loader image
October 14, 2024

Pamendësia dhe pakmendësia

Shqiptari, për ta bërë shtetin, edhe jetën e jep, por pastaj për para të zeza e shet popullin. Shqiptarët, me biseda boshe, e trajtojnë edhe bashkimin kombëtar, të cilin s’e kuptojnë se nuk servohet në pjatë si një pulë e pjekur. Atë mund ta bëjnë vetëm ato koka që paralelisht janë të zgjuara, të ditura dhe të përgjegjshme. Kurse e prishin ato të tjerat. 

Mersel BILALLI, Gostivar

Gjatë kohës së diktatorit Enver Hoxha, propaganda mediale kishte bërë që popullata shqiptare jashtë shtetit amë ta përjetojë Shqipërinë si Kopshti i Edenit. Nën efektin e propagandës të shtetit më të mbyllur në botë, këta shqiptarë e konsideronin veten si Adami e Eva, që ishin përjashtuar nga parajsa! Madje, në një farë mënyre, derisa shqiptarët e Shqipërisë masovikisht iknin nga Shqipëria sapo ajo u pat hapur në vitin 1990, shqiptarët nga ish Jugosllavia shkonin në Shqipëri për t’u çmallur. Të takuar në mes të rrugës, ata nuk e kuptonin njëri-tjetrin në shumë synime, qëllime e ideale. Të parët iknin nga sytë këmbët, kurse të dytët vinin të etur për të parë mrekullinë që kishin ndërtuar në imagjinatën e tyre si pasojë e një propagande të pashoqe. E kur realiteti takohej me imagjinatën, pa dilemë se produkti kryesor vinin keqkuptimet epokale.

Sigurisht se të gjithë shqiptarët e Ballkanit e kanë pikë referimi Shqipërinë kur vjen puna e bërthamës shtetformuese të tyre dhe pa dyshim se në rast krize do të ishin përkrah saj. Sikur është e shkruar në gjen që shqiptari, pavarësisht ku jeton, shqiptarin tjetër e konsideron si “vëlla” para të huajve.

Por, kjo nuk do të thotë se shqiptarët e varfëruar dhe të shpërngulur përherë do të veprojnë ashtu mes vete. Interesat specifike bëjnë që shqiptarët në rajon, ekonomikisht, kulturalisht dhe elektoralisht, të sillen ndryshe. Vitin që shkoi, disa politikanë të Shqipërisë sikur u befasuan që shqiptarët nga Mal të Zi as ua fërshëllyen për votimet që u bënë atje. Shqiptarët në Ballkan, ende e kanë të fuqishëm shqiptarizmin emocional si pikë referimi. Pa dyshim që edhe në raste të destabilizimeve të mëdha gjeopolitike ata serish do ishin bashkë. Por, kjo nuk do të thotë që shqiptarët në Ballkan të sillen njëjtë edhe elektoralisht, politikisht dhe ekonomikisht. Politikanët e Shqipërisë mbetën të habitur që shqiptarët e Malit të Zi nuk ua fërshëllyen për votimet e fundit në përkrahje të Gjukanoviqit, me çka fitoi blloku proserb. Po ashtu, sot Kurti dukshëm e ka zbehur dioptrinë e kosovarëve për parajsën e Tiranës.

Por, nuk ka vend për habi e as për dëshpërim. Duket se tanimë paternalizmi i politikës së Shqipërisë mbi shqiptarët në Ballkan është një histori e kaluar. Ky është një mit i ftohur që ndokush me inerci ose djallëzi u thoshte ndërkombëtarëve: “Shihni dhe matuni mirë me ne, sepse ne komandojmë jo vetëm Shqipërinë, por edhe kartën e ndezjes së Ballkanit! Shqiptarët mund të jenë afro gjashtë milionë në Ballkan. Një numër i madh të asimiluar jetojnë në Turqi, kurse më pak në Itali (arbëreshët), në Greqi (arvanitët), në Ukrainë, Egjipt etj. Por, dekadave të fundit, ata janë në shtim ekspansiv në shumë vende europiane, por pa kurrfarë institucionalizimi kulturor që rrezikon shkrirjen e tyre në ambientet ku jetojnë.

Por, s’ka dilemë se Shqipëria, në një formë fluide të automatizuar dhe të padukshme, reflekton në pjesët e tjera të shqiptarisë. Njësoj si Gjermania që rrezaton mbi Austrinë, Zvicrën, Holandën dhe popullsitë gjermane, në Poloni, Hungari, Bjellorusi, Çeki etj. Njësoj si Franca mbi Monakon, Luksemburgun, popullsitë frankofone në Zvicër, Belgjikë etj. Sikur Rusia mbi vendet sllave përreth etj.

Pa dallim divergjencave lokale, ka edhe mendime kafenesh që edhe politikën amerikane e shpjegojnë sipas ndikimit të votës së emigrantëve me origjinë shqiptare në SHBA! Në njëfarë mënyre, kështu shqiptaria në këto mendje disi me imagjinatë të avancuar vazhdon të mendojë se paska ndikim botëror. Kjo u ngjason viteve kur dëgjohej “Ju flet Radio Tirana” dhe të gjithë shqiptarët binin në gjunjë në shenjë respekti dhe nënshtrimi. Aq e verbër ishte kjo sjellje, saqë në fund u arrit që shqiptarët brenda Shqipërisë nuk donin më as t’ia ndienin erën propagandës së tillë, por ndiqnin me etje dhe pasion mediat serbe, jugosllave, greke, italiane, madje edhe “Zërin e Amerikës”! Historia dikur i jepte të drejtë idesë se Shqipëria është një mekanizëm përmbledhës i shqiptarëve në Ballkan nga pikëpamja e frymëzimit, orientimit dhe ëndërrimit politik. Por, ja që një kohë jo aq e gjatë ketë po e demanton.

 

Gjeopolitika në Ballkan!

 

Ideja se Shqipëria është orientuesi i gjeopolitikave të shqiptarëve të Ballkanit, është një inerci e një tradite të gjatë në mendësitë dhe nostalgjitë tona kombëtare që kërkojnë një qendër. Sa herë dëgjojnë historira me vezirë me origjinë shqiptare dhe pas faktit të vërtetë ndërtohet teza e rrejshme se kanë qenë shqiptarët ata që kanë udhëhequr Perandorinë Osmane. Madje, ne kemi edhe tezën se midis shqipes së tanishme dhe gjuhëve të tjera ka një marrëdhënie që vjen nga fakti se shqipja është drejtpërdrejt e ardhur nga sanskritishtja dhe pellazgjishtja, kurse gjuhët e tjera europiane duke iu spërdredhur fjalët vijnë nga fjalët shqipe të sotme!

Këtu ka ndikuar edhe një dëshirë për ta lindur dhe forcuar ndjenjën e identitetit kombëtar, duke e vendosur atë në formën e një etnocentrizmi të agravuar në qendër të kulturave të larta! Dihet nga antropologjia se të gjitha fiset kanë ecur me mitin e asaj që ne jemi të vegjël, por origjina jonë është hyjnore! Ndërkohë ne nuk jemi as më të këqij nga origjina, por nuk ka përse të jemi më të mirë se italianët, anglezët, gjermanët, madje edhe shumë të tjerë. Çdo popull ka dinjitetin dhe historinë e vet! Kjo duket edhe kur e marrim drejtimin me automatizëm të një organizate ndërkombëtare. Menjëherë na zgjohet deliri i të qenit në qendër të gjeopolitikave botërore, ndërkohë që realisht jemi krejt në periferi të tyre. Na ndodh sapo bëhemi të pakënaqur: kur BE-ja na e përplas derën në fytyrë, duke iu hakërryer si fëmijë të zemëruar: “Ta shihni se me kë do të lidhemi ne tani!”

Gjatë historisë, trojet shqiptare kanë shërbyer si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, andaj edhe janë pushtuar nga shumë perandori (nga ajo romake, bizantine, fiset barbare, Perandoria Osmane, sllavët etj. Si interes për kontrollim të korridoreve dhe nevojës për dalje në detet e jugut edhe Rusia tepër shumë ka qenë e preokupuar në eliminimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Të njëjtën gjë ajo tenton edhe sot. Por, nevoja për një baraspeshë rajonale ka bërë që Perëndimi të qëndrojë në vazhdimësi në anën e shqiptarëve.

Andaj, shqiptarët nuk kanë nevojë për njëmendësi. Ata duhet te faktorizohen ekonomikisht në Ballkan, të cilën gjë nuk e bëjnë sepse ose s’e dinë se çka është ose janë të pasionuar me më të keqen për një popull – korrupsionin. Ata nuk duan të dëgjojnë për merit-sistemin si çelës i shpëtimit. Shqiptari, për ta bërë shtetin, edhe jetën e jep, por pastaj për para të zeza e shet popullin. Shqiptarët, me biseda boshe, e trajtojnë edhe bashkimin kombëtar, të cilin s’e kuptojnë se nuk servohet në pjatë si një pulë e pjekur. Atë mund ta bëjnë vetëm ato koka që paralelisht janë të zgjuara, të ditura dhe të përgjegjshme. Kurse e prishin ato të tjerat.

Ky projekt fillon me tregun e përbashkët, për të cilin ata që s’dinë se çka është, hedhin gur e dru kundër tij. Ai treg do t’i plotësonte të gjitha nevojat që ka bashkimi, përmes mallrave, kapitalit, rrugëve, hekurudhave, porteve detare, telekomunikimeve. Shqipëria ka nevojë t’u japë jetë kapaciteteve të Rrugës së Kombit, Rrugës së Arbërit, Portit të Durrësit, Vlorës dhe Shën Gjinit, gaspërçuesit TAP etj.

 

Shqiptarët “më të mençurit”, “më të bukurit”!

 

Duken qesharake ato media patetike që bregdetin shqiptar e paraqesin si perla më e bukur e botës. Sigurisht, se është njëfarë perle, por të mos harrojmë se çfarë ka në këtë botë, ku Zoti, i drejtë, siç është, i ka shpërndarë bukuritë gjithandej! Po aq qesharake janë ata që shqiptarët  i paraqesim si populli “më i zgjuar”!

Të mos harrojmë se ideja e rilindjes sonë kombëtare për territorin shqiptar ishte shumë më e gjerë sesa territori i cunguar që iu la Shqipërisë në 1913, ku pjesë e madhe e popullsisë shqiptare u la jashtë kufirit të shtetit shqiptar! Kjo pjesë u frustrua rëndë, sepse u ndesh me presione të politikave shoviniste të vendeve fqinje. Andaj, Shqipëria s’kishte si të mos ishte pikë orientimi e ideali në zemrat e patriotëve shqiptarë që luftonin për liri në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi e Malin e Zi. Sigurisht, se ëndrra e bashkimit kombëtar mbetet një ëndërr e madhe!

Por, kohët sot kanë ndryshuar. Ideja se Shqipëria është qendra e orientimit politik të të gjithë shqiptarëve në Ballkan e më gjerë, sado e ëmbël të jetë, edhe për një kohë të gjatë do të mbetet një imagjinatë jashtë realitetit. Gjërat kanë ndryshuar. Tani asnjë politikan shqiptar, pavarësisht se çfarë mendon ai për veten e vet, nuk mund të ndikojë me thirrjen e tij në votën shqiptare në Greqi, Itali, Serbi, Mal të Zi, kurse për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, as që bëhet fjalë fare. Ndonjë vizitë e krerëve politikë shqiptarë të këtyre vendeve në zyrat e Shqipërisë, sado i jepet kuptimi sikur vijnë “valinjtë” e krahinave te sulltani, përsëri nuk është veçse një lojë boshe, pa asnjë themel. Fundja, kjo është jeta e sotme, ky është realiteti i sotëm.

Kjo tregon se shqiptarët në vendet ballkanike janë zgjuar politikisht dhe nuk duan “kthetrat” e paternalizmit të politikës të Shqipërisë, por ecin me mendjen e tyre. Sali Berisha, në vitet e e nëntëdhjeta, e plagosi keq Partinë për Prosperitet Demokratik, për asgjë koti. Por, sot kjo s’është më e mundur. Ajo tani nuk është më as vertikalja e as horizontalja e së vërtetës, pos një imagjinatë e të talentuarve për poezi. Për qëllime elektorale në vendet e tyre, politikanët jashtë Shqipërisë përdorin lloj-lloj nostalgjie kombëtare, edhe pse e dinë se ajo është vetëm një melodi.

Kudo në botë tanimë këto vatra civilizuese ndihen disi të shpërbëra. Kush mund të thotë tani se Spanja ose Portugalia ndikon mbi Brazilin! Kush mund të thotë se Italia ndikon vendet e romanizuara të Europës! Aq më pak Shqipëria ta ketë çelësin e orientimit gjeopolitik dhe, aq më shumë, të ndikimit politik të shqiptarëve atje ku ata jetojnë! Me logjikën e jointeligjencës, ky pretendim shkonte larg. Kështu do të dilte që edhe jeta politike në Greqi e Itali do të ndikohej fort nga shqiptarët.

Shqipëria do ta kishte ruajtur fuqinë e vet tërheqëse nëse do ishte një vend më i zhvilluar sesa vendet fqinje ku jetojnë shqiptarët. Andaj shqiptari emigrant në Itali ose në Greqi, krenohet me vendin e qëndrimit. Edhe kur ka një problem udhëtimi në ato vende, fajtorin e lyp te shteti amë. Shqiptarët e Kosovës shkojnë në plazhet e Shqipërisë të lahen, shpëlahen e nxihen, por nuk janë gati t’i kundërshtojnë barrierat doganore me Shqipërinë. Prodhimet e tregut të tyre i mbrojnë me fanatizëm dhe shumë mirë bëjnë, sepse interesat janë të ndara “vëlla me vëlla, gjiza me pare”.

Pra, sot çdo gjë ka ndryshuar. Shqiptarët edhe në Shqipëri nuk ndjekin të njëjtin orientim politik me njëri-tjetrin, e jo më me shqiptarët e zonave dhe krahinave të shteteve të tjera në Ballkan. Me një fjalë, edhe një politikan në Shqipëri, cilido qoftë ai, nëse apelon në ndonjë orientim politik për shqiptarët jashtë Shqipërisë, me siguri do e shihnin të habitur njëri-tjetrin. Madje, edhe shqiptarët në komunat dhe zonat e tyre elektorale nuk preferojnë unitarizmin elektoral as në afërsi. Votojnë parti me drejtues, me programe dhe me ideologji të ndryshme. Imagjinoni çfarë fyerjeje kur vetë votoni siç dëshironi, kurse shqiptarëve në fqinjësi u sugjeroni si “dele” të votojnë, pra gjithë bashkë, kombëtarisht, e jo sipas orientimeve të tyre politike.

Sepse nuk duhet harruar që shqiptari në shoqëritë ku jeton në Ballkan nuk është një qenie që ka vetëm një identitet, atë që ia jep origjina kombëtare, por ka edhe interesa si qytetar i një shteti që nuk është Shqipëria. Ai është një i papunë (thellë i dëmtuar nga partitë që ka të drejtë të mos i përfill) ose është një zejtar, një bujk ose që ka një biznes të vetin dhe mund t’i pëlqejë një opsion tjetër. Jeta është shumë e ndërlikuar, andaj realiteti politik dhe ajo nuk ndahen në “shqiptar versus shqiptar”.

Por, brengosëse është që partitë politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës po vazhdojnë të funksionojnë pa koncept, pa ide, madje edhe pa ideologji. Synim e kanë vetëm pushtetin, kurse për zhvillim të shoqërisë nuk çajnë kokën. Keqpërdorimet afatgjate të pushtetit i kanë deformuar shoqërinë shqiptare, kurse popullatës ia kanë imponuar shpërnguljet e përmasave trishtuese. Me përjashtime të vogla, partitë shqiptare udhëhiqen nga struktura shumë larg asaj që duhet të jenë. Së pari, në to vështirë se gjen mendje të hapur, aq më pak profesionale, në kohën kur partitë europiane brenda vetes formojnë edhe institute analitike shkencore. Me fjalë të thjeshta, dallimi me ta është sikur për një sëmundje të rëndë të shkoni te një mjek popullor ose te një institut elitar shëndetësor.

Shoqëria shqiptare, edhe pas 34 viteve, ende s’ka të ndërtuar vlera dhe koncepte zhvillimore. S’ka institucionalizim të profesionalizuar, madje as sistem meritor. Këto janë çelësi i ekzistencës dhe i zhvillimit të një shoqërie. Andaj jemi në humbje edhe të shoqërisë edhe të vlerave. Na mbetet fati i hebrenjve të Mojsiut. Sot nga Maqedonia është larguar më shumë se 60% e popullatës shqiptare (në dominim absolut ajo rinore). Kur gomari hyn në pallat, ai nuk bëhet mbret, por pallatin e shndërron në stallë. Madje, asnjë parti politike nuk ka koncept se çka duhet bërë! Kurse për ata që përkrahin djallin, xhehnemi mbetet si dhuratë. Kështu e paska jeta. Për dekada jetonim në njëmendësi funksionale. Në vitet e nëntëdhjeta përqafuam një pamendësi, ndërsa tani vazhdojmë me pakmendësi!

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X