Partia Komuniste e Shqipërisë zbatoi planin e shtabit të Titos dhe dërgoi në Kosovë dhe viset shqiptare në Maqedoni formacione të mëdha partizane, për të luftuar patriotët shqiptarë që Partia Komuniste e Jugosllavisë i quante “shovinistë”. Forcat më të mëdha ishin brigada e pestë dhe e gjashtë që të dyja me partizanë nga zona e parë operative që ishin treguar të pamëshirshëm në luftën kundër forcave jokomuniste në Jug të Shqipërisë.
Shkruan: Xhafer SADIKU, Tiranë
Mbështetja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Partinë Komuniste të Shqipërisë, më shumë se sa për të kontrolluar Shqipërinë, bëhej për të mbajtur nën kontroll krahinat shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë. Zhvillimet e viteve 1941-1944 në Kosovë dhe viset shqiptare në Maqedoni tregonin se Partia Komuniste e Jugosllavisë nuk kishte ndikim në viset dhe popullsinë shqiptare, ndërsa ishte e fuqishme në popullsinë serbe-malazeze-maqedone.
Pas goditjes së Grupit të të Rinjve, Dushan Mugosha shkoi pranë KQ të Partisë Komuniste Jugosllave, ku dorëzoi dokumentacionin pranë Josip Broz Titos. Më 22 shtator 1942, Tito i dërgoi një letër Miladin Popoviqit, më 22 shtator 1942, me udhëzime për organizimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ai shkruante se nga materiali i dërguar nga PKSH-ja ai i kishte dërguar disa telegrame Kominternit ku, në emrin e të dërguarve jugosllavë pranë PKSH-së, i kishte kërkuar lejen që të mbahej konferenca e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të zgjidhej një delegat i përgjithshëm i Komitetit Qendror. Në bazë të udhëzimeve të Titos, u mbajt Konferenca e Parë e Vendit e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Për të drejtuar punimet e saj, Josip Broz Tito autorizoi anëtarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, Bllazho Jovanoviq. Tito kishte shtuar vetëm një pikë rreth së cilës do të diskutohej në konferencën dhe kjo ishte çështja organizative e Partisë Komuniste të Shqipërisë, në të cilën duhej të përpunohej rrënjësisht në mënyrë të veçantë uniteti dhe spastrimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ai kërkonte edhe eliminimin politik të Llazar Fundos, të cilin e quante trockist. Gjithashtu, duhej të dërgoheshin karakteristikat dhe emrat e anëtarëve të rinj të Komitetit Qendror, që do të zgjidheshin në Konferencën e Parë të Vendit.
Pasi të dërguarit e Titos e realizuan me sukses Konferencën e Parë të Vendit të PKSH (mars 1943), Milladin Popoviqi e Dushan Mugosha i organizuan edhe komitetet qarkore të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, e vunë nën kontroll të plotë Partinë Komuniste të Shqipërisë.
Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, sipas udhëzimeve të përfaqësuesve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, u mbajt mbledhja e Këshillit Nacionalçlirimtar, e njohur si Konferenca e Dytë e Labinotit. Ajo vendosi që i vetmi pushtet në Shqipëri do të ishte ai i këshillave nacionalçlirimtare. Pas saj, Partia Komuniste e Shqipërisë e filloi luftën e armatosur kundër forcave politike opozitare të saj, që mori karakterin e luftës civile. Para konferencës së Labinotit ishte formuar Brigada e Parë Sulmuese, formacioni më i ashpër në luftën civile, bashkë me Brigadën e Pestë dhe të Gjashtë, që do të formoheshin më vonë.
Për objektivin e vërtetë të luftës së forcave partizane na njeh një letër e shtabit të Brigadës së Parë, që mban datën 18 shtator 1943, dërguar partizanëve bullgarë që vepronin në zonat shqiptare në Maqedoni. Në letër vihej në dukje se në horizontin e luftës nacionalçlirimtare antifashiste të popujve të Ballkanit po ndriçonte vëllazërimi i popujve ballkanikë. “Themeli i këtij vëllazërimi të popujve tanë”, – theksohej në letër, – “po hidhet me formimin e Shtabit të përbashkët, Shtabit Partizan Interballkanik, i cili ka për të na udhëhequr me siguri drejt fitoreve tona të përbashkëta”.
Me udhëzimin e Vukmanoviq Tempos, në jug të Shqipërisë u krijua Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, e cila do të bëhej vatra e luftës civile në Shqipëri deri në verën e vitit 1944, kur në ato zona u vendos pushteti komunist. Në pranverë të vitit 1944, tërheqja masive e ushtrisë gjermane nga Greqia po krijonte tension të madh në Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Me gjithë punën intensive të emisarëve të saj në Shqipëri, Partia Komuniste e Shqipërisë nuk kishte përkrahje në masat popullore dhe forcat e saj ushtarake ishin të izoluara në jug të Shqipërisë. Në atë gjendje, pushteti në Shqipëri, pas largimit të gjermanëve, do t’u mbetej përsëri forcave jokomuniste. Në Kosovë dhe territoret shqiptare në Maqedoni forcat që punonin për bashkimin kombëtar ishin të shumta, ndërsa ato komuniste të papërfillshme.
Për këtë arsye, në prill të vitit 1944, udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë organizoi një kongres dhe dërgoi udhëzimet përkatëse për vendimet që do të merreshin në kongres. Kongresi do të mbahej në zonën e lirë të Përmetit, që ishte çliruar që më 13 shtator 1943, kur u largua ushtria italiane. Për të ndryshuar gjendjen në Kosovë, në fund të prillit Partia Komuniste e Jugosllavisë e tërhoqi nga Shqipëria Dushan Mugoshën, që kishte fituar përvojë të madhe në organizimin e partisë komuniste dhe formacioneve partizane dhe i kishte frymëzuar me urrejtje për bashkëkombësit e tyre jokomunistë. Në prag të largimit për në Kosovë, Mugosha i udhëzoi komunistët për disa vendime që duhej të merrnin dhe personat që duhej të godisnin. Ata i plotësuan dëshirat e Mugoshës.
Në kongresin e Përmeti u mor vendim për të bashkuar në një divizion të vetëm forcat partizane që vepronin në mënyrë aktive në jug të Shqipërisë. Divizioni mori urdhër të kalonte në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, për të shtypur atë që komunistët e quanin “reaksioni”. Veprimet e forcave komuniste në veri të Shqipërisë bëheshin të koordinuara me forcat partizane serbo-malazeze dhe bullgare, që vepronin në territoret shqiptare në Kosovë e Maqedoni.
Partia Komuniste e Shqipërisë e zbatoi planin e shtabit të Titos dhe dërgoi në Kosovë dhe viset shqiptare në Maqedoni formacione të mëdha partizane, për të luftuar patriotët shqiptarë që Partia Komuniste e Jugosllavisë i quante “shovinistë”. Forcat më të mëdha ishin Brigada e Pestë dhe e Gjashtë, që të dyja me partizanë nga Zona e Parë Operative, që ishin treguar të pamëshirshëm në luftën kundër forcave jokomuniste në jug të Shqipërisë.
Detyra e tyre ishte: 1- të shtypte “reaksionin shqiptar, 2- të çarmatoste popullsinë e të armatoste përkrahësit e tyre, 3- të vendoste pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare dhe 4- të bënte rekrutimin e të rinjve të zonave ku shkelnin radhët e formacioneve partizane.
Sjelljet e partizanëve nga Shqipëria në Kosovë ishin brutale. Në një shkresë që mban datën 5 dhjetor 1944, dërguar byrove të partisë së batalioneve partizane, midis të tjerave lexojmë: “Është bërë mobilizim me forcë.., janë marrë pleq peng, tue i shtrënguar, ja të bien djemtë ja nuk i lëshojnë.., I janë marrë popullit kuaj karroce tue lënë karrocat në mes të rrugëve ose komplet me gjithë të, tue lënë në mjerim e në vuajtje ekonomike familjet e vobegëta.., Nuk respektohen këshillat si pushtet i dalë nga poshtë.., kërkohet ushqim me imponim, e sidomos mishëra.., Janë bërë arrestime pa kriter…”
Vlen të theksojmë këtu edhe operacionin e zhvilluar kundër patriotëve shqiptarë, të grumbulluar në zonën e Drenicës. Në urdhrin e veprimit të komandës partizane, të datës 4 dhjetor, detajohej operacioni për spastrimin e Drenicës, që do të zhvillohej prej datës 5 deri më 10 dhjetor 1944, duke asgjësuar “reaksionarët” dhe çarmatosur të gjithë ata që nuk bashkoheshin me ushtrinë partizane. Forcat patriotike, që komunistët i quanin “tradhtarë”, komandoheshin nga Mehmet Gradica, Jakup Rama, Demali Pozhari, Mehmet Ag Berisha, Mehmet Ag Rashkoci, Bajram Gashi, etj.
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni”, – theksohej në urdhër, – “të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht. Gjithë robërit që do të kapeshin do të dërgoheshin pranë shtabit të brigadës në datën 8 në Koshinca. Të çarmatosen njerëz të dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë…”
Në një urdhër veprimi, të datës 8 dhjetor 1944, batalionet partizane urdhëroheshin të vazhdonin spastrimin e maleve, pyjeve dhe fshatrave. Gjithë zona duhej spastruar deri më 10 dhjetor 1944 me konditë që të mos mbetej asnjë katund pa u spastruar dhe pa u formuar pushteti si dhe mobilizimi vullnetarisht. Por, dhunës brutale të rinjtë e Kosovës iu përgjigjën me dezertime.
Dezertimet e të rinjve nga formacionet partizane nga Shqipëria ishin masive, ndërsa masat kundër tyre ishin të ashpra. Shtabi i Brigadës së Pestë i drejtonte një letër Batalionit të Pestë të saj, nëpërmjet së cilës e udhëzonte se si të veprohej me dezertorët: “Të kapen, t’u bëhet gjyqi dhe të pushkatohen para batalionit me një konferencë të gjerë. Psh, në qoftë se ikin katër veta bashkë dhe kapen, të pushkatoheshin dy veta, ndërsa po të ishin dy të pushkatohej vetëm shtytësi… Dezertimi në masë siç u ka ngjarë juve tregon mospunimin tuaj në masë gjë që u është theksuar dhe në rast përsëritje ngarkohi me përgjegjësi”.
Më 9 dhjetor 1944 zëvendëskomandanti i Brigadës së Pestë e informonte organizatën e mbrojtjes popullore për, siç shkruante ai, Kosovë e Metohi me qendër në Vuçiternë, se zona e Drenicës ishte çliruar nga reaksioni dhe tani vazhdonte spastrimi. Operacioni i spastrimit vazhdoi deri sa patriotët shqiptarë u shfarosën dhe komunistët e Titos e vendosën sundimin e tyre në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni. Eliminimi i tyre do të kishte pasoja afatgjata, që vërehen madje edhe sot.