loader image
December 4, 2024

Pas Srebrenicës caku ishte Zhepa

Më 25 korrik, Alija Izetbegoviqi i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së që UNPROFOR-i të ndihmonte dhe ta lehtësonte evakuimin e sigurt të civilëve nga Zhepa. Këshilli i Sigurimit u përgjigj pozitivisht. U ra dakord që evakuimi i civilëve në drejtim të Kladanjit dhe i të plagosurve në Sarajevë të fillojë menjëherë. Në takim, komandanti Avdo Paliq kërkoi që ai personalisht të jetë i pranishëm në kolonën e parë të civilëve që do të shkojnë për në Kladanj.

Almir GRABOVICA, Sarajevë*

Me rënien e Srebrenicës dhe krimin e kryer të gjenocidit kundër boshnjakëve, agresori me vendosmëri kaloi edhe në “zonën vijuese të sigurt” të OKB-së, në Zhepë. Më 12 korrik të vitit 1995, në një takim të mbajtur në mëngjes në shtabin e Brigadës të Bratunacit, të Ushtrisë së Republikës Srpska, ndër të tjerët, para brigadës së Zvornikut të URS (Ushtrisë së Republikës Srpska) morën pjesë edhe Vinko Pandureviqi dhe Mirko Triviqi. Këtu Mlladiqi e urdhëroi Kërstiqin që të përgatiste një operacion për “çlirimin” e Zhepës. Sipas vlerësimit të URS-së, në fillim të korrikut të vitit 1995 në këtë “zonë të sigurt” kishte prej 6.500 deri në 10.000 civilë, nga të cilët – sipas vlerësimit të ushtrisë serbe – ishin rreth 1.200 pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës nga Zhepa dhe 700-1000 ushtarë të tjerë të saj, që depërtuan nga Srebrenica në enklavën e Zhepës. Më 13 korrik të vitit 1995, Radisllav Kërstiqi urdhëroi sulmin në Zhepë (operacioni “Stupçanica-95”). Me këtë dëshironte t’i shfrytëzonte rezultatet e operacionit në enklavën e Srebrenicës, me qëllim të “pastrimit” të Podrinjes boshnjake nga forcat myslimane dhe eliminimin e enklavave. Me këtë operacion dhe me pushtimin e Zhepës, ushtria serbe do të arrinte kushte edhe më të mira për vazhdimin e operacioneve kriminele në drejtim të Gorazhdës, ndërsa njësive të përfshira në operacion iu caktuan detyra specifike.

Në të njëjtën ditë kur Kërstiqi urdhëroi sulmin në “zonën e sigurt” të Zhepës, komandanti i Korpusit të Drinës, Milenko Zhivanoviq, e njoftoi komandën e avancuar në Krivacë, se natën e kaluar, më 12/13 korrik, përmes “Batalionit ukrainas” të OKB-së, që ndodhej në Zhepë, u vendos kontakti me Avdo Paliqin, komandant i Brigadës së Zhepës të URBH-së (Ushtrisë së Republikës së Bosnje e Hercegovinës) dhe se ishte caktuar një takim në postbllokun e UNPROFOR-it në rajonin Bokshanicës. Më 14 korrik të vitit 1995, Rajko Kushiq, komandanti i Brigadës së Rogaticës të Ushtrisë RS-së, e informoi komandën e caktuar se ishte vendosur kontakt i drejtpërdrejtë luftarak me mbrojtësit e Zhepës dhe se mbrojtësit kanë rezistuar “vetëm në pikat e organizuara të rezistencës, kryesisht të vendosura rreth… UNPROFOR-it, sepse nuk kishin as fuqi në rezervë, as armatim të mjaftueshëm për mbrojtje”.

Mbrojtësit e Zhepës, me rezistencë dhe qëndresë heroike, u bënë ballë disa ditë sulmeve të ushtrisë serbe. Aeroplanët luftarakë të ushtrisë jugosllave ishin gjithashtu aktiv në luftime mbi Zhepë. Më 16 korrik të vitit 1995 arritën edhe 106 luftëtarë nga Batalioni i 28-të Kodrinor dhe nga njësi të tjera nga Srebrenica, të cilët arritën të depërtojnë nga ky qytet (Srebrenica) tanimë i okupuar. Sipas raporteve të UNPROFOR-it, Zhepa gjithashtu ishte “granatuar rëndë” edhe më 17 korrik. Në mbrëmje, Batalioni Ukrainas raportoi se 200 shpërthime janë regjistruar gjatë ditës. Më 17 korrik të vitit 1995, në orën 14:00, Avdo Paliqi, përmes UNPROFOR-it, bisedoi në radiolidhje me komandantin e Brigadës së Rogaticës të Ushtrisë RS-së, Rajko Kushiq. Në bisedë, Kushiqi i ofroi Paliqit që ta çarmatoste brigadën e tij, t’i dorëzonte armët dhe të fillonte evakuimin e popullsisë nga Zhepa në drejtimet e dëshiruara drejt territoreve myslimane. Paliqi e refuzoi këtë kërkesë dhe kërkoi që komandanti i UNPROFOR-it për Bosnjë e Hercegovinë të vijë në Zhepë dhe menjëherë të vendosë armëpushim!

Forcat serbe edhe në ditët në vijim sulmonin ashpër. Në zonën e Bokshanicës erdhi Ratko Mlladiqi. Ai insistonte për negociata me komandantin e mbrojtjes së Zhepës, Avdo Paliq. Kreu luftarak i Komunës së Zhepës vendosi t’i përgjigjet thirrjes së Mlladiqit për negociata (Kryesia e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës më 4 tetor 1993 Zhepën e shpalli komunë, e cila deri në prag të luftës ishte bashkësi lokale në kuadër të komunës së Rogaticës). Pala serbe vendosi kushte tepër të pafavorshme, pa ndonjë garanci për sigurinë e popullatës, të plagosurve dhe të sëmurëve. Kushtet veçanërisht të pafavorshme ishin ato për burrat me aftësi ushtarake, të cilët pas çarmatimit do të mbeteshin në mëshirën dhe në pamëshirën e ushtrisë serbe! Po atë ditë, Alija Izetbegoviqi e informoi Hajriqin se në nivelin më të lartë shtetëror vazhdimisht punojnë “në çështjen e Zhepës”, por akoma “kanë bërë shumë pak, krahas përpjekjeve gjatë ditës dhe natës”. Ai e konsideroi të mundur evakuimin vetëm përmes rrugës tokësore nën kontrollin dhe mbrojtjen e UNPROFOR-it. Izetbegoviqi e paralajmëroi Hajriqin se nuk ka siguri absolute dhe se “si kusht të parë çetnikët kërkuan që burrat t’i dorëzojnë armët dhe të zhvillohet një hetim ndaj tyre e kështu me radhë”, gjë që ai e refuzoi në mënyrë kategorike. Ai planifikoi “të zhvendoste sa më shumë civilë, nëse është e mundur të gjithë” dhe që “ushtarët të qëndrojnë dhe të vazhdojnë rezistencën”. Ai premtoi se do të bënte gjithçka për të ndihmuar në mbrojtjen e Zhepës, duke i furnizuar luftëtarët mbrojtës me elementet dhe mjetet e nevojshme materiale dhe teknike, duke dërguar vullnetarë, si dhe përmes aksioneve luftarake sulmuese të njësive të tjera të Ushtrisë së Republikës së BeH-së në drejtim të Zhepës. Ai besonte në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, edhe pse me ata – sipas fjalëve të tij – “një gjë e thonë në mëngjes, e një tjetër gjë në mbrëmje”. Ai nuk ishte i sigurt se do të përfundojë me sukses biseda me përfaqësuesit ndërkombëtarë: “Bindja vazhdon, por planet tona duhen bërë sikur ata të mos ishin aty… A do të jetë gjithçka vonë, nuk e di. Po bëjmë gjithçka që mundemi, njësoj si ju. Shumë gjëra nuk janë në duart tona. Mbështetemi në ndihmën e Zotit dhe në luftën tuaj.”. Siç pritej, mbrojtja e Zhepës filloi të dobësohej, madje disa luftëtarë, të vetëdijshëm për peshën dhe rrezikshmërinë e situatës, filluan të largoheshin nga linjat e mbrojtjes dhe të kërkonin mënyra për ta braktisur enklavën dhe për të depërtuar në territoret e lira.

Për shkak të mungesës së municioneve dhe negociatave të cilat zhvilloheshin ndërmjet ushtrisë së RS-së dhe Ushtrisë së R. BeH-së, mbrojtësit e Zhepës hetuan se rënia e enklavës ishte e pashmangshme. Avdo Paliqi kërkoi nga forcat ndërkombëtare që në Zhepë të vijë një delegacion i Komandës së OKB-së për Bosnjë e Hercegovinën, “Batalionii Ukrainës”, UNHCR-ja, MKCK-ja dhe vëzhguesit ushtarakë të OKB-së (UNMO). Duke u përpjekur që aktorët ndërkombëtarë ta kuptojnë dhe ta marrin seriozisht parasysh gjendjen, ai kërcënoi se do t’i vriste anëtarët e “Batalionit të Ukrainës” nëse përfaqësuesit e UNPROFOR-it nuk vijnë në Zhepë me helikopter. Ushtria e RS-së avancoi dhe e pushtoi objektin më të rëndësishëm për mbrojtjen e Zhepës, Rrafshin e Brezovit, dhe më pas edhe Bërdon, Lokven dhe Gradinën. Më 24 korrik të vitit 1995, udhëheqësia shtetërore dhe ushtarake e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës ra dakord për evakuimin e Zhepës përmes territorit serb krahas forcave të sigurisë të OKB-së për reagim të shpejtë (RRF). Edhe pse të gjitha objektet e rëndësishme për mbrojtjen e Zhepës ranë më 24 korrik, vendi akoma ishte nën kontrollin e Ushtrisë së R. BeH. Rajko Kushiqi nga Ushtria e RS-së, Hamdija Torlak, nga Zhepljaku dhe Sejmon Dudnjik, komandant i “Batalionit të Ukrainës”, nënshkruan marrëveshjen për çarmatimin e popullatës boshnjake ushtarakisht të aftë! Këtë e verifikoi krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Krimineli i luftës, Radislav Kërstiq, pas nënshkrimit të marrëveshjes, urdhëroi njësitë që të nisin “pastrimin” e terrenit të enklavës së Zhepës.

Më 25 korrik, Alija Izetbegoviqi i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së që UNPROFOR-i të ndihmonte dhe ta lehtësonte evakuimin e sigurt të civilëve nga Zhepa. Këshilli i Sigurimit u përgjigj pozitivisht. U ra dakord që evakuimi i civilëve në drejtim të Kladanjit dhe i të plagosurve në Sarajevë të fillojë menjëherë. Në takim, komandanti Avdo Paliq kërkoi që ai personalisht të jetë i pranishëm në kolonën e parë të civilëve që do të shkojnë për në Kladanj.

Në pasditen e 25 korrikut, UNPROFOR-i nga Sarajeva për në Zhepa dërgoi automjete adekuate për t’i evakuuar të plagosurit. Karvani u kthye të nesërmen në mëngjes në Sarajevë me 151 të plagosur. Në mesnatën e datës 25/26 korrik, kolona e parë me rreth 1000 civilë u nis nga Zhepa për në Kladanj. Ashtu siç edhe kishte kërkuar Avdo Paliqi, në një automjet të OKB-së, së bashku me kriminelin Zdravko Tolimir, ai e shoqëroi autokolonën deri në Kladanj. Me të njëjtin automjet ai është kthyer në bazën e “Batalionit të Ukrainës” në Zhepë për t’i vazhduar negociatat për evakuimin e ushtrisë (boshnjake) nga Zhepa. Negociatat për këmbimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së R. BeH-së nga Zhepa për ushtarët serbë, të kapur në fushat e tjera të betejës, ishin në vazhdim. Izetbegoviqi besonte se kishte mjaft argumente për të arritur kushte të mira shkëmbimi, sepse Ushtria e R. BeH mbante një numër të madh të të burgosurve serbë.

Megjithatë, gjatë evakuimit të civilëve më 26 korrik të vitit 1995 u shfaqën probleme serioze. Duhej të evakuoheshin 840 civilë, por pala serbe nuk lejonte evakuimin e trembëdhjetë të plagosurve ushtarakisht të aftë, të cilët ishin në mesin e tyre.

Takimi për shkëmbimin e organizuar, të cilin e kishte negociuar vet Rupert Smiti, duhej të fillonte më 27 korrik në orën 16:10. Menjëherë pas hyrjes në bazën e “Batalionit të Ukrainës”, Avdo Paliqi u kap nga pala e ushtrisë serbe para syve të zyrtarëve dhe ushtarëve të OKB-së dhe u dërgua në një apartament në Rogaticë, ku u mor në pyetje dhe më pas u transferua në burgun sekret Vanekov Mlin në Bijeljinë. Më pas iu dorëzua Dragomir Peçanacit, prej ku edhe iu humbën gjurmët për 14 vitet e ardhshme, ndërsa eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv në Vragolovi afër Rogaticës.

Kolona e fundit nga Zhepa për në Kladanj u nis më 27 korrik në orën 23:45. Pas largimit të saj, në bazën “Batalionit Ukrainas” në Zhepë u kapën rob Mehmed Hajriqi, Mehmed dhe Amir Imamoviqi. Në ditët pas pushtimit të Zhepës edhe ata u vranë, ashtu si edhe Avdo Paliqi.

Negociatat, të cilat u zhvilluan për fatin e luftëtarëve të Zhepës midis udhëheqjes shtetërore ushtarake dhe politike të Republikës së Bosnjë e Hercegovinës dhe palës serbe, përfunduan më 29 korrik. Përfaqësuesit e agresorit serb, duke e kuptuar se do ta pushtonin ushtarakisht edhe atë pjesë të lirë të mbetur të enklavës, e braktisën mbledhjen. Ata kërkuan që Shtabi i Komandës Supreme të Ushtrisë së R. BeH-së dhe udhëheqja republikane ta pranojnë marrëveshjen lokale për kapitullim, që ishte bërë me përfaqësuesit e mbrojtësve në Zhepë më 24 korrik dhe të bien dakord për shkëmbimin e robërve të luftës sipas parimit “një për një” të një numri të caktuar të robërve në pjesë të ndryshme të Bosnjës dhe Hercegovinës. Vetëm pas kësaj, serbët “ndoshta do të mund të jenë të gatshëm të diskutojnë për fatin e burrave të Zhepës, të cilët janë të aftë ushtarakisht”.

Në raportet e UNPROFOR-it, të 31 korrikut dhe 1 gushtit të vitit 1995, thuhet se “ushtarët e Ushtrisë së Republika Srpska i dogjën shtëpitë në Zhepë dhe në fshatrat përreth. Në kodrat përreth kishte të shtëna armësh dhe shpërthime. Më 3 gusht njësitë e UNPROFOR-it u larguan nga Zhepa dhe të nesërmen arritën në Sarajevë”.

Rreth 800 luftëtarë mbrojtës të Zhepës, pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, u dërguan në Serbi dhe iu dorëzuan autoriteteve të serbe. Policia serbe i torturoi dhe i poshtëroi në forma të ndryshme. ata i torturuan, i keqtrajtuan dhe i poshtëruan në kampet e përqendrimit në Shljivovicë dhe Mitrovo Polje, ku i mbajtën si skllevër. Ushtria e Republika Srpskas u përpoq t’i detyronte me forcë autoritetet serbe për t’i ekstraduar “ushtarët e ushtrisë ballije”, siç i quanin ata në korrespondencën zyrtare. Kreu ushtarak propozoi të shfrytëzohet burgu në Foçë, me qëllim për t’i strehuar të burgosurit, që aty “ekipi” të kryente hetuesinë! Nuk i harroi as 43 të burgosurit nga Zhepa, që i mbante në kampin e përqendrimit Rasadnik në Rogaticë”.

Më 14 gusht në Han Pijesak u mbajt një mbledhje, ku u morën vesh që të gjithë luftëtarët për mbrojtjen e Zhepës të transferoheshin në Burgun-Edukativ në Foçë, që në atë kohë kishte një kapacitet “deri në 1000 të burgosur të rinj”.

Plani kriminal i paraparë, megjithatë, nuk pati sukses, sepse kreu politik serb – në krye me Sllobodan Millosheviqin – u frikësua nga reagimet e fuqive ndërkombëtare botërore, sepse atëherë bota e kishte një pasqyrë reale të asaj që realisht ndodhi në Srebrenicë në ato ditë korriku dhe se çfarë lloj skenari do të mund të përsëritej në Zhepë! Me këtë ata do të bëheshin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në një tjetër gjenocid. Andaj vendosën t’ia lënë vendin organizatave ndërkombëtare, kryesisht MKCK-së, për ta kryer regjistrimin e të gjithë të burgosurve të Zhepës të cilët atëherë u gjetën në kampet e përqendrimit Shljivovica dhe Mitrovo Polje. Atëherë kur organizatat botërore të paqes e bënë regjistrimin e planifikuar të të burgosurve, pas një periudhe të caktuar dhe negociatave të kryera, atyre iu mundësua që të kalonin dhe të qëndronin në vendet e ndryshme të botës.

Do të mbetet e regjistruar se bashkësia ndërkombëtare, pas Srebrenicës, kriminelëve serbë ua la edhe një zonë tjetër të sigurt, ndërsa popullatën e la në mëshirën e tyre. Përmasat e krimeve kundër boshnjakëve të Zhepës nuk ishin si ato në Srebrenicë, sepse tanimë në fund të korrikut të vitit 1995, kur forcat e Ushtrisë së RS-së e pushtuan Zhepën, në mediat botërore u shfaqën informacione për përmasat e gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve të Srebrenicës disa ditë më parë.

*Autori është bashkëpunëtor i lartë profesional Universiteti i Sarajevës – Instituti për Hulumtimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X