loader image
October 14, 2024

Së pari, aleancë me vetveten!

Shqiptarët, të shtrirë në të gjitha shtetet e Ballkanit dhe në diasporë, duhet të krijojnë një aleancë të re dhe të fortë së pari mes vete… Një aleancë të integrimit brendashqiptar përmes kulturës, arsimit, shkencës dhe ekonomisë, e në fund edhe përmes politikës. Kur të ndodhë ky integrim ndërshqiptar, nën kushtet e përcaktuara zhvillimore të Bashkimit Europian, me një botëkuptim të integruar përmes vlerave kulturore, arsimore dhe ekonomike, rikonfigurimi i kufijve politik në perspektivë do të jetë thjesht dhe natyrshëm çështje e vullnetit të mirë brenda vetë shqiptarëve!

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Në sytë e huajve, shqiptarët janë një popull i çuditshëm, që në shekuj e mijëvjeçarë të ekzistencës së tyre janë përpëlitur mes aleancave të ndryshme, qëllimi i të cilave ka qenë (keq)përdorimi për interesat e tyre të ngushta. Ndërkaq, në sytë e shqiptarëve historia ka bërë shumë mëkate ndaj popullit shqiptar. Aleatët më të mëdhenj gjithnjë e kanë keqpërdorur besimin e verbuar të shqiptarëve ndaj fuqive të mëdha, perandorive dhe ideologjive që vërshuan në këto troje të Ballkanit. Në të vërtetë, aleancat që bëri populli shqiptar gjatë historisë më shumë ishin të dëmshme e të dhunshme sesa të dobishme e të vullnetshme. Prandaj pasojat ishin mjaftueshëm negative, sa ta dëmtonin rëndë palcën identitare, por, megjithatë, pasuksesshëm që ta zhbënin fare, siç pandehnin ato.

“Ne s’kemi asgjë”

Edit Durham, udhëpërshkruesja e njohur britanike, e cila e skicoi jetën reale të shqiptarëve në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, ishte magjepsur dhe mallëngjyer njëkohësisht gjatë takimit me disa shqiptarë, njëri nga të cilët po i lexonte një letër në frëngjisht, të cilën e grisi menjëherë pas leximit! Ata po i drejtoheshin një shkrimtareje, sikur të ishte mbretëresha e fronit britanik, e cila do t’u ndihmonte të dilnin nga balta e thellë që e kishin krijuar sunduesit dhe luftërat e njëpasnjëshme. “Sllavët kanë Rusinë për t’u ndihmuar. Ne s’kemi asgjë.”, ishte thelbi i ankesës së letrës së shqiptarëve të panjohur, derisa po shpalosnin para një gruaje të huaj mjerimin e thellë në të cilin ndodheshin pjesa më e madhe e shqiptarëve (Shih: Edith Durham, “Brenga e Ballkanit”, 2001).

Asokohe, shqiptarët në Britaninë e Madhe (lexo: Anglinë dhe shtetet euro-perëndimore), me të drejtë shihnin një aleat të madh, i cili meqë nuk ishte me sllavët, do të duhej të ishte me shqiptarët. Megjithatë, Britania e Madhe nuk ishte aleat aq i madh sa e imagjinonin shqiptarët, gjë që u vërtetua pak vite më vonë gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913). Gjashtë Fuqitë e Mëdha të asaj kohe (Austro-Hungaria, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Rusia), në tryezë me hartën e Ballkanit, i patën trojet shqiptare si temë kryesore, të cilat i shkërmoqën si më keq! Mbrojtësi më i madh i çështjes shqiptare në atë konferencë, ku Shqipëria mezi doli të njihej si një principatë autonome nën garancinë e Fuqive të Mëdha, ishte Austro-Hungaria, e cila në fakt ishte edhe sponsorizuesja kryesore e pavarësisë së Shqipërisë. Të tjerat luajtën në kartën e neutralitetit ose mbështetjes së aspiratave serbe për dalje në Adriatik.

Shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (28 Nëntor 1912), delegatët e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, të prirë nga Ismail Qemali, e ngjizën me qëllim të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet të përbashkët. Por, ai shtet etnik me premisa “imagjinare” nuk u njoh asnjëherë nga Fuqitë e Mëdha, meqë shqiptarëve u mungonin aleatët e vërtetë brenda tavolinës ku vendosej fati i popujve të Ballkanit.

Aleancat e panatyrshme

Lufta e Dytë Botërore u imponoi shqiptarëve aleatë të rinj, të cilët ishin e kundërta e aspiratave të tyre të kamotshme. Në atë kohë ndodhi ndarja e thellë ideologjike mes dy blloqeve, njëri që i mbështeste forcat e majta, që influencoheshin nga Ruso-Serbia (komunistët), dhe, tjetri, që influencohej nga forcat euro-perëndimore (nacionalistët).

Pas luftës ndryshon sërish harta e ndikimeve politike dhe, bashkë me të, edhe aleatët e shqiptarëve. Shteti zyrtar shqiptar, me Enver Hoxhën në krye, instalon një komunizëm titist serbo-rus, ndërsa alternativën politike djathtiste e eliminon tërësisht nga skena përmes vrasjeve, burgosjeve dhe internimeve të njëpasnjëshme. Pra, sado që të ndikuar nga fryma e përgjithshme që mbretëroi në botë përmes lëvizjeve revolucionare komuniste, klasa politike që erdhi në pushtet në Shqipëri në mbarim të LDB-së, e orientoi shtetin drejt kundërshtarit më të madh politik të të gjitha kohërave për shqiptarët – Rusinë (Bashkimin Sovjetik).

Disa studime të reja nxjerrin pah faktin që Britania e Madhe dhe SHBA-ja, gjatë vitit 1944, patën disa përpjekje për ndërhyrje në organizimin e luftës antifashiste në Shqipëri, Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare në Ballkan, por që u paralizuan nga ndërhyrja e shpejtë serbo-ruse. Gjatë vitit 1949 pati edhe një tentim për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, përmes disa operacioneve sekrete britanike, të cilat po ashtu dështuan.

Rrjedhimisht, vitet e komunizmit përbëjnë periudhën më të errët në gjithë historinë e kombit shqiptar. Ndarja në disa shtete ballkanike u thellua edhe më tepër me izolimin dhe ekskomunikimin ekstrem, kjo si rezultat i politikës antikombëtare të diktatorit Enver Hoxha. Ndarja ishte aq e thellë, saqë humbi ndjesia e bashkimit. Madje, po të mos ishin shqiptarët një komb i formuar gjuhësor, do të rrezikonin edhe të tëhuajsoheshin në të gjitha shtetet ballkanike, ku ishin pakica si numër.

Herë me Jugosllavinë, herë Kinën, herë me Rusinë dhe më shumë me askënd (duke u mjaftuar vetvetja), shqiptarët e humbën busullën e orientimit të tyre gjeostrategjik me aleanca të tilla të panatyrshme dhe jorezistente.

Rikthimi drejt vlerave euro-perëndimore dhe rreth vetvetes

Fillimi i viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar shënoi një fazë të re të historisë politike të shqiptarëve. Të porsadalë nga izolimi dhe komunizmi i gjatë represiv shqiptar dhe ai jugosllav, populli shqiptar në mbarë hapësirën ballkanike e nuhati drejt perspektivën, duke u jargavitur vrullshëm drejt aleancave të reja euro-perëndimore. SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja u bënë referenca kryesore, besimi ndaj të cilave nuk u zvetënua asnjëherë deri në ditët e sotme, me gjithë zvarritjet dhe problemet e vazhdueshme që dalin në këtë proces të gjatë e të mundimshëm të integrimit tani e tri dekada me radhë. Pavarësisht nga ndërrimi i partive politike në pushtet (pozitë-opozitë), orientimi drejt politikave euro-perëndimore fatmirësisht deri në ditët e sotme ka qenë i palëkundur te shqiptarët.

Tani në këto hapësira kemi një realitet krejtësisht të ri – me një shtet të ri shqiptar të quajtur Republika e Kosovës, me pretendime serioze për të qenë popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe me përpjekje të vazhdueshme për të drejta kombëtare në Serbi e Mal të Zi, ku shqiptarët fatkeqësisht përbëjnë pakica gati se të papërfillshme.

Tani aleanca e shqiptarëve me SHBA-në dhe BE-në shihet si e vetmja mburojë përballë kërcënimeve të sferës së sigurisë, që vijnë nga aleatët kryesorë të Rusisë në Ballkan, me në krye Serbinë. (Anketa e fundit e IRI flet se: Shqipëria dhe Kosova e dominojnë rajonin për euro-optimizëm, ndërsa Serbia për euro-skepticizëm. Në kohën kur siguria globale është më e brishtë se asnjëherë më parë, si rezultat i luftës së drejtpërdrejtë të shtetit të madh rus kundër Ukrainës, ky orientim duhet të jetë i pandryshuar si garanci për siguri dhe stabilitet kombëtar dhe rajonal.

Në këtë kohë, derisa e kanë shumë të qartë orientimin e tyre të drejtë gjeostrategjik, shqiptarët, të shtrirë në të gjitha shtetet e Ballkanit dhe në diasporë, duhet të krijojnë një aleancë të re dhe të fortë së pari mes vete… Një aleancë të integrimit brendashqiptar përmes kulturës, arsimit, shkencës dhe ekonomisë, e në fund edhe përmes politikës. Kur të ndodhë ky integrim ndërshqiptar, nën kushtet e përcaktuara zhvillimore të Bashkimit Europian, me një botëkuptim të integruar përmes vlerave kulturore, arsimore dhe ekonomike, rikonfigurimi i kufijve politik në perspektivë do të jetë thjesht dhe natyrshëm çështje e vullnetit të mirë brenda vetë shqiptarëve!

Për fat të mirë, të gjitha anketimet e opinionit publik, edhe sot e kësaj dite, flasin qartë se shumica absolute e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve janë të gatshëm të votojnë pro nëse nesër do të mbahej një referendum për bashkimin e tyre nën një ombrellë! Pas aq shumë viteve ndarje, robëri dhe sakrifica, populli e di më së miri ta trasojë natyrshëm rrugën e vetë të drejtë!

Populli është barometri më i mirë i të gjitha kohërave dhe vullneti i tij patjetër një ditë do të triumfojë!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X