loader image
October 14, 2024

Pozicioni i shtetit kosovar: Obligimet kushtetuese për sigurinë dhe unitarizmin e shtetit

Muaji dhjetor i vitit 2022 u kthye në arenë të bllokadave me barrikada të disa grupeve nga komuniteti serb në Veriun e Kosovës. Fakt notor është se grupet e tilla janë të yshtura nga Beogradi zyrtar, meqë “kërkesat” e tyre janë në sinkron me zërat që vijnë nga kryeqyteti serb. Po të ishin protesta me mjete paqësore, nuk do të kishte vend për bujë negative ndaj këtyre veprimeve pasi vetë kushtetuta e Kosovës lejon tubime demonstrative.

Ditar KABASHI, Prizren

Teoria e shtetit dhe e së drejtës është unanime sa i përket ekzistimit të tri elementeve dalluese shtetërore: popullsisë, territorit dhe sovranitetit. Avokohet edhe ideja për elementin e katërt, atë të aftësisë për të krijuar marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet tjera, por kjo mbetet pikë e debatuar në trajtimet teorike. Sidoqoftë, kjo e fundit ndërlidhet me elementin e sovranitetit.

 Shteti unitar

Shteti unitar paraqet trajtën e rregullimit shtetëror, sipas së cilës pushteti shtetëror i takon organeve qendrore. Në shtetin unitar ka vetëm një kushtetutë, sovraniteti është i pandashëm, tri pushtetet (legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori) janë unike, ka vetëm një armatë dhe shtetasit kanë vetëm një shtetësi (jo edhe shtetësi federale).

Këtë tipar të shtetit e ka paraparë edhe Kushtetuta e Kosovës, e cila afirmon që “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm” (neni 1/1). Megjithëse Kosova ka ndërtuar modelin e decentralizimit të komunave, prapëseprapë në kuptim të rregullimit shtetëror ruan karakterin unitar. Pikërisht për këtë arsye, themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, çfarë parashihej me Marrëveshjen e vitit 2015 dhe me të ashtuquajturin “draft gjerman” më 2022, krijon një nivel të tretë të pushtetit (përpos atij qendror dhe lokal) dhe kësisoj paraqet disharmoni me Kushtetutën.

Sovraniteti

Sovraniteti i shtetit nënkupton tiparin themelor që dëfton pavarësinë e shtetit nga faktorët e jashtëm e po kështu edhe epërsinë e shtetit karshi subjekteve brenda shtetit (individëve, organizatave, etj.).

Kushtetuta e Kosovës e proklamon edhe tiparin sovran të shtetit duke deklaruar: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (neni 2/2). Këto tipare të sovranitetit dhe integritetit territorial duhet kuptuar saktësisht.

Së pari, me veçorinë e të qenit i pacenueshëm, kihet për qëllim ndalimi i përvetësimit të sovranitetit popullor nga kushdo qoftë; organ shtetëror a parti, grup a person. Kjo implikon kushtin që askush të mos mbizotërojë vullnetin qytetar duke imponuar politika të caktuara.

Së dyti, duke qenë të patjetërsueshëm, sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mund të ndryshohen në kundërshtim me vullnetin popullor, nuk mund të barten te një autoritet tjetër dhe, afërmendsh, nuk mund të zhbëhen.

Së treti, veçoria e pandashmërisë së sovranitetit dhe integritetit territorial afirmon unitetin e tyre. Domethënë, këto dy elemente shtetërore kanë lidhje kauzale mes vete dhe nuk mund të paramendohet funksionimi i shtetit pa njërën prej tyre. Për më tepër, nuk mund të flitet as për vullnetin popullor, gjersa nuk bashkëjetojnë këto.

Shih për këtë, meqë sovraniteti dhe integriteti territorial zënë vend krucial në organizatën e quajtur shtet, atëherë mbrojtja e tyre me të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore bëhet obligim i pashmangshëm për vetë shtetin.

Siguria

Kushtetuta thekson: “Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencën, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet“ (neni 125/1). Sipas kësaj dispozite ,nxirret konkluzioni që shteti kosovar gëzon monopolin e ushtrimit të autoritetit në fushat e përmendura. Pra, nuk mund të jetë i pranueshëm asnjë subjekt tjetër i cilitdo nivel të pushtetit që ka tagrin e zbatimit legjitim të sferës së sigurisë dhe kontrollit të kufijve.

Sfida me sovranitetin dhe sigurinë

Muaji dhjetor i vitit 2022 u kthye në arenë të bllokadave me barrikada të disa grupeve nga komuniteti serb në Veriun e Kosovës. Fakt notor është se grupet e tilla janë të yshtura nga Beogradi zyrtar, meqë “kërkesat” e tyre janë në sinkron me zërat që vijnë nga kryeqyteti serb. Po të ishin protesta me mjete paqësore, nuk do të kishte vend për bujë negative ndaj këtyre veprimeve, pasi vetë Kushtetuta e Kosovës lejon tubime demonstrative: “Liria e tubimit paqësor është e garantuar. Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to. Këto të drejta mund të kufizohen me ligj, nëse është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve” (neni 43). Sikundër kuptohet, parakusht i garantimit të lirisë së tubimit në format e ndryshme është karakteri paqësor i saj. E kundërta nuk justifikohet.

Por, ç’natyrë kanë veprimet e grupacioneve në Veri?

Pikësëpari, ato janë të dhunshme. Janë sulmuar policët e Kosovës e po ashtu edhe patrullat e EULEX-it. Madje, ironike ishte deklarata e Josep Borrell-it në llogarinë e tij në Twitter më 11 dhjetor 2022, ku shprehej se Bashkimi Europian nuk do të toleronte sulme kundrejt EULEX-it dhe përdorim të dhunës dhe akteve kriminale në Veri. Kësisoj, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Borrell, nuk e zuri ngoje dhunën ndaj Policisë së Kosovës që kishte ngjarë ditë më parë, por u mjaftua me dhunën ndaj zyrtarëve të EULEX-it. Pa asnjë hezitim, ky paraqet një standard të dyfishtë në politikën zyrtare europiane.

Tjetra është që aktet në Veri rrezikojnë sigurinë kombëtare, sepse mëtojnë pamundësimin e shtrirjes së sovranitetit shtetëror në atë pjesë.

Rendi publik po sfidohet dhe vetë qytetarët, pa dallime identitare, nuk mund të ndihen të sigurt në një mjedis ku individë të caktuar e të armatosur sundojnë rrugët e sheshet. Kjo është veçori tipike anarkike.

Gjithashtu rrezikohet edhe shëndeti i qytetarëve të asaj zone për shkak se disa rrugë janë të bllokuara dhe kështu vështirësohet qasja e ndihmës së shpejtë në raste nevoje.

Me veprime të tilla cenohen edhe të drejtat dhe liritë e gjithë qytetarëve, ngaqë bllokadat e ndalojnë fillimisht lirinë e lëvizjes, e të mos flitet edhe për të drejtat e shumta që ndërlidhen me këtë.

Obligimet e shtetit

Problemet midis Kosovës dhe Serbisë janë të formave të ndryshme. Dimensioni politik, ekonomik, juridik, historik, ai i sigurisë etj., paraqesin shtresa të problemeve.

Bisedimet e Brukselit nuk po prodhojnë efekte konkrete. Vetë trazirat në Veriun e Kosovës janë dëshmi për këtë. Veçanërisht BE-ja po dëfton shterpësi diplomatike në raport me Serbinë. Reagimet e vakëta të zyrtarëve europianë lidhur me këto probleme janë dekurajuese për Kosovën. Barrikadat po vendosen brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërkaq bëhen thirrje që shteti kosovar të lëshojë pe në emër të kompromisit.

Ka gjëra për të cilat nuk bëhet kompromis. Në radhë të parë vjen shtrirja e sovranitetit. U pa edhe më lart se kushtetuta e detyron shtetin që ta mbrojë sovranitetin. Në këtë kontekst duhet parë edhe detyrimin e pranimit të detyrimeve kushtetuese, që është rrjedhojë e supremacisë së kushtetutës. Pikërisht kriter kushtetues është detyra e shtetit që ta mbrojë rendin publik, qenësinë e shtetit dhe vetë qytetarët, pavarësisht etnisë së tyre.

Andaj, përkundër sfidave në terren, Kosova duhet ta mbrojë sovranitetin e vet, duke i nxjerrë para drejtësisë kryerësit e akteve vandale dhe duhet të tregojë aftësi diplomatike në arenën ndërkombëtare që t’i denoncojë me prova përgjegjësit e vërtetë politikë të kësaj rrëmuje, me qëllim shndërrimin në avantazh strategjik të këtyre sprovave.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X