loader image
December 12, 2024

Murtezani: Ky nuk do të jetë dimri i fundit i vështirë

Intervistë me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë MEPSO, Orhan Murtezani

Ky nuk do të jetë dimri i fundit i vështirë

“Edhe pse Bashkimi Europian importon më së shumti produkte të naftës, vendin e dytë e zë gazi, i cili shënon rritje konstante. BE-ja importon më së shumti gaz nga Rusia (43.4 për qind në 2020), e ndjekur nga Norvegjia (20 për qind). Kjo tablo trego qartë se kjo temë jo vetëm që do të tërheqë më shumë vëmendje, por do të mbetet aktuale edhe pas tejkalimit të këtij dimri, i cili, siç duket, nuk do të jetë dimri i fundit i vështirë për shtetet anëtare të BE-së, por edhe më gjerë”, thotë Murtezani.

Intervistoi: Ismail SINANI

Foto: Rromir IMAMI

Kriza energjetike që ka mbërthyer gjithë Europën e, rrjedhimisht, edhe rajonin tonë, është në fokus të intervistës së zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë MEPSO (Operator i Sistemit Elektrotransmetues i Republikës së Maqedonisë së Veriut), Orhan Murtezani. Ai është në këtë detyrë që nga janari i vitit të shkuar dhe, ndonëse relativisht i ri në moshë, duke pasur përvojën e mëparshme të drejtorit të Hekurudhave të Maqedonisë, si ekonomist i mirëformuar, sot e ushtron me përgjegjësi detyrën në kompaninë më të rëndësishëm të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. MEPSO është kompani shtetërore, e themeluar në vitin 2005. Aktiviteti parësor i MEPSO-s është transmetimi i pandërprerë i energjisë elektrike përmes rrjetit të tensionit të lartë, menaxhimi i sistemit elektroenergjetik, si dhe furnizimi i rregullt dhe përcjellja në kohë e energjisë elektrike deri te klientët e saj. Dy funksionet kryesore të MEPSO-s janë: transmetimi i energjisë elektrike dhe menaxhimi i sistemit elektroenergjetik. MEPSO është përgjegjës për transmetimin e rregullt të energjisë elektrike nga kufiri i shtetit deri në rrjetin shpërndarës të EVN-Maqedoni ose deri te konsumatorët e drejtpërdrejtë.

Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Orhan Murtezani, në këtë intervistë, flet për efektet e shtrenjtimit të energjisë elektrike, por edhe për shkaqet se si ka arritur kriza deri në këtë shkallë. Ai nuk shprehet optimist se kriza energjetike do të tejkalohet shumë shpejt.

SHENJA: A mund të na thoni shkurt e troç, çka ndodhi me energjinë elektrike? Pse u bë kjo krizë dhe çka e shkaktoi atë? Ju lutem na tregoni gjenezën e kësaj krize!

MURTEZANI: Për ta kuptuar më saktë gjenezën e krizës energjetike, e cila shenjat e para i shfaqi në korrik-gusht të vitit 2021, doemos duhet të kthehemi në periudhën e pandemisë dhe duhet parë disa hapa të cilat janë ndërmarrë në sferën e energjetikës në nivel të Bashkimit Europian. Rikthimi gradual në normalitet pas mbylljes gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 rezulton të jetë nga shkaqet kryesore, kjo për arsye se impiantet e prodhimit të energjisë nuk mund të riktheheshin me dinamikën e nevojshme për ta furnizuar kërkesën tanimë të rritur për energji elektrike. Nëse i lëmë mënjanë arsyet gjeopolitike, periudha post-pandemisë korrespondon me tendencën e shumë vendeve të Bashkimit Europian, si Gjermania, të cilat filluan të braktisin prodhimin e energjisë nga thëngjilli dhe impiantet bërthamore dhe të orientohen drejt energjisë nga burimet e ripërtëritshme, për ta realizuar kështu strategjinë për një energji të gjelbër. Derisa të përmbyllet ky transformim, burimi i vetëm për prodhimin e energjisë mbetet gazi, që nënkupton se gjithë ajo energji e prodhuar nga thëngjilli dhe lëndët e tjera djegëse, si dhe nga impiantet bërthamore, tani duhet të prodhohet nga gazi. Në kohë të rritjes së kërkesës për gaz, përderisa furnizues kryesor paraqitet Rusia, kjo shkaktoi rritje enorme të çmimit të energjisë në treg. Në këto rrethana aspak të volitshme, gjatë verës së vitit 2021, prodhimi i energjisë nga era shënon rënie, kjo si pasojë e uljes së intensitetit të erës, ndërsa konsumi i energjisë rritet për shkak të verës mesatarisht më të nxehtë. Nëse ia shtojmë kësaj edhe faktin se energjia elektrike, e prodhuar nga lëndë djegëse që shkaktojnë ndotje, në nivel të Europës është, e detyruar të paguajë për dëmin e shkaktuar mesatarisht 50-60 euro për MWh, bëhet e qartë pse nga fundi i verës së vitit 2021 situata doli nga kontrolli.

SHENJA: Thellimi i konfliktit në Ukrainë, duke mos lënë asnjë shteg për rrugëdalje, si duket meriton një analizë edhe më te veçantë. Bashkimi Europian, si ekonomia më e madhe në gjithë globin, tashmë ka filluar të ketë luhatje të mëdha brenda vetvetes. A ka gjasa që këto lëkundje me bazë energjetike të marrin një intensitet edhe më të madh?

MURTEZANI: Me fillimin e normalizimit të gjendjes pas pandemisë, në shumë ekonomi të vendeve të BE-së, por edhe më gjerë, filloi të shfaqet një shkallë shqetësuese e inflacionit, problem ky i cili pas invazionit rus në Ukrainë mori përmasa shqetësuese. Aktualisht, në eurozonë shkalla mesatare e inflacionit tejkalon 10 për qind. Bashkimi Europian edhe më tej vazhdon të mbetet shumë i varur nga burimet e jashtme të energjisë. Sipas EUROSTAT-it, në vitin 2019 varësia arriti në 60.7 për qind. Edhe pse Bashkimi Europian importon më së shumti produkte të naftës, vendin e dytë e zë gazi, i cili shënon rritje konstante. BE-ja importon më së shumti gaz nga Rusia (43.4 për qind në 2020), e ndjekur nga Norvegjia (20 për qind). Kjo tablo trego qartë se kjo temë jo vetëm që do të tërheqë më shumë vëmendje, por do të mbetet aktuale edhe pas tejkalimit të këtij dimri, i cili siç duket nuk do të jetë dimri i fundit i vështirë për shtetet anëtare të BE-së, por edhe më gjerë. Kjo, sidomos, për faktin se gjithçka që tani funksionon me gazin rus, për ta ulur varësinë synohet të elektrifikohet, gjë që pashmangshëm kërkon rritje të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike. Për hir të kësaj, aktualisht mund të vërehet që shumë anëtare të Bashkimit Europian po e hedhin në plan të dytë ambientalizmin. Edhe përskaj masave dhe pakove të shumta për përballje me krizën energjetike, nga kjo perspektivë, solidariteti ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe fushatat për kursimin e energjisë elektrike, qartazi shihet që mungesa e energjisë elektrike nuk mund të mbulohet as nga afër.

SHENJA: Vendet e vogla e të brishta, siç janë këto në Ballkan, tashmë janë përfshirë nga një valë e lartë e defetizmit, sepse askush nuk po arrin ta gjejë recetën për të shpëtuar nga ky makth. Ku e gjen Maqedonia e Veriut veten në këtë krizë energjetike?

MURTEZANI: Maqedonia e Veriut është e varur nga importi për mbulimin e nevojës për energji elektrike. Kështu në vitin 2021 neto-importi arriti 33,15 për qind, ndërsa në vitin 2020 neto-importi arriti në 31,38 për qind. Ky realitet nënkupton që ne si shtet nuk jemi imun nga kriza energjetike në tregun europian. Dy momente themelore e paralajmërojnë paraqitjen e krizës energjetike edhe në tregun tonë: rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe pamundësia e Elektroekonomisë së Maqedonisë – ESM (ndërmarrja për prodhimin e energjisë elektrike) për t’i plotësuar nevojat vendore për energji elektrike. Aktualisht, edhe pse ka dilema serioze, po duket se, sipas të gjithë gjasave, ESM-ja do të arrijë t’i mbulojë vetëm nevojat e furnizuesit universal (EVN), ku bëjnë pjesë amvisëritë dhe 72000 kompani të vogla dhe të mesme, por jo edhe industrinë. Për ta pasur edhe më të qartë seriozitetin e situatës, niveli i hidro-akumulacionit aktualisht është vetëm 25 për qind, pothuajse i pamjaftueshëm vetëm për ta menaxhuar sistemin SH.A. MEPSO, e lëre më edhe për prodhimin e energjisë elektrike nga uji.

SHENJA: Të kthehemi pak te temat më lokale, më konkrete. Kur janë ndjerë efektet e para të krizës? Çfarë nënkupton kriza energjetike për rrjetin e transmetimit?

MURTEZANI: Në periudhën e krizës së energjetike, pra me shfaqjen e rritjes së papritur dhe të madhe të çmimeve në bursat referente nga rajoni, disa nga furnizuesit me energji elektrike përballen me ndërprerjen e njëanshme të kontratave dypalëshe, si dhe me pamundësinë për të siguruar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike për t’i përmbushur detyrimet për klientët e tyre. Pra, prodhuesit, të cilët kanë firmosur kontrata për shitjen e energjisë me çmime 40-50 euro për MWh, kur në bursë çmimi u rritet shumëfish, i ndërpresin njëanshëm kontratat dhe energjinë elektrike e shesin në bursë. Nga ana tjetër, furnizuesit të cilët mbesin pa burim energjie, detyrohen ose të blejnë energji sipas çmimeve të reja në bursë dhe t’i furnizojnë klientët me çmimin e vjetër, pra të punojnë me humbje ose të bëjnë devijim, pra ta shfrytëzojnë energjinë elektrike të SH.A. MEPSO, që është e destinuar për balancimin e rrjetit. Kjo e fundit, për shkak se e rrezikon tej mase rrjetin e transmisionit bashkë me penalet për devijim, është më e shtrenjtë edhe se çmimi në bursë. Nga ana tjetër, ESM, sidomos në muajin tetor, për shkak të defekteve dhe problemeve me prodhimin, filloi të tërheqë energji elektrike nga sistemi. Për këto arsye vjen deri tek aktivizimi i konsiderueshëm i rezervave të sistemit nga SH.A. MEPSO, por edhe tërheqja e energjisë elektrike nga interkoneksioni europian. Përdorimi i rezervave të sistemit, si dhe tërheqja e energjisë elektrike nga interkoneksioni europian rezultoi me fatura jashtëzakonisht të larta për shlyerjen e disbalancave për ato palë përgjegjëse që devijuan më shumë. Për ta bërë më të qartë, vetëm në muajin tetor devijimet, pra rryma e tërhequr nga sistemi, kapi vlerën mbi 30 milionë euro ose gati 95 mijë MWh.

SHENJA: Sa është kostoja e përgjithshme e krizës, deri tani, për kompaninë që ju drejtoni?

MURTEZANI: Vetëm për vitin 2021, për tërheqje nga sistemi dhe interkoneksioni europian, SH.A. MEPSO ka regjistruar devijime në vlerë prej mbi 60 milionë euro, ku vetëm ESM participon me mbi 50 për qind. Pjesa tjetër është e furnizuesve dhe pjesëmarrësve në treg. Një pjesë e këtij borxhi është riprogramuar dhe kompanitë e paguajnë me këste, ndërsa për pjesën e mbetur, rreth 11 milionë euro, janë ngritur procedura gjyqësore dhe llogaritë e disa kompanive janë bllokuar.

SHENJA: Për dallim nga viti i kaluar, çfarë masash preventive janë ndërmarrë rreth krizës së njëjtë?

MURTEZANI: Në vitin 2021, kriza energjetike i kapi pothuajse të gjithë të papërgatitur. Duke u nisur nga një përvojë e tillë, e veçanërisht nga tërheqja e madhe e papritur e energjisë elektrike nga sistemi, fillimisht filluam një proces të ndryshimit të rregullave të tregut, sepse në atë kohë Sh.A. MEPSO kishte një pasqyrë të përditshme vetëm për energjinë elektrike të cilën furnizuesit e blejnë në tregun e hapur, por jo për kontratat e furnizimit. Megjithatë, për të monitoruar dhe përcaktuar se sa është devijimi i furnizuesit për çdo orë, nevojiten të dhëna për sasinë e energjisë elektrike të blerë (konsumi i planifikuar) dhe konsumin e realizuar. Sipas rregullave të reja të tregut, të cilat janë në pritje të miratimit nga Komisioni Rregullator i Energjisë (KRRE), ne si MEPSO do të kemi pasqyrë në bazë ditore të konsumit të planifikuar, pra nominimeve, dhe në rast të mospërputhjes do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë për të parandaluar devijimet, me çka do e mbrojmë sistemin dhe në të njëjtën kohë do të parandalohen pasojat financiare për kompaninë. Një hap tjetër është edhe rritja e garancive bankare për pjesëmarrësit e tregut. Ka kompani, të cilave garancitë bankare u janë tre-katërfishuar.

Pastaj, duke u nisur nga fakti se, përpos që disa kompani kishin garanci të vogla, ato janë themeluar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me kapital themelues prej 5000 euro. Edhe pse kemi iniciuar procedura gjyqësore, është shumë e vështirë që ato borxhe të arkëtohen. Të mësuar nga kjo, gjatë ripërtëritjes së kontratave kemi shtuar klauzolën e përmbarimit për të gjitha palët përgjegjëse.

Gjithashtu ndër hapat e parë të cilat i kemi ndërmarrë ishin masat antikrizë për racionalizimin e shpenzimeve dhe plani për investime të kompanisë. Në kohë krize është shumë e rëndësishme ta dini saktë gjendjen financiare të kompanisë dhe të siguroni likuiditet, pra cash flow të qëndrueshëm. Pikërisht për këtë, menjëherë kemi bërë shkurtimin e Programit Vjetor të Investimeve për vitin 2022, duke i optimizuar dhe racionalizuar investimet në vlerë të përgjithshme prej 641.662.956 denarësh ose 10.433.544 euro, gjegjësisht zvogëlim prej 24 për qind të mjeteve të planifikuara. Nga masat e kursimit, vetëm në bazë të shpenzimeve për udhëtime zyrtare, derivateve për vetura zyrtare dhe telefonisë celulare për gjashtë muajt e parë të vitit 2022, kemi arritur të kursejmë rreth 7 milionë denarë.

SHENJA: Në këtë kontekst, edhe partia juaj (Alternativa) pati premtuar se deri në fund të këtij viti nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. A ia keni dalë ta mbani këtë premtim apo kriza e përgjithshme ka ushtruar trysni edhe në këtë plan?

MURTEZANI: Pjesë e marrëveshjes disapikëshe për përfshirje të Alternativës në qeveri ishte edhe mosrritja e çmimit të energjisë më shumë se 20 për qind gjatë viti 2022. Unë personalisht prej në fillim kam qenë pjesë e Këshillit Energjetik, të cilin e udhëheq Kryeministri, por edhe pjesë e të gjitha grupeve punuese për çmimin e energjisë elektrike, por edhe për përballje me krizën energjetike. Gjatë punës së këtyre grupeve punuese në vazhdimësi kemi këmbëngulur që të gjenden mekanizma tjerë ku shteti do të marrë mbi vete pjesën më të madhe të rritjes së çmimit, ndërsa pjesa më e vogël t’u mbetet qytetarëve. Nga kjo perspektivë, duke pasur parasysh që rritja e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë as që i është afruar 20-përqindisht, andaj mund të themi se Alternativa me sukses ka arritur ta përmbushë këtë premtim.

SHENJA: Kohëve të fundit, investimet ne panele fotovoltaike janë bërë trend në këtë pjesë të globit. A paraqet zgjidhje kjo për krizën energjetike apo është vetëm masë që mund ta zbusë krizën?

MURTEZANI: Shfaqja e krizës energjetike dhe mungesa e energjisë shkaktoi një shpërthim të paparë të kërkesave për investime në panele fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike. Këto panele, ashtu si edhe burimet e tjera të ripërtëritshme, mund të ndihmojnë, por assesi nuk janë zgjidhje për krizën. Madje, nëse ky ortek i kërkesave për investime të këtilla nuk menaxhohet siç duhet nga institucionet, mund t’i shkaktojë dëme të mëdha sistemit të transmetimit. Zgjidhje afatgjate për krizën janë kapacitetet e prodhimit që nuk varen nga kushtet klimatike, pra energji bazike nga impiante prodhimi termo, hidro ose të tjera. Strategjia Shtetërore për Energjetikë, e miratuar në vitin 2018, parasheh instalim të 2000MWh prodhim nga burimet e ripërtëritshme, prej të cilave 750MWh janë nga era, ndërsa të tjerat janë nga dielli. Konsumi maksimal në vendin tonë ndryshon nga 1000MWh gjatë verës në 1350-1500MWh gjatë dimrit. Vetëm në SH.A. MEPSO deri tani ka kërkesa për 6000MWh për panele fotovoltaike dhe centrale me erë, ndërsa në rrjetin e distribuimit tek EVN mbi 5000MWh. Pra, aktualisht ka kërkesë 11 herë më shumë sesa konsumi maksimal. Në aspekt të rrjetit, kjo është e pamundur!

SHENJA: A është gati sistemi elektroenergjetik i transmetimit për ta përballuar dimrin? Çfarë investimesh janë bërë kohëve të fundit dhe çfarë planifikoni për më tutje?

MURTEZANI: Sigurisht që nuk është aspak e lehtë të mbash hapin me investimet në kohë të këtilla krize. Natyra e aktivitetit të cilin e ushtron SH.A. MEPSO kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe investime për modernizimin e rrjetit të transmisionit. Të dhënat flasin për rritje të përqindjes së realizimit të investimeve në gjysmën e parë të vitit 2022, duke arritur në 21.03 për qind, përderisa përqindja e realizimit për gjithë vitin 2021 ishte vetëm 15.03 për qind. Ky trend sigurisht që do të vazhdojë edhe në gjysmën e dytë të 2022-shit. Njëkohësisht, jemi në fazën përfundimtare të fillimit të procedurës së tenderimit për projekte në vlerë mbi 10 milionë euro. Përveç modernizimit, ngadalë po e hapim edhe kapitullin e digjitalizimit të rrjetit të transmisionit të SH.A. MEPSO. Për ta përmbledhur, për të qenë i sinqertë, kjo e tejkalon pritshmërinë tonë për këtë kohë krize, por këmbëngulja, përkushtimi dhe përpjekjet e vazhdueshme nga Bordi Drejtues dhe ekipet profesionale sigurisht që po japin rezultat.

SHENJA: Dhe, në fund, një pyetje që shpesh e parashtrojnë qytetarët. Në faturat e energjisë elektrike, shuma për transmetim dhe distribuim shpesh është më e lartë se shuma për energjinë e shpenzuar. Pse?

MURTEZANI: Po, edhe ne çdo ditë marrim reagime të shumta nga qytetarët sa i takon kësaj çështje. Edhe pse sipas vendimit të fundit të KRRE-së rritja e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë është 7,4 për qind, shuma për transmisionin dhe distribuimin ndodh të jetë më e lartë sesa shuma për energjinë e shpenzuar. Gjatë transmetimit dhe distribuimit të energjisë elektrike një sasi e energjisë humbet ose, të themi më thjeshtë, avullohet. Ky është një fenomen në fizikë me të cilin ballafaqohen të gjitha sistemet e botës. Humbjet teknike, siç quhen profesionalisht, MEPSO dhe EVN në vazhdimësi i sigurojnë në treg të lirë ose nga ESM-ja. Deri në vitin 2021 çmimi i këtyre humbjeve teknike, për MWh, ka qenë rreth 40 euro, ndërsa aktualisht MEPSO paguan 220 euro për MWh, ndërsa EVN 145 euro për MWh. Rritja katër ose pesëfish e shpenzimeve për mbulimin e humbjeve teknike bën që të rriten edhe shpenzimet e qytetarëve në faturat për energjinë elektrike. Mirëpo, këtu vlen të përmendet se humbjet teknike të rrjetit të transmetimit janë të parëndësishme: MEPSO shënon vetëm 1,7 për qind humbje teknike, ndërsa EVN diku rreth 14 për qind. Për ta përmbyllur, nga shuma e përgjithshme për transmetim dhe distribuim që qytetarëve u vjen në faturën e energjisë elektrike vetëm 10 për qind të mjeteve janë të Sh.A. MEPSO, ndërsa pjesa tjetër është e EVN-së. Për ta qartësuar këtë çështje jemi drejtuar me kërkesë zyrtare deri te Komisioni Rregullator i Energjisë që shpenzimet për transmetim dhe distribuim në faturën e energjisë elektrike të ndahen dhe qytetarët ta dinë saktë se cilës kompani sa i paguajnë.

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X