loader image
November 15, 2024

Pas-familja

Me industrializimin dhe urbanizimin e jetës shoqërore, familja e gjerë nisi t’i humbasë funksionet e saj që nuk i përgjigjeshin nevojave të punës. Familja bërthamë ishte më e përshtatshme për punën në fabrika dhe për banimin në apartamente. Në shtetet e zhvilluara kapitaliste mbizotëroi norma e morali i familjes borgjeze, në të cilën burri punonte jashtë banesës, gruaja kujdesej për fëmijët dhe punët brenda banesës, ndërsa fëmijët deri në një moshë të caktuar shkolloheshin dhe përgatiteshin për profesionet e ardhshme…

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Familja është kthyer në një institucion të debatueshëm në sferën publike. Lëvizje shoqërore e parti politike bëjnë fushata me parullën “Për familjen!”, e cila, ata thonë, po rrezikohet. Lëvizje të tjera shoqërore propagandojnë kundër modelit hegjemonik të familjes, i cili, sipas tyre, riprodhon patriarkinë dhe pengon trajta alternative të jetesës familjare. Nëpër parlamentet e shteteve demokratike po debatohet nëse ligji duhet ta përkufizojë familjen bërthamë si bashkimin nën kurorë të një burri me një grua apo si bashkimin e dy “partnerëve”. Çuditërisht, te propozimi i fundit ndodhet numri dy, si një lëshim që i bëhet konceptit të familjes bërthamë të trashëguar nga qytetërimi greko-romak dhe nga ai i krishterë. Nëse familja bazë nuk përkufizohet sipas funksionit biologjik të riprodhimit njerëzor, por si bashkëjetesa e personave të rritur nën një çati, edhe pse ata mund të kenë gjini të njëjtë, atëherë pse u dashka ruajtur numri dy dhe të mos hapet familja për përfshirjen e tre ose më shumë personave të gjinive të ndryshme, së bashku me fëmijët e tyre? Fundja, në qytetërime të tjera poligamia ka qenë dhe është një trajtë e martesës e njohur me ligj. A nuk është numri mandator dy një shenjë e eurocentrizmit dhe mbetje e esencializmit biologjik!?

Në fakt, jetojmë në një botë paradoksale, ku familja bërthamë – një grua, një burrë dhe fëmijët e tyre që jetojnë së bashku nën një çati – është bërë një normë universale, sepse po mbizotëron në të gjitha kulturat e qytetërimet dhe në të njëjtën kohë ajo është e rrethuar – si kurrë më parë – nga trajta të larmishme të familjes që nuk përkojnë me këtë normë. Këtu nuk është fjala vetëm për trajta tradicionale të familjes së gjerë (p.sh. bashkëjetesa me gjyshërit apo kushërinjtë e parë), por për trajta të familjes që janë pasojë e modernitetit, si familja me një prind, bashkëjetesa pa kurorë, bashkëjetesa e partnerëve të së njëjtës gjini me fëmijët e tyre, familja pa fëmijë, familja me anëtarë të etnive dhe racave të ndryshme, familja që nuk jeton nën të njëjtën çati etj. Disa nga këto trajta “alternative” ndaj normës së familjes bërthamë mund të kenë ekzistuar dhe më parë, por ato shiheshin si “të panatyrshme” apo devijime të dënuara nga morali mbizotërues, ndërsa tani secila prej tyre përbën një dukuri më të shpeshtë dhe po bëhet e pranueshme si mundësi zgjedhjeje, pavarësisht faktit nëse ligji i njeh ose jo si familje. Të rinjtë që maturohen në shek. XXI përballen me alternativa të jetës familjare, me të cilat prindërit e gjyshërit e tyre nuk kanë pasur gjasa të përballen.

Pasiguritë e jetesës familjare janë pjesë e pasigurisë më të përgjithshme që na shoqëron në këtë fazë të modernitetit, të cilën sociologët e emërtojnë si moderniteti i vonë, moderniteti i dytë, moderniteti i lëngët ose pasmodernitet. Po ta marrim emërtimin e fundit, ai nuk është i vetmi koncept me parashtesën “pas”, sepse në përdorimin shkencor e publik kemi dhe pas-industrializëm, pas-strukturalizëm, pas-komunizëm, pas-kolonializëm, pas-tradicional, pas-krishterë, pas-laik, pas-racor, pas-njerëzor (angl. posthuman) e deri te e pas-vërteta (angl. post-truth). Parashtesa “pas” te të gjitha përcaktimet tregon se përdoruesit e tyre mendojnë se tashmë ato janë shteruar, e kanë kryer ciklin e tyre ose se kushtet që i bënin ato të mundura kanë ndryshuar dhe se tani po shkojmë përtej tyre, mirëpo njëkohësisht nuk e kanë të qartë se çfarë vjen pas tyre. Parashtesa “pas” tregon njëkohësisht shkëputje dhe vazhdimësi. Me të njëjtën logjikë, a mund të flasim për “pas-familje”? Familja nuk po zhduket, por po ndryshon, si pasojë e një individualizimi më të madh të jetesës.

*          *          *

Le ta shohim se çfarë ka ndryshuar te familja dhe çfarë ka mbetur e njëjtë. Në epokën paraindustriale, familja ishte një njësi riprodhuese dhe prodhuese. Burri, gruaja e fëmijët kishin role të caktuara në procesin e prodhimit. Në fshatra, ekzistonte familja e gjerë, e cila ishte e përshtatshme për punën bujqësore. Po ta përdorim terminologjinë e Dyrkeimit, solidariteti familjar ishte mekanik, sepse familja ishte e pandarë nga fisi ose farefisi. Fisi kishte më shumë rëndësi sesa anëtarët e tij dhe kjo ishte e rrënjosur në zakone e tradita. Për të dhënë një shembull të skajshëm, dukuria e gjakmarrjes në malësitë e Shqipërisë së Veriut bazohej te ideja e shenjtërisë dhe e mbrojtjes së fisit, për hir të të cilit meshkujt individualë ishin të flijueshëm. Për pasojë, të rinjtë martoheshin herët dhe gratë duhej të lindnin sa më shumë fëmijë meshkuj. Në disa raste praktikohej “martesa me provë”, që do të thotë se martesa njihej si e vlefshme vetëm pasi gruaja kishte lindur djalin e parë. Njohja ose dashuria paramartesore e të rinjve nuk luante ndonjë rol në martesë, madje për nevoja të familjes ose fisit martesat e ardhshme mund të lidheshin apo të premtoheshin qëkur fëmijët ishin në djep. Ndërvarësia midis anëtarëve të familjes së gjerë ishte më e fuqishme sesa ndjenjat e dashurisë apo urrejtjes midis tyre: të gjithë punonin e jetonin së bashku dhe i bindeshin kryefamiljarit. Familja rrallëherë shpërbëhej.

Me industrializimin dhe urbanizimin e jetës shoqërore, familja e gjerë nisi t’i humbasë funksionet e saj që nuk u përgjigjeshin nevojave të punës. Familja bërthamë ishte më e përshtatshme për punën në fabrika dhe për banimin në apartamente. Në shtetet e zhvilluara kapitaliste mbizotëroi norma dhe morali i familjes borgjeze, në të cilën burri punonte jashtë banesës, gruaja kujdesej për fëmijët dhe punët brenda banesës, fëmijët deri në një moshë të caktuar shkolloheshin dhe përgatiteshin për profesionet e ardhshme. Në gjysmën e parë të shek. XX ndodhi një ndryshim i madh, që gjithsesi e ruajti normën e familjes bërthamë: përfshirja masivisht e gruas në punë e profesione jashtë banesës. Regjimet socialiste e shtynë përpara këtë zhvillim në emër të emancipimit të gruas, ndërsa në shoqëritë kapitaliste ky ndryshim ishte gradual dhe “gruaja shtëpiake” ishte një mënyrë jetese që gratë e arsimuara dhe të punësuara mund ta zgjidhnin pas martesës apo pas lindjes së fëmijëve. Mbarëvajtja e familjes bërthamë bëhej e mundur nga një sërë institucionesh karakteristike për shoqëritë moderne: maternitetet, çerdhet, kopshtet, shkollat, kurset e natës, azilet etj. Familja bërthamë u karakterizua nga një jetesë më individualiste. Puna e secilit u jepte partnerëve një pavarësi ekonomike dhe u garantonte pensionin dhe për pasojë kërkesat për dashuri e mbështetje emocionale e për ndarje më të barabartë të detyrave familjare e shoqëronin familjen. Për pasojë, ndarjet e çifteve dhe abortet u bënë praktika të jetës familjare, që ligji u detyrua t’i njihte, duke kapërcyer konsiderata tradicionale e fetare.

Për njëfarë kohë u duk sikur norma e familjes bërthamë – prindërit në punë dhe fëmijët e tyre në qendrat arsimore – do të ishte institucioni më i qëndrueshëm i modernitetit. Mirëpo, në mënyrë të heshtur vijuan ndryshimet që sot po e vënë në dyshim (për disa) vetë ekzistencën e “bërthamës së shoqërisë”. Në radhë të parë është rimodelimi i roleve gjinore në familje. Gruaja moderne nuk priret më ta mendojë martesën dhe familjen si rrugën e vetme për siguri ekonomike dhe plotësimin vetjak, sepse gjithnjë më shumë arsimimi e profesioni po dalin në planin e parë. Për pasojë, të dyja gjinitë e kanë shtyrë moshën e martesës dhe e kanë kufizuar numrin e lindjeve. Në radhë të dytë, mbështetja e institucioneve publike për familjen bërthamë është në rënie dhe familjet po kërkojnë alternativa me kosto më të larta për veten dhe fëmijët (makina në vend të transportit publik, shtëpi në periferi për shkak të ndotjes dhe zhurmës urbane, dado në vend të çerdheve, shkollim privat, shëndetësi private, kurse profesionale private, azile private etj.). Pasoja është ulja e numrit të fëmijëve, nga mesatarisht dy në një, ose vendimi i çiftit për të mos lindur fëmijë.

Familja është një shqetësim i përditshëm. Ajo është një projekt për të cilin duhen bërë reflektime duhet të merren vendime, në mënyrë të vazhdueshme. Derisa fëmijët shpenzojnë më shumë kohë në veprimtari të organizuara jashtë shtëpisë, si sporte, pikturë, vallëzim, muzikë etj., jeta familjare zhvillohet jashtë shtëpisë më shumë se më parë. Cili nga çifti duhet të bëjë detyra të caktuara gjatë ditës? Si duhen bashkërenduar oraret e secilit? Kush e ka më të nevojshme a përdorë makinën e përbashkët? Çfarë rolesh apo detyrash do t’u delegohen gjyshërve apo të tjerëve që e mbështesin familjen? Sa kohë të lirë do të ketë secili për t’u marrë me veten dhe kur? Por, pyetja më e rëndësishme është se cili nga të dy duhet të sakrifikojë më shumë sesa tjetri në një fazë të caktuar të jetës. A duhet të dalë gruaja nga puna për t’u kujdesur për fëmijët? A mundet një “burrë shtëpiak” ta përballojë stigmatizimin kulturor që ende ekziston për rolet gjinore?

Familjet me kultura të përziera kanë qenë të rralla dikur dhe zakonisht ishte gruaja ajo që zhvendosej në vendin e burrit dhe “asimilohej” në kulturën pritëse. Me rritjen e emigrimit në shkallë botërore, martesat e përziera janë shtuar dhe mënyra e tyre e jetesës është bërë shumëkulturore. Te cili nga vendet do të jetojmë? Kush nga ne të dy do të zgjedhë të largohet prej farefisit e shoqërisë së vet dhe të jetojë në një vend të huaj, pa dokumentet e duhura për punësim, që do të thotë se do të jetë më i varur nga tjetri (të paktën për një kohë të caktuar)? Cilën gjuhë do ta mësojnë së pari fëmijët tanë? Në cilën fe do t’i pagëzojmë apo sipas cilës fe do t’i rrisim? Ndodh që vendbanimi i përhershëm nuk është i asnjërit prej çiftit dhe që fëmijët e tyre nuk e mësojnë asnjërën prej gjuhëve të prindërve, kësisoj duke e vështirësuar komunikimin me farefisin e të dy krahëve.

Familjet pas divorcit kanë dilema të tjera. Njëri nga prindërit, zakonisht babai, largohet dhe duhet negociuar kontributi i tij për rritjen e fëmijëve dhe praninë e tij fizike në familje. Situata ekonomike zakonisht përkeqësohet pas ndarjes. Nënës i duhet ta riorganizojë të gjithë ritmin e jetës dhe t’u kërkojë ndihmë shtesë prindërve e familjarëve të tjerë të saj. Të dy ish partnerët mund të nisin lidhje të tjera, martesa të tjera, të kenë fëmijë të tjerë, duke i ndërlikuar në këtë mënyrë raportet prindër-fëmijë. Në një rast hipotetik, ku burri dhe gruaja pas ndarjes kanë secili disa lidhje apo martesa me fëmijë, lidhjet familjare bëhen të paqarta për fëmijët e tyre, sepse secili ka prindër biologjikë e jobiologjikë, vëllezër, motra, gjyshër, teze, halla, daja, e kushërinj të parë prej prindërve biologjikë dhe prej prindërve jobiologjikë. Një dukuri e përhapur e situatës pas ndarjes, që thuajse është bërë normë për familjet me një prind, është ajo kur fëmija gjatë javës jeton me nënën biologjike dhe me njerkun, ndërsa në fundjavëdhe në pushimet verore kalon kohë me babanë biologjik dhe vëllezërit ose motrat nga babai. Mirëpo, ndodh dhe që fëmijët të bëhen pjesë e grindjeve para dhe pas ndarjes së prindërve dhe traumat e pësuara mund të vështirësojnë marrëdhëniet me të dy prindërit dhe jetën e tyre në çift në moshë të rritur. Përfundimi i pritshëm është që ata, pasi kanë përjetuar dështimin e një martese, ta marrin me më shumë rezerva institucionin e familjes.

*          *          *

Familja bërthamë po përballet me sfidat e kohës, që janë individualizimi i mëtejshëm i jetesës moderne dhe dobësimi i institucioneve publike që e kanë mbështetur familjen në epokën moderne. Ajo po bashkekziston me trajta më të çlirëta ose “alternative”. Disa çifte e praktikojnë bashkëjetesën si një paradhomë të martesës me kurorë ose si martesë faktike më “cool”. Në skajin tjetër, çifte të kurorëzuara e me fëmijë jetojnë secili në banesa të ndara me prindërit përkatës, sepse e kanë të pamundur të marrin me qira ose me kredi banesën e tyre familjare. Po kështu, ka çifte të së njëjtës gjini që faktikisht jetojnë së bashku edhe në shtete ku ligji nuk i njeh si familje. Atyre nuk u lejohet të adoptojnë fëmijë, por në krahun tjetër një grua mund ta krijojë familjen e vet, pa pasur nevojë për një burrë që t’i japë atësinë fëmijëve të saj biologjikë. Familja është streha e parë e njeriut dhe institucioni i parë shoqërizues, por nuk mohohet as fakti se dhuna ndodh edhe brenda familjes.

Mënyrat e jetesës sot janë më të larmishme se disa dekada më parë, por lidhjet shoqërore janë bërë më të paqëndrueshme dhe të përkohshme. Familja nuk përbën përjashtim.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X