loader image
December 4, 2024

Mbi adhurimin e njëmendësisë

Prijësit i duan “artistët” dhe “elitarët” e ngjitur në anijen ose në avionin e tyre dhe që u këndojnë për pavdekësinë. Aty ku krijohet kulti i personalitetit lindin sistemet autoritare, totalitare, diktatoriale. Diktaturat, sipas Borges-it, e nxitin shtypjen, e ushqejnë servilizmin, e prodhojnë mizorinë dhe e mëkojnë idiotizmin.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Qeshim me sistemet aktuale diktatoriale; qeshim me të verbuarit e të ekzaltuarit nga ideologjia; qeshim me lajkatarët që i përkulen, i duartrokasin, i buzëqeshin Udhëheqësit, por harrojmë se i bëjmë lajka liderit (liderëve) dhe partisë (partive) si në periudhën moniste.

Qeshim kur qesh lideri edhe nëse jemi të pikëlluar. Ngrysemi kur dëshpërohet lideri edhe nëse jemi të gëzuar. E ndezim cigaren si lideri edhe kur s’jemi duhanxhi. Bëjnë tifo për ekipin e preferuar të liderit edhe kur s’jemi adhurues sporti. E mbajnë fotografinë e liderit në profile rrjetesh sociale, në zyra e në shtëpi. Lideri imitohet, adhurohet, himnizohet. Shpallet misionar, i pagabueshëm, idealist, hero, i guximshëm, i urtë, i drejtë, vizionar.

Kështu lindin sistemet autoritare, totalitare, diktatoriale. Kështu krijohet “kulti i individit”, një shprehje që Nikita Hrushçovi e përdori si distancim nga Stalini, i cili shtetin e barazoi me partinë.

Kulti i liderit krijohet nga propaganda e mediave dhe e elitave.

Sot kemi himnizues të prijësve, që përjetojnë ekstazë kur fotografohen me liderët partiakë. Flasin për politikanët, ashtu siç flisnin dikur gazetarët, shkrimtarët, intelektualët për Stalinin, Maon, Titon,  Enverin.

Danilo Kishi, njëri nga shkrimtarët më të sulmuar në Jugosllavinë e dikurshme, e këshillonte shkrimtarin e ri të mos shkruante për princa se do të pendohej.

Në poezinë “Poeti i revolucionit në anijen e presidentit” Kishi e ironizoi shkrimtarin e oborrit, i cili duhej të sillej sipas protokollit; të mendonte sipas skemës ideologjike; t’i nënshtrohej censurës; mos mbante shënime private; mos t’i përmendte disidentët; të fliste me kujdes për Trockin dhe Stalinin, sepse politika ndryshonte për çdo ditë; të bënte humor sipas protokollit; mos fliste për letërsinë e mirë; t’i citonte klasikët e marksizmit, mundësisht sa më shpesh Maksim Gorkin; t’i rregullonte dhëmbët; të kishte kujdes me veshjen dhe higjienën; të sillej mirë me damat; të mos përshëndetej me anglezët sipas stilit ballkanas; të puthej në buzë me shokët e Lindjes. Pra, të ishte “përfaqësues i denjë” i shtetit dhe kombit.

Sot kemi artistë e elitarë në avionin e presidentit, kryetarit, ministrit, kryeministrit. Kemi “elitë” partiake e shtetërore që synon të na krijojë bindjen se ne, të Tjerët, jemi vetëm njerëz me vese e virtyte, me mëkate e gabime, me dritë e terr në jetën tonë, sepse jemi vetëm njerëz që kemi lindur për të vdekur, kurse prijësi është pa vese, i përkryer; se jeta e tij është e pastruar nga mëkatet dhe gabimet; se ai nuk ka shënuar disfata jetësore; se fëmijëria e tij është si në pikturat mesjetare; se rinia e tij është mund pa fund për të mirën e përgjithshme; se prijësi nuk jeton për vete, por për popullin. Kjo “elitë” i ka shpallur prijësit të pavdekshëm ende pa vdekur.

Prijësit i duan “artistët” dhe “elitarët” e ngjitur në anijen ose në avionin e tyre dhe që u këndojnë për pavdekësinë.

Aty ku krijohet kulti i personalitetit lindin sistemet autoritare, totalitare, diktatoriale.

Diktaturat, sipas Borges-it, e nxitin shtypjen, e ushqejnë servilizmin, e prodhojnë mizorinë dhe e mëkojnë idiotizmin.

“Diktatura ka ushtarë të urdhëruar që u merret goja, portrete udhëheqësish, njerëz që rrojnë dhe vdesin me paracaktim, ceremoni të njëjta, disiplinë të egër për të uzurpuar vendin e shkëlqimit… T’i luftojë këto monotoni të trishtuara është një nga detyrat e shumta të shkrimtarit”, shkruan ai.

Faik Konica shkroi në fund të shekullit XIX se fatkeqësia e shqiptarëve ishte kapja mbas individëve. Ai kërkonte më shumë ta donim kombin dhe atdheun se individët.

Sikur ta donim vendin dhe kombin sa i duam individët, me siguri, do të ishim ndryshe, kurse prijësit s’do të silleshin si perandorë.

Le të mos harrojmë: kultin e individit s’e krijojnë ata që ne i quajmë “njerëz të thjeshtë”, por elitat hipokrite.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X