meqë tema nuk është letërsia, ose të paktën jo kryesorja, e këtij numri, këtu poezia e Kadaresë më cyti për t’iu kthyer ndjesisë së çdo shqiptari ndaj idealit të parealizuar kombëtar për të jetuar në një shtet dhe kjo huaj-ësi është vetëm kushtimisht thënë, ngaqë Kadareja, sikundër çdo shqiptar tjetër, e gjente shtegun për ta ndjerë afërsinë e amshueshme:

Por natën, kur i lodhuri truri,

Portat i mbyll me qetësi,

Ti gjen nje shteg dhe futesh brenda,

Një shteg që vetëm ti e di.

Ky është ai “shteg” gjithnjë i lirë i adhurimit të shtetit amë dhe i idealit për të jetuar bashkë, që s’e ka ndaluar asnjë regjim dhe asnjë kufi. Sikundër Kadareja që aludon përmes dashnorëve të ndarë në pjesët e ndara të popullit shqiptar, ashtu dhe shqiptarët të mbetur padrejtësisht në kuadër të mbretërisë e më pas shtetit të Jugosllavisë, do të ëndërronin vazhdimisht ditën për të realizuar idealin. Shprehja e dashurisë ndaj Shqipërisë, nuk ishte një shprehje lirie, por rrezik për humbje të saj. Nga idealistë të tipit të Adem Demaçit, deri te aktivistë studentorë të 1981-shit, do të mbushin burgjet e kohës, kurse krijuesit vetëm mund të ndiqnin rrugën e stisjes së ndjenjave përmes formave novatore të shprehjes, mbylljes së metaforave në guackë për ta thënë e për ta lënë të kuptohej. Një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare të kësaj ane të kufirit, “Zanoret e humbura” (autor Zejnulla Rahmani), do të fëshfëritë në gjithë romanin e tij me personazhin me zanore të humbura të emrit, ‘LB’N, për identitetin e tij të mohuar, duke aluduar për cungimin e trupit (kombëtar). Në planin krijues, gjithë poezia e krijuar në Kosovë dhe viset tjera të ish-Jugosllavisë, do të ndjekë ato rryma letrare moderne ku mesazhi poetik do të “paketohet” në terrin e simbolizmit hermetik, për të mos u kuptuar mesazhi kur në pyetje kanë qenë temat për idealin e parealizuar, e në anën tjetër lexuesit mendjemprehtë t’ia lë gjithë hapësirën e interpretimit të lirë. (Edhe pse është temë tjetër, për të cilën kam shkruar në librin “Ai çast frymëzimi” (tema: Keqkuptimi i Kadaresë me letërsinë kosovare), pikërisht Kadareja që vetë e veshë poezinë me mesazhe të fshehura, do të kritikojë letërsinë kosovare për të njëjtën gjë, si për “broçkulla avangardiste”!)

Poezia e sipërcituar e Kadaresë në Kosovë ka mbërritur diku në fillim të viteve ‘80-ta, përmes një kompleti dhjetë vëllimësh të veprave të tij. Sigurisht që shumë lexues do ta kenë lexuar kështu, duke ua ngrohur shpirtin, siç di ta bëjë letërsia e mirëfilltë, por këtu mesazhi është pikërisht në frymën e funksionit që duhet ta ketë letërsia, që t’i gërshetojë jetën me kontekstet tjera.

Është ajo koha e ndikimit fatal edhe të ideologjisë në ngjizjen e vetëdijes. Shqiptari i këtushëm, i cili jetonte në një regjim komunist “më liberal”, e adhuronte Shqipërinë, madje Shqipërinë “me ka krejt“, pra edhe regjimin e Enver Hoxhës, për të cilin njerëzit binin në burg duke ia lexuar veprat “e pastra” marksiste-leniniste. Një nga autorët e njohur emblematikë kosovarë, Jusuf Gërvalla, viktimë e shërbimeve jugosllave, i kishte shkruar një letër Enver Hoxhës, ku ai e denonconte sistemin jugosllav titoist si një shkarje nga rruga burimore e marksizmit dhe leninizmit, ndryshe nga Shqipëria, që e ndërtonte socializmin pikërisht në ato baza. Këtë nuk e sjell si shembull për të ulur përcaktimin kombëtar të Gërvallës, por për të treguar se atdhedashuria e shqiptarëve të kësaj ane e përmbante edhe notën ideologjike, duke e barazuar atë si diçka të drejtë dhe në një linjë me atë kombëtare. Gjithë kjo, ngase intelektuali i këtejshëm nuk i kishte të gjitha informatat se ç’ndodhte atje. Vetëm kur ikte ndonjë shqiptar dhe e merrnin shërbimet dhe e nxirrnin para kamerës, tregonte se si është gjendja në Shqipëri, por pak kush do t’i besonte, sepse kjo kuptohej si pjesë e propagandës antishqiptare.

Ndërkaq, tash kur kanë rënë të gjitha perdet dhe ka rënë kufiri midis shqiptarëve, dalin në pah edhe të vërteta shumë të rënda. Për njërën nga këto të vërteta bën fjalë edhe një libër që jam duke e lexuar nga diplomati Salim Kerimi për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave-maqedonase, ku flitet se, përderisa në Kosovë kërkohej statusi i republikës, udhëheqësit e Shqipërisë, me gjithë përkrahjen deklarative, oficialisht kanë qenë kundër statusit të republikës, sepse “nuk mund të ekzistojnë dy republika shqiptare”!!!

Më afër se kurrë dhe jo pa fare ndasi!

Nga letërsia, më duhet të zbres “në tokë”, në jetën reale, në kohën tonë. Por, nuk do të mund të vazhdoj pa atë episodin e ëndërruar të jetës sime për ta parë Shqipërinë prapa perdes së hekurt, që m’u dha në vjeshtën e vitit 1990, si pjesë e një delegacioni shkrimtarësh nga Maqedonia. Flitej për tendencat e hapjes që regjimi i Ramiz Alisë i kishte nisur me shumë kujdes, por ende ishte në fuqi regjimi komunist, para Lëvizjes së Dhjetorit. Ëndrra për ta parë Shqipërinë m’u bë realitet dhe ndryshe nga shumë të tjerë që e adhuronin Shqipërinë “me ka krejt”, unë isha në grupin e atyre që nuk kisha iluzione rreth regjimit dhe ideologjisë. Këtë ndarje e kisha bërë që si student.

Nuk mund të them se isha i fascinuar nga realiteti i jetës që pashë, e as tepër i dëshpëruar, sepse, duke u sjellë në qarqe zyrtare, nuk mund të shihja shumë nga ai realitet i hidhur. Por, gjithsesi, ndjeva frymën e ndryshimeve që do të vinte shumë shpejt, ai ndryshim që do t’i rrënonte kufijtë midis Shqipërisë dhe botës, por edhe midis vetë shqiptarëve.

Vazhdimi i rrëfimit janë këto tri dekada postkomuniste, ku në planin historik e kulturor u krijuan rrethana të favorshme të rivendosjes së komunikimit të ndërprerë në mënyrë të dhunshme nga kufijtë administrativë e ideologjikë. Në hapin e parë nuk mund të realizohej “një komb, një gjak, një gjuhë, një flamur…”, sepse dhjetë vitet e ardhshme Kosova do të dergjej ende nën regjimin e Millosheviqit, por kjo, për fat të keq, s’do të ndodhë as pas çlirimit, më 1999, sepse historia nuk njeh përherë “hope” që me një kërcim të realizohet gjithçka që është lëshuar si mundësi në histori. Fazat kalimtare janë gjithnjë të padefinuara dhe të pakufizuara në kohë, ndaj dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008-tën, mbetet me atë nyjën e kushtëzimit për të mos u bashkuar me askënd. Ideali historik mbeti koc në fyt ose përgjysmë! Më saktë, u realizua diç që ishte pjesë e lëvizjeve të viteve 80-të, për Kosovën Republikë, e plotësuar me idetë e Ibrahim Rugovës, për Kosovën e pavarur dhe neutrale, njësoj të hapur ndaj Shqipërisë, por edhe Serbisë. Politikanët pragmatistë, ish-udhëheqësit e UÇK-së në PDK, AAK ose LDK, do t’i pranojnë të gjitha kushtet për pavarësi, pra edhe me kufizimet që i vendosi bashkësia ndërkombëtare, që pjesën tjetër “ta përpunojnë” idealistët e rinj, si Albin Kurti, i cili do t’i shitet publikut kosovar si dikush (sikur vetëm ai) që do bashkim kombëtar, që nuk pajtohet me këtë lloj pavarësie… Pastaj erdhi në pushtet vetë, për t’u ballafaquar me lajthitjet e tij!

Në të vërtetë, Kosova është vetëm një segment i përafrimit dhe distancave të reja shqiptare. Kosova 1999, Maqedonia 2001, më parë dhe UÇPMB-ja në Luginë të Preshevës, ishin sprovat serioze të funksionimit të kombit, sepse solidarësia vëllazërore dëshmoi se në jetë, përkundër të gjitha ndasive, shqiptarët nga të gjitha trojet dhe shtetet, i erdhën në ndihmë njëri-tjetrit në ditët më të vështira. Në Shqipëri trajnoheshin luftëtarët që do të nisnin luftën në Kosovë, në ushtritë që nisën kryengritjet e mëpasme, morën pjesë ushtarë e komandantë nga Shqipëria. por edhe vise të tjera… Rrugëtimi pas këtyre ngjarjeve jetike do të përshkohet nga të gjitha tiparet  e kohës së re pluraliste, të bashkëpunimit ndërshqiptar, me afërsi vëllazërore e me disonanca politike, ndonjëherë dhe të pakuptueshme, saqë shpesh do të krijojë huti nëse shqiptarët dinë t’i definojnë “qëllimet e përbashkëta”. Shpesh do të përzihen parimet e paternalizmit (nga shteti amë), me afinitetet personale të atyre që e drejtojnë atë, me parimin e mosndërhyrjes në shtetin tjetër (Kosovë), ku ka të zgjedhurit e vet nga populli. Kjo sagë vazhdon edhe sot. Në këtë temë kemi shumëçka për të thënë.

Një gjë që dominon si një lajthitje, si pjesë e kauzës kombëtare të Rilindjes, është te termi “komb shqiptar”. Teoritë moderne të kombit janë dëshpëruese për këndvështrimin idealizues të shqiptarëve, të trashëguar nga Rilindja, sepse kombi lidhet me shtetin, ndërsa shtetin rrallëherë e përbën një popull. Së këndejmi, ndërlidhen tendenca të tjera problematike për tërësinë e qenies kombëtare ashtu si e konceptojmë nga ai këndvështrim. Është përpjekja që në një shtet të ri shqiptar, Kosovë, të krijohet kombi i ri, kosovar. Keqkuptimi është teorik dhe praktik. Sepse, krijimi i kombit të ri nuk është në kundërshtim me teorinë, në kuptimin e “pronësisë së shtetit”, siç e definon njëri nga teoricientët e kombit kosovar, por në kundërshtim është tendenca që te kombi kosovar të përkufizohet përkatësia etnike! Barazimi i kombit me përkatësisë etnike, në të vërtetë, është krijimi i një populli të ri shqiptar, të ndryshëm nga “origjinali”!

Kjo bart rrezikun e tendencave të reja që janë shpërfaqur në shoqërinë shqiptare (në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët). Me cilat tendenca? Fjala është për debatet që janë hapur në nivele të ndryshme intelektuale për rishikimin e standardit të gjuhës shqipe, atë të Kongresit të Drejtshkrimit të 1972-shës. Që në fillim të viteve ‘90-të, në qëndrimet e intelektualit në zë emigrant, Arshi Pipa, ndaj të cilit ka qëndrim negativ edhe Kadareja, ndërlidhen edhe “rishikues” të tjerë, të cilët do të thonë se është sakrifikuar gegërishtja e bukur e Gjergj Fishtës, për hir të së folmes së diktatorit Enver Hoxha. Përkundër argumentimit të mbrojtësve të standardit, se toskërishtja është zgjedhur për bazë për shkak se ka pasur sistem më të konsoliduar gjuhësor, kjo nuk i ka bindur kundërshtarët. Ky debat ende nuk ka përfunduar dhe është pengesë për të bërë çfarëdo reforme që duket se është e nevojshme dhe në këtë gjendje. Në këtë tendencë kemi forcimin e kosovocentrizmit, i cili e koncepton gabimisht “kombin kosovar” (duke i dhënë atribute jo vetëm shtetëtore, por dhe etnike), me gjasa të mira që identitetin e tij ta ndërtojë në debatin e papërfunduar rreth standardit të gjuhës, që, me fjalë të tjera, në mënyrë të njëanshme ta shpallë një formë të gegërishtes si gjuhë standarde!

Zaten, disa qarqe intelektuale e mediale nga Kosova, që tashmë e praktikojnë këtë dialekt, si një pararendëse të gjuhës së ardhshme letrare kosovare!? (Kësaj tendence, doemos i kontribuon edhe praktikimi i gjuhës standarde edhe në Shqipëri, ku mediat, intelektualët, institucionet shkencore e shtetërore, ndoshta me përjashtim të akëcilit gjuhëtar, që me gjuhën standarde e barazojnë toskërishten, pa bërë përpjekjet që të zbatohet të paktën ajo gjuhë standarde, anise sot e kontestuar, e Kongresit të Drejtshkrimit 1972.)

Krijimi i një kombi me rrënjë të reja etnike dhe me gjuhë të re me bazë tjetër dialektore, do të ishte rrënimi më i madh të konceptit të rilindësve për kombin shqiptar. Ky do të ishte në planin kultorologjik, krijimi i konfuzionit më të madh shpirtëror, pasi do të binte në ujë gjithë ajo dashuri për kombin, që ku sinqerisht, e ndonjëherë edhe naivisht, e kemi shprehur në ato këngët e vjetra e të reja, me gjeografi e toponimi, që nga Hashim Shala (“…thërret Prizreni, mori Shkodër…”), e gjer te Ledina Çelo e Sabri Fejzullahu (“…një vajzushë nga Vlora, djali nga Bajgora…”).

Në dritën e tendencave më të reja do të vijmë në një përfundim paradoksal: përderisa në kohën e komunizmit kishim më shumë pengesa për komunikim brendakombëtar (kufijtë shtetërorë, barrierat polikë e idelogjike), për disa çështje kishte një lloj uniteti në të gjitha trojet tona (gjuha, historia…), tash kur nuk i kemi këto barriera dhe i kemi të gjitha mundësitë që i jep liria, kemi tendenca që e cenojnë unitetin kombëtar si në çështjen e gjuhës, si në çështjen e historisë (disa në emër të rishikimit, kanë goditur disa figura kombëtare, e gjer te origjina!), rrezik edhe nga dallimet fetare, e gjer te tendenca e krijimit të dy kombeve (në të vërtetë, për saktësi gjuhësore, “dy popujve”).

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X