loader image
December 4, 2024

Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës dhe parandalimi i pajtimit

Gjenocidi, siç është përcaktuar përmes Konventës së Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, paraqet shkatërrimin e qëllimshëm dhe sistematik të një grupi racor, politik ose kulturor. Mohimi i gjenocidit përfshin refuzimin e dëshmive dhe fakteve historike për ndodhitë dhe realizimin e këtyre krimeve të mëdha. Në këtë kontekst, mohimi i gjenocidit mund të ketë forma të ndryshme, duke përfshirë refuzimin e plotë, minimizimin e shtrirjes dhe ndikimit ose hulumtimin e synimeve pas vetë ngjarjeve që përfundojnë me akte gjenocidale.

Sead XHIGAL, Shkup

Krimi i Srebrenicës është një kujtesë e dhimbshme e konflikteve brutale që e karakterizuan Ballkanin gjatë viteve të 1990-ta. Në korrik të vitit 1995, konfliktet e ashpra rezultuan me vrasjen sistematike të më shumë se 8000 burrave dhe djemve boshnjakë në dhe rreth qytetit të Srebrenicës nga njësitë e Ushtrisë së Republikës Srpskas nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq. Pavarësisht provave dhe akuzave të shumta nga gjykatat ndërkombëtare, mohimi i këtij gjenocidi edhe më tej vazhdon. Një numër i madh i liderëve politikë në Republikën Srpska dhe në Serbi e mohojnë publikisht gjenocidin. Në deklaratat e zyrtarëve të lartë, ndër të cilët protagonisti më i shpeshtë është Millorad Dodik, i publikojnë pohimet se ngjarjet në Srebrenicë janë një “mit i sajuar” ose “i ekzagjeruar”. Këto deklarata më shpesh bëhen për t’i nxitur ndjenjat nacionaliste dhe për ta ruajtur mbështetjen politike për partitë dhe grupet nacionaliste pranë tyre.

Viteve të fundit, shpeshherë, në debatet politike për çështjen e gjenocidit në Srebrenicë flitet se miratimi i rezolutës së OKB-së “do të ishte një pengesë për pajtimin midis popujve të ish Jugosllavisë”. Megjithatë, këto pretendime janë të pabaza dhe të paqëndrueshme, sepse pikërisht shmangia nga përballja me faktet e historisë në të vërtetë është një nga pengesat më të mëdha për pajtimin thelbësor midis popujve të cenuar. Nëse shkaqet për luftëra akoma janë të pranishme, në çfarëdo forme, qoftë edhe në nivelin e retorikës politike dhe miteve nacionaliste, atëherë midis popujve nuk ka paqe të qëndrueshme, por vetëm armëpushim. Në rrethana të caktuara, ajo përsëri mund të çojë në konflikte, luftëra dhe krime të reja. Të qenit pasiv ndaj këtij realiteti na bën bashkëfajtorë në tolerimin e konflikteve të ngrira ose në ringjalljen graduale të konflikteve të reja të mundshme.

Pseudoargumentet numerike kundër njohjes së gjenocidit, në kuptimin që numri i viktimave është nën ndonjë kufi, krahasuar me rastet e tjera të gjenocidit, janë vërtet të tepërta për t’u komentuar. Nëse ekziston një synim dhe plan për të kryer gjenocid, që është përcaktuar përmes dëshmive dhe deklaratave të shumta të liderëve politikë dhe ushtarakë të Republikës Srpskas, numri i viktimave mund të jetë edhe njëshifror, në rast se një plan i tillë pengohet në realizimin e tij. Krimi i tillë mbetet edhe më tej krim i gjenocidit në planifikimin dhe motivimin e tij.

Gjenocidi, siç është përcaktuar përmes Konventës së Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, paraqet shkatërrimin e qëllimshëm dhe sistematik të një grupi racor, politik ose kulturor. Mohimi i gjenocidit përfshin refuzimin e dëshmive dhe fakteve historike për ndodhitë dhe realizimin e këtyre krimeve të mëdha. Në këtë kontekst, mohimi i gjenocidit mund të ketë forma të ndryshme, duke përfshirë refuzimin e plotë, minimizimin e shtrirjes dhe ndikimit ose hulumtimin e synimeve pas vetë ngjarjeve që përfundojnë me akte gjenocidale. Mohimi i gjenocidit është një çështje e shumanshme me implikime të thella etike, sociale, ligjore dhe politike. Në këtë tekst do t’i trajtojmë këto çështje në mënyrë më të detajuar, duke i shqyrtuar motivet e mohimit, ndikimin tek të mbijetuarit, shoqëritë, si dhe pasojat më të gjera për kujtesën kolektive historike dhe për drejtësinë.

Shikuar nga aspekti historik, mohimi i gjenocidit është shoqëruar me disa krime famëkeqe, duke përfshirë këtu holokaustin, gjenocidin në Ruandë dhe gjenocidin në Bosnjë, që janë ndër rastet e tjera të shumta. Çdo rast paraqet sfida dhe pasoja unike, që dalin përtej mohimit. Pavarësisht dëshmive të shumta, duke përfshirë dëshmitë e të mbijetuarve, dokumentacionin nazist dhe fotografitë e çlirimit, mohimi i holokaustit edhe më tej vazhdon. Mohuesit pretendojnë se gjenocidi ndaj gjashtë milionë hebrenjve dhe miliona të tjerëve ose nuk ka ndodhur ose është ekzagjeruar shumë.

Gjithashtu, në vitin 1994 hutitët ekstremiste vranë rreth 800.000 tutsi dhe hutsë të moderuar. Mohimi i këtij krimi vjen nga qarqe të ndryshme, duke përfshirë individë dhe grupe që e minimizojnë natyrën e organizuar të vrasjeve. Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (19921995), krimet në Srebrenicë janë rast i gjenocidit të dëshmuar në gjyqësor, ku mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në mënyrë sistematike, gjë që akoma – fatkeqësisht – mohohet ose minimizohet, veçanërisht nga grupet nacionaliste serbe, që ende kanë ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky tekst i analizon çështjet e shumta që ndërlidhen me mohimin e gjenocidit, duke theksuar nevojën për përgjigje të fuqishme dhe të shumta argumentuese me qëllim që të mbrohet e vërteta historike dhe të promovohet drejtësia dhe pajtimi.

Kontekstet e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi gjatë Luftës së Bosnjës (19921995), një konflikt i shënuar nga tensionet etnike midis boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Srebrenica, një qytet në Bosnjën lindore, në vitin 1993 u shpall zonë e sigurt e OKB-së, por ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995. Gjatë disa ditëve, më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u ekzekutuan në mënyrë sistematike, ndërsa mijëra gra dhe fëmijë u zhvendosën me forcë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Tribunali i Hagës, pa mëdyshje, ekzekutimet masive në Srebrenicë i klasifikuan si gjenocid. Figurat kryesore, duke përfshirë gjeneralin Ratko Mlladiq dhe udhëheqësin serb Radovan Karaxhiq, u dënuan për rolet e tyre në orkestrimin e krimit. Termi “gjenocid” nuk është thjesht një term, por një koncept domethënës që tregon akte të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, grupet nacionale, etnike, racore ose fetare. Këto pranime ligjore nuk janë formalitete, por janë mbështetur në dëshmi të shumta, duke përfshirë këtu deklaratat e dëshmitarëve, analizat mjekoligjore dhe dokumentacio­net.

Pavarësisht këtyre vendimeve, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë ekziston ende. Ky mohim shfaqet në forma të ndryshme, që nga refuzimi i plotë i ngjarjes, e deri te minimizimi i numrit të viktimave dhe i qëllimit të masakrës. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Serbi dhe në Republika Srpska ose e mohon gjenocidin ose nuk është në dijeni për natyrën e vërtetë të tij. Kujtesa kulturore, nën ndikimin e monumenteve, përkujtimeve dhe prezantimeve mediatike, shpeshherë e përjashton ose e minimizon vuajtjen e boshnjakëve, ndërsa i glorifikon “heronjtë serbë të luftës”.

Mohimi e pengon në mënyrë të planifikuar pajtimin ndërmjet grupeve etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë. Shërimi dhe ripërtëritja e besimit kërkon njohjen e krimeve të së kaluarës dhe drejtësi për viktimat. Mohimi e thellon ndarjen dhe nxit një klimë dyshimi dhe pakënaqësie. Mohimi, gjithashtu, i pengon përpjekjet për t’i sjellë autorët para drejtësisë. Nëse niveli dhe qëllimi i krimit vihen në dyshim, atëherë rezultati është më pak nxitje për të kryer hetime dhe ndjekje të plota.

Motivimet kryesore për mohimin e gjenocidit

Të kuptuarit e motiveve pas mohimit të gjenocidit është thelbësor për zgjidhjen efektive të këtyre çështjeve komplekse. Dukurive të këtilla u kontribuojnë disa faktorë:

Nacionalizmi dhe interesat politike – mohimi shpeshherë buron nga tendenca për ta mbrojtur krenarinë kombëtare dhe për t’iu shmangur pasojave politike, siç është delegjitimimi i grupeve të caktuara politike, partive ose bindjeve të zgjeruara politike. Në rastin e Serbisë, partitë që i dirigjuan politikat e saj në vitet ’90-ta, akoma edhe sot janë faktorë kryesorë politikë në këtë vend. Pranimi i përgjegjësisë për ta do të ishte një ngjarje në nivelin e vetëvrasjes politike dhe përfundimit të legjitimitetit personal politik. Të prirë verbërisht nga interesat e përditshme politike të këtyre grupeve dhe individëve, ata krijojnë narrative propagandistike se përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë është “dënim i gjithë popullit serb”. Në Serbi dhe në Republika Srpska udhëheqësit nacionalistë shpeshherë e mohojnë gjenocidin me qëllim që ta mbajnë krenarinë kombëtare dhe për ta ruajtur narrativën e viktimave serbe gjatë luftës në Bosnjë. Pranimi i gjenocidit vë në pikëpyetje imazhin e tyre heroik për veten e tyre, të propaganduar përmes retorikës nacionaliste. Këta politikanë, në mënyrë të vazhdueshme, e mohojnë gjenocidin për të siguruar mbështetjen e grupeve nacionaliste votuese. Pranimi (i gjenocidit) për ta, politikisht, mund të jetë shumë i shtrenjtë, ashtu që do të shkaktojë humbje në mbështetje te votuesit, të cilët pranimin e tillë do ta shihnin si tradhti dhe, me gjasë, do t’i fshinin nga skena politike.

Bindjet ideologjike – disa individë dhe grupe e mohojnë gjenocidin për arsye ideologjike, siç është racizmi, nacionalizmi, etnocentrizmi ose forma të tjera të jotolerancës. Disa grupe dhe individë ideologjikë e refuzojnë etiketën e gjenocidit për t’iu përshtatur botëkuptimit të tyre më të gjerë, që mund t’i përfshijë teoritë konspirative ose historitë revizioniste që dëshirojnë t’i minimizojnë mizoritë e kryera nga grupet që i mbështesin ata. Mohimi, në thelb, është një mjet për ta mbajtur urrejtjen dhe ndarjet ekzistuese. Në rastin e Srebrenicës bëhet fjalë për luftë, përmes së cilës mbahet gjallë ideologjia për epërsinë etnike serbe ndaj popujve pakicë të Gadishullit Ballkanik. Njohja e gjenocidit do të ishte një goditje e rëndë për këtë ideologji të jotolerancës dhe epërsisë etnike.

Interesat financiare – jo rrallë në praktikën botërore njohja e gjenocidit hap mundësi për procedurë të dëmshpërblimeve financiare dhe pagesa kompensimi për vendet dhe popujt kundër të cilëve janë kryer krimet. Të pranuarit e gjenocidit mund të rezultojë me pasoja të rënda politike dhe ekonomike për një popull. Bllokimi i këtyre proceseve përjetohet si një lloj patriotizmi dhe detyrim i liderëve të popullit serb.

Historia revizioniste – historianët ose studiuesit me plane revizioniste përpiqen ta mohojnë gjenocidin, në mënyrë që t’i riformësojnë narrativat historike në mënyra që janë në përputhje me bindjet ose planet e tyre. Me fjalë të tjera, njohja e gjenocidit do t’i kërcënonte themelet e narrativeve historike ekzistuese të pranishme në etnohistoriografinë e këtyre popujve, gjë që mund të rezultojë në ndryshime të mëdha në identitetin politik dhe kulturor. Në esencë, mohimi i kontribuon historisë së shtrembëruar të krimeve. Brezat e ardhshëm mund të trashëgojnë një kuptim të njëanshëm të konfliktit, duke penguar aftësinë e tyre për të mësuar nga e kaluara dhe për ta parandaluar shqyrtimin kritik të historisë.

Faktorët psikologjikë – disonanca konjitive dhe shqetësimi i përballjes me realitetin e ashpër mund t’i shtyjë udhëheqësit e popujve ta mohojnë gjenocidin. Ai është një mekanizëm mbrojtës përmes të cilit shmanget pranimi i dimensionit të mizorisë njerëzore.

Ndikimi tek të mbijetuarit dhe shoqëritë

Mohimi i gjenocidit ka efekte të thella tek të mbijetuarit, pasardhësit e tyre dhe shoqëritë në tërësi. Për të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, mohimi e rrit dhe stërzgjat traumën e krimeve të para. Kjo i intensifikon vuajtjet e tyre, që shkakton strese afatgjata psikologjike dhe ndjenjë të padrejtësisë.

Mohimi, gjithashtu, i pengon proceset e shërimit jo vetëm psikologjik, por edhe atë të pajtimit. Ai i pengon shoqëritë që të pajtohen me të kaluarën e tyre dhe formon një pengesë për ndërtimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Me mohimin e gjenocidit, autorët dhe mbështetësit e tyre dëshirojnë t’u shmangin përgjegjësive, që gjithsesi përjetëson një rreth vicioz mosndëshkimi dhe mund të inkurajojë krime të ardhshme!

Mohimi, po ashtu, i shtrembëron faktet historike dhe e minon integritetin e kujtesës historike. Kjo e rrezikon edukimin e brezave të ardhshëm për rreziqet e urrejtjes dhe intolerancës. Mohimi i zgjatur inkurajon intolerancën dhe gjuhën e urrejtjes, ndërsa vendosja e ekuilibrit midis lirisë së fjalës dhe nevojës për të parandaluar gjuhën e urrejtjes bëhet një çështje shumë komplekse. Megjithëse individët kanë të drejtë për t’i shprehur mendimet e tyre, kjo liri nuk duhet të arrijë deri te përhapja e gënjeshtrave të dëmshme që nxisin urrejtje dhe dhunë. Në rastin e mohimit të gjenocidit, gjuha e urrejtjes inkurajon polarizimin përmes komunikimit dhe shërben si një nga faktorët kryesorë në ruajtjen e status-quo-së negative.

Shumë shtete miratojnë ligje të cilat e kriminalizojnë mohimin e gjenocidit. Për shembull, mohimi i holokaustit është i paligjshëm në disa vende europiane, ndërsa zbatimi i këtyre ligjeve mund të jetë sfidues dhe është temë e debateve të vazhdueshme rreth efektivitetit dhe implikimeve etike të një legjislacioni të tillë. Historianët, edukatorët dhe profesionistët e mediave bartin përgjegjësi etike për të paraqitur rrëfime të sakta të ndodhive historike. Mohimi dhe revizionizmi në këto fusha mund të ketë pasoja të gjera për njohjen dhe mirëkuptimin publik.

Strategjitë për luftën kundër mohimit të gjenocidit

Zgjidhja e mohimit të gjenocidit kërkon një qasje të shumanshme, siç është edukimi gjithëpërfshirës rreth gjenocidit, duke përfshirë dëshmitë e të mbijetuarve dhe provat historike si elemente themelore në raste të tilla. Edukimi i të rinjve për rreziqet e urrejtjes dhe rëndësinë e të vërtetave historike vërtet mund të ndihmojë në parandalimin e suksesshëm të mohimit. Mbështetja psikologjike dhe sociale për të mbijetuarit dhe pasardhësit e tyre është me rëndësi thelbësore. Njohja e përvojave të tyre dhe sigurimi i drejtësisë mund të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të mohimit.

Nga ana tjetër, edhe pse janë kontroverse, ligjet kundër mohimit të gjenocidit mund të jenë efektive në frenimin e përhapjes së gënjeshtrave të dëmshme. Këto ligje medoemos duhet të hartohen me kujdes, me qëllim që ta balanconë lirinë e fjalës dhe nevojën e mbrojtjes së të vërtetës të vendosur historike. Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare duhet të punojnë së bashku për ta luftuar mohimin e gjenocidit, që përfshin presionin diplomatik, sanksionet ekonomike dhe mbështetjen e iniciativave të cilat promovojnë të vërtetën historike dhe pajtimin.

Mediat dhe qarqet akademike duhet t’u përmbahen standardeve rigoroze të argumenteve dhe përgjegjësisë etike. Anashkalimi i mohimit, përmes raportimit të saktë dhe kërkimeve shkencore, është jetik për ruajtjen e integritetit historik. Inkurajimi i diskursit publik të hapur dhe të ndershëm rreth gjenocidit, duke përfshirë këtu mbulimin mediatik dhe përkujtimet publike, ndihmon në ruajtjen e kujtesës së krimeve dhe u kundërvihet narrativeve të mohimit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet që të dokumentohet dhe të pranohet plotësisht gjenocidn, duke ofruar burime dhe platforma për të mbijetuarit, me qëllim që t’i shpërndajnë rrëfimet dhe kujtimet e tyre për gjenocidin e kryer.

Konkluzionet themelore

Mohimi i gjenocidit është çështje komplekse dhe e shumanshme me implikime të thella për të mbijetuarit, shoqëritë dhe komunitetin global. Mohimi i gjenocidit e minon të vërtetën historike, e përjetëson padrejtësinë dhe i pengon përpjekjet për pajtim të qëndrueshëm. Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë ndikon në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht me shtetet perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare, që e njohin dhe e pranojnë gjenocidin. Kjo e ndërlikon procesin e anëtarësimit të Serbisë dhe BeH në BE dhe i minon përpjekjet ndërkombëtare për ta promovuar drejtësinë dhe të drejtat e njeriut në rajon.

Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës jo vetëm që nuk është një debat akademik ose politik, por ajo është një çështje kritike që prek jetën e mijëra njerëzve dhe stabilitetin e mbarë rajonit.

Zgjidhja e problemit të mohimit kërkon kombinim të edukimit, masave ligjore, mbështetje për të mbijetuarit, bashkëpunim ndërkombëtar dhe përgjegjësi etike të mediave dhe shkencëtarëve. Duke u përballur me mohimin e gjenocidit, ne mund të shprehim respekt në përkujtimin e viktimave, ta mbështesim shërimin e të mbijetuarve dhe të ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më të informuar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X