loader image
October 14, 2024

Shqiptarët përkrah me aleatët dhe përballë me vetveten

Ndërvarësia ekonomike dhe ushtarake ka bërë që shtetet të jenë më të lidhura se kurrë nga sistemet e aleancave. Kjo ndërvarësi shpesh shihet si një mjet për të forcuar paqen dhe stabilitetin global, duke krijuar sisteme ku shtetet janë të motivuara të punojnë së bashku për të arritur objektiva të përbashkëta, përballë shqetësimeve ose kërcënimeve të përbashkëta. Megjithatë, kjo gjithashtu nënkupton se shtetet bëhen më të varura njëra nga tjetra dhe kjo varësi ekonomike nga tregjet dhe burimet e huaja mund ta kufizojë manovrimin politik të një shteti. 

Ardian MUHAJ, Tiranë  

Pavarësia përballë ndërvarësisë

Shqiptarët, si komb në zemër jo vetëm të gjeografisë së Ballkanit, por edhe të historisë së tij, kanë qenë gjithmonë në një pozicion gjeostrategjik të rëndësishëm që ka ndikuar në marrëdhëniet e tyre me aleatët gjeopolitikë. Madje, mund të thuhet se Shqipëria dhe shqiptarët kanë historikisht një rol të rëndësishëm që e tejkalon madhësinë tonë gjeografike dhe demografike.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 simbolizoi një pikë kthese në marrëdhëniet e saj me aleancat gjeostrategjike dhe konfirmoi inkuadrimin e plotë në aleancën e sigurisë euro-atlantike. Ky anëtarësim, së bashku me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008, solli tek përputhja e tre niveleve të aleancave, rajonale, kontinentale dhe euro-atlantike. Në nivelin rajonal, aktorët më me peshë, Italia, Turqia dhe Greqia u konfirmuan, si aleatë të shqiptarëve, jo vetëm në kuadër të afërsisë gjeografike, por më së pari në kuadër të dy niveleve më të gjera, të BE-së dhe NATO-s. Marrëdhëniet me vendet anëtare të BE-së janë thelbësore për këtë proces, vijëdrejtimi gjeostrategjik të shqiptarëve, duke përfshirë këtu Italinë, Kroacinë dhe Greqinë, të cilat kanë qenë mbështetëse në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit. Edhe pse jo në kuadër të BE-së, marrëdhëniet me Turqinë janë thelluar në dekadat e fundit, me bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë atë ushtarake, ekonomike dhe kulturore.

Të gjitha këto pozicionime dhe dinamika të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe aleatëve përbëjnë një dimension shtesë mbi sovranitetin shtetëror që krijon ndërvarësi ndërkombëtare përmbi pavarësinë kombëtare. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ne si shqiptarë, por është shenjë e epokës në të cilën jetojmë. Varësia e shteteve nga aleatët ndërkombëtarë dhe nga sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një epokë të karakterizuar nga globalizimi, ka sjellë tek normalizimi i ndërvarësisë ndërkombëtare në dëm ose në ndihmë të pavarësisë kombëtare, situatë në të cilën koncepti i sovranitetit dhe pavarësisë shtetërore është nën një trysni të vazhdueshme.

Ndërvarësia ekonomike dhe ushtarake ka bërë që shtetet të jenë më të lidhura se kurrë nga sistemet e aleancave. Kjo ndërvarësi shpesh shihet si një mjet për të forcuar paqen dhe stabilitetin global, duke krijuar sisteme ku shtetet janë të motivuara të punojnë së bashku për të arritur objektiva të përbashkëta, përballë shqetësimeve apo kërcënimeve të përbashkëta. Megjithatë, kjo gjithashtu nënkupton se shtetet bëhen më të varura njëra nga tjetra dhe kjo varësi ekonomike nga tregjet dhe burimet e huaja mund ta kufizojë manovrimin politik të një shteti. Kur ekonomitë kombëtare janë të lidhura ngushtë me partnerët ose sistemet ndërkombëtare, politikat monetare dhe fiskale natyrshëm ndikohen nga trysnitë e jashtme. Kjo shpesh çon në një situatë, ku vendimet politike duhet t’i marrin parasysh interesat e aleatëve dhe partnerëve ekonomikë, duke e sfiduar kështu sërish konceptin e pavarësisë politike.

Në aspektin gjeostrategjik dhe të sigurisë, megjithëse këto aleanca mund t’i rrisin kapacitetet mbrojtëse dhe të ofrojnë një dëshmi të qartë të solidaritetit ndërkombëtar, ato gjithashtu mund t’i kufizojnë pavarësitë kombëtare, duke i detyruar shtetet anëtare të ndjekin politika të caktuara ose të përfshihen në konflikte që mund të mos u shërbejnë drejtpërdrejt interesave të tyre kombëtare. Balancimi midis përfitimeve të ndërvarësisë dhe ruajtjes së pavarësisë kërkon një qasje të mirëpeshuar, ku shtetet të zhvillojnë strategji të qëndrueshme që minimizojnë rreziqet e ndërvarësisë.

Pavarësia përballë izolacionizmit

Sot e tri dekada tashmë një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë është paraqitur sikur është integrimi në strukturat euro-atlantike, veçanërisht anëtarësimi në Bashkimin Europian. Mirëpo, hijet e paaftësisë për të qenë aleatë të denjë vazhdojnë për inerci nga periudha e diktaturës. Shqipërisë iu nevojitën tri dekada nga ndryshimi i regjimit vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Me këtë ritëm dhe inerci, Shqipërisë do t’i duhet e pakta një shekull për të qenë pjesë e BE-së. Pra, ka shumë të ngjarë që një proces i nisur në shekullin e 20-të, të përmbyllet “me hatër” në shekullin e 22-të. Dukshëm shihet se ai që shpallet sa me la gojën si prioritet, pra integrimi në BE, në realitet nuk është i tillë.

Izolacionizmi po triumfon në realitetin e Tiranës dhe ky vetizolim është pasqyrë e paaftësisë për integrim nga ana e qarqeve politike shqiptare. Kjo paaftësi, që përkthehet në izolacionizëm, është tipar dallues jo vetëm i Tiranës politike, por edhe i Prishtinës. Procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës ka ngecur në mënyrë të dhimbshme. Në dekadën e fundit numri i njohjeve të reja nuk i kalon as gishtat e një dore. Kemi ngecur si Tiranë në procesin e integrimit europian dhe si Prishtinë në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në OKB.

Ndërkohë që shtohet vetmia gjeopolitike e shqiptarëve për shkak të paaftësisë së kastës politike në Tiranë e Prishtinë, shtohet në përpjesëtim të drejtë edhe trysnia e këtyre kastave për t’i budallepsur dhe për t’i verbuar shqiptarët në mënyrë që dështimet e tyre të mos vihen në dukje. Një konstatim i thjeshtë, tërësisht matematik dhe sasior, pa asnjë nuancë politike dhe cilësore, si për shembull: “qeveria Kurti nuk ka arritur asnjë njohje të re të Kosovës si shtet që prej ardhjes së saj në pushtet” ose që “qeveritë Rama, 1, 2, 3 kanë kaluar një dekadë pa bërë asnjë hap para drejt integrimit në BE”, janë më se të mjaftueshme që ushtritë e patronazhistëve VV-istë apo PS-istë të turren pa e ditë se për çka, por thjesht se sundimtarëve në Prishtinë e Tiranë nuk u pëlqen as matematika e thjeshtë e paaftësisë së tyre për të çuar përpara procesin e njohjes së Kosovës dhe të integrimit të Shqipërisë. Sa më e madhe bëhet ngecja e tyre, aq më e madhe është trysnia dhe investimi patronazhist për të mos e cekur, për ta bërë të paqenë matematikën e faktuar.

Pra, jemi rikthyer tek situata, ku armiku kryesor i kastave politike nuk është më kundërshtari politik, as opozita politike, por realiteti faktik dhe e vërteta matematike. Për kastat tona politike është e papranueshme që dikush, që e ka dertin e shqiptarëve, të guxojë të konstatojë se ka vite që nuk ka asnjë njohje të Kosovës, ose që në vitin 2024 Shqipëria nuk është pjesë e BE-së. E vërteta dihet, por nuk duhet të thuhet. Matematika është e thjeshtë, por pushteti është i ndërlikuar.

Përballë një opozite të sulmuar me të gjitha mjetet në Tiranë dhe përballë një opozite të paqenë në Prishtinë, për pushtetet tona duhet gjetur medoemos kundërshtari që e mban gjallë diskursin vetëpohues dhe vetëlegjitimues. Edhe paraqitja e dhimbshme dhe e turpshme sikur mes qeverive në Tiranë e Prishtinë punët dhe marrëdhëniet nuk janë mirë, është pjesë dashje pa dashje e nevojës për vetëpohimin dhe vetëlëgjitimimin e pushteteve tona në dëm të afirmimit gjeopolitik dhe forcimit të rolit ndërkombëtar të shteteve tona.

Ngecja, për më tepër, paraqitet si ecje, izolimi si integrim, mosnjohja ndërkombëtare si triumf politik dhe aleatët ndërkombëtarë vetëm e përforcojnë distopinë panshqiptare, duke na rrahur shpatullat pas çdo dështimi, duke na përgëzuar për ngecjen vit pas viti, duke na kujtuar se jemi në rrugën e duhur, vit pas viti, dekadë pas dekade, a thua se arritja në destinacion nuk ka rëndësi, por endja pa fund në rrugët pa krye është përparësi.

Përballë ndeshtrashave të kohës e historisë, qofshin në rrafsh rajonal, qofshin në rrafsh global, për shqiptarët nuk shtrohet dilema nëse do të vazhdojnë të mbështeten tek aleatët tradicionalë ose të kërkojnë aleanca të reja. Në një botë gjithnjë e më të ndërvarur dhe ku pavarësia është gjithnjë e më relative, çështja shtrohet se sa do të jemi të aftë për të konkurruar denjësisht në tregun rajonal e global të aleancave dhe aleatëve. Si çdo treg, edhe ai i aleancave ka të paktën dy palë, ku në fund të ditës rezultati përcaktohet jo vetëm nga aleatët për të cilët jemi të dobishëm, por më së pari nga aleatët të cilët janë të dobishëm për ne. Periudha komuniste në Shqipëri është një rast ilustrues i paaftësisë për të qenë madje edhe pjesë e negocimit. Izolimi ndërkombëtar i Shqipërisë gjatë diktaturës, përpara se të ishte vetizolim, ishte mungesë e plotë aftësie për të peshuar gjeopolitikisht Shqipërinë në dinamikat e marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës. Izolacionizmi na shpie në regres kombëtar, nga kthen nga politika në parapolitikë, sikurse u kthyem në periudhën e diktaturës enveriste në Shqipëri.

Pavarësia nga vetvetja si antipavarësi

Ndërkohë që marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit kanë pasur ndikimin e tyre të veçantë në dinamikat gjeopolitike të hapësirës shqiptare, marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, nuk mund të brendashkruhen në kuadrin e ngushtë të aleancës. Këto janë marrëdhënie me vetveten. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë mbeten gjithnjë marrëdhënie me vetveten edhe përkundër rasteve aspak të këndshme dhe tejet të dëmshme në të cilat këto marrëdhënie bien në nivele edhe më të ulëta se mes dy aleatëve, sikurse ka ndodhur për fatin tonë të keq në periudhën enveriste kur shqiptarët e Kosovës shiheshin me syrin ideologjik nga kasta parapolitike e Tiranës ose sikurse po ndodh këtë dekadë të fundit, ku marrëdhëniet e panatyrshme të “shkëlqyera” mes Tiranës e Beogradit bashkëqëndrojnë dhe bashkekzistojnë me marrëdhëniet armiqësore mes Beogradit dhe Prishtinës. Fashizmi kriptokolonialist i Beogradit ndaj Kosovës nuk mund të mbulohet me shoshën e integrimeve rajonale ose kontinentale. Këmbëngulja fashiste dhe kriptokolonialiste e Serbisë, për të mos e njohur realitetin dhe të drejtën e Kosovës së pavarur, duhet të jetë arsye për ftohjen, reduktimin dhe, mundësisht, edhe shkëputjen e marrëdhënieve të Tiranës me Beogradin. Tirana zyrtare duhet ta respektojë Beogradin aq sa Beogradi e respekton Prishtinën. As më shumë as më pak!

Pa dyshim që në kontekstin më të gjerë rajonal, roli i Shqipërisë në nxitjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, përmes iniciativave, si Procesi i Berlinit e të tjera, është i rëndësishëm dhe shumë pozitiv. Por, fashizmi kriptokolonialist i Beogradit duhet të mbetet pa bashkëpunëtorë, ashtu sikurse çdo fashizëm përgjatë historisë. Tolerimi dhe flirtimi me atë fashizëm është pengesa më e madhe që qëndron në rrugën e integrimit rajonal e europian. Nuk ka pse të ushqehen iluzione për rolin konstruktiv të klikës të Serbisë, sepse realitetin e shëmtuar, që shpaloset haptazi dhe krenarisht nga vetë ai fashizëm kriptokolonialist, nuk ka “make up” që e zbukuron. Aleancat strategjike dhe marrëdhëniet dypalëshe janë thelbësore për të siguruar që shqiptarët të mbeten faktorë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe partnerë të besueshëm në skenën ndërkombëtare. Mirëpo, ideja se mund të shkëlqesh në arenën ndërkombëtare, duke bërë regres në hapësirën brendakombëtare, është iluzion.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X