loader image
December 4, 2024

Programi, rregullorja dhe synimet e “Rojës së Drejtësisë”, përkatësisht “Rinisë Shqiptare”

Jehonë të madhe kjo organizatë, përkatësisht shoqatë, pati në rajonin e Strugës, Dibrës e të Prespës. Tërë kjo vinte si rrjedhojë e ndikimit dhe autoritetit që gëzonte në këto hapësira shqiptare Murat Labënishtit, njëri ndër intelektualët dhe nacionalistët më të shquar shqiptarë të kohës.

Qerim LITA, Shkup

Në fillim të muajit janar të vitit 1944, me nismën e Hekuran Berberit, Murat Labënishtit, Ali Balliut etj., në Tiranë u formua partia (organizata) politike “Roja e Drejtësisë”. Përveç Tiranës, kjo parti formoi degët e veta edhe në disa qendra tjera shqiptare, si: Elbasan, Kavajë, Korçë, Pogradec, Strugë, Shkodër etj. Qëllimi i formimit të kësaj partie, siç informohemi nga dokumentet e kohës, ishte mbrojtja e kufijve etnik shqiptar, të cilët asaj kohe rrezikoheshin nga fqinjët, veçanërisht nga komunistët jugosllavë. Kjo shihet qartë në programin politik, i hartuar nga grupi nismëtar i organëzatës, i cili përbëhej prej gjithsej 6 pikave:

1. Luftojmë për flamurin kuq e zi simbolin e kombit tonë.

  1. Luftojmë për një Shqipëri të lirë e të pamvarrun me kufi të caktuara nga historija e vërtetë.
  2. Luftojmë për një Shqipëri demokratike me baza shoqnore e moderne, ku të mbretnojë lirija e fjalës e shtypit dhe e mejndimit të ç’do bashkëatdhetari.
  3. Luftojmë për të përmirësue jetën e popullit Shqiptar të shumë përvujtum dhe si domos ate të katundaris, e cila ashtë baza jetike ekonomike, politike e ushtarake e kombit arbnor.
  4. Luftojmë me reformue rranjësishtë nji Shqipëri të plotësueme me të gjitha konditat e saja (ekonomike e moderisht) duke vum në zbatim reformën agrare me përpjestim të drejtë.
  5. Luftojmë kundra çdo propagande që asht në dam të Kombit”.

Çuditërisht, kjo nismë u hodhë poshtë nga Ministria e Punëve të Brendshme, me arsyetimin se nuk ishte koha për formimin e partive të reja, pasi siç thuhet në një dokument të Drejtorisë Qendrore të Policisë Shqiptare, gjendja e shqiptarëve “paraqitet si nji lamsh i ngatrruem se pse: populli ashtë ndamun në shumë grupe e partina si Balli Kombëtar, Legaliteti, Nacionalizma…., komunizma, social-demokracija dhe të tjera”, për çka ministria në fjalë jo vetëm që ishte kundër formimit të partive të reja, por madje ajo besonte se kishte ardhur koha që “qeverija të përmbledhë të gjitha Grupet e partinat nën nji titull të vetun…”.

Për rrjedhojë, udhëheqja e përkohshme e kësaj nismëje, në konsultim me Regjencën shqiptare, në vend të partisë politike “Roja e Drejtësisë”, formoi Shoqatën “Rinia Shqiptare, selia e së cilës u zgjodh të jetë Tirana. Kryetar provizor i shoqërisë u zgjodh Hekuran Berberi, ndërsa sekretar u zgjodh Murat Labënishti. Fushëveprimi i shoqatës përcaktohej përmes Rregullores (Statutit), e cila përbëhej prej 40 pikave. Në pikën dy thuhej se “Kjo Shoqni asht nën mbrojtjen e Këshillit të Naltë”, pra, të Regjencës shqiptare, veprimtaria e së cilës, krahas Tiranës, zgjerohet në të gjitha “ato vende ku flitet gjuha Shqiptare”. Më tej, në nenin 6 dhe 7 thuhej se Shoqëria si qëllim primar ka “me i përmbledhë në gjinin e vet si një trup kolektiv të tanë Shqiptarët pa dallim feje, klase, gjinie etj.”, dhe se ajo “ashtë a-politike”. Neni 8 dhe më i rëndësishmi, përcaktonte qëllimet dhe detyrat e Shoqërisë, të cilat në vazhdim po i paraqesim të plota dhe në formë orgjinale:

“Neni 8.- Si e tillë, ka për me i propagandue ndjenjat e flakta të patriotizmës së Shqiptarve e me mëkëmbë Atdhé-dashunin e kompaktësin e Shqyptarëve në këto mënyra:

  1. a) Të përkrahë e të ndihmojë me çdo mjet e me të gjitha fuqiët e veta zhvillimin Kombëtar-Kultural e fizik, të Shqiptarëve pa dallim klase-besimi-krahine ase gjinie.
  2. b) Të kontribojë moralisht e materialisht për zhvillimin e nji propagande të dendun për bashkimin e vërtetë të Shqiptarëve.
  3. c) Të luftojë kur do herë e kudo ç’do ves, qi brén e prishë jetën shoqënore Shqiptare, sikur se janë: pa punësija, alkolizmi, bixhozi, etj. etj..

ç) Të themelojë puntorina me zejë të ndryshme e t’organizojë kurse për zhvillimin mendor e fizik të dy gjinive.

  1. d) Të marrë çdo masë për ndalimin e të vobekëve për lypje.
  2. dh) Në mëndyra të veçanta Shoqnija ka me ju ardhë në ndihmë të pa kursyeshme invalidëve, tepër të vobektëve, familjeve pa prind, tue pasun dhe nji azil për këto qëllime.
  3. e) Të themeloj seksionin e saj hygjenik për të dy gjinitë.

ë) Për kulturë të ketë sallonin e leximit, me bibliothekë tue botue ky seksion nji fletore a revistë.

  1. f) Të themelojë seksionin e saj artistik.
  2. g) Të vejë dorë e të ndihmojë moralisht e materialisht institutet kulturore Shqiptare, kur e si të shfaqet nevoja.
  3. gj) Të ndihmojë e të zgjatë dorën e ndihmës së pa kursyeshme në mëndyra të veçanta Arsimtarëve Shqiptarë.
  4. h) Të apë ndihmat e shembullat ma të pa lodhuna tue mbajtë të pastër e ma nalt moralin e popullit Shqiptar.
  5. i) Të ketë me vehte seksionin e Djelmënis, mbi të cilën do të punohet sistematikisht.
  6. j) Të ketë seksionin e sajë Sportiv.
  7. k) Të kontribojë me çdo mjet për rritjen e mirë fizikisht të Djelmënis”.

Organet më të rëndësishme të Shoqërisë “Rinia Shqiptare” ishin: Këshilli i Shoqërisë, Këshilli Kontrollues dhe Mbledhja e Madhe. Këshilli i Shoqërisë përbëhej prej 11 anëtarëve, 5 zëvendësanëtarëve dhe 4 inspektorëve kontrollues. Zgjedhja e Këshillit bëhej një herë në vjet nga anëtarët e rregullt. Këshilli nga radhët e veta zgjidhte kryetarin, sekretarin dhe arkëtarin, mandati i të cilëve nuk mund të zgjaste më shumë se një vjet, me të drejtë rizgjedhje. Kryetari e përfaqësonte Shoqërinë, nënshkruante aktet dhe vepronte sipas rregullave të administratës shtetërore. Sipas kompetencës statutore, kryetari ftonte mbledhjet e Këshillit dhe Mbledhjen e Madhe dhe njëkohësisht kryesonte me ta. Mbledhjet e rregullta të Këshillit mbaheshin në çdo 15 ditë, ndërsa sipas nevojës edhe më shpesh. Vendimet e Këshillit merreshin me shumicën e thjeshtë të pjesëmarrësve. Në rast se votat ishin të barabarta, atëherë për fitues konsiderohej ajo anë ku kishte votuar kryetari.

Këshilli Kontrollues, sikurse Këshilli i Shoqërisë, konstituohej në Mbledhjen e Madhe. Ai përbëhej prej kryetarit, sekretarit dhe tre anëtarëve. Mbledhjet e Këshillit Kontrollues thirreshin dhe drejtoheshin nga kryetari, ndërsa atë e zëvendësonte sekretari. Detyra e Këshillit Kontrollues ishin që në çdo tre muaj, sipas nevojës edhe më shpesh, të kontrollonte arkën, librat, llogaritë dhe punët tjera të Shoqërisë “Rinia Shqiptare” dhe në rast se do të konstatonte ndonjë parregullsi ose shkelje të Statutit, i raportonte Mbledhjes së Madhe.

Mbledhja e Madhe, sipas Rregullores (Statutit), ishte organi më i lartë i Shoqërisë “Rinia Shqiptare”. Konferencat e Mbledhjes së Madhe ishin të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Konferencat e rregullta ishin përcaktuar të mbaheshin një herë në vjet, edhe atë gjatë muajit dhjetor. Konferencat e jashtëzakonshme të Mbledhjes së Madhe mund të mbaheshin me kërkesë të Këshillit të Shoqërisë ose me kërkesën e së paku 1/5 e anëtareve.

Ashtu sikurse parashikohej me Rregulloren (Statutin) e mësipërme, udhëheqja e kësaj shoqate bëri përpjekje të formojë degët e saj anembanë trojeve shqiptare. Jehonë të madhe kjo organizatë, përkatësisht shoqatë, pati në rajonin e Strugës, Dibrës e të Prespës. Tërë kjo vinte si rrjedhojë e ndikimit dhe autoritetit që gëzonte në këto hapësira shqiptare Murat Labënishtit, njëri ndër intelektualët dhe nacionalistët më të shquar shqiptarë të kohës. Rreth formimit dhe jehonës që pati formimi i degës së Shoqatës “Rinia Shqiptare” në Strugë, kryetari i Këshillit të Shoqatës, Hekuran Berberaj, i shkruante Ministrisë së Punëve të Brendshme si më poshtë vijon:

Kemi nderin ta njoftojmë atë P.T. Ministri se Kryetari Provizor i Shoqnisë ‘Rinija Shqiptare’ i ardhun në këtë qytet për formimin e Degës edhe në këtë vend, përcjellun edhe me një urdhën rezervat të asaj P.T. Ministrije, ku urdhnoheshin autoritet lokale qi t’i japin lehtësinat e duhuna dhe ta ndihmonin në misjonin e saj për mirë-vajtjen e riorganizimit të Rinis Shqiptare pa rryma Politike rreth Flamurit Kombëtar symbol i Shqiptarizmës, dhe ku muerrën pjesë gjith Rinija e Strugës Intelektuale… Me formimin e Degës së këtushme nga Rinia në popull u prit me shumë kënaqësi mbasi ashtë hera e parë qi vin rreth Flamurit Kombëtar dhe të mpruajnë nderin e vetes së tyre…”.

Krahas Strugës, Hekuran Berberaj dhe Murat Labënishti zhvilluan negociata edhe me anëtarin e shquar të Ballit Kombëtar të Prespës, Musa Kranjin, me të cilën kishin arritur ujdi “për nji bashkim të përbashkët në kët vendrreth Flamurit Kombëtar”. Ndërkohë, udhëheqja e “Rinisë Shqiptare”, një nismë të tillë e ndërmori edhe në Dibër të Madhe. Kjo nismë u ndërmor nga Murat Labënishti dhe Uke Cami, dy idealistë të flakur të asaj pjese shqiptare, të cilët që nga viti 1942 kishin bashkëpunuar, bashkëvepruar dhe bashkëluftuar për mbrojtjen e kufijve entikë shqiptarë, që asaj kohe rrezikoheshin nga bandat e ndryshme sllave, fillimisht ato komite bullgare, ndërsa më vonë edhe ato komuniste jugosllavo-maqedonase. Përveç tyre, në grupin nismëtar merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Shemsi Hatibi, mësuesit dhe rinia e atij qyteti. Kjo nismë, siç njoftonte Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, zyrtarisht rrodhi nga paria e vendit, e cila më 27 maj 1944 i kishte kërkuar prefektit të asaj prefekture leje “për organizimin e një shoqate apo fuqije prej Rinis Dibrane…”, si dhe leje që më 28 maj 1944 të mbahej një konferencë para Bashkisë, e cila siç theksohet në njoftim “u është akordue prej titullarit Prefekturës”. Nisma, përkatësisht konferenca e cila ishte paraparë të mbahej më 28 maj, në të cilën do të formohej dega e Shoqatës “Rinia Shqiptare”, nuk u mbajt, sepse kundër saj doli Komanda e Xhandarmërisë së Qarkut të Dibrës.

Këtu duhet theksuar se synimi kryesor i organizatës “Roja e Drejtësisë” përkatësisht Shoqatës “Rinia Shqiptare” ishte ndërprerja e menjëhershme e vëllavrasjes, e cila në atë periudhë kohore qe përhapur me përmasa shqetësuese në mbarë hapësirën shqiptare. Një dukuri e tillë e shëmtuar erdhi në shprehje veçanërisht pasi PKSH-ja, e dirigjuar nga misionarët jugosllavë Milladin Popoviq, Dushan Mugosha dhe Svetozar Vukmanoviq-Tempo, fillimisht e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes, ndërsa më pas i shpalli luftë të hapur Ballit Kombëtar dhe nacionalizmës shqiptare në përgjithësi. Këtë synim të vetin “Roja e Drejtësisë”, përkatësisht “Rinia Shqiptare”, e shpaloste përmes trakteve të shumta, disa prej të cilave në vazhdim po i japim të plota:

“Përshpërritje e Popullit

Rreth tryezës së qytetarit dhe vatrës së fshatarit, një fjali përshpëritet dhe përsëritet orë e çast: Ç’po vritet Shqiptari me Shqiptarin.

Vëlla-vrasja që ka filluarë prej disa muajsh po merr përpjestime progresive. Deri ku vallë dot mbrrijë egërsimi nuk e dimë, por, një gjë mundet ta themi çiltazi se veçanërisht për ne Shqiptarët kjo vlla-vrasje do të ketë pasoja të tmerrëshme për dy arësye.

Dy pika na bëjnë që neve Shqiptarët të dallohemi nga gjithë popujt e botës.

  1. Popullata shumë e vogël e përvuajtur e Atdheut t’onë do t’a ndiejë shumë, do t’a ndiejë edhe më shumë më vonë humbjen e nji Shqiptari.
  2. Tradita shekullore e gjakut, e hak-marrjes do të vazhdojë për disa breza. Atdheu i ynë duke qenë i rrethuar me fqinjë që ëndërrojnë të mos shohin më SHQIPTAR më këmbë, në vlla-vrasjen t’onë ata shohin fillimin e realizimit të endrrës tyre.

            Bashkë atdhetarë një numër i math Nacionalistash djelmosha dhe burra kemi formue një parti qi do të luftojë vlla-vrasjen problemën e parë, më të rëndësishme të ditve tragjike që kalojmë.

            Partija e jonë, që më një kohë të shkurtër u krijua ka organizuarë më shumë vënde të Shqipërisë dhe degët e saja që; punojnë dhe do të punojnë për rrojen e të drejtavet dhe të lirisë Kombëtare

Roja e Drejtësis”.

“Të zgjuhemi!

            Vllavrasja në Shqipni mori përpjestime të mëdha. Në asnjë vend të botës nuk paraqitet kjo me peshën e saj dërmonjëse ashtu sikurse në Shqipni. Populli shqiptar asht shumë i kufizuar në numër. Po t’i shtojmë faktorët që prej natyre po ushtrojnë veprën shkatrrimtare atëher një ditë do të na paraqitet realiteti i hidhur: çfarosja e racës shqiptare.

            Smundjet e ndryshme, mungesat në ushqim, mungesa e jetës higjienike, mungesa mjeksore e sa e sa faktorë të tjerë po e dhjetojnë popullin shqiptar. Kushtet e mbrapshta të ritjes, paragjykimet, injoranca, plogshtija e sa e sa shkaqe të tjera po shkaktojnë vetvetiu vdekjen qysh në foshnjëri të sa e sa filizave shqiptarë. Lufta me peshën e sajë të randë, me konsekuencat e saja në mungesat e mëdha që shkakton duke filluar prej bukës së përditëshme, asht nji faktor mjaft i fortë që çelë përditë qindra varresh. A nuk janë mjaft këta varre? Asht e nevojshme që edhe me anë të vllavrasjes t’i shtojmë këta varre? Duhet me doemos që të mbyllim dyer, të lëmë nëna pa djem, të lëmë fëmij jetim, të lëmë gra të ra në vorfëri, në mjerim pa shpresë e pa kafshatën e bukës? Përse ta bëjmë këtë? A ka ndonji arsye o parim moral e njerëzorë që të justifikojë vllavrasjen? Pse të bëhemi ujqë të njëri tjetrit, kur neve jemi pajisur me arsye për t’u marrë vesh, si njerz, qi mburremi se njofim vllazëri, dashuri, njerzi. Me vllavrasje besojmë të vijmë në shkallë të marrëveshjes? Jo, kurrsesi jo. Vrasja gjithnjë egërson, po vrave do të vritesh, po helmove do të helmohesh, po të mënjish do të mënihesh. Vllavrasja sjell reaksion, me këtë arësye qëllimit të mirë nuk i arrihet. Ç’do punë e mirë ,ç’do punë e drejtë dhe e ndershme bahet me marrëveshtje, me arsye. Ne shqiptarët duhet të kursejmë vehten t’onë se jemi pakë. Ç’do gja qi për popujt e tjerë duket e vogël për ne asht shumë e madhe. Në ç’do gjë ne mund të merremi vesht me shoqishoqin porsa të kemi vullnetin e mirë e porsa të thellohemi pakë për të studjuar mirë interesat t’ona. Na nuk duhet të imitojmë të huejt, as mos ti ndigjojmë ata, pse ata shikojnë vehten e interesat e tyne. Atyre nuk u prishet puna se neve vritemi shoq me shoq. T’i mbyllim veshët përpara thënjes, premtimit e sugjerimit të ç’do të hueji. Shpëtimin t’onë e kemi vetë ne në dorë. Porsa t’i shtrijmë dorën njëri tjetrit, porsa të dashurojmë e të kursejmë njëri tjetrin, i hueji nuk do të gjejë shteg të na përçajë, të na shtjerë në grindje e në vllavrasje. Për ne jeta e ç’do shqiptari ësht shumë e shtrejtë, prandaj t’a mbrojmë. Poshtë, vllavrasja: rroftë vëllazërimi i të gjithë shqiptarëve.

Roja e Drejtësisë

V.O.

 Kush dëshiron të bajë pjesë

në këtë organizatë duhet të

ketë atdhedashurin e Naimit

NA DUAM

NA DUAM Gjithë populli si dhe gjithë organizatat Politike të kuptojnë nji herë e përgjithmonë se na jemi të rinjt qi kemi luftuarë dhe do tëluftojmë kur Atdheu të jetë në rrezik. Rreziket tona janë dy, të brendëshme dhe të jashtëme. Rreziku i brendëshëm është vlla-vrasja dhe rreziku i jashtmë ësht shovinizmi i atyre qi kanë cënuarë dhe duan të cënojnë tokat tona. Vetëm natë rinjtë mund ta shpëtojmë Kombin tonë prej vlla-vrasjes. Këtu jemi si luftëtarë në paqë, gati për çdo sakrificë edhe për nëluftë.

NA DUAM T’a kuptojnë të gjithë, se fatin t’onë si Komb ja besojmë fuqivet t’ona. As një politikë tjetër cilado qoftë, Gjermane, Engleze ose Ruse nuk na shpëton po të mos shpëtojmë vet-vehten. Urdhëra dhe zbatimin e tyre nuk e presim nga të huajtë sepse e quajmë tradhëti të naltë të bëhemi agjent ose shërbetorë të huaj.

NA DUAM Të rrojmë dhe do rrojmë të papërlyerë, larg ç’do grupi njerzish qi ka tregëtuarë me tokën dhe popullin Shqiptar. Jemi Ura që lith popullin me tokën e vet. Do forcojmë zakonet t’ona dhe do lëftojmë infiltrimet e zakoneve të hueja qi na prishin natyrën dhe jetën t’onë Kombëtare.

NA DUAM Pra, cili do qi për mi koskat, gjakun dhe djersën t’onë – kujton se ka ndërtuartë Kalan e florinjtë për të shpëtuarë lëkurën e vet – e para lajmërojmë se populli nuk pret mëshirë por se detyrë.

Rroftë Flamuri Kuq e Zi

Rroftë Bashkimi Gjith Shqiptarve

Poshtë Vëllavrasja

Roja e Drejtësisë

NJË DETYRË

‘Roja e Drejtësis’, grupi i të rinjvet i zbritur nga malet me qëllim të bëjë drejtësi Kombit, qysh sot Vendos të shkrihet në ‘SHOQËRIA RINIJA SHQIPTARE’.

Provat e hidhura dhe orvatjet si zogjt shtegtarë, na bindën se vetëm me punë pozitive-konstruktive do t’i dalim zot, n’emër të RINIS SHQIPTARE, detyrës randë që na urdhëron Kombi, për t’a shpëtuar nga vlla-vrasja dhe shkatërimi.

RINIJA SHQIPTARE kërkon, imponon dhe lufton për t’i dhënë drejtësi popullit. Nderi dhe digniteti i Kombit personifikohet ne RINIA, e cila është drejtësia.

Në një kohë të shkurtër RINIJA SHQIPTARE ka rekrutuar aq rezerva sa që as një grup tregtarë të politikës nuk munt të kuxojnë ta spekullojë në bursat e zeza të organizatavet.

RINIJA SHQIPTARE duke ditur se Institutet më të nalt të shtetit Shqiptar kanë ardhur në fuqi nga rastet dhe jo prej një pregatitje punë lufte ose të drejta të fituara nga populli; me vullnetin e pa përkulshëm del përpara me flamurin e paqës dhe të luftës që të fitojë davanë e vet, duke e bërë popullin të pa mvarshëm ekonomikisht dhe duke mos e lënë atë të bjerë në kurthin e influencavet personale që ta spekullojnë edhe më. Provën do ta japë RINIJA e nderçme punëtore dhe luftëtare, e provuar për vlerat e vehta në të gjitha fushat krah për krah me popullin dhe se RINIJA meriton trashëgimin natyral të prijë Kombin në rugën qi ka caktuar fati.

Kjo bindje na është bërë një detyrë, në të cilën detyrë thërasim të gjithë të rinjtë të marin pjesë me gjithë ç’janë e me gjithë ç’kanë për t’a shpëtuar Kombin t’onë sot edhe nesër.

Rroftë Flamuri Kuq e Zi

Rroftë Bashkimi Gjith Shqiptarve

Poshtë Vlla-vrasja

                                             Shoqërija

 ‘RINIJA SHQIPTARE’ ”.

Kush e do Rinin Shqiptare

Rinija Shqiptare mbasi bëri detyrën e vet kundrejt Atdheut provoj të këthehet në gjirin e familjes në vatrën e vet. Tentativat ishin të shumta, dëshprimet ishin shumë të mëdha. Nuk u loth së duruari edhe prap duron pa u lodhur që të gjejë njerzit e ndershëm. Shqiptarët e thjeshtë pa ngjyra dhe pa forma, burrat qi t’ju shtrinë krahun t’ju tregojnë rrugën e shpëtimit të popullit Shqiptar. Rinija Shqiptare thërret: POSHTË-VËLLA-VRASJA, ekoja e kësaj parulle përgjigjet: RROFTË DALLAVERJA. Rinija thërret: RROFTË BASHKIMI I KOMBIT. Politikanët përgjigjen: RROFTË INTRIGA DHE SPEKULLIMI i masavet të popullit Shqiptar XHAHIL.

Kjo Rini i kushton çd’o send popullit nga i cili ka dalë dhe vërteton se gjith sakrificat e bëra vijnë prej bijve të denjë të një populli bujar, trim, qi ka qenë mashtruarë, shitur me akte nder-Kombëtare që është lënë rehem për të kënaqur epshet e turpshme të disave. Populli Shqiptar këtyre proto-tipave ju mohon të drejtën e qënjes pjesëtar e kësaj Shoqërije, mallkon ditën e lindjes, sojnë dhe farefisin e tyre për tradhëtinë që i kanë bërë këtij Kombi të vogël fukara por kurr XHAHIL.

Vetëm pjesa e popullit të ndershëm Shqiptar pa hile e duanë Rininë. Dhe pse, si të mos e dojë gjakun e gjakut tij, Shpirtin e shkëputur prej zemrës tij, Rininë që e ka rritur me kaq kujdes. Sot Rinija thërret duam të rrojmë dhe do të rrojmë të pa çqitur prej popullit: është Ligji i pa ndryshueshëm i natyrës dhe i pa kundërshtueshëm prej asnjeriut. Populli ësht jeta e Shtetit, pra jeta lindi jetën, Rinin e cila përjetësoj Idealin e Kombit, kurorëzoj me lavdi shpirtin e pa vdekshëm të popullit Shqiptar. Kush pra e do Rininë Shqiptare veç popullit? ASNJERI TJETËR.

‘RINIJA SHQIPTARE’

                                                   (Roja e Drejtësisë)”.

 

Ndërkohë, pas ripushtimit të Strugës (10 nëntor 1944), nga repartet komuniste jugosllavo-maqedonase, Murat Labënishti me çetën e tij u vendos në zonën e Labënishtit. Në mbrëmjen midis datës 20-21 nëntor 1944, njësitë e Brigadës V Maqedonase e rrethojnë fshatin Labënisht, ku pas një përleshje të shkurtër, Murat Labënishti, i shoqëruar me 140 bashkëluftëtarët e tij, vendos ta braktisë fshatin, për të shkuar në fshatin Steblevë. Lidhur me këtë, kryetari i Këshillit Nacionalçirimtar i Trebishtit, Arif Halili, njoftonte Këshillin Nacionalçlirimtar të Zerqanit, se Murat Labënishti “me gjith fuqin e tij të armatosun dhe e përbamë prej 200 e ca vetësh, mbramë me datën 22/XI/1944 ka hym në katundin Steblevë të kësaj krahine, dhe si mbas hetimeve të zhvillueme qëllimi i tij asht për me u dorzue Komandave Shqiptare”.

Ashtu sikurse u paralajmërua, më datë 23 nëntor 1944, Murtat Labënishti i shoqëruar prej 140 luftëtarëve të tij më besnik, u paraqit në qendrën e Këshillit Krahinor të Trebishtit. Pasi u mor në pyetje nga kryetari Këshillit, Arif Halili, lidhur me lëvizjet e tij, Murat Labënishti deklaron për sa më poshtë vijon:

Unë bashk me këta shok kam dal prej Llabunishti për me hymun në kontakt me Komandat Shqiptare mbasi Maqedonasit mbefasi na vunë pushkën e nuk na duen, nuk na japin asnji të drejt si Shqiptar. Zotnoj dhe akte ‘Procedimi’ (të) popullit kundrejt të padrejtave qi u bahen prej Maqedonasvet. Prandaj dua qi Shteti Shqiptar, Atdheu i ynë o të na rregullojë çështjen e jetesës t’onë nat vend qi të rrim si Shqiptar të vërtet me plot të drejtat t’ona, Arsim, Administrata Shqip e mobilizim ndër Komandat të UNÇ Shqiptare ose në të kundërtën, me gjithë këta shok qi kam dhe me pjesën tjetër prej 2000 e sa shpirt kam me hymun në radhët e UNÇ Shqiptare dhe kam me mar pjesë ndër operacionet e rastit në radhët e para në Shqipnin e vjetër”.

Pas kësaj deklarate, Murat Labënishti dhe140 luftëtarët e tij., të shoqëruar nga forcat partizane shqiptare u dërgua për në Zerqan ku qëndronte Mehmet Shehu. Ky i fundit, me kërkesë të SHK të UNÇM-së, më 5 dhjetor 1944, pasi kreu çarmatosjen e plotë, Murat Labënishtin me 140 vullnetarët e tij ua dorëzoi njësive të Brigadës VII Maqedonase, të cilët me urdhër të OZN-së e arrestuan për ta dërguar në burgun hetues të Strugës. Nga atje e vendosën në burgun e Idrizovës, nga ku pas disa muajsh ai arriti të arratiset, për të kaluar në ilegalitet. Burimet e proveniencës policore jugosllave vënë në dukje se Murat Labënishti qëndroi në ilegalitet deri kah muaji qershor 1946, kur vritet nga forcat policor-ushtarake komuniste shqiptare.

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X