loader image
December 4, 2024

R2P: Mantra e hipokrizisë së politikës globale

“Gaza Carnage: R2P or RIP?”

(Masakra e Gazës: Përgjegjësi për të Mbrojtur ose Prehu në Paqe?) Daily Mirror

 Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

 Në kuadër të një lënde apo kursi universitar që para disa vitesh me plot idealizëm ua ligjëronim studentëve, “Etika në marrëdhëniet ndërkombëtare”, mes tjerash e zbërthenim edhe normën që shprehet përmes një akronimi-shkurtese, R2P-“Responsibility to Protect” (Përgjegjësi për të Mbrojtur), që nënkupton se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që edhe një herë të ndodhin mizoritë, barbarizmat dhe krimet e gjenocidit, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Termi në fjalë lindi si përgjigje ndaj  dështimeve të bashkësisë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate tmerreve, masakrave të bëra në Ruandë dhe në ish Jugosllavi gjatë viteve 1990. Komiteti Ndërkombëtar mbi Intervenimet dhe Sovranitetin Shtetëror e ka zhvilluar këtë koncept gjatë vitit 2001. Doktrina “Responsbility to Protect” është adoptuar në vitin 2005 në Samitin Botëror të Kombeve të Bashkuara, takimi më i madh i prijësve dhe qeverive botërore në histori. Ai artikulohet në paragrafet 138 dhe 139 të Konkluzioneve të Samitit Botëror:

“Çdo shtet individual ka përgjegjësinë të mbrojë popullsinë e vet nga gjenocidi, nga krimet e luftës, spastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Kjo përgjegjësi shënjon parandalimin e krimeve si këto, përfshirë edhe nxitjen e tyre, me mjete të përshtatshme dhe të nevojshme. Ne e pranojmë këtë përgjegjësi dhe do të veprojmë në përputhje me të. Komuniteti ndërkombëtar duhet të inkurajojë dhe të ndihmojë shtetet të ushtrojnë këtë përgjegjësi dhe t’i mbështesë Kombet e Bashkuara në krijimin e një mundësie për paralajmërim të hershëm.” (138)

“Komuniteti ndërkombëtar, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, ka përgjegjësinë të përdorë mjete të përshtatshme diplomatike, humanitare dhe mjete të tjera paqësore, në përputhje me Kapitujt VI dhe VIII të Kartës, për të ndihmuar në mbrojtjen e popullatës nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Në këtë kontekst, ne jemi të përgatitur të ndërmarrim veprime kolektive, në kohën e duhur dhe vendimtare, nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, në përputhje me Kartën, përfshirë Kapitullin VII, rast pas rasti dhe në bashkëpunim me organizatat përkatëse rajonale nëse mjetet paqësore janë të pamjaftueshme dhe nëse autoritetet kombëtare dështojnë haptazi të mbrojnë popullsinë e tyre nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimi etnik… Ne theksojmë nevojën që Asambleja e Përgjithshme të vazhdojë shqyrtimin e përgjegjësisë për të mbrojtur popullatat nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit dhe implikimet e tyre, duke pasur parasysh parimet e Kartës dhe të drejtën ndërkombëtare. Ne gjithashtu synojmë të angazhohemi, sipas nevojës, të ndihmojmë shtetet të ndërtojnë kapacitete për të mbrojtur popullsinë e tyre nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimi etnik… dhe të ndihmojmë ata që janë nën presion përpara se të shpërthejnë krizat dhe konfliktet.” (139)

Të tri shtyllat e kësaj doktrine kanë qasje protektive të popullatave të pambrojtura, të cilat janë kurbane të krimeve masovike. Ç’e do që në një botë të cilën Catherine Renshaw e quan “topsy-turvy”, të përmbysur, e njëjta është shndërruar në një mantër boshe?! Të kota janë parullat “We need R2P asap!” (Menjëherë R2P), “Urgent R2P to stop genocide!” (Ngutshëm, R2P për të ndaluar gjenocidin!”), “Humanity must come first!” (Njerëzishmëria së pari!). Sot ka dështuar norma se ndërhyrja pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit mund të ishte e lejueshme në rrethanat kur Këshilli nuk vepron në kohën e duhur dhe se pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit duhet të përmbahen nga ushtrimi i vetos së tyre në rastet humanitare.

Nga viti 2005 shembulli i vetëm ku është aplikuar R2P është ai i 2011-tës kur u reagua siç duhej. Atëbotë Gaddafi lidhur me protestat antiqeveritare deklaroi se do të “pastronte Libinë shtëpi më shtëpi”, se mbështetësit e tij duhet të sulmonin “buburrecat” që po demonstronin kundër sundimit të tij. Për pasojë, Këshilli i Sigurimit autorizoi përdorimin e forcës nga NATO për të parandaluar vrasjet masive në Bengazi. Gareth Evans e përshkroi këtë ndërhyrje si “rast për tekstet shkollore të normës R2P që funksionoi saktësisht ashtu siç supozohej”. Për fat të keq, e njëjta gjë nuk ndodhi më 2014 kur Beshar Asadi përdori armë kimike në periferi të Damaskut për të shuar Pranverën Arabe, duke vrarë në mënyrën më çnjerëzore qytetarët e vet. Nuk pati ndërhyrje as në rastin e barbarive ndaj popullatës myslimane në Myanmar para gjashtë viteve, kur njerëzit masovikisht digjeshin për së gjalli. Këto ditë, me shumë vonesë, pesë vende europiane dhe Kanadaja janë bashkuar për të çuar çështjen e gjenocidit kundër Rohingya-ve, kryesisht myslimanë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ). (aljazeera.com)

Dhe rasti më i ri dhe më i tmerrshëm, i Gazës së pambrojtur kur fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar krimin e bërë atje, kur e gjithë botë, me përjashtim të disa shteteve që s’i kalojnë as gishtat e njërës dorë, është bërë shurdhmemece; kur të gjithë kemi dështuar si racë njerëzore. Një botë që do të mbahet mend me disa emra publikë si Norman Finkelstein, Sllavoj Žižek, Mel Gibson, Wallace Shawn, Nicholas Kristof, Dustin Hoffman, Melissa Barrera, Richard Boyd Barret, Kyrie Irwing,  që shprehën atë që ndjente zemra dhe natyrshmëria e tyre, që guxuan t’i thonë stop dënimit masovik dhe joselektiv të banorëve të Gazës. Natyrisht s’duhet harruar as pjesëtarët e paemër individualë dhe ata në kuadër të turmave që dolën të protestojnë, duke rrezikuar edhe sigurinë dhe shëndetin e tyre për hir të tjetrit që vuan.

Lufta izraelito-palestinez,e që nisi më 7 tetor, tregoi se njerëzimi po bën gjumë, se ndërgjegjja kolektive s’është gjallë, se bota ka humbur toruan. Shprehur me fjalët e Louise Arbour (2008) bota u bë soditëse “impotente dhe e pafuqishme” (impotent and powerles bystander) e krimit të ushtruar ndaj njerëzve të pafajshëm, ndaj civilëve. Brutaliteti më i ri i paparë në historinë moderne të njerëzimit vërtetoi se nuk kemi marrë mësim nga e kaluara. Ku mbetën sintagmat “human rights and well-being of civilian populations” (të drejtat e njeriut dhe mirëqenia e popullatës civile) ose “enforcement action, if so required” (veprim i detyrimit, nëse e lyp nevoja)? Ku mbetën të paprekshmet apo shenjtëritë e luftës si tempujt, spitalet, shkollat, universitetet? Pse në marrëdhëniet ndërkombëtare ndodh ajo që quhet implementim selektiv (Eskidauman, 2022)?

Një nga instancat që duhet të zbatojë parimin R2P është Global Centre for the Responsibility to Protect (GCR2P), e themeluar më 2008, që qysh më 18 tetor 2023 theksoi se ndërhyrja izraelite e vë Gazën në “greminën e katastrofës humanitare”, letër kjo e hapur nga 460 organizata anekënd botës. Dhe kataklizma veçmë ka ndodhur, mbi 14500 të vrarë, prej tyre 5300 fëmijë, siç është konfirmuar nga UNICEF (22.10.2023). Më e keqja, vazhdon të ndodhë, ndërsa ne s’bëjmë gjë. Fuqitë ndërkombëtare heshtin, shtetet islame dhe ato arabe sikur s’ekzistojnë, ndërkohë që një qytet dhe një popull po bëhet shkrumb e hi, që po përjeton tmerrin që Sekretari Gjeneral i OKB-së, Gutierres, e ka quajtur “unparalelled and unprecetended”, që s’i gjen paralelen dhe pararendësen.

Ne, shqiptarët, politika jonë, zyrtarisht jemi me aleatët tanë. S’di si i kemi punët me ndërgjegjen, a jemi rehat, a kemi prehje të brendshme? Natyrisht që duhet të jemi falënderues ndaj atyre që na ndihmuan në shpëtimin nga kalvari i fundshekulit të kaluar, por ama ka edhe parime mbi të cilat nuk shkelet. Si do t’ju tregojmë brezave që kemi qenë me të fuqishmin sepse “jemi të vegjël dhe të dobët”? Kemi qenë me teorinë realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare që promovon fuqinë dhe interesat, përkundër asaj liberaliste që promovon paqen dhe prosperitetin pa marrë parasysh përkatësinë ose statusin. Një gjë është e qartë si loti: në kohën kur po ndodh “textbook genocide” (Craig Mokhibere), në marrëdhëniet ndërkombëtare s’ka etikë. S’di si do t’u ligjërohet nëpër katedra tema e të drejtave dhe lirive të njeriut, si do të elaborohen konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kur para na del dilema “R2P ose RIP”? Bota ose të mëdhenjtë e saj, me sa duket, për të vegjlit dhe të pafuqishmit kanë zgjedhur të dytën. Siç duket, shkurtesës R2P disa ia kanë shtuar edhe një shkronjë, P, R2PP: Responsibility to Protect the Powerful (Përgjegjësia për të Mbrojtur të Fuqishmin). Me heshtje dhe injorim të krimit gërryhet edhe varri vetjak, shënohet fundi i njerëzillëkut, i njerëzimit. Ndoshta s’mund ta shuajmë zjarrin, por karshi zjarrit mund të bëhemi një milingonë abrahamike, për treguar se e kemi gjallë ndërgjegjen, humanen.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X